Kosova
Nga sot paga minimale 500 euro në Kosovë
Nga sot hyn në fuqi paga minimale prej 500 eurosh në Kosovë, paralajmërohen kontrolle për zbatimin
Nga sot (1 korrik), në Kosovë ka hyrë në fuqi paga minimale prej 500 eurosh bruto, duke shënuar fazën e dytë të zbatimit të vendimit të Qeverisë, pas rritjes në 425 euro bruto që ishte bërë më 1 janar të këtij viti, transmeton albinfo.ch.
Megjithëse vendimi synon përmirësimin e pozitës së punëtorëve, përfaqësuesit e sindikatave dhe institucionet përgjegjëse pranojnë se mbetet sfidë zbatimi i tij në disa sektorë.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka shprehur skepticizëm se paga minimale do të respektohet nga kompanitë që kanë kontrata me institucionet shtetërore dhe komunale.
Sipas tij, ka ende kompani që nuk kanë zbatuar as pagën minimale prej 425 eurosh, duke ngritur dyshime se i njëjti problem mund të vazhdojë edhe me pagën e re.
Edhe Inspektorati Qendror i Punës ka pranuar se sektorët e pastrimit dhe sigurisë fizike paraqesin rrezikun më të madh për moszbatimin e vendimit. Institucioni ka bërë të ditur se ndaj bizneseve që konstatohet se nuk respektojnë pagën minimale do të iniciohen procedura kundërvajtëse, ndërsa inspektimet do të vazhdojnë sipas analizës së rrezikut.
Ndërkohë, qytetarët kanë reaguar në mënyra të ndryshme ndaj rritjes së pagës minimale. Shumë prej tyre vlerësojnë se, pavarësisht rritjes, 500 euro nuk janë të mjaftueshme për të përballuar koston e jetesës dhe rritjen e vazhdueshme të çmimeve, duke konsideruar se paga minimale duhet të jetë edhe më e lartë.
Sipas një raporti të Instituti GAP, paga minimale në Kosovë kishte mbetur e pandryshuar për 12 vjet, nga viti 2011 deri në vitin 2023. Gjatë asaj periudhe, ajo ishte 130 euro bruto për punëtorët nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro bruto për ata mbi 35 vjeç.
Në vitin 2023, diferencimi sipas moshës u hoq dhe paga minimale u unifikua në 264 euro bruto për të gjithë punëtorët. Më pas ajo u rrit në 350 euro në vitin 2024, në 425 euro më 1 janar 2026 dhe, duke filluar nga sot, arrin në 500 euro bruto. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Gjermani
LAPSH Bavari organizon seminar për mësuesit shqiptarë, në fokus cilësia e mësimit në diasporë Trajnimi në Dachau mblodhi mësues, përfaqësues institucionesh dhe ekspertë të arsimit, me synim forcimin e mësimdhënies... -
Gjermani
Artistja kosovare Albe Hamiti përfaqëson Kosovën në bienalen prestigjioze Manifesta 16 në Gjermani -
Itali
Studentja nga Kosova fiton vendin e parë në një garë prestigjioze të modës në Itali -
Gjermani
Talenti shqiptar në Gjermani që firmosi kontratë me Adidas -
Artisti shqiptar nga Kanadaja, Zeqirija Rexhepi, hap ekspozitë në Berat
Jeta në Zvicër
-
Stuhia “paralizon” Aeroportin e Cyrihut, anulohen 70 fluturime Moti i keq shkaktoi devijime, anulime dhe vonesa të shumta, ndërsa dhjetëra pasagjerë mbetën të bllokuar... -
Një tjetër valë stuhish godet Zvicrën, autoritetet paralajmërojnë për përmbytje dhe breshër -
Stuhi të fuqishme godasin Zvicrën: Rrugë të përmbytura, fluturime të anuluara dhe qindra ndërhyrje të zjarrfikësve -
Një stuhi e fortë goditi Cyrihun dhe pjesë të tjera të Zvicrës -
Zvicra regjistron qershorin e tretë më të nxehtë












