Sopranoja shqiptare Ana Naqe mahnit në Bruksel me rolin kryesor në operën “Bovary”

Sopranoja me origjinë shqiptare Ana Naqe ka realizuar një sukses të jashtëzakonshëm në skenën ndërkombëtare, duke interpretuar rolin kryesor në operën “Bovary” në Théâtre de la Monnaie në Bruksel – institucion që këtë vit është vlerësuar me çmimin për “Shtëpinë Operistike më të Mirë të Vitit 2025”, shkruan albinfo.ch.

albinfo.ch
albinfo.ch

Shfaqja u prit me entuziazëm si nga publiku, ashtu edhe nga kritika. Mediat prestigjioze të muzikës operistike në Evropë kanë vlerësuar performancën e Ana Naqe si një ndër interpretimet më të fuqishme dhe më emocionale të këtij sezoni.

Kritikat më të rëndësishme të operës e kanë cilësuar zërin dhe interpretimin e saj “magnetik”, duke nënvizuar mjeshtërinë artistike dhe thellësinë shpirtërore që sopranoja shqiptare i dha personazhit të saj. shkruan albinfo.ch.

Kosti Deti, instrumentisti i talentuar në Vjenë

Kosti Deti është instrumentisti i talentuar në Vjenë, është vlerësuar me çmimin e madh në garën ndërkombëtare të pianos Valetta në Maltë, shkruan albinfo.ch.

Vlen të theksohet se pianisti shqiptar ka mbajtur koncerte në gjithë Europën dhe më gjerë.

Që nga 2006 është i vlerësuar me mbi 30 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, shkruan tutje albinfo.ch.

Ai së fundmi, në një postim në rrjetet sociale, është shprehur i gëzuar për fitoren në garën ndërkombëtare të pianos Valetta në Maltë.

 

Postimi i plotë:

Të dashur miq!

Jam jashtëzakonisht i nderuar që jam fitues i GRAND PRIX në garën ndërkombëtare të pianos Valetta në Maltë.

Jam shumë mirënjohës ndaj Jurisë së jashtëzakonshme…

Mezi presim të performojmë në këtë vend të bukur…

Miriam Cani në operë me mjuziklin “Hair”

Miriam Cani, këngëtarja që u bë e njohur në vitin 2003 kur u zgjodh bashkë me katër vajza të tjera në spektaklin “Popstars” po provon veten në një fushë të re për të. Ajo, bashkë me kolegen e saj nga grupi i dikurshëm “Preluders” Tertia Botha, janë angazhuar në kult mjuziklin e njohur të viteve gjashtëdhjetë “Hair”.

Miriami dhe Tertia janë zgjedhur në një audicion ndër këngëtaret më të mira, për të marrë rolet në këtë mjuzikël që vihet në skenë në Operën e Bonnit të Gjermanisë.

Me këtë rast portali gjerman Express.de shkruan për Miriam Canin si një këngëtare që ka ecur me sukses në rrugën e famës. Ajo, ashtu si dhe Tertia është vazhdimisht e pranishme në spektaklet e mëdha televizive të Gjermanisë sii “TV Total”, “The Dome”, “ZDF Fernsehgarten” , “Oliver Pocher Show” etj.

Portali më tutje kujton se “shqiptarja Miriam Cani në vitin 2009 është shpallur nga presidenti shqiptar Bamir Topi `ambasadore e kombit`. Po ashtu ajo në Shqipëri ka bërë edhe moderimin e festivalit shqiptar që zgjedh këngën përfaqësuese të Shqiopërisë për Eurovision”.

Provat për mjuziklin në operën e Bonnit janë duke u zhvilluar prej disa javësh.

Ramë Lahaj, zbulimi i ri, magjepsës, i operës gjermane

“Latin Lover dhe tuberkularja”. Kështu e titullon gazeta “Lübecker Nachrichten” artikullin mbi premierën e operës “La Traviata”. Dhe me epitetin “Latin Lover” (dashnor latin) ajo ka identifikuar tenorin e ri shqiptar nga Kosova, Ramë Lahaj, i cili luan rolin kryesor të mashkullit në këtë operë, atë të Alfredos.

