Prishtina, kryeqyteti më i lirë në Evropë

Prishtina është renditur si kryeqyteti më i lirë në Evropë sipas indeksit të kostos së jetesës, qirave, çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve në restorante.

Grafiku i publikuar nga Radio Evropa e Lirë (REL), duke u mbështetur në të dhënat e Numbeo, tregon se qyteti ynë është dukshëm më i lirë se shumë kryeqytete të tjera evropiane, por njëkohësisht edhe fuqia blerëse e banorëve mbetet ndër më të ulëtat, transmeton albinfo.ch.

Numbeo krahasoi qytetet e ndryshme të Evropës me Nju Jorkun, ku një indeks me vlerë 80 tregon se qyteti është 20% më i lirë se Nju Jorku, ndërsa një indeks me vlerë 120 tregon se qyteti është 20% më i shtrenjtë.

Sipas këtij krahasimi, Prishtina rezulton si qyteti më i lirë i Evropës, duke u pozicionuar në grupin e qyteteve më të përballueshme (Grupi 5).

Megjithatë, relatimi i REL thekson se, megjithë çmimet më të ulëta, fuqia blerëse e qytetarëve të Prishtinës është e ulët. Sipas të dhënave, një banor i Prishtinës ka mundësi të blejë rreth 35% më pak mallra e shërbime se një banor i Nju Jorkut, duke treguar se paga dhe të ardhurat mbeten faktor kyç që kufizon standardin e jetesës.

Në krahasim me kryeqytetet e tjera të Ballkanit, Prishtina i lë pas edhe disa nga qytetet më të përballueshme, por për nga fuqia blerëse mbetet në një pozicion të ngjashëm me vendet e tjera të rajonit. Në renditjen e përgjithshme, pas Prishtinës, më të ulëta në fuqi blerëse janë qytetet si Athina, Shkupi, Beogradi, Lisbona, Kievi, Kishinevi dhe Tirana.

https://www.evropaelire.org/a/kryqyteti-prishtina-me-e-lira-ne-evrope-/33662322.html

Kurti paralajmëron kabinet të ri qeveritar, priten emra të rinj në “Kurti 3”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar “Kurti 3”, duke theksuar se lista e ministrave nuk do të jetë identike me atë që kishte prezantuar më herët në Kuvend. Ai ka bërë të ditur se disa prej emrave të propozuar më parë do të mbesin, por do të ketë edhe kandidatë të rinj, transmeton albinfo.ch.

Deklaratën Kurti e bëri pas përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë. Ai rikujtoi se më 26 tetor 2025 kishte dështuar të siguronte shumicën parlamentare për formimin e qeverisë, gjatë periudhës së bllokadës në Kuvend.

Në listën e mëparshme të propozuar nga Kurti ishin përfshirë disa emra të rinj, ndërsa jashtë saj kishin mbetur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Për postin e ministrit të Infrastrukturës ishte propozuar kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ndërsa ministria e re për Familje dhe Mirëqenie Sociale ishte paraparë të udhëhiqej nga Andin Hoti. Në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit ishte propozuar aktori Fatmir Spahiu, ndërsa Fitore Pacolli ishte nominuar për ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Po ashtu, Donika Gërvalla ishte propozuar për të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kishin propozuar edhe rritjen e numrit të ministrive nga 15 në 19. Kryeministri në detyrë ka theksuar nevojën që Kuvendi të formohet sa më shpejt, në mënyrë që të miratohen marrëveshje ndërkombëtare me vlerë qindra miliona euro, si dhe buxheti i vendit.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave, rezultat që i mundëson formimin e qeverisë në bashkëpunim me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë.

Mbretëria e Bashkuar prezanton eVisa për udhëtarët nga Kosova

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka njoftuar se sistemi i imigracionit britanik po kalon në një format tërësisht dixhital. Sipas njoftimit, nga 25 shkurti 2026, vizitorët që kanë nevojë për vizë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar do të pajisen vetëm me vizë elektronike (eVisa), transmeton albinfo.ch. 

