Shefqet Balaj zgjidhet këshilltar në Asamblenë e qytetit Horn

Shefqet Balaj është pjesëtari më i ri i asamblesë së qytetit Horn të Austrisë. Këtu ai përfaqëson Partinë Popullore të Austrisë  (ÖVP), që është njëra ndër dy partitë më të mëdha të këtij vendi, dhe e cila aktualisht është ë koalicion qeverisës në nivel të Austrisë.

I lindur në vitin 1963 në Strellc të Ulët të Deçanit, Balaj ka mbaruar në Kosovë fakultetin Filozofik, dega e letërsisë ndërsa në Austri punon si depoist. Është po ashtu edhe laborant kimik me profesion. Prej 13 vitesh ka shtetësinë austriake, është i martuar dhe baba i katër fëmijëve.

Me anëtarësimin e tij në asamble, më 25 shkurt 2014 Balaj është inkuadruar në tri komisione të ndryshme të punës: në komisionin për turizëm, për arsim e shëndetësi dhe në atë për verifikim.

Me hyrjen e tij në asamblenë e komunës Horn Shefqet Balaj ka fituar mundësinë të punojë në përmirësimin e bashkëpunimit në mes të qytetarëve që u takojnë kulturave të ndryshme.

“Përmes prejardhjes së tij dhe përvojës jetësore ai sjell me siguri një këndvështrim tjetër në punën e asamblesë komunale, gjë që përbën një shans të madh për komunitetin e Hornit”, ka theksuar kryebashkiaku Jürgen Maier duke e prezantuar Balajn.

Ndërsa vetë këshilltari i porsazgjedhur ka theksuar se synimi i tij kryesor në politikën e Hornit është integrimi. “Njerëzit nga të gjitha grupet etnike duhet të dinë të jetojnë së bashku në një komunitet”, shkruan meinbezirk.at.

Balaj është zgjedhur në asamble  pasi që këshilltari që ka qenë para tij me vota ka marrë një funksion tjetër.

Tre kosovarë në “Miss & Mister Zvicra frankofone”

Duket se nuk ka spektakël në Zvicër që nuk figuron ndonjë emër shqiptar. Bashkatdhetarët tanë në fushën e artit, e sidomos atë të modës dhe bukurisë, kanë bërë hapa shumë të mëdhenj përpara. Edhe në spektaklin “Miss & Mister Zvicra frankofone” gjenden tre shqiptarë. Luara Baxhaku, Ismet Halimi dhe Granit Jahmurataj janë tre emrat që kanë kaluar në finalen e këtij konkursi të bukurisë në Zvicër.

Laura Baxhaku, 18-vjeçare, e cila jeton në kanton Vaud dhe është me prejardhje nga Fushë-Kosova, thotë për “albinfo” se ishte motra e saj, e cila ka insistuar që ajo të marrë pjesë në këtë spektakël. “Përpara nuk mendoja të merrja pjesë në konkurse bukurie, por ishte motra ajo që më shtyri të konkurroj. Tani jam zgjedhur për të qenë në finale dhe po më pëlqen shumë kjo fushë. Jam pak tip e mbyllur dhe ky konkurs po më ndihmon të jemë më e afërt me njerëzit. Pjesëmarrja në këtë spektakël më ka hapur dyer të shumta për të sfiluar edhe për stilistë të shumtë”, ka thënë Laura.

Ndërkohë njëri nga konkurrentët për mister, 19-vjeçari Ismet Halimi, ka thënë se ka marrë pjesë edhe më herët si model, por jo në një konkurs për mister. Djaloshi që jeton në Gland të Zvicrës me prejardhje është nga Prishtina, një kohë ishte edhe futbollist i Lozanës: “Hobi im është futbolli, të cilin deri në moshën 18-vjeçar kam luajtur për Lozanën, por për shkak të angazhimeve me punë të përditshme nuk kam mundur t’i arrij të gjitha”, ka thënë Ismeti.

E, në anën tjetër, konkurrenti Granit Jahmurataj, me prejardhje nga Peja, por që jeton në Valis të Zvicrës, shprehet i lumtur që janë tre kandidatë kosovarë që marrin pjesë në një spektakël të bukurisë në Zvicër. “Unë jam shumë i lumtur që jemi tre shqiptarë në këtë show. Ne kalojmë shumë mirë me njëri- tjetrin dhe nuk kemi aspak xhelozi”, ka thënë 21-vjeçari që jeton në Valis, me prejardhje nga Peja.

“Miss & Mister Zvicra frankofone” mbahet më 24 maj, ndërsa synimi i tre kandidatëve është që të kurorëzohen me titullin fitues, por pavarësisht kësaj, ata ëndrrojnë që të kenë suksese të mëdha jo vetëm në Zvicër, por edhe jashtë saj.

Rene Rexhepi, edhe një herë kuzhinieri numër një në botë

Pas një “pauze” të shkurtë njëvjeçare, restoranti “Noma”, pronë e shqiptaro-danezit  Rene Rexhepi (Redzepi) shpallur edhe njëherë më i miri në botë.

“Noma” ka ka udhëhequr listën prej 50  restoranteve më të mirë në botë në vitet 2010, 2011 dhe 2012. Vetëm vitin e kaluar (2013) vendin e të parit atij ia pati marrë restoranti spanjoll “ El Celler de Can Roca”. Ky ndërkaq sivjet ka rënë sërish në vendin e dytë.

Të hënën, në mbrëmjen e ndarjes së çmimit, Rexhepi duke marrë mirënjohjen e ka cilësuar ekipin e tij si “frymëzim”, ndërsa ka pranuar se nuk është tip shumë i përshtatshëm. Ai ka shtuar se ende nuk kanë arritur synimin. “Ka ende shumë zbulime që presin për t`u bërë, shumë receta që duhen shkruar”.

Lista është bërë nga vlerësimet e 900 ekspertëve.

Rene Rexhepi është i biri i një shqiptari nga Tetova dhe i një danezeje. Vitin 2012, me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të pavaresisë së Shqipërisë ai pati bërë një vizitë në Tiranë.

Vitin e kaluar “Noma” ishte detyruar të kërkonte falje pasi që një numër mysafirësh kishin pësuar të vjella dhe diarre, shkruan azonline.ch.

Në listën e 50 restoranteve më të mira në botë për vitin 2014 është vetëm një restorant zviceran. Fjala është për restorantin “Schlos Schauenstein” në Füurstenau, i cili është radhitur në vendin 43, duke rënë për një vend më poshtë se vitin e kaluar.

Çmimi “Diaspora 2014” për Fehmi dhe Sara Fetahin

Duke vazhduar traditën e re të çmimit “Diaspora”, këtë vit ai do t`i ndahet çiftit të afaristëve, Fehmi dhe Sarah Fetahi nga Altbüron-i i Lucernit.

Ky çmim i cili fituesve të tij u dorëzohet më 10 maj, ka filluar të ndahet në vitin 2011. Fituesit e tij të deritashëm kanë qenë: ish presidentja e Zvicrës Micheline Calmy Rey, (2011), futbollisti Xherdan Shaqiri (2012) dhe deputeti nacional e veprimtari i njohur zviceran Ueli Leuenberger (2013.

“Duke u përcaktuar për çiftin Fetahi, është pasur parasysh plotësimi i spektrit të ftuesve të deritashëm edhe me sferën e biznesit gjegjësisht ekonomisë. Deri tash i kemi pasur dy politikanë dhe një futbollist të shquar, tash i kemi edhe dy  njerëz të njohur nga ekonomia. Por, më shumë se kaq, ata janë njëherësh edhe sinonim i integrimit të shqiptarëve në Zvicër”, shprehet ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, bartës i aktivitetit të ndarjes së çmimit “Diaspora”.

Sipas tij, këtë herë çmimi ndahet në vendin ku çifti Fetahu ka arritur atë për çka është bërë i njohur: në selinë e ndërmarrjes që është ngritur dhe udhëhiqet prej tyre “Fetaxid”, në Altbüron.

Pos ambasadorit dhe stafit tjetër diplomatik, në solemnitetin e ndarjes së çmimit do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë Stefan Sarkany etj.

Për të ftuarit do të këndojë edhe këngëtarja e njohur shqiptare-zvicerane e xhazit, Elina Duni.

Pos për afarizmin e tyre të suksesshëm të zhvilluar në Zvicër dhe në Kosovë Fehmiu dhe Sara janë të njohur edhe për humanizmin e tyre të treguar në vepër. Siç është e njohur tashmë nga opinioni, ata në shumë aksione humanitare në Kosovë kanë marrë pjesë aktive duke dhënë me zemërgjerësi donacionet e tyre.

