Fund për shërbimin e ride-sharing Taxito në Zvicër

Shërbimi i ride-sharing për zonat rurale, Taxito, do të ndërpritet në fund të vitit 2025. Themuesi i tij, Martin Beutler, thotë se shërbimi nuk mund të konkurrojë me makinat autonome dhe ndryshimet e sjelljes së përdoruesve që kanë ndodhur pas pandemisë COVID-19.

Aktualisht, Taxito funksionon në katër rajone: Seetal AG/LU, Freiamt AG, Chur GR dhe Trub BE. Megjithatë, për të qenë i qëndrueshëm në të ardhmen, do të nevojiteshin të paktën dhjetë rajone, gjë që nuk është e realizueshme.

Beutler thekson se filozofia e Taxito-s bazohet në ndihmën reciproke dhe kohezionin social, por kjo po zbehet me kalimin e kohës. Ai krahasoi situatën me ndryshimet që ndodhen në platforma si Couchsurfing dhe Airbnb, ku komuniteti po zëvendësohet nga qasja komerciale.

Për iniciatorin e Taxito-s, mbyllja e shërbimit është një humbje e madhe për një projekt që ka funksionuar për rreth dhjetë vjet dhe është pjesë e historisë së mobilitetit të qëndrueshëm në zonat rurale të Zvicrës.

Oktoberfest në Mynih rihapet pas kërcënimit me bombë

Panairi tradicional i birrës në Mynih, Oktoberfest, u mbyll për disa orë të mërkurën pas një kërcënimi me bombë dhe një shpërthimi në pjesën veriore të qytetit. Autoritetet njoftojnë se aktiviteti është rihapur sërish rreth orës 17:30, pasi zonat përreth u kontrolluan nga policia me qen nuhatës dhe u shpallën të sigurta, transmeton albinfo.ch..

Më herët, një shpërthim dhe zjarr në një banesë në lagjen Lerchenau shkaktuan një operacion të madh policor. Sipas hetimeve, dy persona – mes tyre edhe i dyshuari kryesor, 57 vjeç – humbën jetën, ndërsa dy gra, familjare të tij, mbetën të plagosura. Policia tha se shpërthimi kishte lidhje me një konflikt familjar dhe jo me motive politike.

Kryebashkiaku i Mynihut, Dieter Reiter, deklaroi se vendimi për mbylljen e përkohshme ishte i domosdoshëm për sigurinë e vizitorëve. Pas verifikimeve, festa më e madhe popullore në botë vazhdon normalisht.

Gjurmë të ndotësit TFA gjenden në bukë dhe verë zvicerane

Në Zvicrën frankofone janë zbuluar gjurmë të acidit trifluoroacetik (TFA) në bukë dhe verë, sipas një hetimi të përbashkët të emisioneve On en parle, A bon entendeur dhe revistës Bon à Savoir. TFA, një molekulë e përdorur në industri dhe bujqësi, nuk rregullohet ende në Zvicër apo BE, por mund të ndikojë në shëndetin riprodhues.

Analizat laboratorike të 16 shisheve vere dhe 12 bukëve të freskëta treguan praninë e TFA në të gjitha mostrat, madje edhe te produktet organike. Në verë u gjetën 11–150 mikrogramë për kilogram, mesatarisht 58 µg/kg, ndërsa në bukë 29–130 µg/kg, mesatarisht 69 µg/kg.

Ekspertët theksojnë se nivelet janë më të ulëta se në vendet fqinje evropiane, por janë të konsiderueshme krahasuar me gjurmët në ujin e rubinetit. Murielle Bochud nga Unisanté shpjegon:

“Duhet ulur ekspozimi i popullsisë, edhe pse vlerat aktuale janë nën kufijtë e sigurisë të propozuar nga EFSA.”

Autoritetet federale dhe organizatat e prodhuesve presin udhëzime ndërkombëtare për të marrë vendime. Një projekt kërkimor kombëtar mbi PFAS u anulua kohët e fundit, duke lënë hapësirë për më shumë studime mbi ndikimin e TFA te njerëzit.

Ekspertët paralajmërojnë se TFA mund të shkaktojë probleme riprodhuese dhe keqformime te fetusët, duke veçuar rrezikun për gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. Megjithatë, mungesa e të dhënave mbi efektet afatgjata te njerëzit kërkon më shumë kërkime shkencore.

Krijimi i vezëve në laborator mund të bëjë revolucion në trajtimin e infertilitetit femëror

Shkencëtarët kanë arritur për herë të parë të krijojnë qeliza vezë nga qeliza të tjera në laborator. Edhe pse kjo është ende vetëm një eksperiment, hulumtimi ka hapur menjëherë debat të madh etik.

Në një studim të botuar të martën në revistën Nature Communications, studiuesit përshkruajnë sesi kanë transformuar qeliza të lëkurës në oocite të afta për t’u fekonduar nga një spermatozoid.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt një ideje që deri më tani tingëllon si fantashkencë: trajtimi i infertilitetit tek gratë që nuk janë në gjendje ose nuk mund të prodhojnë më vezë, përmes krijimit të tyre nga qeliza të tjera.

Studimi thekson se për gratë në moshë të caktuar, tek të cilat gametet nuk funksionojnë më, fekondimi in vitro (IVF) bëhet i paefektshëm, transmeton albinfo.ch.

“Ky zbulim do t’u mundësonte gjithashtu çifteve të të njëjtit seks të kenë një fëmijë me lidhje gjenetike me të dy partnerët”, shpjegon Paula Amato, kërkuese në Universitetin e Shkencës dhe Shëndetit në Oregon, SHBA.