 

“Ishte një premierë e zërave interesantë. Edhe pse jo gjithçka në këtë shfaqje eci si duhet, opera “La Traviata” e Verdit Dhe, veç kësaj, ajo ka një partner, i cili ofron një paraqitje të shkëlqyer në rolin e Alfredos, tenorin shqiptar të lindur në vitin 1983, Ramë Lahaj, i cili zërin e tij të freskët e të fuqishëm prej tenori, nganjëherë e përdorë në një formë tejet të vrullshme”, shkruan veç tjerash gazeta “Lübecker Nachrichten”.

Kjo gazetë, që nuk kursen lëvdatat për zbulimin e ri të skenës së operës, Ramë Lahajn, i drejton kritika të ashpra regjisorit dhe kostumografes, të cilët, sipas saj, na kanë dhënë një Violetë shumë të zbehtë nga ana pamore e saj. Vendosja e ngjarjes në vitet pesëdheta të shekullit XX (një shekull më vonë se sa origjinali), duket të ketë qenë fajtor për kostumografinë aspak luksoze dhe tërheqëse të Violetës në këtë shfaqje.

Ndërkaq, magazina kulturore “Unser Lübeck.de” në vështrimin e saj, duke komplimentuar Ramë Lahajn bën një lapsus, kur atë e quan “një boshnjak” që ka studiuar në Tiranë.

“Boshnjakun Ramë Lahaj e kemi njohur para një viti në “Lojërat festive të Eutinit”. Ai deri më tash është angazhuar edhe në operat e Budapestit dhe të Dortmundit. Prej herës së fundit Lahaj është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme si nga aspekti i këndimit ashtu dhe interpretimit skenik, kështu që ai ka entuziazmuar publikun e Lübeck-ut në rolin Alfredo Germont.

“La Traviata” e Gjuzepe Verdit, është njëra ndër veprat më të inskenuara dhe më të njohura të literaturës opristike botërore. Ajo bën fjalë për Violetën, një kurtizanë (prostitutë) nga Parisi i mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe dashurinë e saj të madhe me Alfredon. Violeta, krahas krajatave tjera që e përcjellin, vuan edhe nga tuberkulozi, sëmundje që në atë kohë ishte e pashërueshme.

Por, ndryshe nga rrëfimi klasik, regjisori Lütje nuk “e vdes” Violetën e tij” në krahët e Alfredos. Aj e lë atë të shndërrohet në dritë dhe të “fluturojë” nga skena.(B.Sh.)

Shfaqjet e ardhshme të operës “la Traviata” në teatrin e Lübeck-ut jepen të shtunën, më 22 tetor dhe të premten, më 28 tetor, gjithnjë me fillim në orën 19.30.

Saimir Pirgu, artisti që krijon në mes dy kontinenteve

Perdja në skenën e sallës luksoze të Operës së Cyrihut hapet me figurën dhe zërin e Saimir Pirgut, i cili luan rolin kryesor në shfaqjen “Rigoletto” të Gjuzepe Verdit. Dhe, perdja bie po ashtu me zërin e tij, që vjen nga prapaskena, duke kënduar arien e njohur “La donna è mobile”. Vetë subjekti i shfaqjes fokusohet në dramën jetësore të Rigoletto-s, palaços së oborrit, i cili vuan nga shtypja që i bëhet, veç tjerash dhe nga i zoti i tij, Duka i Mantovës, rol negativ, të cilin e luan Pirgu…

Saimiri është familjarizuar prej kohësh me Cyrihun, gjegjësisht me skenën operistike të këtij metropoli zviceran. Rreth 10 vite më parë ai ka luajtur në skenën e këtushme të operës rolin e Dukës së Mantovës në “Rigoletto-n“ e famshme të Verdit. Tash sërish në këtë shtëpi, ai luan po në “Rigoletto” dhe si gjithnjë, rolin e Dukës.

