Lajme

Pamje e rrallë në Liqenin e Konstancës, shfaqet një “tornado uji” gjigant

Qytetarët në Zvicër mbetën të habitur nga fenomeni i rrallë atmosferik.

Një fenomen i rrallë atmosferik është shfaqur të mërkurën mbi Liqenin e Konstancës (Bodensee), ku shumë qytetarë raportuan se panë një “tornado uji” (waterspout) me përmasa të pazakonta, transmeton albinfo.ch.

“Po kthehesha në shtëpi nga Romanshorni dhe nuk kam parë kurrë më parë një tornado uji kaq të madhe”, tha një dëshmitar.

Fenomeni krijoi një kolonë rrotulluese që shtrihej nga sipërfaqja e liqenit deri në re, duke tërhequr vëmendjen e shumë banorëve dhe kalimtarëve.

Sipas meteorologëve, tornadoja e ujit formohet kur ajri i ngrohtë dhe i lagësht ngrihet lart, ftohet dhe kondensohet. Rrymat e erës në lartësi të ndryshme krijojnë një lëvizje rrotulluese, e cila formon një re në trajtë hinke. Kur kjo preket me sipërfaqen e ujit, krijohet fenomeni i njohur si tornado uji.

Fenomene të tilla janë shumë të rralla në Liqenin e Konstancës dhe zakonisht shfaqen në fund të verës ose gjatë vjeshtës./Albinfo.ch