Linda Nikolla, parukierja që po përfaqëson me sukses Zvicrën

Është vetëm 25-vjeçare por ka arritur shumë në profesionin e saj, madje tash e një kohë përfaqëson shtetin zviceran në kampionatin botëror të parukerisë. Këtë do ta bëjë edhe këtë vit në kampionatin “Color Zoom” që mbahet në Berlin të Gjermanisë ku edhe shpreson të shpërblehet me një nga vendet e para.

Kjo është parukierja dhe stilistja, Linda Nikolla, shqiptare nga Kosova, e cila tash e një kohë jeton në Zvicër dhe është bërë mjaft e njohur në botën e profesionit të saj.
“Janë bërë disa vite që merrem me këtë profesion si parukiere dhe stiliste dhe grimere . Kisha fat që hobin tim ta bëj profesion, kështu që me punë shumë të madhe arrita të jem e pranishme në gara nacionale dhe ndërkombëtare në botën e modës.

Suksesi im i parë ishte ai në SwissCup”, thotë Linda duke shpalosur për albinfo.ch rrugën e saj të deritashme dhe planet për të ardhmen.
Ajo ka treguar se po punon shumë edhe këtë vit që të jetë pjesë e “Color Zoom”, garë kjo ku marrin pjesë shumë shtete dhe dëshira e saj është që këtë vit atje ta përfaqësojë shtetin shqiptar.
“Si shqiptare të përfaqësosh një vend tjetër nuk është shumë e lehtë, por fatmirësisht kisha fatin që shumë herë ta përfaqësoja Zvicrën në kampionatin botëror ku edhe u shpërbleva me shumë çmime. Shpesh herë edhe mërzitem nga se po të kisha mbështetje nga vendlindja ime, natyrisht do të isha duke garuar për shqiptarët aty. Këtë vit dua edhe një here ta provoj veten, të marr pjesë në kampionatin botëror “Color Zoom”, dhe shpresoj që të rikthehem nga aty në Zvicër me vendin e parë por natyrisht si shqiptare. Jam duke u përgatitur shumë për të marrë pjesë në këtë event që këtë vit mbahet në Berlin”, ka shtuar ajo.

(Linku i eventit të vitit 2013 i cili u mbajt në Los Angelos: http://youtu.be/707FxuJxogo)

Më tutje Linda tregon se gjatë muajit maj ka realizuar një videoklip me të cilin afirmon idenë se të gjithë kanë të drejtë për të ndikuar për një jetë më të mirë.
“Në protestën e një majit që mbahet në Cyrih me mbështetjen e shumë iniciatorëve dhe aktores, Sira Topic, kemi realizuar një klip. Qëllimi i klipit është që të gjithë, pa dallim gjinie, mund të ndikojmë në shtet e në politikë e po ashtu tek njerëzit dhe kudo. Kjo tregon se pavarësisht përkatësisë tënde etnike, nëse e do vendin ku jeton, edhe ti ke të drejtë të ndryshosh diçka. Videoja do të lansohet shumë shpejt si në mediet zvicerane ashtu edhe në kanalin youtube”, ka theksuar ajo duke treguar se tashmë shumë shqiptarë po bëhen pjesë në vendimmarrje në këtë shtet.

Nikolla ka thënë se ndihet mirë që jo vetëm ajo por edhe shumë shqiptarë të rinj të tjerë në Zvicër, me talentin e tyre po ndryshojnë mendimin për shqiptarët.
“Besoj se së shpejti shumë talente që jetojnë në shtetin helvetik do t’ua ndryshojmë medieve dhe popullit zviceran mendimin që kanë për shqiptarët që jetojnë këtu. Dhe kjo është diçka e mirë që po ndodh”.

Linda kohëve të fundit bëhet lajm në mediet tona për çdo postim apo foto që poston në rrjetin e saj social. Shumë herë ajo edhe keqinterpretohet nga mediet dhe kjo gjë po e mërzit shumë parukieren dhe stilisten e njohur në Zvicër.

Linda ka mohuar se ajo është e lidhur me aktoren franceze Sira Topic për çfarë kohëve të fundit ishte shkruar shumë. Ajo thotë se aktoren franceze e ka mikeshë shumë të mirë.
“Sa i përket lidhjes sime me Sira Topic, s`kam shumë për të thënë, përveç se është e vërtetë që e kamë mikeshën më të ngushtë, thjesht e kam si motër”, ka thënë Linda duke na treguar se ajo është e dashuruar por ende nuk ka vendosur ta bëjë publike lidhjen e saj.

“E dashuruar jam gjithë kohën sepse nuk mund të ndalem pa e dashuruar familjen time, ata janë të vetmit që e ndajnë çdo moment të jetës së tyre me mua. E sa i përket lidhjes …jam në lidhje …”, ka thënë ajo.

Linda Nikolla është njëra ndër shqiptaret më të suksesshme në lëmin e saj në Zvicër ndërsa premton se shumë shpejt ajo do të vijë me projekte të reja për të cilat thotë se do të ndjehen mirë si shqiptarët edhe zviceranët.

Po ndodh diçka e mirë
“Besoj se së shpejti shumë talente që jetojnë në shtetin helvetik do t’ua ndryshojmë medieve dhe popullit zviceran mendimin që kanë për shqiptarët që jetojnë këtu. Dhe kjo është diçka e mirë që po ndodh”.

Dalip Kryeziu vjen me ekspozitën “Ikona të gjalla”


„Pikturimi si obsesion”, ky titull i një katalogu për artin e Dalip Kryeziut (alias Dalip) përshkruan në të njëjtën kohë edhe fondamentin e veprës së tij të gjithëmbarshme. Fokusi i artistit austriak të lindur në Kosovë është i drejtuar në njërën anë në transformimin e kokës së njeriut deri në forma abstrakte të palexueshme.

Nga ana tjetër ai ia nënshtron ekzistencën e tij të dokumentuar në fletët ditore të mbushura me skica një vlerësimi krejtësisht të ri, kur ai reliktet vizatimore të përditshmërisë i përpunon në pëlhurën e pikturës dhe aty krijon pjesë të qenies së tij.

Këtë parim, gjegjësisht ekzistencën e njeriut në kontekstin e dilemave aktuale ai e tematizon edhe në ekspozitën e tij më të re “Living Icons”, shkruan meinbezirk.at. Punime në pikturë dhe në skulpturë nga cikli “Köpfe der Gesellschaft” (Kokat e shoqërisë) na japin një pamje të qëndrimeve kryesore të artistit dhe e lënë të hapur mundësinë e analizës.

Krijimtaria e artistit Dalip, i cili ndërkohë ka kaluar për të jetuar në Gjermani, nga viti 1995 e këndej është ekspozuar në kuadrin e shumë ekspozitave personale dhe kolektive në Evropë dhe jashtë saj. Ajo është prezantuar edhe në panaire ndërkombëtare të artit dhe është e pranishme në koleksione publike të artit, si në Muzeun e Artit Modern në Salzburg, Muzeun në Giesen, Allianz Hamburg, në Deutsche Bank, Credit Suisse etj.

Ekspozita hapet më 19 shtator në orën 19.00 në galerinë Galerie Offenes Atelier D.U.Design, Willach. Në hapje të ekspozitës është i pranishme edhe autori. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 10 tetor.

Faton Lahaj, këngëtari që u bë i famshëm nga rruga në Gjermani

Kur njerëzit e shumtë që vizitojnë qytetin e bukur buzë lumit Rhein marrin daljen kryesore të stacionit hekurudhor, i pret ndërtesa madhështore e Kölner Dom. Derisa turistë të shumtë me kamera në duar lëvizin në drejtime të ndryshme të gjejnë pozitën më të mirë për të fotografuar këtë Katedrale madhështore, disa të tjerë kanë harruar për një kohë simbolin e këtij qyteti dhe janë mbledhur rreth një djaloshi. Ai, me kitarë dhe me një zë të mprehtë, duket se i ka rrëmbyer ata njerëz në rrugëtimin e tij muzikor, me ritmet e një roku melankolik.

