Doktori shqiptar që kontrollon falas

 

Një shqiptar mjek, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen çdo vit në Shqipëri, kontrollon falas dhe shpërndan ilaçe falas.

Është ky Mario Ademaj, i cili ka vazhduar traditën edhe këtë vit. Ai është martuar këtë vit dhe menjëherë ka nisur misionin e tij, raporton ‘Zëri i Amerikës’’.

Ai do t’i kontrollojë falas, si dhe gjithashtu edhe ilaçet do të jenë pa para.  Dy vite më parë, së bashku me disa mjekë vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria u ofroi shërbim banorëve të Pogradecit, përcjell albinfo.ch.

“Aty brenda një dite erdhën 2000 pacientë, të cilët nuk kishin parë doktor me sy, gjatë 5 viteve të fundit, kryesisht për arsye financiare”. Këtë herë zgjodhi Shkodrën  dhe arriti të frymëzojë edhe vullnetarë të rinj.

Mario është larguar në moshë të hershme nga Shqipëria. Nuk e kishte ëndërruar kurrë që një ditë do të studionte mjekësi në Amerikë. Zgjedhjen e bëri i nisur nga sëmundja e rëndë e të atit,  nga nevoja që ai kishte, jo vetëm për ndihmë mjekësore, por mbi të gjitha njerëzore. Babanë, fatkeqësisht nuk arriti ta mbante në jetë, por u zotua që do të bënte gjithçka për të tjerët.

Për të, mjekësia është mbi të gjitha humanizëm dhe që në vitet e shkollës frymëzoi idenë e një klinike ambulatore falas në shërbim të bashkatdhetarëve.

Sot, kjo ide është konkretizuar në një organizatë që quhet “Skuadra mjekësore ndërkombëtare për Shqipërinë”, e cila ndihmohet nga familje të ndryshme shqiptare.

Plani i Marios është që një ditë, klinika e tij falas, të shtrihet në të gjitha trevat, ku ka shqiptarë.
https://www.zeriamerikes.com/a/mario-ademi-doktor-shqiptaro-amerikan/3933998.html

 

 

Gjinekologu shqiptar në Zvicër që bëri mrekulli!

Duket si një rrëfim në mënyrën dëshirore por është i vërtetë.  Fariu dhe Elmedina sot janë një çift i ri me vullnet dhe elan pë jetë. Kështu nuk kanë qenë deri vonë pasi që Elmedina ka pasur pesë aborte të detyruara. Sot çifti ka arsye për optimizëm. Në prehër kanë fëmijën e shëndetshëm, Selimin. Dhe për këtë bekim në jetën e tyre, Elmedina dhe Fariu duan ta falënderojnë mjekun gjinekolog, Avdullah Krasniqin.

“Unë, Fari Xheladini dhe bashkëshortja ime Elmedina Xheladini jemi një çift i ri me banim në Fribourg të Zvicrës. Ndryshe, ne jemi me prejardhje nga Kumanova. Ne si çift i ri kishim plane dhe ëndrra të bukura për jetën dhe natyrisht dëshironim shumë që Zoti të na dhuronte një fëmijë”. Kështu e fillon rrëfimin e tij jetësor Fariu për albinfo.ch.

“Fatkeqësisht, dëshira jonë nuk u realizua edhe pse nuk lamë gurë pa lëvizur, klinikë pa vizituar dhe mjek pa konsultuar. Zhgënjimi ynë deri në pikëllim të thellë erdhi me abortin e pestë të bashkëshortes sime. Nuk ndihmuan as klinikat në Maqedoni e as ato  zvicerane. Kur ne tashmë e kishim humbur çdo shpresë, një mik i ngushtë nga Kosova na informoi se është një mjek-gjinekolog shumë i përgatitur i cili për një kohë të shkurtër të qëndrimit me punë në Zvicër ka arritur të bëhet edhe kryemjek në Spitalin e Payernit të kantonit  të Vaud-it. Edhe pse shpresat tona ishin të pakta, ne megjithatë u paraqitëm në vizite te ai. Në fillim kishim dyshime. Ndoshta edhe si pasojë e ndikimeve  të propagandës se është shqiptar pra nuk është zviceran.

Po kush është ky mjek?

Quhet Dr. Avdulla Krasniqi, kryemjek i shërbimit të Gjinekologjisë në Payerne. Ai, me dijen, përvojën, seriozitetin dhe aftësinë kulminante profesionale arriti të zbulojë shkakun e aborteve dhe mrekullia ndodhi. Sot jemi një çift i ri dhe i lumtur, dhe për më tepër, kemi edhe djalin tonë Selimin e vogël i cili me ardhjen në jetë na ka gëzuar shumë dhe na ka bërë të lumtur. Për këtë lumturi tonë meritat dhe mirënjohja i shkojnë mjekut shqiptar, Avdulla Krasniqit, shprehet më tutje Fariu.

“Me shpirt dhe zemër ne e urojmë mjekun shqiptar Avdullahun, njëkohësisht mburremi me të arriturat e tij shkencore dhe profesionale dhe njëkohësisht ndjehemi krenarë me te që na bëri të lumtur jo vetëm ne por edhe familjen e gjerë Xheladini. Për këtë vendosëm që të dalim publikisht dhe ta falënderojmë mjekun Avdulla Krasniqi”, shpreht Fariu për albinfo.ch.

“Me këtë rast i dëshirojmë jetë të gjatë e të lumtur atij dhe familjes së tij si dhe të arritura edhe më të mëdha në rrafshin profesional”, urojnë Fari  dhe Elmedina Xheladini.

Eleonora Berisha, në mision paqësor në vendin e prindërve!

 

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Janë me qindra shqiptaro-zviceranë që sot mbajnë uniformën ushtarake të Zvicrës.

Ata janë të avancuar edhe në detyra dhe hierarki të larta, ku kemi edhe oficerë dhe ushtarakë me përgjegjësi të larta ushtarake.

Një pjesë e mirë e ushtarëve me origjinë nga Kosova në radhët e kësaj ushtrie janë edhe pjesë e misioneve ndërkombëtare paqësore, të cilët kryejnë detyra të rëndësishme dhe udhëheqëse.

Në mesin e tyre është edhe Eleonora Berisha, e cila kishte fatin të shërbente në një mision ushtarak në vendin e prindërve të saj, në kontingjentin e Swisscoy që vepron në kuadrin e KFOR-it në Kosovë.

Në një intervistë për albinfo.ch Eleonora sjell përvojat nga misioni me Swisscoy në vendin ku i bën pushimet me prindërit e saj, por jo në Mitrovicë, por në Prizren, në spitalin ushtarak të Bundesverit gjerman.

Eleonora, si infermiere ushtarake, thotë të mos jetë edhe lehtë për një femër të marrë pjesë me ushtrinë zvicerane në një mision jashtë vendit.

Albinfo.ch: Çka do të thotë për ju si vajzë me rrënjë shqiptare nga Kosova të shërbeni në Swisscoy me ushtrinë zvicerane?

Eleonora Berisha: Çdo pjesëtar i SWISSCOY është shtetas zviceran dhe nuk ka dallime në bazë të origjinës apo kulturës. Unë me misionin tim dua t’i jap diçka Zvicrës. Zvicra më ka mundësuar të jem ajo që jam sot.

A jeni ushtarja e parë me origjinë nga Kosova që shërbeni në mision ushtarak të Zvicrës në Swisscoy?

Jo, ka pasur edhe të tjerë para meje në SWISSCOY që kishin lidhje familjare me Kosovën.

Cili është funksioni juaj në SWISSCOY dhe çfarë grade ushtarake keni?

Grada ushtarake varet nga funksioni që keni në misionin ushtarak. Jam infermiere e diplomuar dhe punoj si infermiere në spitalin ushtarak të Bundesverit gjerman në rangun e rreshterit në kampin në Prizren.

Pse ky interesim i Eleonorës për uniformën ushtarake?

Si e vogël jam veshur dhe kam qenë e interesuar për jetën ushtarake. Nuk kam dashur ta humb mundësinë për të shërbyer në një mision miqësor jashtë vendit në Kosovë ose në një vend tjetër.

Çfarë bën SWISSCOY dhe sa i keni përmbushur detyrat tuaja në një mision ushtarak paqësor jashtë vendit?

Nëse merrni një funksion në një mision duhet të trajnoheni dhe të rekrutoheni mirë në Zvicër, unë i di mirë këto sfida. Si Infermiere kam marrë përgjegjësinë për shëndetin dhe mirëqenien e pacientëve të mi, qoftë me veshje civile ose këtu në Kosovë në mesin e ushtarëve. Tipike zvicerane, pikat e forta, si barazia, disiplina dhe saktësia, që më ndihmojnë të bëj mirë punën time dhe e karakterizojnë në përgjithësi punën e SWISSOY në Kosovë.

Çfarë e bën të veçantë misionin tuaj me SWISSCOY në Kosovë?

Po, është diçka e veçantë për një zvicerane me uniformë ushtarake të shërbejë jashtë vendit për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin. Ngase prindërit e mi janë nga Kosova, kjo e bën edhe më specifike. Prandaj unë jam shumë krenare për të vënë aftësitë e mia personale dhe profesionale të shërbim të SWISSCOY.

Çfarë përvojash keni pasur me punën tuaj në Kosovë?

Kam pasur shumë përvoja të vlefshme profesionale dhe kam arritur të lidh kontakte personale. Më emocionues për mua ishte bashkëpunimi në kuadër të KFOR-it në një mjedis ndërkombëtar. Të papërshkrueshme ishin stërvitjet e kërkim-shpëtimit me Forcat e Armatosura Federale Gjermane ose stërvitjet e transportit ajror me Forcat Ajrore Amerikane. Gjithashtu kam takuar shumë përfaqësues institucionesh lokale mjekësore dhe profesionistëve në Kosovë. Si zëvendëse e infermieres së lartë unë kam pasur mundësi t’i zgjeroja njohuritë e mia profesionale dhe të trajnohesha më tutje.

Si jeni pritur në kampin ku keni shërbyer në Kosovë?

Jam pritur ngrohtësisht në kampin fushor të KFOR-it gjerman në Prizren. Kolegët dhe koleget e mia gjermane bëjnë punë të shkëlqyeshme dhe mbretëron një atmosferë e hapur profesionale.

A është jeta ushtarake jashtë vendit më e vështirë se në Zvicër?

Ndonjëherë është e vështirë, ngase je larg nga shtëpia. Por, është edhe aq interesante: Mund të mësoni të jeni më të pavarur dhe të qëndroni në këmbët tuaja. Për shkak të punës së larmishme që kam, unë nuk kam kohë për t`u marrë shumë me gjëra të ndryshme. Por nëse megjithatë më preokupon diçka, atëherë unë kam mjaft njerëz përreth me të cilët mund të zhvilloj ndonjë bashkëbisedim të mirë dhe motivues. Mund t’ua sugjeroja të gjithë zviceranëve të shëndetshëm dhe të motivuar një mision ushtarak zviceran jashtë vendit “SWISSCOY”, për të mësuar diçka të re në një mjedis ushtarak.
eleonora-swissscoy

Swisscoy në Kosovë nga viti 1999

Misioni Swisscoy ndodhet në Kosovë që nga tetori i vitit 1999, si pjesë e KFOR-it. Që nga fillimi e deri më tash në këtë mision kanë marrë pjesë 5400 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Zvicrës. Duke filluar nga viti 2002, pjesëtarët në mision janë të armatosur, ndërsa mandati i misionit aktual përfundon në fund të vitit 2017.

 

Krenare me angazhimin në Swisscoy

Është diçka e veçantë për një zvicerane me uniformë ushtarake të shërbejë jashtë vendit për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin. Ngase prindërit e mi janë nga Kosova, kjo e bën edhe më specifike. Prandaj unë jam shumë krenare për të vënë aftësitë e mia personale dhe profesionale të shërbim të SWISSCOY.

 

Doresa Halilaj, e dyta më e bukur në Gjermani, dëshiron të mbetet infermiere!

Fasha mbi uniformën e infermieres, tregon anën tjetër të saj. Doresa Halilaj e cila jeton në Neugreuth është femra e dytë më e bukur në Gjermani. Në gusht u zhvillua ”Miss Universe Germany”, dhe prej atëherë 22 vjeçarja shqiptare merr thuajse çdo ditë oferta për modelim. Por, ajo vazhdon të jetë e angazhuar, aty ku i rrah zemra. Doresa është infermiere në kliniken e të aksidentuarve në Tubingen dhe kujdeset për pacientët e saj.

Me tenin e saj të fytyrës të shkëlqyeshëm dhe më sytë e saj ngjyrë kafe, ka arritur të shpallet më e bukura e Metzingenit dhe e dyta e “Miss Diaspora”(një spektakël ky ku përzgjidhet më e bukura shqiptare në diasporë). Në këtë të fundit ajo kishte marrë pjesë për shkak se prindërit e saj janë me rrënjë nga Kosova.

Jo vetëm e bukur!