Mungesë e dhurimit të gameteve

Kërkesa është e madhe, ndërsa shumë vende si Franca përballen me mungesë të dhurimeve të gameteve. Megjithatë, Amato paralajmëron se do të duhen të paktën dhjetë vjet derisa kjo teknologji të përdoret për trajtimin e pacientëve infertilë.

Kjo punë është pjesë e një fushe në zhvillim të shpejtë të quajtur “gametogjenezë in vitro”. Përparime të mëdha tashmë janë arritur: në fillim të vitit 2025, studiues japonezë arritën të krijojnë minj nga dy etër biologjikë.

Studimi i Nature shkon edhe më tej, pasi përdori qeliza njerëzore, të cilat arritën të zhvilloheshin deri në embrione, megjithëse u shkatërruan shumë shpejt.

Anomali dhe kufizime

Embrionet përmbanin shumë anomali, gjë që tregon se kjo është ende vetëm një provë laboratorike dhe jo një arritje mjekësore e aplikueshme.

Megjithatë, rezultatet janë mjaft të rëndësishme për të ngjallur entuziazëm në komunitetin shkencor. “Është një hap i jashtëzakonshëm që një ditë mund të hapë rrugën për krijimin e qelizave të ngjashme me ovocitet dhe spermatozoidet për ata që nuk kanë mundësi tjetër,” u shpreh Ying Cheon, specialiste e mjekësisë riprodhuese në Universitetin e Southamptonit.

Pyetje etike

Në Francë, Agjencia e Biomedicinës paralajmëroi se krijimi artificial i gameteve mund të ndryshojë thellësisht mënyrën si e kuptojmë riprodhimin, format e familjes dhe lidhjet gjenetike. Institucioni ka ngritur shqetësimin për një rrezik të mundshëm të “eugjenizmit”, duke kërkuar vendosjen e një kuadri etik dhe juridik ndërkombëtar për të shmangur një garë të pakontrolluar inovacioni.

Si u realizua eksperimenti?

Shkencëtarët përdorën një metodë të njohur si “transferimi i bërthamës”. Fillimisht ata hoqën bërthamat nga ovocitet dhe i zëvendësuan me ato të marra nga qelizat e lëkurës. Kjo teknikë njihet prej kohësh si metodë klonimi, e përdorur që në vitin 1996 për krijimin e deles Dolly.

Në këtë rast, synimi ishte krijimi i qelizave që mund të fekondoheshin me spermatozoid. Për këtë, qelizat duhej të kishin vetëm 23 kromozome (si ovocitet normale), duke iu shtuar 23 të tjera nga spermatozoidi. Siç dihet, qelizat e lëkurës kanë 46 kromozome, ndaj studiuesit përdorën një metodë të re që e quajtën “mitomeiozë” për t’i reduktuar në gjysmë.

Pas kësaj, disa nga qelizat e trajtuara u fekonduan me spermatozoide dhe një pjesë e tyre arritën të zhvilloheshin në embrione disa-ditore – mjaftueshëm, teorikisht, për t’u implantuar tek një paciente përmes fekondimit in vitro.

Zvicër: Mobilizim kombëtar kundër rritjes së tarifave universitare, dorëzohen mbi 37 mijë nënshkrime

Më shumë se 37 mijë persona kanë firmosur një peticion kundër dyfishimit të tarifave të studimeve dhe masave të tjera shtrënguese në arsimin e lartë, duke e dorëzuar atë të mërkurën në Kancelarinë Federale në Bernë. Studentët dhe punonjësit e universiteteve u mblodhën në disa qytete zvicerane për të protestuar kundër vendimit të Këshillit Federal.

Sipas Unionit të Studentëve Zviceranë (UNES), kjo masë, pjesë e paketës buxhetore për vitin 2027, cenon seriozisht barazinë e mundësive dhe rolin e Zvicrës si qendër akademike.

“Kush kursen sot tek arsimi, rrezikon mungesë fuqie punëtore të kualifikuar nesër, më pak lëvizshmëri sociale dhe dobësim të Zvicrës si vend inovacioni,” – paralajmëroi UNES.

Humbje për kërkimin shkencor dhe vendet e punës

Përveç tarifave, parashikohen edhe shkurtime në Fondin Kombëtar për Kërkim Shkencor. Sindikata e Shërbimeve Publike (SSP) paralajmëroi se kjo mund të sjellë ndërprerjen e 500 deri 700 projekteve kërkimore dhe humbjen e 1,500–2,000 vendeve pune midis viteve 2026 dhe 2028.

Demonstrata në Bernë

Mbi 2,000 studentë nga rajonet frankofone dhe gjermanofone morën pjesë në një protestë kombëtare në sheshin Federal në Bernë.

Pankarta si “Arsimi nuk duhet të jetë luks” apo “E ardhmja jonë është shumë e shtrenjtë për Këshillin Federal” u panë gjatë marshimit.

Mobilizimi në qytete të tjera

Gjenevë: Rreth 400 studentë protestuan kundër shkurtimeve prej 22,5 milionë frangash në Universitetin e Gjenevës, që përfshijnë humbjen e 20% të projekteve kërkimore dhe 40 vende profesorësh. Në shkollat e HES-SO, ku tarifat janë rritur tashmë me 400 franga për studentët zviceranë dhe 1,100 franga për të huajt, grevat do të zgjasin një javë.

Lozanë: Rreth 150 persona marshuan në kampusin e UNIL kundër shkurtimeve të Këshillit Federal dhe qeverisë së kantonit Vaud. Vetëm për vitin 2026, UNIL duhet të kursejë 20 milionë franga, duke rrezikuar vendet e punës akademike dhe administrative, si dhe rritjen e tarifave për studentët.

Cyrih: Rreth 700 persona u mblodhën në qendër të qytetit në një protestë të thirrur nga sindikata SSP dhe shoqatat studentore. Aty u theksua se këto masa rrezikojnë të dyfishojnë tarifat dhe të kufizojnë arsimin e lartë vetëm për ata me privilegje financiare.

Një betejë që vazhdon

Masat e kursimit të Konfederatës parashikojnë ulje prej mbi 460 milionë frangash në trajnim, kërkim dhe inovacion, duke e vënë arsimin e lartë në një periudhë të vështirë. Protestat e fundit tregojnë një front të bashkuar mes studentëve, sindikatave dhe stafit akademik në mbrojtje të arsimit publik dhe të përballueshëm.

 

Arrestohen tre persona të dyshuar për lidhje me Hamasin në Gjermani

Autoritetet gjermane kanë arrestuar tre persona që dyshohet se janë pjesëtarë të grupit militant Hamas, nën akuzën për planifikim sulmesh ndaj institucioneve izraelite dhe hebraike në Gjermani.

Të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës të enjten, ku do të vendoset nëse do të mbahen në paraburgim deri në nisjen e procesit gjyqësor, ka raportuar agjencia e lajmeve AP.

Zyra e Prokurorit Federal bëri të ditur se gjatë bastisjeve u gjetën armë dhe municion, ndërsa dy nga të dyshuarit janë shtetas gjermanë.

Hamasi, i shpallur organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, është përgjegjës për qindra sulme ndaj izraelitëve ndër vite. Megjithatë, rrallëherë është parë të ketë operuar jashtë Izraelit dhe territoreve palestineze. Nuk është ende e qartë nëse të arrestuarit kanë vepruar me urdhra të drejtpërdrejtë nga Hamasi apo kanë vepruar si simpatizantë të tij.

 

Kafeja, sa është e shëndetshme

1 Tetori është Dita Botërore e Kafesë, një element bazë në traditën perëndimore.

Por, a duhet të kufizohet konsumi i saj? Apo të shmanget? Cilat janë përfitimet e kafeinës? Çfarë mund të zgjedhim si alternativë ndaj kafesë?, janë disa nga pyetjet që Massimo Spattini, autor i librit “Tri çelësat e jetëgjatësisë” u përgjigjet këtyre pyetjeve, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Kafeina: Përfitimet dhe pasojat

Kafeina, përmes një sërë mekanizmash kompleksë qelizorë, rrit forcën e tkurrjes së muskujve edhe në frekuenca të ulëta stimulimi.

Ajo nxit rritjen e lipolizës dhe ruajtjen e glikogjenit të muskujve, falë rritjes së oksidimit të acideve yndyrore të lira.

Për më tepër, përmirëson rrjedhën koronare të gjakut (rritjen e rrjedhës së gjakut në zemër), prodhimin kardiak (rritjen e rrjedhës së gjakut në inde) dhe presionin sistolik të gjakut.

Duke kaluar me shpejtësi barrierën gjak-tru, kafeina dhe metabolitët e saj rrisin ngacmueshmërinë neuronale dhe lehtësojnë rekrutimin e neuroneve motorike, duke lehtësuar kështu transmetimin e sinjalit midis sistemit nervor qendror dhe periferik.

Disavantazhet e saj

Rrit prodhimin e kortizolit dhe adrenalinës: 200 mg (rreth dy filxhanë kafe) mund të rrisin nivelet e kortizolit brenda një ore dhe t’i mbajnë ato të larta gjatë gjithë ditës.

Tek njerëzit që e metabolizojnë kafeinën ngadalë, kjo mund të dëmtojë cilësinë e gjumit, duke çuar në një rritje të mëtejshme të kortizolit gjatë natës.

Nivelet e larta kronike të këtij hormoni kanë efekte katabolike në muskuj, nxisin rezistencën ndaj insulinës dhe pengojnë humbjen e peshës.

Për këto arsye, kafeina është një thikë me dy presa: mund të jetë e dobishme në ditë veçanërisht të vështira për të mbështetur performancën fizike ose mendore, por nuk rekomandohet për ata të predispozuar ndaj stresit kronik ose me prodhim të lartë të kortizolit.

Kafeja: Pro dhe kundër

Konsumi i kafesë është i rrënjosur thellë në stilin e jetës së shumicës së perëndimorëve dhe më gjerë.

Studimet mbi efektet e kafesë janë shpesh kontradiktore. Nga njëra anë, kafeina që përmbahet në kafe mund të zvogëlojë ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe të rrisë nivelet e kortizolit, duke predispozuar për hipertension dhe rezistencë ndaj insulinës.

Nga ana tjetër, studime të shumta nxjerrin në pah përfitimet e kafesë falë përmbajtjes së saj antioksiduese: konsumi i rregullt (pa sheqer, sigurisht) shoqërohet me një ulje të rrezikut të diabetit të tipit 2 deri në 35%.

Një studim i botuar në ”New England Journal of Medicine” tregoi se pirja e dy deri në tre filxhanëve kafe në ditë zvogëlon rrezikun e vdekshmërisë me 10% tek burrat dhe 13% tek gratë. Për shumë njerëz, kafeja është burimi kryesor ditor i antioksidantëve.

Efektet e kafesë, megjithatë, varen shumë nga metabolizmi individual i kafeinës, i cili ndodh në mëlçi dhe ndikohet nga variacionet gjenetike.