Prej disa vitesh në komunën e Gjilanit vepron kompleksi turistik rekreativ “Vali Ranch”, që është investim i çiftit Fetahu. Ky kompleks është bërë një tregues për shfrytëzimin e suksesshëm të resurseve turistike dhe ngritjen e vlerës së një regjioni.

Autore e veprës skulpturale të çmimit të Diasporës është arkitektja nga Berna, Shpëtime Kamberi.

 

Tahir Shabani, kandidat për asamblist në Emmendigen

Tahir Shabani është kandiduar për asamblist në qytetin e Emmendingenit në Gjermani. Shabani ka thënë për albinfo.ch se nëse e fiton besimin e qytetarëve,angazhimi i tij do të jetë një shenjë pozitive për qytetin Emmendingen.

“Mesazhi im do të bartet te të gjithë qytetarët dhe vendësit. Kandidatura ime e ka po ashtu qëllimin që të arrijë kontaktin me migrantët dhe t’i përkrah ata në integrimin e tyre, sidomos ata të cilët nuk janë të angazhuar në nivele partiake, si dhe u ikën kontakteve me vendësit, duke ua dëshmuar domosdoshmërinë e integrimit të tyre, si dhe nevojën që të bëhen pjesë e pandarë e shoqërisë në të cilën jetojnë”, ka thënë Shabani.

“Nga pozita e asamblistit me kënaqësinë më të madhe do të ofroj të gjitha njohuritë dhe mundësitë e mia që të jem shembull i qytetarit, i cili jeton me nder dhe respekt, duke përfaqësuar në mënyrë të denjë votën tuaj”, thekson më tutje Shabani.

Tahir Shabani është i njohur në Gjermani me organizimin e shumë aktiviteteve të shqiptarëve të atjeshëm me shoqatën “Yjet e Kosovës”.

Nazar Mehmeti zgjidhet kryetar i Unionit të Bizneseve të Diasporës

Biznesmenët më të shquar shqiptar nga Evropa dhe Amerika, pas punimeve treditore, themeluan të dielën në Prishtinë Unionin e Bizneseve të Diasporës. Me vota unanime nga të pranishmit, kryetarë i Unionit të Bizneseve u zgjodh Nazar Mehmeti ndërsa nënkryetar për Amerikën Veriore, u zgjodh Elmi Berisha. Nënkryetar për Evropë, ndërkaq u zgjodh Yll Blakaj nga Austria.

Me këtë rast, afaristët nga diaspora shqiptare, të cilët me iniciativë të Ministrisë së Diasporës, në kuadër të obligimeve që dalin nga përkrahja dhe koordinimi i investimeve nga jashtë, shprehën edhe njëherë përkushtimin që maksimalisht të angazhohen në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë solemnitet, kryetarët e rrjeteve të bizneseve të Evropës, ShBA-ve dhe Kanadasë, nënshkruan edhe Deklaratën solemne të Themelimit të Unionit të Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës Mbarë-shqiptare.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, pas përfundimit të punimeve të Forumit, përgëzoi të gjithë të pranishmit për përkushtimin dhe punën e tyre, ndërsa premtoi që ky projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës do të gjen gjithmonë mbështetje.

Ai me këtë rast falënderoi të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, Organizatat Ndërkombëtare dhe afaristët nga Diaspora, të cilët kanë përkrahur fuqishëm procesin e Rrjetëzimit të Bizneseve dhe krijimin e këtij Unioni.

Delegacioni i bizneseve nga diaspora, gjatë vizitës, qëndruan edhe në komunën e Rahovecit, Gjilanit dhe Gjakovës, ku u takuan me kryetarët e Komunave përkatëse si dhe me kryetarin e komunës së Junikut.

Edhe gjatë këtyre takimeve u diskutuan forma të ndryshme të mundshme për bashkëpunim, ndërsa komunat shprehën gatishmërinë e tyre që t’u ofrojnë afaristëve infrastrukturë dhe mundësi të të bërit biznes, si dhe unanimisht shprehën përkushtimin për luftimin e çfarëdo pengese në të cilën ata mund të hasin gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre afariste.

Deklarata e Përbashkët

“Ne, përfaqësuesit e rrjeteve të bizneseve të Diasporës në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, të mbledhur në Prishtinë, duke parë nevojën e krijimit të një Unioni të bizneseve të Diasporës, ashtu që aktivitetet tona të jenë të koordinuara,

Të vetëdijshëm për nevojat të cilat Republika e Kosovës, i ka nga remitencat dhe investimet e Diasporës në zhvillimin ekonomik,

Të përkushtuar që të avancojmë pozitën tonë edhe më tutje, që të ndihmojmë shtetin e Kosovës në rrugëtimin drejt integrimeve euro atlantike,

Duke shprehur interesimin tonë të përbashkët në hulumtimin e tregut Kosovar për investime kapitale,

Si një organ i ndërmarrësve të suksesshëm nga fusha të ndryshme, që ndajmë pikëpamjen e përgjithshme se biznesi dhe të gjitha strukturat e institucionet afariste, krijohen dhe zhvillohen për nevojë të transformimit, ashtu që, shndërrohen në një zë të shprehjes së vullnetit të mirë për t’i qëndruar afër atdheut, jo vetëm përgjatë historisë në kohë lufte por edhe në kohë të zhvillimit ekonomik,

Të vetëdijshëm se biznesi krijon vlera, dinjitet njerëzor në punë dhe i transformon komunitetet dhe jetën e tyre, duke ofruar mundësi për një prosperitet dhe mirëqenie të jetës së qytetarit bazuar në parime universale, si:

Përkushtimi – zell për një mision duke shprehur vullnet dhe angazhim maksimal

Modestia – zotim që të shërbejë me respekt edhe për të tjerët

Besim – kurajë për të ndërmarrë rreziqe

Integritet dhe Shpresë për një jetë më të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe prosperitet të atdheut tonë,

Duke falënderuar të gjitha institucionet që ndihmuan në jetësimin e këtij projekti: Unanimisht marrim vendim që sot, më datë 18 Maj të vitit 2014, në Prishtinë kryeqytetin e Republikës së Kosovës, të themelojmë Unionin e Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës.

Mërgimtari nga Zvicra ndërton fabrikë të biogazit në Kërçovë

Në zonën industriale Ivanidol-2 ka filluar ndërtimi i fabrikës së parë të biogazit në Kërçovë të Maqedonisë, një investim privat i mërgimtarit shqiptar nga Zvicra.

Fabrika e re do të ketë një kapacitet të përpunimit të 25 tonëve të mbeturinave bio nga sistemi me digestor për të fituar rreth 3000 metra kub të biogazit në ditë, të cilat mund të përdoren për qëllime të ndryshme.

Në ceremoninë e inaugurimit të fabrikës ka marrë pjesë edhe kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari.

“Një fabrikë e re është vetëm hapi i parë drejt zhvillimit më të shpejtë të rajonit të Kërçovës. Përfitimet e ndërtimit të këtij kapaciteti do të jenë si në aspektin mjedisor, ashtu edhe ekonomik. Sepse përveç për të punësuar një numër më të madh të të papunëve, nga kjo fabrikë do të përfitojmë energji të pastër”, tha kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari.

Investitori nga Zvicra, Faik Sherifi, në këtë kapacitet të ri do të investojë fonde private që shkojnë deri në 1 milion euro. Dëshira e tij është që përvojën shumëvjeçare në Zvicër ta implementojë në vendin prej nga vjen.

“Unë jam plot 40 vjet në Zvicër dhe kam qenë në gjendje për të parë mbi 30 fabrika me biogas dhe kështu kam vendosur që përvojat e tyre t’i aplikoj në vendin tim. Me këtë fabrikë do të përfitojnë të gjithë, sepse do të prodhojë energji të pastër, ndërsa në të njëjtën kohë do të punësohen më shumë njerëz”, tha Faik Sherifi, pronar i fabrikës së re.

Fabrika e re do të jetë gati deri në fund të shtatorit.

Arnold Gjergjaj nderohet me çmimin e integrimit

Arnold Gjergjaj, pas shumë trofeve në ring, së fundi ka marrë edhe një trofe tëe llojit tjetër. Komuna Pratteln në kantonin Baselland, në të cilën jeton boksieri i shquar, e ka nderuar atë me çmimin për integrim. Për rezultatet e tij të jashtëzakonshme dhe për integrimin e tij shembullor, atij i është dhuruar ylli i Prattelnit (Prattler Stern).