Te publiku vërehej një kurreshtje se kush këndon në origjinal këngët që i këndon djaloshi, i cili e quan veten „Dunkles Licht“ (Drita e errët), por edhe se kush fshihet pas këtij emri artistik, derisa dëgjojnë vargjet e tij:

“Öffne dein Geist bist du siehst was Du sein kannst… aufwachen du bist so nah, aufwachen du bist so nah an deinem Ziel“.

(Hape shpirtin të shohësh se kush mund të jesh…zgjohu, ti je aq afër, zgjohu, ti je aq afër qëllimit tënd).

Autori i kësaj muzike dhe këtyre vargjeve është vetë djaloshi, i cili fshihet pas këtij emri artistik. Quhet Faton Lahaj, është lindur në Prishtinë, ku edhe ka nisur rrugëtimi i tij muzikor. „Ushtronim me shokë në bodrume të errëta, të lagshta e të ftohta të ndërtesave dikund në Prishtinën e viteve të 90-ta“, fillon rrëfimin e tij Fatoni që është ndër themeluesit e grupit muzikor „Purgatori“.

“Ishte një kohë e zymtë, e pasigurt, e pashpresë. Përgjigjja jonë për këtë ishte muzika. Gjithçka sillej rreth saj. Muzika ishte mënyra jonë e luftës për mbijetesë“, vazhdon ai duke u ndalur te një ngjarje e rëndësishme për të, koncertin e tij të parë. “Kënduam për herë të parë para publikut, në „Teatrin Dodona“ në vitin 1995. Ishte ky një moment i paharruar për ne“.

Rrugëtimin e tij muzikor e vazhdoi në Gjermani. Të fitosh bukën e gojës me muzikë në Gjermaninë e viteve të fundit të shekullit të 21-të ishte vështirë. Fatoni kryente punë të ndryshme, por çdo mbrëmje pas pune i kthehej kitarës. Kjo ishte „puna“ të cilën e kryente me dashurinë më të madhe. Edhe në mërgim muzika ishte ajo që i jepte fuqinë të mbijetojë çdo situatë të vështirë.

Ai filloi të këndojë rrugëve të Kölnit, ndërkohë që grumbulli i njerëzve që mblidhej të dëgjonte muzikën e tij bëhej gjithnjë e më i madh. Natyrisht se ndër ta kishte kalimtarë të rastit, por Fatoni ndërkohë kishte dëgjuesit e tij të rregullt që e përcillnin në çdo kënd të Kölnit.

Filluan pastaj angazhimet në manifestime të ndryshme. Me aftësinë e tij të performojë, Fatoni ndriçonte skenat e klubeve të natës. Në një klub nate kërkohet ana e tij si këngëtar rocku, por ai shpesh performon edhe në festa private, ku rocku i tij është melankolik. Por, gjithmonë pa humbur origjinalitetin e tij.

„Muzika më inspiron, për shkak se kur këndoj e luaj kitarë, jam unë vetë. Nuk mundohem ta kopjoj askënd, jam origjinal unë“.

Në ndërkohë është vështirë të takosh Fatonin duke kënduar në ndonjë rrugë të Kölnit. Numri i performancave është rritur aq shumë,  sa ai e ka vështirë të merret me organizimin e tyre. Prandaj Fatoni është në kërkim të një menagjeri, me të cilin do të bënte edhe hapin e ardhshëm në profesionalizimin e aktivitetit të tij. Edhe pse Kölni është qytet i mediave, një hap i tillë nuk është aspak i lehtë.

Ndoshta hap i parë në këtë drejtim ishte ftesa e Lion Club Meinerzhagen-Kierspe në koncertin e tyre vjetor. Aty, në përcjellje të Orkestrave Kamertale të Meinerzhagen dhe Wipperfürth, në udhëheqjen e Mirko Kohlmann, Fatoni pati një performancë të shkëlqyeshme.

“Duhet kohë të shërohen plagët që i kam bërë vetes në këtë rrugëtim. Do të verbohem nga brengat, m’i hap sytë, të lutem. Sa shumë do të doja të të shoh“, jehonte zëri i Fatonit në sallën e mbushur plot. Duartrokitjet ishin të gjata. Ftesa që të performojë në koncertin e ardhshëm iu bë menjëherë në të njëjtën mbrëmje. Në nëntor të këtij viti Fatoni do të dalë prapë në këtë skenë.

Me shpresë për paraqitje të tilla sa më të shumta, Fatoni vazhdon në mënyrë autodidakte punën e tij me muzikë, duke gjetur nganjëherë edhe kohë të ulet buzë lumit Rhein. Aty takon disa shokë shqiptarë, me të cilët këndojnë këngë të rock skenës kosovare të viteve të ‘90-ta.

Gjithmonë i vendosur të arrijë qëllimin e tij, të cilit iu ka afruar aq shumë.

Faton Lahaj 3

 

www.fatonlahaj.de

Ardian Bujupi sjell “Boom Rakatak” në bashkëpunim me këngëtarët amerikanë

Pas sukseseve në koncertet që kishte gjatë sezonit veror në trojet shqiptare, Ardian Bujupi është rikthyer sërish për të vazhduar karrierën artistike në Gjermani.

Këngëtari që u bë i njohur nga spektakli “DSDS” pritet që këto ditë të lansojë këngën më të re “Boom Rakatak”, në bashkëpunim me Big Ali, Lumidee dhe Dj. Mase.

Kënga dhe videoklipi do të lansohen më 29 gusht. Ai ka folur edhe se si është arritur bashkëpunimi me këngëtarët ndërkombëtarë.

“Big Ali ishte për kohë të gjatë objektiv yni. Kështu që ai na ftoi në Paris. Kur u takuam atje, fillimisht nuk kemi folur asgjë rreth këngës, por vetëm kemi qëndruar për qejf në një party. Kur ne kemi shkuar në studio dhe ia kemi treguar këngën, atij i ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Ai menjëherë ka hyrë në studio dhe e ka incizuar pjesën e tij. Përveç kësaj, ne kishim kontakt me menagjerin e Lumidee në Nju-Jork dhe ia kemi dërguar  këngën edhe atij, të cilit i ka pëlqyer po ashtu shumë. Më pastaj ne kemi shkuar menjëherë për Nju-Jork, ku edhe kemi bërë incizimin e videoklipit”, ka thënë Ardian Bujupi për  Albinfo.ch.

Këngëtari shqiptar foli edhe për xhirimet e klipit që janë bërë në Nju-Jork. “Ishte hera e parë për mua që shkova në Nju-Jork, dhe jam fascinuar. Fillimisht kisha stres se ku dhe si do të bëjmë xhirimet, por gjithçka ka përfunduar më sukses”, ka thënë ai duke treguar se klipi përveç se është shumë i bukur, do të lansohet në Francë, në vendet ballkanike, në Austri, Zvicër, Gjermani dhe po ashtu pritet të dalë edhe në Amerikë.

Bujupi, i cili tashmë ka kontraktë me kompaninë gjigante “Universal Music”, pret që gjatë muajt tetor të lansojë edhe albumin e tij më të ri. “Kënga ime e re do të jetë pjesë e albumit të ri.

Siç është marrë vesh me kompaninë “Universal Music”, albumi i ri do të dalë në muajin tetor. Në këtë album do të ketë këngë të ndryshme dhe në gjuhë të ndryshme.

Do të këtë në gjuhën angleze, gjermane dhe shqipe. Ardiani thotë se fansat e tij tashmë janë në të gjitha vendet e botës dhe për këtë dëshiroj të bëj këngë për të gjithë”, ka thënë ai.

Ardian Bujupi me kengetaret amerikan
A.GJ

Shkrimtarja shqiptare fiton bursën gjermane “Comburg”

Fituese e bursës së fondacionit Comburg për vitin 2014 është shkrimtarja shqiptare që shkruan edhe në gjuhën gjermane, Anila Wilms. Ajo do ta kalojë muajin shtator në Comburg, në qytetin Schwäbisch Hall dhe do të shpërblehet me bursën prej 5000 eurove.