Përafërsisht gjysma e popullsisë ka një metabolizëm të ngadaltë të kafeinës: tek këta individë, konsumi mund të shkaktojë nervozizëm, agjitacion, pagjumësi, rritje të presionit të gjakut, përkeqësim të sindromes pre-menstruale, një rrezik në rritje të abortit dhe vështirësi në detoksifikimin e barnave dhe toksinave.

Shkurt, kafeja mund të ketë efekte të dobishme ose negative në varësi të gjenetikës individuale, gjendjes shëndetësore dhe sasisë së konsumuar.

Një alternativë ndaj kafesë: çaji jeshil

Çaji jeshil është një alternativë e vlefshme ndaj kafesë.

Vetitë e tij rrjedhin kryesisht nga prania e polifenoleve dhe katekinave, të cilat bashkëveprojnë me sistemin nervor simpatik, duke stimuluar termogjenezën dhe lipolizën.

Për më tepër, çaji jeshil duket se pengon pjesërisht lipazat e zorrëve, duke reduktuar tretjen dhe thithjen e yndyrave. Efekti i çajit jeshil varet jo vetëm nga kafeina që përmban, por edhe nga kombinimi i tij me katekinat dhe teaninën.

Kjo e fundit, një aminoacid i pranishëm në sasi të konsiderueshme, kundërvepron rritjen e kortizolit të shkaktuar nga kafeina, duke e bërë çajin jeshil një pije stimuluese, por në të njëjtën kohë dhe të ekuilibruar.

Çaji jeshil mund të konsumohet si pije, por përqendrimet e përbërësve aktivë ndryshojnë shumë në varësi të llojit të çajit dhe kohës së infuzionit. Për një efekt më të qëndrueshëm, një zgjidhje është të merrni kapsula me ekstrakt të standardizuar.

E ardhmja e kafesë

Thatësira ekstreme gjatë sezonit të shirave, midis tetorit 2020 dhe marsit 2021, e ndjekur nga një ngricë e papritur në qershor-korrik 2021, e ka gjunjëzuar të gjithë sektorin e kafesë, duke shkaktuar një rritje të papritur të çmimeve të kafesë të llojit arabica.

Edhe në Afrikë pamja nuk është inkurajuese. Sipas një studimi të vitit 2017, Etiopia, prodhuesi i tretë më i madh i arabica-s në botë, mund të humbasë 39 deri në 59 për qind të zonave të saj të kultivimit të kafesë deri në fund të shekullit për shkak të rritjes së temperaturave dhe zvogëlimit të reshjeve.

Pasojat ekonomike dhe sociale për atë vend do të ishin shkatërruese, duke marrë parasysh se afërsisht 15 milionë njerëz punojnë në zinxhirin e furnizimit me kafe në Etiopi.

Aeroporti i Tiranës thyen rekord në gusht

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po vazhdon trendin pozitiv, duke konfirmuar rritjen e qëndrueshme të trafikut ajror në Shqipëri. Vetëm përgjatë muajit gusht 2025, TIA ka mirëpritur 1 milion e 413 mijë pasagjerë.

Po kështu, janë regjistruar 8.106 fluturime drejt 108 destinacioneve në 32 shtete të ndryshme, duke e kthyer aeroportin  një nyje të rëndësishme të qarkullimit ajror në rajon, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Përgjatë 8 muajve të parë të vitit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë regjistruar 7.83 milionë pasagjerë të ardhur. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky numër është rritur me rreth 8%.

TIA mbetet ura kryesore që lidh Shqipërinë me botën. Aeroporti i Tiranës po mirëpret dhe përcjell gjithnjë e më shumë udhëtarë, vendas apo të huaj. Rritja lidhet jo vetëm me fluksin e turistëve të huaj, por edhe me shqiptarët që kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt destinacioneve të reja të hapura këtë verë, si: Nantes, Bordeaux dhe Lisbona. Sipas të dhënave zyrtare, qytetet italiane vijojnë të mbeten më të preferuarat për udhëtarët shqiptarë, sidomos Milano, Roma dhe Bolonja. Përveç tyre, një volum i madh pasagjerësh është regjistruar edhe drejt Londrës dhe Vjenës.

Aeroporti i Tiranës është kthyer në një pikë referimi rajonal sa i përket rritjes se shpejtë dhe zgjerimit, duke shënuar rritjen më të lartë të pasagjerëve pas periudhës së pandemisë me një rritje prej 152% duke lënë pas Malin e Zi që ka rritur flukset e saj me 34%.

TIA po investon në digjitalizim dhe përmirësim të përvojës së udhëtarëve, përmes portave elektronike për kontrolle kufitare më të shpejta; skanerëve të avancuar të sigurisë; zgjerimit të parkimit me mbi 1.900 vende dhe një strukturë shumëkatëshe; bordimit me karta digjitale, duke shmangur pritjet në sportele. Këto masa kanë rritur ndjeshëm efikasitetin dhe kanë krijuar një përvojë më të lehtë dhe më të shpejtë për pasagjerët.

 

Edhe të pasurit ndiejnë nevojën për kujdes shëndetësor

Primet e sigurimit shëndetësor po bëhen të padurueshme për shumë njerëz.

Një anketë e re tregon se më shumë se gjysma e familjeve thonë se rritja prej 4.4% e planifikuar për vitin 2026 do ta rëndojë seriozisht buxhetin e tyre – pothuajse një në dhjetë thonë se thjesht nuk mund të paguajnë. Edhe ata me të ardhura më të larta po e ndiejnë shtrëngimin.

