Shqipja nuk është thjesht një mjet komunikimi, është simbol i qëndresës

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në formën që ka sot është themeluar para plot 30 vitesh, në vitin 1995, ndonëse fillimet e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër janë pak më të vjetra. Me themelimin e saj është institucionalizuar mësimdhënia për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare edhe para autoriteteve zvicerane.

LAPSH gjatë kësaj kohe ka kryer një mision fisnik çfarë është përcjellja dhe kultivimi i gjuhës amtare te brezat që po rriten në një realitet të ri, jashtë vendit. Lidhur me synimet, arritjet, sfidat dhe problemet e kësaj organizate me mision specifik, flet Liburn Mehmetaj, bashkëkryetar i LAPSH “Naim Frashëri”.

Albinfo.ch: Kur dhe si është themeluar LAPSH, Zvicër?
L. Mehmetaj: Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Zvicër ka filluar në fund të viteve 80 të shekullit të kaluar dhe institucioni i LAPSH-së është themeluar në vitin 1995, si një përgjigje ndaj nevojës urgjente për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar ndër fëmijët shqiptarë në mërgim, me qëllim që këta fëmijë të ktheheshin në atdhe dhe të vazhdonin shkollimin në gjuhën shqipe. U krijua nga mësues dhe prindër të përkushtuar që besonin se gjuha shqipe është themeli i përkatësisë sonë kombëtare, në bashkëpunim me qeverinë e atëhershme të Kosovës.

Albinfo.ch: Cili është misioni dhe vizioni i organizatës suaj?
L. Mehmetaj: Misioni ynë është edukimi i fëmijëve shqiptarë në gjuhën, historinë dhe kulturën tonë, në harmoni me realitetin arsimor zviceran. Vizioni është një brez i vetëdijshëm për prejardhjen, krenar për identitetin dhe i përgatitur për të ndërtuar ura mes dy kulturave: asaj ku jetojnë dhe asaj prej nga vijnë.

Gjuha shqipe është ura jonë e përbashkët. Nuk na bashkon një shtet i vetëm, as një fe, por një gjuhë që mbart historinë, kulturën dhe shpirtin shqiptar. LAPSH ekziston për ta mbrojtur atë gjuhë, brez pas brezi.

Albinfo.ch: Cilat janë veprimtaritë kryesore që zhvilloni (p.sh. mësimi plotësues në gjuhën shqipe, aktivitete kulturore, seminare për prindër e arsimtarë)?
L. Mehmetaj: LAPSH Zvicër është e organizuar si një federatë e shoqatave kantonale. Shoqatat në secilin kanton janë përgjegjëse për organizimin konkret të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, sigurimin e klasave, bashkëpunimin me komunat dhe shkollat vendore, si dhe për financimin e veprimtarisë. Ato gjithashtu organizojnë aktivitete kulturore, si festimet e Ditës së Flamurit, Ditës së Mësuesit apo Ditës së Alfabetit.

Në nivel qendror, LAPSH koordinon punën mes kantoneve, administron komunikimin institucional, shpërndan librat e dërguar nga Kosova dhe Shqipëria, merr pjesë në seminare dhe trajnime dhe siguron mbështetje për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

 

Albinfo.ch: Sa shkolla dhe nxënës shqiptarë përfshin LAPSH në të gjithë Zvicrën?
L. Mehmetaj: Aktualisht dhe sipas databazës së përpiluar në vitin 2024, LAPSH është e pranishme në 18 kantone të Zvicrës, me 152 klasa aktive, dhe mbi 1’800 nxënës që ndjekin mësimin.

Albinfo.ch: Si e organizoni dhe mbështesni punën me mësimdhënësit dhe bashkëpunimin me prindërit?
L. Mehmetaj: LAPSH është e njohur nga autoritetet arsimore zvicerane që nga viti 1996 dhe ka të drejtë të organizojë mësim plotësues në gjuhën shqipe brenda shkollave publike në çdo kanton. Mësimi zhvillohet nga mësimdhënës të kualifikuar, të cilët angazhohen përmes shoqatave kantonale të LAPSH-së dhe ndjekin një kurrikulë të përshtatur për fëmijët e diasporës.

