Rritet fluksi në dalje të kufijve të Kosovës, pritje deri në 80 minuta në Merdarë

Diaspora ka nisur të kthehet drejt vendeve të Perëndimit, aty ku jeton dhe vepron, shkruan albinfo.ch.

Si pasojë, është shtuar fluksi i automjeteve në dalje të kufijve të Kosovës. Në pikëkalimin kufitar të Merdarës, qytetarët po përballen me pritje që variojnë nga 60 deri në 80 minuta.

Ndërkohë, në pikëkalimet tjera kufitare të vendit, situata paraqitet më e qetë, me pritje të shkurtra që nuk i kalojnë pesë minuta.

Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje qytetarëve që, për aq sa është e mundur, të planifikojnë udhëtimet e tyre dhe të shfrytëzojnë pikëkalimet alternative për të shmangur pritjet e gjata./Albinfo.ch 

Sot varroset me nderime shtetërore ish-kryeparlamentari Nexhat Daci

Sot, më 2 janar, në Varrezat e Dragodanit do të varroset ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, përcjell albinfo.ch.

Ceremonitë mortore do të zhvillohen sipas një agjende zyrtare të bërë publike nga familja Daci.

Homazhet për të ndjerin do të mbahen nga ora 09:00 deri në 11:45 në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Më pas, nga ora 12:00 deri në 12:45, në Sallën Plenare të Kuvendit do të organizohet Akademia Përkujtimore.

Varrimi me nderime shtetërore do të mbahet nga ora 13:40 deri në 14:20 në Varrezat e Dragodanit.

“Familja Daci falënderon të gjithë qytetarët, miqtë dhe dashamirët për ngushëllimet dhe respektin e treguar në këto momente zie.

E pamja do të mbahet nga data 03 deri më 05 janar, në Hotel Sirius, nga ora 10:00 – 17:00.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, shkruhet në njoftimin familjar.

Nis numërimi i votave nga diaspora

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur sot, më 2 janar, nga ora 10:00, procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të dërguara përmes postës, traansmeton albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili ka sqaruar se numërimi po realizohet për fletëvotimet e tërhequra deri më tani nga dy kutitë postare jashtë Kosovës, konkretisht nga Berlini dhe Berna.

Sipas Elezit, nga votimi përmes postës janë regjistruar rreth 58 mijë shtetas, ndërkohë që procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare ende nuk ka përfunduar. Ai theksoi se tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026, çka do të mundësojë pasqyrimin e plotë të pjesëmarrjes në këtë formë votimi.

Deri më tani, nga dy kutitë postare në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr mbi 28 mijë e 500 pako me fletëvotime, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së. Nga ky numër, pas procesit të verifikimit, janë aprovuar 27 mijë e 600 pako, ndërsa mbi 950 janë refuzuar.

Sipas KQZ-së, arsyeja më e shpeshtë e refuzimit të pakove me fletëvotime ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit në pakon përkatëse.

Ndërkohë, sa i përket votimit fizik jashtë Kosovës, Elezi ka bërë të ditur se nga 19,187 shtetas të regjistruar për të votuar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, kanë ushtruar të drejtën e votës 16,165 prej tyre, apo 84.24 për qind.

Procesi i numërimit të votave nga diaspora pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa KQZ ka theksuar se i gjithë procesi po zhvillohet në përputhje me procedurat dhe standardet e parapara ligjore.

Dinamika e tragjedisë në Crans-Montana që la shumë të vdekur nga zjarri shkatërrues në një lokal në bodrum

Platforma mediale Albinfo.ch ka raportuar që nga mëngjesi i 1 janarit për rastin tragjikë në Crans-Montana që la shumë të vdekur nga zjarri shkatërrues në një lokal në bodrum që kishte vetëm një dalje.

Zjarri që u përhap me shpejtësi marramendëse brenda një lokali nate në Crans-Montana u kthye në një tragjedi të rëndë në orët e para të Vitit të Ri 2026. Bilanci është tragjik sipas autoriteteve zvicerane, tashmë numri ka shkuar në 47 persona që humbën jetën dhe rreth 100 të tjerë mbetën të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë, që po luftojnë me jetën thonë organet shëndetësore.

Sipas autoriteteve zvicerane, zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit të 1 janarit 2026, në barin “Le Constellation”, një ambient në bodrum ku po festonin të paktën 200 të rinj. Brenda pak minutash, lokali u përfshi nga flakët, pa lënë pothuajse asnjë mundësi shpëtimi.

Çfarë dihet deri tani

Këshilltari i Shtetit, Stéphane Ganzer, duke folur për televizionin publik zviceran, deklaroi se zjarri është përhapur shumë shpejt, duke shkaktuar shpërthime të njëpasnjëshme që e kthyen sallën e barit në një “kurth vdekjeje”.

Hetimet janë në fazë intensive. Prokurorja e Përgjithshme e kantonit, Beatrice Pilloud, në konferencën e parë për shtyp, përjashtoi kategorikisht hipotezën e një atentati, duke theksuar se bëhet fjalë për një aksident tragjik. Shkaqet e sakta, megjithatë, mbeten ende për t’u përcaktuar.

Hipotezat për shkakun e zjarrit

Një nga pistat e para të hetimit lidhet me përdorimin e mjeteve piroteknike ose qirinjve shkëlqyesbrenda lokalit. Ambasadori italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado, përmendi mundësinë e fishekzjarrëve të ndezur brenda ambientit, por autoritetet hetuese nuk kanë konfirmuar ende këtë version.