Ky presion po ringjall mbështetjen për një fond të vetëm kombëtar shëndetësor, i cili tani mbështetet nga të gjitha partitë, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Partia Socialiste planifikon një iniciativë për të lidhur primet drejtpërdrejt me të ardhurat, duke premtuar kosto më të ulëta për 85% të popullsisë dhe mbulim falas për fëmijët.

Teksti përfundimtar do të zbulohet në kongresin e partisë më vonë këtë muaj.

Në Spitalin e Bazelit ngatërrohet operacioni

Një gabim tronditës mjekësor në Spitalin Universitar të Bazelit: Një grua e re iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të panevojshme pas një gabimi në laborator.

32-vjeçares Sarah Miesch iu tha se ishin gjetur qeliza kancerogjene dhe ajo pranoi të bënte ndërhyrje kirurgjikale në qafën e mitrës, transmeton albinfo.ch.

Dy muaj më vonë erdhi lajmi bombë, mostrat ishin ndërruar. Ajo nuk kishte pasur kurrë shenja kanceri. Operacioni nuk duhej të kishte ndodhur.

Spitali ka pranuar përgjegjësinë, siguruesi i tij i ofron asaj 4,000 CHF.

Kryepatologia thotë se gabimi ndodhi kur një mostër u nda shkurtimisht nga numri i saj i identifikimit, duke theksuar se gabime të tilla janë jashtëzakonisht të rralla midis qindra mijëra testeve që përpunohen çdo vit.

Policia turke e merr shqiptarozviceranin për propagandist rus

Një befasi aspak e këndshme e ka pritur Agim B*., një shtetas zviceran ne rrënjë shqiptare kur ai po shkonte për pushime në Antalia të Turqisë së bashku me miken e tij. Autoritetet policore të Aeroportit e ngatërruan atë me një propagandist rus dhe e kthyen mbrapsht, në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Ai thotë se është ndier i braktisur nga autoritetet zvicerane…

Gjithçka ishte në rregull – deri në kontrollin e pasaportave. Agim B.* dhe e dashura e tij mezi prisnin pushimet e tyre në Turqi. Por për shkak se shtetasin zviceran me rrënjë shqiptare me sa duket e ngatërruan me një propagandist rus, B. dhe shoqërueja ei tij e udhëtimit papritmas u gjendën në zonën për refugjatët e refuzuar dhe njerëzit e tjerë që duhej të largoheshin nga vendi, në Aeroportin e Antalyas, shkruan blick.ch. Kjo ka ndodhur të enjten e kaluar.

Ky është rrëfimi i Agimit, për gazetën Blick: “Ishte rreth orës 15:30 të pasdites kur mbërritëm në kontrollin e pasaportave. E dashura ime kaloi pa probleme. Por mua më penguan”. Roja kufitare turke e fuste vazhdimisht pasaportën e tij në pajisjen elektronike – dhe një mesazh shfaqej në ekran vazhdimisht, tregon shoqëruesja e tij.

Pastaj roja kufitare thërret një zyrtar policie. Çifti tani e kupton se Agim B., edhe pse nuk ka kryer kurrë ndonjë delikt, nuk mund të vazhdojë më tej për në hotel.

Kështu, ata çohen në një dhomë marrjeje në pyetje. Atje, burri zviceranoshqiptar akuzohet se është rus dhe se ka postuar video propagandistike për Turqinë në mediat sociale. Fakti që B. nuk publikon potuajse asgjë në llogaritë e tij në mediat sociale dhe nuk ka postuar kurrë ndonjë gjë për Turqinë nuk u intereson zyrtarëve.

Në fund, çifti çohet në zonën e daljes. Agim B. telefonon menjëherë Konsullatën e Përgjithshme Zvicerane në Stamboll. Por zonja në telefon e orienton atë te linja e ndihmës (Helpline) së Departamentit Federal të Punëve të Jashtme (FDFA). As ata (Në Bernë) nuk janë të gatshëm ta ndihmojnë. Rasti i tij nuk përbën urgjencë. Në vend të kësaj ata i nisin një email me një listë avokatësh që mund t`i kontaktojë “për të bërë ankesën”.

Kur B. kontakton avokatët, ata kërkojnë një pagesë paraprake prej 400 deri në 500 frangash. Një shumë e madhe për B., i cili, sipas tij, nuk ka bërë asgjë të gabuar.

Çifti duhet të presë me orë të tëra në zonën e pritjes; nuk ka ushqim dhe në një moment, B.-së i ndërpritet edhe linja telefonike e B. Ai nuk ka paguar ndonjë ofertë telefonike ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch. “Vetëm në orën 1 të pas mesnatës kuptova se mund të fluturoja përsëri të premten në orën 7 të mëngjesit. Nuk kishte asnjë informacion paraprak”, ankohet zvicerano-shqiptari.

B. kishte pritur më shumë ndihmë nga autoritetet në vendit të tij, Zvicrës. Përfundimi i tij pas kthimit: “Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer. Autoritetet zvicerane nuk bënë asgjë për ne.”

FDFA ka konfirmuar për gazetën Blick thirrjen e përmendur në linjën e ndihmës. Sipas saj: “FDFA nuk mund të marrë leje hyrjeje për vendet e treta. Ndihma nga FDFA hyn në fuqi vetëm pasi të prekurit të kenë bërë të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të kapërcyer vetë emergjencën, si në aspektin organizativ ashtu edhe financiar”.

Agim B. dhe partneres së tij duket se do tu mbeten barrë tani shpenzimet e hotelit, një shumë me katër shifra. Përveç kësaj është edhe fatura e lartë e telefonit celular nga Salt…

Zvicër: Sulmet kibernetike në rritje

Gjashtë muaj pasi Zvicra prezantoi raportimin e detyrueshëm të sulmeve kibernetike, Zyra Federale e Sigurisë Kibernetike thotë se po sheh rezultate.

