Sociale

Fatime Blakaj

Humaniste

Mbi 100 fëmijë të sëmurë, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova sillen çdo vit në spitalet austriake për t’u shëruar. Kjo mundësi bëhet falë ndihmës së madhe që po bën shoqata austriake “Allianz für Kinder” me seli në Styer të Austrisë. Shoqata udhëhiqet nga drejtori Michael Schodermayr ndërsa pjesë e stafit është edhe Fatime Blakaj. Që nga themelimi i saj në vitin 1992 e deri më tash përmes kësaj shoqate janë kuruar mbi 1800 fëmijë. Gazeta “albinfo.ch” i bëri vizitë fëmijëve në spitalin ortopedik në Vjenë dhe bisedoi me humanisten shqiptare, zonjën Fatime Blakaj.

Gersian Hidri, 11 vjeçar nga Tirana që nga 16 korriku kishte ardhur në Austri për t’u shëruar. Kohë më parë ai kishte pësuar një aksident në Tiranë, ku i ishte lënduar krahu i djathtë. Para se të vinte në Austri, Gersi nuk kishte mundësi ta lëvizte krahun, ndërsa çdo ditë e më shumë i humbte edhe fuqia. Me të ardhur në Austri, mjekët, kishin marrë mish nga pjesët tjera të trupit për të plotësuar krahun e tij. Pas vetëm dy muaj qëndrimi në spitalin austriak, krahu i Gersit kishte filluar të lëvizte dhe të merrte formën normale. Më 25 shtator Gersi së bashku me grupin e fëmijëve tjerë u kthyen të shëndoshë dhe me buzëqeshje për në Tiranë.  “Është një ditë e lumtur për mua. Mezi pres të kthehem në Tiranë. Më ka marrë malli shumë për prindërit, dhe për shokët e shoqet e klasës. Jam i lumtur se po kthehem i shëndoshë dhe tash krahu im lëvizë pa asnjë problem”, theksoi Gersian Hidri, pak para se të nisej për në vendlindje. Ndonëse i vogël në moshë, ai nuk harron të falënderojë edhe gjithë ata që i mundësuan të shërohet dhe që i qëndruan afër, gjatë kohës sa ishte në Austri:  “Falënderoj gjithë stafin mjekësor që është kujdesur për mua, pastaj zonjën Fatime Blakaj, bashkëvendësin tim, xhaxhain Lulëzimin që ka ardhur çdo ditë të më vizitojë si dhe familjen Brahimi nga Prishtina e cila jeton në Amsteten, tek e cila kam qëndruar për kohë të gjatë”.

Si rasti i Gersianit janë edhe dhjetëra të tjera, jo vetëm shqiptare që çdo ditë shërohen nëpër spitalet e Austrisë. E gjithë kjo falë ndihmës së pa kursyer të shoqatës humanitare “Allianz für Kinder” (Aleanca për fëmijë) me seli në Styer të Austrisë së epërme.  Përmes kësaj shoqate humanitare deri më tash janë trajtuar mbi 1800 pacientë, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova. Përveç drejtorit të shoqatës Michael Schodermayr i cili ka kontributin më të madh për këtë ndihmë, pjesë e kësaj organizate është edhe Fatime Blakaj nga Istogu, një grua e palodhshme që mbi 20 vite merret aktivisht vetëm me këtë punë.

Gazeta “albinfo.ch” vizitoi njërin nga spitalet ortopedike në Vjenë ku pos që takoi pacientët shqiptarë, bisedoi edhe për veprimtarinë e kësaj humanisteje shqiptare por edhe kontributin e shoqatës.

 

  • Mbi 20 vite në shërbim të shërimit të fëmijëve

 

Fatimja, kjo grua me shpirt kaq human e cila kishte sakrifikuar edhe profesionin e saj të rrobaqepësisë, vetëm që t`u dilte në ndihmë fëmijëve, nuk ndihej fare e lodhur.  Derisa përgatiste lëndën e lëshimit të Gersianit, po atë ditë ajo dërgoi edhe gjashtë diagnoza  të tjera për ekzaminimin e pacientëve të tjerë.

“Jemi të lumtur se Gersi dhe fëmijët tjerë janë shëruar dhe tani po i përgatisim të shkojnë tek familjet e tyre. Por, puna ime dhe e jona më fëmijë nuk do të përfundojë këtu. Unë ia kam kushtuar jetën time ndihmës së fëmijëve. Sot i solla tetë diagnoza të fëmijëve, gjashtë raste nga Kosova dhe dy nga Moldavia, sepse pos nga trojet shqiptare kemi fëmijë edhe nga  Moldavia, Afganistani dhe Gaza”, sqaron ajo pasi kishte biseduar me mjekët e spitalit.

E teksa u ulëm në një tavolinë, zonja Blakaj na tregoi edhe për inkuadrimin e saj në këtë shoqatë humanitare dhe punën e saj mbi 20 vjeçare.

“Veprimtaria ime ka filluar në vitin  1992.  Ishte hera e parë që mora në mbikëqyrje fëmijët. Mezi prisja ta përfundoja punën dhe të shkoja t’ i vizitoj. Më dhimbseshin aq shumë sa që më dukej se nuk ecte koha deri sa t`i takoja. Ndër fëmijët e parë ishte edhe djaloshi nga Durrësi, Fjordi Çelaj, i cili pas më shumë se 20 vitesh erdhi muaj më parë dhe më vizitoi. Ishte kënaqësi për mua ta shihja”, shpreh emocionet e saj zonja Blakaj, e cila të gjitha meritat ia dedikon shoqatës.