Prindërit nuk janë thjesht pjesëmarrës, por bashkë-organizatorë. Edhe pse rolin kryesorë e mbajnë mësimdhënësit, ata marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën e shkollave shqipe, kontribuojnë në organizimin e aktiviteteve dhe shpesh janë pjesë e kryesive të shoqatave kantonale, duke ndihmuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen. Ky bashkëpunim i ngushtë mes mësimdhënësve dhe familjeve është një nga forcat kryesore që mban të gjallë dhe funksional rrjetin e LAPSH-së në të gjithë Zvicrën.

Ky bashkëpunim ndërtohet mbi një filozofi të thjeshtë por të fuqishme, të përfaqësuar edhe në simbolin tonë: trekëndëshi simbolizon lidhjen e pandashme mes prindit, mësuesit dhe nxënësit. Secili kënd mban dhe mbështet tjetrin. Pa prindin nuk ka vazhdimësi, pa mësuesin nuk ka drejtim, dhe pa nxënësin nuk ka të ardhme.

Albinfo.ch: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni në misionin tuaj arsimor dhe kulturor?

L. Mehmetaj: Si çdo organizatë që mbështetet te puna vullnetare, LAPSH përballet me disa sfida të vazhdueshme: sigurimi i fondeve të qëndrueshme, gjetja dhe motivimi i vullnetarëve si dhe rritja e numrit të nxënësve. Pavarësisht këtyre sfidave, forca jonë qëndron në besimin e palëkundur se gjuha dhe kultura janë vlera që ia vlejnë çdo përpjekjeje.

Albinfo.ch: Për cilat arritje ndiheni më krenarë si rrjet shkollor dhe komunitar?
L. Mehmetaj: Jemi krenarë për ndërtimin e një rrjeti funksional shkollash në mbarë Zvicrën dhe për procesin e bashkimit mes LAPSH dhe SHSH (Shkolla Shqipe Zvicër), i cili  është duke u zbatuar me sukses në pothuajse të gjitha kantonet. Kemi ndërtuar një databazë dhe një hartë të shkollave shqipe, gjë që nuk ekzistonte më parë. Klasat e reja po vazhdojnë të hapen dhe kemi një proces të qartë për angazhimin e mësimdhënësve të rinj.

Albinfo.ch: A bashkëpunoni me institucione arsimore zvicerane apo me organizata të tjera shqiptare në Zvicër dhe jashtë saj?
L. Mehmetaj: Po. Bashkëpunojmë me shkolla dhe komuna lokale në shumë kantone, me ambasadat shqiptare e kosovare si dhe autoritetet përkatëse të shteteve amë, si dhe me organizata kulturore shqiptare në Zvicër dhe në diasporë të ndryshme.

Albinfo.ch: Si e shihni të ardhmen e LAPSH-së dhe rolin tuaj në ruajtjen e identitetit kombëtar ndër brezat e rinj?
L. Mehmetaj: E ardhmja e LAPSH-së qëndron në modernizimin e mësimit, në angazhimin e gjeneratave të reja dhe në forcimin e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe të shteteve amë. Synojmë të sigurojmë vazhdimësinë përmes përfshirjes së prindërve e mësuesve të rinj dhe të institucionalizojmë më tej mësimin e gjuhës shqipe si pjesë e qëndrueshme e të arsimit në Zvicër. Identiteti ruhet kur gjuha, kultura dhe shkolla ecin me kohën, pa u shkëputur nga rrënjët.

Albinfo.ch: Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni për prindërit dhe mësuesit shqiptarë në Zvicër?
L. Mehmetaj: Për gjuhën shqipe janë flijuar jetë, janë mbajtur mbi supe alfabetë të ndaluar, janë ngritur shkolla në ilegalitet dhe janë rrezikuar breza të tërë për ta ruajtur të gjallë. Gjuha jonë nuk është thjesht një mjet komunikimi, është simbol i qëndresës, i identitetit dhe i dinjitetit tonë kombëtar. Sot, nuk kërkohet flijim. Kërkohet përkujdesje, përkushtim dhe vullnet. T’ia mësosh një fëmije gjuhën shqipe është ndoshta gjesti më i thjeshtë dhe më i fuqishëm që mund të bëjë një prind apo një mësues shqiptar.

Shkenca sot thotë dy gjëra: gjuha mësohet vetëm në shkollë (pavarësisht se çfarë kualifikimi kanë prindërit dhe sa mirë e flasin në shtëpi) dhe fëmijët që zotërojnë gjuhën e tyre e mësojnë pastaj edhe më mirë gjermanishten, frëngjishten, anglishten dhe të gjitha gjuhët tjera.

Është detyrë morale dhe trashëgimi shpirtërore. Sepse të flasësh shqip do të thotë të mbash gjallë historinë e një populli që nuk u dorëzua kurrë. Dhe kjo është, në fund të fundit, më e pakta që mund të bëjmë.

Baar (Zug): Kapen dhe dëbohen 3 kosovarë, punëtorë “në të zezë”

Gjatë një inspektimi në një kantier të ndërtimit në Baar, policia e Zugut arrestoi tre punëtorë të skeleve që punonin pa leje. Ata po ashtu qëndronin ilegalisht në Zvicër dhe u detyruan të largoheshin nga vendi pas një procedure të shkurtuar, transmeton albinfo.ch.

Më 4 shtator, zyrtarët e policisë së Zugut kryen një kontroll të synuar kundër punës së paligjshme në një kantier ndërtimi në komunën e Baarit. Tre skeleristë tërhoqën vëmendjen e tyre. Njëri prej tyre iku me të parë policinë. Megjithatë, ai u kap dhe u arrestua disa metra më larg, në një fushë misri ngjitur. U arrestuan gjithashtu edhe dy skeleristë të tjerë.

Tre të arrestuarit janë kosovarë, të moshës 24, 29 dhe 34 vjeç. Hetimet e mëtejshme zbuluan se ata po qëndronin ilegalisht në Zvicër dhe punonin pa lejet e nevojshme të punës, shkruan polizeiticker.ch.

Prokuroria Publike e Zugut i ka dënuar ata me gjykim të shkurtuar për shkelje të shumta të Ligjit për Shtetasit e Huaj dhe Integrimin, dhe 24-vjeçarin gjithashtu për pengim të një akti zyrtar, secili me një gjobë prej disa qindra frangash.

Zyra e Migracionit u ka shqiptuar vendimin për dëbim nga Zvicra tre kosovarëve dhe tashmë u ka urdhëruar atyre të largohen nga vendi, përcjell albinfo.ch. Për më tepër, 24-vjeçarit iu dha një ndalim hyrjeje për dy vjet në Zvicër, ndërsa 29 dhe 39-vjeçarëve përveç për në Zvicër, ndalimi për dy vjet i është dhënë  edhe për shtetet e Shengenit.

Opera “Syrigana” e Petrit Halilajt shfaqet në Javën e Artit, në Berlin

Lufta dhe zhvendosja kanë formësuar fëmijërinë e tij në Kosovë, ndërsa bukuria dhe kërkimi për utopi kanë formësuar artin e tij. Tani, Petrit Halilaj po prezanton operën e tij të parë në “Hamburger Bahnhof”, në Berlin. Një Takim me një vepër të plotë arti, raportojnë mediat gjermane për instalacionin e pritshëm të artistit të shquar nga Kosova, me njohje ndërkombëtare dhe me qëndrim në Gjermani, shkruan albinfo.ch.