Ky çmim jepet një herë në dy vite dhe ka vlerë monetare prej 10 mijë frangash.

Boksieri 29 vjeçar, i njohur edhe si “Kobra”, ka ardhur në Zvicër si 14 vjeçar. Në karrierën e deritashme të boksit, si profesionist Gjergjaj ka një bilanc të jashtëzakonshëm: 24 luftëra, 24 fitore, shkruan sn.ch.

Por, krahas boksit ai është dalluar me angazhimin e tij për integrim. “Si 14 vjeçar kam ardhur nga Kosova në Pratteln, pa ditur asnjë fjalë gjermanisht. Dhe sot po nderohem. Është çmimi i parë  që më është ndarë ndonjëherë këtu. Ky është një nderim i madh për mua”, ka thënë shqiptari nga Kosova.

Boksieri i cili ka ushtruar edhe me Vladimir Kliçkon, ka shtuar se po përpiqet t`i mësojë të rinjtë se me motivacion dhe me punë të rëndë mund t`i arrijnë qëllimet e tyre.

Kushtrim Gashi, kompozitori në mes të vlerësimit dhe mbijetesës

Një vend i mirë për tone të reja është qyteti Darmstadt, thotë kompozitori dhe dirigjenti me prejardhje nga Kosova, Kushtrim Gashi. Para tri vitesh ai pati ardhur për të studiuar në Hesenin jugor. Jeta që bën këtu nuk është e thjeshtë por produktive. Dhe, nganjëherë ndodh edhe të shpaguhet: Gashi e ka fituar së fundi një bursë studimi.

Një burrë plak me vështrim serioz e me mjekër të madhe që të ngjallë frikë i qëndron mbi kokë dhe e vëzhgon gjithnjë Kushtrimin teksa ai është duke kompozuar. Është kompozitori klasik Johannes Brahms, i futur në një kornizë të bukur ari dhe i varur në murin e bibliotekës së akademisë së arteve muzikore. Drejtpërdrejt mbi tavolinën në të cilën Kushtrim Gashi i shkruan notat me lapsin e tij të mprehtë.

“Ndoshta”, thotë Kushtrimi me një nënqeshje fine, “një ditë edhe unë do të dukem kështu”. Por, tash për tash ai bart një mjekër treditore të modës, ka shikim gazmor dhe në përgjithësi kompozitori i ri është larg nga pamja sentimentale e kolegut gjerman.

Gashi, 30 vjeçar, vjen nga Prishtina, Kosova, studion prej tri vitesh në Darmstadt dhe është i pasionuar pas kërkimit të ngjyrave krejt të reja të toneve dhe kombinimit të tyre. Për këtë ai ka fituar tash bursën e Darmstadti për muzikë, me vlerë prej 2000 eurosh. Një ndihmesë që i vjen në kohën e duhur Gashit dhe familjes së tij të vogël.

Ai dhe gruaja e tij Delina kanë ardhur para tri vitesh këtu. Të dy janë studentë të muzikës, të cilët në qytetin gjerman i solli nami i mirë i Darmstadit dhe i akademisë së këtushme te muzikës. Atyre dhe prindërve u është dashur të kursenin një kohë të gjatë për ta mbushur konton e kërkuar si kusht për të fituar të drejtën e ardhjes këtu për studime. Me mjaft mund ata gjetën banesën e tyre, një dhomë në një lagje kompozitorësh, ku tash jetojnë tre veta.

Tepër ngushtë në banesën njëdhomëshe

Më 10 nëntor do të jepet çmimi i Darmstadit për muzikë, me ç`rast Kushtrimi do ta marrë bursën që shkon me këtë çmim. Ndarja e çmimit shoqërohet nga një koncert që fillon në orën 19, hyrja gratis.

Para katër muajsh çifti i ri solli në jetë fëmijën e parë, një djalë që solli gëzim të madh te ta. Por, për të kompozuar në qetësi është “shumë, shume ngushtë”, thotë kompozitori i ri. Kështu, ai i kalon ditët e veta – gjashtë orë, tetë orë në këndin e tij në bibliotekë, nën vështrimin kritik të Brahmsit plak. Dhe duket se kjo i bën mirë.

“Unë jam një kompozitor i ngadalshëm”, thotë ai. Por gjatë kohës së tij të Darmstadt-it, nuk është se ka shkruar pak. Shumë muzikë dhome, pjesë korale por edhe poema simfonike. “Është fantastike se këtu në akademi ka mundësi të dëgjohet muzika e krijuar menjëherë”, thotë Gashi, i cili shprehet me entuziazëm tek flet për kolegët e tij instrumentistë.

Së fundi ai ka shkruar një kompozim tetë minutash “Bagatelli con Interludi” për instrumentet me tela, klarinetë, flaut, instrumente me të rëna dhe piano.  “Më shumë se gjysmë viti kam punuar në të”. Në këtë rast ai ka lidhur muzikën e re me tingujt tradicionalë ballkanikë të vendlindjes së tij.

Në Kosovë drejton një orkestër të rinjsh

Përkundër skenës së avancuar muzikore të Darmstadit, përshtatja në këtë vend nuk është e thjeshtë për Gashët. Përditshmëria i kalon Kushtrimit në mes të kozmosit të vogël të akademisë, dhomës ku jeton me familjen dhe Kosovës, ku ai kthen shpesh dhe ku dirigjon një orkestër të rinjsh që e ka themeluar vetë.

Banorët e Hesenit jugor janë mikpritës, sidomos drejtori i akademisë, i cili i ka hapur shume dyer. Por toni i qasjes  së tyre është i ndryshëm nga ai që mbretëron në mes të kosovarëve, më i ftohtë. Gjë që sipas Gashit nuk është keq. “Atje (në Kosovë) njerëzit mendojnë se evropianët perëndimorë janë të ftohtë, por kjo nuk qëndron, Ata janë thjesht `shumë të zënë` thotë ai dhe shton se kjo i pëlqen.

Me paratë e çmimit që ka fituar ai do ta mbajë familjen mbi ujë për një kohë. Nganjëherë, si mbajtës i vetëm i familjes, Kushtrimi detyrohet të muzikojë nëpër festa private. Si kompozitor nuk mund të bëhesh i pasur, kështu është në gjithë botën”, thotë ai. Por ai është i vendosur që megjithatë të këmbëngulë në objektivin e tij profesional.

Një vend fiks pune si dirigjent, është synim afatgjatë i tij. Në Gjermani? Në Kosovë? Gjithçka është e hapur. Por nuk përjashtohet që ai të bëhet njëri nga ata mësimdhënësit që me bazament të fortë të përvojës nga jashtë dikur te kthehet në Prishtinë që të entuziazmojë atje brezin e ri me tonet e reja.

Adelina Kuqi, Mis Zvicra Veriperëndimore

Adelina  jeton në Kaiseraugst të kantonit Aargau dhe më 17 korrik mbush 22 vjet.

Ditë më parë Adelina, në një spektakël të madh të mbajtur në Bazel është zgjedhur më e bukura në regjionin e madh të Zvicrës Veriperëndimore, që përfshin kantonet: Baselstadt, Basellandschaft, Aargau dhe Solothurn.

Adelina, e cila deri më tash modelimin, e ka pasur si hobi, me trofeun e fituar konsideron se atë mund ta shndërrojë edhe në profesion. Ajo ka ambicie dhe vullnet që ta bëjë këtë. Siç thotë për mediet zvicerane, ëndrra e saj është që të defilojë në pistat e njohura të modës si në Milano, Nju Jork etj.

Nga shkurti i këtij viti ajo ka një vend pune në një byro për ndërmjetësim të punësimit, shkruan aargauerzeitung.ch. Ka qenë në garat për Miss Zvicra dhe në disa organizime nga fusha e modës në Zvicër dhe në Gjermani.

Këtë verë Adelina së bashku me të dashurin e saj pushimet do t`i kalojë në SHBA. Atje shpreson se do të lidhë kontakte të nevojshme me botën e modës dhe të bukurisë.

Në Kaiseraugst, qytezën ku jeton Adelina, është ritur edhe ylli i futbollit zviceran dhe botëror, Xherdan Shaqiri.

Dr. Halil Krasniqi, emërohet kryemjek në klinikën gjermane

Klinika e kirurgjisë vaskulare në spitalin St. Johanes-Hospital ka zgjedhur një drejtues të ri. Fjala është për Dr.Dr. Halil Krasniqin, i cili është emëruar shef i ri i kësaj klinike. Mjeku shqiptar nga Kosova nuk është emër i panjohur për regjionin ku jeton, qyteti Varel i regjionit Friesland, Gjermania Veriore.