Disa dëshmi flasin për qirinj shkëlqyes të vendosur mbi shishet e shampanjës, të ndezur nga kamarierët gjatë festimeve. Dy të rinj francezë, të intervistuar nga BFMTV, thanë se njëri prej këtyre qirinjve ishte afruar shumë pranë tavanit prej druri, i cili mori flakë pothuajse menjëherë. “Brenda pak sekondash gjithçka ishte në zjarr,” thanë ata.

Një tjetër dëshmitar konfirmoi praninë e yjeve shkëlqyes dhe rrëfeu se shkëndijat ndezën elemente të tavanit, duke bërë që flakët të përhapeshin me shpejtësi në të gjithë ambientin.

Dalja e vetme dhe ambienti i ngushtë

Një element kyç në rritjen e numrit të viktimave duket të ketë qenë mungesa e rrugëve të sigurta të evakuimit. Lokali ndodhej në bodrum dhe, sipas disa dëshmive, kishte vetëm një dalje të ngushtë.

“Të gjithë po shtyheshin. Dera ishte shumë e vogël për kaq shumë njerëz. Disa thyen dritaret për të shpëtuar,” thanë dy vajza për televizionin francez. Zjarrfikëset, sipas tyre, mbërritën brenda pak minutash, por situata kishte dalë tashmë jashtë kontrollit.

Gjatë konferencës për shtyp, prokurorja Pilloud konfirmoi se shkalla e daljes ishte e ngushtë, pa dhënë ende vlerësime mbi përputhshmërinë e lokalit me standardet e sigurisë.

Dëshmitë tronditëse

Zv/kryetarja e Asconas, Michela Ris, e cituar nga mediat zvicerane, përshkroi skena tmerri:

“Disa djem dhe vajza dolën nga lokali të gjakosur, disa pa rroba. Ishte një masakër e vërtetë.”

Një dëshmitar tjetër, Jeoffroy D’Amecourt, i tha RadioTelevisione Svizzera se kishte dëgjuar një shpërthim shumë të fortë, por mohoi që të ishte fishekzjarr: “Zhurma ishte krejt tjetër.”

Fenomeni ‘flashover’ – çfarë ndodhi brenda lokalit

Autoritetet konfirmuan se brenda lokalit ndodhi një fenomen i njohur si “flashover”, një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme ku zjarri kalon brenda sekondash nga një vatër e kufizuar në një zjarr të përgjithshëm.

Në këto raste, nxehtësia grumbullohet nën tavan, gazrat e djegies përhapen dhe temperatura rritet deri në disa qindra gradë, duke shkaktuar ndezjen e menjëhershme të materialeve të djegshme. Në një ambient të mbyllur dhe të mbipopulluar, mbijetesa bëhet pothuajse e pamundur.

Hetimet vazhdojnë

Autoritetet po analizojnë materialet e përdorura në rikonstruksionin e fundit të lokalit, funksionimin e sistemeve kundër zjarrit dhe respektimin e normave të sigurisë. Çdo hipotezë mbetet e hapur, ndërsa Zvicra është tronditur nga një prej tragjedive më të rënda të viteve të fundit.

Si po ndikon Inteligjenca Artificiale në kërkimin shkencor

Shkencëtarët po përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale (AI) për të përshpejtuar proceset e kërkimit shkencor, nga shkrimi i artikujve e analizimi i të dhënave deri te zhvillimi i ideve të reja. Një studim i fundit tregon se AI po transformon mënyrën se si realizohet dhe publikohet kërkimi shkencor, duke pasur ndikim në pothuajse të gjitha fushat e shkencës.

Sipas ekspertëve të Universitetit Cornell në SHBA, mjetet e bazuara në AI, si ChatGPT, po ndihmojnë studiuesit të shkruajnë më shpejt dhe të publikojnë më shumë punime. Kjo është veçanërisht e dobishme për ata që nuk kanë anglishten si gjuhë amtare, pasi AI ndihmon në përpilimin e teksteve më të sakta dhe më të rrjedhshme. Si rezultat, numri i artikujve të publikuar është rritur ndjeshëm.

Megjithatë, studimi nënvizon disa sfida. Shumë artikuj të ndihmuar nga AI duken të përpunuar dhe të strukturuar mirë, por përmbajtja shkencore mund të mos jetë gjithmonë e thellë. Artikujt e krijuar me ndihmën e AI shpesh nuk arrijnë të plotësojnë standardet e revistave shkencore prestigjioze, krahasuar me punimet e shkruara plotësisht nga njerëzit.

Kjo tregon se, megjithëse AI mund të përmirësojë qartësinë, organizimin dhe stilin e një teksti, ajo nuk zëvendëson origjinalitetin dhe cilësinë shkencore të një studimi të vërtetë.

Nga ana tjetër, AI sjell avantazhe të rëndësishme, duke ndihmuar studiuesit të identifikojnë burime të reja dhe të larmishme, si dhe të kursejnë kohë gjatë kërkimit dhe shkrimit.

Në përfundim, përdorimi i AI në shkencë po rritet me shpejtësi dhe po ndryshon mënyrën se si shkencëtarët punojnë dhe publikojnë. Megjithëse ofron shumë përfitime, ekspertët theksojnë se përdorimi i saj duhet të monitorohet me kujdes, për të siguruar që avancimi i shkencës të mos dëmtohet nga mungesa e cilësisë ose besueshmërisë.

