Von der Leyen sot në Kosovë, takohet me krerët e shtetit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vjen sot në Kosovë për vizitë, përcjell albinfo.ch.

Zyra e Presidentes ka njoftuar se Von der Leyen do të takohet me të paren e shtetit, Vjosa Osmani.

Po ashtu, gjatë vizitës së saj, ajo pritet të mbajë takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Sipas komunikatës për media, ky takim pritet të zhvillohet me fillim nga ora 13:00.

Vizita aktuale shënon të parën të Von der Leyen në rajon gjatë mandatit të saj të dytë si presidente e Komisionit Evropian.

Shqiptari 20-vjeçar humb jetën në aksident rrugor në Nju-Jork

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se një 20-vjeçar me origjinë nga Shqipëria, Aaron Dreni, ka ndërruar jetë tragjikisht disa javë më parë pas një aksidenti rrugor në Nju-York.

Sipas njoftimeve të bëra publike nga familjarët, trupi i të ndjerit është përcjellë për në atdhe, ku më 3 tetor është varrosur në varrezat e Sharrës, në Tiranë.

Lajmi për humbjen e të riut u bë i ditur së fundmi në rrjete sociale, përmes një postimi prekës të familjes, i cili më pas u shpërnda edhe nga faqja e njohur e komunitetit shqiptar në SHBA, “Our Lady of Shkodra”.

Pas më shumë se dy mijë vjetësh, Krishtlindjet mbahen më 25 dhjetor 2025

Një rastësi numerike e rrallë që sjell bashkë historinë, kalendarin dhe simbolikën e festës.

Për herë të parë pas më shumë se dy mijë vjetësh, Krishtlindja e vitit 2025 bie më 25 dhjetor 2025 – një përputhje që duket thuajse e përsosur matematikisht: 25/12/25, përcjell albinfo.ch. 

Një lojë elegante e numrave që ka ngjallur kureshtje në rrjetet sociale dhe në mesin e historianëve të kalendarit, duke u cilësuar si “një Krishtlindje që ndodh vetëm një herë në histori”.

Një simetri që lidh kohën me festën

Kjo përputhje e veçantë, që nuk është regjistruar kurrë më parë në këtë formë, pasqyron në mënyrë simbolike ritmin e kalendarit me vetë vitin. Për shumë njerëz, duket si një dhuratë poetike që na kujton se edhe koha mund të krijojë momente magjie, ku data dhe festa bëhen një.

Rrënjët historike të një përputhjeje

Historianët kujtojnë se ky sinkronizim i veçantë është bërë i mundur nga kalendari Gregorian, i futur në përdorim në vitin 1582 nga Papa Gregori XIII. Ky sistem rregulloi llogaritjen e viteve dhe festave liturgjike, duke e përafruar më shumë me lëvizjen e Diellit dhe stinëve.

Sipas National Geographic dhe Time Magazine, ripërsëritja e saktë e një përputhjeje të tillë ka marrë më shumë se dy mijë vjet për të ndodhur.

Simbolika e 25/12/25

Në një epokë digjitale ku çdo numër mund të ketë domethënie, përputhja 25/12/25 është bërë tashmë trend në platformat sociale.

Shumë përdorues e quajnë “Krishtlindja e simetrisë”, ndërsa të tjerë e interpretojnë si një shenjë të fatit të mirë dhe harmonisë.

Për teologët dhe kulturistët, kjo datë është një kujtesë që Krishtlindjet nuk janë vetëm një festë fetare, por edhe një reflektim mbi kalimin e kohës dhe ciklet që e përsërisin bukurinë e saj.

Një Krishtlindje për t’u kujtuar

Ndërsa afrohet 25 dhjetori 2025, fushatat digjitale dhe reklamat festive po përgatiten për ta kthyer këtë përputhje në temë qendrore të sezonit.

Një “Krishtlindje një herë në histori” – kështu e kanë quajtur disa mediume ndërkombëtare, duke e lidhur ndjesinë e përbashkët të gëzimit me harmoninë e vetë numrave.

Në fund, kjo Krishtlindje na kujton diçka të thjeshtë por të bukur:

edhe koha di të festojë, në mënyrën e vet.

Vesa Kopliku, shqiptarja e parë që fiton bursën e ekselencës “Heinrich Böll Stiftung” në Gjermani

Një tjetër histori frymëzuese nga Shqipëria po shkruhet në fushën e shkencës. Vesa Kopliku, e reja nga Shkodra, është bërë shqiptarja e parë që fiton bursën prestigjioze gjermane “Heinrich Böll Stiftung”, një ndër programet më të njohura evropiane që mbështet studiues dhe kërkues të talentuar në fusha të ndryshme, transmeton albinfo.ch.

Rruga e saj drejt këtij suksesi është ndërtuar mbi përkushtim, pasion dhe vullnet të palëkundur për dije. E diplomuar në Farmaci në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, sot Vesa ndjek studimet e doktoraturës në Universitetin e Saarlandit dhe punon si shkencëtare në Institutin Helmholtz për Kërkime Farmaceutike (HIPS) në Saarbrücken, Gjermani.

Fokusi i kërkimeve të saj është zhvillimi i sistemeve inovative për transportin e barnave në organizmin e njeriut – një fushë që mund të sjellë përparime të mëdha në krijimin e trajtimeve të reja për sëmundje të ndërlikuara.

Suksesi i Vesës nuk është i rastësishëm. Ajo vjen nga një familje intelektuale shkodrane, ku dashuria për dijen dhe ndershmëria në punë janë vlera të trashëguara brez pas brezi. Nëna e saj, Ardiana Kopliku, farmaciste me përvojë, ka qenë frymëzimi i parë që e afroi me botën e shkencës dhe kujdesit për njerëzit. Ndërsa babai, Arben Salim Kopliku, me dashurinë e tij për librat dhe dijen, i ka ushqyer që herët kureshtjen dhe etjen për përmirësim.

Në garën për bursën “Heinrich Böll Stiftung”, Vesa u përzgjodh pas tri fazash vlerësimi tepër konkurruese, ku juria ndërkombëtare vlerësoi cilësinë e kërkimit të saj shkencor, vizionin drejt inovacionit të qëndrueshëm dhe angazhimin e saj shoqëror.

Me një energji që reflekton bindjen se dijet mund të ndryshojnë botën, Vesa Kopliku po bëhet shembull për një brez të ri studiuesish shqiptarë që po lënë gjurmë në qendrat më të njohura të kërkimit shkencor në Evropë. /Albinfo.ch

Hysaj, lojtari me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares shqiptare

Elseid Hysaj është bërë lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Kombëtares shqiptare, duke arritur shifrën rekord prej 94 ndeshjesh.

Mbrojtësi 31-vjeçar ka kaluar çdo emër tjetër që ka veshur fanellën e Shqipërisë, duke thyer rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Lorik Cana me 93 ndeshje.

Që nga debutimi në vitin 2013, Hysaj është shndërruar në një nga figurat kyçe të mbrojtjes dhe një lider i qetë në fushë, duke kontribuar në sukseset më të rëndësishme të futbollit shqiptar, përfshirë Euro 2016 dhe Euro 2024.

Me këtë arritje, Elseid Hysaj futet me merita të plota në historinë e Kombëtares shqiptare, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të futbollit kuqezi.

OBSH: Alkooli shkakton mijëra raste kanceri në Evropë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se alkooli është një nga shkaktarët kryesorë të kancerit në Evropë.

Ekspertët theksojnë se politikat më të ashpra qeveritare për kufizimin e konsumit të alkoolit mund të parandalojnë mijëra raste dhe vdekje çdo vit, sipas raportimit të EuroNews.

Vetëm në vendet e Bashkimit Evropian, alkooli shkaktoi 111,000 raste të reja kanceri në vitin 2020, sipas një studimi të Agency for Research on Cancer, pjesë e OBSH-së. Në mbarë botën, rreth 741,000 raste të kancerit në vitin 2020 lidhen me konsumimin e alkoolit, dhe 70% e këtyre rasteve ndodhin te burrat.

Përveç ndikimit mbi shëndetin, alkooli ka edhe kosto të konsiderueshme ekonomike. OBSH vlerëson se trajtimi i kancereve të lidhura me alkoolin kushtoi Evropës rreth 4.58 miliardë euro në vitin 2018. Doktori Gundo Weiler, drejtues i sektorit për parandalimin dhe promovimin e shëndetit në zyrën evropiane të OBSH-së, tha se:

“Rajoni Evropian, veçanërisht vendet e BE-së, po paguajnë një çmim të lartë për alkoolin, përmes kancereve të parandalueshme, familjeve të prekura dhe shpenzimeve miliardëshe për taksapaguesit.”

Ai shtoi se, edhe pse disa e konsiderojnë alkoolin si “trashëgimi kulturore”, pasojat shëndetësore dhe sociale nuk duhet të normalizohen.

Si shkakton alkooli kancerin?

Që nga viti 1988, IARC e ka klasifikuar alkoolin si substancë kancerogjene. Ai rrit rrezikun për të paktën shtatë lloje kanceri, duke përfshirë kancerin e gojës, fytit, ezofagut, mëlçisë, zorrës së trashë dhe të gjirit te gratë.

Ekspertët shpjegojnë se alkooli mund të shkaktojë kancer duke ndryshuar nivelet hormonale, duke dëmtuar ADN-në dhe duke ndryshuar mikrobiomën e zorrëve. Zvogëlimi ose ndalimi i konsumit të alkoolit redukton ndjeshëm rrezikun.

Raporti i IARC nënvizon se shumica e rasteve të kancerit lidhen me konsum të “rrezikshëm” (2-6 pije në ditë) ose të “lartë” (më shumë se 6 pije në ditë), por edhe konsumi “moderat” (më pak se 2 pije në ditë) shkaktoi mbi 100,000 raste të reja në vitin 2020.

Si mund të ulet rreziku?

Ky është raporti i parë që shqyrton se sa mund të ndikojë parandalimi në uljen e rasteve të kancerit të shkaktuar nga alkooli. Drejtoresha e IARC, Elisabete Weiderpass, theksoi:

“Politikat që kufizojnë konsumimin e alkoolit në popullatë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e rrezikut nga kanceri.”

Agjencia rekomandon masa të qarta, si rritja e taksave, çmimet minimale, rritja e moshës ligjore për blerje, kufizimi i orarit të shitjes, ndalimi i reklamimit dhe kontrolli shtetëror i shitjeve. Një studim i vitit 2021 tregoi se dyfishimi i taksave mund të kishte parandaluar 6% të rasteve të reja me kancer dhe vdekjeve të lidhura me alkoolin në rajonin evropian në vitin 2019.

Doktoresha Béatrice Lauby-Secretan, zëvendësshefe e degës për analizë të provave shkencore në IARC, shtoi se vetëdijesimi mbi rreziqet e alkoolit është kyç dhe çdo individ mund të ndikojë në ndryshimin e normave kulturore mbi konsumimin e tij.

SHBA përfshin Kosovën dhe Serbinë në listën e vendeve ku Trump “solli marrëveshje paqeje”

Një foto me mbishkrimin “President Trump: The President of Peace” është publikuar në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit në Facebook, duke e paraqitur ipresidentin amerikan Donald Trump si udhëheqësin që, sipas përshkrimit, “përfundoi tetë konflikte në tetë muaj”.

Në poster listohen disa vende ku Trump ka ndërmjetësuar për të vendosur paqe, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë, Izraelin dhe Iranin, Armeninë dhe Azerbajxhanin, Egjiptin dhe Etiopinë, si dhe marrëdhëniet mes Izraelit dhe Hamasit.

Së fundmi, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump ka arritur një marrëveshje mes Hamasit dhe Izraelit, e cila ka çuar në armëpushim dhe zhvendosjen e forcave izraelite nga Gaza, transmeton albinfo.ch.

Trump gjithashtu paralajmëroi se pas krizës në Lindjen e Mesme, do të merret me situatën midis Pakistanit dhe Afganistanit:

“Kjo do të jetë lufta ime e tetë që kam zgjidhur. Dëgova për një konflikt midis Pakistanit dhe Afganistanit. Do të pres derisa të kthehem,” tha ai për The Independent.

https://www.facebook.com/share/p/1AJm2G8Roz/

Shtetet evropiane kundër përdorimit të burkës në publik: “T’i ndalojmë përpara se të jetë vonë”

Zv.kryeministrja suedeze, Ebba Busch, deklaroi së fundmi se Islami në Suedi duhet të përshtatet me vlerat vendase. Ajo theksoi se, ndërsa nuk mund të kontrollohet çfarë njerëzit bëjnë brenda shtëpive të tyre, burkat dhe niqabët nuk duhet të jenë të pranishme në hapësirat publike. “Kjo duhet të ndalet sa të jemi ende në gjendje ta bëjmë,” tha Busch, duke rikthyer një debat që ka qenë aktiv në Evropë për disa vite.

Sipas Busch, mbulesat që përfshijnë fytyrën, si burka dhe niqabi, shpesh lidhen me interpretime radikale të islamit në disa shtete si Irani dhe Afganistani, dhe ajo i sheh si të papajtueshme me vlerat suedeze. Ajo synon që t’i ndalojë këto veshje në rrugë, qendra tregtare dhe institucione shëndetësore.

Popullsia myslimane në Suedi është rritur pas valës së refugjatëve nga Lindja e Mesme, por përfaqëson ende rreth 5% të totalit, dhe mbulesat e plota janë të rralla në publik. Burka mbulon të gjithë trupin, përfshirë fytyrën me një rrjetë për sytë, dhe përdoret zakonisht në Afganistan dhe Pakistan. Niqabi lë të hapur vetëm sytë dhe është më i zakonshëm në Gadishullin Arabik.

Shumë vende perëndimore argumentojnë se burka dhe niqabi nxisin pabarazi gjinore dhe kufizojnë lirinë e grave. Për këtë arsye, disa shtete evropiane kanë vendosur ndalime të pjesshme ose të plota për mbulesat e fytyrës gjatë 15 viteve të fundit.

Franca ishte e para që e bëri këtë ligj në 2010, duke ndaluar mbulesat e fytyrës në hapësira publike. Pas saj, Belgjika, Danimarka, Austria dhe Zvicra ndoqën shembullin, dhe diskutime të ngjashme po zhvillohen edhe në Parlamentin italian. Në disa vende, ndalimi zbatohet vetëm për shkollat, institucionet shëndetësore dhe për shërbimet publike.

Megjithëse disa kritikojnë ligjin francez për rritjen e stereotipeve, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi në 2011 se ndalimi nuk shkel liritë fetare dhe ka për qëllim të mbrojë “vlerat minimale të një shoqërie demokratike dhe të hapur.”

Ulja e mbetjeve ushqimore në Zvicër është shumë e ngadaltë për të arritur objektivat

Midis viteve 2017 dhe 2024, sasia e ushqimit të hedhur në Zvicër është ulur vetëm me 5 %. Kjo është shumë më pak se ç’kërkohet për të përmbushur objektivat aktuale kombëtare për reduktimin e mbetjeve ushqimore.

Për të arritur qëllimin e përgjysmimit të mbetjeve ushqimore deri në vitin 2030, deri më tani do të duhej një ulje prej të paktën 25 %. Kjo tregon se i gjithë zinxhiri i vlerës është duke mbetur prapa objektivit, sipas raportit të përkohshëm të përgatitur nga Zurich University of Applied Sciences, institucioni që është ngarkuar me monitorimin e situatës. Një nga boshllëqet më të mëdha aktualisht është mungesa e të dhënave të reja nga bujqësia.

Në planin kombëtar të veprimit kundër humbjeve ushqimore, të miratuar në vitin 2022, Federal Council (Switzerland) ka vendosur si objektiv përgjysmimin e mbetjeve ushqimore deri në vitin 2030. Viti bazë i matjes është 2017, kur qeveria federale nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi ndërsektoriale me 35 kompani dhe shoqata.

Gjatë një takimi informal të martën, Albert Rösti, kreu i Federal Department of the Environment, Transport, Energy and Communications (Switzerland), diskutoi situatën me palët e përfshira në këtë plan veprimi. Departamenti ka njoftuar se do të analizojë më në detaje gjetjet e fazës së parë të këtij plani.

Familjet, burimi më i madh i mbetjeve ushqimore

Sipas raportit, familjet zvicerane mbeten burimi më i madh i mbetjeve ushqimore në vend. Përveç kësaj, sektori bujqësor dhe ai i shpërndarjes kanë ende hapësira të konsiderueshme për përmirësim.

Uji i pijshëm rikthehet në Daillens, ndalohet shpërndarja falas e ujit në shishe

Sipas njoftimit të komunës së Daillens, uji i rrjetit tashmë është sërish i pijshëm. Pas analizave të fundit, në burimet e ujit nuk janë gjetur më gjurmë ndotjeje me hidrokarbure. Gjatë fundjavës, sistemi i furnizimit me ujë u pastrua plotësisht, ndaj shpërndarja falas e ujit në shishe ka përfunduar.

“Banorët e komunës mund të konsumojnë sërish ujin e rrjetit”, konfirmoi kryetari i komunës Frédéric Burnand në një komunikatë për shtyp të publikuar pak pas orës 16:00 të së martës.

“Rezultatet e testeve të kryera në burimet Mollombaz dhe në ujërat nëntokësore janë të favorshme, dhe Zyra Kantonale për Çështjet e Konsumatorëve ka dhënë dritën jeshile. E gjithë rrjeta e ujit u pastrua gjatë fundjavës. Për këtë arsye, shpërndarja falas e ujit në shishe, e organizuar nga komuna, ka marrë fund”, thuhet në komunikatë, transmeton albinfo.ch.

Si u menaxhua situata

Menjëherë pas zbulimit të ndotjes të premten, burimet Mollombaz u nxorën jashtë shërbimit dhe rrjeti u furnizua vetëm nga pusi i pompimit të ujërave nëntokësore, i vendosur në një tjetër zonë të komunës. Komuna ndërmori testime të menjëhershme për t’u siguruar që ky burim nuk ishte ndotur.

Në komunikatë, autoritetet vlerësojnë “reagimin e shpejtë të autoriteteve dhe stafit komunal, si dhe bashkëpunimin efektiv me komunat fqinje dhe shërbimet kantonale përkatëse, që mundësuan rikthimin në normalitet për vetëm katër ditë.

Hetimet për origjinën e ndotjes

Autoritetet lokale dhe shërbimet përkatëse janë duke punuar për të zbuluar burimin e ndotjes me hidrokarbure. Komuna ka bërë të ditur se do të intensifikojë ritmin e testimeve dhe analizave të burimeve të ujit të pijshëm “si masë paraprake, deri në përjashtimin e çdo rreziku të ri ndotjeje.”

 

A lejohet të mbulosh fytyrën gjatë një demonstrate në Zvicër?

Në Zvicër, ligji në përgjithësi e ndalon këtë, por ekzistojnë disa përjashtime. Kjo çështje ka marrë rëndësi të veçantë pas demonstratës së dhunshme në Bernë të shtunën e kaluar, ku shumë pjesëmarrës me maska rrezikuan gjobë ose dënim.

Gjatë demonstratës për Palestinën në Bernë, rreth 500 persona u ndaluan dhe u kontrolluan nga policia, pas qëndrimit disa orësh në një “rrjetë” policore. Disa prej tyre janë akuzuar për shkelje të shumta – përfshirë trazira, zjarrvënie, shkelje të pronës private ose dëmtime trupore – për të cilat po zhvillohen hetime. Një shkelje më pak e dukshme është ndalimi i mbulimit të fytyrës, për të cilin shkelësit rrezikojnë një gjobë deri në 1,000 franga.

Gjatë demonstratës, shumë pjesëmarrës që kishin ardhur për të protestuar paqësisht panë përdorimin e gazit lotsjellës dhe topave me ujë nga policia. Në këto rrethana, mbulimi i fytyrës mund të shihet si një mënyrë për t’u mbrojtur.

Ligji lejon disa përjashtime: mbulimi i fytyrës është i lejuar për arsye shëndetësore – si maska – ose për arsye sigurie, si helmetë motoçiklete apo helmetë pune. Po ashtu, mund të demonstrohet me fytyrë të mbuluar nëse ka lejen e autoriteteve, si në rastin e marshimeve sindikaliste kur pjesëmarrësit frikësohen nga ndëshkimi i punëdhënësit. Një tjetër përjashtim është për vendet e adhurimit.

Në nivel federal, ndalimi i mbulimit të fytyrës ka hyrë në fuqi që nga fillimi i vitit 2025, pas një iniciative popullore të pranuar nga qytetarët dhe kantonet në 2021. Teksti, i njohur si “Iniciativa anti-burka”, u nis nga Komiteti Egerkingen, një grup që lufton çfarë e quan “islamizim i Zvicrës”.

Në kantonin Ticino, i pari që miratoi një masë të tillë, ndalimi daton që nga viti 2013, ndërsa në St. Gallen nga viti 2018.

 

Gjermania ndjek shembullin grek: pensionistët që punojnë do të përfitojnë lehtësime fiskale

Qeveria gjermane po përgatit një projektligj të ri për të nxitur pensionistët të mbeten aktivë në tregun e punës. Sipas planit, çdo pensionist që punon do të përfitojë një përjashtim tatimor prej 2,000 eurosh në muaj nga të ardhurat e tij.

Sipas raportimeve të Financial Times, masa pritet të hyjë në fuqi në janar dhe do t’i kushtojë shtetit rreth 890 milionë euro në vit. Kjo është një pjesë kyçe e strategjisë së qeverisë së Kancelarit Friedrich Merz për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në ekonominë më të madhe të Evropës.

Me këtë nismë, Gjermania po ndjek modelin që u zbatua me sukses në Greqia. Pas një reforme të thellë dy vite më parë, Greqia eliminoi penalizimet e mëdha për pensionistët që punonin. Në vend të humbjes së 30–60% të pensionit, ata tani marrin pensionin e plotë dhe paguajnë vetëm 10% të pagës në fondin e sigurimeve shoqërore EFKA. Si rezultat, numri i pensionistëve aktivë në tregun e punës është rritur nga 35,000 në vitin 2023 në mbi 250,000 aktualisht.

Përveç rritjes së pjesëmarrjes së të moshuarve në ekonomi, kjo politikë ndihmoi edhe në formalizimin e tregut të punës, pasi shumë pensionistë që më parë punonin në mënyrë informale tani janë të regjistruar dhe gëzojnë të drejta e përfitime.

Kjo nuk është reforma e parë që qeveria gjermane e merr si shembull nga Greqia. Më herët, ajo ka adoptuar modele të ngjashme për dixhitalizimin e administratës publike, regjistrimin elektronik të orarit të punës dhe përjashtimin nga tatimi të orëve shtesë të paguara, masa që tashmë kanë dhënë rezultate pozitive në Greqi.

Maqedoni: Mbi 1300 vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë në monitorim të zgjedhjeve lokale

Më shumë se 1,300 vëzhgues nga vendi dhe jashtë do të monitorojnë zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, më 19 tetor. Sipas të dhënave zyrtare, gjithsej 1,341 vëzhgues do të jenë të pranishëm në procesin zgjedhor prej të cilëve 700 janë vendorë dhe 639 ndërkombëtarë. Përveç tyre, pritet të marrin pjesë edhe dy gazetarë të huaj.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka nisur tashmë shpërndarjen e materialit zgjedhor jo të besueshëm në të gjitha komisionet komunale. Ndërkohë, materiali zgjedhor i besueshëm do të shpërndahet të enjten dhe të premten, në prag të ditës së votimit.

Ky informacion u bë i ditur në seancën e 144-të të KSHZ-së të mbajtur sot.

Shqipëria mundi Jordaninë 4-2 në “Air Albania”

Në një duel emocionues me 6 gola, Kombëtarja shqiptare triumfoi ndaj Jordanisë me shifrat 4-2, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në “Air Albania”. Të pranishëm në stadium ishin 9,265 tifozë që përkrahën me zë dhe zemër kuqezinjtë, transmeton albinfo.ch.

Edhe pse ekipi nga Jordania kaluan të parët në avantazh në minutën e 27-të, Shqipëria reagoi me fuqishëm. Autogoli i Abualnadit dhe golat e Brojës, Hoxhës dhe Bajramit i dhuruan fitoren skuadrës shqiptare. Goli i dytë i Jordanisë erdhi në minutën e 90-të, duke vulosur rezultatin final 4-2.

Kuqezinjtë e Silvinjos treguan karakter dhe formë të shkëlqyer, duke dhuruar një spektakël të vërtetë për tifozët në “Air Albania”.

Pas ndeshjes Serbi – Shqipëri, një tifoz serb sulmon familjen shqiptare në Cyrih

Të shtunën në mbrëmje, ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës midis Shqipërisë dhe Serbisë përfundoi me një fitore 1-0 për Shqipërinë. Atmosfera nuk ishte e nxehtë vetëm në Leskovc, Serbi, ku u luajt ndeshja, transmeton albinfo.ch.

Emocionet u rritën edhe në Cyrih. Pas fishkëllimës së fundit, një familje shqiptare në Schwamendingen u sulmua nga një tifoz serb i zhgënjyer, siç raportoi “Blick”.

Një baba, një nënë dhe vajza e tyre dhjetëvjeçare po udhëtonin me makinë nëpër qytet kur ndodhi kjo. Mercedesi ishte i dekoruar me një flamur shqiptar për të festuar fitoren.

Në Ueberlandstrasse në Schwamendingen, ata hasën një grup të madh njerëzish, përfshirë tifozë të Serbisë.

Nëna e përshkruan atë që ndodhi më pas: “Papritmas, një i ri vrapoi drejt makinës sonë dhe na theu xhamin e përparmë me një objekt të fortë, ndoshta një zinxhir ose një rrip”.

Xhami i përparmë u thye dhe copat e tij fluturuan drejt brendësisë së makinës, transmeton albinfo.ch. “Xhamat e thyer fluturuan deri në sediljen e pasme, ku ishte ulur vajza jonë”, tha nëna.

Familja shpëtoi e tmerruar. Por: “Shpërthimi ishte aq i fortë sa të gjithë u tronditëm.”

Policia e Qytetit të Cyrihut  ka konfirmoi për një ndërhyrje në Ueberlandstrasse, Cyrih.

OBSH: Një në gjashtë infeksione është bërë rezistente ndaj antibiotikëve

Një raport i ri i publikuar sot nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregon se numri i infeksioneve që nuk reagojnë ndaj trajtimeve me antibiotikë është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit — me mbi 40 %.

Sipas një publikimi nga Politico, një në çdo gjashtë infeksione bakteriale të konfirmuara është tashmë rezistente ndaj antibiotikëve. Ekspertët paralajmërojnë se kjo tendencë në rritje përbën një rrezik serioz për shëndetin publik në nivel global.

Të dhënat tregojnë se nga viti 2018 deri në vitin 2023, rezistenca ndaj antibiotikëve është rritur me më shumë se 40 % për barnat më të përdorura, me një ritëm mesatar vjetor rritjeje nga 5 % deri në 15 %.

Raporti Global i Mbikëqyrjes së Rezistencës ndaj Antibiotikëve analizon përdorimin e 22 antibiotikëve kryesorë kundër tetë prej patogjenëve bakterialë më të shpeshtë — përfshirë ata që shkaktojnë infeksione të traktit urinar dhe gonorrenë.

Rezistenca ndaj antimikrobikëve është përgjegjëse për rreth 1.27 milionë vdekje në vitin 2019 dhe ka kontribuar në 4.95 milionë vdekje të tjera në të njëjtin vit, theksohet në raport.

KQZ: Përmbyllet procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga jashtë vendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime të dërguara përmes postës nga shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, në kuadër të Zgjedhjeve Lokale 2025 për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale.

Tërheqja e pakove është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.

Sipas të dhënave zyrtare, janë tërhequr gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime. Këto pako, pas mbërritjes në Kosovë, do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Gjatë periudhës së regjistrimit, numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës ka qenë 43,933. Votimi nga jashtë kishte filluar më 17 shtator dhe është përmbyllur më 11 tetor 2025.

KQZ ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt finalizimit të procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë e dërguar nga jashtë të trajtohet sipas procedurave ligjore dhe me transparencë të plotë.

 

 

Policia e Lucernës gjobit 50 persona pas ndeshjes Serbi-Shqipëri

Jo vetëm në Ballkan ndeshja e futbollit Serbi – Sqipëri ka ngritur lart emocionet. Pas ndeshjes së luajtur të shtunën në Leskovc të Serbisë, shpërtheu dhuna dhe provokimet midis grupeve të tifozëve në Lucern, transmeton albinfo.ch. Tifozët e shqiptarëve fitimtarë bllokuan rrugët me një autokolonë.

Tifozë të shumtë futbolli po festonin në qytet, njoftoi policia e Lucernës të hënën, shkruan sda.ch. Provokimet ndodhën midis grupeve të ndryshme.

Pak para orës 23:00, policia konstatoi një grindje midis disa dhjetëra personave pranë stacionit të trenit. Policia arriti të parandalonte një përshkallëzim.

Tifozët e futbollit që festonin shkaktuan gjithashtu ndërprerje të konsiderueshme të trafikut për një orë me një autokolonë, thuhet në deklaratë. Disa rrugë u detyruan të mbylleshin përkohësisht.

Policia njoftoi se kishte lëshuar rreth 50 gjoba. Disa persona u ndëshkuan gjithashtu për shkelje të rregullave të trafikut.