Deri në këtë emërim ai ka qenë po ashtu shef mjekësor në klinikën e kardiologjisë vaskulare në St.Willehad-Hospital në Wilhelmshaven, shkuan nwzonline.de. Drejtuesit e spitalit St. Johannes e kanë përshëndetur shefin e ri të klinikës. Ndërsa vetë Krasniqi me këtë rast ka thënë: “që nga dita e parë e punës në këtë spital kam pasur rastin të bindem se këtu pacienti shihet si njeri dhe se respektohen pikëpamjet e tij individuale mbi botën”.

Ndërsa nga spitali ku ai është zgjedhur shef, bëhet e ditur se që nga ditët e para ka udhëhequr operacione të komplikuara kardiovaskulare.

Adnan Dibrani fiton çmimin „mërgimtari i suksesshëm“

Në bazë të Ligjit të Diasporës dhe Mërgatës, Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, me rekomandim të komisionit pesanëtarësh, për kontribut të veçantë për mërgatën apo shtetin e Kosovës ndau çmimin vjetor për mërgimtarin/grupin më të suksesshëm të vitit, Adnan Dibranit, deputetit shqiptar në Parlamentin Suedez.

Dibrani ka shërbyer si deputet në legjislaturën e kaluar, ndërsa tani sërish garon për një mandat të dytë.

Gjatë ndarjes së çmimit, Ministri Makolli, uroi që Dibrani të zgjidhet edhe njëherë si deputet në Parlamentin Suedez.

“Uroj që z. Dibrani fillimisht të zgjidhet si deputet edhe në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit Suedez, e më pas me dëshirë do ta shihnim edhe si përfaqësues në Parlamentin Evropian”, tha Ministri Makolli, thuhet në një njoftim të MeD-it

Ndërsa Dibrani, duke falënderuar Ministrin e Diasporës për çmimin, tha se edhe pse tani për tani është duke jetuar dhe vepruar në Suedi, nuk e përjashton mundësinë që edhe të kthehet në Kosovë, vendin që, sikurse tha, nuk e ka harruar në asnjë moment.

Shqiptarja, cicerone në Winterthur

Albulena Kqiku–Cakolli u shpjegon turistëve për vendet më të bukura të Winterturit

Albulenën e takoni në zyrën e Turizmit në Winterthur

“Mirë se vini në Vintertur”, kjo nuk është thjesht një frazë. Kjo është puna e 20-vjeçares me të huaj në Wintertur, që turistët nga fillimi të ndihen rehat.

“Ne jemi gjithmonë në dispozicion për mysafirët e huaj dhe të gatshëm t’i këshillojmë dhe t’iu përgjigjemi pyetjeve të tyre me kompetencë të plotë. Kërkon dikush një dhomë hoteli, apo dëshiron të dijë më shumë për ofertat e gastronomisë së Winterturit, unë i këshilloj mysafirët për akomodim sa më të mirë dhe përpiqem t’ua plotësoj secilën kërkesë që ata kanë nevojë”, thotë Cakolli.

Është italian, menjëherë e dërgoj diku në një restorant indian apo një pub, ku mund të kaloni me një çmim të volitshëm.

Shijet janë sigurisht të ndryshme. E njëjta gjë vlen edhe për ndonjë monument, për teatër, apo për ndonjë ngjarje të caktuar. Albulena duhet t’i tregojë se ku bëhen shfaqjet teatrale, muzika, festivalet apo ndonjë koncert që mbahen jashtë në mot të mirë.

Te zyra e turizmit ku punon Albulena njerëzit kërkojnë të dinë për mundësitë e shëtitjeve dhe ku mund të bëjnë shoping.

“Për të gjitha dhe rreth gjithçkaje unë si konsulente duhet ta di”, tha Albulena.

Winterthur është qyteti  i preferuar i Albulenës

“Unë gjithmonë them, nëse ju zbarkoni në Cyrih, atëherë vazhdoni menjëherë në Winterthur. Prandaj, nuk është e vështirë për mua, mysafirët qytetin tonë e kanë për zemër më të gjitha virtytet e saj. Si cicerone për vizitorë, unë përkujdesem për ta, që kur ata vijnë në zyrën time të rezervojnë ndonjë dhomë hoteli apo dëshirojnë të rezervojnë një biletë koncerti”, tha për albinfo.ch, Albulena Kqiku-Cakolli.

Për punën që e bën Albulena nevojitet një arsim solid, natyrisht më së miri do të ishte në fushën e turizmit dhe gjithashtu njohja e mirë e gjuhëve.

“Personalisht flas shumë mirë gjermanisht, anglisht, frëngjisht, shqip dhe pakëz italisht. Për këtë, duhet të informoheni gjithnjë rreth Winterthurit. Kështu çdo ditë mëson diçka të re. Kjo e bën profesionin tim më të vërtetë emocionues. E rëndësishme gjithashtu është që ju të jeni elastik. Ndonjëherë është edhe për ne shumë stresuese, veçanërisht kur presin para zyrës shumë njerëz dhe duan të dinë për çdo gjë. Për një profil të këtij profesioni kërkohet të jesh i kuptueshëm, me pamje natyrore dhe me sjellje të mirë. Në fakt, ne jemi si një “letërnjoftim” i qytetit”, tregon për punën e saj Albulena.

Fillimisht 20-vjeçarja ka kryer shkollimin për tregti, e më vonë ka kaluar në turizëm të Winterthurit.

Albulena me prejardhje është nga Kosova, por e rritur në Zvicër, ndërsa prindërit e saj jetojnë për më shumë se 30 vjet këtu.

“Në kohën e lirë merrem me grupin e teatrit në shkollën e biznesit KV në Winterthur, ndërsa gjithashtu jam edhe udhëheqëse e grupit të vallëzimit në klubin kulturor “Dardania”. Po ashtu, së bashku me babanë tim një herë në muaj e kemi një emision në “Radio Stadtfilter”, tha Albulena.

Më këtë Albulena thotë se po ndërtojmë një urë në mes të Zvicrës dhe shqiptarëve.

Megjithatë 20-vjeçarja ka një ëndërr tjetër që të bëhet mësuese.

Ajo do të largohet në fund të këtij viti nga zyra e turizmit në Winterthur për të vazhduar shkollimin për mësuese.

A.GJ

Sylë Peci, shqiptari që kultivon barishtat dhe u këndon atyre

Hapësira prej 5000 metrash katrorë me katër kopshte me xhama kundërmon nga borziloku i freskët, menta dhe barishtat tjera

 

Sylë Peci (Sula Peci), shqiptari 52 vjeçar nga Kosova, i cili prej shumë vitesh jeton në Wesel të Gjermanisë është një kultivues i pasionuar i barishteve. Gjithçka ka filluar si fëmijë kur ai në një kuti konserve kishte mbjellë bimën e parë të timjanit. Ndërsa sot ai ofron mbi 1200 rrënjë bimësh mjekësore dhe barishtesh tjera.

 

“Mbretërinë” e tij të barishteve Syla e ka ngritur para më shumë se 20 vitesh në Wesel. “Këtu ndodhej më parë një kopsht perimesh. Unë dëshiroja të bëja diçka tjetër  dhe fillova të eksperimentoj me barishte”. Hapësira prej 5000 metrash katrorë me katër kopshte me xhama kundërmon nga borziloku i freskët, menta dhe barishtat tjera. Ndërkaq, Syla ofron edhe bimë tjera. “Unë mund të ju siguroj çdo gjë që ka rrënjë dhe që është legale”, thotë ai me të qeshur.
Ajo që e gëzon në mënyrë të veçantë kosovarin është fakti se gjithnjë më shumë të rinj interesohen për barishte. Ata kanë kënaqësi të ziejnë gjellëra të shëndetshme prandaj vijnë të këshillohen nga unë”.
Te Syla është adresa më e mirë edhe për ata që i pëlqejnë specat djegës. Ai ka tashmë rreth 40 lloje të specit dhe të chilit nga e gjithë bota, shumë prej të cilëve i ka shartuar vetë. “Total-Paprika” e ka emërtuar një lloj të tillë speci, duke iu referuar një emsioni të popullarizuar humoristik të televizionit pro7 “Tv Total”. “Në shije është djegës por po ashtu i këndshëm dhe i ëmbël, ashtu sikurse  emisioni i Stefan Raab-it”.