Maqedoni: Sistemi inteligjent i kamerave sjell rezultate të jashtëzakonshme në trafik

Gjatë fazës testuese të zbatimit të sistemit “Safe City” është shënuar një rënie e ndjeshme e aksidenteve në trafik në Shkup. Sipas të dhënave zyrtare, numri i aksidenteve është ulur me rreth 20 për qind, ndërsa numri i personave të lënduar ka rënë me 37 për qind, krahasuar me muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se sistemi tashmë po jep rezultate konkrete, duke vënë në pah se në dhjetor të vitit 2024 nga aksidentet në trafik humbën jetën pesë persona, ndërsa në dhjetor të vitit 2025 nuk është regjistruar asnjë viktimë. Ai shtoi se edhe në nivel vjetor ka rënie të numrit të viktimave, nga 142 në vitin 2024 në 131 në vitin 2025, çka sipas tij dëshmon ndikimin pozitiv të këtij sistemi edhe në qytete të tjera dhe në autostrada ku janë instaluar pajisje të ngjashme, transmeton alsat përcjell albinfo.ch.

Nga ana tjetër, u bë thirrje që deputetët të marrin parasysh këto statistika dhe të mbështesin miratimin e ligjit për kundërvajtje, i cili është kusht për funksionalizimin e plotë të sistemit “Safe City”. Autoritetet shprehen optimiste se ligji do të votohet nga të gjithë deputetët, në mënyrë që sistemi të hyjë në fuqi të plotë nga 1 shkurti.

Aktualisht, sistemi është ende në fazë testimi dhe qytetarët e Shkupit po marrin mesazhe paralajmëruese për shkeljet e konstatuara nga kamerat inteligjente. Megjithatë, zbatimi i plotë vazhdon të varet nga miratimi i ndryshimeve ligjore për kundërvajtjet në trafik dhe Kodin Penal.

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi: Ambasada po monitoron situatën pas shpërthimit në Crans-Montana

Mbi 40 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi që ndodhi në një bar në resortin e njohur të skijimit në Crans-Montana, Zvicër.

Duke pasur parasysh se një numër i madh i diasporës kosovare jeton dhe vepron në Zvicër, Klankosova kontaktuar me Ambasadën e Kosovës në Bernë për të konfirmuar nëse ka viktima apo të lënduar nga bashkëatdhetarët tanë.

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, deklaroi se ambasada po monitoron situatën me kujdes dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet zvicerane.

“Në orën 17 kemi biseduar herën e fundit me linjën emergjente të policisë federale në lidhje me tragjedinë në Crans-Montana. Deri më tash nuk është bërë identifikimi i nacionalitetit të viktimave. Janë duke punuar në këtë drejtim. Edhe kur të bëhet identifikimi, së pari do të informohen familjet përkatëse, pastaj do të procedohet me informimin e publikut”, tha ambasadori.

Ai shtoi se çdo informacion i ri do të publikohet në faqen zyrtare të Facebook-ut të Ambasadës së Kosovës në Bernë.

Prishtina, 22-ta në botë për ndotjen e ajrit një natë pas Vitit të Ri

Sipas të dhënave të IQ Air, një ditë pas ndërrimit të motmoteve, Prishtina renditet e 22-ta në botë për ndotjen e ajrit. Vlera e grimcave PM në ajër ishte 98, një nivel që nuk konsiderohet i rrezikshëm për qytetarët.

Nga rajoni, Shkupi është më keq, duke u renditur i 6-ti në listën e kryeqyteteve me ndotje më të lartë.

Paralajmërimi i shkencëtarëve: Viti 2026 mund të thyejë rekordet e ngrohjes globale

Parashikimet e organizatave ndërkombëtare tregojnë se viti 2026 pritet të jetë një nga vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë në Tokë.

Vlerësimi, i publikuar nga Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar, bazohet në studime të kohëve të fundit që tregojnë një rritje të vazhdueshme të temperaturave mesatare globale, me vlera që mund të tejkalojnë rekordet e mëparshme. Ky trend nënvizon urgjencën për të kufizuar ngrohjen globale dhe për të zvogëluar ndikimet serioze të ndryshimeve klimatike.

Rritja e temperaturave lidhet direkt me aktivitetet njerëzore dhe emetimet e gazrave serrë, sipas Kombeve të Bashkuara (OKB):

“Gazrat kryesorë serrë që shkaktojnë ndryshimet klimatike janë dioksidi i karbonit dhe metani. Ato vijnë, për shembull, nga përdorimi i benzinës për makinat ose djegia e qymyrit për ngrohjen e ndërtesave.”

Parashikimet për vitin 2026 vendosin sfida të reja për shtetet në përmbushjen e angazhimeve të tyre ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, si Marrëveshja e Parisit, e cila synon të parandalojë rritjen e temperaturës mbi kufijtë kritikë.

Sipërfaqja e pyjeve të djegura në BE arrin nivel rekord

Gjatë vitit 2025, sipërfaqja e pyjeve që u dogj në vendet e Bashkimit Evropian arriti rreth 1.034.000 hektarë, duke shënuar humbjen më të madhe që është regjistruar ndonjëherë.

Ndërsa pjesë të ndryshme të botës përballen me temperatura ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike, zjarret në pyje, kryesisht të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, po shkaktojnë dëme të mëdha.

Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje tregojnë se gjatë vitit 2025 vendet e BE-së u përballën me një numër rekord zjarresh, ndërkohë që nxehtësia e jashtëzakonshme favorizoi përhapjen e tyre.

Me rritjen e frekuencës dhe intensitetit të zjarreve sezonale, viti 2025 u bë më katastrofiku në historinë e regjistrimeve të Bashkimit Evropian sa i përket sipërfaqes së djegur dhe numrit të zjarreve. Sipërfaqja totale e humbur nga flakët arriti në 1.033.966 hektarë, ekuivalente me rreth 10.340 km², më shumë se sa madhësia e ishullit të Qipros dhe afërsisht sa e Libanit.

Humbje rekord në një javë

Në vitin 2024, BE regjistroi 8.343 zjarre pyjore dhe një humbje prej 383.317 hektarësh. Ndërsa vitin e kaluar pati gjithashtu rekorde zjarresh, humbjet e vitit 2025 janë trefish më të mëdha. Veçanërisht, gjatë javës që përfshinte 12 gushtin, zjarret në Spanjë dhe Portugali dogjën 334.478 hektarë, një humbje e barabartë me atë të një viti të tërë në periudhat e mëparshme.

Spanja dhe Portugalia kryesojnë listën e dëmeve

Spanja ishte vendi me humbjet më të mëdha nga zjarret në vitin 2025, me 393.079 hektarë të djegur. Portugalia i ndoqi nga afër me 278.387 hektarë. Më pas vijnë Rumania (129.443 ha), Italia (84.348 ha), Greqia (47.819 ha), Franca (36.895 ha) dhe Bullgaria (32.752 ha). Kur shtohen të gjitha vendet e tjera, sipërfaqja totale e djegur në BE arrin 1.034.000 hektarë.

Sipërfaqja e djegur sipas vendeve në vitin 2025 (hektarë):

Austria: 431

Belgjika: 668

Bullgaria: 32.752

Kroacia: 3.380

Qiproja Greke: 13.527

Danimarka: 255

Finlanda: 407

Franca: 36.895

Gjermania: 5.475

Greqia: 47.819

Hungaria: 666

Irlanda: 4.355

Italia: 84.348

Letonia: 30

Holanda: 170

Polonia: 295

Portugalia: 278.387

Rumania: 129.443

Sllovakia: 362

Sllovenia: 143

Spanja: 393.079

Suedia: 1.079

Totali: 1.033.966 hektarë

Dëmtime të rënda nga zjarri në Crans-Montana: Viktimat kanë djegie që mbulojnë 60% të trupit

Disa nga të plagosurit në zjarrin e Crans-Montana kanë pësuar djegie të rënda që prekin rreth 60% të sipërfaqes trupore, njofton Dr. Wassim Raffoul, mjek i përgjithshëm në Spitalin e Morges dhe ish-drejtor i kirurgjisë plastike në Qendrën Romande të Djegieve.

Në një intervistë për programin radiofonik Forum, Dr. Raffoul shpjegon se këto janë dëmtime jashtëzakonisht serioze që kërkojnë kohë të gjatë trajtimi dhe mund të komplikohen nga faktorë të tjerë, si thithja e tymrave toksikë ose plagët e shkaktuara nga shtypja e trupit, transmeton albinfo.ch.

“Përveç flakëve dhe temperaturës, prezenca e tymrave shumë toksikë nga djegia e materialeve plastike e komplikon më tej trajtimin,” shpjegon ai. Një tjetër faktor që përkeqëson situatën është shtypja e trupit: “mund të ketë dëmtime, fraktura, gjakderdhje që shtohen mbi gjithçka tjetër.”

Aksidenti ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit, dhe të gjithë të plagosurit u morën në trajtim deri në orën 05:00, sipas autoriteteve. “Është e jashtëzakonshme që brenda disa orësh të gjithë këta pacientë u triaguan,” shtoi Dr. Raffoul.

Sipas mjekëve të Spitalit Universitar të Cyrihut, prioritet është ruajtja e funksioneve jetësore si frymëmarrja, qarkullimi dhe vetëdija e pacientëve. “Të plagosurit nga djegiet kanë nevojë të madhe për lëngje dhe u japin menjëherë intravenoze sapo është e mundur,” thotë Marcel Schlatter, zëdhënës i spitalit.

Plagët pastrohen dhe sterilizohen, sepse djegiet kanë rrezik të lartë infektimi. Aplikohet dezinfektant, pomadë dhe fashë speciale, ndërsa pacientët vendosen në dhoma izolimi.

Në Spitalin Universitar të Lausanne (CHUV) janë pranuar “rreth 13 të rritur dhe 8 të mitur me djegie që mbulojnë më shumë se 60% të trupit,” shpjegon Dr. Raffoul. Për krahasim, djegiet konsiderohen serioze kur mbulojnë 10-20% të sipërfaqes trupore, dhe trajtimi i tyre kërkon kohë të gjatë.

Pacientët zakonisht marrin transplant të lëkurës, ose nga lëkura e tyre, ose artificiale, dhe qëndrojnë në spital për javë ose muaj. “Ndërrimi i fashës kërkon anestezi të përgjithshme dhe një ekip të tërë mjekësor,” thotë Marcel Schlatter.