Vota që ndalon në kufi: Diaspora shqiptare, e përjashtuar nga demokracia lokale

Në çdo sistem demokratik, vota është ura që lidh qytetarin me shtetin.Në Maqedoninë e Veriut, kjo urë mbetet e ndërprerë për një pjesë të madhe të popullsisë, diasporën.
Në prag të zgjedhjeve lokale 2025, pyetja ngrihet me forcë: si mund të flasim për demokraci gjithëpërfshirëse, kur qindra mijëra shtetas që kontribuojnë financiarisht, kulturorisht dhe emocionalisht për vendin, mbeten pa zë në vendimmarrjen lokale?

Një boshllëk ligjor që prodhon përjashtim politik

Ligjin Zgjedhor të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Izboren Zakoniк”) thuhet qartë në nenin 6:

“Shtetasit që në ditën e zgjedhjeve janë në punë ose qëndrim të përkohshëm jashtë vendit mund të votojnë në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore vetëm për zgjedhjet për President të Republikës dhe për deputetë në Kuvend.”

Ndërsa neni për të drejtën e votës përcakton se votuesi duhet të ketë banim të përhershëm në komunën ku zhvillohet zgjedhja.
Kjo dispozitë e përjashton automatikisht diasporën nga votimi në zgjedhjet lokale – duke e kufizuar demokracinë në dimension gjeografik, jo qytetar.

Një pjesë e popullsisë që është jetike për ekonominë dhe kulturën e vendit mbetet kështu e padukshme në procesin e vendimmarrjes lokale.

KSHZ: diaspora mund të votojë vetëm duke u kthyer fizikisht

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) e ka konfirmuar hapur këtë kufizim:

“Nuk ekziston votim në diasporë për zgjedhjet lokale. Personat që punojnë ose qëndrojnë përkohësisht jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e votës vetëm nëse kthehen dhe votojnë personalisht në vend.” (Deklaratë e KSHZ-së, gusht 2025)

Ky interpretim ligjor, i pandryshuar prej më shumë se një dekade, e mbyll çdo derë pjesëmarrjeje për diasporën që jeton jashtë vendit.

Në udhëzimet zyrtare të KSHZ-së, votimi përcaktohet si personal dhe i pakalueshëm, me identifikim biometrik në qendrën e votimit, një procedurë që praktikisht e bën të pamundur votën jashtë vendit.

Mungesa e qëndrimit diplomatik

Për këtë çështje, Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, e cila përfaqëson mijëra qytetarë maqedonas që jetojnë në Zvicër – shumica prej tyre me origjinë shqiptare – nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar.

Në mënyrë diplomatike, burime pranë përfaqësive konsullore kanë theksuar se “çështja e votimit të diasporës mbetet kompetencë e institucioneve të brendshme zgjedhore”, duke treguar një prirje për neutralitet ndaj një teme që kërkon qartësi institucionale dhe vizion reformues.

Kjo heshtje diplomatike, në vetvete, reflekton një boshllëk komunikimi midis shtetit dhe qytetarëve të tij jashtë kufijve – një boshllëk që përkthehet në mosbesim dhe ndjenjë përjashtimi politik.

Sipas të dhënave të siguruara nga Albinfo.ch përmes komunikimit me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe verifikimit të listave të dorëzuara nga koalicionet shqiptare

VLEN, BDI dhe AKI, kandidatët shqiptarë për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të tetorit 2025 janë:

Koalicioni VLEN:
Bashkim Bakiu – Qyteti i Shkupit, Izet Mexhiti – Çair, Bilall Kasami – Tetovë, Fatmir Limani – Kërçovë, Muhamed Elmazi – Saraj, Nexhmedin Sadiku – Likovë, Daut Beqiri – Haraçinë, Blerim Sejdiu – Zhelinë, Feti Abazi – Bogovinë, Haqim Ramadani – Bërvenicë.

BDI:
Fatmir Dehari – Kërçovë, Erkan Arifi – Likovë, Ejup Abazi – Studeniçan, Suat Shaqiri – Çashkë, Ismet Jashari – Saraj, Nazmi Dauti – Strugë, Arbër Ismaili – Gostivar.

AKI:
Skënder Rexhepi – Zejdi – Qyteti i Shkupit, Arsim Dalipi – Strugë, Valbon Limani – Gostivar, Blerant Ramadani – Saraj, Ilirijan Fetahu – Dibër, Flamur Gjoleka – Dollnen, Besnik Emshiu – Bogovinë, Emir Sulejmani – Zhelinë, Enver Pajaziti – Bërvenicë, Skender Isufi – Haraçinë, Alija Jahoski – Pllasnicë, Isen Shabani – Vrapçisht.

Këto kandidatura reflektojnë jo vetëm përfaqësim të gjerë territorial të komunitetit shqiptar, por edhe përpjekjen e subjekteve politike për të mobilizuar mbështetjen e diasporës në mënyrë indirekte – përmes komunikimit, rrjeteve sociale dhe lidhjeve familjare në vendlindje.

