Lajme
Mbledhja e qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të mbahet këtë verë
Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut pritet të mbahet këtë verë. Për këtë mbledhje po kërkohet që të ketë përgatitje të mirë dhe agjendë të qartë nga ana e dy qeverive.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, thotë se përmes kësaj mbledhjeje duhet të dëshmohet bashkëpunimi rajonal.
Bytyqi në një intervistë për KosovaPress thekson përkrahjen e Maqedonisë së Veriut për dialogun Kosovë – Serbi, duke respektuar interesat e të dy palëve.
“Si qeveri përkrahim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke respektuar të drejtën e çdonjërit, por duke respektuar edhe interesin e çdo pale dhe gjetjen e zgjidhjes së përbashkët. Mendojmë se vetëm nëpërmjet bisedimit mund të arrihen të tejkalohen vështirësitë”, thekson ai.
Duke folur për ballafaqimin me pandeminë, ai thotë se bashkëpunimi rajonal është kyç për rimëkëmbjen ekonomike.
“Është e rëndësishme që mbledhja e dy qeverive të përgatitet mirë, me një agjendë shumë të qartë dhe me rezultate konkrete, sepse në fakt, ajo çfarë unë pres është që edhe një herë të tregojmë që bashkëpunimi rajonal është kyç, jo vetëm me operu, por në periudhën post-COVID bashkëpunimi rajonal do të jetë kryesor për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht vendeve që janë fqinje. Prandaj, mendoj se shumë shpejt, duke u intensifikuar parapërgatitjet, do të kemi mundësinë, nëse arrihet të bëhet gjatë periudhës së verës do të ishte shumë mirë. Mendoj se duhet t’i paraprijmë sfidave që na presin në periudhën post-COVID”, tha ai.
Ai përshëndet edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin të Zi dhe Serbinë, duke thënë se ky vendim dëshmon se vendet e Ballkanit Perëndimor janë më të pjekura se vetë Bashkimi Evropian.
Sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kapërdijnë sfidat e vjetra, në mënyrë që të kalojnë në një fazë të re të zhvillimit dhe bashkëjetesës të të gjithëve.
“Është vendim i shekullit 21, i lidhur me 4 liritë e Bashkimit Evropian. Lëvizja e lirë e qytetarëve që duhet të gjithë ta synojnë. Kjo dëshmon se ne, politikanët e Ballkanit Perëndimor ndonjëherë me vendimet tona jemi më të pjekur sesa ata vet, të cilët flasin për liritë e BE-së. Qeveria në Republikën e Kosovës, por edhe qeveritë e Ballkanit e kuptuan se duhet të bëjnë hap përpara sepse e kuptuan që integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk bëhet kur dikush tjetër e vendos, por bëhet së bashku duke treguar dhe dëshmuar me rezultate konkrete se çfarë duhet të bëjmë ne si rajon së pari, pastaj duke u integruar në BE”, thotë ai.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut thotë se për një ekonomi të qëndrueshme duhet të ketë stabilitet politik dhe ekonomik. Teksa shton se qeveritë duhet të ofrojnë parashikueshmëri në mënyrë që të mund të sjellin investime të reja.
“Për një ekonomi të qëndrueshme dhe me mundësi zhvillimi duhet të ketë stabilitet ekonomik. Fatkeqësisht ne në Ballkanin Perëndimor jemi shumë të brishtë si vende dhe shumë lehtë mund të vijmë tek një jostabilitet politik. Ajo çfarë duhet të synojmë ne si qeveri, është që ekonomisë dhe bizneseve t’iu ofrojmë parashikueshmëri qoftë në aspektin legjislativ, ose edhe të politikave që ne sjellim, sepse vetëm parashikueshmëria mund të sjellë investime të reja… Ne gjatë periudhës së pandemisë, pa marrë parasysh qeveritë në vende të ndryshme, treguam se kur duam t’i ndihmojmë njëri-tjetrit edhe arrijmë marrëveshje të ndryshme të lehta, si korridoret e gjelbra, që dëshmuan se Ballkani Perëndimor shumë lehtë arriti të krijojë korridoret e lëvizjes së mallrave dhe ushqimeve që ishte esenciale për qytetarët tanë. Dhe, ky shembull duhet të shfrytëzohet për të gjithë Ballkanin dhe Bashkimin Evropian, sepse kjo tregon se ne jemi të gatshëm të kapërcejmë pengesat që i kemi pasur më parë për të mirën e qytetarëve tanë”, thekson ai./Kosovapress
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën Në Ditën Kombëtare të Diasporës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin për Diasporën, i cili synon... -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau -
Projekti “The Guestkeepers – Miqtë e vizitorëve” nis me fazën e parë të trajnimeve
Jeta në Zvicër
-
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë Vaksina kundër gripit po mungon në shumë pjesë të Zvicrës, përfshirë kantonin e Lucernës, si pasojë... -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
UBS planifikon shkurtime vendesh pune në janar -
Edhe Kantoni i Fribourgut thotë “jo” për telefonat celularë në shkollë -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau









