Soprano

Kulturë 

Mbrëmje kulturore

Në fundjavë qytetarët e Krefeldit dhe qyteteve të tjera përreth, si Dyseldorfi, Këlni apo Eseni kishin fatin që në ambientet e shkollës publike për të rriturit të përjetonin nga afë pjesë nga kultura shqiptare. Salla ishte mbushur plot, sa shumë mbetën edhe në këmbë. Mbrëmja nisi me dy valle shqiptare të interpretuara nga nxënësit e shkollës shqipe me mësuesin Adem Shala nga qyteti Viersener-it. Kryetarja e shoqatës gjermano – shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Arsim, IKB, Juna Kule-Mörsch në fjalën e saj vuri theksin në nevojën e një ure bashkëpunimi kulturor mes dy popujve.

 

Procesi i integrimit, i kuptuar si proces integrimi mes kulturave, po ndryshon kahje me kalimin e kohes. Në qoftë se ai filloi si proces me kahje shqiptaro-gjermane te individët e ardhur pas viteve ’90, me brezin e ri po vazhdon si proces me kahje gjermano-shqiptare. Fëmijët dhe të rinjtë e lindur mes kulturës gjermane duhet t’i përdorin avantazhet e kësaj kulture në dobi të përvetësimit dhe pasurimit të kulturës së tyre të origjinës, asaj shqiptare. Sepse nëpëmjet ballafaqimit të kulturave dhe përfitimit reciprok mes tyre ndërtohen ura të forta bashkëpunimi e miqësie mes popujve të Europës së shekullit të 21-të“.

 

Madhështia e kësaj mbrëmjeje arriti pa dyshim nga mysafirja e ardhur posaçërisht nga Tirana, sopranoja e njohur Alma Strazimiri. Me këngët perlë të muzikës shqiptare si „Vajta, kalova“, Moj e bukura More“ apo“Lule Borë“ dhe „Margjelo“ ajo elektrizoi të gjithë sallën, madje këngët u kënduan së bashku me të pranishmit. Edhe pse ishte hera e parë që këndonte në Gjermani, Alma arriti ta bëjë për vete gjithë publikun në sallë, veçanërisht mysafirët gjermanë. „Për mua është hera e parë që jam në Gjermani me një repertor tërësisht me muzikë popullore të përpunuar të ngritur në art nga Lola Gjoka dhe Raul Domi. Ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua, sepse kisha një auditor vërtet të veçantë. U përpoqa që gjithçka e imja të shkonte tek spektatori, pra që me gjithë shpirt unë të jem tek ai. Suksesin ia dedikoj vërtetësisë sime dhe spontanitetit, duke qenë e zhveshur nga komplekset në skenë“, thotë për Deutsche Welle, këngëtarja Strazimiri.

Shumë interesant mbrëmjen e bëri edhe paraqitja e një video-bandi me pjesë filmash të interpretuara nga artisti shqiptaro-gjerman Kasem Hoxha. Ai erdhi në Gjermani bashkë me refugjatët e 2 korrikut 1990 duke marrë me vete edhe ëndrrën për t’u bërë aktor. Sot ai numëron një sërë rolesh kryesorë dhe të dytë në filma të prodhimit gjerman, gjermano-austriakë, shqiptar, italian, etj. Së shpejti ai do të jetë i pranishëm në filmin e njohur televiziv Tatort „NICK2“ me regji të Christian Alvart. Në fjalën e tij përshëndetëse, artsiti Hoxha vlerësoi iniciativën e ndërmarrë nga shqiptarët, por edhe mbështetjen që i ka dhënë qyteti i Krefeldit kësaj iniciative, e cila sipas tij bën të mundur pasurimin dhe ringjalljen e një kulture kaq të mrekullueshme siç është kultura shqiptare.

Por as shoqata dhe as mbrëmja kulturore nuk do të kishin kuptim pa kontributin e violinistes së njohur Migen Begolli. Ajo bashkë me Juna Kule-Mörsch ishin iniciatoret e formimit të një shoqate të tillë që megjithë vështirësitë e para si fillim janë të bindura se me përpjekje do të arrijnë t’i realizojnë synimet e tyre. „Unë mendoj se ne shqiptarët kemi një kulturë të vjetër dhe mjaft interesante, e cila pritet shumë mirë në Gjermani. Në prag të festave të nëntorit ne menduam që ta organizojmë këtë aktivitet me artistë të njohur duke krijuar një ambjent të ngrohtë për vetë shqiptarët që jetojnë këtu si dhe për gjermanët me të cilët ndajmë të njëjtin vend. E gjitha kjo sigurisht që nuk bëhet lehtë, ka vështirësitë e veta. Por edhe veshtirsitë janë relative. Unë mendoj se kur njeriu do të arrij diçka, me përpjekje e arrin“, thotë për Deutsche Welle, violinistja Begolli.