Peci i do aq shumë barishtet e tij sa që edhe u ka kushtuar këngë atyre. Në internet tashmë po e bën xhiron kënga e tij “Kräuterballade” (Balada e barishteve).
http://www.youtube.com/watch?v=kIR2E_Vsvqs

Reperi shqiptar që këndon për integrimin dhe lirinë e mendimit

Në Austri ku jeton prej vitesh, reperi shqiptar Liridon Mulaj njihet me emrin artistik “Lyrix Banditi”. Artisti tashmë 30 vjeçar, i lindur në Mitrovicë, ka ardhur me prindërit e tij në Austri në vitin 1995, si refugjat.
“Ne jemi integruar por megjithatë kemi mbetur imigrantë. Në sytë e disa njerëzve si i huaj nuk do të pranohesh kurrë”, thuhet në vargjet e artistit të repit, të këngës së publikuar rishtas “Wieder Auf”. Kënga së bashku me klipin bën fjalë për integrimin, ashtu siç e ka përjetuar vetë në Austri i riu me prejardhje të huaj, Liridoni.
“Sot jam unë këtu, shumë vite kanë kaluar. E zotëroj gjermanishten aq mirë sa mund të vallëzoj me fjalë. Kjo na ka shpëtuar jetën dhe për këtë dua ta falënderoj”, thuhet më tutje në këngën me ton optimist. “Megjithatë unë e di se prej nga vi, mendoj shpesh për të afërmit. Ata kanë përjetuar shumë dhe gjithnjë kanë qëndruar vertikalisht. Kur e sheh dhembjen me sytë tu, mëson ta duash më shumë këtë jetë”.
Më 12 shtator del albumi i ri i “Banditit” me tituillin “Meinungsfreiheit” (Liria e mendimit).
Liridoni më parë ka qenë pjesë e grupit hip-hop “Gravity Killaz” ndëresa prej dy vitesh si reper punon i vetëm, shkruan meinbezirk.at. Në këngët e tij kryesisht në gjuhën gjermane ai trajton tema mbi tretjen e resurseve, lirinë e mendimit, mbingarkesën me informacione ose lakminë njerëzore.

“Pa luftën kolektive, unë nuk do të isha këtu”

Fytyra e Isa Berbatit është e njohur për disa banorë të Lozanës. Ai ishte veçanërisht aktiv në luftën “Për katër vjet ne rrënjosemi”, si në lëvizjen e quajtur “523”

 

Militant i fortë në “Lëvizjen 523” në kantonin e Vaud-it, Isa Berbati më në fund mori një leje qëndrimi dhjetë vjet pas shpërnguljes së tij të detyruar nga vendlindja. Kurrë nuk do të arrij t’i falënderoj mjaft të gjithë ata që kanë luftuar për ne. Ata janë engjëjt tanë mbrojtës. “Gjatë takimit tonë, Isa Berbati thekson në mënyrë të përsëritur angazhimin heroik të gjithë aktivistëve, shoqatave, sindikatave, kishave dhe partive politike të kantonit të Vaudit, të cilët luftuan për rregullimin e 523 refugjatëve të ikur nga shtetet e Ballkanit. Sa për kujtesë, kjo lëvizje e madhe filloi më 24 qershor 2004, me krijimin e azilit koordinues { Coordination Asile}. Qëllimi i saj: të kundërshtojë vendimin e gjysmës së Konfederatës për të kthyer gjysmën e azilkërkuesve nga Ballkani, kryesisht të Kosovës, të cilët patën marrë atë kohë të ashtuquajturin “përjashtim Valdeze”. Isa Berbati ishte një  prej tyre.

“Pasi që kantoni,  i cili kishte rënë dakord të shqyrtojë dosjet me Amnesty International, pati dërguar dosjen time në Bernë, unë më në fund mora një përgjigje pozitive. “Në vitin 2006 Isa Berbati më në fund merr një leje qëndrimi F dhe  B, dy vjet më vonë. Sikur pothuajse të gjithë aplikantët që duhej të largoheshin nga Zvicra, ata mbetën falë këtij mobilizim historik.

Një dhimbje pa fjalë

Kthim mbrapa. Dhjetë vjet më parë Isa Berbati ishte 34-vjeçar dhe me një diplomë të juristit në xhep, e  cila megjithatë nuk njihej nga  qeveria serbe. “Për një shqiptar të Kosovës si unë ishte e pamundur për të gjetur punë. Sidomos, duke qenë i angazhuar në presidencën e një partie në Kosovë. Situata bëhej gjithnjë e më e rrezikshme në një kontekst politik jashtëzakonisht të tensionuar. “Ai zgjedh shpërnguljen, pavarësisht nga dhimbja që i shkaktohej duke  lënë gruan e tij të re dhe vajzën  5 javëshe. Ai do të arrijë t’i shohë sërish vetëm dy vjet e gjysmë më vonë, kur gruaja dhe beba arritën më në fund në Zvicër pas disa përpjekjeve të dështuara. “Nuk ka fjalë për të shpjeguar atë çfarë e kam ndierë atë kohë.  Unë pata lënë çdo gjë, familjen time, miqtë e mi, jetën time. Ndarja emocionale ishte e tmerrshme. Unë kam qenë këtu fizikisht, por atje mendërisht”, thotë ai.

Megjithatë, pavarësisht dhimbjes, pavarësisht nga refuzimi i kërkesës së tij për azil, Isa Berbati nuk e lëshon dore. I vendosur në kantonin e Vaudit, ai fillon kurse intensive të gjuhës frënge. “Bashkatdhetarët e mi nuk kuptonin pse i përkushtohesha kaq shumë angazhimeve të mia në Vaud, pasi që ata mund të më kthenin në Kosovë në çdo kohë. Për mua, kjo ishte një shans! Edhe në qoftë se unë do të kthehesha në Kosovë, unë do të kthehesha i pasuruar me një gjuhë më tepër”, shpjegon ai me filozofi.  Ai shumë shpejt merr mandat për përkthim në  në Poliklinikën Mjekësore Universitare, për mjekët dhe shoqatat.

Një mobilizim Valdeze

Vendosja e tij në Zvicër mbetej i pasigurt, megjithatë. “Ashtu siç ndodhte për të gjithë kosovarët,  Konfederata zgjeronte në mënyrë kolektive të drejtën tonë për të qëndruar në Zvicër”, kujton ai. “Kur mbaroi lufta, nga viti 2000, ne  krijuam lëvizjen”. Për katër vjet  ne rrënjosemi. “Autoritetet donin që ne të kthehemi në Kosovë. Por jeta është shumë më e pasur se ligjet dhe rregullat. Fëmijët tanë ishin në shkollë, ne ishim duke punuar, ishim të integruar… “Një mobilizim i suksesshëm sikur ai i “523 vetave”…

Kthimi i parë i  tij në Kosovë?  “Ajo pati ndodhur  pas 10 vjet, 1 muaj dhe 11 ditë. Unë i kam numëruara, sepse ishte shumë e gjatë… Gjithçka kishte ndryshuar, rrugët dhe ndërtesat më dukeshin më të vogla , ndërsa fëmijët ishin rritur. Shtëpia ime ishte rindërtuar nga prindërit e mi, të cilët, duke gjetur strehim në Zvicër, ishin kthyer. “Që nga ajo kohë Isa Berbati, i cili aktualisht punon si ndërmjetësues në mbrojtjen e të rriturve në Gjenevë (Kurator zyrtar), kthehet disa herë në vit . “Situata është përmirësuar, edhe nëse ajo është duke shkuar shumë ngadalë. Aktualisht rroga mesatare është 350 €, ndërsa çmimet janë evropiane, gjë që është shumë e vështirë për t’u përballuar.

Specialist i migriacionit

Migrimin, ai e njeh sepse e ka përjetuar mishërisht, por edhe e ka studiuar. Në xhepin e tij, duke përfshirë diploma të tjera, a ka gjithashtu një certifikatë të përkthyesit komunitar si dhe një patentë federale për specialistë të migracionit. Teza e tij u përqendrua në rregullimin e statusit të azilkërkuesve në Vallorbe.

Atë që ka punuar, denoncon një situatë të padenjë: “ORS, një firmë private fitimprurëse që merret me pritjen e azilkërkuesve, punëson njerëz të nënkalifikuar ose të pakualifikuar, dhe jo të paguar mirë. Duket se disa kontrolle do të bëhen në këtë lëmi. Por ODM duhet, sipas mendimit tim, të jetë përgjegjës për qendra të tilla. “Duke pasur parasysh shtrëngimi i ligjit të azilit, Isa Berbati, i cili që nga viti 2011 të drejtën për të votuar, falë natyralizimit tij, relativizon. “Kjo varet nga kantonet. Edhe pse kohët kanë ndryshuar, unë mendoj se një mbështetje siç ka qenë para  10 vjetëve, është ende e mundur. Në atë kohë, ne kemi gjetur një derë ku të trokasim. Një politikë humane dhe realiste pati lejuar të hyjë në negociata për rregullimin e qëndrimit tonë. Pa luftë dhe pa kantonin e Vaudit, unë nuk do të isha këtu.Unë nuk do mund t’i  falënderoj kurrë mjaft”.

