Lajme

Studimi i OECD-së: Zvicranët kanë besimin më të lartë te qeveria

Qytetarët në Zvicër besojnë te institucionet më shumë se në vendet e tjera të OECD-së

Banorët e Zvicrës kanë më shumë besim te institucionet publike sesa qytetarët e shumicës së vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), sipas një studimi të publikuar të hënën, transmeton albinfo.ch.

Studimi, i cili analizoi nivelin e besimit në institucionet shtetërore në 38 vendet anëtare të OECD-së, tregon se 62 për qind e popullsisë së Zvicrës shpreh besim ndaj qeverisë kombëtare.

Me këtë rezultat, Zvicra renditet në krye të vendeve me nivelin më të lartë të besimit institucional, duke lënë pas Islandën me 59 për qind, Norvegjinë me 57 për qind dhe Luksemburgun me 55 për qind.

Raporti i OECD-së vlerëson se niveli i lartë i besimit në institucionet publike është një tregues i rëndësishëm i stabilitetit politik, transparencës dhe cilësisë së qeverisjes, fusha në të cilat Zvicra vazhdon të renditet ndër vendet më të suksesshme. /Albinfo.ch