Para pak vitesh Pirgu kishte marrë pjesë me rolin kryesor, atë të Alfredos në një spektakël operistik të llojit të vet, në inskenimin e operës së njohur të Verdit “Traviata” të luajtur jo në skenë por në stacionin hekurudhor të Cyrihut. Loja impresionuese që bartej nga hapësirat mes peronave të trenit, te shkallët elektrike të stacionit e gjetiu, ishte transmetuar drejtpërdrejtë nga televizionet zvicerane. Dhe kishte lënë mbresa të thella te një publik i gjerë, i cili në kushte normale, vështirë “e gjen rrugën” deri tek teatri i operës…

Gjatë gjithë muajit shkurt Saimir Pirgu, tenori i ri, i njohur edhe si miku dhe pasuesi i denjë i Pavarotit, ishte sërish mysafir në metropolin zviceran. Në të gjitha, shtatë shfaqjet, salla ka qenë e mbushur tërësisht dhe biletat kanë qenë paraprakisht të shitura.

Kënaqësinë që të përjetojmë artin e tij të madh e patëm në shfaqjen e “Rigoletto-s” të dhënë të martën, më 26 shkurt në “Opernahus Zürich”. Me këtë rast ia “vodhëm” Pirgut pak minuta nga agjenda e tij e ngjeshur, për t`iu drejtuar lexuesve të albinfo.ch.

Albinfo.ch: Posa përfundoi shfaqja e operës “Rigoletto” të Verdit në skenën e Cyrihut. Bëhet fjalë për shfaqjen e fundit të këtij cikli, të filluar me premierën e dhënë më 3 shkurt. Si ndjeheni pas gjithë këtij angazhimi?

Saimir Pirgu: Në fakt “Rigoletton” nga 3 shkurti e këndej e kemi shfaqur gjithsej shtatë herë. Sigurisht, ka qenë një periudhe mjaft e ngjeshur me punë. Ndërsa këtu do të jem sërish në muajin maj, kur do ta shfaqim operën “Traviata” që jemi duke e realizuar në shtëpinë operistike “Metropolitan” të Nju Jorkut. Nesër do të jem në Nju Jork për të vazhduar provat. Premiera shfaqet më 14 mars.

Që t`ua përkujtoj, në Cyrih kam bërë “Rigoletto”-n edhe para dhjetë vitesh.

Albinfo.ch: Dhe, çfarë solli të re versioni më i ri i “Rigoletto”-s së Cyrihut?

Saimir Pirgu: Është një version modern, komplet i ri, i moduluar në kushtet e ditëve tona, përfshirë këtu edhe gjithë agresivitetin që karakterizon kohën tonë. Dhe këtu ka qenë edhe e bukura e kësaj shfaqjeje po aq sa edhe vështirësia e realizimit të saj. Ndër risitë hyn dhe skenografia qëllimisht e varfër dhe kostumet e kohës moderne që veshn artistët. Ndërsa shfaqja e para 10 viteve ka qenë brenda kornizave të klasikes.

Albinfo.ch: Ju, sigurisht edhe në shfaqjen e përmendur keni luajtur rolin e Dukës së Mantovës?

Saimir Pirgu: Po, sigurisht pasi që vetëm atë rol mund ta luaj unë…

Albinfo.ch: … Për shkak të moshës, ose tipit të zërit?