“Pasi Adami dhe Eva hëngrën frutin e ndaluar nga Pema e Diturisë, Zoti i dëboi ata nga Kopshti i Edenit. Në kërkim të një shtëpie të re, çifti mëkatar bredhi nëpër shtatë qiejt dhe tokat e tokës – derisa mbërritën në Syriganë, ku takuan njerëz që njohën dashurinë midis tyre…”. Surigana është një fshat afër vendlindjes së Petrit Halilajt, ku ai, muaj më parë inskenoi një operë.

Fundi i verës nuk është arsye për të vajtuar: Sezoni i ri sjell ngjarje të ndryshme që i japin krijimtarisë një shtysë të re. Një pikë kulmore vjetore nga kjo gamë, e cila ka shënuar fillimin e sezonit të ri të artit çdo shtator që nga viti 2012, është “Java e Artit” në Berlin, shkruan harpersbazaar.de. Nga 10 deri më 14 shtator, rreth njëqind institucione, duke përfshirë muze, galeri, koleksione private dhe hapësira projektesh, do të hapin përsëri dyert e tyre dhe do t’i ftojnë vizitorët të zbulojnë vepra arti bashkëkohore në një program të larmishëm”, shkruan revista e specializuar për art, duke radhitur disa nga programet më të dalluara që do të jepen në kuadër të Javës së Artit në Berlon, dhe ku i bën vend veprës së Petrit Halilajt, shkruan albinfo.ch.

Petrit Halilaj: “An Opera Out of Time” (Një operë jashtë kohe) në “Hamburger Bahnhof”

Artisti kosovar me qëndrim edhe në Berlin, Petrit Halilaj, prezanton ekspozitën e tij të parë të madhe personale institucionale në Berlin në “Hamburger Bahnhof”, të kuruar nga Catherine Nichols me ndihmën e Emily Finkelstein, të dyja anëtare të ekipit të “Hamburger Bahnhof”. Fokusi është në projektin e tij të parë operistik, “Syrigana”, i cili eksploron kufijtë dhe mundësitë e ëndërrimit kolektiv dhe u zhvillua në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës.

Opera, e cila feston gjithashtu 25-vjetorin e Filharmonisë kosovare, zhvillohet rreth vendit legjendar të Syriganës, një fshat tre mijëvjeçar pranë vendlindjes së artistit, i cili është një vend i mbrojtur arkeologjik që nga viti 2016, përcjell albinfo.ch. Përmes instalimeve dhe shfaqjeve brenda “Hamburger Bahnhof”, opera shpaloset në një përvojë jokonvencionale për vizitorët, duke bashkuar artin dhe muzikën, duke eksploruar botë komplekse që rrethojnë identitetin, lirinë dhe mallin.

Do të shfaqen gjithashtu vepra nga periudha të ndryshme të punës së Halilajt, duke përfshirë pesë instalime në shkallë të gjerë, të cilat ofrojnë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të veprës së Petrit Halilajt, e cila është e lidhur ngushtë me historinë e Kosovës dhe tensionet e saj kulturore dhe politike.

Ekspozita hapet të mërkurën, më 10 shtator, në orën 19:00 dhe zgjat deri më 31 maj 2026.

Spar, përsëri në duart e Zvicrës

Rrjeti i njohur i shitjes me pakicë Spar, me mbi 360 lokacione shitjeje, është përsëri në duart e Zvicrës pas më shumë se nëntë vitesh. Një grup investitorësh i formuar posaçërisht, i quajtur Tannenwaldholding ka marrë përsipër kompaninë, transmeton albinfo.ch.

Markat, lokacionet dhe vendet e punës do të mbahen, thuhet në njoftimin e pronarëve të rinj.

Spar u ble nga Grupi Jug-Afrikan Spar në vitin 2016. Megjithatë, pritjet nuk u përmbushën: në vitin 2024, shitjet ishin pak më pak se 750 milionë franga zvicerane, duke rënë dhe duke përjetuar rritje vetëm gjatë pandemisë, shrkuan srf.ch. Pronarët e rinj tani duan ta stabilizojnë kompaninë dhe t`i mundësojnë asaj të rritet përsëri.

Çmimi i shitjes është 46.5 milionë franga zvicerane, sipas ish-kompanisë mëmë të Afrikës së Jugut. Kompania mund të marrë 30 milionë franga zvicerane shtesë në fund të vitit 2027 nëse Spar Schweiz gjeneron fitim të mjaftueshëm në vitet 2026 dhe 2027.

Kryetari i ri i Bordit të Drejtorëve dhe bashkëpronar është lektori i Universitetit të Bazelit, Peter Weber, sipas Spar Schweiz. Grupi i investitorëve vetë mbetet kryesisht në prapavijë; përveç Weber, pjesëmarrësit janë të panjohur. Megjithatë, të gjithë janë nga Zvicra.

11 të arrestuar, sekuestrime armësh e droge, në lidhje me shpërthimin në QKUK

Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot një aksion të gjerë kundër krimit të organizuar, duke arrestuar 11 persona dhe sekuestruar armë, drogë, pajisje komunikimi dhe dëshmi të tjera të rëndësishme, në kuadër të hetimeve për shpërthimin e 30 prillit në parkingun e QKUK-së.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë – me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, transmeton albinfo.ch. Gjatë bastisjeve janë gjetur pajisje elektronike, armë të zjarrit, municion, drogë dhe mjete për përpunimin e saj.

Sekuestrimet kryesore përfshijnë: 142 kg e 172 gram substancë narkotike (Kanabis Sativa) në fazë përfundimtare të përpunimit; Një armë Sig Sauer 9×19 mm me karikator dhe 12 fishekë; Një armë automatike AK-47 me pesë karikatorë, 99 fishekë dhe një bajonetë; 10 telefona celularë dhe pajisje të tjera të rëndësishme për hetime, shkruan rtklive.com.

Gjatë verifikimit të njërit prej të dyshuarve, F.D., u konstatua se ndaj tij ekzistonte një urdhër-arrest aktiv për çështje narkotikësh. Ai është dërguar për vuajtje të dënimit.

Nga të ndaluarit, nëntë persona janë mbajtur për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve janë hapur procedura të ndara, në konsultim me prokurorin kompetent.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacionet do të vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë, me qëllim ndriçimin e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë.

Sipas policisë, aksioni i sotëm pason hetimet lidhur me rastin e ndodhur më datë 30.04.2025, ku në parkingun e QKUK-së në Prishtinë kishte ndodhur një shpërthim në një veturë të tipit Mercedes B-Class, pronë e drejtorit të QKUK-së. Pas kësaj policia ka nisur hetimet për rastin.

Zvicra duhet të bashkohet me BE-në në trajtimin e refugjatëve

Zvicra, në parim, duhet të marrë pjesë në të ashtuquajturin mekanizëm solidariteti të BE-së. Kjo është ajo që dëshiron Dhoma e Kantoneve të Parlamentit Federal të Zvicrës. Kjo dhomë e ka mbështetur qartë bashkëveprimin e Zvicrës në kuadër të këtij mekanizmi, me 37 vota pro dhe 6 kundër.

Ky mekanizëm vullnetar synon të shpërndajë më mirë azilkërkuesit midis vendeve të ndryshme evropiane. Megjithatë, Dhoma e përmendur ka vendosur kushte: Për shembull, shtetet nënshkruese të Marrëveshjes së Dublinit duhet t’u përmbahen detyrimeve të tyre për të pranuar dhe ripranuar azilkërkuesit.

Në qershor, Dhoma Nacionale (e madhe) e Parlamentot kishte votuar kundër pjesëmarrjes së Zvicrës në mekanizmin e solidaritetit. Tani ajo duhet ta rishqyrtojë çështjen.