“Është një lajm i mrekullueshëm, një dhuratë”, thotë Anila për mediet gjermane. “Zhytja në një atmosferë të tillë spirituakle do t`i bëjë shumë mirë  punës sime kreativ. Gëzohem për manastirin, takimet njerëzore dhe për qytetin e bukur dhe ndjehem e nderuar”.

Manastiri i dikurshëm Bendediktin Comburg është sot seli e Akademisë për trajnimin e mësimdhënësve në landin Baden-Württemberg. Akademia u vë në dispozicion fituesve të bursës një banesë për katër javë, ndërsa nga mjetet e fondacionit të qytetit Schwäbisch Hall atyre u jepet edhe çmimi në para, në vlerë prej  4000 eurove ndërsa, nga viti 2014 kjo shumë rrumbullakësohet në 5.000 euro me kontributin plotësues prej 1000 eurove që e jep banka Bausparkasse Schwäbisch Hall. Fnweb.de

Anila Wilms është lindur në Tiranë në vitin 1971 dhe është rritur në Durrës. Në vitin 1994 ajo, si bursiste e DAAD është shpërngulur në Berlin dhe prej atëherë jeton në Gjermani si shkrimtare dhe publiciste. Në vitin 2012 Anila ka botuar në gjuhën shqipe dhe gjermane romain e saj debutues “Nafta shqiptare apo vrasje në rrugën e veriut” . me këtë roman ajo ka bërë bujë të konsiderueshme në opionionin letrar të Gjermanisë. Në vitin 2013 Anila Wilms ka fituar çmimin promovues “Adelbert-von-Chamisso”  të fondacionit Robert-Bosch si dhe çmimin e Stutgartit për romane kriminalistike “”Bestes Debut”.

Laida Hitaj, pianistja 16 vjeçe që e luan Shopenin përmendësh

Laida Hitaj kishte debutuar si vajzë 12 vjeçe si pianiste së bashku me orkestrën në koncertin pianistik të mbajtur në kuadrin e Ditëve të Artistëve të Rinj në Annakirche të Dürenit. Më 7 shtator, e diele, Laida tashmë 16 vjeçe do të prezantohet në Schlosskapelle të Julich-ut me pianon e saj të madhe duke premtuar një program  atraktiv me pjesë nga Chopin-i (Frederik Shopen).

Shqiptarja shumë e talentuar, nga viti 2008 është nxënëse e pianistit Heribert Koch nga Düren-i. Në koncertin e Vitit të Ri në Capella Villa Duria në vitin 2013 Laida pati entuziazmuar publikun e pranishëm me interpretimin e saj të fuqishëm të koncertit 1 për piano të Chopin-it. Po kjo vepër ështe edhe në programin e 7 shtatorit.

Ja se çfarë kanë shkruar gazeta gjermane aachenerzeitung.de për koncertin e Laidës të mbajtur në prag të vitit të ri 2013, kur ajo ishte 14 vjeçe. Dirigjenti dhe eksperti i muzikës, Johannes Esser thotë: “Laida Hitaj është qysh sot një pianiste e mrekullueshme me një talent të veçantë. Gjatë provave dhe tash, gjatë koncertit, ajo ka treguar pjekurinë e një artisteje të rritur”. Ishte një arritje e pabesueshme që një koncert të tërë me piano ta luante përmendësh, përfundon gazeta.

Muja dhe Hajredini, në Hamburg me “Udhëtarët e bukur”

valixhet driton h

Për ekspozitën e tetë të organizuar në galerinë e tij të re “Contemporary Art Gallery “Mytoro”, galeristi Toro (Mentor Ejupi) ka sjellë në Harburg të  Hamburgut dy piktorë kosovarë me renome ndërkombëtare Alban Muja dhe Driton Hajredini. Ata prezantojnë para publikut gjerman krijimtarinë e tre nën titullin e përbashkët “Beautiful Travellers”. Kjo ekspozitë është jë shembull i shkëlqyer i artit konceptual, shkruan “Harburg Aktuell”.

Në serinë e tij të njohur të valixheve të cilën Driton Hajredini e kishte filluar para se t`i kushtohej artit konceptual lë anash humorin metanarrativ dhe i kthehet konceptit në të cilin ai paraqitet me pikturim klasik realist. Në shikim të parë, tablotë e tij me valixhe duken sikur të ishin fotografi të thjeshta valixhesh. Por po u shikua më nga afër dhe e ndërlidhur me kontekstin e gjithë serisë zbulohet kondensimi i dy koncepteve krejtësisht të ndryshme.

Tablotë me valixhe mund të ndërlidhen me shumë gjëra por ato në këtë rast janë një homazh për të gjithë njerëzit që janë detyruar të braktisin atdheun e tyre. Punimet e Alban Mujës mbështeten në zhvillimin e temës “Free our Mind” (çliroje mendjen). Një shembull tipik na e ofron punimi i tij me titullin “Tonys” i cili mbështetet në një keqkuptim i cili është i mundur të ndodhë vetëm në një moment të konjunkturës politike (fjala është për fotografinë ku duken të gjithë fëmijët shqiptarë me emrin e Toni Blerit).

Hapja e ekspozitës bëhet të premten, më 12 shtator duke filluar nga ora 19.30. Të dy artistët janë të pranishëm dhe në dispozicion për të kontaktuar me publikun.

Saranda Hasani, në mesin e 8 zërave më të bukur në Suedi

Saranda Hasani është emri më i ri që është duke “shpërthyer” më zërin e saj në Suedi. Ajo ka arritur që në mesin e 13700  kandidatëve të hyjë në 8 zërat më të mirë në spektaklin “Idol” në Suedi.

18 vjeçarja nga Vitia tashmë e ka prekur finalen dhe është duke ecur drejt suksesit për të fituar këtë garë të madhe dhe shumë të shikuar nga audienca suedeze. “…sapo me njoftuan nga juria profesionale se nga 13700 pjesëmarrës, Saranda ka arritur të rreshtohet në mesin e 8 zërave më të mirë femrorë në Suedi”, ka thënë babai i Sarandës, këngëtari, Sherif Hasani.  Për “albinfo.ch”, ai gjithashtu ka falenderuar gjithë popullin shqiptar e në veçanti ata që jetojnë në shtetet skandinave për mbështetje të pakursyer ndaj yllit të së ardhmës në Suedi.

Saranda e cila ditëve të fundit ka pushtuar mediat suedeze, me muzikë merret prej vitesh. Më parë ajo bashkë më të atin e saj ka kënduar këngën “Do të kthehem përgjithmonë”, ndërsa kënga e saj më e pëlqyer në gjuhën shqipe është “Me jep dashuri”.

A.Gj.

Teatri i Bernës josh shqiptarët me “Fluturimin…” e Jeton Nezirajt

Teatri i njohur “Schlachthaus” nga Berna në programin e publikuar pak ditë më parë ka prezantuar edhe shfaqjen e dramaturgut nga Kosova, Jeton Nezirajt, në regji të Blerta Nezirajt “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”.

“Në synimin për të fituar publik të ri, “teatri është orientuar nga e ashtuquajtura “transkulturë” ose “interkulturë”; terma këta që po i zënë vendin konceptit të mirë dhe tashmë të vjetruar “multikulti”. Në këtë drejtim,  teatri  “Schlachthaus” në këtë sezon e ka në shënjestër komunitetin shqiptar-kosovar të Bernës. Do të shfaqet “komedia patriotike” “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, realizim i grupit “Qendra Multimedia” nga Prishtina, shkruan gazeta nga Berna, “Der Bund”.

Jeton Neziraj, autori i shfaqjes, ka qenë dikur për një kohë të shkurtër drejtor artistik i Teatrit Nacional. Ai është shkarkuar  pasi që nuk ishte i gatshëm të celebrojë në mënyrë jokritike patriotizmin e kërkuar nga shteti.

