Çka pas konstituimit të Kuvendit?

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, përcjell albinfo.ch.

Procesi u shoqërua me dhjetëra vazhdime të seancave konstituive, disa vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe më shumë se një kandidaturë për postin e kryeparlamentarit.

Kryetari Dimal Basha dhe katër nënkryetarë u zgjodhën më 26 gusht, por konstituimi mbeti i paplotë, për shkak të mosvotimit të nënkryetarit nga komuniteti serb – një pozicion i përcaktuar me ligj.

Pas sqarimeve dhe kërkesave të bëra nga Gjykata Kushtetuese, të përfshira në aktgjykimin e publikuar më 8 tetor, Kuvendi u mblodh të premten dhe votoi Nenad Rashiqin për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, duke përmbyllur kështu zyrtarisht konstituimin e legjislaturës së re.

Rashiq, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim dhe kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u propozua pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe dështuan të siguronin votat e nevojshme.

Ai mori 71 vota për, duke siguruar mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa deputetëve të komuniteteve joserbe.

Hapi i radhës është formimi i Qeverisë së re.

Presidentja Vjosa Osmani ka detyrë ligjore të emërojë partinë ose koalicionin fitues – në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e Qeverisë.

“Kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në nenin 95 të Kushtetutës.

Kabineti i propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.

Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.

Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Mandatari ka më pas 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabintetit qeveritar në Kuvend.

Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Sa u përket koalicioneve, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur preferencë për bashkëpunim me partitë e komuniteteve joserbe, të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.

Fillimisht, ajo ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me tri subjektet më të mëdha: Partinë Demokratike të Kosovës (24 ulëse), Lidhjen Demokratike të Kosovës (20 ulëse) dhe koalicionin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma (8 ulëse).

Megjithatë, më vonë, Vetëvendosje dhe Nisma janë mbledhur disa herë për të diskutuar mundësitë e daljes nga bllokada institucionale – ndonëse pa rezultat.

Bedri Hamza, kandidati për kryeministër i PDK-së, ka deklaruar më 28 mars se nëse LVV-ja nuk mund ta krijojë Qeverinë brenda afateve ligjore, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e saj.

Ai ka thënë se nuk ka “vija të kuqe” ndaj asnjë partie dhe është i hapur për bisedime.

LDK-ja dhe AAK-ja kanë përjashtuar koalicionin me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për të formuar një qeveri së bashku.

Me tre deputetët e saj, Nisma, në anën tjetër, ka thënë se mund të ndihmojë në sigurimin e shumicës së nevojshme prej 61 votash, bashkë me LVV-në dhe partitë e komuniteteve joshumicë.

Konstituimi i Kuvendit bëhet vetëm dy ditë para se Kosova të mbajë zgjedhjet lokale më 12 tetor.

Transformimi i qyteteve kryesore të Zvicrës në 14 vitet e fundit

Rreth tre të katërtat e popullsisë së Zvicrës jetojnë në zona urbane, duke e bërë zhvillimin e qyteteve një tregues kyç të ndryshimeve demografike dhe ekonomike në vend. Por, pavarësisht këtij urbanizimi të gjerë, qytetet zvicerane nuk po ndryshojnë në të njëjtën mënyrë apo ritëm, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit, ekzistojnë dallime të dukshme midis qyteteve, veçanërisht në aspektin e përbërjes demografike dhe të ardhurave të banorëve. Në disa raste, këto diferenca po bëhen edhe më të theksuara.

Winterthur dhe Zurich me rritjen më të madhe të popullsisë

Ndër qytetet që kanë përjetuar rritjen më të madhe të popullsisë nga viti 2010 deri në vitin 2024, prin Winterthur (ZH), me një rritje prej 18.8 për qind. Pas saj renditet Zurich, me një shtim të popullsisë prej 17.1 për qind gjatë të njëjtës periudhë.

Këto shifra reflektojnë një tërheqje në rritje të këtyre qyteteve, ndoshta për shkak të mundësive të shumta ekonomike, arsimore dhe sociale që ofrojnë.

Rënie e përqindjes së shtetasve zviceranë

Një tjetër prirje që vihet re në të dhjetë qytetet më të mëdha të Zvicrës është rënia e përqindjes së shtetasve zviceranë në përbërjen e popullsisë. Në të gjitha këto qytete është vërejtur një rënie, ndërkohë që numri i të huajve është rritur.

Ky ndryshim pasqyron jo vetëm migrimin ndërkombëtar në rritje, por edhe faktin se qytetet zvicerane po bëhen gjithnjë e më shumë multikulturore dhe të larmishme në përbërjen e tyre etnike dhe kulturore.

Ndryshime që kërkojnë përshtatje

Ndërsa këto ndryshime sjellin me vete mundësi të reja, ato gjithashtu kërkojnë politika të kujdesshme urbane, përfshirëse dhe të qëndrueshme. Sfida të tilla si integrimi i të huajve, sigurimi i banesave të përballueshme dhe ruajtja e kohezionit social, do të jenë vendimtare për të ardhmen e qyteteve zvicerane.

Anglishtja fiton më shumë terren në Zvicër

Sipas analizës mediatike të statistikave zyrtare, përqindja e njerëzve që deklarojnë anglishten si një nga gjuhët e tyre kryesore është rritur ndjeshëm në të gjitha qytetet, e Zvicrës përcjell albinfo.ch.

Ky trend është më i përhapur në Cyrih, ku përqindja e njerëzve që e kanë anglishten si gjuhë kryesore u rrit në 12.9 përqind.

Të dhënat tregojnë se anglishtja po bëhet edhe më e përhapur në tregun e punës.

Çmimi Nobel për Paqen i shkon María Corina Machado-së, jo presidentit të SHBA-së

Ky vit sjell një surprizë të madhe në ndarjen e Çmimit Nobel për Paqen. Në vend që çmimi të i jepet presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ai i është dhënë aktivistes venezueliane María Corina Machado, një figurë e njohur për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave demokratike dhe luftën kundër diktaturës në Venezuelë, përcjell albinfo.ch.

Me zë të lartë dhe pa frikë, María Corina Machado ka deklaruar prej vitesh nevojën për një tranzicion të shpejtë dhe paqësor nga regjimi autoritar drejt demokracisë në vendin e saj. Përpjekjet e saj kanë marrë vëmendjen ndërkombëtare dhe tani janë njohur edhe me këtë çmim të rëndësishëm.

Në një moment që pritej të nderohej presidenti Trump për politikën e tij të jashtme, komiteti i Nobelit ka surprizuar, duke zgjedhur të nderojë një zë opozitar dhe një simbol të rezistencës demokratike në Amerikën Latine.

Mbrojtësit e të drejtave demokratike në Venezuelë e kanë mirëpritur me entuziazëm këtë vendim, duke e parë atë si një mbështetje të fuqishme për kauzën e tyre dhe si një mesazh të qartë për rëndësinë e lirisë dhe demokracisë në botë.

Izraeli miraton planin e Trump për armëpushim në Gaza

Qeveria izraelite ka miratuar rezolutën e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe që do të çojë në lirimin e të gjithë pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza, përcjell albinfo.ch.

Me miratimin, një armëpushim hyn në fuqi menjëherë, thanë dy zyrtarë izraelitë për CNN, duke folur në kushte anonimiteti.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse Zyra e Kryeministrit Izraelit u ka dhënë urdhër Forcave të Mbrojtjes të Izraelit për të ndaluar zjarrin.

Më parë, tanket izraelite hapën zjarr në të paktën një pjesë të Rripit të Gazës. Të paktën 30 persona janë vrarë në enklavë që kur marrëveshja u njoftua dje, sipas një zyrtari palestinez të shëndetësisë.

Konstituohet Kuvendi, Rashiqi zgjidhet nënkryetar

Kuvendi i Kosovës është konstituuar në vazhdimin e seancës që është mbajtur të premten. Nënkryetar nga radhët e komunitetit serb është zgjedhur deputeti Nenad Rashiq, përcjell albinfo.ch,

Për Rashiqin kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë abstenuar. Emri i Rashiqit është hedhur në votim pasi që 9 deputetët e Listës Serbe kanë dështuar t’i marrin votat e mjaftueshme.

Për Rashiqin kanë votuar deputetët e LVV dhe ata të Lidhjes Demokratike, derisa kanë abstenuar deputetët e PDK-së.

“71 vota për, 9 kundër, 24 abstenime”, ka deklaruar Basha, duke e konstatuar Kuvendin si të konstituar.

Kush është Shefi Zviceran i Vitit 2025 sipas Gault&Millau?

Revista prestigjioze Gault&Millau ka shpallur Jérémy Desbraux nga restoranti Maison Wenger në Le Noirmont (Jura) si Shefin Zviceran të Vitit 2025, transmeton albinfo.ch.