Zvicra ka qendra për kujdes intensiv të pacientëve me djegie të rënda në Cyrih dhe Lausanne, duke siguruar trajtim të specializuar dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.

Evropa tregon solidaritet me Zvicrën pas tragjedisë së zjarrit, Von der Leyen: Do të ofrojmë ndihmë mjekësore

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, deklaroi se Evropa qëndron pranë Zvicrës dhe po ofron ndihmë mjekësore përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Ajo shtoi se mendimet e saj janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit nga tragjedia.

Shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, vlerësoi guximin e atyre që rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerët. Ndërkohë, presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e përshkroi ngjarjen si një “fillim zemërthyes të Vitit të Ri”.

 

Numërimi i votave në Kosovë: Top-pesëshja e partive mbetet e pandryshuar

Pas një ndërprerjeje për festat e fundvitit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rifilluar procesin e numërimit të votave për deputetë.

Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, deri në ora 21:30 janë numëruar 87.64 % e votave.

Edhe pas rifillimit të numërimit, pesë partitë më të mëdha mbeten të njëjtat:

VV: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla.

PDK: Bedri Hamza, Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

LDK: Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili.

AAK: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Agim Çeku.

Familjarët kërkojnë me ankth të zhdukurit pas zjarrit tragjik të Vitit të Ri në Crans-Montana

Pas zjarrit shkatërrues që shpërtheu natën e Vitit të Ri në një bar në Crans-Montana, dhjetëra familjarë po përjetojnë orë ankthi duke kërkuar të afërmit e tyre të zhdukur. Shumë prindër ende nuk kanë asnjë informacion nëse fëmijët e tyre ndodhen mes viktimave apo të plagosurve.

Sipas autoriteteve, të paktën 40 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë. Identifikimi i viktimave po rezulton i vështirë për shkak të djegieve të rënda dhe mund të zgjasë disa ditë.

Familjarë dhe miq po përdorin rrjetet sociale për të kërkuar informacion mbi të zhdukurit, duke shpërndarë fotografi, përshkrime fizike dhe apel për ndihmë. Në disa raste, bëhet fjalë për të mitur dhe të rinj që kishin dalë për të festuar ndërrimin e viteve.

Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se shumica e viktimave janë të rinj, kryesisht të moshës 16 deri në 26 vjeç. Spitalet në rajon janë të mbingarkuara me të plagosur nga djegiet, ndërsa disa pacientë janë transferuar me helikopterë dhe avionë ambulancë në spitale të specializuara.

Në Crans-Montana janë vendosur lule dhe qirinj në shenjë zie, ndërsa autoritetet kanë shprehur solidaritetin me familjet e prekura. Presidenti i Këshillit Shtetëror, Matthias Reynard, e cilësoi situatën si “një moment jashtëzakonisht të rëndë për familjarët”, duke theksuar se pasiguria është e dhimbshme, por hetimet dhe identifikimi kërkojnë kohë.

Një linjë telefonike ndihme është vënë në dispozicion për familjarët, dëshmitarët dhe personat e prekur: 0848 112 117.

Franca pranon të lënduarit në spitalet e saj pas zjarrit në Crans-Montana

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të enjten se Franca po pranon në spitalet e saj persona të lënduar nga zjarri në Crans-Montana.

“Franca […] është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë. Faleminderit ekipeve dhe personelit shëndetësor të angazhuar,” shkroi Macron në rrjetin social X, pas një bisede telefonike me presidentin e Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin.

Ambasada e Kosovës në Zvicër në gjendje gatishmërie për qytetarët në Crans-Montana

Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër ka njoftuar se është duke monitoruar nga afër zhvillimet në Crans-Montana dhe ndodhet në gjendje të plotë gatishmërie për t’u ofruar ndihmë qytetarëve të saj.

Sipas njoftimit, qytetarët e Kosovës që kanë nevojë për asistencë mund të kontaktojnë në çdo kohë numrin emergjent të Ambasadës: +41 77 479 11 86.

Po ashtu, për familjet e brengosura, autoritetet zvicerane kanë vënë në dispozicion numrin emergjent: +41 848 112 117.

Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të informuar dhe të kontaktojnë institucionet përkatëse në rast nevoje.

2026: Viti i Ri, ligje të reja zvicerane

Ndryshime të ndryshme në ligjet dhe rregulloret zvicerane hynë në fuqi më 1 janar. Ja një përzgjedhje.

Trafiku dhe transporti: Nga 1 janari, mbështetja financiare e qeverisë federale zvicerane për transportin hekurudhor vendas dhe transportin e mallrave do të ripërcaktohet. Qëllimi është të inkurajohet ngarkimi i mallrave me hekurudhë.

Ligji i ri zviceran mbi të dhënat e pasagjerëve ajrorë do të hyjë në fuqi. Linjat ajrore do të duhet t’u japin autoriteteve të dhëna të pasagjerëve ajrorë për të gjitha fluturimet që operojnë nga jashtë vendit në Zvicër dhe nga Zvicra në jashtë vendit.

Energjia dhe mjedisi: Çmimet e energjisë elektrike në Zvicër do të bien mesatarisht me rreth 4% në vitin 2026 për furnizimin bazë familjar. Një familje tipike do të paguajë 27.7 centimë për kilovat-orë, që përfaqëson një rënie prej 58 CHF (73 dollarë) në faturën mesatare të energjisë elektrike të një familjeje.