Tema e komedisë së tij politike është dëshira që Ministria e Kulturës i ka shprehur një grupi të ri teatror për të shfaqur diçka të bukur për Ditën e Pavarësisë. Trupa bie në mes dy zjarresh; nga njëra anë dëshiron të shkëlqejë e në anën tjetër të kritikojë shtetin, i cili vendos se çka guxon e çka nuk guxon të thuhet.

“Me këtë shfaqje, që është interesante edhe për publikun tonë, ne duam ta joshim popullatën shqiptare-kosovare të Bernës për një vizitë në “Schlachthaus” – thotë shefja e teatrit, Maike Lex.

Kontaktet e para janë vënë para dy vitesh, kur një aktor nga Kosova (Diar Xani) ka qëndruar si mysafir “artist në rezidencë” në këtë teatër.
Ndërkaq, është planifikuar po ashtu që vazhdimi i bashkëpunimit me autorin (Neziraj) edhe në vitet në vazhdim, shkruan “der Bund”. Veç kësaj, edhe në klubin e të rinjve të këtij teatri do të ndiqet synimi për bashkëpunim me shqiptarët e Kosovës. Në këtë drejtim është paraparë lidhja e partneritetit me ndonjë klub të atjeshëm teatror të të rinjve”.

“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” shfaqet më 31 tetor në Teatrin “Schlachthaus” të Bernës

“Agimet Shqiptare” hapin Javën e Kulturës Shqiptare në Vjenë

Se Pallati Auersperg ka zënë rrënjë në historinë shqiptare jo vetëm nga mbajtja e bisedimeve shqiptaro-serbe për statusin e Kosovës, por tani nuk rresht së shprehuri me gjuhën e kulturës, elementi më shprehës i lirisë.

Me organizimin e disa shoqatave të kyçura në Këshillin Koordinues, u bë hapja e Javës së Kulturës Shqiptare në Vjenë. Mori pjesë z.Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, Ymer Lladrovc, konsull në Ambasadën e Kosovës dhe zonja Lladrovci, Fitim Nuhi, konsull në Ambasadën e Maqedonisë dhe personalitete tjera nga diplomacia, arti e kultura nga radhët e mërgimtarëve tanë.

Programin e hapi Mirala Shira, kryetare Këshillit, kurse përshëndeti z.Roland Bimo, në emër të Ambasadës së Shqipërisë. Ishte mysafir rasti i ardhur veçane për mbrëmje z.Pierre Weber, ambasador i Luxemburgut në Prishtinë. Ai luajti pjesë nga krijimtari e tij kompozuese në piano: Nocturne nr-1, The ether Canon etj. i cili u prit mirë nga publiku. Programi u hap me Polonaise Heroicue ep.

53 nga Frederik Chopin  e luajtur me mjeshtri nga pianisti Mennan Berveniku.  Zëri i tenorit Faik Hondozi ishte vërtetë i mrekullueshëm në këndimin e Il mie tesor nga W.A.Mozart. Ai i dha sallës së Auerspegut shkëlqim në jetën e saj katër shekullore, diçka që  nuk harrohet lehtë. E serbate, a queste acciare nga I Capuletti, Agimet shqiptare nga A.Mula dhe disa këngë duet ishin kënaqësia apikale e mbrëmjes me zërin e tenorit z.Hondozi.

Pastaj, Cruda sorte nga G.Rossin, Habanera Carmen nga G.Bizet, Margjelë– nga K Jakova, Luleborë nga Simon Gjoni u kënduan me mjeshtri nga mezzosopranoja Flaka Goranci. Ndërsa këngët: O mio babbino caro- nga G.Schicchi. Adieu notre petite table-Manen– nga J. Massenet, Pranvera filloi me ardhë – këngë shkodrane,  u kënduan me shije nga soprano Anjëza Islamaj.

Mbresa lanë këngët e kënduara në duet Kur perëndon dielli – nga L.Deda- kënduar nga F.Hondozi e F. Goranci;; Ca pika shiu ranë mbi qelq – nga R.Cako kënduar nga F.Hondoz e A.Islamaj.

Programi u mbyll me këngën simbolike “Dua më shumë Shqipërinë” kënduar nga F.Hondozi, F.Goranci e A.Islamaj. Publiku i duartrokiti artistët me ngrohtësi duke iu dhuruar edhe buçetë  lulesh.  Ajo që vërehej ishte mungesa e publikut jo shqipfolës, raste të rralla kur kemi të bëjmë me koncertet të muzikës klasike në Vjenë.

Programet kulturore të radhës vazhdojnë me  ekspozitën e skulptorit të mirënjohur Destan Gashi, orën letrare të krijuesve nga radhët e Lidhjës së Krijuesve dhe Shkrimtarëve “Aleksandër Moisiu” në Austri dhe përfundon me aktivitet sportive në periferi të Vjenës.

Për renditjen e programit u kujdes Januz Saliuka, ideator i aktivitetit.

Aktivitet e shtuara kulturo-sportive të mërgimtarëve tanë janë një faktor me rëndësi në ruajtjen e gjuhës dhe traditave kombëtare tek gjenerata e re dhe afirmim i mëtejmë i krijimtarisë e kulturës para vendorëve. Pa dyshim krahas aktivistëve, artistëve brenda shoqatave duhet falënderuar sponsorët aktiv të aktiviteteve kulturore brenda mërgimtarëve shqiptarë në Austri.

Pallati Auersperg Agimet Shqiptare

Rita Ora në jurinë e „The Voice UK“

Pas dorëheqjes së Kylie Minogue nga juria, ku ka qëndruar në edicionin e vitit 2014 të ‘The Voice’, BBC menjëherë ka gjetur zëvendësuesen.

Ajo është Rita Ora, një nga femrat më të paguara në gjithë botën nga muzika pop.

Rita kishte refuzuar një ftesë një milion dollarëshe nga Simon Cowell për të qenë pjesë e jurisë në ‘X Factor’.

„Jam shumë e kënaqur të jem pjesë e The Voice dhe që ekipi im të fitojë këtë edicion. Le të kënaqemi Will, Tom dhe Ricky. Me të vërtetë, menzi po pres të rrotullohem në karrigen time të madhe të kuqe“, ka shkruar në një postim Rita në rrjetet sociale.

Audicionet e fshehta fillojnë muajin tjetër, ndërsa sezoni i ri i ‘The Voice UK’ do të fillojë të shfaqet në janar të vitit 2015.

“Furriku i dreqit”, drama që solli në kujtesë përjetimet e luftës


Të shtunën në mbrëmje, në sallën e Bibliotekës Ndërkulturore “Pestalozzi” në Hardau të Cyrihut u shfaq premiera e dramës “Furriku i Dreqit” me regji të Adem Kicës.

Kjo dramë publikut i dhuroi një emocion të veçantë, duke e kthyer edhe njëherë në periudhën e luftës dhe të vuajtjeve të shkaktuara nga ajo. Në këtë dramë, aktorët paraqitën atmosferën e luftës në Kosovë, të vrasjeve e përdhunimeve që janë bërë gjatë asaj periudhe.

“Shfaqja ka qenë fenomenale dhe aktorëve u uroj suksese sepse me të vërtetë kanë qenë shumë të mirë në rolet e tyre. Ka qenë ndjenjë e rëndë për mua që të përjetoj edhe njëherë luftën, mirëpo kjo është e rëndësishme sepse ne nuk duhet ta harrojmë se sa e vështirë ka qenë ajo kohë” tha Leonard Radi, njëri nga shumë artdashësit që panë shfaqjen.

Gjithashtu e pranishme ishte edhe drejtoresha e Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë në Cyrih, Shukrie Ramadani. Ajo tha se këto tema janë të rënda dhe është shumë vështirë që të përjetohet diçka e tillë, mirëpo është shumë e rëndësishme që këto tema të trajtohen dhe mos të harrohen.

“Ndoshta është pak herët që t`i trajtojmë këto tema por për gjeneratat e ardhshme është shumë e rëndësishme. Aktorët ishin shumë profesionalë, dhe e kan bërë një lojë të shkëlqyer. Është shumë e rëndësishme që të kemi sa më shumë shfaqje dhe jo vetëm me temë të luftës por edhe me të tjera. Ne kemi shumë aktorë të mrekullueshëm këtu në Zvicër, dhe edhe pse shfaqjet të jepen në gjuhën shqipe ne duhet t`i afrojmë edhe qytetarët zviceranë” tha Ramadani.