Por jo vetëm kaq. Doresa është tip vet kërkues dhe vazhdon të sprovohet më sfida të reja. Bukuroshja shqiptare konkurron në spektaklin “Miss Universe Germany”. Fillimisht ajo duhej  t`i përgjigjej një jurie të përbërë prej pesë anëtarësh. “Nuk vlerësohej vetëm pamja”. Edhe paraqitja para jurisë kishte rëndësinë e saj dhe Doresa kishte mjaft për të treguar për karakteristikat e saj dhe angazhimin më punë sociale që e bën. “Unë punoj në klinikën e të aksidentuarve dhe aty përkujdesem për pacientë me nevoja emergjente”, kishte thënë shqiptarja e re, dhe për këtë kishte marrë menjëherë vlerësim pozitiv nga juria.

Së bashku me dhjetë bukuroshe tjera, Halilaj ishte në finale. Përgatitjet për finale kishin filluar në orën 4.30 të mëngjesit. “Në orë të tilla unë jam e zgjuar vetëm për të shkuar në punën time si infermiere”, shprehet Halilaj. Megjithatë ajo nuk e kishte menduar se mund të arrinte aq lartë, sa të shpërblehet me vendin e dytë. “Kishte shumë vajza të bukura dhe konkurrenca ishte shumë e madhe”.

“Nuk mund t`i ndalja lotët”

Kur juria kishte shpallur vendimin, ajo kishte mbetur e shtangur dhe vetëm kishte shikuar fituesen, ndërsa kur ka kuptuar se ka zënë vendin e dytë nuk ka mundur të përmbahej nga lotët e gëzimit. Menjëherë pas spektaklit, njeriun parë që e kishte telefonuar, ishte nëna e saj. “Ajo ishte shumë e lumtur dhe e gëzuar për mua ashtu siç ishin edhe të gjithë familjarët e mi”, thotë Doresa disa ditë pas shpërblimit.

Si femra e dytë më e bukur në Gjermani, Halilaj ka oferta të ndryshme për fotografi, kozmetikë apo për reklamime të firmave të ndryshme. Tash ajo mundet të fitojë para edhe në këtë mënyrë. “I falënderoj të gjithëve për ofertat”, thotë ajo. Të gjitha ofertat ajo është duke i shikuar, për të vendosur se cila i përshtatet më mirë. Por, për të është vetëm një gjë e rëndësishme: “Profesioni im jetësor është infermieria, nga i cili nuk heq dorë për asgjë. Për mua më të rëndësishëm janë pacientët”.

Përfundimi i provimit në profesionin  e infermieres që e kishte realizuar në prill të këtij viti, ishte qëllimi kryesor i saj. Për Doresën, prindërit dhe anëtarët tjerë të familjes me të cilët jeton, janë shumë të rëndësishëm. Dy motrat punojnë në spitalin e Tubingenit.

Doresa do të vazhdojë të punojë si modele, por jo të jetë e përkushtuar gjatë tërë kohës. Dhe për këtë ajo ka një arsye: “Atëherë më duhet vazhdimisht të udhëtoj dhe shumë rrallë të vij në shtëpi. Kjo nuk më pëlqen”.

Pacientët, më të rëndësishëm se karriera e modeles

Si femra e dytë më e bukur në Gjermani, Halilaj ka oferta të ndryshme për fotografi, kozmetikë apo për reklamime të firmave të ndryshme. Tash ajo mundet të fitojë para edhe në këtë mënyrë. “I falënderoj të gjithëve për ofertat”, thotë ajo. Të gjitha ofertat ajo është duke i shikuar, për të vendosur se cila i përshtatet më mirë. Por, për të është vetëm një gjë e rëndësishme: “Profesioni im jetësor është infermieria, nga i cili nuk heq dorë për asgjë. Për mua më të rëndësishëm janë pacientët”.

Mjeku që la perëndimin dhe iu kthye Kosovës

 

Për asgjë në jetën e tij nuk është bërë pishman. As për faktin që gati një vit ka lënë klinikat me renome botërore, për t’u kthyer në shërbim në vendin e tij në Kosovë, vend ky ballkanik ku për kokë banori në dhjetë vitet e fundit është investuar më së paku në shëndetin e qytetarit.

I ri në moshë, i specializuar dhe subspecializuar në klinika të mëdha gjermane, Dr. Armend Sadiku rrëfen ekskluzivisht për “albinfo.ch” arsyen që atë e ktheu në Kosovë. Këtë e bëri  pas mbarimit të subspecializimit në gjinekologji dhe obstetrikë dhe subspecializimit në fushën e kiirurgjisë minimal-invazive, derisa numër i madh i mjekëve kosovarë, pas diplomimit kanë mësyrë perëndimin, për një punë dhe jetë më të mirë.

“Fakultetin e Mjekësisë e kam filluar në Kosovë. Kam ndjekur tre semestra në Universitetin e Prishtinës, e vetëm pastaj kam vazhduar në Universitetin e Mjekësisë në Grac të Austrisë”, rrëfen dr. Sadiku. Ai ka diplomuar në Vienë, ku u promovua me titullin doktor i mjekësisë, derisa tash është shqiptari i vetëm i certifikuar prej shoqatës së endoskopistëve gjermanë, për operacione të rënda laparaskopike.

Nxënës i Dr. Holthaus, njërit prej dhjetë kirurgëve më të mirë minimal-invaziv në botë

Për dhjetë vite, nga maji i vitit 2005 deri në mesin e vitit 2015, Armendi ka mbaruar specializimin dhe subspecializimet në katër klinika me renome gjermane, atë të Neubrandenburgut, Bremenit dhe në Klinikën e Osnabrueck dhe atë në Damme. Kjo e fundit, e njohur sipas doktorit, për kryerjen e intervenimeve më të sofistikuara të kirurgjisë minimal-invazive në gjinekologji. Këtu, thotë se ka marrë mësimet e Dr. Bernd Holthaus, njërit prej dhjetë kirurgëve më të mirë minimal-invaziv në glob.

“Në Klinikën e Gjinekologjixsë dhe obsetrikës në Damme, pas përfundimit të specializimit u emërova shef i repartit, ndërsa një vit më vonë zëvendës i Dr. Holthaus”, rrëfen shqiptari nga Kosova.

Ai tregon se qysh kur ishte nisur nga Kosova, kishte mendimin që të kthehej dhe t’i kontribuojë vendit. “Ky ka qenë qëllimi qysh prej shkuarjes time. Ani se një sfidë tashmë ishte subspecializimi”, rrëfen Sadiku. Megjithkëtë, thotë se ishte fat i madh që ai ishte një nxënës i Dr. Holthaus. “Kështu që, pasi mbarova specializimin dhe subspecializimin, kam ardhur këtu me vullnet që t’i sjell këtij vendi metodat e sofistikuara të kirurgjisë minimale-invazive. Këtu ka deficit të trajtimit me këto metoda”, thotë doktori, që tashmë ka filluar punën në një qendër diagnostike për gjinekologji dhe obsetrikë në qendër të Prishtinës. Ndërsa, intervenimet minimal-invazive ka filluar t’i kryej tash e disa muaj në një spital privat në Prishtinë. “Është e rëndësishme që pacientët tashmë në Kosovë kanë mundësi të marrin atë shërbim që ne e kemi ofruar në Gjermani. Nuk ka absolutisht kurrfarë ndryshimi në ofrimin e shërbimeve”, thotë doktor Sadiku. Një gjë i ka ndihmuar shumë, që të adaptohet në rrethanat kosovare. “Unë asnjëherë këtu nuk jam ndjerë si diasporë, por si në vend timin. Por, këtu jam unë ai nga i cili pritet ndryshimi. Dhe atë ndryshim e kam sjellë”.

Stafi me të cilin punon ai është një staf jashtëzakonisht i vogël. “Si popull pak na mungon vetëkritika. Megjithatë, stafi me të cilin punoj i është përshtatur pa asnjë problem standardeve të punës që janë të vendosura për të gjithë”.

Operoi “live” para 1500 kolegëve të tij

Megjithatë, doktori thotë se nuk e ka problem të punojë edhe me staf shumë më të gjerë, pjesëtarët e të cilit janë të gatshëm t’u përshtaten standardeve profesionale gjermane, të përcaktuara për gjinekologji minimal-invazive. Në vitin 2013, ai kishte kryer madje një operacion “Live” para 1500 gjinekologëve nga gjithë Evropa, në një kongres të organizuar nga Shoqata Evropiane e Gjinekologëve Endoskopistë. “Kjo ka qenë ndjenjë e veçantë. Të kryesh një operacion para mijëra kolegëve tu. Vërtetë ndjenjë shumë e mirë”, rrëfen doktori, tek tregon me dorë certifikatën e vendosur në mur, të marrë pas këtij intervenimi ‘live’.

Por, derisa Sadiku ka gjetur veten në Kosovë, ai këshillon edhe mjekët e rinj që kanë synim të ikin në perëndim që atë dije të cilën e marrin në vendet ku kryejnë specializime dhe punojnë, ta rikthejnë në Kosovë.

73% e mjekëve duan të dalin jashtë Kosovës!

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK ka thënë se nga një pyetësor që ka bërë sindikata me 1000 të anketuar, ka rezultuar se 73 për qind e tyre dëshirojnë të ikin jashtë vendit. Selmani ka thënë për “Albinfo.ch” se mosha mesatare e mjekëve në Kosovë, ndërkaq është 50 vjeçare. Sipas tij, problemet do të vërehen në dhjetë vitet e ardhshme, kur mjekët do të pensionohen kurse pjesa dërmuese e kuadrove mjekësorë nuk shohin perspektivë në Kosovë por jashtë vendit. Fusha më e ndjeshme sa i përket kuadrove vazhdon të jetë anesteziologjia. Nehat Baftiu, drejtor i Anestezionit në QKUK në Prishtinë ka thënë për “albinfo.ch” se vetëm gjatë vitit 2015 nga Kosova kanë ikur pesë specializantë të anestezionit, duke theksuar kështu edhe më tepër mungesën e kuadrove të kësaj lëmie.  Ndërkohë, në Kosovë janë të pa punë 82 mjekë të specializuar në profile të ngushta mjekësore përfshirë edhe nëntë stomatologë.

 

 

Stomatologu shqiptar hap ordinancën e tij të dytë në Zvicër

Dhëmbët dhe mishi i dhëmbit janë pasqyrë e gjendjes sonë shëndetësore si dhe e stilit tonë jetësor. Këto përbëjnë së bashku me gjuhën dhe mukozën e gojës organet e zgavrës së gojës. Sa më tepër që kujdesemi për të, aq më pak duhet ta vizitojmë stomatologun. Por, mjerisht, secili nga ne gjatë jetës ka probleme me dhëmbë, të cilët manifestohen me prishje-defekte, ose ndryshe e ashtuquajtur KARIES dhe këtë për shumë arsye, siç janë: faktori gjenetik, higjiena jo e rregullt orale, përdorimi i tepruar i sheqerit, mungesa e kontrolleve të rregullta te stomatologu, etj. Kur shfaqet kariesi i dhëmbit, ne duhet t’i drejtohemi stomatologut sidomos në raste urgjente.

Kërkojmë mjekë në listën e dentistëve në Zvicër dhe në këtë listë gjendet edhe mjeku i dhëmbëve ose bashkëbiseduesi ynë, Dr.Normand Kiseri, stomatolog i diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe Baselit në Zvicër, magjistër i shkencave të implantologjise dhe kirurgjisë orale, i cili flet shqip dhe ka një përvojë 24-vjeçare në rekonstruktimin e formës së dhëmbëve të atakuar nga kariesi. Fat i madh për ne, sepse e gjetëm një shqiptar, por ne pyesim:

Normand 1 (2)

KUSH ËSHTË DR.NORMAND KISERI?

Normand Kiseri vjen nga Prizreni. Është një familijar, baba i tre fëmijëve dhe bashkëshort. Rrjedh prej një familje që merret me këtë profesion që nga vitet e 60-ta. Babai Dr. Normandit, i ndjeri Prof.Dr.sci Nehat Kiseri, ka qenë në vitet e 70-ta njëri prej krijuesve të seksionit të stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Të dy vëllezërit e Dr. Normandit, Dr. Arbeni dhe Dr. Vigani, janë po ashtu stomatologë të diplomuar, të cilët ushtrojnë profesionin si stomatolog të pavarur në Prizren dhe në Fushë-Kosovë, afër Prishtinës.

Në Zvicër jeton që nga viti 1992. Dr. Kiseri mbaroi studimet e stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku edhe punoi pas studimeve si assistent- praktikant rreth një vit. Si shumë të tjerë bashkatdhetarë, edhe ai për arsye politike u largua nga Kosova dhe u vendos me familje fillimisht në Kanton Aargau. Në vitin 1993 u shpërngul në Kantonin e Bazelit, ku edhe punoi si assistent – stomatolog deri në vitin 2003, nëpër ordinanca të ndryshme të stomatologjisë, në Bazel.