Pagat në Zvicër janë rritur me një mesatare prej 2.3%

Punonjësit në Zvicër kanë marrë një rritje të ndjeshme të pagave mesatarisht këtë vit. Kjo rritje është më e lartë se inflacioni i pritur, që do të thotë se ata në fund duhet të kenë më shumë para në portofolet e tyre, transmeton albinfo.ch.

Sipas një njoftimi për shtyp nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), pagat nominale pritet të jenë rritur me 2.3 për qind këtë vit. BFS vlerëson të dhënat bazuar në të dhënat kumulative të pagave, shkruan srf.ch.

Ekonomistët parashikojnë inflacion prej 0.1 deri në 0.3 për qind për vitin aktual. Kjo tregon se pagat do të rriten edhe në terma realë këtë vit, d.m.th., duke marrë parasysh inflacionin.

Në vitin 2024 pagat nominale në Zvicër qenë rritur me 1.8 për qind. Duke përfshirë shkallën vjetore të inflacionit prej 1.1 për qind, pagat reale i bie të jenë rritur me 0.7 për qind. Në të kundërt, në dy vitet e mëparshme ka pasur një rënie reale të pagave.

Shifra aktuale për zhvillimin e pagave nominale për vitin 2025 është një vlerësim fillestar sepse Zyra Federale për Çështjet Sociale (FSO) ka ndërprerë vlerësimin e saj të mëparshëm pas tremujorit të parë.

Çfarë pasojash mund të ketë kriza qeveritare e Francës për BE-në?

Rrëzimi i qeverisë franceze pritet të shkaktojë shumë paqëndrueshmëri për Francën, ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Evropian pas Gjermanisë. Këto vende quhen shpesh “motori i integrimit evropian”, prandaj Brukseli po i ndjek me interes zhvillimet në Paris, përcjell albinfo.ch.

Eric Maurice, analist politikash pranë Qendrës së Politikave Evropiane, nuk pret që ndikimi të jetë aq i rëndë sa gjatë krizës së euros që filloi në vitin 2008. Megjithatë paqëndrueshmëria në Francë mund të ketë pasoja ekonomike për pjesën tjetër të BE-së – për shembull, për shkak të mungesës së investimeve ose të uljes së produktivitetit.

Rrezik bllokadash politike

Tani presidenti Macron do të detyrohet të gjejë sërish një pasues, të cilit do t’i duhet të punojë në të njëjtin mjedis të brishtë dhe të përballet me të njëjtat probleme buxhetore si edhe François Bayrou, që humbi votëbesimin në parlament, apo paraardhësit e tij. Asambleja Kombëtare e Francës ka 577 deputetë. Deputetët e ekstremit të djathtë dhe të majtë, të cilët para seancës së votëbesimit për kryeministrin Bayrou kishin thënë se do të votonin kundër qeverisë së ttij, kanë mbi 320 vende në Asamblenë Kombëtare, ndërsa centristët dhe aleatët konservatorë kanë 210 vende.

Pasoja politike për BE-në

Pra në rast se Franca do të përballet me bllokada politike, kjo do të kishte pasoja politike edhe për BE-në. Për shembull, pa një qeveri të re ka mundësi që Franca të mos pozicionohet qartë dhe të mos mbajë qëndrim brenda BE-së lidhur me çështje të tilla si migracionin, politikën bujqësore, tregtare apo industriale. Po ashtu nën një qeveri të re mund të ndryshojë edhe roli i Francës në BE.

Në frontin e politikës së jashtme nuk pritet të ndryshojë asgjë, për shembull në lidhje me Ukrainën, për sa kohë që presidenti Macron mbetet në detyrë. Megjithatë politologu Maurice thotë se për Macronin do të jetë e vështirë që t’i përmbushë planet tij. Për shembull rritja e planifikuar e buxhetit të mbrojtjes do të jetë e vështirë, nëse nuk ka buxhet ose nëse miratimi i tij shtyhet./DW

Mijëra shtëpi mbeten pa energji elektrike në Berlin

Mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në juglindje të Berlinit pas një ndërprerjeje të energjisë elektrike, përcjell albinfo.ch.