Ndërsa aktori Ilmi Hajzeri, i cili është paraqitur me njërin nga rolet e kësaj drame u shpreh i kënaqur me praninë e madhe të publikut në sallë. “Jam i fascinuar nga pjesëmarrja kaq e madhe e publikut shqiptar këtu në Zvicër, gjë kjo që tregon se populli shqiptar po i kthehet artit. Në dramën “Furriku i Dreqit” që do të thotë “Foleja e Dreqit” regjisori Adem Kica përmes këtij titulli ka dashur ta paraqesë diktaturën millosheviçiane të asaj kohe në Kosovë.”

Hajzeri në ndër tjera shtoi se populli shqiptar këtu në Zvicër e meriton artin dhe ne duhet t`ia ofrojmë atë. “Duhet të ketë edhe shfaqje të tjera teatrale sepse shqiptarët e meritojnë artin dhe nuk janë për tallavanë”

Përveç Adem Kicaj që ishte edhe aktor edhe regjisor, në rolet tjera në këtë shfaqje u paraqitën edhe: Ilmi Hajzeri, Doruntina Jahelezi, Mehmet Haxhosaj, Drita Rama, Shpend Gashi, Ekrem Zymeri, Musa Qerkinaj, Shpresa Mazrekaj dhe Albana Mexhuani.

Pas shfaqjes së suksesshme të dramës, ishte organizuar një apero për të gjithë artdashësit e pranishëm.

Shaip Beqiri: “Ky nuk është libri im”

Të shtunën, në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Bernë, me ftesë të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, u prezantua libri me poezi “Hidra e mllefit” e shkrimtarit Shaip Beqiri, botuar kohë më parë nga “Limmat Verlag” shtëpi e njhur botuese zvicerane. Libri është botuar në dy gjuhe, shqip-gjermanisht, në përkthim të Hans Joachim Lanksch.

Ndonëse ditë më parë libri “Hidra e mllefit”, e Beqirit u promovua me shumë sukses, në panairin e librit në Frankfurt të Gjermanisë, prezantimi në Bernë i autorit dhe i librit, për të pranishmit, ishte një udhëtim i veçantë kulturor e artistik, i tillë çfarë di të krijojë poezia dhe gjuha e saj plot magji.

Kritiku letrar Ibrahim Rugova, ka thënë se poezia e Shaip Beqirit, na flet me seriozitet klasik mbi çështjet moderne të ekzistencës. Derisa Beqiri librin “Hidra e mllefit” e çel me vargjet “Ky libër nuk imi / As i dhembjeve të huaja” (poezia “Zhapëllima”).

Gjithsesi, për të na thënë se i kujt është ky libër, me çfarë gjuhe flet e na ofrohet ne si lexues, cilat janë ngjyrat e tij, kush janë njerëzit që u drejtohet e kushtohet ai, dhe për të veçantat e shumta të poetit Beqiri dhe rëndësinë e botimit të këtij libri nga një shtëpi botuese me zë, sikur është “Limmat”, folën poeti Mustafe Xhemaili dhe publicisti Gani Bytyçi.

Libri më i ri i Beqirit, u shprehën ata, është ndër librat më të mirë të poezisë shqipe, i cili flet për pakufishmërinë e poezisë, për universalizmin e saj. Figura poetike e Beqirit është monumentale dhe filozofike, dhe përbrenda mbylljes së saj është thellim i mendimit letrar e kulturor. Por, libri si i tillë, dhe niveli i kësaj poezie, i përshfaqun në këtë formë, padyshim se është një prezantim i denjë i letërsisë sonë para lexuesit gjerman.

Të pranishmit i falënderoi edhe shkrimtari Beqiri, i cili ndër të tjera tha se ndjehet i nderuar për vlerësimin e fjalët e zgjedhura të miqve. As kritika nuk më ka mbetur borxh si autor, tha ai. Derisa shfaqi brengën, që si shoqëri ka shenja të mungesës së forcës për të krijuar një sistem vlerash e vlerësimesh.

B. Gecaj

Box:

Ibrahim Rugova mbi poezinë e Shaip Beqirit

Vizioni i zymtë poetik

Shaip Beqiri është njëri nga poetët më të shquar të gjeneratës së re dhe të poezisë së këtushme shqipe në përgjithësi. Kjo është gjeneratë që vjen si e katërta me radhë pas gjeneratës së Sabri Hamitit dhe Eqrem Bashës. Kjo gjeneratë ka më shumë se pesëmbëdhjetë autorë, të cilët cilësohen për hapjen ndaj fenomeneve dhe ndaj tekstit poetik. Me një fjalë, janë më të lexueshëm se sa autorët e gjeneratës pararendëse.
Mirëpo, përjashtim bën Beqiri, sepse ai i përmbahet një sistemi të mbyllur të komunikimit në planin e brendshëm të gjuhës poetike. Këtë gjuhë poetike ai synon ta realizojë më shumë si figurë poetike të përkatësisë metonimike. Të folurit e tij poetik i nënshtrohet një vizioni të zymtë për botën dhe njeriun, që jep të kuptohet se ai ndërlidhet mbi disa koncepte simboliste dhe moderne të botëkuptimit ndaj gjërave. Vështruar nga ky aspekt , Beqiri është krijues i përkryer i figurës poetike, ku bota dhe subjekti poetik përthyhen me lëvizje të matura dhe funksionale të  një refleksioni mbi kotësinë dhe kalueshmërinë e çdo gjëje të njohur, si trajtë e gjymtimit të forcës dhe të shpirtit njerëzor.

Para së gjithash, poezia e tij na flet me një seriozitet klasik  mbi çështjet moderne të ekzistencës dhe të vazhdimësisë. Vitaliteti i të folurit të tij shquhet për shtresime të thella të gjuhës dhe të figurës poetike, si rrjedhojë e të kuptuarit të tillë të gjuhës, si akt krijues.
Prishtinë,15.XI.1983
(Tekst i pabotuar më parë)

Eda Zari, “një sensacion në vete”

Në kuadrin e një “Nate kontrastesh” të mbajtur në Lorrach, këngëtarja e xhazit nga Shqipëria me qëndrim në Gjermani, Eda Zari ka magjepsur dëgjuesit e saj me iso-polifoninë e sjellë nga atdheu i saj. Zari në Shqipëri ka studiuar këndimin dhe ka njohur me themel iso-polifoninë, muzikën e vënën nën mbrojtje të Unesko-s. Një muzikë që shënon koncertin e saj me harmoni të pazakonshme dhe që ngjall mallin për vendlindjen, shkruan gazeta “Die oberbadische”.

Në koncert pati edhe një përpjekje të Eda Zarit për të vendosur një urë në mes të saj dhe publikut, duke joshur të pranishmit për t`i bërë ison këngëve të saj.

Kush nuk ka qenë aty, ka humbur diçka: Qoftë edhe vetë këngëtarja është një sensacion në vete. Zëri i saj është jashtëzakonisht shumështresor: Nga tingulli i ngrohtë, i errët, intim nëpër psherëtimat ëndërrimtare ai përfundon te pjesët ekspresive solo që ngjajnë me muzikën flamenco.

Dhe jo vetëm kjo: Eda Zari, duke bërë nga një hyrje me fjalët e saj për secilën këngë, i merr të gjithë dëgjuesit me vete në një udhëtim fascinues.

Aftësia e Zarit për ndryshime është enorme, ashtu sikurse edhe e instrumentistëve që e shoqërojnë, shkruan gazeta. Ajo di të bëjë me  po aq kolorit zëri si pijanecin qesharak ashtu edhe të rrëfejë dashurinë e brishtë apo edhe pikëllimin e një nëne të vrarë në holokaust…

 

 

Floriana Imeri, konkurrente e fortë në “The Voice of Germany”

Në Gjermani ka nisur të enjten në mbrëmje programi televiziv shumë i popullarizuar në kërkim të  talenteve të rinj të muzikës, spektakli gjerman në vazhdime „The Voice of Germany 2014″.