«Pasi që kisha dëshirë të punoj si i pavarur, rrëfen z. Kiseri, isha i kushtëzuar t’i mbaroj për të dytën herë studimet e stomatologjisë, provimi shtetëror shtesë pranë Universitetit të Bazelit. Pas 10 vjetësh përvoje pune në Bazel, arrita të bëj nostrifikimin e diplomës së Prishtinës në Universitetin e Bazelit, duke i ndjekur studimet trevjeçare dhe më pas i dhashë provimet profesionale të tre vjetëve brenda një viti. Në atë kohë isha njëri ndër të parët shqiptar stomatolog me diplomë të nostrifikuar që kishte një ordinancë private në Zvicër», shton z. Kiseri.

KU GJENDET ORDINANCA E  NORMAND KISERIT?

Ordinanca gjendet në Kantonin Thurgau, 9532 Rickenbach – b. Wil, Oberdorfstrasse 3, dhe nr. i tel. është 071 923 13 70.
Se shpejti një ordinancë e tillë do ta hapet nga z. Kiseri edhe në Kantonin e Cyrihut dhe kjo parashihet nga fillimi i janarit 2016 në adresën Kindhauserstr.2, 8406 Volketsëil/ZH, tel. 044 945 60 11

ÇFARË TRAJTIMESH DENTARE U OFRONI JU PACIENTËVE?

Ne u ofrojmë të gjitha shërbimet, duke filluar nga:masat profilaktike- kontrolle të rregullta vjetore me pastrime të dhëmbëve, tretmane konzervative ose mbushje të dhëmbit me bllombë kompozit apo qeramikë, tretmane endodontike ose shërime të rrënjës,heqjen e dhëmbit, të thjeshta dhe të komplikuara, Bleaching- zbardhjen e dhëmbëve,  kirurgji orale, operacione të dhëmbit dhe të nofullave,  kunorë të dhëmbit, të përkohshme (provizore) dhe definitive të qeramikës, proteza parciale dhe totale implante, informacione preventive për mirëmbajtje, pastrim, flurodimin dhe vulosje të dhëmbëve, të cilat u preferohen të gjitha moshave, e sidomos fëmijëve, e shumë shërbime të tjera dentare. Të gjitha këto i bëjmë në ordinancën time, përveç rasteve të rënda që kanë të bëjnë me ndonjë operacion të tumorit, të cilat i orientojmë drejt spitalit.

ÇFARË DALLON ORDINANCA JUAJ NGA NJË ORDINANCË STANDARDE PRIVATE?

Ne e kemi të përsosur punën tonë me një mënyrë mbushjeje të dhëmbit me anë të sistemit që quhet “CEREC 3D OMNICAM”, e cila e mundëson rekonstruktimin e dhëmbit me mbushje dhe kunora qeramike apo cirkon. Kjo mbushje bëhet vetëm në një seancë- termin, në kohëzgjatje diku 90-120 minuta. Është një aparaturë që kushton shumë, por ka shumë përparësi për pacientin, siç janë kursimi i kohës, kushton më lirë se mbushjet dhe kunorat konvencionale të qeramikës, është teknika e ashtuquajtur “Chairside”- që d.m.th., bëhet aty për aty derisa pacienti pret në karrigë, saktësia dhe kualiteti shumëvjeçar i mbushjes.

Procedura e punës: dhëmbi i prishur preparohet- gërryhet, pastaj incizohet me një kamerë të vogël, futet imazhi dental (MASA OPTIKE) në sistemin kompjuterik të kësaj aparature. Më pas programohet dhe përpunohet me shumë precizitet forma e mbushjes nga qeramika ose cirkoni në dhëmbin e invizuar. Këto informacione përcillen pastaj drejtpërsëdrejti në aparatin gdhendës dhe në fund modelohet – gdhendet rekonstruktimi prej qeramike. Në fund, pasi të marrë mbushja-bllomba, kunora apo ura e qeramikës – cirkoni formën adekuate, i cementohet pacientit në dhëmbin e preparuar – të gdhendur.

CILAT JANË ÇMIMET?

Tek ne çmimet janë si te të gjithë kolegët e mi në Zvicër. Unë nuk kam mundësi të luaj shumë me çmimin e konkurencës së tregut dhe ky çmim përputhet me standardin e shtetit të Zvicrës, por ka raste kur bëjmë lëshime, në qoftëse e shoh situatën e vështirë ekonomike të bashkatdhetarëve tanë. Këto përjashtime mund t’i bëj në raste të rralla, kur nuk ka shumë intervenime të komplikuara të dhëmbit.

A KA SIGURI TË DHËMBËVE PËR TË RRITURIT DHE PËR FËMIJË?

Po, ekzistojnë sigurime dentale për foshnja, për fëmijë, për të rritur si dhe për ata që kanë të bëjnë me ortopedinë e dhëmbit dhë të nofullave. Preferohet që sigurimin dental dhe orthopedik- dhëmbët e shtrembër, duhet bërë shumë herët, qysh në moshën foshnjore, para daljes së dhëmbëve. Kurse për fëmijët dhe për të rriturit mund të bëhen këto sigurime me së shumti deri në një shumë prej Sfr.1500.-2.000 në vit, me keste 75% të shpenzimeve, të cilat i mbulon sigurimi, kurse 25% i mbesin të paguajë vetë pacienti.

A JEPNI GARANCI PËR PUNËN TUAJ?

Nuk ekziston garanci e plotë, me shkrim, te asnjë stomatolog, por bëhet fjalë më shumë për një marrëveshje mes pacientit dhe stomatologut. Unë personalisht çdo pacienti i jap një afat sigurie, p.sh., për mbushje me kompozitë apo mbushje plastike të bardhë 6-12 muaj, kurse për qeramikë-cirkon me së paku 2 vjet afat sigurie, edhe pse sipas përvojës sime këto bllomba-kurora qëndrojnë deri në 10 vjet. Kurorat korrekt të mbaruara duhen të mbajnë së paku 10 vjet, me përjashtim të komplikimeve aksidentale, të natyrës tekniko-biologjike.

ÇFARË FITOJNË PACIENTËT NËSE VIJNË TE JU?

Komunikimi në gjuhën amtare shqipe, apo edhe në gjuhë të tjera të Ballkanit. Mundësia e komunikimit dhe e informimit të pacientëve është shumë e thjeshtë, pasi që kuptohemi në një gjuhë të përbashkët. Pacienti e ndien veten si në shtëpi.

Për ata që dëshirojnë t’i bëjnë implantet, sa për informatë: implantet zëvendësojnë komplet rrënjën e dhëmbit. Preferohet t’i bëjnë sa më afër vendbanimit të tyre, sepse këto lloje të operacioneve mund të shoqërohen me komplikime të mundshme gjatë shërimit, siç janë: infeksionet apo rënia e implantit.

Gjatë fazës së shërimit duhet pritur prej 2 deri në 4 muaj, bile ndonjëherë nevojitet deri në 12 muaj. Është kjo një kohë, gjatë së cilës implanti integrohet – lidhet me kockën, prandaj është e domosdoshme të pritet faza e shërimit, para se të vendoset kunora definitive.

Nëse pacienti e bën implantin më afër vendbanimit është aq më mirë për të, sepse mund të reagohet shpejt ndaj komplikimit. Gjatë kësaj kohe – në fazën shëruese, pacienti nuk mbetet pa dhëmbë, por vendoset mbi implant një kunorë e përkohshme, qoftë në formë të një proteze të vogel apo të një dhëmbi artificial, kështu që pacienti nuk do të ketë asnjëlloj pengese, qoftë funksionale, në kafshim apo estetikë.

CILA POPULLATË I KA DHËMBËT MË TË PRISHUR NË ZVICËR ?

Deri vonë ishim ne prej Ballkani, por tani më jo. Në 5-vjeçarin e fundit po vërehen përmirësime të dukshme të gjendjes shëndetësore të dhëmbëve dhe mishit të dhëmbit, sidomos te të rinjtë tanë shqiptarë. Është ngritur dukshëm vetëdija për rolin e gjendjes shëndetësore të dhëmbëve. Gjendja orale përveç pasqyrimit të gjendjes së përgjithshme shëndetësore, po luan një rol tejet të madh edhe në perspektivën pozitive profesionale, pra me fjalë të tjera, dhëmbët janë bërë faktor i rëndësishëm edhe kur duhet gjetur një punë të mirë në profesion.

Konsumimi i tepruar i produkteve me sheqer, konsumimi jo i rregullt i ushqimit, p.sh., natën pas orës 18.00-20.00 janë shkaktarët kryesorë të karriesit të dhëmbit. Pasi të lahen dhëmbët nuk preferohen ushqime, lëngje si dhe produkte të tjera me sheqer, por vetem ujë të thjeshtë me shishe pa gaz. Këto janë masat primare preventive për fëmijët. Sa më pak dhe sa më rrallë shishe me çaj ose qumësht dhe atë pa sheqer gjatë natës së vonshme për foshnja.
Më pas vijnë masat e tjera preventive sekondare, si p.sh. fluoridimi apo vulosja e dhëmbëve, të cilët bëhen te stomatologu.

Për foshnjat mjafton të fërkohet mishi i dhëmbëve ose dhëmbët me gishta tregues të nënës me pastë speciale të dhëmbëve për fëmijë. Pasta e mbetur në gojë mund të gëlltitet, jo të shpëlahet me ujë ose jo të pështyhet plotësisht, sepse pastat përmbajnë mineralet e  «fluorideve», të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e kockave dhe të dhëmbëve.

NJË MESAZH PËR PACIENTËT TANË NË ZVICËR?

I preferoj njerëzit tanë të vijnë në kontrolle vjetore, të cilat vërtet nuk janë të shtrenja. Aty në çmim përfshihet edhe pastrimi i dhëmbëve.
Koha është faktori me rëndësi në prishjen e dhëmbit. Kariesi nuk guxon të përfshijë nervin e dhëmbit. Po qe se ndodh kjo, atëherë flitet për një fazë të vonshme të destrukcionit të dhëmbit, me ç’rast shërimi është dukshëm më i komplikuar dhe më i shtrenjtë se vetëm një mbushje – bllombe e thjeshtë.

Sëmundjet e dhëmbit dhe të mishit të dhëmbëve shkaktojnë edhe probleme të tjera shëndetësore, siç janë sëmundjet e zemrës, sëmundjet e organeve të tretjes, e shumë të tjera. Vlen të përmendet edhe sëmundja e sheqerit- diabeti, pirja e tepruar e duhanit dhe konsumimi i tepruar i alkoolit. Te ky grup i pacientëve për shkak të imunitetit të dobësuar janë të nevojshme kontrollet e rregullta të pastrimit profesional të dhëmbëve në afat kohor për çdo 6 muaj.

Prandaj apelon Dr. Normand Kiseri: „Kontrollet vjetore, higjiena e rregullt e dhëmbëve dhe e gojës parandalon jo vetëm problemet në sistemin lokal, siç janë: në dhëmbë, në gjuhë, në mukozën e gojës etj., por edhe në sistemin e përgjithshëm – në shëndetin e përgjithshëm.

«Me dhëmbët e shëndoshë do të jemi më të shëndoshë dhe më vital».

Artikull i sponzorizuar

Kardiologu Florim Cuculi u bashkohet profesorëve të Universitetit të Bazelit

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Kardiologu Florim Cuculi, një emër i njohur në spitalin kantonal të Luzernit në Zvicër, tash e tutje do të ligjërojë edhe si docent privat (associate profesor) në Universitetin e Bazelit.

Pas shumë kërkimeve në fushën e kardiologjisë, sidomos pas 3 vjetësh qëndrimi në klinikën me renome Oxford Heart Centre në Angli, doktori me origjinë nga Maqedonia i jep një dimension të ri jetës së tij.

Ai i bashkohet stafit të profesorëve në Universitetin e Bazelit.

Suksesin e kardiologut të tyre shqiptar e kanë shënuar kolegët e tij me një apero pasditën e së hënës në spitalin kantonal të Lucernit.

Me një fjalim rasti u paraqit shefi i kardiologjisë në Spitalin Kantonal të Lucernit, PD Dr. med.Richard Kobza.

Kobza e ka përgëzuar doktor Cuculin për suksesin e arritur në jetën akademike.

Ai ka thënë se kolegu i tij ka punuar shumë për këtë ditë dhe ka publikuar shumë punime shkencore, duke premtuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me të edhe në të ardhmen.

Cuculi kolegëve të tij u ka thënë se për të arritur këtë qëllim është dashur të punojë gjatë.

„Të paramendosh një fëmijë emigrant, i cili me 14 vjet ka ardhur në Zvicër e nuk ka ditur asnjë fjalë gjermanisht, i cili prej shkollës fillore (Realschule) arriti të kalojë në shkollën kantonale dhe u bë kardiolog, e tani është kryemjek në kardiologjinë e Luzernit dhe docent në Universitetin e Bazelit” është fenomenale, tha doktor Cuculi.