Autoritetet britanike bëjnë të ditur se vizat elektronike do të zëvendësojnë ngjitëset tradicionale në pasaporta. Një eVisa përfaqëson një regjistër dixhital që përmban identitetin dhe statusin e imigracionit të udhëtarit, duke përfshirë edhe kushtet e qëndrimit, siç janë lejet për punë apo studim në Mbretërinë e Bashkuar. /Albinfo.ch 

Kërset grushti në futbollin e të rinjve në Zvicër

Dhuna në futbollin e të rinjve në Zvicër po bëhet një problem gjithnjë e më shqetësues. Fundjavën e kaluar, gjatë një turneu futbolli për të rinj në Pratteln, kantoni Basel-Landschaft, trajnerja e skuadrës fituese nga Berni u sulmua fizikisht nga rreth dhjetë persona të lidhur me FC Concordia Basel. Pas incidentit, ajo u detyrua të merrte trajtim mjekësor, trasmeton albinfo.ch.

Ky nuk është rasti i parë i dhunës në futbollin amator të të rinjve. Disa nga ngjarjet më shqetësuese janë:

Aargau: Babai i një futbollisti sulmon arbitrin
Në verën e vitit 2025, pas një ndeshjeje të C-Juniorëve mes SC Schöftland dhe FC Villmergen, babai i një lojtari humbi qetësinë dhe i dha arbitrit një shpullë të fortë, pas një debati fillestar. Ngjarja përfundoi me një dënim penal për sulm ndaj arbitrit.

Aargau: Sulm ndaj lojtarëve të FC Mutschellen
Në prill 2025, gjatë gjysmëfinales së Kupës për A-Juniorë mes FC Menzo Reinach dhe FC Mutschellen, vendimi për fituesin u mor vetëm pas gjuajtjes së penalltive. Pas fitores së FC Mutschellen, lojtarët u sulmuan nga kundërshtarët dhe tifozët, dhe disa prej tyre pësuan lëndime.

Pas këtij incidenti, Federata e Futbollit e Aargaut ndërhyri me masa të ashpra: skuadrat e FC Menzo Reinach në ligën e katërt u përjashtuan nga sezoni në vazhdim, dhe rihyrja e tyre në kategoritë Juniorë A dhe Aktive do të jetë e mundur vetëm pas 30 qershorit 2027. Përveç kësaj, u vendosën gjoba totale prej 8,500 frangash. /Albinfo.ch

Video: Këtu

Grand Slami i Parisit nis këtë fundjavë, Kosova me gjashtë xhudistë në garë

Në fundjavë, Parisi do të jetë qendra botërore e xhudos, me zhvillimin e Grand Slamit të Parisit, i cili konsiderohet gara më prestigjioze dhe më e famshme e këtij sporti. Kjo ngjarje dallon për numrin e madh të shikuesve, shpesh mbi 15 mijë në blloqet finale – për arenën madhështore “Bercy”, si dhe për pjesëmarrjen e xhudistëve më të mirë në botë, përcjell albinfo.ch.

Atmosfera në Paris është unike edhe për shkak të kulturës së fortë të xhudos në Francë. Një pjesë e madhe e publikut janë njohës të mirë të sportit, teknikave dhe rregullave, çka e bën garën edhe më spektakolare.

Turneu zhvillohet gjatë dy ditëve, të shtunën dhe të dielën, ndërsa këtë vit janë regjistruar 518 garues nga 81 shtete të ndryshme. Të gjitha ndeshjet e xhudistëve kosovarë zhvillohen të shtunën.

Kosova përfaqësohet me pesë xhudiste dhe një xhudist.
Në konkurrencën e femrave garojnë:

Erza Muminoviq (deri 48 kg),

Distria Krasniqi dhe Fationa Kasapi (deri 52 kg),

Flaka Loxha (deri 57 kg),

Laura Fazliu (deri 63 kg).

Në konkurrencën e meshkujve, Akil Gjakova garon në kategorinë deri 73 kilogramë.

Pos Distria Krasniqit, Laura Fazliut dhe Akil Gjakovës, të cilët janë sportistët më të suksesshëm që ka aktualisht Kosova, ekipin e përbëjnë edhe Erza Muminoviq, Fationa Kasapi dhe Flaka Loxha, të cilat fituan medalje fundjavën e kaluar në “European Open” në Sofje të Bullgarisë.

Distria Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe një nga pretendentet kryesore për medalje. Konkurrencë pritet t’i bëjnë emra të njohur si gjermanja Mascha Ballhaus, spanjollja Ayumi Leiva Sanchez, francezja Amandine Buchard, hungarezja Reka Pupp, italiania Odette Giuffrida, si dhe dy xhudistet japoneze.

Distria ka një histori të jashtëzakonshme në Paris: ka fituar medalje të arta në vitet 2020, 2023 dhe 2024, medalje të argjendta në 2019 dhe 2022, si dhe medalje të bronzta në 2017, 2018 dhe 2025. Në total, ajo ka tetë medalje në këtë Grand Slam.

Laura Fazliu është bartësja e katërt në kategorinë deri 63 kilogramë. Më lart se ajo në renditje janë Iva Oberan (Kroaci), Joanne van Lieshout (Holandë) dhe Kirari Yamaguchi (Japoni). Laura synon medaljen e saj të parë në Grand Slamin e Parisit.

Ndërkohë, Akil Gjakova, për shkak të një mungese të gjatë nga garat si pasojë e lëndimit, nuk është bartës në këtë edicion. Ai nuk ka garuar që nga qershori i vitit të kaluar. Megjithatë, Gjakova ka histori suksesi në Paris: ka fituar medaljen e artë në vitin 2018, ishte i dyti vitin e kaluar dhe i treti në vitin 2024.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, ka vlerësuar rëndësinë e veçantë të këtij turneu, duke theksuar se Parisi mbetet një bastion i përsosmërisë në xhudo dhe një vitrinë e nivelit më të lartë të këtij sporti.

Ky është edicioni i 52-të i turneut të Parisit dhe njëkohësisht gara e parë e vitit në Turin Botëror të xhudos, seri që përfshin ngjarjet më të mëdha dhe më prestigjioze të këtij sporti. /Albinfo.ch

Crans-Montana ndan 1 milion franga për viktimat e zjarrit dhe familjet e tyre

Komuna e Crans-Montana ka vendosur të ndajë 1 milion franga zvicerane për të mbështetur viktimat e zjarrit tragjik dhe familjet e tyre. Autoritetet lokale njoftuan të martën se shuma do t’i transferohet Fondacionit për Ndihmën e Viktimave të Zjarrit në Crans-Montana, i cili është aktualisht në proces themelimi, përcjell albinfo.ch.

Vendimi vjen pas zjarrit shkatërrues që shpërtheu në një bar lokal, ku 41 persona humbën jetën dhe 115 të tjerë u plagosën, duke tronditur komunitetin vendas dhe mbarë Zvicrën.

Kryetari i komunës, Nicolas Feraud, tha se ndihma financiare nuk mund të lehtësojë dhimbjen e shkaktuar nga tragjedia, por synon të ofrojë mbështetje konkrete për familjet e prekura.
“Jemi të vetëdijshëm se paratë nuk mund të fshijnë vuajtjen, por shpresojmë të ndihmojmë familjet e prekura dhe të tregojmë solidaritetin e komunitetit të Crans-Montana,” u shpreh ai.

Ndërkohë, në mesin e janarit, kantoni i Valais njoftoi se do të ndante urgjentisht nga 10,000 franga për çdo viktimë të shtruar në spital ose të ndjerë, përmes një fondacioni të pavarur.

Edhe Qeveria Federale Zvicerane ka deklaruar se viktimat dhe familjet e tyre mund të llogarisin në mbështetje financiare nga shteti, megjithëse detajet konkrete të kësaj ndihme ende nuk janë finalizuar. /Albinfo.ch

Perspektiva më të mira punësimi priten në Zvicër në tremujorin e parë të vitit 2026

Pavarësisht shkurtimeve të mëdha të vendeve të punës që janë paralajmëruar për këtë vit, ekspertët e Institutit Kërkimor Ekonomik KOF vlerësojnë se situata e punësimit në Zvicër do të përmirësohet më tej gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, përcjell albinfo.ch.

Sipas ekonomistëve të KOF-it, ky zhvillim pozitiv lidhet ngushtë me marrëveshjen për tarifat doganore mes Bernës dhe Uashingtonit, e cila u arrit në mesin e muajit nëntor. Marrëveshja pritet të ketë ndikim të favorshëm në klimën ekonomike dhe besimin e bizneseve.

Vlerësimet për tremujorin e parë të vitit 2026 bazohen në rezultatet e një ankete të realizuar nga KOF gjatë muajit janar, ku morën pjesë rreth 4.500 kompani nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë zvicerane.