Shqiptarja 22-vjeçe, Floriana Imeri, nga Bietigheim – Bissingen, është njëra nga kandidatet që tashmë ka bindur jurinë “The Voice of Germany”.

Me këngën „Tik Tok“ nga Kesha, shqiptarja nga Kosova ka kaluar sfidën e parë në këtë garë muzikore në Gjermani.

“Ku ishit ju, ne kemi nevojë për energji pozitive, vajzë, zëri juaj është aq i bukur“, i ka thënë Samu Haber, njëri nga anëtarët e jurisë të edicionit të sivjetëm “The Voice of Germany”.

Floriana ka jetuar për 21 vjet në qytetin Metter Enz. “Unë edhe si një vajzë e vogël kam kënduar, por me të vërtetë ia fillova këngës në moshën 13-vjeçe”.

Ajo tha të ketë qenë e dalluar me talentin e saj edhe në shkollë. Në shumë festa me familjen dhe miqtë ajo kishte kënduar para publikut. “Kjo më dha besim”, tha Floriana.

Në Kosovë Floriana është tashmë e njohur si një këngëtare e re. Dy vjet më parë ajo ka regjistruar një album me këngë popullore.

“Muzika në shtëpinë time është shumë e rëndësishme për mua, sepse jam rritur me të”, thotë ajo.

Floriana ëndrron karrierën e një këngëtareje ndërkombëtare. Florianes i pëlqen të këndojë më shumë balada.

Nga familja e saj Floriana ka marrë mbështetje të madhe, sidomos nga babai i saj që kishte ndikuar për të treguar talentin.

“Babai im është një fans shumë i madh imi, unë jam shumë e lumtur”, kishte deklaruar për mediat gjermane talentja nga Kosova, Floriana Imeri.

Floriana Imeri the voice of ger

Video:
http://www.the-voice-of-germany.ch/video/45-floriana-imeri-tik-tok-clip

Dr.Emrushi fiton çmime prestigjioze botërore për kardiologji

Kur e takon dr. Emrushin, nuk e ke fare përshtypjen se ke përpara njeriun e laboratorëve dhe të eksperimenteve, njeriun e humbur e me syze të trasha, siç “e njohim” shkencëtarin nga klishetë me të cilat jemi mësuar. Përkundrazi. Te ai shohim një të ri të qeshur dhe të gatshëm për të na “infektuar” me pasionin që ka ai vetë për shkencën. Me po këtë pasion, shkencëtari i ri na flet edhe rreth  punimit për të cilin ka marrë së fundi një çmim të rëndësishëm.

“Punimi për të cilin jam shpërblyer së bashku me grupin kërkimor të Inselspital të Bernës ka të bëjë me “programimin fetal të sëmundjeve kardiovaskulare në moshën madhore. Me këtë punim kemi dashur të konstatojmë se sa ndikojnë komplikimet te foshnja gjatë fazës së shtatzënisë së nënës në sëmundjet kardiovaskulare kur ai mbërrin në moshën madhore.

E kemi ndjekur dhe studiuar si model zhvillimin kardiovaskular dhe mekanizmat e zhvillimit të disfunksionit vaskular te një mi që ka lindur nga fertilizimi in vitro (mbarsja artificiale). Pastaj e kemi përcjellë këtë dukuri edhe me fëmijët, duke krahasuar ata që kanë qenë të lindur me fertilizimin in vitro me fëmijët e lindur në mënyrë natyrale. Kemi konstatuar se tek fëmijët e lindur in vitro funksioni vaskular është i zvogëluar në krahasim me fëmijët e lindur në mënyrë natyrale. Rrjedhimisht, fëmijët e lindur përmes rrugës artificiale, në moshën madhore mund të kenë më shumë probleme kardiovaskulare dhe ato do t’u paraqiten më herët se atyre që kanë lindur në rrugën natyrale. Kemi provuar edhe mënyrat e parandalimit të disfunksionit vaskular te kjo kategori e fëmijëve”, përpiqet ta sqarojë me terma sa më popullorë një temë të ndërlikuar shkencore, dr. Rexhaj.

“Punimi ynë i realizuar tek fëmijët, është botuar në revistën numër një në botë për lëmin e studimeve kardiovaskulare “Circulation”. Ndërsa punimi i realizuar tek minjtë ku jam autor i parë i punimit që është bërë në mënyrë grupore ndërsa shpërblimi është dhënë në emrin tim, është i botuar në revistën prestigjioze “Journal of Clinical Investigation”. Udhëheqës i grupit është profesori Urs Scherrer ndërsa roli im ka qenë i veçantë në kryerjen e eksperimenteve, në përpilimin tekstor të punimit etj.

I përcaktuar për shkencën

Vlera materiale e çmimit është 30 mijë franga. Kjo shumë duhet të përdoret për zhvillimin e kërkimeve të mëtutjeshme dhe është një ndihmesë për të cilën gjithmonë ke nevojë gjatë punës shkencore. Sigurisht, çmimi është në radhë të parë njohje prestigjioze e punës që kemi bërë. Punimi është mbështetur kryesisht nga Fondi Nacional i Kërkimeve, (më prestigjiozi në Zvicër), pastaj pjesërisht edhe nga Shoqata zvicerane e Hipertensionit, etj., sqaron ai.

Ka mjaft studentë që gjatë studimeve kanë rezultate të shkëlqyera por kur vjen puna për t’u përcaktuar për karrierë shkencore dhe akademike, hezitojnë. Kjo rrugë është shpesh më e vështirë, e gjatë, me shume sakrifica dhe të shumtën, pa satisfaksionin e duhur material. Ndërsa dr. Rexhaj, i cili doktoraturën e ka kryer në vitin 2012, është ndër të paktët që ka zgjedhur shkencën, kërkimet…  “Sa i përket punës në universitet, rrugën e kam të hapur, por mbetet të shohim nga mundësitë që më ofrohen. Mund të them se ana materiale për mua nuk është gjithçka. Është edhe satisfaksioni i të arriturave shkencore, ai që më udhëheq në rrugën time”, na siguron ai.

Rexhaj punon prej pesë vitesh në grupin kërkimor të udhëhequr nga profesori eminent Urs Scherrer. E ka filluar në Lozanë dhe po e vazhdon në Bernë. “E kemi një grup hulumtues mjaft kompakt me të cilin kemi shumë projekte të përbashkëta dhe ambicioze. Në grup për rreth një vit kemi pasur edhe një shqiptar tjetër (dr.Agim Pireva) i cili pastaj ka kaluar me punë në një klinikë tjetër”.

Emrushi ka qenë tri vjet kryetar i shoqatës së studentëve shqiptarë në Lozanë, kur kjo shoqatë zhvillonte aktivitet të bujshëm. Në Universitetin e Lozanës, atëherë po edhe sot, ka pasur një numër të konsiderueshëm të studentëve shqiptarë.

       “Nuk jemi edhe keq me numrin e të rinjve që studiojnë”

Lidhur me përpjesëtimin në mes të numrit të madh të shqiptarëve në Zvicër dhe numrit (ende të vogël) të studentëve shqiptarë këtu, dr. Rexhaj është optimist. “Nuk jemi edhe keq sa i përket numrit të studentëve. Sepse nuk është lehtë të studiosh në vend e gjuhë të huaj. Nevojitet përgatitje e fortë pasi që seleksionimi për të shkuar në universitet këtu është shumë më i hershëm. Kur kemi parasysh problemin e integrimit të prindërve këtu, nuk është keq.