„Zvicra më ka ofruar shumë mundësi për të arritur suksesin tim. Në këto momemte i kujtoj njerëzit që më kanë përkrahur, sidomos kolegët e repartit të Kardiologjisë, që më mundësuan të vazhdoj angazhimin për t’u bërë profesor. Unë kur kam munguar, ata më kanë zëvendësuar. Por, unë e kam kompensuar mungesën time me punimet shkencore, tha më tutje doktori me origjinë nga Maqedonia.

Cuculi nuk e ka harruar pa e falënderuar edhe familjen që e kishin përkrahur moralisht, prindërit dhe vëllain që e kishin përkrahur moralisht dhe financiarisht, e po ashtu gruan dhe fëmijët e tij.

Cuculi ka thënë se nuk do të ndalet në rrugën e tij shkencore.

Ai theksoi se është i kënaqur se si ka rrjedhë jeta e tij profesionale dhe nuk do të ndryshonte asgjë nëse do t’i parashtrohej kjo pyetje.

Një intervistë të zgjeruar me kardiologun Cuculi do ta lexoni në numrin e radhës të revistës “albinfo.ch“.

Mirjeta Nesimi, shqiptarja që ua ndalon plakjen

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Dikur konsiderohej si një luks për t’u trajtuar në qendrat estetike ndërsa sot kjo është kthyer në një domosdoshmëri . Krahas bukurisë që ta dhuron natyra, gjithnjë e më shumë po kërkohet edhe ndihma e qendrave estetike, veçanërisht nga femrat. Për këtë trend që është bërë nevojë e kohës, ka menduar edhe Mirjeta Nesimi.

E fascinuar pas estetikës, shqiptarja me origjinë nga Maqedonia së bashku me doktor I. Rosenberg në vitin 2009 në Winterthur e themelojnë klinikën estetike “Vistaline”, e cila gjendet në Winterthur.

Ideja për të hapur këtë biznes për trajtimin e lëkurës erdhi gjatë studimeve Master “Public Health and Prevention”.

Puna dhe përkushtimi i madh i zonjës Nesimi dhe ekipit të saj, ka bërë që këtë qendër ta vizitojnë njerëz të sferave të ndryshme të Zvicrës dhe jashtë saj.

“Aktualisht punojnë dy asistente të specializuara për estetikë dhe një mjek me aftësi të shkëlqyera dhe me kompetencë të plotë për mjekësinë estetike. Vendës dhe të huaj (së fundi edhe nga Monako dhe Parisi) bëjnë trajtime të regullta te Mirjeta dhe ekipi i saj. Kështu, klientët në “Vistaline” trajtohen gjithmonë me metodat dhe teknologjitë më të reja. Kjo e bën ordinancën e Mirjetës unike në gjithë regjionin e Cyrihut. Kemi klientë të rregullt të fushave të ndryshme si nga vendi ashtu edhe jashtë saj që vizitojnë qendrën tonë”, shprehet në një bisede ekskluzive për “albinfo.ch, Mirjeta Nesimi.

Dua të tregoj se shqiptarët kanë kulturë pune

E rritur dhe edukuar në Zvicër, Mirjeta e cila është edhe e martuar, është aq mirë e integruar sa që nuk dallohet nga vendasit, por kur ata dëgjojnë për emrin e saj, atëherë menjëherë janë kureshtaë të dinë prejardhjen e saj.

“Më pyesin shpesh për emrin tim. Shumica mendojnë se jam zvicerane nga pjesa e Bündnerland-it, të cilët po ashtu kanë emra ekzotikë. Kur unë u them se jam shqiptare, në njërën anë mbesin të habitur, ndërsa në anën tjetër nuk është diçka e re, sepse tashmë shqiptarët janë të njohur për talentin e tyre në pozita të ndryshme në shoqërinë zvicerane. E për këtë ndjehem edhe unë krenare! Me punën time dua çdo ditë të tregoj që shqiptarët kanë kulturë dhe suksese në punën e tyre”, pohon zonja Nesimi e cila shton se asnjëherë nuk e ka penguar prejardhja e saj për të pasur sukses në shtetin ku jeton.

“Si e vogël, babai im më thoshte: “Mundohu të përshtatesh sa më mirë me jetën këtu, por asnjëherë pa i harruar vlerat dhe principet tua”. Kjo më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Për t’i arritur qëllimet mendoj se besimi është shumë i rëndësishëm”, thotë ajo.

Vizitorë më të shpeshtë të qendrës “Vistaline” janë kryesisht zviceranët, por drejtoresha e kësaj qendre thotë se do të ishte e lumtur që të vizitohet nga një numër edhe më i madh nga bashkatdhetarët tanë.

“Unë do të doja që gratë shqiptare t’i prezantoj si lidere në treg. Femrat sot e dinë saktë se çfarë kërkojnë, dhe tek ne ato mund të gjejnë rezultatin e suksesit. Parimi kryesor i punës sonë është që klienti të ndahet i kënaqur më punën që e bëjmë”, thotë ajo.

Po ashtu Mirjeta shprehet se klientëve të tyre iu ofrojnë shërbime shkencore si për shembull „trajtime nga mjetet tona prej: Tav-tech ( Jetpeel) Lutronic (Infini,Clarity) Dermafiller (Restylane) e të tjera”. Vizitorët në këtë klinikë janë të moshave të ndryshme nga mosha 18 -70 vjeçarë.

Kjo do të thotë se ata kanë klientë të secilës moshë me dëshira të ndryshme të cilët ndahen të kënaqur nga puna dhe përkushtimi i zonjës Mirjeta Nesimi.

 

 

Kardiokirurgu shqiptar nga Cyrihu ligjëron në Tetovë

Organizatorët, siç transmetojnë mediat lokale, thonë se ligjërata me një kardiokirurg të njohur shqiptar, siç është dr. Xhemaili, ishte organizuar me qëllim të përforcimit të kapaciteteve të spitalit të Tetovës në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë së USHT-së.

Kardiokirurgu Omer Xhemaili, përveç ndarjes së eksperiencës nga puna e tij 6-vjeçare në spitalin e Cyrihut, foli edhe për zhvillimin e mjekësisë në sferën e kardiokirurgjisë.

“Ndjehem krenar dhe i respektuar që më është dhënë shansi si referent i parë pas hapjes së kardiologjisë invazive, të vij këtu në Tetovë dhe të sjell eksperiencën time në kardiokirurgji”, tha Omer Xhemaili, kardiokirurg i njohur në Zvicër.

“Mendojmë që kjo mënyrë e bashkëpunimit të instalohet, të jetësohet që kohë pas kohe këta njerëz që jetojnë dhe punojnë në shtetet e Evropës të vijnë dhe të na bashkëngjiten, sepse normalisht, ne kemi nevojë për ndihmë nga eksperienca dhe kualiteti i shërbimeve shëndetësore që ofrohen nëpër këto vende”, u shpreh Atilla Rexhepi, kardiolog tetovar.

Dr. Omer Xhemaili është shqiptari i parë që ka kryer operacionin e transplantimit të zemrës. Këtë ndërhyrje për herë të parë e ka bërë në vitin 2008, në Klinikën Universitare të Frankfurtit, në Gjermani. Kanë pasuar edhe katër transplantime të tjera të suksesshme. Dr. Omer Xhemali është doktor i shkencave të mjekësisë dhe docent në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Frankfurtit. Dr.Omeri nga Tearca e Tetovës punon në spitalin “Triemli” të Cyrihut, ku mban pozitën e zëvendësshefit të repartit të kardiokirurgjisë.

Frosina Sopa, një nga 20 studentet më të mira në Holandë

Frosina Sopa, pjesë e diasporës tonë e lindur në Holandë, ka shkëlqyer në mesin e bashkëmoshatarëve të saj për interesimin dhe njohuritë e thella në shkencë, gjë që e ka dëshmuar edhe me botimin e librit mbi efektet e barërave mbi inflamacionet e gotës së gjurit.

Frosina, është përzgjedhur si një nga 20 studentet më të mira në Holandë, nga Universiteti i Roterdamit.

Ajo po ashtu ka marrë vendin e parë në Holandë për zbulim shkencor po në lëmin e ortopedisë, ndërsa tani është në garë për të qenë studentja më e mirë në Holandë me një punim shkencor në të cilin punon tani më 2 vite.

Sopa ka marrë bursa nga Universitete prestigjioze si në Evropë ashtu edhe në ShBA, mirëpo, ka vendosur që të qëndrojë tani për tani në Holandë, ku do të vazhdojë të japë kontributin e saj në shkencë, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Diasporës.

Dr.Emrushi fiton çmime prestigjioze botërore për kardiologji

Kur e takon dr. Emrushin, nuk e ke fare përshtypjen se ke përpara njeriun e laboratorëve dhe të eksperimenteve, njeriun e humbur e me syze të trasha, siç “e njohim” shkencëtarin nga klishetë me të cilat jemi mësuar. Përkundrazi. Te ai shohim një të ri të qeshur dhe të gatshëm për të na “infektuar” me pasionin që ka ai vetë për shkencën. Me po këtë pasion, shkencëtari i ri na flet edhe rreth  punimit për të cilin ka marrë së fundi një çmim të rëndësishëm.

“Punimi për të cilin jam shpërblyer së bashku me grupin kërkimor të Inselspital të Bernës ka të bëjë me “programimin fetal të sëmundjeve kardiovaskulare në moshën madhore. Me këtë punim kemi dashur të konstatojmë se sa ndikojnë komplikimet te foshnja gjatë fazës së shtatzënisë së nënës në sëmundjet kardiovaskulare kur ai mbërrin në moshën madhore.

E kemi ndjekur dhe studiuar si model zhvillimin kardiovaskular dhe mekanizmat e zhvillimit të disfunksionit vaskular te një mi që ka lindur nga fertilizimi in vitro (mbarsja artificiale). Pastaj e kemi përcjellë këtë dukuri edhe me fëmijët, duke krahasuar ata që kanë qenë të lindur me fertilizimin in vitro me fëmijët e lindur në mënyrë natyrale. Kemi konstatuar se tek fëmijët e lindur in vitro funksioni vaskular është i zvogëluar në krahasim me fëmijët e lindur në mënyrë natyrale. Rrjedhimisht, fëmijët e lindur përmes rrugës artificiale, në moshën madhore mund të kenë më shumë probleme kardiovaskulare dhe ato do t’u paraqiten më herët se atyre që kanë lindur në rrugën natyrale. Kemi provuar edhe mënyrat e parandalimit të disfunksionit vaskular te kjo kategori e fëmijëve”, përpiqet ta sqarojë me terma sa më popullorë një temë të ndërlikuar shkencore, dr. Rexhaj.

“Punimi ynë i realizuar tek fëmijët, është botuar në revistën numër një në botë për lëmin e studimeve kardiovaskulare “Circulation”. Ndërsa punimi i realizuar tek minjtë ku jam autor i parë i punimit që është bërë në mënyrë grupore ndërsa shpërblimi është dhënë në emrin tim, është i botuar në revistën prestigjioze “Journal of Clinical Investigation”. Udhëheqës i grupit është profesori Urs Scherrer ndërsa roli im ka qenë i veçantë në kryerjen e eksperimenteve, në përpilimin tekstor të punimit etj.

I përcaktuar për shkencën

Vlera materiale e çmimit është 30 mijë franga. Kjo shumë duhet të përdoret për zhvillimin e kërkimeve të mëtutjeshme dhe është një ndihmesë për të cilën gjithmonë ke nevojë gjatë punës shkencore. Sigurisht, çmimi është në radhë të parë njohje prestigjioze e punës që kemi bërë. Punimi është mbështetur kryesisht nga Fondi Nacional i Kërkimeve, (më prestigjiozi në Zvicër), pastaj pjesërisht edhe nga Shoqata zvicerane e Hipertensionit, etj., sqaron ai.

Ka mjaft studentë që gjatë studimeve kanë rezultate të shkëlqyera por kur vjen puna për t’u përcaktuar për karrierë shkencore dhe akademike, hezitojnë. Kjo rrugë është shpesh më e vështirë, e gjatë, me shume sakrifica dhe të shumtën, pa satisfaksionin e duhur material. Ndërsa dr. Rexhaj, i cili doktoraturën e ka kryer në vitin 2012, është ndër të paktët që ka zgjedhur shkencën, kërkimet…  “Sa i përket punës në universitet, rrugën e kam të hapur, por mbetet të shohim nga mundësitë që më ofrohen. Mund të them se ana materiale për mua nuk është gjithçka. Është edhe satisfaksioni i të arriturave shkencore, ai që më udhëheq në rrugën time”, na siguron ai.

Rexhaj punon prej pesë vitesh në grupin kërkimor të udhëhequr nga profesori eminent Urs Scherrer. E ka filluar në Lozanë dhe po e vazhdon në Bernë. “E kemi një grup hulumtues mjaft kompakt me të cilin kemi shumë projekte të përbashkëta dhe ambicioze. Në grup për rreth një vit kemi pasur edhe një shqiptar tjetër (dr.Agim Pireva) i cili pastaj ka kaluar me punë në një klinikë tjetër”.