Kuzhinieri 39-vjeçar, i vlerësuar me 18 nga 20 pikë, u veçua për aftësinë e tij për ta kthyer kuzhinën lokale në një përvojë të rafinuar, duke promovuar produktet e rajonit me mjeshtëri dhe kreativitet. Hoteli dhe restoranti i tij janë rinovuar plotësisht, duke reflektuar standardet më të larta të mikpritjes.

Në listën e elitës me 19 pikë, udhëzuesi përmend edhe emra të njohur të gastronomisë zvicerane si Tanja Grandits (“Stucki”, Basel), Peter Knogl (“Cheval Blanc”, Basel), Franck Giovannini (“Hôtel de Ville”, Crissier), Andreas Caminada (“Schloss Schauenstein”, Fürstenau), Philippe Chevrier (“Domaine de Châteauvieux”, Satigny) dhe Heiko Nieder (“The Dolder Grand”, Zurich).

Të njëjtin vlerësim e ruan edhe Marco Campanella nga Ticino, për restorantin e tij në “Eden Roc” në Ascona dhe “Tschuggen” në Arosa.

Ndër emrat e rinj që po spikasin është Kira Ghidoni e “Osteria Bisnona” në Contone./Albinfo.ch

Dua Lipa ndër yjet botërorë me më shumë këngë mbi 1 miliard dëgjime në Spotify

Mbi gjashtëdhjetë këngëtare femra në botë kanë arritur të kapin së paku një miliard dëgjime për këngët e tyre në Spotify, por vetëm disa kanë tejkaluar këtë shifër me më shumë se një këngë, duke hyrë në klubin ekskluziv të superyllave globalë, transmeton albinfo.ch.

Në këtë listë prestigjioze, shqiptarja Dua Lipa shquhet me 12 këngë që kanë kaluar një miliard dëgjime, duke e vendosur atë ndër artistet me më shumë këngë të dëgjuara në platformën më të madhe muzikore. Bebe Rexha e ndjek me 4 këngë, duke përfaqësuar gjithashtu suksesin shqiptar në skenën ndërkombëtare.

Mes yjeve të tjerë që kanë më shumë se një këngë mbi një miliard dëgjime janë Taylor Swift, Ariana Grande, Rihanna, Billie Eilish, Doja Cat, Shakira, Karol G, Sia, Selena Gomez, Lady Gaga, Katy Perry, si dhe LISA dhe JENNIE nga BLACKPINK në kategorinë e K-Pop-it.

Ky rekord tregon ndikimin global të këngëtareve femra dhe rritjen e jashtëzakonshme të Dua Lipës si një nga yjet më të mëdhenj të muzikës moderne./Albinfo.ch 

Swiss pagëzon avionin e ri A350-900: “Lausanne” ngjitet mbi Alpet drejt Cyrihut

Avioni më i ri i flotës së Swiss, Airbus A350-900, ka bërë fluturimin e tij të parë nga fabrika e Airbus në Tuluzë drejt Cyrihut, duke shënuar një moment të rëndësishëm për transportuesin kombëtar zviceran, transmeton albinfo.ch.

Në udhëtimin e parë, A350-900 – që mban emrin “Lausanne” – zgjodhi një itinerar mbresëlënës mbi Alpet: fluturoi mbi Liqenin e Gjenevës, Luginën e Ronës, kaloi pranë majës madhështore të Matterhorn-it dhe përfundoi mbi Liqenin e Lucernës.

Në Aeroportin e Klotenit, avioni u prit me traditën e “dushit ujor”, ndërsa dhjetëra adhurues të aviacionit ndoqën uljen rreth orës 15:30.

Në një ceremoni gala, Swiss njoftoi se A350-900 do të shërbejë si gur themeli për zgjerimin e linjave ndërkontinentale. Deri në vitin 2031, kompania planifikon të shtojë edhe nëntë avionë të tillë në flotë.

Me kapacitet prej 242 ulësesh dhe një rreze fluturimi prej rreth 13,700 kilometrash, A350-900 do të debutojë në linjën e tij të parë të gjatë këtë dimër drejt Bostonit.

Donald Trump, në pritje të Nobelit për Paqe

Por ndërsa bota pret emrin e laureatit të radhës, një zë i njohur ka filluar të bëhet gjithnjë e më i zëshëm, ai i presidentit amerikan, Donald Trump, përcjell albinfo.ch.

Trump ka kohë që pretendon se e meriton këtë çmim prestigjioz, duke e quajtur veten një faktor kyç në nxitjen e paqes në Lindjen e Mesme. Që në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaronte se “shumë njerëz” mendonin se ishte i denjë për Nobelin.

Gjatë një takimi në muajin shkurt me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump u shpreh i bindur për meritat e tij, por gjithashtu skeptik për një shpërblim nga komiteti Nobel: “Ata kurrë nuk do të më japin një Çmim Nobel për Paqen. E meritoj, por ata kurrë nuk do të ma japin.”

Kosova sonte synon fitore ndaj Sllovenisë

Kombëtarja e Kosovës do të luajë sonte një ndeshje tepër të rëndësishme kundër Sllovenisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026. Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45, përcjell albinfo.ch.

Pas dy ndeshjeve të para në Grupin B, Kosova renditet në vendin e dytë me 3 pikë, pas Zvicrës që kryeson me 6 pikë të plota. “Dardanët” kanë një fitore dhe një humbje (2:4 golavarazh), ndërsa Sllovenia ndodhet në vendin e katërt me vetëm një pikë të fituar pas dy takimeve të para.

Skuadra e trajnerit Franco Foda kërkon fitoren e dytë në grup për të qëndruar në garë për vendet e para që sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin 2026. Atmosfera në ekip është pozitive, ndërsa stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i mbushur me tifozë për të përkrahur Kosovën drejt një rezultati të madh.

Në grupin B bëjnë pjesë gjithashtu Zvicra dhe Suedia, të cilat po ashtu garojnë për kualifikim në fazën finale të turneut më të madh të futbollit botëror.

Arben Fetai: Diaspora është kapital strategjik kombëtar

Në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit në Maqedoninë e Veriut, Albinfo.ch, si medium i diasporës shqiptare në Zvicër dhe në Evropë, zhvilloi një bisedë me zëvendëskryeministrin Arben Fetai, i cili ushtron pozicionin e Zëvendëskryeministrit për Politikat dhe Qeverisjen e Mirë.
Me përvojë të formuar në perëndim dhe lidhje të forta me komunitetin e mërgatës, Fetai përfaqëson një brez të ri politikanësh që synon ta kthejë përvojën dhe dijen e diasporës në vlera konkrete për zhvillimin institucional të vendit.

Në vijim, sjellim thelbin e qëndrimeve të tij mbi zhvillimin lokal, transparencën dhe përfshirjen e diasporës në proceset politike dhe ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Zhvillimi lokal dhe prioritetet infrastrukturore

Sipas zëvendëskryeministrit Fetai, qeveria VLEN ka vendosur si prioritet mbylljen e problemeve të trashëguara infrastrukturore në vendbanimet shqiptare, të cilat për dekada janë lënë pas dore.
“Asnjë vendbanim shqiptar nuk duhet të përballet më me mungesë të ujit të pijshëm, kanalizimeve apo rrugëve të amortizuara,” thekson ai, duke shtuar se janë financuar qindra projekte në komunat me shumicë shqiptare me një vlerë të përgjithshme prej 80 milionë euro në vit.  Sipas Fetait, ky është një hap thelbësor drejt barazimit rajonal dhe përmirësimit të standardeve të jetesës në zonat shqiptare.

Qeverisja e mirë dhe transparenca

Në lidhje me standardet e qeverisjes, Fetai thekson se në 15 muajt e qeverisjes, VLEN nuk ka pasur asnjë rast të raportuar të korrupsionit.
“Ne jemi organizatë e njerëzve të përgjegjshëm dhe të pastër, të cilët besojnë në funksionimin e shtetit të së drejtës. Ligji duhet të vlejë për secilin, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësisë partiake,” deklaron ai.
Ai shton se çdo kandidat i VLEN-it ka program të qartë për transparencë, përfshirje qytetare dhe menaxhim efikas të burimeve lokale, duke e konsideruar këtë “themelin e besimit publik”.

Një frymë e re politike

Fetai vlerëson se këto zgjedhje shënojnë një frymë të re në skenën lokale shqiptare. “VLEN garon me kandidatë të rinj, profesionistë dhe të arsimuar në universitetet më të njohura perëndimore. Ata nuk kanë bagazh korrupsioni dhe përfaqësojnë një qasje të re ndaj politikës – të bazuar në punë, meritë dhe integritet,” thekson ai.
Ndër prioritetet themelore ai rendit infrastrukturën bazë, pastërtinë, rendin publik, kulturën dhe zhvillimin urban të qëndrueshëm, duke e parë komunën si hapësirë të parë të reformës dhe përgjegjësisë publike.

Diaspora si partner zhvillimi

Në thelb të vizionit të Fetait qëndron diaspora shqiptare, të cilën ai e cilëson si “kapital strategjik kombëtar”.
“Diaspora përbën një pasuri të shumëfishtë për vendin – ekonomike, intelektuale dhe morale. Ne e trajtojmë atë si partner të zhvillimit dhe jo si spektator të largët të politikave tona,” deklaron ai.
Sipas Fetait, qeveria po punon për krijimin e kushteve më të favorshme për investime, përkrahje procedurale dhe lehtësira për sipërmarrësit e mërgatës që duan të kontribuojnë në vendlindje.
Ai shton se kontaktet e tij të vazhdueshme me përfaqësues të diasporës në Evropë dhe më gjerë janë pjesë e një dialogu të hapur, që synon ta përfshijë mërgatën në hartimin e politikave të zhvillimit ekonomik dhe social.

E drejta e votës dhe përfshirja politike e mërgatës

Sipas ligjeve aktuale, e drejta e votës për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut mund të ushtrohet vetëm brenda vendit. Megjithatë, Fetai vlerëson vetëdijen e lartë qytetare të mërgatës shqiptare.
“Ne presim mijëra bashkatdhetarë që do të kthehen për të votuar në vendlindje. Ata kanë familje, prona dhe plane konkrete për t’u rikthyer. Ky angazhim është dëshmi e lidhjes së fortë shpirtërore me vendin dhe ne e inkurajojmë fuqimisht,” shprehet ai.

Deklaratat e zëvendëskryeministrit Arben Fetai përbëjnë një vizion të qartë për ndërlidhjen midis institucioneve shtetërore dhe diasporës shqiptare si faktor strategjik në zhvillimin e vendit.
Në një kohë kur remitancat, ekspertiza dhe rrjetet profesionale të mërgatës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë kombëtare, sfida qëndron në institucionalizimin e këtij bashkëpunimi dhe kthimin e tij në politika afatgjata.
Albinfo.ch mbetet e përkushtuar të ndjekë këtë dialog të rëndësishëm, duke nxitur përfshirjen reale të diasporës në proceset vendimmarrëse dhe forcimin e qeverisjes së mirë në Maqedoninë e Veriut.

Për Albinfo intervistën e realizoi: Luljeta Ademi

 

Rikthehet sot Kuvendi pas vendimit të Kushtetueses

Pas mbi një muaji pauzë, Kuvendi i Kosovës rikthehet sot në orën 10:00 me një seancë të re konstituive, në tentativë për të përfunduar procesin që ka ngecur që nga 15 prilli.

Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të parlamentit,  ku në rend dite është një pikë, “zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb”.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të plotë, ka konstatuar se “Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kishte përmbyllur seancën e kaluar më 30 gusht pa zgjedhjen e këtij nënkryetari, duke lënë procesin pezull për më shumë se një muaj.

Shqiptarja nga Kosova në mesin e 25 lidereve më me ndikim në SHBA

Nga Kosova në Amerikë: Suksesi i Besës në “The Mighty 25”.

Shqiptarja me origjinë nga Kosova, Besa Tafilaj Pinchotti, është përfshirë në listën prestigjioze amerikane “The Mighty 25”, që nderon liderët më me ndikim në komunitetin e familjeve ushtarake, përcjell albinfo.ch.

Si drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake (NMFA), ajo është vlerësuar për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetjen e bashkëshortëve dhe fëmijëve të ushtarakëve në SHBA.

Ky nderim e vendos Besën në mesin e figurave të njohura si Elizabeth Dole, George W. Bush dhe Princi Harry, duke e bërë njëherësh krenari për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe Kosovë. /Albinfo.ch

Liriona Morina në mesin e dhjetë avokatëve të rinj më të mirë të Evropës

Avokatja nga Kosova, Liriona Morina, së bashku me ekipin e saj, është renditur në Top 10 më të mirët e “Young European Lawyers Contest 2025”, garë prestigjioze e organizuar nga Akademia Evropiane e Drejtësisë (ERA). Në renditjen përfundimtare, ekipi i saj u pozicionua në vendin e gjashtë, duke u bërë pjesë e elitës së re juridike në nivel evropian, përcjell albinfo.ch.

Ky rezultat përbën një arritje të rëndësishme për avokatët e rinj, të cilët përmes kësaj gare testuan njohuritë, aftësitë analitike dhe praktike në zbatimin e ligjit të Bashkimit Evropian.

Liriona Morina theksoi se ky sukses është një moment krenarie jo vetëm personale, por edhe profesionale, veçanërisht për faktin se ajo ishte përfaqësuesja e vetme nga Ballkani në këtë kompeticion ndërkombëtar.