Bunjaku sërish në politikën zvicerane

Blerim Bunjaku kandidon për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, në zgjedhjet që mbahen në prill dhe për Parlamentin Nacional, i cili zgjidhet në tetor të vitit 2015

 

Prania e emrit të Blerim Bunjakut në listën e partisë EVP për Asamblenë Komunale të Winterthurit, në fushatën e zhvilluar në fillim të vitit, ksihte habitur shumëkënd. Kandidati Bunjaku në fakt, duke u bërë pjesë e listës së një partie me prapavi religjioze të krishterë, nuk kishte dashur të provokonte. Por, ai nuk e mohon se kjo ka qenë një sfidë e llojit të vet. Dhe, Bunjaku nuk u përton sfidave.

Sot, Blerimi thotë se i ka shërbyer së tepërmi fushata për asamblenë e Winterthurit. “Edhe pse nuk arrita të zgjidhem, jam i kënaqur me impaktin që kam krijuar në mesin e qytetarëve të Winterturit por edhe të kantonit e më gjerë dhe sidomos në opinion, përmes medieve”.

Prania në medie, edhe kur ndonjëherë ka qenë e intonuar negativisht, e ka ndihmuar shumë në ngritjen e profilit të tij si politikan, beson Bunjaku. Dhe ky besim i tij ka bërë që ai tash, një vit pas kësaj përvoje, të kandidojë madje për dy nivele më të larta: për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, në zgjedhjet që mbahen në prill dhe për Parlamentin Nacional, i cili zgjidhet në tetor të vitit 2015. Blerimi e pranon se këto janë dy sfida të mëdha por ai është njeri që i pranon sfidat. Këtë e ka dëshmuar tashmë me polarizimin që ka shkaktuar në fushatën e kaluar. Si rezultat, ai ka fituar postin e mbikëqyrësit të rreth 30 shkollave, sa ka regjioni i cili i është besuar. Dhe jo vetëm kaq, ai ka fituar edhe shumë përkrahës, brenda dhe jashtë partisë së tij.

Por sa i guximshëm duhet të jetë njeriu që kandidon për nivelin kantonal dhe atë nacional ndërsa nuk ka mundur të kalojë “pragun” komunal, është pyetja e radhës, për të cilën Bunjaku e ka të gatshme përgjigjen. Ai thotë se shpreson më shumë për një sukses në zgjedhjet nacionale se në ato kantonale.

“Shikoni, zgjedhësit e EVP-së në nivel të komunës  janë më të pakët në numër, sidomos pasi që është fjala për një parti të vogël. Edhe në zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit, të drejtë për të më votuar kanë vetëm qytetarët e Winterthurit. Me gjithë një rritje pas përvojës së zgjedhjeve komunale, sërish bëhet fjalë për një potencial të kufizuar. Ndërsa për kandidimin tim për nivel nacional do të kenë të drejtë të votojnë qytetarët e gjithë kantonit. Dhe këtu unë e shoh një potencial të madh”, shprehet i bindur Bunjaku.

Në këtë rast ai pret shumë votues jo vetëm nga kampi i partisë që e ka kandiduar por edhe nga shqiptarët me të drejtë vote, kur dihet se në Kantonin e Cyrihut ka një numër shumë të madh të shqiptarëve të natyralizuar (shtetas zviceranë).

– Politikan që nuk i përton polarizimit

Blerimi, një pjesë të bujës që e ka shkaktuar në zgjedhjet e kaluara e ka bërë falë deklarimit të tij si shqiptar i besimit mysliman që ka kandiduar në një parti të krishterë. Kjo ka shkaktuar njëfarë hutimi duke pasur parasysh begraundin e partisë. Ai thotë se ky veprim nuk ka qenë i përllogaritur për t`i shtuar votat por më shumë ka qenë tregues për hapjen e EVP-së ndaj vlerave të ndryshme, për tolerancën e saj.
Duke folur për fushatën që do ta zhvillojë për dy palë zgjedhjet që e presin në vitin e ardhshëm, Bunjaku thotë ta ketë përpunuar një strategji më të hollësishme dhe që pret të rezultojë më e frytshme se ajo e vitit të kaluar.

“Janë paraqitur shumë miq e dashamirë që të më ndihmojnë vullnetarisht në fushatë. Po ashtu gatishmëri për ndihmë ka treguar edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj. Në takimet që do të kem me zgjedhësit do të jem më i drejtpërdrejtë. E dini, ka mjaft persona me të drejtë vote të cilët nuk dinë si të votojnë. Ata nuk e kane idenë se mund të votohet kandidati i caktuar dhe të mos votohet partia e tij dhe anasjelltas.

Duke folur për ambicien e tij për të arritur nivelin e politikanit nacional, Bunjaku  na e zbulon se “shumica e madhe e politikanëve të nivelit nacional, angazhimin e kanë filluar si mbikëqyrës shkollash. Kjo është shkalla e parë”, thotë ai.
Lidhur me kandidimin në të dy nivelet ai thotë se ka mbështetjen e plotë nga partia. “Ajo është e vendosur të më mbështesë edhe përmes akumulimit të votave të kandidatëve të tjerë të EVP-së për kandidimin tim”.

– Shqiptarët duhet të jenë më të hapur

Por Bunjaku konstaton se shqiptarëve si komunitet ende u mungon hapja e nevojshme. Jo vetëm në politikë. “Ne duhet të jemi aktivë edhe në jetën shoqërore duke filluar nga lagja ku jetojmë. Vetëm kështu mund të bëjmë të njohura vlerat e shqiptarëve. Si do t`i bindim vendësit se ne nuk jemi të atillë çfarë na përshkruajnë paragjykimet që qarkullojnë për ne këtu?”, shtron pyetjen ai.

Bunjaku është i bindur se shqiptarët kanë vlera të rëndësishme për t`i  sjellë vendit ku jetojnë po edhe si mërgimtarë, ne Evropë e gjetiu. Ai këtë e ilustron me shembuj të personaliteteve të njohura shqiptare nga historia. “Mund të thuhet për shembull se pa Skënderbeun, ndoshta historia e Evropës do të ishte ndryshe… Por ajo që na mungon është organizimi kolektiv dhe artikulimi i qartë i kërkesave si komunitet.

Jam i vetëdijshëm që përgjegjësia dhe besimi janë vlera referuese që më japin mundësi për tu avancuar edhe më lartë në skenën politike zvicerane, e që konsideroj se vullneti im në politikë është pasuri e re për Zvicrën dhe komunitetin tim në të ardhmen e afërt. Jam njëri ndër ekspertët e partisë për strategji. Pasi që jam rritur mes dy kulturave jam si përgjegjës për personat me prejardhje të huaj”, thotë ai më tutje.

U jam mirënjohës disa politikanëve zviceranë që më kanë përkrahur fuqishëm në skenën politike dhe po më përkrahin edhe tani pa rezervë. Kjo më obligon që të shkoj tutje me përgjegjësinë që kam pranuar.

Tek falënderon të gjithë qytetarët zviceranë dhe komunitetin shqiptar në Zvicër për përkrahje, ai nuk harron të shprehë mirënjohjen edhe për familjen e tij, gjegjësisht për bashkëshorten Valentinën dhe dy vajzat, Erola dhe Erona. “Përpiqem që t`u dhuroj një të ardhme të mirë këtu në Zvicër, jo vetëm fëmijëve të mi por edhe fëmijëve tjerë të komunitetit shqiptar dhe të gjithë fëmijëve të Zvicrës”.

Ne si politikanë jemi të obliguar të ndihmojmë komunitetin për t`i adresuar kërkesat në çdo institucion sepse i kemi dhënë mjaft këtij vendi brenda 5 dekadave. Por them se nuk kemi ndonjë organizim të përbashkët në fusha të ndryshe që të jemi një zë i arsyeshëm me kërkesa të artikuluara qartë. Kam një bashkëpunim të mirë me disa qendra kulturore artistike e që mendoj se diçka ka filluar të lëvizë për së mbari”.