Emrushi ka qenë tri vjet kryetar i shoqatës së studentëve shqiptarë në Lozanë, kur kjo shoqatë zhvillonte aktivitet të bujshëm. Në Universitetin e Lozanës, atëherë po edhe sot, ka pasur një numër të konsiderueshëm të studentëve shqiptarë.

       “Nuk jemi edhe keq me numrin e të rinjve që studiojnë”

Lidhur me përpjesëtimin në mes të numrit të madh të shqiptarëve në Zvicër dhe numrit (ende të vogël) të studentëve shqiptarë këtu, dr. Rexhaj është optimist. “Nuk jemi edhe keq sa i përket numrit të studentëve. Sepse nuk është lehtë të studiosh në vend e gjuhë të huaj. Nevojitet përgatitje e fortë pasi që seleksionimi për të shkuar në universitet këtu është shumë më i hershëm. Kur kemi parasysh problemin e integrimit të prindërve këtu, nuk është keq.

Sigurisht kur kam ardhur këtu ka qenë më e vështirë për mua se për ata që kanë kryer këtu gjimnazin në gjuhën e vendit mikpritës. Pastaj niveli i arsimit nëpër të cilin kemi kaluar ne nuk krahasohet me atë në Zvicër. Këtë e sheh secili gjatë studimeve… Veç kësaj unë i takoj gjeneratës që ka kryer gjimnazin nëpër lokale private. Prandaj këtu më është dashur të punoj më shumë në krahasim me kolegët e mi zviceranë”, shton Rexhaj. Por të gjitha këto nuk e kanë penguar që ai jo vetëm të mbaronte fakultetin por edhe të merrte nota të dalluara. “Notën mesatare në vitin e fundit e kam pasur diçka mbi 5 ndërsa 6 është nota maksimale”, thotë ai.

I pyetur për mundësitë që të ndihmojë në fushën e vet profesionale në Kosovë, ai është i prerë. “Jam i gatshëm pa kurrfarë hezitimi të kontribuoj, por kjo sigurisht,  nuk varet vetëm nga unë…”.

Pak biografi

Dr. Emrush Rexhaj  punon si kardiolog në Spitalin Universitar të Bernës “Inselspital” ku është duke bërë specializimin për kardiologji të përgjithshme me theks në shtypjen e gjakut. Fakultetin e Mjekësisë e ka kryer në Universitetin e Lozanës në vitin 2005. Në Zvicër ka ardhur në moshën 18 vjeçare, menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme te mjekësisë në Prizren. Është nga Komuna e Shtimjes dhe në Zvicër u është bashkuar prindërve.

Lista e disa çmimeve shkencore që i ka fituar dr. Emrush Rexhaj

2011: Shoqata zvicerane e hipertensionit: The Swiss Society of Hypertension AstraZeneca Scholarship;
2011: Shoqata amerikane e fiziologjisë (American Physiological Society) The Respiration Section Research Recognition Awards;
2012: Shoqata amerikane e fiziologjisë (American Physiological Society) Postdoctoral Novel Disease Model Award;
2012: Universiteti i Lozanës, Fakulteti i Biologjisë dhe Mjekësisë: Faculty Price 2012 for the Doctorate Thesis work. Faculty of Biology and Medicine, University of Lausanne;
2014: Shoqata zvicerane e kardiologjisë: Cardiovascular Research Award 2014.

 

“Ambasadorja e Gjakovës”

Qyteti prej nga vjen Zajmi e ka nderuar me çmimin “Ambasadore e Gjakovës” për kontributin e dhënë që, përveç vetes, ta bëjë të njohur edhe Gjakovën.

Për të nderuar doktoreshën, për këtë çmim kishte menduar organizata e të rinjve “Variety”, e përkrahur edhe nga Ministria kosovare e Diasporës.

“Kjo dekoratë është një nder dhe një shpërblim për punën time të palodhshme në shërbim të njerëzimit dhe me siguri që dhe të pacientëve të mi, kur të dëgjojnë a të lexojnë do t’ iu vijë mirë dhe do të jenë të kënaqur”, tha për albinfo.ch Leonora Binishi-Zajmi.

Doktoresha gjakovare thotë se 90 për qind e pacientëve që e vizitojnë ordinancën privaten në Wil ku punon ajo janë shqiptarë dhe se është e vetmja psikiatre shqiptare në këtë regjion të Zvicrës. Specializimi i saj i ngushtë është në fushën e sëmundjeve psikike te migrantët. Në këtë lëmi ajo jep edhe kurse, ligjërata si për personalin mjekësor, por edhe për familjarët dhe opinionin e gjerë.

Ajo thotë se ka lënë Gjakovën më të gëzuar, me njerëz më të entuziazmuar, me shpresa për një të ardhme më të mirë për qytetin me ardhjen në krye të Komunës të Mimoza Kusarit.

Me çmimin “Ambasadorë të Gjakovës” ishin dekoruar edhe personalitete të tjera, të cilët edhe pse larg Gjakovës korrën suksese, e me këtë rast nderuan edhe qytetin e origjinës. Në mesin e tyre ishin kompozitori dhe këngëtari Avni Mula, fizikani Jahja Kokaj, këngëtari Florent Nushi, aktori Mirush Kabashi, violinisti Shkëlzen Doli, sopranoja Flaka Goranci, arkitekti dhe restauratori Emin Riza, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi dhe futbollistët Ardian Kozniku, Besnik Hasi e Lorik Cana.

Psikitrja Leonora Binishi Zajmi ishte delegate e Kuvendit të Kosovës në vitet 90-a dhe nënshkruese e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. Prej asaj kohe jeton dhe vepron në Zvicër.

Sevdail TAHIRI

10.01.2014

Donjeta: Të punosh me të rinjtë është një përkushtim i shenjtë

Donjeta Loshi –Berisha përfaqëson fytyrën e suksesshme të brezit të ri të Kosovës, por e arsimuar e formuar në Zvicër me nivel akademik të përfunduar, për të cilët ka aq shumë nevojë sot shoqëria shqiptare. Donjeta e ardhur në moshë të vogël në Zvicër e ka ndërtuar me përkushtim e seriozitet të ardhmen e saj duke treguar potencialin që ka rinia e Kosovës, si pjesë e rinisë evropiane. E arsimuar edhe në mësimin plotësues të gjuhës shqipe intervistën pa mëdyshje e bëjmë në shqip.

Albinfo: Donjeta je nga Kosova por pjesën më të madhe të jetës së deritanishme e keni kaluar në Zvicër, çfarë përbën Kosova dhe Zvicra për ty?

Donjeta:Pa dyshim, kombi im shqiptar dhe atdheu Kosova, janë shtyllat e identitetit tim. Kam qenë vetëm dy vjeçe, kur familja ime emigroi në Zvicër për një jetë më të mirë. Këtu fillova dhe mbarova shkollimin. Paralelisht vijoja me shumë kënaqësi e përkushtim në gjuhën shqipe. Ky mësim ka qenë shumë i vlefshëm për mua si dhe për të gjithë ata që e vijojnë. Më ka ndihmuar që të zhvillohem në të dy kulturat në menyrë të ekuilibruar dhe me respekt të ndërsjelltë. Andaj, Zvicra për mua është vendi që më edukoi, më hapi horizontet dhe më siguroi një shkollim të mirëfilltë, ndërsa Kosova është vendlindja dhe krenaria ime.

Albinfo: Keni mbaruar studimet dhe për temë keni pasur gruan emigrante çfarë ju shtyri për ketë?

Donjeta: Unë kam studjuar Psikologjinë dhe Shkencat e Edukimit në Universitetin e shkencave sociale në Neuchatel dhe kam përfunduar në afatin rekord. Gjatë studimeve kam qenë aktive në disa fusha tjera edukative që më shtyri të shoh më larg jetën e gruas në vend të huaj. Konkretisht përmes këtij studimi hulumtues kam zbardhë proceset psikologjike tek gratë që kanë përjetuar emigracionin duke i vë në pah vështërsitë dhe arritjet e tyre. Hulumtimi shkencor apo tema e magjistraturës ka zgjatur dy vite dhe është vlerësuar shkëlqyeshëm si nga sfera akademike, poashtu edhe nga fushat politike dhe sociale që punojnë në integrimin e të huajve.

Albinfo: Donjeta ke një CV brilante në këtë moshë kaq të re. Prej një kohe punoni në institucionin shtetëror, na flisni pak më konkretisht për punën dhe përvojën tuaj, a ju shërben kjo eksperiencë në vizionin tuaj për të ardhmen ?

Donjeta:Po. Që nga viti 2012 punoj si psikologe këshilltare për orientim shkollor dhe profesional në Kantonin Jura. Roli im është që t’i këshilloj nxënësit nga shkolla fillore dhe ata të mesme në zgjedhjen të një drejtimi shkollor apo profesional adekuat. Eshtë e rëndësishme që çdo nxënës të njeh së pari vetveten dhe potencialin e tij: çfarë i pëlqen atij ? çfarë pret ai nga jeta profesionale ? cilat janë pikat e tij të forta ? Etj. Dhe, mund ta ndihmojmë me një procedurë për orientim. Në bazë të shumë testeve psikologjike dhe në bazë të bisedave konstruktive, mund të gjejmë një rrugë zgjidhje të duhur për nxënësin i cili kërkon ndihmë në këtë drejtim. E bukura e profesionit tim është pikërisht se gjendet në mes të dy fushave të cilat i kam studiuar dhe më frymëzon çdo ditë që të kem një vizion sa më të qartë përballë institucioneve shtetërore ku punoj.

Albinfo: Donjeta përmes profesionit je e lidhur shumë në dialog me të rinjtë/rejat si dhe me prindër çfarë eksperience është kjo për ty ?

Donjeta: Të punosh me të rinjtë është më tepër se një përkushtim i shenjtë. Po aq sa është sfidë e bukur, është dhe e nderlikuar sepse ti hasë çdo ditë me persona të ndryshëm, me kërkesa të shumta dhe me personalitete të veçanta. Është sfidë për mua arritja e krijimit të një marrëveshje mirëbesimi tek nxënësit e cila do t’i hap atij të gjitha dyert e suksesit. Poashtu, prindërit janë partnerë të pashmangshëm në procedurën e orientimit shkollor. Aktualisht kontakti me nxënësit dhe prindërit është në nivel të shkëlqyer.

Albinfo: Çfarë duhet të dini të rinjtë shqiptarë që zgjedhja e tyre profesionale të jetë sa më e drejtë?

Donjeta: Është me rëndësi të dijnë se në Zvicër sistemi i shkollimit është shumë i përsosur. Ky sistem u jep zgjidhje të shumta për të gjitha profilet e nxënësve. Të rinjtë shqiptarë në Zvicër duhet së pari të mendojnë se çfarë dëshirojnë ata për të ardhmën e tyre dhe cili është potenciali i tyre. Pastaj nëse ata kanë vështërsi për ta zgjedhur drejtimin e duhur, apo nëse dëshirojnë ndonjë këshillë, atëhere duhet të drejtohen tek profesionistët që punojnë në këtë drejtim. E mira e sistemit është që çdo takim me këshilltar/e për orientim është pa asnjë pagesë dhe mund të ndihmojë mjaftë mirë.

Albinfo: Prindërit shqiptarë e kanë një rast ideal për të u këshilluar me ju për t’i ndihmuar fëmijët në zgjedhjen e profesionit, a e shfrytëzojnë ata ketë të mirë?

Donjeta: Me thënë të drejten ka mjaftë prindë shqiptarë që më kontaktojnë për tu këshilluar. Por në krahasim me numrin e madhë të nxënësve shqiptarë në shkolla për të cilat kujdesem, atëherë del që të mos jenë edhe aq shumë aktivë në këtë drejtim. Kam besim dhe shpresoj që në të ardhmën do të rritet ky interesimi.

Albinfo: Ndërkohë ju do të filloni përgatitjet për doktoraturë. A është kjo një sfidë tjetër për Donjetën?

Donjeta: Është e vërtetë që jeta pa sfida të reja nuk do të kishte bukurinë e saj. Unë gjithmonë i dua sfidat dhe dëshiroj që me punë t’i tejkaloj kufijtë e rinj.

Albinfo: çfarë porosie keni për rininë shqiptare?

Donjeta: Këshilla ime është që ata të jenë modest, të punojnë shumë dhe të përkushtohen në gjëra të cilat kanë dobi për ta siguruar një të ardhme sa më të ndritur. Për të rinjtë shqiptarë në diasporë që të kontribojnë me vepra të mirëfillta për ta treguar një imazh sa më të bukur të vetës së tyre dhe të shqiptarëve dhe të mos e harrojnë asnjëherë identitetin e tyre.

Nexhmije Mehmetaj

 

Rifillon nga zero dhe korr suksese

Para se të vija në Zvicër në vitin 2008, në vendlinje kisha diplomuar në Universitetin e Tetovës, në drejtimin e Psikologjisë. Pas diplomimit u angazhova nëpër shoqata të femrave si vullnetare, duke qenë gjithnjë aktive. Më vonë u njoha me mbashkëshortin tim, i cili jetonte në Zvicër dhe për mua shpërngulja jashtë vendit ishte një sfidë dhe udhëkryq i madh, sepse e dija që duhej të filloja gjithçka nga e para. Por, pas premtimeve të bashkëshortit tim që do të më ndihmojë për një integrim sa më të shpejtë dhe të suksesshëm, pranova dhe erdha këtu.