Sigurisht kur kam ardhur këtu ka qenë më e vështirë për mua se për ata që kanë kryer këtu gjimnazin në gjuhën e vendit mikpritës. Pastaj niveli i arsimit nëpër të cilin kemi kaluar ne nuk krahasohet me atë në Zvicër. Këtë e sheh secili gjatë studimeve… Veç kësaj unë i takoj gjeneratës që ka kryer gjimnazin nëpër lokale private. Prandaj këtu më është dashur të punoj më shumë në krahasim me kolegët e mi zviceranë”, shton Rexhaj. Por të gjitha këto nuk e kanë penguar që ai jo vetëm të mbaronte fakultetin por edhe të merrte nota të dalluara. “Notën mesatare në vitin e fundit e kam pasur diçka mbi 5 ndërsa 6 është nota maksimale”, thotë ai.

I pyetur për mundësitë që të ndihmojë në fushën e vet profesionale në Kosovë, ai është i prerë. “Jam i gatshëm pa kurrfarë hezitimi të kontribuoj, por kjo sigurisht,  nuk varet vetëm nga unë…”.

Pak biografi

Dr. Emrush Rexhaj  punon si kardiolog në Spitalin Universitar të Bernës “Inselspital” ku është duke bërë specializimin për kardiologji të përgjithshme me theks në shtypjen e gjakut. Fakultetin e Mjekësisë e ka kryer në Universitetin e Lozanës në vitin 2005. Në Zvicër ka ardhur në moshën 18 vjeçare, menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme te mjekësisë në Prizren. Është nga Komuna e Shtimjes dhe në Zvicër u është bashkuar prindërve.

Lista e disa çmimeve shkencore që i ka fituar dr. Emrush Rexhaj

2011: Shoqata zvicerane e hipertensionit: The Swiss Society of Hypertension AstraZeneca Scholarship;
2011: Shoqata amerikane e fiziologjisë (American Physiological Society) The Respiration Section Research Recognition Awards;
2012: Shoqata amerikane e fiziologjisë (American Physiological Society) Postdoctoral Novel Disease Model Award;
2012: Universiteti i Lozanës, Fakulteti i Biologjisë dhe Mjekësisë: Faculty Price 2012 for the Doctorate Thesis work. Faculty of Biology and Medicine, University of Lausanne;
2014: Shoqata zvicerane e kardiologjisë: Cardiovascular Research Award 2014.

 

Në Berlin, „Arkivi i meduzës“, instalacion i Sislej Xhafes

“Arkivi i meduzës” do eskpozohet duke filluar nga sot  për katër ditë me radhë në galerinë “Blain|Southern” të Berlinit.

Vepra e re e artistit nga Kosova me nam botëror, Sislej Xhafa do të ekspozohet edhe në Londër në kuadër të programit “Art Berlin Contemporary”, që është zhvilluar një platformë tërheqëse për të prezantuar veprat individuale të artistëve bashkëkohorë nga e gjithë bota.

Për të realizuar “Arkivin e meduzës”, Xhafa për një kohë kishte qëndruar në ishullin e Lampedusas.

Sic shkruan gazeta Koha Ditore instalacioni i tij artistik është produkt i një rezidence, në kuadër të së cilës artisti ka investiguar mjediset dhe vendbanimet e emigrantëve që e kanë gjetur veten në këtë ishull “parajse”.

“Duke mbledhur dhe duke prezantuar objektet e përvetësuara dhe gjërat e hedhura nga banorët e Lampedusas, artisti trajton natyrën, përkatësinë, identitetin, humbjen dhe kujtimin”, është përshkrimi që i bëhet “Medusa Archives” në ueb faqen zyrtare të galerisë.

E nga ana tjetër, artisti që më 2013 përfaqësoi Italinë në edicionin e 55-të të Bieneles së Artit në Venecie, e përthekon me pak fjalë hulumtimin në ishull.

“Kujtesë si eksperiencë”, thotë shkurt ai.

Në përshkrimin që shoqëron paralajmërimin për ekspozimin e instalacionit theksohet ndërlidhja e artit të Xhafës me emigracionin, duke përmendur edhe statistika.

Brenda vitit 2014, numri i njerëzve që kanë rrezikuar jetën e tyre për të kërkuar shpëtim në vende tjera është rritur në 51 milionë.

E vala më e madhe e emigrimit ndodh në Evropë, së cilës ia mësyjnë ata që ikin nga konfliktet në Siri, Irak, Libi, Sudan Jugor e Ukrainë.

Por Xhafa thotë se ka gjetur paralele midis emigrantëve që kërkojnë parajsën në ishullin italian me emigrantët shqiptarët nëpër botë

 

Alban Pengili, me “Capriccio”-t e Paganinit, në Gjermani dhe Shqipëri

Alban Pengili, violinisti shqiptar që po paraqitet me sukses në skenën muzikore gjermane, do të ketë prezantimin e tij të radhës më 25 shtator  në Bochum. Në repertorin e mjeshtrit do të jetë “24 Capricci” për violinë solo e Paganinit.

Vepra  e përmendur njihet si njëra ndër më të vështirat dhe më sfidueset për violinistët kudo në botë.

Alban Pengili është i lindur në në vitin 1972 në Tiranë ku ka marrë mësimet e para të muzikës. Në vitin 1992 ai ka filluar studimet në Folkwang-Hochshule në Esen të Gjermanisë. Këtu ai ka mbaruar masterin në muzikën e dhomës  (kamertale). Ka marrë një sërë çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare për ekzekutimin e tij virtuoz me violinë.

Pengili,  është i përkushtuar shumë arsimimit muzikor të brezit të ri. Shumë nga nxënësit e tij në Gjermani janë dalluar dhe vlerësuar me çmime të larta në nivel vendi dhe në botë.

Më 4 tetor Pengili do të japë koncert në Shqipëri, në Fakultetin e Arteve në kuadrin e “Ditëve Gjermane” që i kushtohen Festës Nacionale të bashkimit të Gjermanisë, 3 tetorit.

 

“Impresione Shqiptare” të Destan e Barbara Gashit

Të përmbledhura nën titullin “Albanische Impressionen” (Impresione shqiptare), skulptori Destan Gashi dhe piktorja Barbara Gashi prezantojnë ekspozitën e tyre më të re në Brigittenau të Vjenës, Austri. Në punimet e tyre çifti shqiptaro-austriak përpunojnë mite dhe legjenda nga toka e shqiptarëve, si ai i Rozafës, ose histori mbi fjalën e mbajtur (Besën) etj.

Në këtë ekspozitë janë shkrirë në një kultura dhe tradita me modernen.

Krijimet e të dy artistëve përbëjnë një unitet artistik dhe janë pjesë e Javës Kulturore Shqiptare. “Një skulpturë është që më parë në brendinë e gurit. I gjithë arti i Destan Gashit është ta shohë këtë dhe ta nxjerrë nga mermeri”, ka thënë kryetari i qarkut, Hannes Derfler në hapjen e ekspozitës. Ai ka theksuar po ashtu se shqiptarët në Brigittenau janë shumë mirë të integruar.

Mal Myrtaj, artisti që bashkon

“Shoqata `Yjet e Kosovës` është një shembull i mrekullueshëm i integrimit. Ndërkohë, dihet se integrim nuk do të thotë të heqësh dorë nga kultura dhe besimi yt”, tha Klaus Sauer, në emër të bankës Sparkasse të Freiburgut, në hapjen e ekspozitës së skulptorit shqiptar me qëndrim në Gjermani, Mal Myrtaj. Gjatë dy javëve të ardhshme në ambientet e kësaj banke do të ekspozohen skulpturat dhe relievet e artistit me prejardhje nga Peja, Kosovë.

Asnjëherë deri më tash nuk ka ndodhur që në një hapje ekspozite në Sparkasse të vijnë kaq shumë përfaqësues nivelesh të larta nga politika, administrata dhe ekonomia siç ndodhi jë ekspozitën e hapur për nder të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

Ndonëse ambasadori i Kosovës, shtetit më të ri të Evropës, Skender Xhakaliu pak më parë e kishte njoftuar mosardhjen, në vend të tij kishin ardhur konsujt Faket Kajtazi dhe Kadri Dakaj nga Shtutgarti. Edhe Televizioni i Kosovës, RTK e ka filmuar këtë vernisazh jo të zakonshëm.