“Pas një rrugëtimi të gjatë, ndihem krenare që, së bashku me ekipin tim, arritëm të renditemi në Top 6-të Avokatët e Rinj më të mirë në Evropë.

Mbi të gjitha, ndjej krenari të veçantë që, si përfaqësuesja e vetme nga Ballkani, pata nderin të përfaqësoj vendin tim, Kosovën”, ka deklaruar Morina.

Akademia Evropiane e Drejtësisë (ERA) është një nga institucionet më të njohura në fushën e trajnimeve juridike në Evropë, me seli në Trier të Gjermanisë, e cila ofron programe të specializuara për juristë, gjyqtarë dhe avokatë nga e gjithë bota.

Përmes këtij suksesi, Liriona Morina konfirmon edhe njëherë rritjen e prezencës profesionale të juristëve kosovarë në skenën evropiane, duke e vendosur emrin e saj në mesin e talenteve premtuese të drejtësisë bashkëkohore.

Gjermania shtrëngon politikën e migracionit dhe shtetësisë, çfarë parashihet?

Bundestagu ka vendosur të forcojë politikat e migracionit duke hequr “turbo-natyralizimin” dhe duke zbatuar Sistemin e Përbashkët të Azilit në BE.

Qeveria e re e Kancelarit Friedrich Merz ka deklaruar se një nga prioritetet kryesore është kufizimi i migracionit të parregullt. Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrint, po nxit zbatimin e ligjeve më të ashpra në nivel evropian, për të lehtësuar dëbimet e atyre që nuk kanë të drejtë për mbrojtje.

Jo vetëm emigrantët e rinj, por edhe të huajt që tashmë jetojnë në Gjermani do të përballen me shtrëngime të reja. Marrja e shtetësisë gjermane përmes procesit të përshpejtuar, e miratuar vitin e kaluar, është hequr. Ky ligj kishte lehtësuar marrjen e pasaportës për personat që kishin qëndruar pesë vjet në vend, në vend të tetë, si më parë, dhe kishte synuar të tërhiqte ekspertë të huaj dhe të lehtësonte integrimin e punëtorëve mysafir.

Ministri Dobrint thekson se pasaporta gjermane duhet të vijë në fund të procesit të integrimit dhe jo në fillim, duke argumentuar se marrja e shtetësisë brenda tre vitesh nuk do të jetë më e mundur pa plotësuar standarde të larta të integrimit, gjuhës dhe financimit të jetesës.

Opinioni publik është i ndarë: disa e konsiderojnë këtë hap të arsyeshëm, ndërsa studiuesit paralajmërojnë se mund të ndikojë negativisht tek emigrantët me kualifikim të lartë.

Reforma e azilit në BE
Gjermania po zbatohet reforma e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (CEAS), që synon standardizimin e procedurave në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe mundësinë e kthimit të azilkërkuesve në vende të treta të sigurta. Shtetet anëtare kanë afat deri në qershor 2026 për zbatimin.

Në Gjermani, qeveria ka nisur miratimin e projektligjit për këtë reformë, ndërsa ministri Dobrint kërkon të forcojë më tej rregullat, duke diskutuar edhe për të ashtuquajturin “element lidhës” që përcakton vendin e kthimit për migrantët. CDU, CSU dhe SPD synojnë heqjen e kësaj kërkese, dhe edhe BE-ja po shqyrton ndryshime të ngjashme.

Komisioni Evropian ka propozuar që lidhja e azilkërkuesve me vendet e treta të mos jetë më e detyrueshme, duke lejuar që ata të shqyrtohen në vende të treta të sigurta me marrëveshje të garantuar për azil. Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së duhet të miratojnë akoma ndryshimet dhe Sistemin e ri të Përbashkët të Kthimit për të bërë deportimet më efikase.

Tre të rinj arrestohen në Belgjikë për plane sulmesh terroriste ndaj politikanëve

Autoritetet belge kanë arrestuar tre të rinj të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste ndaj politikanëve, përfshirë kryeministrin Bart De Wever.

Prokurorja federale Ann Fransen bëri të ditur se të arrestuarit, të lindur në vitet 2001, 2002 dhe 2007, u ndaluan të enjten në mëngjes në Antwerp nën dyshimin për tentativë vrasjeje terroriste dhe pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist. Dy prej të dyshuarve mbeten në paraburgim dhe do të paraqiten përpara gjyqtarit hetues, ndërsa i treti është liruar.

“Ekzistojnë shenja që tregojnë se sulmi ishte i frymëzuar nga ideologjia xhihadiste dhe synonte politikanët,” tha Fransen në një konferencë për shtyp.