Në fillim jeta këtu ishte shumë e vështirë dhe monotone. Mundohesha ta mësoj gjuhën, t’i kap fjalët duke i shkruar, bleja libra, pastaj fillova të bëja kurse intensive të gjuhës, të cilat i mbarova deri te niveli C1. Mora certifikatën me një qëllim që të punësohem dhe të vazhdoj studimet më tutje. Fillova duke punuar punë të thjeshta vetëm e vetëm që të inkuadrohesha dikund dhe ta njihja mentalitetin dhe procesin e sistemit të punës në Zvicër. Mendoj që certifikata e gjuhës m’i çeli shumë dyer dhe më hapi shumë mundësi për të konkurruar për punë.

Rastësisht pashë një ofertë pune si kujdestare sociale në një “Hort”, ose çerdhe për fëmijë, „Loren“, në Kloten të Cyrihut. Konkurrova dhe më pranuan. Tash po bëhen gati dy vjet që punoj këtu dhe jam integruar shumë mirë.

Albinfo.ch: Si funksionon çerdhja për fëmijë “Loren” në Kloten?

Valdete Mena: Këtu jemi dy punëtore përgjegjëse edhe një nxënëse. Merremi me kujdesin e fëmijëve që shkojnë në shkollë ose parashkollorë. Çerdhja hapet në orën 12 deri në orën 18.30. Ne kujdesemi që fëmijët të hanë ushqim të shëndetshëm, pastaj u ndihmojmë për kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe organizojmë programe të ndryshme. Fëmijët duhet të ndihen jo si në shkollë, por si në ambientin e shtëpisë, por me rregulla dhe struktura të qarta dhe të definuara, të cilat kanë për qëllim mirëqenien e fëmijës.

Kemi fëmijë të nacionaliteteve, kulturave dhe religjioneve të ndryshme, me histori familijare të llojllojshme, por detyra jonë është që t’i shohim të gjithë fëmijët njëlloj, t’i pranojmë ashtu siç janë, t’i kuptojmë dhe t’u ndihmojmë sa më tepër, edhe pse paraqiten vështirësi gjatë punës. Është një ndihmë e madhe edhe për prindërit që janë aktivë, që punojnë, si dhe për ata që i rrisin fëmijët vetë. Të gjithë prindërit deri tash janë shumë falënderues për punën që e bëjmë ne.

Albinfo.ch:  Fëmijëve shqiptarë a u flet në gjuhën shqipe dhe a të flasin ata ty shqip ?

Valdete Mena: Po, natyrisht që kur e dëgjojnë emrin tim, ata më flasin shqip, edhe unë me ta flas shqip dhe nuk e kemi të ndaluar nga çerdhja, por sipas Rregullores është e preferuar që të flasim të gjithë në gjuhën gjermane që të kuptojnë edhe fëmijët e tjerë se për çfarë bëhet fjalë.

Albinfo.ch: Valdete, ti si psikologe, a ke mundur ta vëresh ndonjë dallim në mes të edukimit që kanë fëmijët tanë dhe atyre zviceranë sa u përket rregullave ose orareve në lidhje me ushqimin, mësimin, e të tjera ?

Valdete Mena: Sinqerisht kam vërejtur dallime, edhe pse jo vetëm te fëmijët e nacionalitetit shqiptar. Kur flasim për shqiptarë kam parë që fëmijët tanë janë në shumë raste të lazdruar, ose të paktën nga bisedat e sinqerta që i bëjmë me ta, nuk kanë orar gjumi të rregullt, ushqehen shumë shpesh nëpër fastfood restorante, nuk bëjnë shumë aktivitete, siç janë sporti, muzika ose të tjera.

Por unë mundohem t’i kuptoj këto gjëra, sepse kanë të bëjnë me mentalitetin tonë, i cili nuk është negativ ose më pak i mirë se mentalitetet e tjera, por është më ndryshe dhe nuk mund të çrrënjoset dhe të ndryshojë për një kohë të shkurtër. Jam e sigurt dhe e bindur që prindërit shqiptarë e duan gjënë më të mirë për fëmijët e tyre, por ndoshta duhet të marrin guxim për të shkuar më larg, të hapin dyer të tjera dhe të shikojnë se çfarë gjendet në anën tjetër, të mësojnë që rregullat janë një mënyrë tjetër, ndoshta edhe më produktive dhe frytdhënëse për zvillimin e fëmijëve dhe ardhmërinë e tyre. Këtu nënkuptoj gjumë të rregullt, sa më pak embëlsira, sa më  shumë perime dhe fruta në meny, sa më pak lojëra me play station ose video games dhe sa më shumë sport dhe aktivitete të ndryshme për fëmijën. Do të ishte mirë që fëmija të shkojë një herë në javë në cirk ose  teatër për fëmijë, të shoqërohet sa më tepër me fëmijët e tjerë edhe në qoftë se me familjarët dhe të rrinë sa më larg televizorit, sepse të gjitha këto e ndihmojnë zhvillimin e tij. Por nëse këto që i përmenda kushtojnë shumë para, shkolla i ofron të gjitha ato aktivitete që janë gati-gati gratis, si aktivitete të edukatës fizike, not, këndim, kërcim, etj.

Albinfo.ch: A janë, sipas teje, gratë shqiptare në Zvicër të painteresuara ose të painformuara për këto aktivitete ?

Valdete Mena: Unë nuk mund t’i gjeneralizoj të gjitha gratë shqiptare në Zvicër, sepse njoh shumë nga to, të cilat janë të zonjat, të forta, intelektuale dhe me të gjitha epitetet pozitive, por dëgjoj që ka edhe shumë gra që nuk janë të integruara mjaftueshëm. Por jam shumë pozitive dhe e bindur që shoqëria jonë ka përparuar shumë në Zvicër, ka ecur përpara në punë dhe në të gjitha lëmenjtë e jetës. Ne tash kemi shumë mjeke, punëtore në spitale, banka, nëpër administratë dhe ndihem krenare për këtë gjë. Ne jemi me të vërtetë popull inteligjent, të etur për dituri dhe i inkurajoj të gjitha gratë shqiptare që të çajnë përpara, sepse do t’ia dalin, vetëm duhet të kenë durim, vetëbesim dhe të punojnë në këtë drejtim.

Ambiciet e Valdetes nuk përfundojnë brenda çerdhes për fëmijë „Loren“. Ajo thotë se ky është vetëm fillimi dhe që planet e saj janë që shumë shpejt të fillojë të studiojë një Master në psikologji për të punuar më vonë si psikologe për fëmijë.

 

 

«Asnjëherë nuk kam ndjerë injorim, as si grua dhe as si kosovare»

Shqipe Shehu-Brovina, psikiatre dhe psikoterapeute (FMH), është udhëheqëse e një klinike në Gjenevë. Ajo ne Zvicër ka ardhur pa ditur asnjë fjalë nga gjuha frënge dhe barrierat e jetës i tejkaloi vetëm me një punë dhe këmbëngulësi të pashoqe.

«Flokët i kam ngjyrë mjalti». Kështu e përshkruan veten Shqipe Shehu-Brovina, në shenjë mirënjohjeje për ftesën e gazetares të së përditshmes zvicerane „Le Temps“. Në Zvicër ajo ka ardhur në vitin 1993. Bashkëshorti i saj, në Kosovë ushtronte një punë në një zyrë inxhinierie. «Unë ende isha studente e mjekësisë në Prishtinë. Pasi i mbarova studimet e mia, unë e bëra edhe një studim pasuniversitar këtu në Zvicër», rrëfen Shqipja 42-vjeçare, duke shijuar aromën e një kafeje. Sot, ajo është psikiatre dhe psikoterapeute (FMH), terapeute familjare dhe udhëheqëse e klinikës. Por, ajo refuzon të trajtohet si një «shembull i integrimit». «Vallë, ç`do të thotë një fjalë e tillë»?

Psikiatrja shqiptare vjen nga një vend i privilegjuar: i ati me profesion inxhinier, ka një post të lartë në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, ndërsa e ëma e saj është mësuese. Aktualisht, ajo është e natyralizuar dhe jeton në Cologny, me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët e moshës 14-, dhe 5-vjeçare. «Kisha fatin të njoftoja njerëz të jashtëzakonshëm të cilët mi hapën dyert, të cilët më inkurajuan që të arrijë më larg. Asnjëherë nuk jam ndjerë e injoruar, as si grua e as si kosovare», deklaron ajo. Kunati i saj, kirurg dhe pediatër në Lozanë, nuk e kishte të njëjtin fat. «Atij ia refuzuan kërkesën për një banesë në Neuchatel, pasi ai ishte kosovar, edhe përkundër faktit se bëhej fjalë për një mjek».

Alba Shaqiri

Alba Shaqiri është me origjinë prej Shtimes, një qytet i vogël afër Ferizajt. Prej viti 1996 jeton në Zvicer me familje. Në Univesritetin e Lozanës ka mbaruar baqelorin dhe masterin në psikologji.

Në përfundim të masterit në psikologji në Lozanë, Albës i është dhënë mundësia që një semestër ta kryen në Kanada, ku gjendet për momentin.

„Pasi kalova 4 muaj këtu dhe më pëlqente me të vërtetë, dhe po ashtu bashkëpunoja me një profesor rreth një punimi në shkencat neurologjike, vendosa të kthehem këtu dhe të filloj doktoraturën në shkencën neurologjike, dhe të vazhdoj punimin për problemet e përqendrimit me njerëzit qe kanë pasuar një sulm në tru“.

„Psikologjia ishte dega që më mundësonte të studioja qenien njerëzore, por në mënyrë me njerëzore, më humaniste, për dallim prej mjekësisë, kimisë apo biologjisë, që përqendrohen kryesisht në mekanikën e funksionimit të njeriut. Unë kisha më shumë nevoje për kontakte me pacientë, të kuptoj si njeriu mendon, si i funksionon truri, por po ashtu si ai mendon dhe si reagon kur është në kontakt me të tjerët“

Flet shqiptari i parë që ka bërë transplantimin e zemrës

Është shqiptari i parë që ka kryer operacionin e transplantimit të zemrës. Këtë ndërhyrje, për herë të parë e ka bërë në vitin 2008, në Klinikën Universitare të Frankfurtit, Gjermani. Kanë pasuar edhe katër transplantime tjera të suksesshme. Fjala është për dr. Omer Xhemalin, kardiokirurg, doktor i shkencave të mjekësisë dhe docent në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Frankfurtit. Dyzetenjëvjeçari me një karrierë të bujshme në mjekësi, është modestia vetë. I qetë, i afërt, komunikues, doktori i zemrës duket shembulli më bindës se madhështia qëndron në thjeshtësinë.

Prej afër tri vitesh, dr.Omeri nga Tearca e Tetovës punon në Spitalin “Triemli” të Cyrihut, ku mban pozitën e zëvendësshefit të repartit të kardiokirurgjisë. Për të, “vendlindja është gjithandej ku flitet shqip”, prandaj shpreh vullnetin e tij të ndihmojë atë duke bartur përvojat që ka fituar në perëndim. Por ai është i brengosur me drejtimin që po merr shëndetësia në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni… “Komercializimi dhe qëllimi për fitim të shpejtë janë shkatërruese për mjekësinë atje”. Sidoqoftë, docenti i kardiokirurgjisë në Universitetin e Frankfurtit është i gatshëm të ofrojë ndihmën e tij në fakultetet tona të mjekësisë. “Por, hapin e thirrjes u takon ta bëjnë ato sepse unë nuk mund tu them: ejani, merrmëni!”, thotë ai. Dr. Omeri tregon se si, pas 4 vjet ndihme që kishte dhënë si këshilltar në qendrën e re të zemrës në Tiranë, e kishin zëvendësuar me një mjek austriak. ”Ata mendonin se nuk do tu vinë pacientët te specialisti shqiptar, prandaj kërkonin një mjek me mbiemër të huaj!”.

Albinfo.ch: Ju jeni i pari shqiptar që ka transplantuar zemrën?

Dr. Omer Xhemali: Deri tani nuk kam dëgjuar se ka edhe ndonjë tjetër edhe pse nuk do të thotë që edhe ndonjë shqiptar të mos ketë bërë një transplantim të tillë. Por unë nuk kam kontakt me ndonjë kolegë shqiptar që është marrë me këtë lloj kirurgjie.

Albinfo.ch: Kur e keni bërë këtë transplantim dhe ku?

O.Xh.: Transplantimin e parë e kam realizuar në fillim të vitit 2008. Pas këtij rasti kam pasur edhe katër transplantime tjera që kanë kaluar me shumë sukses. Të gjitha janë bërë në Klinikën universitare të Frankfurtit.