I vetmi shqiptar në gjithë shkollën

I lindur në vitin 1979 në Kosovë, Blerimi ka qenë foshnjë disa muajsh kur familja e ka sjellë në Zvicër. Thotë se ka qenë i vetmi shqiptar jo vetëm në klasë por edhe në gjithë shkollën. Vitet 80 të shekullit të kaluar kanë qenë një kohë e mirë për të. Ndoshta edhe për faktin se atëbotë, ende nuk ekzistonte reputacioni jo i mirë i shqiptarëve, që erdhi nga vitet 90 e këndej. Prej disa vitesh Bunjaku udhëheq firmën e suksesshme „Enyx Web & Mobile GmbH“, me seli në Winterthur.

Shqiptari i parë në Parlamentin e Suedisë

Shqiptarët në Suedi tashmë janë bërë pjesë aktive në jetën  shoqërore dhe politike në vend, ngase tashmë për herë të dytë kanë zgjedhur përfaqësuesin e tyre politik, i cili do të adresojë kërkesat e tyre në institucionet e vendit.

Deputeti i vetëm shqiptar në shtetet evropiane, Adnan Dibrani, në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch ka deklaruar se përzgjedhja e tij në mandatin e dytë fuqizon edhe më shumë pozicionin e komunitetit shqiptar në Suedi.

Dibrani është i vetmi shqiptar që përfaqëson në legjislativin suedez të huajt në Suedi

„Kjo tregon se ne jemi tashmë të dukshëm si një komunitet në të gjitha segmentet e jetës, përfshirë edhe politikën. Do të thotë, tashmë nuk jemi të dalluar vetëm në futboll, por edhe në politikë“, thotë politikani me origjinë nga Kosova.

Deputeti i ri nuk është edhe aq optimist kur pyetet nëse pret ndonjë post ministror në qeverinë e re suedeze pas fitores së Social demokratëve në zgjedhje, parti me të cilën për herë të dytë politikani me origjinë nga Mitrovica fiton një ulëse në Parlamentin suedez.

„Nuk besoj, se jam deputet i ri ende në parlament. Është mandati i dytë që zgjedhem në legjislativin e vendit. Por, megjithatë tashmë jemi në pozicion tjetër. Edhe pse nuk do të jemi pjesë e Qeverisë, projektet që i kam në programin tim do të realizohen më lehtë me ndihmën e kolegëve që do të marrin poste ministrore. Nga ana tjetër, ne nuk e kemi shumicën, duhet të varemi prej partnerit të koalicionit. Aktualisht po punojmë se cilat projekte mund t’i realizojmë së bashku me partitë e koalicionit. Shanset janë të mëdha që projektet tona të realizohen“, tha Dibrani.

Deputeti shqiptar nuk do të bëjë dallime të të huajve në Suedi, edhe pse i takon komunitetit shqiptar. Konzervativët sa ishin në pushtet e kanë bërë të vëshirë sistemin shkollor në Suedi. Partia e deputetit shqiptar pikërisht do të punojnë që ta bëjnë më të lehtë qasjen e të huajve në shkollat suedeze.

„Kur e kam filluar shkollën, nuk e kam njohur aspak gjuhën. Por, për rreth kisha mësues që më kanë ndihmuar të kaloj këto barriera. Më kanë ofruar ndihmë plotësuese. Tashmë një ndihmë e tillë nuk ekziston në Suedi për të huajt, sidomos për fëmijët, për të cilët është shumë e rëndësishme për të pasur sukses në shkollim“, thekson më tutje Dibrani.

Ai kishte vendosur t’u bashkangjitet radhëve të socialdemokratëve ngase, sipas tij, subjekti politik që përfaqëson është parti e vlerave dhe nuk bën dallim të qytetarëve të vendit se a janë të huaj apo vendës, a janë të pasur apo të varfër.

„Ne kur kemi migruar në Suedi, jemi pritur mirë dhe na kanë ndihmuar shumë në integrimin tonë të shpejtë në jetën e këtushme. Prandaj kemi mbërritur deri këtu, ngase sistemin liberal e kanë ndërtuar socialdemokratët dhe për këtë arsye dallojnë nga konzervativët“, thekson ai.

„Ne do të angazhohemi që të gjithë fëmijëve, qofshin ata të huaj, të pasur apo të varfër, t’u mundësojmë shanse të njëjta të shkollimit, duke filluar nga cikli i ulët deri në fakultet“, premton politikani shqiptar.

Më herët nuk kishim një imazh të mirë në përgjithësi në diasporë

„Tani kemi dhënë sinjale të tjera. Unë jam këtu në Suedi, kemi futbollistë të suksesshëm, përfaqësues biznesesh me emër. Gjeneratat e reja tashmë janë integruar në sistemin e shtetit, ku kanë migruar prindërit e tyre“, thotë në këtë intervistë 29-vjeçari.

Pjesëmarrja masive e votuesve në zgedhje ka treguar për pozicionin e fuqishëm që ka komuniteti shqiptar në Suedi.Po ashtu kanë treguar se dëshirojnë të marrin pjesë aktive në vendimmarrje.

„Pa mbështetjen e votave të komunitetit shqiptar në Haland, në regjionin ku jam kandiduar, shanset ishin të vogla të bëhem pjesë e parlamentit“, thekson parlamentari shqiptaro-suedez.

Ai ka folur edhe për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Suedi. Politikani shqiptar thotë se secila shkollë është e obliguar të sigurojë një mësimdhënës që do t’ua mësojë gjuhën amtare të huajve në vend.

Deputeti shqiptar ka thënë të jetë motivuar më shumë me marrjen këtë vit edhe të çmimit ‘Mërgimtari i suksesshëm’ nga Ministria e Diasporës e Kosovës.

„Çmimi u takon të gjithë shqiptarëve në Suedi, sidomos të regjionit të Halandit, ngase të gjithë së bashku kemi mbërritur deri këtu“, shprehet Dibrani.

Komuniteti shqiptar është i organizuar mirë në Suedi.

„Ekzistojnë me dhjetëra shoqata të ndryshme, ndërsa partitë politike të Kosovës iu kanë mbetur vetëm gjeneratava të para, ndërsa gjeneratat e reja janë inkuadruar më shumë në sistemin e këtushëm suedez“, tha Adnan Dibrani.

Ka 14 vjet që merret me politikë dhe thotë se gjithmonë kishte marrë përkrahjen e suedezëve.

Adnan Dibrani kishte migruar në moshën 7-vjeçare në Suedi.

Ai ishte njëri prej deputetëve të parë shqiptarë dhe njëri nga pjesëtarët më të rinj që kishte siguruar një ulëse në mandatin e kaluar në Parlamentin suedez, ndërsa në zgedhjet e fundit mori më së shumti vota, duke siguruar edhe një mandat të deputetit në Suedi. Ai vjen nga Koshtava e Mitrovicës, ndërsa në Suedi ka të kryer Shkollën e Lartë Ekonomike.

Dibrani nuk është shkëputur prej vendit nga kishte migruar. Ai e viziton çdo vit vendin e lindjes.

Jozyrtarisht thuhet se janë 100 mijë shqiptarë që jetojnë në Suedi.

Mal Myrtaj, artisti që bashkon

Me ekspozitën e tij të hapur në Emmendingen për nder të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Myrtaj dëshiron të kontribuojë në mirëkuptimin në mes të njerëzve

“Shoqata `Yjet e Kosovës` është një shembull i mrekullueshëm i integrimit. Ndërkohë, dihet se integrim nuk do të thotë të heqësh dorë nga kultura dhe besimi yt”, tha Klaus Sauer, në emër të bankës Sparkasse të Freiburgut, në hapjen e ekspozitës së skulptorit shqiptar me qëndrim në Gjermani, Mal Myrtaj. Gjatë dy javëve të ardhshme në ambientet e kësaj banke do të ekspozohen skulpturat dhe relievet e artistit me prejardhje nga Peja, Kosovë.

Asnjëherë deri më tash nuk ka ndodhur që në një hapje ekspozite në Sparkasse të vijnë kaq shumë përfaqësues nivelesh të larta nga politika, administrata dhe ekonomia siç ndodhi jë ekspozitën e hapur për nder të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

Ndonëse ambasadori i Kosovës, shtetit më të ri të Evropës, Skender Xhakaliu pak më parë e kishte njoftuar mosardhjen, në vend të tij kishin ardhur konsujt Faket Kajtazi dhe Kadri Dakaj nga Shtutgarti. Edhe Televizioni i Kosovës, RTK e ka filmuar këtë vernisazh jo të zakonshëm.