“Nga viti 1992 deri më 2006 ne kemi qenë pjesë e shoqatës “Friedensdorf International” nga Gjermania, ndërsa në vitin 2006 themeluam shoqatën tonë “Allianz für Kinder”, drejtor i të cilës është Michael Schodermayer, një humanist i cili ka bërë shumë për shqiptarët dhe fëmijët tanë. Është vërtet një punë shumë vjeçare dhe duhet t`i jemi mirënjohës kësaj shoqate për punën që e ka bërë deri më tani dhe që do ta bëjë në vazhdimësi”, potencoi ajo.

 

  • Fëmijët shqiptarë përbëjnë shumicën dërmuese të pacientëve

 

Fëmijët të cilët shoqata  “Allianz für Kinder”  i merr për shërim vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet ortopedike, ndërsa  mosha e tyre duhet të jetë nga 0-13 vjeçare.  Ky është rregull të cilin e kanë caktuar drejtuesit e shoqatës. Shoqata i ka edhe mjekët personal të cilët bëjnë diagnostifikimin e sëmundjeve dhe vetëm ata fëmijë për të cilët mjekët e shoqatës konstatojnë se mund të shërohen, i marrin përsipër me të gjitha obligimet për t’i shëruar në Austri.

Gjatë gjithë veprimtarisë së kësaj shoqate në Austri janë sjellë mbi 1800 fëmijë. Prej tyre 350 nga Afganistani, 20 nga Moldavia dhe një numër i vogël nga Angola dhe Gaza, ndërsa të gjithë rastet tjera kanë qenë nga Shqipëria dhe Kosova. Derisa Shqipëria ka qenë në programin e shoqatës që nga fillimi, zonja Fatime thotë se përfshirja e Kosovës ka qenë pikërisht iniciativë e saj. Ajo ka arritur ta fusë në program vetëm nga viti 2003. “Shqipëria ka qenë gjithmonë primare, ndërsa për Kosovën mezi kam arritur në vitin 2003 t`i bind se edhe atje fëmijët kanë nevojë për t`u ardhur në ndihmë. Bashkë me një koleg timin kemi shkuar dy javë nëpër Kosovë, kemi vizituar spitale dhe kemi parë për se afërmi nevojën e fëmijëve për shërim. Kemi sjellë edhe diagnozat e para dhe pas një muaj kemi marrë përgjigje pozitive që edhe Kosova të jetë pjesë e këtij programi”, theksoi ajo duke shtuar se asnjë ndihmë nuk kanë marrë nga shteti i Kosovës, madje jo rrallë kanë pasur edhe pengesa nga njerëz të ndryshëm dhe ministritë përkatëse.

Brenda vitit shoqata merr  deri 100 fëmijë për shërim. Kompania ajrore “Austria Airlines” dhuron 100 bileta avioni për udhëtimin e këtyre fëmijëve, ndërsa nëse ndodh të marrin më shumë, atëherë duhet që shoqata të gjejë donacione të veta për të mbuluar shpenzimet. Shërimi i fëmijëve zgjatë me nga 1 – 3 muaj varësisht nga sëmundja.

Zonja Blakaj tregon se puna e kësaj shoqate do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Ka raste të shumta që po presin. Tani në trajtim kemi edhe dy fëmijë të tjerë nga Kosova: Arnesa Brahimi nga Mitrovica dhe Gentian Kallaba nga Kamenica. Javën tjetër do të sjellim edhe dy fëmijë nga Shqipëria të cilët do të jenë edhe të fundit për këtë vit, dhe urojmë të kthehen shëndosh e mirë kah fundi i këtij viti. Pastaj do të vazhdojmë me raste të reja në vitin tjetër”,  thekson Blakaj në fund të bisedës sonë.

U ndamë më të duke i dëshiruar asaj punë të palodhshme, ndërsa gjithë fëmijëve shërim sa më të shpejtë dhe kthim shendosh e mirë te familjet e tyre, ashtu siç u kthye Gersiani në Tiranë.

 

box

 

Si bëhet përzgjedhja e fëmijëve për shërim

 

“Duhet të bëhet diçka e qartë: Unë nuk jam ajo që vendos se cilët fëmijë mund të vijnë e cilët jo, janë mjekët ata që vendosin, sipas ekzaminimit. Ne shkojmë dy – tri herë gjatë vitit bashkë me mjekët tanë në Kosovë dhe Shqipëri dhe atje organizojmë edhe vizita. Janë mjekët ortopedë, kardiologë dhe pediatër të cilët bëjnë vizitat mjekësore. Në çdo vizitë mblidhen nga 120 – 150 fëmijë. Ata fëmijë për të cilët mjekët mendojnë se janë raste urgjente, i sjellim menjëherë në spitalet austriake duke ua hequr të gjitha shpenzimet”, thotë zonja Blakaj duke nënvizuar se shoqata nuk mbulon shpenzimet e prindërve të tyre, kështu që ata edhe nuk i shoqërojnë fëmijët.

 

 

Arben Gjinaj

fatime flamuj

 

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriFatime Blakaj
  • Prejardhja:Runiku- Skenderaj-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Austri
  • Profesioni:Humaniste