Kulturë

Kushtrim Gashi

Kompozitor/Dirigjent

Një vend i mirë për tone të reja është qyteti Darmstadt, thotë kompozitori dhe dirigjenti me prejardhje nga Kosova, Kushtrim Gashi. Para tri vitesh ai pati ardhur për të studiuar në Hesenin jugor. Jeta që bën këtu nuk është e thjeshtë por produktive. Dhe, nganjëherë ndodh edhe të shpaguhet: Gashi e ka fituar së fundi një bursë studimi.

Një burrë plak me vështrim serioz e me mjekër të madhe që të ngjallë frikë i qëndron mbi kokë dhe e vëzhgon gjithnjë Kushtrimin teksa ai është duke kompozuar. Është kompozitori klasik Johannes Brahms, i futur në një kornizë të bukur ari dhe i varur në murin e bibliotekës së akademisë së arteve muzikore. Drejtpërdrejt mbi tavolinën në të cilën Kushtrim Gashi i shkruan notat me lapsin e tij të mprehtë.

“Ndoshta”, thotë Kushtrimi me një nënqeshje fine, “një ditë edhe unë do të dukem kështu”. Por, tash për tash ai bart një mjekër treditore të modës, ka shikim gazmor dhe në përgjithësi kompozitori i ri është larg nga pamja sentimentale e kolegut gjerman.

Gashi, 30 vjeçar, vjen nga Prishtina, Kosova, studion prej tri vitesh në Darmstadt dhe është i pasionuar pas kërkimit të ngjyrave krejt të reja të toneve dhe kombinimit të tyre. Për këtë ai ka fituar tash bursën e Darmstadti për muzikë, me vlerë prej 2000 eurosh. Një ndihmesë që i vjen në kohën e duhur Gashit dhe familjes së tij të vogël.

Ai dhe gruaja e tij Delina kanë ardhur para tri vitesh këtu. Të dy janë studentë të muzikës, të cilët në qytetin gjerman i solli nami i mirë i Darmstadit dhe i akademisë së këtushme te muzikës. Atyre dhe prindërve u është dashur të kursenin një kohë të gjatë për ta mbushur konton e kërkuar si kusht për të fituar të drejtën e ardhjes këtu për studime. Me mjaft mund ata gjetën banesën e tyre, një dhomë në një lagje kompozitorësh, ku tash jetojnë tre veta.

Tepër ngushtë në banesën njëdhomëshe

Më 10 nëntor do të jepet çmimi i Darmstadit për muzikë, me ç`rast Kushtrimi do ta marrë bursën që shkon me këtë çmim. Ndarja e çmimit shoqërohet nga një koncert që fillon në orën 19, hyrja gratis.

Para katër muajsh çifti i ri solli në jetë fëmijën e parë, një djalë që solli gëzim të madh te ta. Por, për të kompozuar në qetësi është “shumë, shume ngushtë”, thotë kompozitori i ri. Kështu, ai i kalon ditët e veta – gjashtë orë, tetë orë në këndin e tij në bibliotekë, nën vështrimin kritik të Brahmsit plak. Dhe duket se kjo i bën mirë.

“Unë jam një kompozitor i ngadalshëm”, thotë ai. Por gjatë kohës së tij të Darmstadt-it, nuk është se ka shkruar pak. Shumë muzikë dhome, pjesë korale por edhe poema simfonike. “Është fantastike se këtu në akademi ka mundësi të dëgjohet muzika e krijuar menjëherë”, thotë Gashi, i cili shprehet me entuziazëm tek flet për kolegët e tij instrumentistë.

Së fundi ai ka shkruar një kompozim tetë minutash “Bagatelli con Interludi” për instrumentet me tela, klarinetë, flaut, instrumente me të rëna dhe piano.  “Më shumë se gjysmë viti kam punuar në të”. Në këtë rast ai ka lidhur muzikën e re me tingujt tradicionalë ballkanikë të vendlindjes së tij.

Në Kosovë drejton një orkestër të rinjsh

Përkundër skenës së avancuar muzikore të Darmstadit, përshtatja në këtë vend nuk është e thjeshtë për Gashët. Përditshmëria i kalon Kushtrimit në mes të kozmosit të vogël të akademisë, dhomës ku jeton me familjen dhe Kosovës, ku ai kthen shpesh dhe ku dirigjon një orkestër të rinjsh që e ka themeluar vetë.

Banorët e Hesenit jugor janë mikpritës, sidomos drejtori i akademisë, i cili i ka hapur shume dyer. Por toni i qasjes  së tyre është i ndryshëm nga ai që mbretëron në mes të kosovarëve, më i ftohtë. Gjë që sipas Gashit nuk është keq. “Atje (në Kosovë) njerëzit mendojnë se evropianët perëndimorë janë të ftohtë, por kjo nuk qëndron, Ata janë thjesht `shumë të zënë` thotë ai dhe shton se kjo i pëlqen.

Me paratë e çmimit që ka fituar ai do ta mbajë familjen mbi ujë për një kohë. Nganjëherë, si mbajtës i vetëm i familjes, Kushtrimi detyrohet të muzikojë nëpër festa private. Si kompozitor nuk mund të bëhesh i pasur, kështu është në gjithë botën”, thotë ai. Por ai është i vendosur që megjithatë të këmbëngulë në objektivin e tij profesional.

Një vend fiks pune si dirigjent, është synim afatgjatë i tij. Në Gjermani? Në Kosovë? Gjithçka është e hapur. Por nuk përjashtohet që ai të bëhet njëri nga ata mësimdhënësit që me bazament të fortë të përvojës nga jashtë dikur te kthehet në Prishtinë që të entuziazmojë atje brezin e ri me tonet e reja.

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriKushtrim Gashi
  • Prejardhja: Prishtinë-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Darmstadt-Gjermani
  • Profesioni:Kompozitor/Dirigjent