Albinfo.ch: Po në klinikën ku punoni tash, në Cyrih?

O.Xh.: Një prej arsyeve që kam ardhur në “Triemlispital” të Cyrihut, është që të fillojmë përgatitjet për aftësimin e kësaj klinike në koordinim me klinikat tjera të Cyrihut dhe të Zvicrës për të bërë transplantimin e zemrës.

Albinfo.ch: A janë gjallë personat që ua keni transplantuar zemrën?

Xh.O.: Të gjithë ata të cilëve ua kam transplantuar zemrën jetojnë akoma dhe janë mjaft mirë me shëndet dhe mbaj kontakte me ta.

Albinfo.ch: Transplantimi i zemrës sigurisht që nuk është një veprim i zakonshëm, rutinor. Çfarë ndjenje keni provuar kur keni bërë këto operacione?

Xh.O.: Mjekësia është mbi të gjitha profesion human. Çdo sukses, si transplantimi ose operacionet rutinore, (nëse mund të thuhet se ka rutinë në operacionet në zemër…) që mbaron me sukses, është për ne një inkurajim të vazhdojmë më tutje në këtë drejtim. Një ndjenjë tepër e mirë.

Albinfo.ch: A ka ndonjë shqiptar në mesin e pacientëve që u keni transplantuar zemrën?

Xh.O.: Deri më tash nuk ka pasur asnjë shqiptar. Për fat të mirë ose të keq, si ta marrësh! Duhet ditur se gjendja shëndetësore e pacientit që i vjen puna për transplantim, është shumë e rëndë…

Po ashtu është shumë vështirë për njerëzit nga trojet shqiptare që të hyjnë në listën për transplantim. Kam tre pacientë në Maqedoni që tmë vetmen mundësi jete e kanë transplantimin por për shkaqe administrative dhe financiare, do të jetë shumë e vështirë që ta arrijnë këtë. Që të tre janë të moshës rreth 30 vjeçare. Në pamundësi të transplantimit, ata brenda disa muajve, mjerisht, mund edhe të ndërrojnë jetë!

Albinfo.ch.: Nëse transplantimi i zemrës konsiderohet si kurorëzim i karrierës së një kardiokirurgu, cilat janë shkallët që i paraprijnë atij?

O.Xh.: Vetë operacioni i transplantimit, si i tillë, nuk është operacioni më i ndërlikuar i zemrës. Bëhet fjalë për disa anostomoza që kirurgu mund t`i bëjë pa problem. Por transplantimi në tërësi është një proces që kërkon kujdes të veçantë për pacientin si parapërgatitja e tij, përgatitja e organit për transplantim etj. Në kardiokirurgji janë disa operacione të tjera që janë më të komplikuara dhe që kërkojnë edhe më shumë kujdes në vetë fazën e operacionit. Ato zakonisht janë të kombinuara me dy-tri veprime njëkohësisht. Ndërsa në transplantim, pacienti do kujdes të veçantë në muajt e parë për terapinë dhe medikamentet.

Albinfo.ch.: Por pse atëherë kur flitet për transplantimin e zemrës fitohet përshtypja sikur për diçka kaq speciale?

Xh.O.: Është ndjenja shumë më ndryshe që ke kur bën një ndërhyrje të tillë. Kjo ndodh pasi që ti po nxjerr një organ nga trupi dhe po e vendos në atë trup një organ të ri, i cili në një kohë ka qenë jashtë funksionit dhe ti po e rikthen në funksion. Njëkohësisht, e kthen edhe pacientin në gjendje më të mirë se ka qenë më parë.

Albinfo.ch: Sa jetojnë mesatarisht pacientët pas transplantimit?

Xh.O.: Mesatarisht, mbi 80% të pacientëve që e kalojnë mirë fazën e parë të transplantimit të zemrës, jetojnë edhe 5 vjet. Ka të tillë që kanë jetuar edhe dhjetë ose madje 15 vjet pas operacionit.

Albinfo.ch: Çfarë janë kontaktet tuaja me kolegët shqiptarë të profesionit. A keni pasur deri më tash ndonjë ofertë për bashkëpunim në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri?

Xh.O.: Qëllimi im, deri në vitin 2007 ka qenë kryekëput të kthehem në vendlindje, që atë që kam mësuar jashtë, ta kthej atje. Unë vendlindje i quaj të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët, pra në Maqedoni, në Kosovë apo në Shqipëri. Atje unë do të kthehesha për të ndihmuar popullin tim. Mjerisht jetojmë në një fazë që sa i përket politikës lokale shqiptare e bën shumë të rëndë një hap të tillë. Momentalisht, nuk ka kushte që njeriu të kthehet dhe të ushtrojë një mjekësi të shëndoshë atje. Kthimi për qëllime përfitimi nuk më tërheq, qëllimi im ishte që pacienti të jetë në qendër te veprimit profesional.

Albinfo.ch: Por a keni së paku ndonjë ftesë për të mbajtur ligjërata ose për të aftësuar mjekët atje?

Xh.O.: Unë jam i hapur për këtë ide dhe i gatshëm të ndihmoj, si Universitetin e Prishtinës, atë të Tetovës ose të Tiranës. Kontakte kam pasur me të gjithë dekanët e fakulteteve përkatëse dhe ata e dinë se unë ekzistoj. Jam docent në Universitetin e Frankfurtit ku mbaj ligjëratat dhe provimet. Kështu, hapin e thirrjes u takon ta bëjnë ata, sepse unë nuk mund tu them atyre: “ejani, merrmëni”. Por kurdo që të trokasin në dyert e mia, ato do të jenë të hapura.

Albinfo.ch: Keni sjellë mjekë nga Shqipëria për aftësim në Frankfurt?

Xh.O.: Në Frankfurt pata sjellë para disa vitesh kolegë nga Tirana për aftësim në kardiokirurgji dhe në kardiologji. Së fundi i kisha edhe në Cyrih një anesteziolog dhe një kardiokirurg. Tirana kishte në plan hapjen e një qendre të re të zemrës. Unë kam punuar pothuaj 4 vite si këshilltar për konceptimin dhe ngritjen e një spitali të tillë. Por kur erdhi puna për t`i përkrahur në aftësimin e personelit, ata e ndërruan mendimin dhe u lidhën me një koleg timin nga Austria. Më vjen keq por më duhet ta them: u pengonte emri im dhe këtë ma kanë thënë vetë, sepse mendonin se nuk do të kenë pacientë që vinë te specialisti shqiptar. Kështu, ata kërkonin një mjek me mbiemër të huaj (!). Nga ky moment jam tërhequr.

Por këtu, në Cyrih kam plot pacientë shqiptarë që kane besim te unë. Nuk kalon javë që të mos kem së paku një pacient shqiptar. Shumica e madhe e tyre kanë ardhur drejtpërdrejtë me kërkesën e tyre te unë. Posaçërisht kjo ndodh edhe për shkak të njohjes së pamjaftueshme të gjuhës gjermane kështu që shumë sish vinë te unë që të marrin vesh më shumë për sëmundjen e tyre në gjuhën shqipe.

Albinfo.ch: Cili është niveli i kardiokirurgjisë në Prishtinë, Tiranë, Shkup e Tetovë?

Xh.O.: Një temë e rëndë për mua. Sepse dikush edhe mund të mos ndjehet mirë, gjë që unë nuk e dëshiroj. Unë i respektoj të gjithë kolegët, sepse dihet se kushtet e tyre nuk krahasohen me këto tonat. Por megjithatë ne, mendoj shqiptarët, jemi në gjendje të mjerueshme sa i përket kardiokirurgjisë. Kemi disa klinika private që dalin si kërpudha pas shiut, si në Prishtinë ashtu dhe në Tiranë. Në to mungon transparenca e kualitetit të punës siç mungon edhe përgjegjësia dhe kontrolli shtetëror i kualitetit të punës. Nuk diskutohet kompetenca profesionale e mjekëve atje, por përderisa ekziston kërkesë e madhe e shqiptarëve për të siguruar trajtim në perëndim, kjo dëshmon se niveli i shërbimeve atje, mjerisht ende nuk është i mire.

Mendoj se problemi kryesor i kolegëve që hapin klinika private është se nisen me mendimin që kardiokirurgjinë ta bëjnë profitabile. Në trojet tona nuk mund të pritet që një klinikë ta kthejë investimin. Prandaj kur synim kryesor i hapjes së një klinike është përfitimi, sigurisht edhe investimi në mjete dhe shërbime do të jetë më i kufizuar.

Albinfo.ch: Ju jeni mjek specialist, por jeni po kështu docent në Fakultet. Cila peshon më shumë te ju; karriera akademike apo puna në kardiokirurgji?

Xh.O.: Kardiokirurgjia ka një specifikë sepse, duke qenë mjekësi terciare, pa anën akademike shkencore, nuk funksionon si duhet as ana profesionale. Ne, pak a shumë jemi të detyruar të punojmë edhe në rrafshin shkencor pasi që lëmi i kardiokirurgjisë është shumë i ri, kështu që na duhet të bëjmë në vazhdimësi zhvillime dhe përmirësime shkencore të lidhura me punën praktike. Por nga ana tjetër duhet të them se mua puna shkencore më intereson pa masë. Unë kam bashkëpunim shumë të mirë me institutin për biomedicinë në Aachen ku kam punuar disa punime shkencore lidhur me avancimin e operacioneve në zemër.

Albinfo.ch: E përmendët se një ndër arsyet e ardhjes suaj në Cyrih është krijimi i mundësisë për kryerjen e transplantimeve të zemrës. Në çfarë faze jeni aktualisht?

Xh.O.: Momentalisht jemi në bisedime me Klinikën Universitare të Cyrihut. Po bisedohet për bashkëpunim të dyanshëm në drejtim të planit që të bëhemi njëra ndër forcat kryesore për transplantimin e zemrës në Zvicër. Po punojmë që me Klinikën Universitare të Cyrihut ta bashkojmë ekspertizën në mënyrë që Cyrihu te fungojë si forcë kryesore për transplantimet në Zvicër.

Albinfo.ch: Cili është dallimi i klinikave gjermane ku keni punuar me këtë të Cyrihut ose me ato të Zvicrës në përgjithësi, sa i përket nivelit dhe kushteve që ofrojnë?

Xh.O.: Niveli i mjekësisë është pothuaj i njëjtë. Nuk kam parë ndonjë dallim në mënyrën si trajtohet pacienti. Dallimi është se në Zvicër ana financiare është më e mirë dhe mundësia për futjen e pajisjeve të reja që kushtojnë shumë, është më e lehtë në Zvicër se në Gjermani.

Albinfo.ch: Jeni njeri familjar, keni fëmijë…?

Xh.O.: Jam baba i dy fëmijëve, një vajze 10 dhe një djali 8 vjeçar. Bashkëshortja është po ashtu nga vendlindja. Momentalisht ajo është e zënë me kujdesin për fëmijët por ka profesionin e infermieres dhe ka mbaruar fakultetin e gjermanishtes. Me kohë edhe ajo do të inkuadrohet në punë.

Jetojmë në një fshat në kantonin Argau në kufi me kantonin e Cyrihut. Prindërit, të dy veteranë të arsimit, jetojnë në vendlindje, në Tearcë.

Albinfo.ch: E vizitoni shpesh Tetovën?

Xh.O.: Dy herë në vit patjetër – dimrit dhe verës. Mundësisht çdo vit të ri e kaloj me familjen në vendlindje dhe së paku 2 javë gjatë verës. Në fakt, fëmijët rrinë gjatë gjithë pushimeve verore atje. Jemi munduar që t`i mbajmë në lidhje me vendlindjen time. Tri vitet e para u kemi folur vetëm shqip, tani ata vazhdojnë me dygjuhësi.

Albinfo.ch: Cilat janë interesimet kulturore të dr. Xhemalit. Lexoni edhe literaturë jashtë profesionit?

Xh.O.: Mundohem të jem në rrjedha. Pasi që tërë ditën jam në kontakt me gjuhën gjermane, mundohem që në shtëpi të lexoj literaturë shqipe, t`i ndjek lajmet shqip dhe për shkak të fëmijëve edhe televizionin, atëherë kur e lëshojmë, ta shikojmë në gjuhën shqipe.

Albinfo.ch: A mund të na thoni, a shkollohen mjaft shqiptarët në Zvicër e në Gjermani në krahasim me numrin tonë të madh si komunitet?

Xh.O.: Në fillim të punës këtu, pata një thirrje nga shoqata e studentëve shqiptarë në Cyrih, për të mbajtur një ligjëratë. Ftesës ju përgjigja me kënaqësi. Më gëzoi fakti se i gjithë amfiteatri u mbush me studentë. Kjo ishte një mburrje për mua dhe kurajë e madhe. Unë mendoj se gjenerata e dytë apo e tretë jashtë vendit duhet të përpiqet që ta përmirësojë imazhin tonë si popull dhe të inkuadrohet në jetën e këtushme, duke qenë se ne shumicën e kohës e kalojmë këtu. E njëjta gjë është edhe në Gjermani. Unë do të këshilloja çdo të ri që të jetë këmbëngulës për të arritur atë që dëshiron. Duhet të provojë. E them nga eksperienca ime pasi që unë kam ardhur në Gjermani me një çantë në dorë dhe pothuaj pa para, e pa njohur gjuhën… Prandaj, nuk është diçka që nuk mund të bëhet. Por vetëm duhet të jesh këmbëngulës.