Sipas institutit, pritshmëritë pozitive të bizneseve tregojnë për një stabilizim gradual të tregut të punës dhe një rritje të mundshme të mundësive për punësim në muajt e ardhshëm. /Albinfo.ch

RCC: Gjysma e shqiptarëve në pasiguri financiare

Më shumë se gjysma e familjeve në Shqipëri nuk janë në gjendje të përballojnë një shpenzim emergjent prej 1,000 euro, duke e renditur vendin me nivelin më të lartë të pasigurisë financiare në Ballkanin Perëndimor për vitin 2025.

Sipas të dhënave të anketës “Security Meter 2025” dhe studimit të realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), 54.5% e të anketuarve në Shqipëri deklarojnë se nuk do të mund ta mbulonin në mënyrë të pavarur një shpenzim të tillë të papritur. Kjo shifër përfaqëson një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2024, kur përqindja ishte 53.3%.

Pas Shqipërisë, Maqedonia e Veriut shfaq gjithashtu një nivel të lartë pasigurie financiare, me 48.1% të popullsisë që në vitin 2025 deklaron se nuk është në gjendje të menaxhojë një kosto emergjente prej 1,000 euro.

Në të kundërt, Kosova paraqet një përmirësim të ndjeshëm. Në vitin 2025, 50.1% e të anketuarve shprehen se mund ta përballonin një shpenzim të tillë, nga 38.2% që ishte kjo shifër në vitin 2024. Edhe Bosnja dhe Hercegovina si dhe Mali i Zi shënojnë përmirësime, me rreth një të tretën e popullsisë që deklaron aftësi për të menaxhuar një emergjencë financiare.

Situata paraqitet më shqetësuese në Serbi, ku vetëm 25.2% e të anketuarve në vitin 2025 thonë se mund të përballonin një shpenzim prej 1,000 euro, një rënie e ndjeshme nga 35.0% në vitin 2024. Për më tepër, 38.7% e të anketuarve në Serbi janë përgjigjur “vështirë të thuhet”, duke reflektuar pasiguri të shtuar ose mungesë qartësie mbi gjendjen financiare të familjeve.

Në nivel rajonal, të dhënat tregojnë se vetëm 33.1% e qytetarëve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndihen të sigurt se familja e tyre mund të përballojë një shpenzim të papritur prej 1,000 euro pa marrë hua apo pa u mbështetur te të tjerët. Kjo shënon një rënie krahasuar me 36.7% në vitin 2024, duke sinjalizuar një përkeqësim të perceptimit mbi qëndrueshmërinë financiare.

Ekspertët vlerësojnë se përkeqësimi i situatës financiare në disa vende të rajonit pasqyron brishtësinë ekonomike të vazhdueshme, rritjen e kostove të jetesës dhe presione që mund të nxisin emigrimin ose të kufizojnë mirëqenien sociale në Ballkanin Perëndimor.

Sistemi kombëtar i alarmit testohet sot në të gjithë Zvicrën

Sistemi kombëtar i alarmit në Zvicër do t’i nënshtrohet sot testimit vjetor, i cili zhvillohet rregullisht çdo të mërkurë të parë të muajit shkurt. Në kuadër të këtij testi do të aktivizohen rreth 5.000 sirena fikse dhe 2.200 sirena mobile në mbarë vendin, transmeton albinfo.ch.

Testimi do të zhvillohet në intervalin kohor nga ora 13:30 deri në 16:00 dhe ka për qëllim të verifikojë funksionalitetin e sistemit të paralajmërimit për raste emergjencash apo fatkeqësish natyrore.

Përveç sirenave, do të testohen edhe kanalet e komunikimit në aplikacionin Alertswiss, i cili shërben për informimin e popullatës në situata krize.

Sinjali kryesor i alarmit përbëhet nga një tingull i vazhdueshëm dhe luhatës, me kohëzgjatje një minutë, dhe përdoret për të paralajmëruar popullatën për rrezik të mundshëm ose emergjencë të afërt.

Ndërkohë, një sinjal i dytë specifik është i dedikuar për zonat pranë digave. Ky alarm përbëhet nga 12 impulse prej 20 sekondash, të ndara nga pauza 10-sekondëshe, dhe përdoret për të paralajmëruar rrezikun e mundshëm nga uji.

Autoritetet theksojnë se ky është vetëm një test dhe nuk ka arsye për shqetësim të popullatës. /Albinfo.ch

Haradinaj në SHBA kërkon mbështetjen e Trumpit për anëtarësimin në NATO

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions. Takimi është mbajtur në kuadër të vizitës së Haradinajt në Kongresin Amerikan.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se në këtë takim ka kërkuar mbështetjen e presidentit Donald Trump dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar këtë si një çështje kyçe për sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Pse dronët e Gjermanisë nuk treguan rezultate në Ukrainë?

Gjermania po përgatitet të investojë rreth 267.7 milionë euro për blerjen e dronëve të armatosur HX-2, në kuadër të modernizimit të ushtrisë dhe forcimit të Bundeswehrit. Projekti është pjesë e një programi shumë-miliardësh që synon rritjen e kapaciteteve ushtarake, në një kohë kur kërcënimet e sigurisë në Evropë janë shtuar dhe roli tradicional i SHBA-së në mbrojtjen e kontinentit po zbehet, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, të dhënat nga lufta në Ukrainë kanë ngritur pikëpyetje për efektivitetin e këtyre dronëve. Sipas raportimeve, edhe pse kompania prodhuese Helsing pretendon se sistemi është testuar me sukses dhe në disa prova ka arritur shkallë goditjeje pothuajse 100 për qind, vlerësimet nga përdorimi në terren tregojnë një sukses prej rreth 36 për qind. Humbjet lidhen kryesisht me probleme teknike të sistemit, ndërsa mbetet e paqartë nëse dronët që Gjermania synon të blejë janë të njëjtë me ata të përdorur në Ukrainë apo versione më të avancuara.

Gjermania planifikon të blejë 4,350 dronë HX-2, së bashku me pajisje trajnimi dhe simulatorë. Kontrata duhet të miratohet nga parlamenti gjerman, pasi çdo marrëveshje ushtarake mbi 25 milionë euro kërkon aprovimin e tij, ndërsa vendimi pritet të merret deri në fund të shkurtit.

BQK dhe FMN diskutojnë stabilitetin financiar dhe reformat në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), e udhëhequr nga guvernatori Ahmet Ismaili, ka pritur Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në kuadër të konsultimeve të rregullta sipas Nenit IV të Marrëveshjes së FMN-së. Delegacioni i FMN-së kryesohet nga David Amaglobeli, Shef i Misionit për Kosovën, dhe përfshin përfaqësues rajonalë dhe staf nga Vjena dhe Washington DC, përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit, guvernatori Ismaili theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me FMN-në dhe prezantoi zhvillimet makroekonomike në vend, duke vlerësuar stabilitetin e sektorit financiar. Ai njoftoi për reformat në vazhdim, të cilat përfshijnë avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, përmirësimin e sigurisë kibernetike dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, të mbështetura nga asistenca teknike ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, shefi i misionit të FMN-së vlerësoi progresin e arritur nga BQK-ja në forcimin e kornizave institucionale dhe rregullative. Në takim u diskutua edhe zbatimi i rekomandimeve të mëhershme dhe mundësitë për aranzhime të reja me FMN-në. Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 13 shkurt, ku do të zhvillojë takime me institucione të ndryshme shtetërore.

Aulon Nura, sukses i diasporës kosovare në inxhinierinë hapësinore

Ambasada e Republikës së Kosovës ndan me krenari historinë frymëzuese të Aulon Nurës, një i ri i suksesshëm nga diaspora e Kosovës, i cili po ndërton një karrierë të dalluar në fushën e inxhinierisë hapësinore, transmeton albinfo.ch.

Aulon Nura ka përfunduar studimet Master i Shkencave (M.Sc.) në Inxhinieri Hapësinore (Aerospace Engineering) në Universitetin prestigjioz KTH Royal Institute of Technology në Suedi, një nga institucionet më të njohura evropiane në fushën e shkencës dhe teknologjisë.

Aktualisht, ai punon si Inxhinier i Propulsionit në kompaninë OHB Sweden, një nga kompanitë kryesore evropiane në industrinë hapësinore. Në këtë rol, Auloni kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe në realizimin e misioneve hapësinore, duke qenë pjesë e projekteve me rëndësi strategjike për industrinë evropiane të hapësirës, transmeton albinfo.ch.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Arritjet e tij përfaqësojnë një shembull frymëzues për të rinjtë e Kosovës dhe dëshmojnë potencialin e madh të diasporës sonë në fushat e shkencës, inovacionit dhe teknologjisë.

