Lajme
Nju-Jork: Banorët pa shtetësi amerikane lejohen të votojnë në zgjedhjet lokale
Këshilli i Bashkisë së Nju-Jorkut votoi që banorët pa shtetësi amerikane të votojnë në zgjedhjet lokale. Ky vendim u mundëson rreth 800 mijë banorëve joshtetas të qytetit që për herë të parë të thonë fjalën e tyre.
Nuk është diçka që e sheh çdo ditë. Dy herë në javë në një shëtitore të qytetit organizohen klasë të vallëzimit tango.
Kjo është Jackelin Godoy. Së shpejti ajo do të bëjë diçka që askush nuk e pret dhe që do ta bëjë të ndihet tamam njujorkeze.
Zonja Godoy nuk është shtetase amerikane, por tani ajo mund të votojë në zgjedhjet lokale të qytetit të Nju-Jorkut. Shumë më ndryshe sesa votimi në vendlindjen e saj në Venezuelë, thotë ajo.
“Dihet se atje zgjedhjet ishin të manipuluara. Këtu keni një lloj garancie. Ndjeheni sikur vota juaj ka rëndësi”, thotë votuesja e re joshtetase.
Këtë javë, Këshilli Bashkiak i Nju-Jorkut miratoi një ligj që u mundëson më shumë se 800 mijë banorëve të votojnë. Vendimi përfshin qytetarët me të drejtë pune, banorët e përhershëm, banorët pa dokumente që kanë hyrë në SHBA në moshë minore dhe të tjerë joshtetas të ligjshëm.
Qyteti i Nju-Jorkut nuk është i pari që merr këtë vendim. Disa qytete në Merilend, Vermont dhe Kaliforni lejojnë votimin e joshtetasve. Por kjo ide nuk pritet të zgjerohet në zgjedhjet shtetërore ose federale.
“Mendoj se në nivelin federal, jo. Nisur nga Kongresi aktual, nuk pritet. Në nivel shtetëror është e mundur që të ketë më shumë rezistencë”, thotë profesori Richard Briffault.
Rrugëve të qytetit më të populluar në vend, vendimin e shohin si pozitiv.
“Ata janë pjesë e shkollave, universiteteve dhe punojnë këtu. Ata kontribuojnë për shoqërinë tonë. Pse të mos kenë të drejtën për të votuar?”, thotë Melissa Rojas.
“Pavarësisht nëse ke jetuar këtu 30 ditë apo 30 vjet, duhet të trajtohemi në mënyrë të barabartë”, thotë një banor tjetër.
Të gjesh dikë që kundërshton vendimin nuk është e lehtë në këtë qytet me më shumë se tre milionë emigrantë. Por ka disa.
“Ata duhet të jenë të kënaqur nëse lihen të jetojnë dhe të kenë të drejtën që të paktën të punojnë këtu”, thotë James Crisp.
Ndërkohë, senatori republikan i shtetit të Nju-Jorkut, Rob Ortt, tha se lejimi i joshtetasve të votojnë është vendim i gabuar, pasi zhvlerëson votat e qytetarëve amerikanë dhe është mungesë respekti për emigrantët që punojnë për shtetësinë dhe privilegjin për të votuar.
Organizimi i zgjedhjeve do të kërkojë angazhim shtesë për krijimin e dy llojeve të fletëvotimeve, një proces që kërkon angazhimin e institucioneve shtetërore dhe federale.
“Do të jetë një sfidë administrative që zgjedhjet të bëhen ashtu siç duhet”, thotë profesori Briffault nga Universiteti Columbia.
Një shprehje thotë se duhen dy veta për të vallëzuar tango. Zonja Godoy thotë se në zgjedhjet e para do të votojë për një kandidat, ashtu siç zgjedh partnerin e kërcimit – dikë që e kupton atë dhe tek i cili mund të besojë./VOA
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Ndërmjet Washingtonit, Strasburgut dhe Zvicrës: LUGINAS po ndërton një model inovativ të organizimit për diasporën Intervistë e albinfo.ch me kryesinë e Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër... -
Bernë
Filmi “La Beauté de l’Âne” shfaqet në Bernë në kuadër të javës së Frankofonisë -
Gjermani
I jepet sot lamtumira e fundit 17-vjeçarit nga Kosova që vdiq pas aksidentit në Gjermani -
Londër
Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli -
Erdhi për pushime në Kosovë, mërgimtari vritet nga e dashura
Jeta në Zvicër
-
Zvicra mund të përballet me mungesë energjie këtë dimër Zvicra rrezikon një mungesë të energjisë elektrike këtë dimër, sipas një studimi të ri të kompanisë... -
Dhuna në familje: Pse janë të rinjtë më të cenueshëm? -
Policia e St. Gallen lufton pedofilinë online – hapen 21 procedura penale -
Pse është kaq e vështirë të ndryshosh karrierë në Zvicër? -
Në Zvicër, një në pesë të moshuar heq dorë nga kujdesi mjekësor për arsye financiare














