Lajme

Policia e gjobit me 400 euro mërgimtarin që voziti mbi trotuar në Pejë

Shoferi me targa gjermane u identifikua pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ndërsa zgjodhi dyfishimin e gjobës në vend të ndalimit të patentës

Policia e Kosovës ka identifikuar dhe gjobitur drejtuesin e një automjeti, i cili u filmua duke kryer kundërvajtje të rënda në komunikacion në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë, transmeton albinfo.ch. 

Sipas njoftimit të policisë, më 25 korrik 2026 një portal publikoi në Facebook një videoincizim, ku shihej një veturë e tipit Mercedes me targa të Gjermanisë duke tejkaluar kolonën e automjeteve nga krahu i djathtë, duke lëvizur më pas mbi trotuar dhe duke u rikthyer sërish në korsinë e rrugës.

Pas analizimit të pamjeve, njësia e trafikut në Pejë arriti ta identifikojë shoferin, ndaj të cilit u shqiptua një gjobë prej 400 eurosh për shkeljet e konstatuara.

Policia bëri të ditur se, me pëlqimin e drejtuesit të automjetit, u aplikua dispozita e paraparë me Ligjin nr. 08/L-186 për Rregullat e Komunikacionit Rrugor, e cila u mundëson poseduesve të patentë-shoferëve të lëshuara nga shtete të huaja të zgjedhin dyfishimin e gjobës monetare në vend të masës së ndalimit të drejtimit të automjetit për tre muaj.

Autoritetet rikujtojnë se respektimi i rregullave të komunikacionit është i domosdoshëm për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik dhe se shkeljet e tilla do të trajtohen me seriozitet./Albinfo.ch