Kosova

BE-ja kërkon zgjedhje në veri

BE-ja u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të ndërmarrin masa “për depërshkallëzim, të ndalojnë retorikën përçarëse dhe veprimet e mëtejme të pakoordinuara”.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të rrepta. Dështimi për t’i ulur tensionet do të rezultojë me pasoja negative”, thuhet në deklaratën e BE-së, shkruan koha.net.

Tutje i është kërkuar Kosovës që po ashtu menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri dhe që kryetarët e zgjedhur të kryejnë funksionet nga objekte alternative.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.

BE thotë se është e shqetësuar me ngritjen e gatishmërisë së ushtrisë nga Serbia.

“Bashkimi Evropian pret nga Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur zgjidhje për situatën në veri, që garanton siguri dhe pjesëmarrje për të gjithë qytetarët. Diçka e tillë hap rrugë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër, dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet tutje, përcjell albinfo.ch.