Që nga prilli, janë regjistruar 164 incidente nga operatorët e infrastrukturës kritike – shumica e të cilave janë raportuar brenda 24 orëve të kërkuara.

Financa kryeson listën e goditjeve me gati një në pesë raste, e ndjekur nga IT dhe energjia. Sektorë të tjerë të prekur përfshijnë kujdesin shëndetësor, telekomunikacionin dhe qeverinë, transmeton albinfo.ch.

Sa i përket metodave: Sulmet e Mohimit të Shërbimit kryesojnë me 18 përqind, të ndjekura nga hakerat, ransomware dhe kredencialet e vjedhura.

Zyrtarët thonë se raportimi forcon ndërgjegjësimin kombëtar për kërcënimet dhe paralajmërimet e hershme. Dhe duke filluar nga sot, mosraportimi mund t’u kushtojë kompanive deri në 100,000 CHF.

Zvicra do të shkatërrojë armët amerikane

Zvicra së shpejti do të shkatërrojë municionet ushtarake amerikane.

Një marrëveshje e re midis Armasuisse, kompanisë RUAG dhe Ushtrisë Amerikane lejon që municionet e tepërta të çmontohen në vendin e Altdorf në kantonin Uri.

Zvicra tani përdor shumë më pak municione, falë më pak ushtarëve, simulatorëve dhe rregullave mjedisore – por rezervat e mëdha ende kanë nevojë për pastrim. Për ta mbajtur objektin të qëndrueshëm, RUAG po hapet për klientët e huaj, transmeton albinfo.ch.

Ushtria Amerikane zgjodhi Zvicrën në vend të Italisë për rrugë më të shkurtra transporti dhe rreziqe më të ulëta.

Autoritetet theksojnë se marrëveshja respekton plotësisht neutralitetin zviceran.

Pse po bëhen të papërballueshme primet e sigurimit në Zvicër?

Një çështje shumë aktuale dhe shqetësuese për shumë qytetarë – rritjen e kostos së sigurimit shëndetësor dhe ndikimin e saj në familjet, përcjell albinfo.ch.

Sipas një ankete të re nga grupi mediatik Tamedia, primet e sigurimit shëndetësor në vitin 2026 pritet të rriten mesatarisht me 4.4%, çka konsiderohet një barrë e rëndë për shumë familje:

35% e të anketuarve e shohin këtë rritje si një barrë të ndjeshme.

9% e quajnë atë “shumë të vështirë” për t’u përballuar.

5% nuk e dinë se si do t’ia dalin mbanë financiarisht.

Vetëm 28% thonë se rritja nuk do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në buxhetin e tyre.

Analizë:

Këto shifra tregojnë një polarizim ekonomik në shoqëri, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë tashmë ndodhet në kufijtë e përballueshmërisë për shpenzimet bazë si sigurimi shëndetësor. Rritja e primeve, megjithëse duket modeste në përqindje, ka ndikim real te buxhetet familjare – sidomos për ata me të ardhura të ulëta ose të mesme.

Ndihma për familjet:

Siç përmendet në fund të artikullit, individët dhe familjet me vështirësi financiare kanë të drejtë të aplikojnë për subvencione nga kantonet. Megjithatë, nuk është e qartë sa prej tyre janë të vetëdijshëm për këtë mundësi apo sa efektivisht funksionon ky sistem ndihme.

 

Volkswagen pushon nga puna qindra punonjës për këtë arsye

Volkswagen po përballet me një krizë të madhe, jo vetëm për shkak të uljes së fitimeve dhe kërkesës së dobët, por edhe për probleme disiplinore brenda kompanisë. Në gjysmën e parë të këtij viti, prodhuesi gjerman i makinave pushoi nga puna 548 punonjës për shkelje të rregullave, kryesisht për mungesa të pajustifikuara. Ky është po i njëjti numër punonjësish të larguar si gjatë gjithë vitit të kaluar, përcjell albinfo.ch.

Sipas shefit të markës VW, Thomas Schäfer, mungesat e paarsyetuara i kushtojnë kompanisë rreth një miliard euro në vit. Kjo problematikë disiplinore vjen në një kohë kur Volkswagen po përballet me ulje të fitimeve prej 30 përqind në gjysmën e parë të vitit dhe po përgatitet për eliminimin e 35,000 vendeve të punës në Gjermani gjatë pesë viteve të ardhshme.

Në përpjekje për të përmirësuar situatën, kompania po merr masa të ashpra ndaj punonjësve që nuk respektojnë detyrat e tyre, duke i pushuar nga puna ata që mungojnë pa justifikim.

Për më shumë detaje rreth kësaj teme – https://www.20min.ch/story/krisenkonzern-rigoros-vw-entlaesst-hunderte-mitarbeitende-wegen-blaumachens-103425472

Zvicër: Shoferi po drejtonte në korsinë e kundërt, vdes 23-vjeçari

Një shofer 23-vjeçar i një BMW-je humbi jetën pas një aksidenti të rëndë në Entfelderstrasse, pranë Aaraut. Ai drejtoi makinën në mënyrë të vazhdueshme në korsinë e kundërt dhe u përplas ballë për ballë me një Mercedes që vinte përballë, trasmeton albinfo,ch.