Saimir Pirgu: Për këto që thatë por edhe për shkakun se Duka di Mantova duhet të jetë i bukur, fascinant … (qesh)

Albinfo.ch: Kemi lexuar se në shfaqjet e para (nga fillimi i shkurtit) ka pasur edhe reagime të një pjese të publikut, nisur nga ky inskenim ndryshe…

Saimir Pirgu: Po, është e kuptueshme, gjithmonë do të ketë persona të tillë brenda publikut që duan ta shikojnë gjithnjë atë shfaqje me të cilën janë mësuar, me këtë rast, versionin klasik. Megjithatë, kritika, sidomos ajo ndërkombëtare dhe shtypi e kanë vlerësuar shumë lartë shfaqjen në këtë variant. Po ashtu është e kuptueshme se mund të ketë edhe zëra kundërshtues, sepse ky është teatri…

Albinfo.ch: Megjithatë është një inercion që publiku më lehtë të identifikohet me rolet pozitive se sa me ato negative, çfarë ishte roli juaj në shfaqjen “Rigoletto”. A keni përjetuar diç të tillë me rastin e kësaj opere?

Saimir Pirgu. Absolutisht jo. Sado që të jetë urrejtur Duka si njeri, atë e kanë dashur gjithmonë si rol. Sido që të jetë, ariet ndër më të famshmet në literaturën botërore të muzikës, janë pikërisht ato të Duka di Mantova-s si për shembull perla e njohur “La donna è mobile” etj.

Por nuk diskutohet, në këtë inskenim, roli im është edhe më negativ se në inskenimet tjera. Me tekstin e njëjtë, regjisorja e ka ashpërsuar paraqitjen e Dukës.

Albinfo.ch: Cila është shfaqja e radhës që jeni duke e përgatitur ose do ta filloni, pas “Rigoletto-s”?

Saimir Pirgu: Unë jam i angazhuar në më shumë se 20 role, në shtëpi të ndryshme operash, të cilat i shfaq paralelisht gjatë gjithë kohës.

Premiera e radhës që do ta kem është “Traviata” (bashkë me Placido Domingon) të cilën jam duke e përgatitur në operën “Metropolitan” të Nju Jorkut, në mënyrë paralele me këtë të Cyrihut. Dmth. gjatë gjithë kësaj kohe të provave kam qenë “në ajër”, në relacionin Nju Jork-Cyrih. Pardje kam ardhur nga Nju Jorku dhe nesër (e mërkurë) do të fluturoj sërish për atje… Kështu do të jem edhe një kohë, pasi që seria tjetër e shfaqjeve të “Rigoletto”-s në Operën e Cyrihut do të jetë në muajin qershor. Dhe siç e përmenda, me “Traviata”-n do të jem këtu në muajin maj.

Tenori shqiptar, Armaldo Kllogjeri, para publikut zviceran

Armaldo Kllogjeri është pa dyshim një prej zërave më të talentuar të operës shqiptare që po zhvillon një karrierë të suksesshme artistike edhe në Evropë.

Solisti shqiptar sapo i ka dhënë jetë Ricardos, personazhit të operës “Ballo me maska”,  “Un ballo in Maschera” të Giuseppe Verdit , një rol i cili u vlerësua nga publiku zviceran.

Kënaqësi e veçantë është kur një yll shqiptar i çon peshë emocionet e publikut zvicerane, siç ishin ata që kishin mbushur sallën cep më cep të Teatrin e Langenthal-it dhe që e shpërblyen me shumë ovacione artistin nga Shqipëria.

Opera flet  për një përzierje të një historie dashurie, intrigës politike dhe krimit që kishte ngjallur diskutime në lidhje me përmbajtjen, e cila është arsyeja pse opera në fjalë ishte ndikuar nga censura.

Opera e Verdit, ku rolin kryesor e luan shqiptari Armaldo Kllogjeri, pas shfaqjes në Thun, Vevey dhe Langenthal, do të shfaqet edhe në Teatrin e Oltenit më 15 mars 2014.

Solisti i operës, Armaldo Kllogjeri, menjëherë pas mbarimit të shkollës u shpall si këngëtari më i mirë lirik për vitin 2007. Që nga ajo kohë e deri më sot i ka dhënë jetë një numri të madh personazhesh të operave botërore dhe shqiptare. Tenori shqiptar me talentin e tij po prezantohet suksesshëm në skenat evropiane, duke marrë duartrokitjet e publikut që e vlerëson për talentin e tij.