Kosova

Kurti: Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje

Kryeministri në detyrë tha se synimi është forcimi i kapaciteteve ushtarake, përfshirë ndërtimin e fabrikës së municioneve dhe rritjen e numrit të grave në ushtri.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në mandatin e ardhshëm qeverisës synohet një investim prej 1 miliard eurosh në sektorin e mbrojtjes, përcjell albinfo.ch.

Deklarata u bë gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku Kurti prezantoi planet për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake të vendit.

“Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro, do t’i kemi 1 mijë vajza pjesë të ushtrisë sonë. Do ta kemi fabrikën tonë për prodhimin e municioneve, do t’i kemi municionet tona, por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të kemi ushtarakë më të përgatitur e më të shkolluar se asnjëherë më parë, sepse pjesë e ushtrisë sonë janë pikërisht këto vajza”, tha Kurti.

Ai theksoi se përveç investimeve në infrastrukturë dhe pajisje ushtarake, prioritet do të mbetet edhe përgatitja profesionale e pjesëtarëve të FSK-së, duke e cilësuar zhvillimin e kuadrove si elementin më të rëndësishëm për forcimin e mbrojtjes së Kosovës.