Deputeti federal Peter Weis solli në kujtesë se si pasojë e luftës, pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë shumë njerëz qenë detyruar të braktisnin vendin e tyre dhe të vinin në Gjermani si refugjatë lufte. Në këtë kohë, eksperti i shtypshkronjave Tahir Shabani themeloi në Emmendingen shoqatën “Die Sterne Kosovas” (Yjet e Kosovës). Në këtë qark jetojnë rreth 1000 njerëz nga Kosova.

Në gjithë këto ceremoni festive, me himne kombëtare dhe me shfaqje të larmishme vallesh folklorike, protagonisti i mbrëmjes, Mal Myrtaj në fillim sikur kishte mbetur në prapavijë.

Kuratori i ekspozitës Fritz Kendel me Tahir Shabanin dhe Thomas Zeller kishin ekspozuar me shije të jashtëzakonshme dhe me harmoni 15 skulpturat dhe 15 relievet e kornizuara në foajeun e bankës.

“Me rastin e dizajnimit të kësaj ekspozite ne kemi synuar formën e një unaze, duke i vendosur skulpturat në një gjysmërreth të hapur”, sqaron Kendel. Ai e cilëson skulptorin që prej 14 vitesh jeton në Singen të Gjermanisë si artist botëror, i cili me mesazhin e tij nuk i drejtohet vetëm një grupi por tërë njerëzimit. Një artist i bashkimit në mes të njerëzve. Snim i tij është që përmes formave shprehëse të artit të tij të kontribuojë në mirëkuptimin në mes të njerëzve.

Janë simetrike raportet e madhësisë së figurave, siç janë të bashkuara në një edhe pjesët e metalit nga bronzi, i prerë, i lakuar dhe i formësuar. Në raste, skulpturat të përkujtojnë tmerret e luftës në fund të shekullit të kaluar”. Skulpturat janë të vendosura në bazamente dhe formojnë një njësi e cila pret që e të merremi me të”, plotëson Kendel. Në Emmendingen, falë “Yjeve të Kosovës” kjo ide tashmë pjesërisht është jetësuar.

Vizita në këtë ekspozitë gjithsesi ia vlen. Ajo do të mbetet e hapur deri më 17 tetor dhe mund të vizitohet gjatë kohës së punës në bankën Sparkasse në Emmendingen, Marktplatz 13.

Shqiptari 16 vjeçar, regjisori më i ri në Festivalin e Filmit në Cyrih

Në Festivalin e Filmit në Cyrih (Zürich Film Festival), i cili njihet per rregullat e forta të kualifikimit, merr pjesë shqiptari 16 vjeçar, Adrian Asllani

 

Filmi me titull “Tyche:16komma6”  që do ta shihni në linkun e mëposhtëm me një votë tuajen do t‘i ndihmoni regjisorin 16 vjeçar, Adrian Asllani, që të jetë më afër çmimit të publikut.

Fjala është për një garë në Festivalin e Filmit në Cyrih ku rregullat kanë qenë jashtëzakonisht të ashpra.

72 orë kishte kohë për të realizuar një film duke filluar nga skenari vendi i xhirimeve aktorët etj. Filmi nuk duhej të zgjaste më shumë se 72 sekonda.

Për një vikend, që nga e premtja (26.09.2014) në ora 12:00 kur është bërë e njohur tema („Rastësia“) dhe deri në mëngjesin e së hënës i gjithë stafi realizues ka qenë në punë intensive për të përgatitur filmin 4 minutësh.

Përmbajtja e shkurtër e filmit:
„Saherë që Ulf (35) hedh zarin i bie dyshi. Jeta e tij ka marrë teposhtëzën. Gruaja e ka braktisur dhe tani të vetmen gjë që ka është qeni i tij Rex. Por kur një ditë në kafenenë ku ai takohet me shokët, vjen Horst, dyshat e tij bëhen vendimtar. Horst ka fituar 50’000 franga në një lojë fati dhe dëshiron që dyshat e Ulf ti vë në provë. Ai vë bast për 25’000 franga nëse Ulf do ti bie përsëri dyshit, në të kundërtën“…

Përndryshe ky është filmi i dytë I regjisorit Adrian Asllani. “Filmi i parë është akoma në montazhë dhe edhe skenarin e kam bërë vetë. Do të jetë i gatshëm diku në fund të muajit”, tha për albinfo.ch Adrian Asllani.

Regjisori I ri  ka marr nje ftesë sot në një festival tjetër për të rinj (jugendfilmtage.ch) , pasi ata të festivalit e kanë zbuluar rastësisht taletin e Adrianit.

Adriani po ndjek gjimnazin në Kantonsschule Stadelhofen.Ai është shumë i dhënë pas filmit. I ka idol regjisorët Stanley Kubrik dhe Alfred Hitchcock

Festivali i dhjetë ndërkombëtar i Filmit i Cyrihut ka filluar më 25 shtator dhe përfundon me 5 tetor. Për dhjetë ditë, sa do të zgjasë festivali, në Cyrih do të shfaqen me dhjetëra filma, të cilët do të konkurrojnë për shtatë çmime.

Filmi me regji të Adrian Asllanit: “Tyche:16komma6

Zari Xhaferi fiton sërish garën për deputet kantonal

Ai ka mbledhur 1890 vota, që është numri më i madh nga kandidatët e bazës së tij deleguese, qytetit Baar ku ai jeton

Edhe pse partia për të cilën ka garuar, SP/PS (Partia Socialdemokrate) ka pësuar një rënie të numrit te deputetëve, Zari Xhaferi ka fituar sërish në zgjedhjet e mbajtura dje për Parlamentin e Kantonit Zug. Ai ka mbledhur 1890 vota, që është numri më i madh nga kandidatët e bazës së tij deleguese, qytetit Baar ku ai jeton.

Xhaferi, një politikan shumë i ri (29 vjeç) ka qenë pjesë e këtij parlamenti që nga viti 2011dhe është treguar mjaft aktiv në jetën parlamentare si dhe jashtë saj. Ai ka qenë shqiptari i parë pas një kohe që kishte fituar vendin në një parlament kantoni. Para tij, në vitin 2006 një vend të tillë në kantonin Schaffhausen e kishte fituar po për këtë parti, Osman Osmani.

Në përbërjen e re të Parlamentit të kantonit Zug, me numrin e deputetëve vazhdojnë të prijnë partitë e djathta. CVP ka 22, SVP 19 dhe FDP 18 deputetë. Ndërsa SP-ja e Xhaferit nga 8 sa kishte, ka rënë në 7 përfaqësues në parlamentin e kantonit. Kur kësaj t`ia shtojmë rastin e një deputeti i cili nga të Gjelbrit gjatë mandatit të kaluar kishte kaluar në SP, i bie që fuqia e kësaj partie ka pësuar rënie për dy deputetë.

Përbërja e re e Parlamentit tregon se ALG (Alternativa dhe të Gjelbrit) dhe GLP ( e Gjelbër Liberale) kanë shtuar më shumë numrin e deputetëve në krahasim me zgjedhjet e kaluara, respektivisht nga 2  sish.

Valmiri, Kampion Evropian i gipserëve

Lajmin e ka bërë të ditur për albinfo.ch  vetë Valmiri, i cili sapo është kthyer me dy medalje të arta nga Franca.

”Është ndjenjë e mirë të jesh fitues në një garë ndërkombëtare sikur kjo në Francë. Për mua është një eksperiencë e mirë dhe nuk do ta harroj kurrë”, tha për albinfo.ch Dobruna.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë garë evropiane.

Kosovari, duke përfaqësuar Gjermaninë në kampionatin evropian të stukatorëve në Lille të Francës, ka marrë më së shumti pikë në një konkurrencë të fortë  me 7 vendet e Evropës.

Valmiri ka  vetëm një vit që po bën punën e stukatorit, gipserit, në Gjermani.

Tashmë shqiptari me origjinë nga Kosova është numër 1 edhe në Gjermani, ngase ka marrë medaljen e artë “Best of Nation” në këtë profesion.

Përgatitjet për këtë garë ndërkombëtare të zanateve „Euro Skills” në Francë i kanë marrë shumë kohë Valmirit dhe kolegut të tij gjerman, Marc Armbrüster.

Sukseset e Valmirit janë mburrje për firmën dhe një lloj letërnjoftimi për nivelin e saj.

Me suksesin e tij në këtë profesion, Valmir Dobruna është bërë shembull edhe për të rinjtë që zakonisht hezitojnë të orientohen në profesione të tilla.

Ai ka thënë se me fitoren në Francë ka marrë edhe më shumë motivacion për të vazhduar punën si gipser në Gjermani. Valmiri po vijon shkollën për mjeshtër stukator.or.