Albinfo.ch: A keni përjetuar paragjykime nga zviceranët dhe gjermanët ndaj jush si i huaj, gjatë punës ose gjatë studimeve?

Xh.O.: Mendoj se vetë vendi i punës që e kam tani, tregon për respektin që ka populli i Zvicrës dhe këtë respekt e shoh edhe te pacientët. Nuk kam pasur ndonjë problem të asaj natyre, as nga pacientët dhe as nga kolegët. Jam inkuadruar në të gjitha qarqet akademike ku mund të inkuadrohem dhe gëzoj respekt të veçantë nga ta.

Para sa ditësh kishim një takim të kardiologëve të qytetit të Cyrihut ku mu dha mundësia të mbaja një ligjëratë të shkurtë. Kjo tregon se ata më shohin si një koleg në nivel me ta dhe nuk shikojnë të më degradojnë. Mund të them se sikur në Gjermani si student ose si mjek, ashtu edhe në Zvicër, të shikojnë vetëm punën, që d.m.th. se shkalla e objektivitetit është shumë e lartë.

Hapet ordinanca gjinekologjike nga një mërgimtar shqiptar

Ka shumë mjekë gjermanë që synojnë të largohen nga Gjermania drejt Zvicrës për shkak të pagave të mira në shëndetësinë zvicerane, por ka të atillë që e duan edhe Gjermaninë dhe Zvicrën. Një prej tyre është doktori nga Kosova, Imer Hajdari.

Doktori nga Drenoci i Kosovës ishte i pari që në vitin 1999 kishte hapur ordinancën e parë shqiptare në Mynih të Gjermanisë.

Një ordinancë të njëjtë ai e kishte hapur vitin e kaluar në Bernë të Zvicrës, e tash po e bën të njëjtën në Cyrih, e shumë shpejt ka premtuar se do të bëjë realitet edhe në St. Gallen.
Në praninë e shumë mysafirëve nga Gjermania dhe Zvicra, mjekë, diplomatë të Kosovës e të Shqipërisë në Zvicër, në mënyrë solemne ai bëri hapjen e  Ordinancës Gjinekologjike, Obstetrike dhe Onkologjike në Cyrih.

Prerjen e shiritit e kanë bërë konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa dhe sekretari i parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, Kastriot Noli.

Duke folur para mysafirëve diplomati nga Kosova, Sali Sefa, tha me këtë rast se diaspora po tregon se ka potenciale intelektuale dhe se nuk janë më vetëm punëtorë krahu, por të barabartë me qytetarët e vendit pritës.

Kjo është një ordinancë private, e cila do të ofrojë të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me gjinekologjinë.

„Në këtë ordinancë nuk do të mjekohen vetëm sëmundjet onokologjike dhe operacionet gjinekologjike, por do të diagnostikohen shumë sëmundje qysh në jetën intrauterine, e të lindin fëmijë të shëndoshë pa të meta fizike dhe psikike, duke i shëruar dhe eliminuar të gjitha komplikacionet me aparaturë moderne medicinale“, tha gjinekologu Immer Hajdari. Ai kishte migruar në vitin 1992 në Gjermani, ku kishte punuar në fillim si mjek, e pastaj si shef i reparteve gjinekologjike.

Ai thotë se nuk i ka hapur dyert e ordinancës vetëm për bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë në Zvicër, por edhe të nacionaliteteve të tjera.

Ndërkohë nëse mjekët nga Kosova, në shumë raste ëndërrojnë jetën në ndonjë shtet të Evropës Perëndimore, siç mund të jetë Zvicra e Gjermania, ai ka në plan edhe diçka tjetër.

Doktori ka vendosur t’u kthehet edhe rrënjëve në Kosovë.

Një klinikë gjinekologjike do të ketë qendrën në Prishtinë.

„Muajin e kaluar e vëmë gurthemelin e një klinike gjinekologjike, obstetrike dhe onkologjike në Prishtinë. Në të nuk do të gjejnë shërim vetëm sëmundjet gjinekologjike dhe onkologjike, por do t’i parandalojmë dhe do të luftojmë kundër sëmundjeve kancerogjene“, premton doktori, tashmë menaxher i tri ordinancave gjinekologjike në diasporë, e shumë shpejt edhe i të katërtës në Kosovë.

Lavdija, shqiptarja që “ka në duar” këmbët e Lewandowskit & CO

Shputat e këmbëve te shumica e njerëzve nuk paraqesin diçka veçanërisht të rëndësishme. Por ka një numër njerëzish të cilët pikërisht me këmbët e tyre fitojnë shumë para. Për shembull yjet nga Borussia Dortmund (BVB) si Robert Lewandowski dhe Kevin Grosskreutz. Dhe pasi që këmbët e futbollistëve ngarkohen shumë dhe shumëçka varet nga funksionaliteti i tyre për to nevojitet kujdes i veçantë. Eh, pikërisht këtu “hyn në lojë” Lavdije Murati, gruaja pedikyriste që përkujdeset për këmbët e yjeve të BVB.

Të jemi të qartë: As Lavdija nuk mund të na thotë se a do të ikë Lewandowski nga BVB dhe nëse po, ku do të shkojë. Sepse edhe sikur ai fare do t`i tregonte asaj, pedikyristja simpatike, normalisht se nuk do ta dekonspironte. Ajo, natyrisht, nuk nxjerr jashtë asgjë në lidhje me çështjet e brendshme të lojtarëve “të saj”.

Vetëm kaq: “Ata janë që të gjithë vërtetë të mirë, shumë të mirë”, thotë shqiptarja nga Kosova, e cila jeton prej dhjetë vitesh në Gjermani ndërsa para kësaj, për gjashtë vite ka ushtruar profesionin e saj në Spanjë. “Kozmetika, pedikyrizmi dhe makijazhi”, i përshkruan ajo fushat e punë së saj.

Prej tri vitesh kosovarja, krahas klientëve “normalë” përkujdeset edhe për çunat e BVB. Prindërit e Lavdijes jetojnë prej një kohe shumë të gjatë në Gjermani, kështu që edhe ajo e kishte oarë normale të “aterronte”  në Dortmund. Por si lindi kontakti me BVB? “Një lojtar i BVB ishte atëbotë klient në studion e kozmetikës ku punoja unë. Ai më tha se në BVB po kërkonin dikë të këtij profesioni” kujton Murati. Pastaj ajo njohu Klaus Kraft-in, shefin e shërbimit mjekësor.

Nga tetori i vitit të kaluar, 37 vjeçja atraktive mban edhe një lokal në Lünen. “Unë kam një lokal edhe në Dortmund, ndërsa në qendrën e trajnimit të BVB-së  është edhe një ambient i rezervuar për mua”. Por a është ajo tifoze e BVB-së? “Klubi është i mrekullueshëm. Por në fakt unë nuk kam fare ide për futbollin. Kur vijnë lojtarë të rinj unë shpesh nuk i identifikoj dot edhe pse ata janë tashmë të njohur”, thotë ajo. Ndoshta këtu dhe është fshehtësia e saj: Lavdija i lë lojtarët në qetësi, nuk i bezdis ata me kërkesa për autografe. “E gjithë puna që bëj është profesioni im i ëndrrave. Puna me BVB më jep kënaqësi. Për mua lojtarët janë njerëz krejtësisht normalë dhe të mirë”, thotë ajo.

 

Mjeku shqiptar i shpëton jetën gjermanit të moshuar

Heinz Peter i mbushen sytë me lot duke i dhënë dorën dr. Halil Krasniqit për tu përshëndetur. “Ju falemnderit zoti doktor për të gjitha që ju dhe bashkëpunëtorët tuaj keni bërë për mua”.  Ai vetëm tash e ka me të vërtetë të qartë se në repartin e kirurgjisë të spitalit St.-Willehad në Wilhelmshaven i është shpëtuar jeta.

Kjo është dhurata më e mirë për Krishtlindje që mund ta imagjinonte ai në këtë moshë.

Ndodh shpeshherë që mjekët gjermanë dhe të tjerë u shpëtojnë jetën shqiptarëve. Në rastin tonë ka qenë një mjek shqiptar që ka bërë ndërhyrjen e suksesshme kirurgjike e cila është kurorëzuar me shpëtimin e jetës së një gjermani të moshuar.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar Heinz Peter 73 vjeçar ishte sjellë në spital me autoambulancë. Më parë kishte shkuar te mjeku i shtëpisë për shkak të një dhimbjeje të vazhdueshme të shpinës dhe ndjenjës së njëfarë shtypjeje në bark. Mjeku i kishte bërë kontrollimin me ultrazë.

“Menjëherë në spital” kishte qenë udhëzimi i tij urgjent dhe shpëtimtar. Sepse “dy orë më vonë mund të bëhej vonë”, konstaton më vonë Krasniqi. Aorta abdominale (arteria e barkut)  te ky pacient kishte pësuar një zgjerim prej njëmbëdhjetë centimetrash. “Diçka e tillë është shumë e rrallë”, thotë mjeku. Ai deri më tash kurrë nuk kishte operuar ndonjë me madhësi të tillë.

Vlera normale e kësaj arterie te meshkujt e moshës së Heinz Peterit është 2.5 centimetra. Te pesë nga 100 meshkuj mbi moshën 65 vjeçare paraqiten  zgjerime të tilla të cilat duhet të mbikëqyren. Kur ato arrijnë gjerësinë prej pesë centimetrash, duhet të operohen menjëherë, shkruan wzm.online de.
Rreziku kryesor te rastet me zgjerim të aortës abdominale qëndron te pëlcitja e tij e befasishme me rastin e dëmtimit të murit të aortës. Kjo shkakton gjakderdhje të brendshme te pacienti.

/albinfo.ch/

Dr. Halil Krasniqi, emërohet kryemjek në klinikën gjermane

Klinika e kirurgjisë vaskulare në spitalin St. Johanes-Hospital ka zgjedhur një drejtues të ri. Fjala është për Dr.Dr. Halil Krasniqin, i cili është emëruar shef i ri i kësaj klinike. Mjeku shqiptar nga Kosova nuk është emër i panjohur për regjionin ku jeton, qyteti Varel i regjionit Friesland, Gjermania Veriore.

Deri në këtë emërim ai ka qenë po ashtu shef mjekësor në klinikën e kardiologjisë vaskulare në St.Willehad-Hospital në Wilhelmshaven, shkuan nwzonline.de. Drejtuesit e spitalit St. Johannes e kanë përshëndetur shefin e ri të klinikës. Ndërsa vetë Krasniqi me këtë rast ka thënë: “që nga dita e parë e punës në këtë spital kam pasur rastin të bindem se këtu pacienti shihet si njeri dhe se respektohen pikëpamjet e tij individuale mbi botën”.

Ndërsa nga spitali ku ai është zgjedhur shef, bëhet e ditur se që nga ditët e para ka udhëhequr operacione të komplikuara kardiovaskulare.

Përurohet ordinanca e tretë e mjekut shqiptar Imer Hajdari

Pas Bernit dhe Cyrihut , St. Galleni është qendra e tretë rajonale e Zvicrës që bëhët me një ordinancë të re gjinekologjike të hapur nga mjeku shqiptar i ardhur nga Gjermania, Dr. med. Imer Hajdari.

Në prani të një numri solid të musafirëve të ftuar si mjek, politikanë e intelektualë të tjerë, dr. Hajdari preu të shtunën shiritin inagurues të ordinancës së parë gjinekologjike të një mjeku shqiptar në qytetit e St. Gallenit.

Ordianca gjinekologjike ofron shërbime për të gjithë pacientët pa dallim nacionalitete, tha dr. Hajdari në ceremoninë e përurimit.

Ordinanca gjinekologjike rritë cilësinë e panifikimit të familjës për nënat e reja shqiptare që kanë vështirësi komunikimi gjuhësor, pasiqë në këtë ordinancë pacientët mund të flasin edhe shqip, u tha në ceremoninë e prerjës së shiritit.

Në këtë ordinancë gjinekologjike krahas doktor Hajdarit, janë të angazhuar dhe ishin prezentë edhe dy mjek të tjerë, gjermani Michael Arnold dhe mjeku tjetër shqiptar dr. Shaban Bajrami.

Hapjen e kësaj ordinance gjinekologjike e përshendeti edhe deputeti i asamblesë komunale të Wilit, Arbër Bullakaj bashkë me mjekun e ri shqiptar Lirim Ademin.

Kjo oridnancë gjinekologjike me shërbime obstetrike dhe onkologjike gjendet fare pranë qendrës së qyteti dhe stacionit hekurudhor, në rrugën Rosenbergstarsse 32, në St. Gallen.