Përplasja e fuqishme e katapultoi Mercedesin mbi shinat hekurudhore të zonës. Ndihma mjekësore dhe policia mbërritën shpejt në vendngjarje; 23-vjeçari u ringjall në vend, por vdiq disa orë më vonë në spital. Shoferi i Mercedesit pësoi lëndime të lehta.

Policia kantonale e Aargaut ka nisur një hetim dhe nuk përjashtohet mundësia që një problem mjekësor të ketë shkaktuar aksidentin.

Për më shumë detaje – https://www.20min.ch/story/aarau-mit-mercedes-kollidiert-bmw-fahrer-23-verstorben-103425603

Greva 24-orëshe e trenave në Itali më 2 dhe 3 tetor, pritet kaos

Udhëtarët në Itali pritet të përballen me vonesa dhe anulime të konsiderueshme në transportin hekurudhor për shkak të një greve të përgjithshme 24-orëshe, e cila do të zhvillohet nga e enjtja në mbrëmje, më 2 tetor, deri të premten në mbrëmje, më 3 tetor 2025, përcjell albinfo.ch.

Kur do të ndodhë greva?

Greva do të zgjasë 24 orë, nga ora 21:00 e së enjtes (2 tetor) deri në ora 20:59 të së premtes (3 tetor). Ajo përfshin shumicën e kompanive hekurudhore në vend, përfshirë:

Trenitalia

Italo

Trenord

RFI (Rete Ferroviaria Italiana)

Cilat shërbime preken?

Të gjitha shërbimet e trenave janë potencialisht të prekura, përfshirë:

Trenat rajonalë

Intercity

Frecce (trenat e shpejtësisë së lartë)

Linjat ndërqytetëse dhe ndërkombëtare

Greva mund të çojë në anulime të udhëtimeve, vonesa të mëdha, apo modifikime të orareve. Ndikimi mund të ndjehet edhe para fillimit të grevës dhe pas përfundimit të saj.

A ka orare të garantuara?

Po. Ligji italian detyron ofrimin e disa shërbimeve minimale të garantuara, veçanërisht gjatë orëve të pikut në ditët e javës:

06:00 – 09:00

18:00 – 21:00

Gjatë këtyre orëve, disa linja do të funksionojnë për të garantuar lëvizjen bazë të pasagjerëve. Gjithashtu, kompanitë si Trenitalia dhe Italo publikojnë një listë të trenave të garantuar, që mund të kontrollohen në faqet e tyre zyrtare.

Çfarë thonë sindikatat?

Sindikatat që organizojnë grevën kanë ngritur shqetësime për kushtet e punës, sigurinë dhe politikat menaxheriale në sistemin hekurudhor. Ata synojnë të rrisin presionin ndaj qeverisë dhe kompanive për të ndërmarrë veprime konkrete në këto fusha.

Si të përgatiteni nëse po udhëtoni gjatë këtyre datave:

Kontrolloni faqet zyrtare të operatorëve si Trenitalia, Italo, Trenord për njoftime në kohë reale dhe listën e trenave që do të funksionojnë.

Planifikoni udhëtimin tuaj përpara orës 21:00 të 2 tetorit, ose pas orës 21:00 të 3 tetorit, për të shmangur grevën.

Keni parasysh vonesat edhe pas përfundimit të grevës, pasi sistemet mund të kenë nevojë për kohë për të rifilluar normalisht.

Në rast anulimi, udhëtarët kanë të drejtën e rimbursimit të plotë të biletës ose ndryshimit të datës së udhëtimit, sipas kushteve të operatorëve.

Konsideroni alternativa si autobusi, carpooling ose transporti lokal, nëse do të udhëtoni në distanca të shkurtra.

Mbyllet “Oktoberfesti” për shkak të kërcënimeve me mjete shpërthyese

Festivali i njohur ndërkombëtar i birrës, Oktoberfest, është mbyllur përkohësisht të mërkurën paradite si masë sigurie, pas një incidenti me armë zjarri në lagjen Lerchenau në pjesën veriore të Mynihut, përcjell albinfo.de.

Sipas njoftimeve të policisë gjermane, të shtënat ndodhën në një zonë rezidenciale dhe nuk besohet të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me festivalin. Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale, një person ka humbur jetën – dyshohet se ka kryer vetëvrasje – ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Janë raportuar edhe shpërthime në vendngjarje, dhe autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të rastit.

Për shkak të afërsisë me zonën e festivalit dhe për të garantuar sigurinë e vizitorëve, hapja e mëngjesit e Oktoberfest-it u shty për disa orë. Policia ka vendosur masa shtesë sigurie, edhe pse ka theksuar se nuk ka ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë për publikun apo për vetë festivalin.

Oktoberfest ka filluar më 20 shtator dhe është planifikuar të zgjasë deri më 5 tetor, duke mbledhur çdo vit miliona vizitorë nga e gjithë bota në kryeqytetin e Bavarisë. Pas vlerësimit të situatës, pritet që aktivitetet e festivalit të rifillojnë normalisht në orët e pasdites. Albinfo.de

Kurti kërkon mbështetje për Kosovën prej ligjvënësve amerikanë

Mësohet se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime me dhjetë kongresistë dhe senatorë amerikanë, përcjell albinfo.ch.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti bëri me dije se prej këtyre takimeve, gjashtë janë nga radhët e Demokratëve dhe katër nga Partia Republikane.

Ai ka thënë se fokus i diskutimeve ishte bashkëpunimi Kosovë-SHBA në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit.

Kurti ka theksuar rëndësinë e mbështetjes dypartiake për Kosovën në Capitol Hill dhe falënderoi për angazhimin e vazhdueshëm të ligjvënësve amerikanë në raportet me vendin.