Së fundmi, Aulon Nura iu bashkua Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, një platformë e krijuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, me qëllim të lidhjes dhe fuqizimit të profesionistëve të rinj nga diaspora. /Albinfo.ch

Program britanik fuqizon të rinjtë shqiptarë në art dhe kuratori

Mbretëria e Bashkuar po ofron mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, në zhvillimin e industrive krijuese si sektorë strategjikë për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, përcjell albinfo.ch.

Përmes mbështetjes së Këshillit Britanik (British Council), programi synon të fuqizojë të rinjtë përmes praktikave profesionale në fushën e arteve pamore dhe kuratorisë, duke u krijuar mundësi konkrete për integrim në tregun ndërkombëtar të artit dhe industrive kreative.

Majlinda Mazelliu, Drejtoreshë e British Council për Shqipërinë dhe Kosovën, theksoi rëndësinë e këtij sektori për zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit.

“Ky program mbështet industritë krijuese si sektorë strategjikë ekonomikë me potencial transformues, me fokus të veçantë në aftësimin dhe fuqizimin e të rinjve. Talente të reja, trashëgimi kulturore dhe ide novative meritojnë mbështetje dhe hapësirë për t’u zhvilluar”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Besa Zogaj (Gashi) nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë në Kosovë vuri në pah rëndësinë e njohjes së funksionimit të tregut të artit.

“Programi është krijuar për të ndihmuar artistët nga Kosova dhe Shqipëria të kuptojnë mënyrën e funksionimit të galerive komerciale dhe tregut ndërkombëtar të artit. Zhvillimi i industrive krijuese mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonomitë tona, ashtu siç ndodh në vendet e zhvilluara, ku tregu global i artit në vitin 2023 arriti të ardhura prej 75 miliardë euro”, theksoi ajo.

Pjesëmarrësit në praktikat profesionale e kanë vlerësuar programin si një mundësi të rëndësishme për shkëmbim njohurish dhe përvojash profesionale. Sipas të dhënave, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, industria krijuese ofron rreth 2.4 milionë vende pune dhe kontribuon me 124 miliardë paund në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Ky program synon të adresojë një boshllëk të rëndësishëm në rajon, duke ndërlidhur arsimin me praktikën profesionale dhe duke kontribuar në ndërtimin e një ekonomie kreative të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. /Albinfo.ch

Francë: Mësuesja sulmohet me thikë nga nxënësi

Një mësuese arti ndodhet në gjendje kritike pasi u sulmua me thikë nga një nxënës 14-vjeçar gjatë një ore mësimi në një shkollë të mesme në Sanary-sur-Mer, në jug të Francës, të martën, sipas prokurorit lokal të Toulonit, Raphael Balland.

Mësuesja 60-vjeçare është goditur tre deri katër herë në trup, tha Balland për mediat. Nxënësi është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim me dyshimin për tentativë vrasjeje.

Sipas prokurorit, nuk është konstatuar ndonjë motiv fetar apo politik për sulmin, por kishte tensione të mëparshme midis nxënësit dhe mësueses. Sulmuesi nuk kishte histori kriminale.

Siguria në shkollat franceze ka qenë temë debati gjatë viteve të fundit. Në qershor, kryeministri i atëhershëm Francois Bayrou njoftoi se qeveria do të shqyrtonte vendosjen e portave të sigurisë në shkolla, pas një incidenti ku një zyrtar shkollor u godit me thikë gjatë kontrollit të çantave.

Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe më parë: në shtator, një nxënës 14-vjeçar sulmoi një mësues muzike në fytyrë gjatë një ore mësimi në veri-lindje të Francës. Në vitin 2020, vrasja e mësuesit Samuel Paty pas një ore mbi lirinë e shprehjes shkaktoi trazira të mëdha politike.

Edhe një shtet evropian në prag të vendimit për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët

Greqia është “shumë afër” që të shpallë zyrtarisht ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Një burim i lartë qeveritar grek ia ka thënë Reuters-it të martën, dhe kjo vjen si pjesë e një vale më të gjerë në Evropë për të mbrojtur të rinjtë nga efektet negative të platformave (si varësia, përmbajtje e dëmshme, gjuhë urrejtjeje, etj.).

Në të njëjtën ditë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka njoftuar se Spanja planifikon të ndalojë mediat sociale për të rinjtë nën 16 vjeç, dhe do të krijojë ligj që drejtuesit e platformave të mbajnë përgjegjësi personale për gjuhën e urrejtjes apo përmbajtje të paligjshme.