Mbështetja federale për zhvillimin e energjisë diellore në Alpe do të vazhdojë pas vitit 2025. Një ligj i veçantë do të hyjë në fuqi sot.

Në janar, do të hyjnë në fuqi rregulloret e reja në lidhje me përdorimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve. Blerja dhe përdorimi i tyre në bujqësi do të kërkojë një autorizim të vlefshëm profesional. Ky ndryshim prek të gjitha fermat.

Duke filluar nga viti 2026, 567 milionë CHF do t’u paguhen të gjithë banorëve të Zvicrës si pjesë e taksës mjedisore. Shuma do të zbritet nga primet e tyre të sigurimit shëndetësor.

Shëndeti dhe fondet e sigurimeve shëndetësore: Pas më shumë se njëzet vjetësh, sistemi i tarifave mjekësore Tarmed do të zëvendësohet nga Tardoc dhe tarifat fikse ambulatore. Tarmed, i prezantuar në vitin 2004, nuk është rishikuar kurrë plotësisht. Futja e Tardoc përfaqëson një hap vendimtar drejt përmirësimit të kujdesit ambulator për pacientët, paguesit e primeve dhe profesionin mjekësor.

Qeveria zvicerane, për herë të parë, do të vendosë objektiva maksimale të rritjes së kostos për periudhën 2028 deri në 2031. Të mërkurën, ajo vendosi që kundërpropozimi ndaj iniciativës nga Partia e Qendrës do të hynte në fuqi në fillim të vitit. Ky kundërpropozim thotë se qeveria do të vendosë një kufi për rritjen e kostove të detyrueshme të sigurimit shëndetësor çdo katër vjet. Do të marrë një vendim fillestar në fund të vitit 2026. Nëse kostot tejkalojnë këtë vlerë të rënë dakord pa justifikim, Këshilli Federal dhe kantonet duhet të marrin në konsideratë masa korrigjuese.

Kostot e disa vaksinave tani mbulohen nga sigurimi shëndetësor, edhe nëse zbritja nuk është shteruar ende. Kjo përfshin vaksinat standarde si ato kundër difterisë, tetanosit dhe meningokokut.

Ndryshime të ndryshme në ordinancën e përfitimeve të sigurimit shëndetësor do të hyjnë në fuqi nga viti 2026. Për shembull, aplikacionet dixhitale të shëndetit, siç janë aplikacionet për trajtimin e depresionit, në të ardhmen do të rimbursohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor.

Planifikimi i sigurimeve dhe pensioneve: Kushdo që ka disa punë afatshkurtra me paga të ulëta mund të përfitojë nga dispozitat e përmirësuara të pensioneve të pleqërisë. Po merren masa edhe për individët e vetëpunësuar që ndërpresin aktivitetin e tyre.

Në janar 2026, pensionet e të mbijetuarve dhe të paaftësisë nga skemat e detyrueshme të pensioneve profesionale (LPP) të paguara që nga viti 2022 do të përshtaten për herë të parë me ndryshimet e çmimeve.

Mbrojtja sociale për punëtorët me detyra afatshkurtra në katër sektorë të kulturës dhe medias do të përmirësohet nga viti 2026. Paga e tyre tani do të mbulohet nga skema zvicerane e pensioneve të pleqërisë, edhe nëse është minimale.

Shoqëria, trajnimi dhe ligji penal: Ndjekja ose ngacmimi obsesiv do të jetë krim që nga fillimi i vitit 2026 dhe mund të dënohet me burgim ose gjoba. Megjithatë, ndjekja penale për ngacmim obsesiv është e mundur vetëm kur një viktimë paraqet një padi penale.

Kushdo që ka kryer vrasje kur ishte më i ri mund të internohet si i rritur, në kushte të caktuara, menjëherë pas një sanksioni penal të vendosur ndaj të miturve.

Nga 1 janari, kantonet do të jenë në gjendje të përcaktojnë formatin e provimit të njohurive të përgjithshme për diplomat e praktikës. Kantonet do të jenë në gjendje të vazhdojnë të organizojnë provime përfundimtare me shkrim ose provime me gojë.

Autoritetet zvicerane po ofrojnë stimuj më të mëdhenj për shpërndarjen e gazetave rajonale dhe lokale me postë. Zbritja tani është 43 centimë për kopje, 15 centimë më shumë se këtë vit.

Planifikimi i përdorimit të tokës dhe ndërtimi: Dispozitat e reja për ligjin e planifikimit hapësinor do të hyjnë në fuqi në faza në vitin 2026. Megjithatë, nga 1 korriku 2026, kantonet do të duhet të përcaktojnë brenda pesë viteve një strategji për të stabilizuar ndërtimin jashtë zonave të ndërtimit.

Pronarët dhe blerësit e pronave do të jenë më të mbrojtur në rast të defekteve të ndërtimit. Aktualisht, pronarët e pronave duhet të njoftojnë kontraktorin brenda 7 deri në 10 ditë për çdo defekt të ndërtimit, ose rrezikojnë të humbasin të drejtat e tyre të garancisë. Në të ardhmen, ata do të kenë 60 ditë. Kontrata nuk mund të përcaktojë një periudhë më të shkurtër ose të përjashtojë të drejtën për riparime.