Të pranishëm në takime ishin kongresistët Keith Self, Mike Lawler, Jim McGovern, George Latimer, Ritchie Torres dhe Kat Cammack, si dhe senatorët Gary Peters, Jeanne Shaheen, Elissa Slotkin dhe Joni Ernst.

Zjarr në aeroportin Heathrow në Londër

Raportohet se një zjarr i madh ka shpërthyer këtë mëngjes në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3 në aeroportin Heathrow, pasi një automjet mori flakë papritur. Pamjet nga vendngjarja treguan shtëllunga të mëdha tymi që ngriheshin nga godina dhe flakë të forta që përhapeshin me shpejtësi, përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve britanike, alarmi i parë u dha në orën 09:03, ndërsa menjëherë në vendngjarje mbërritën katër automjete zjarrfikëse dhe rreth 25 zjarrfikës nga stacionet e Heathrow, Hayes dhe Feltham.

Për shkak të flakëve, një pjesë e autostradës M4 në drejtim të jugut është mbyllur pranë aeroportit, ndërsa udhëtarëve u është këshilluar të përdorin daljen J3 të M4 ose J14 të M25. Edhe disa linja autobusësh janë detyruar të ndërpresin shërbimin e tyre drejt Heathrow, duke shkaktuar vonesa dhe konfuzion te pasagjerët, shkruan A2 CNN.

Një zëdhënës i Heathrow konfirmoi se bëhej fjalë për një zjarr të izoluar. “Mëngjesin e sotëm, ekipet tona reaguan ndaj një zjarri të vogël në një automjet në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3. Zjarri u shua shpejt, por parkimi mbetet i mbyllur përkohësisht, gjë që mund të shkaktojë trafik në rrugët përreth. Të gjitha parkimet e tjera të aeroportit funksionojnë normalisht. Kërkojmë ndjesë pasagjerëve për shqetësimin e shkaktuar,” u shpreh ai.

Covey: S’e dija rolin e Thaçit në Rambuje, s’e di as kush e themeloi UÇK-në

Dëshmitari James Peter Covey, i cili ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, deklaroi të mërkurën në Hagë se Hashim Thaçi është njohur si drejtues politik.

Këtë deklaratë, Covey e dha kur iu prezantua një video, e cila tregonte për prezencën e Thaçit në Rahovec.

“Njihej si drejtues politik”, tha Covey për Thaçin.

Fillimisht, dëshmitarit iu shfaq një video në të cilën një zë dëgjohej duke thënë se “Më mijëra janë mbledhur në qytezën e Rahovecit për të përshëndetur Thaçin”.

Po ashtu, në video thuhej se “Thaçi ishte drejtuesi politik i UÇK-së dhe aktualisht shqiptari më i njohur i Kosovës”. Gjithashtu thuhej se në Rahovec kur Thaçi kishte shkuar ishin rreth 300 ushtarë me uniforma të UÇK-së dhe aty u përkujtuan të rënët e UÇK-së.

Në video, thuhej gjithashtu se Thaçi ftonte për tolerancë ndëretnike, por turma nuk ishte e gatshme ta dëgjonte thirrjen.

Sipas prokurores Vega Iodice, kjo ka ndodhur në korrik të 1999-s, por dëshmitari pyeti se a ka ndodhur më 17 korrik, gjë e cila iu pohua. Covey tha se kjo ka ndodhur dy ditë pasi kishte shkuar ai në Kosovë.

“Nuk më kujtohet mirë”, shtoi ai.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij u pyet se ka dëgjuar ndonjëherë për betejën e Llapushnikut. Lidhur me këtë, ai tha se nuk i kujtohet si ngjarje.

“Nuk më kujtohet mirë”, u përgjigj edhe kur u pyet se a ka dijeni për paradën e UÇK-së që është organizuar në Prishtinë më 18 shtator 1999.

Më pas, dëshmitarit Covey iu tregua një video lidhur me këtë paradë. Video ishte në gjuhën gjermane. Ai evidentoi Thaçin dhe Agim Çekun në videon që iu prezantua nga prokurorja.

“Më duket se zoti Thaçi. Më duket se pranë tij është edhe gjeneral Çeku”, tha Covey.

Në fillim të seancës James Peter Covey gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën tha se nuk e di se kush ishin themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se nuk ka dijeni se cili ishte roli i Hashim Thaçit gjatë Marrëveshjes së Rambujesë dhe se në çfarë cilësie ishte ftuar.

“Nga historia e di se në përfundim të Rambujesë, ai (Thaçi) ishte caktuar si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme. Unë siç e thash isha i përfshirë në Universitet dhe nuk e di se në çfarë cilësie ishte ftuar apo cili ka qenë roli i tij gjatë diskutimeve të mbajtura në Rambuje”, tha Covey, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Covey deklaroi se e ka ditur se Thaçi ishte ai që ka nënshkruar Marrëveshjen e Rambujese. Përveç kësaj, Covey mohoi se ka dijeni se kush ishin themeluesit e UÇK-së.

“Nuk mund të them që kam dijeni”, tha dëshmitari kur u pyet se a e dinte për rolin e LPK-së për formimin e UÇK-së.

Dëshmitari tha se ka pasur dijeni për sulmin ndaj familjes Jashari. Ndërkaq, mohoi të ketë dijeni për ushtarët që iu bashkuan UÇK-së në pranverën dhe verën e vitit 1998.

Ai tha se nuk ka dëgjuar edhe për marrjen e minierës në Bardh të Madh në UÇK-ja dhe nuk e di nëse Thaçi ka qenë ndonjëherë atje.