Mes personave të synuar ishte edhe De Wever, ish-kryetar i bashkisë së Antwerpit. Gjatë bastisjeve në lagjen Deurne të Antwerpit, hetuesit gjetën një pajisje joaktive që ngjante me një bombë të improvizuar dhe një qese me topa çeliku.

Një printer 3D u sekuestrua nga një tjetër i dyshuar, i cili dyshohet se mund të ishte përdorur për të prodhuar komponentë bombash. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu prova që lidhen me planet për të përdorur një dron për vendosjen e pajisjes. Në total, u kryen katër kontrolle shtëpish me ndihmën e ekipeve anti-bombave dhe policisë federale.

Fransen theksoi se ky rast reflekton rrezikun e vazhdueshëm të terrorizmit në Belgjikë. Sipas prokurorëve belgë, gjatë këtij viti janë hapur rreth 80 raste të reja terrorizmi, më shumë se numri total i rasteve në vitin 2024.

 

Parashikimi i OFS: Numri i nxënësve në shkollat fillore në Zvicër pritet të bjerë ndjeshëm deri në 2034

Një rënie e konsiderueshme e numrit të nxënësve në shkollat fillore pritet që të nisë që nga viti 2027, njofton Zyra Federale e Statistikave (FSO). Si pasojë, nevoja për mësues të rinj në këtë nivel pritet të ulet ndjeshëm.

Sipas FSO-së, kjo tendencë lidhet me rënien e lindjeve në Zvicër që nga viti 2022. Numri i nxënësve të shkollave fillore pritet të ndalojë së rrituri shpejt dhe më pas të bie ndjeshëm, me një ulje prej 7% midis viteve 2025 dhe 2034, transmeton albinfo.ch.

Kjo ulje pritet të prekë të gjithë kantonet. Sa i përket mësuesve, numri i tyre pritet të ulet me rreth 4,500 gjatë dhjetë viteve të ardhshme, një rënie prej 6%, sipas OFS-së.

Gati pa mungesë mësuesish

Nevoja vjetore për rekrutimin e mësuesve të rinj gjithashtu pritet të ndikojë. Nga 6,000 mësues të rinj të punësuar në vitet 2022 dhe 2023, kërkesa pritet të ulet në rreth 5,000 këtë vit, dhe më pas gradualisht të bie në rreth 3,000 deri në vitin 2034. Kjo përfaqëson një rënie prej 40% midis viteve 2025 dhe 2034.

Deri në vitin 2032, oferta e mësuesve të sapo kualifikuar mund të përmbushë pothuajse të gjithë nevojën në shkollat fillore në të gjithë Zvicrën. Vetëm rajoni i Zvicrës Veriperëndimore mund të ketë një numër të pamjaftueshëm të të diplomuarve të rinj deri në vitin 2034, me një ofertë 10% më të ulët se nevoja.

Të interpretohet me kujdes

Sipas OFS-së, është e vështirë të parashikohet saktësisht numri i mësuesve të rinj që do t’u nevojiten shkollave. Shumë faktorë duhet të merren parasysh, përfshirë largimin e mësuesve nga shërbimi, punën me kohë të pjesshme ose pushimet e karrierës për arsye të prindërimit ose rikthimit në punë.

Rezultatet e modelit duhet të interpretohen me kujdes dhe të merren si tendenca, shkruan FSO. Masat strukturore, reformat ose ndryshimet në sjelljen e palëve të ndryshme mund të kenë ndikim. Po ashtu, evolucioni i lindjeve mbetet i pasigurt.

 

20 kombëtaret që kanë siguruar kualifikimin për Botërorin 2026

Me kualifikimin e Algjerisë, numri i ekipeve që kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026 është rritur në 20. Në këtë edicion, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, do të marrin pjesë gjithsej 48 ekipe, që lë 28 vende të lira për tu plotësuar.

Nga Evropa, pjesëmarrja e kombëtareve është 16. Më poshtë është lista e ekipeve që deri tani kanë siguruar kualifikimin, sipas kontinenteve:

Vendet nikoqire:

Kanadaja

Meksika

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Azia:

Australia

Koreja e Jugut

Japonia

Jordania

Irani

Uzbekistani

Afrika:

Algjeria

Egjipti

Maroku

Tunizia

Amerika e Jugut:

Argjentina

Brazili

Kolumbia

Ekuadori

Paraguai

Uruguai

Oqeania:

Zelanda e Re

Kjo listë përfshin ekipet që kanë arritur të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në Botërorin e ardhshëm.