Taksimi dhe krediti: Do të ketë më pak interes në vitin 2026 për pagesat vullnetare paraprake të taksave federale direkte. Ministria e Financave ka ulur normën e interesit nga 1.25% në 0.75%. Norma e interesit për pagesat e vonuara, rimbursimet dhe detyrimet e pagesës me kusht për taksat dhe tarifat federale po ulet gjithashtu nga 4.75% në 4.5%.

Dispozitat që lidhen me ndryshimin e marrëveshjes së taksimit të dyfishtë midis Zvicrës dhe Francës zbatohen nga 1 janari. Këto dispozita rregullojnë taksimin e të ardhurave nga puna në distancë.

Nga 1 janari, individët që i janë nënshtruar procedurave të pajustifikuara ligjore do të jenë në gjendje të parandalojnë më lehtë palët e treta që të bëhen të vetëdijshëm për këto procedura. Për ta bërë këtë, individi duhet, si më parë, të paraqesë një kërkesë në zyrën përkatëse të zbatimit të borxhit.

Norma maksimale e interesit për kredinë konsumatore do të rregullohet për të reflektuar uljen e normave të interesit. Në fillim të vitit 2026, norma për kreditë në para do të ulet nga 11% në 10%, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch. Norma maksimale e interesit për lehtësitë e mbitërheqjes, të tilla si kartat e kreditit, do të ulet gjithashtu nga 13% në 12%.

Karakteristika të tjera të reja të planifikuara për vitin 2026: Këshilli Federal ka vendosur që punëtorët shtëpiakë do të shohin pagat e tyre minimale të rriten me 2% duke filluar nga 1 janari 2026. Këto do të përshtaten për të reflektuar ndryshimet në pagat nominale për vitet 2022 deri në 2024.

Mbështetja për kinemanë zvicerane duhet të riorientohet drejt një qasje gjithëpërfshirëse për mbështetjen e sektorit audiovizual. Këto masa duhet të hyjnë në fuqi më 1 janar.
Pagesa e 13-të e pensionit të pleqërisë duhet të shpërndahet nga dhjetori 2026. Por mënyra se si do të financohet mbetet e hapur dhe e diskutueshme.

Një linjë telefonike kombëtare emergjence do të futet nga 1 maji 2026. Personat e prekur nga dhuna në familje do të jenë në gjendje ta kontaktojnë atë.

Një skemë identiteti elektronik (E-ID) do të futet në Zvicër jo më herët se mesi i vitit 2026. Përdorimi i saj do të jetë opsional dhe falas, dhe do të bëhet i mundur përmes aplikacionit Swiyu.

Me para kesh nuk mund të merrni më biletë, transporti publik po bëhet më digjital

Të hipësh spontanisht në autobus dhe të blesh një biletë me një monedhë nga shoferi, kjo është e ndaluar në gjithnjë e më shumë vende në Zvicër. Pa para me kartë, aplikacion për smartphone ose abonim, ekziston rreziku i drejtimit të paligjshëm të automjetit nëse nuk je i kujdesshëm. Shumica e kompanive të transportit janë të ankoruara në nivel lokal dhe të organizuara në shoqata rajonale, kështu që Zvicra është një mozaik transporti publik.

Për shembull, Baselland Transport (BLT) hoqi arkat me monedha nga autobusët e saj në mesin e dhjetorit kur ndryshoi orarin, kur zëvendësoi sistemin e saj të vjetëruar. Tani mund të blini dhe printoni vetëm bileta digjitale në automjet. Sipas shefit të BLT, Frédéric Monard, futja e makinave digjitale në autobus ka funksionuar mirë.

Tani kompanitë e transportit Schaffhausen kanë ndryshuar gjithashtu, por me një sistem të ndryshëm: Në Schaffhausen mbani një kartë ose një telefon celular me një aplikacion pagese kur hipni dhe nxirrni një sensor pa printer kur hipni, dhe sistemi më pas debiton tarifën – kështu funksionon tashmë në kantonin e Graubünden.

Për kompanitë e transportit, trajtimi i parave të gatshme është një përpjekje që vështirë se ia vlen më, sepse kërkesa po zvogëlohet, shkruan SRF. Vetëm gjysmë përqind e klientëve të BLT ende paguajnë me para të gatshme sot. Dhe pa shitje biletash, shoferët mund të ndjekin më mirë orarin, transmeton albinfo.ch.

Por kudo që paratë e gatshme zhduken nga transporti publik, ka kritika: Të moshuarit janë të mbingarkuar nga teknologjia digjitale, shpesh thuhet se kartat e kreditit ose bankare lënë gjurmë digjitale, fëmijët nuk kanë asnjë nga këto karta dhe ngarkimi i kartave të parapaguara është i lodhshëm.

Në parim, Fondacioni për Mbrojtjen e Konsumatorit është kritik: “Transporti publik nuk është thjesht çdo ofrues, por një shërbim publik. Askush nuk duhet të përjashtohet që nuk dëshiron ose nuk mund të jetë në rrugë digjitalisht”, thotë drejtoresha menaxhuese Sara Stalder. Nëse doni të blini me para të gatshme, mund të shkoni në një dyqan tjetër për të shmangur arkëtimet digjitale, por kjo është e pamundur me transportin publik.

Monard pajtohet që transporti publik duhet të jetë i lehtë për t’u përdorur për të gjithë. Kjo është arsyeja pse të ashtuquajturat makina “tap-and-ride” të BLT janë shumë të lehta dhe intuitive për t’u përdorur. Si një alternativë me para në dorë, ai i referohet kartave të parapaguara, përkatësisht asaj të re nga Alliance Swisspass, e cila blihet në sportel. Me kartat e parapaguara mund të vazhdoni të udhëtoni në mënyrë anonime në transportin publik.