Deputeti federal Peter Weis solli në kujtesë se si pasojë e luftës, pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë shumë njerëz qenë detyruar të braktisnin vendin e tyre dhe të vinin në Gjermani si refugjatë lufte. Në këtë kohë, eksperti i shtypshkronjave Tahir Shabani themeloi në Emmendingen shoqatën “Die Sterne Kosovas” (Yjet e Kosovës). Në këtë qark jetojnë rreth 1000 njerëz nga Kosova.

Në gjithë këto ceremoni festive, me himne kombëtare dhe me shfaqje të larmishme vallesh folklorike, protagonisti i mbrëmjes, Mal Myrtaj në fillim sikur kishte mbetur në prapavijë.

Kuratori i ekspozitës Fritz Kendel me Tahir Shabanin dhe Thomas Zeller kishin ekspozuar me shije të jashtëzakonshme dhe me harmoni 15 skulpturat dhe 15 relievet e kornizuara në foajeun e bankës.

“Me rastin e dizajnimit të kësaj ekspozite ne kemi synuar formën e një unaze, duke i vendosur skulpturat në një gjysmërreth të hapur”, sqaron Kendel. Ai e cilëson skulptorin që prej 14 vitesh jeton në Singen të Gjermanisë si artist botëror, i cili me mesazhin e tij nuk i drejtohet vetëm një grupi por tërë njerëzimit. Një artist i bashkimit në mes të njerëzve. Snim i tij është që përmes formave shprehëse të artit të tij të kontribuojë në mirëkuptimin në mes të njerëzve.

Janë simetrike raportet e madhësisë së figurave, siç janë të bashkuara në një edhe pjesët e metalit nga bronzi, i prerë, i lakuar dhe i formësuar. Në raste, skulpturat të përkujtojnë tmerret e luftës në fund të shekullit të kaluar”. Skulpturat janë të vendosura në bazamente dhe formojnë një njësi e cila pret që e të merremi me të”, plotëson Kendel. Në Emmendingen, falë “Yjeve të Kosovës” kjo ide tashmë pjesërisht është jetësuar.

Vizita në këtë ekspozitë gjithsesi ia vlen. Ajo do të mbetet e hapur deri më 17 tetor dhe mund të vizitohet gjatë kohës së punës në bankën Sparkasse në Emmendingen, Marktplatz 13.

Prezanton Biznes Planin para Nobelistit Mohammad Yunus

Blerta Pajaziti, ish studente e Universitetit të Evropës Jug Lindore nga Maqedonia – Tetovë ,e cila aktualisht po vazhdon studimet posdiplomike në Menaxhment pranë Universitetit të Luganos në Zvicër, ditë më parë bashkë me grupin e saj universitar prezantoi biznes planin social para Mohammad Yunus, fitues i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2006.

Mohammad Yunus është ekonomist dhe themelus i bankës “Grameen”, institucion që nëpërmjet mikro-huadhënies (kredi të vogla) u mundëson klientëve të arrijnë gjendje financiare të vetë-mjaftueshme. Prezantimi u organizua në kuadër të lëndës “Business Planning” ku nga gjithsej 18 grupe të cilët konkuruan për Biznes Planin më të mirë me karakter social, 3 grupe u zgjodhen si fituese dhe patën mundësi për të prezentuar Biznes Planin e tyre në praninë e Nobelistit Mohammad Yunus i cili ishte i ftuar special në konferencën “Social Business 2012” e organizuar në Universitetin e Luganos.

Biznes Plani Social i propozuar nga grupi 6 anëtarësh ku merrnin pjesë, Blerta Pajaziti e cila edhe prezentoi projektin, Shkumbin Nuredini nga Kosova, Ajlin Dizdarevic nga Bosnja, Jessica Livnat nga Zvicra, Marzia Varvaglione nga Italia, Martina Sacchi nga Italia. Projekti në fjalë është me karakter edukativ dhe i përpiluar për të krijuar një ndërmarrje sociale ( Social Enterprise) e cila do të ju mundësojë studentëve nga shtetet ballkanike që kanë përjetuar konflikte të armatosura, fillimisht Bosnja pastaj Kosova dhe Maqedonia, të kenë mundësi për të vazhduar studimet posdip+lomike në Universitetet më të mira te Zvicres.

Qellimi kryesor dhe final është që këta të rinjë të cilët do të kenë mundësi për të fituar njohuri të reja dhe eksperiencë, të kthehen në shtetin e tyre dhe të punësohen në sektorin privat, duke kontribuar kundrejt ngritjes ekonomike dhe drejt rritjes së kualitetit të fuqisë puntore.

Mohammad Yunus, i cili është edhe themeluesi i konceptit të “Biznesit Social”, i vlerësoi punimet dhe idete e studentëve si të shkëlqyeshme duke i inkurajuar të vazhdojnë të punojnë dhe kontribuojnë për një shoqëri më të mirë. /F.SH/Albinfo/

Leunora Xhemajlaj ,”Face of Switzerland 2012″

Një juri profesionale prej 6 anëtarësh i ka ndarë ditë më parë në Cyrih shqiptares 20 vjeçare Leunora Xhemajlaj titullin “Face of Switzerland 2012”. Kjo është një e arritur e madhe për vajzën e bukur nga Rombach-u i Aargaut, e cila, të dielën që vjen, feston ditëlindjen e saj të njëzetë.

Me zgjedhjen si “Fytyra e vitit e Zvicrës”, Leunora ka realizuar një ëndërr të kahmotshme. Që në fëmijëri ajo kishte pasur shumë dëshirë të konkurronte për t`u zgjedhur mis. Në fakt kjo dëshirë iu plotësua asaj gjatë verës që shkoi, kur, në “Mis Kosova 2012” hyri në mesin e dhjetë më të bukurave dhe fitoi çmimin “Mis fotogjenia”.

Suksesi i arritur në Kosovë e kishte trimëruar atë që të merrte pjesë edhe në garën për “Face of Switzerland 2012”.

Të mbash këtë titull, për Leunorën do të thotë shumë. “Fytyra ime e përcjell tutje simpatinë e Zvicrës”, thotë ajo. Leunora kishte pasur gjithmonë dëshirë që ta përfaqësonte Zvicrën në ndonjë mënyrë. Përkundër rrënjëve të saj kosovare, ajo identifikohet plotësisht me Zvicrën. “Unë kam lindur dhe jam rritur këtu. Zvicra është vendlindja ime”.

Gara e kishte joshur atë edhe për faktin se, ndryshe nga gara për “Mis Zvicra”, kandidatja nuk është e detyruar të jetë perfekte në gjithë paraqitjen e saj. “Këtu nuk kërkohet një `pako komplete`, por është fytyra ajo që vlerësohet”, thotë Xhemajlaj e cila është e gjatë “vetëm” 1.68 m.

Leonora jeton akoma te prindërit në Rombach dhe punon në administratën e një tregtoreje me artikuj për zyra, në Hünenberg. Deri më tash në vendin e punës udhëtonte me trafik publik. Por, falë çmimit të fituar, ajo tash e tutje do të udhëtojë me veturën që i është dhënë në dispozicion nga “Face of Switzerland”. Natyrisht, pas 6 muajsh ajo duhet t`ia kthejë sërish këtë makinë sponsorit.

Suksesi nuk i ka “rënë në kokë” Leunorës. Ajo dëshiron që patjetër të vazhdojë punën në profesionin që e ka mësuar ndërsa modelimin do që ta ketë si hobi. Tash për tash nuk mendon që t`i kushtohet plotësisht karrierës së modeles, thotë ajo për gazetën “Baselandschaftlichezeitung”.

“Tash duhet të shoh njëherë se çfarë më ofrohet. Unë, natyrisht, nuk do të kisha asgjë kundër ndonjë oferte”, thotë Xhemajlaj. Ndërkohë, menjëherë pas kurorëzimit të saj si “fytyra e Zvicrës”, Leunorës tashmë i kanë ardhur ofertat e para nga bota e marketingut.

Foto galeri