Diaspora – zë i munguar, ndikim real

Megjithëse e përjashtuar ligjërisht nga votimi, diaspora shqiptare mbetet një faktor real ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve lokale, veçanërisht në komunat me shumicë shqiptare.
Në disa raste, kthimi i përkohshëm i bashkatdhetarëve për të votuar ka ndryshuar ekuilibrin e garave lokale – si në Kërçovë, Strugë apo Çair – ku diferencat mes kandidatëve janë lëvizur nga qindra vota.

Sipas analizave të redaksisë Albinfo.ch, ndikimi i diasporës është determinues në komunat ku raporti mes partive shqiptare është i ngushtë. Në Kërçovë, për shembull, diaspora ka qenë faktor kyç në mbështetjen e Fatmir Deharit (BDI), ndërsa në Tetovë dhe Strugë janë vërejtur rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes së votuesve që vijnë nga jashtë vendit.

Editorial: Demokracia që harron bijtë e saj

Demokracia që nuk dëgjon diasporën është demokraci që flet vetëm me gjysmën e zërit të saj. Në një kohë kur shoqëritë moderne po zgjerojnë pjesëmarrjen përtej kufijve gjeografikë, mungesa e së drejtës së votës për diasporën shqiptare mbetet një plagë që sfidon vetë kuptimin e përfaqësimit.

Në thelb, kjo nuk është vetëm çështje juridike – është provë morale dhe institucionale për pjekurinë e shtetit. Nëse vota është e drejtë universale, ajo nuk mund të ndalet në kufi.

Reforma që do t’i lejojë qytetarët jashtë vendit të votojnë në zgjedhjet lokale nuk është privilegj – është akt drejtësie demokratike. Sepse vetëm kur çdo qytetar ka mundësinë të zgjedhë, mund të flasim për një Maqedoni që vërtet i përket të gjithëve.

Përjashtimi i diasporës shqiptare nga zgjedhjet lokale nuk është thjesht mangësi ligjore, por një plagë morale që dobëson vetë kuptimin e demokracisë.Një shtet që pranon remitanca, por jo vota, flet për zhvillim ekonomik, por hesht për drejtësi politike.

Diaspora shqiptare nuk kërkon privilegj – kërkon përfaqësim.Deri atëherë, demokracia e Maqedonisë së Veriut do të mbetet me një zë më pak – atë të qytetarëve të saj jashtë kufijve.

Për Albinfo.ch Luljeta Ademi

 

Qeveria zvicerane refuzon shërbimin ushtarak për gratë

Këshilli Federal po e refuzon me vendosmëri iniciativën që do t’u kërkonte të gjitha grave zvicerane të kryenin shërbim ushtarak ose civil për komunitetin.

Ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister thotë se qeveria kundërshton propozimin, i cili do të shkojë në një votim kombëtar më 30 nëntor, transmeton albinfo.ch.

Iniciativa synon të zgjerojë shërbimin e detyrueshëm, aktualisht të kërkuar vetëm nga burrat, edhe për gratë, duke u lejuar atyre të kontribuojnë përmes punës ushtarake ose sociale dhe mjedisore.

Pfister argumenton se gratë tashmë mbajnë shumë kujdes të papaguar dhe punë shtëpiake, si dhe pjesëmarrja në forcat e armatosura duhet të mbetet vullnetare.

Gjenevë: Më shumë energji e rinovueshme

Energjia elektrike nga burimet e rinovueshme po fiton terren në Gjenevë.

Ajo u rrit me 7% vitin e kaluar dhe tani mbulon 37% të konsumit total të energjisë elektrike të kantonit, sipas shifrave të publikuara nga Kantoni dhe Shërbimet Industriale të Gjenevës.

Hidroenergjia mbetet dominuese, duke furnizuar më shumë se 80% të prodhimit vendas përmes digave Verbois, Chancy-Pougny dhe Seujet, transmeton albinfo.ch.

Pjesa tjetër vjen nga panelet diellore dhe djegia e mbeturinave.

Kompania e shërbimeve vëren se rritja më e vogël krahasuar me vitin 2023 është kryesisht për shkak të reshjeve më të ulëta dhe shkrirjes së borës.

Qeveria zvicerane kundër masës së taksës së trashëgimisë

Këshilli Federal ka nisur fushatën e tij kundër iniciativës “Për të Ardhmen” të Rinisë Socialiste, e cila do të votohet më 30 nëntor.

Propozimi kërkon një taksë prej 50% mbi trashëgimitë dhe dhuratat mbi 50 milionë CHF për të financuar veprimet klimatike dhe për të zvogëluar pabarazinë.

Qeveria paralajmëron se plani mund t’i largojë banorët e pasur dhe të shkaktojë humbje tatimore. Ajo argumenton se teksti shkel autonominë kantonale, nuk arrin të sigurojë financim të qëndrueshëm dhe shkon kundër parimit “ndotësi paguan”.

Por iniciatorët thonë se taksa do të sillte 6 miliardë CHF në vit dhe do të ndihmonte në financimin e një politike ambicioze klimatike, duke frenuar përqendrimin e pasurisë.

Ata shtojnë se propozimet e tyre përfshijnë masa kundër ikjes së kapitalit, siç është një taksë daljeje nga kapitali.