Kosova

BE-ja, e gatshme të mirëpresë Kurtin e Vuçiqin në takim

Bashkimi Evropian ka komentuar sërish situatën në veri të Kosovës, duke thënë se të dyja palët duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për shtensionim të situatës.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë të hënën.

Ai ka thënë se BE-ja është gjithmonë e gatshme të mirëpres, në takim të nivelit të lartë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

“Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të mirëpresim në takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kur kushtet të krijohen dhe kur ata të dy të pajtohen për diçka të tillë. Por në këtë fazë më e rëndësishmja është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë”, ka deklaruar Stano.

Ai më tej shtoi se pikërisht për të ulur tensionet, sot dhe nesër në Prishtinë dhe Beograd do të jenë i dërguari i BE-së për dialogun, Mirolsav Lajçak dhe ai amerikan, Gabriel Escobar.

“Pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së Miroslav Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë vendet anëtare për të vendosur për hapat e mëtejmë”, ka thënë Stano.