Australia mbetet shteti i parë në botë që e ka zbatuar një ndalim të tillë (nën 16 vjeç, që nga dhjetori 2025), dhe tashmë janë bllokuar miliona llogari. Shumë shtete evropiane po e ndjekin shembullin: Franca ka miratuar ligj për nën 15-vjeçarët, Danimarka, Austria, Portugalia e të tjerë po punojnë në masa të ngjashme. Pra, po formohet një lloj “koalicioni” evropian kundër aksesit të hershëm në rrjete sociale.

Në thelb, qeveritë po argumentojnë se platformat janë “të dizajnuara për të qenë varësie” dhe ekspozojnë fëmijët ndaj rreziqeve si bullizmi online, pornografia, manipulimi, etj. Kritikët (përfshirë disa si Elon Musk) thonë se kjo është censurë apo zgjidhje e gabuar, por mbështetja publike duket e lartë (p.sh. në Spanjë mbi 80% e njerëzve mbështesin kufizime të ashpra).

Shqipëria në fokus të GEO Magazine: Destinacion turistik me rritje të jashtëzakonshme

Shqipëria po vazhdon të tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një destinacion turistik i larmishëm. Revista e njohur franceze, GEO Magazine, i ka kushtuar së fundmi një artikull vendit tonë, duke e përshkruar atë si një kombinim unik të plazheve, maleve, natyrës magjepsëse dhe trashëgimisë kulturore e historike.

Në artikull përmenden ndikime të ndryshme kulturore, duke nisur nga greke, romake e bizantine, deri te arkitektura veneciane dhe osmane. Po ashtu, revista thekson Kanunin, një kod mesjetar nderi, si dhe elemente të veçanta arkitekturore të kryeqytetit, Tiranës, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët e turizmit theksojnë se kjo oferta e pasur ka ndikuar në rritjen e vizitorëve të huaj, ku në vetëm pesë vite, Shqipëria ka shënuar një rritje prej 80% të turistëve të huaj.

Analistët e fushës shprehen se artikuj të tillë ndërkombëtarë jo vetëm rrisin profilin turistik të vendit, por edhe promovojnë historinë, kulturën dhe natyrën shqiptare në një audience globale.

Miroslav Lajçak pas publikimit të mesazheve me Jeffrey Epstein: “Ndihem si idiot”

Miroslav Lajçak, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit sllovak Robert Fico, ka dhënë dorëheqjen pas zbulimit të mesazheve që kishte shkëmbyer me financierin e dënuar Jeffrey Epstein. Kryeministri Fico njoftoi të shtunën se e kishte pranuar dorëheqjen, duke e quajtur Lajçakun “burim të çmuar përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme”.

Dorëheqja erdhi menjëherë pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së të mijëra dokumenteve të lidhura me çështjen Epstein.

Në një intervistë për Rádio Slovensko, Lajçak u shpreh hapur për mesazhet e zbuluara: “Sinqerisht, nuk i mbaj mend ato biseda. Nuk mund t’i konfirmoj plotësisht, por as nuk mund t’i mohoj”. Pas rileximit të tyre, ai shtoi: “Ndihem si idiot. Por kjo nuk më shfajëson nga përgjegjësia. Tregova mungesë gjykimi dhe komunikim të papërshtatshëm. Ishte thjesht ego mashkullore budallaqe”.

Lajçak shpjegoi se takimin e parë me Epstein e pati në vitin 2017 në Nju Jork, kur sapo kishte mbërritur për një post njëvjeçar në OKB. Një diplomat i lartë i huaj ia prezantoi Epstein-in, i cili në atë kohë njihej gjerësisht dhe takohej rregullisht me figura të njohura të biznesit dhe politikës nga SHBA-ja dhe bota.

“Nuk pashë arsye për ta refuzuar takimin – krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës time”, tha ai. Megjithatë, pranoi se më vonë mësoi për dënimin e Epstein-it në 2008 për vepra seksuale, por vuri në dukje se shumë personalitete të rëndësishme vazhduan të shoqëroheshin me të edhe pas kësaj.

Lajçak konfirmoi se kishte qenë në apartamentin e Epstein-it, por insistoi se aty ishin të pranishëm edhe figura të tjera të biznesit dhe politikës, dhe “nuk kishte vajza”.

Ndryshe, Miroslav Lajçak ka shërbyer si Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë nga prilli 2020 deri vitin e kaluar, kur u zëvendësua nga danezi Peter Sørensen.