Megjithatë, për Stalder, kartat me çip janë vetëm një “zgjidhje gjysmë zemre”, sepse për të ngarkuar kredinë, duhet ta bëni disi digjitalisht ose të prisni në radhë në një sportel. Monard premton se mund ta ngarkoni të gjithë monedhën tuaj në kartë në dyqanin BLT, por pranon: “Duhet ta bëni këtë devijim nëse doni të vazhdoni të jeni në rrugë me para në dorë.”

Shoqata e transportit të Cyrihut hoqi dorë nga paratë në dorë edhe më rrënjësisht një vit më parë: Me pajisje në automjet, biletat nuk shiten më. Kjo kishte dhënë reagime negative në muajt e parë, por më pak se sa pritej. Sepse tre të katërtat e të gjithë pasagjerëve tashmë blejnë biletën e tyre përmes aplikacionit. Si një alternativë ndaj shitjes në autobus, ZVV ofron shitje biletash me telefon, por shiten vetëm shumë pak bileta.

Jo vetëm që paratë në dorë po zhduken gjithnjë e më shumë nga autobusët, por ditët e monedhës janë të numëruara edhe në ndalesa. Për shembull, Tarifverbund Nordwestschweiz dëshiron të zëvendësojë makinat shitëse të vjetruara me makina thjesht digjitale nga mesi i vitit 2027.

2026: Shqipëria merr komandën e batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një takim virtual me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Begaj ka vlerësuar lart sakrificën e ushtarakëve shqiptarë, të cilët festojnë larg familjeve për të garantuar sigurinë në pikat më të nxehta të globit.

Gjatë takimit, ai ka dhënë një lajm të rëndësishëm për vitin që sapo ka nisur: Shqipëria do të marrë komandën e batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026.

“Kjo është një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive dhe sigurisë në rajon,” theksoi Begaj, duke e cilësuar këtë detyrë si një arritje madhore të ushtrisë shqiptare.

Presidenti listoi hartën e gjerë të angazhimit të trupave tona, duke treguar peshën që Shqipëria ka brenda Aleancës:

Në Rajon- Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Krahu Lindor i NATO-s- Letoni dhe Bullgari.

Misione Strategjike- Irak, Sinai, Deti Egje dhe Sudani i Jugut.

Mbështetje për Ukrainën- Pjesëmarrje në strukturat mbështetëse ndaj agresionit rus, shkruan RTSH, transmeton albinfo.ch.

Nesër nis numërimi i votave nga diaspora

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, ka njoftuar se nesër fillon numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora, respektivisht të fletëvotimeve nga votimi përmes postës, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare në Berlin dhe Bernë.

“Të premten (2 janar 2026, ora 10:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.  Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026.  Deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.  Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, ai ka treguar se nga v votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19 mijë e 187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16 mijë e 165 prej tyre, ose 84.24 për qind.

Gripi po vazhdon të përhapet në Zvicër

Gripi sezonal ka vazhduar të përparojë në Zvicër gjatë javës së kaluar, e cila përkon me sezonin e festave. U raportuan pothuajse një e katërta e rasteve më shumë krahasuar me javën e kaluar.

Javën e kaluar, në Zvicër dhe Lihtenshtajn u raportuan 31.90 raste të konfirmuara në laborator për 100,000 banorë, një rritje prej 21.8% gjatë një jave, sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH) të mërkurën. Kjo korrespondon me rreth 2900 raste të konfirmuara, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Shkallat më të larta të incidencës gjenden në kantonet Basel-Stadt (59.59), Jura (53.45) dhe Schaffhausen (51.88). Anasjelltas, rajonet më të ruajtura janë Obwald (5.04), Appenzell Inner Rhodes (5.98) dhe Appenzell Outer Rhodes (12.34).

Një zëdhënëse e Spitaleve Universitare të Gjenevës (HUG) raportoi një “nivel të lartë” të personave me grip “që para festave”, edhe nëse kulmi nuk është arritur ende. Ajo kujton se shtretër shtesë u hapën para festave dhe se maskat kanë qenë të detyrueshme në zonat e kujdesit që nga 9 dhjetori.

Nga sot levi bullgar bëhet pjesë e historisë, vendi hynë në eurozonë

Anëtarja e Bashkimit Evropian, Bullgaria, nga sot është bërë pjesë e eurozonës dhe që nga mesnata, euro u bë monedha e vendit dhe lev ka mbetur vetëm në histori.

Hyrja e Bullgarisë në eurozonë do ta çojë numrin e evropianëve që përdorin monedhën në më shumë se 350 milionë. Vendi i fundit që iu bashkua grupit të monedhës së vetme ishte Kroacia në janar 2023.

Përveç ndryshimit të monedhës, Bullgaria është bërë anëtari i 21-të i eurozonës duke marrë kështu një vend në Këshillin Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane që përcakton normat e interesit, shkruan Reuters, transmeton albinfo.ch.

Qeveritë e njëpasnjëshme bullgare janë përpjekur ta bëjnë këtë hap që kur vendi ballkanik me 6.7 milionë banorë iu bashkua BE-së në vitin 2007.

Disa bullgarë shqetësohen se përdorimi i euros do të rrisë çmimet.