Serbia ndërmerr masa për ndeshjen me Shqipërinë

Federata Serbe e Futbollit (FSS) ka shpërndarë një njoftim për shtyp ku informon për masat e marra lidhur me ndeshjen Serbi-Shqipëri, që do të zhvillohet më 11 tetor në Leskovac.

“Biletat për këtë takim janë të personalizuara dhe nuk do të lejohet hyrja në stadium nëse emri në biletë nuk përputhet me dokumentin personal. FSS paralajmëron se në disa qytete të jugut të Serbisë ka pasur tentime për të blerë bileta në mënyrë të paligjshme, dhe çdo blerje e tillë do të jetë e pavlefshme, pasi nuk do të lejohet hyrja në stadium”, thekson federata.

Për shkak të masave të rrepta të sigurisë, të gjithë çakmakët, monedhat metalike dhe objektet e forta do të konfiskohen gjatë kontrollit në dy pika hyrjeje. FSS i bën thirrje tifozëve që të vijnë me kohë, në mënyrë që të marrin pjesë në ndeshje pa vonesa dhe në përputhje me rregullat. Siguria e lojtarëve, zyrtarëve, tifozëve dhe të gjithë pjesëmarrësve është prioritet absolut i Federatës dhe autoriteteve shtetërore.

Federata shton se nuk do të lejojë asnjë situatë që mund të rrezikojë zhvillimin normal të ndeshjes ose të shkaktojë dëme për ekipin kombëtar, federatën ose vendin.

“Të gjitha autoritetet e rendit do të veprojnë në mënyrë profesionale, të vendosur dhe pa vonesë ndaj çdo përpjekjeje për të shkaktuar incidente ose për të prishur rendin dhe qetësinë,” përfundon FSS.

Shurupi i kollës shkakton vdekjen e 17 fëmijëve, arrestohet pronari i kompanisë

Policia në Indi ka arrestuar pronarin e kompanisë Sresan Pharma, e cila prodhonte shurupin e kollës përgjegjës për vdekjen e 17 fëmijëve.

Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i lartë policor për agjencinë Reuters.

S. Ranganathan, pronari i kompanisë me bazë në Tamil Nadu, u arrestua të mërkurën në Chennai dhe pritet të paraqitet para gjykatës.

Të gjithë fëmijët e prekur ishin nën pesë vjeç. Ata vdiqën muajin e kaluar pas konsumimit të shurupit “Coldrif”, i cili përmbante një sasi jashtëzakonisht të lartë të dietilen glikolit, një substancë toksike e përdorur kryesisht në industri si antifriz dhe tretës. Testet laboratorike treguan se përqendrimi i kësaj substance ishte pothuajse 500 herë mbi nivelin e lejuar.

Pas këtij incidenti, përdorimi i shurupit “Coldrif” është ndaluar në disa zona të Indisë. Ligji indian kërkon që çdo kompani farmaceutike të kontrollojë jo vetëm lëndët e para, por edhe secilën seri të produktit të përfunduar. Megjithatë, tragjedia zbuloi mangësi serioze në zbatimin e këtyre rregullave.

Pas incidenteve të ngjashme në vitin 2023, kur shurupet indiane lidhen me vdekjen e më shumë se 10 fëmijëve në Gambia, Uzbekistan dhe Kamerun, qeveria indiane vendosi kontrolle shtesë mbi eksportet e shurupit të kollës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) reagoi duke theksuar se ky rast tregon një boshllëk të madh në mbikëqyrjen e barnave brenda dhe jashtë Indisë. OBSH paralajmëroi gjithashtu se disa eksportime mund të jenë kryer në mënyrë jozyrtare dhe pa kontroll adekuat.

Stërvitja e fundit e kuqezinjve para udhëtimit në Serbi

Kombëtarja shqiptare zhvilloi sot seancën e fundit stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” nën drejtimin e trajnerit Silvinjo.

Stërvitja u fokusua te përgatitja atletike, loja me top dhe provimi i skemave të ndryshme, duke përfshirë edhe goditjet në portë, njofton FSHF, transmeton albinfo.ch.

Skuadra do të udhëtojë nesër drejt Nishit, ku në orën 16:30 do të zhvillohet konferenca zyrtare para ndeshjes me trajnerin dhe një lojtar, në stadiumin “Gradski stadion Dubočica”, në Leskovac.

Pas konferencës, ekipi do të zhvillojë stërvitjen e fundit në orën 17:30 për të mbyllur përgatitjet për sfidën ndaj Serbisë.