Kosova, Shqipëria e Kroacia flasin për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka bêrë të ditur sot se në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe, të nënshkruar në vitin 2025 nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë dhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë është mbajtur takimi trepalësh në nivelin e drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve.

Ky aktivitet sipas tyre përbën një nga veprimet në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit të dakorduara ndërmjet palëve.

Sipas njoftimit, delegacioni i Republikës së Kosovës u udhëhoq nga drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci, ku u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njofton se deklarata përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.

Po ashtu, deklarata e përbashkët trepalëshe konfirmoi angazhimin për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, me synim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar.

Më shumë zviceranë jashtë vendit duan të votojnë në kantonin Aargau

Në kantonin Aargau, gjithnjë e më shumë qytetarë zviceranë që jetojnë jashtë vendit po shprehin interes për të ushtruar të drejtat e tyre politike. Në fund të vitit 2025, numri i të regjistruarve në listën e votuesve në Kancelarinë Shtetërore të Aargaut është rritur me 3,1% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Sipas analizës së Statistik Aargau, totali arrin në 12.710 persona. Mbi gjysma jetojnë në Gjermani, Francë, SHBA ose Itali, ndërsa të tjerët janë të shpërndarë në 135 vende të tjera.

Këta qytetarë të regjistruar mund të votojnë në zgjedhjet dhe votimet federale.

Tre të katërtat e të regjistruarve janë nën 65 vjeç. Grupi më i madh është burrat 60-69 vjeç, pasuar nga gratë e së njëjtës moshë dhe gratë 20-29 vjeç.

Pjesëmarrja në votimet federale ka rënë ndjeshëm: nga 41% në 2010 në 20% në 2025, me 2.000-3.000 vota me postë. Në zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrja ka zbritur nga 31% në 2011 në 17% në 2023.

Ndërpritet linja hekurudhore Bern–Thun, udhëtarëve u tregohen alternativa

Shërbimi hekurudhor në linjën Bern–Thun është aktualisht i ndërprerë. Shkak është një aksident personal midis stacioneve Gümligen dhe Wichtrach, njoftoi Hekurudha Federale Zvicerane (SBB) në portalin e saj të ndërprerjeve.

Linjat e prekura: ICE, EC, IC6, IC8, IC61, IC81, RE1, S1 dhe EXT. Udhëtarët duhet të jenë të përgatitur për vonesa, anulime dhe devijime.

Alternativa për udhëtarët:

Ata që udhëtojnë midis Wichtrach dhe Gümligen mund të përdorin autobusët zëvendësues.

Ata që udhëtojnë midis Bern dhe Thun mund të ndjekin rrugën alternative përmes Belp.

Komuna e Crans-Montana ndan 1 milion franga për viktimat e tragjedisë

Komuna e Crans-Montana ka vendosur të ndajë 1 milion franga zvicerane në mbështetje të viktimave të tragjedisë së ndodhur në këtë komunë. Vendimi u mor të martën gjatë mbledhjes së Këshillit Komunal.

Sipas kryetarit të komunës, Nicolas Féraud, kjo ndihmë synon të ofrojë mbështetje konkrete për familjet e prekura dhe të dëshmojë solidaritetin e komunitetit lokal. Fondet do t’i dhurohen Fondacionit për Ndihmën e Viktimave të Zjarrit, i cili aktualisht është në proces krijimi.

Autoritetet komunale rekomandojnë gjithashtu që të gjitha donacionet të centralizohen përmes këtij fondacioni, me qëllim që shpërndarja e ndihmës të jetë sa më efikase dhe e koordinuar.

Në njoftimin për shtyp, Komuna thekson se kjo dhuratë është e pavarur nga çdo procedurë ligjore në vazhdim dhe rikonfirmon bashkëpunimin e saj të plotë me autoritetet kompetente.

130 franga për çdo banor

“Jemi të vetëdijshëm se paratë nuk mund të shërojnë plagët, por shpresojmë të mbështesim familjet e prekura nga kjo tragjedi dhe të tregojmë solidaritetin e komunitetit të Crans-Montana”, deklaroi kryetari Nicolas Féraud në emër të Këshillit Komunal.

Sipas autoriteteve, e ndarë sipas numrit të banorëve, shuma prej 1 milion frangash përfaqëson rreth 100 franga për person. Me shtimin e kontributit kantonal, çdo qytetar i komunës së Crans-Montana kontribuon në total me 130 franga.