Por Juna dhe Migeni nuk janë vetëm organizatore të kësaj mbrëmjeje. Ato ishin pjesë edhe të koncertit: Juna në piano dhe Migen në violinë. Pjesët instrumentale me violinë u shoqëruan edhe nga Fernando Nina në violinçel dhe nga Paolo Dinuzzi në bas. Mjaft prekëse ishte dhe kënga “Moj e bukura Arbëri”, e cila u interpretua nga nxënësja 12 vjeçare, Donika Imeri. Suprizë për të pranishmit e kësaj mbrëmjeje ishin edhe këngë lirike të kënduara nga Dorina Porodini dhe Miriam Suarrez-Argueta si dhe grupi gjermano-grek i valleve popullore, „Odysseas”, duke i dhënë gjithë ambjentit një atmosferë më të gjerë multikulturore. Alfred Mançe nga Brühl-i e cilësoi dinjitoz koncertin: „Iniciativa e kësaj mbrëmjeje më pëlqeu jashtë mase, por pjesa më e bukur ishte hapësira e gjerë e folklorit shqiptar, e muzikës shqiptare. Për mua vlen të veçohen këngët e zhanrit operistik që u intepretuan nga një artiste shumë e madhe. Mendoj se ishte një mbrëmje shumë dinjitoze. Ndërsa Hermann Heitmann i ka lënë përshtypje veçanërisht kënga “Lule Borë” dhe vallet shqiptare të interpretuara nga nxënësit. “Ishte vërtët një mbrëmje e bukur dhe interesante. Muzika shqiptare tingëllon shumë melankolike, sidomos kënga “Lule Borë”, por edhe valltarët sollën vërtet një përjetim tipik shqiptar“

 

Entuziast u shpreh për Deutsche Welle edhe mësuesi Rifat Hamiti. „Ishte një kënaqësi e rallë. Shqiptarët definitivisht duhet të paraqiten me këtë nivel kulturor para gjermanëve. Ne duhet të tregojmë vërtet vlerat tona kulturore. Unë jam shumë i entuziasmuar nga ky aktivitet”. Genti Mebelli që kishte ardhur nga Këlni dëshiron të ketë më tepër takime të tilla kulturore në të ardhmen. “Kjo ishte një mbrëmje fantastike. Dëshira ime është që të ketë edhe aktivitete të tjera në vijim me një numër më të madh pjesëmarsish. Ishte një mbrëmje shumë e veçantë, kishte një nivel shumë të lartë, qoftë nga ana kulturore, qoftë nga ana muzikore dhe qoftë nga ana instrumentale”.

Moderatori i mbrëmjes Thomas Warnecke, i cili bëri një prezantim fantastik, e vlerësoi shumë të gjithë programin. Unë besoj se të gjithë mbetën të kënaqur me programin. Unë vetë kam përshtypjet më të mira për këtë aktivitet pasi ishte shumë i larmishëm, me artistë profesionistë dhe amatorë dhe të brezave të ndryshëm. I tërë aktiviteti ishte një prezantim shumë cilësor“. Këtë aktivitet e përshëndetën edhe Doris Schlimnat, zevëndësdrejtore e shkollës publike (VHS) të Krefeldit, dhe Ante-Dragan Franjicevic, Kryetar i Qarkut për Integrim dhe Migracion. Vetë kryetarja e shoqatës Juna Kule-Mörsch shprehet optimiste për misionin e saj. „Unë nuk e kisha llogaritur që do të kemi një rezonancë kaq pozitive dhe kaq mbështetëse. Por jam e vetëdijshme që në të ardhmen na pret një punë shumë e madhe për të pasur aktivitete të një niveli më të lartë. Megjithatë, kam besim se do t’ja arrijmë, sepse dëshira është shumë e madhe”

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriKulturë 
  • Profesioni:Mbrëmje kulturore

  WHO’S WHO të tjera