Më shumë se 43,000 familje dhe 3,000 biznese mbeten pa energji elektrike, ndërsa hetimet fillestare tregojnë se ndërprerja e energjisë elektrike u shkaktua nga zjarrvënia e qëllimshme, pasi dy shtylla të tensionit të lartë u përfshinë nga flakët.

Flakët tani janë shuar dhe policia është në vendngjarje për të hetuar shkakun e zjarrit.

Shërbimet e emergjencës janë dërguar në zonat e prekura të Altglienicke, Grünau, Adlershof, Spindlersfeld, Alt-Johannisthal dhe Oberschöneweide, sipas një postimi të policisë në X.

Ndërprerja shkaktoi jashtë funksionit tramvajet në zonë, si dhe semaforët, sipas policisë.

Ja sa do të paguani për energjinë elektrike në komunën tuaj zvicerane në vitin 2026

Konsumatorët në Zvicër mund të presin një ulje mesatare prej 4% në çmimin e energjisë elektrike për vitin 2026, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Federal i Energjisë Elektrike (ELCOM). Për një familje tipike, kjo do të thotë një kursim vjetor prej rreth 58 frangash, me çmimin mesatar që pritet të jetë 27.7 centë për kilovat-orë, përcjell albinfo.ch.

Nga komuna më e lirë te ajo më e shtrenjtë

Ndërsa ulja mesatare është një lajm pozitiv për shumicën e konsumatorëve, çmimet ndryshojnë ndjeshëm nga një komunë në tjetrën, varësisht nga operatori lokal i rrjetit dhe kontratat e furnizimit me energji.

Komuna më e lirë: Zwischenbergen (Valais) – 9.64 cent/kWh

Komuna më e shtrenjtë: Kestenholz (Solothurn) – 43.61 cent/kWh
(duke zëvendësuar komunën Grub në kantonin Argovia)

Kjo diferencë prej më shumë se katërfish mes çmimit më të ulët dhe më të lartë thekson nevojën për transparencë dhe për reforma të mundshme në sistemin e shpërndarjes së energjisë.

Pse po bien çmimet?

Sipas ELCOM, faktorët kryesorë që ndikojnë në uljen e çmimeve përfshijnë:

Rënien e çmimeve ndërkombëtare të energjisë pas krizës energjetike të viteve 2022–2023

Skadimi i kontratave të blerjes me çmim të lartë nga operatorët lokalë

Stabilizimi i tregut evropian të energjisë, duke përfshirë investime të reja në burime të rinovueshme dhe infrastrukturë

Vështrim rajonal: çfarë tregon harta e çmimeve?

ELCOM ka publikuar një hartë interaktive që tregon ndryshimet rajonale në çmimet e energjisë elektrike. Në hartë, zonat me ngjyrë të kuqe përfaqësojnë çmimet më të larta, ndërsa zonat blu tregojnë çmime më të ulëta. Kjo hartë ofron konsumatorëve një mënyrë të thjeshtë për të krahasuar tarifat në komunitetin e tyre me ato të rajoneve të tjera.

Çfarë pritet më tej?

Megjithëse çmimet për vitin 2026 janë më të ulëta, ekspertët paralajmërojnë se tregu mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve gjeopolitike dhe ndryshimeve klimatike. Për konsumatorët, kjo do të thotë se efikasiteti energjetik dhe investimi në burime alternative mbeten strategji të rëndësishme për të ardhmen. /Albinfo.ch

https://www.srf.ch/news/schweiz/stromtarife-schweiz-2026-so-viel-zahlen-sie-2026-fuer-strom-in-ihrer-gemeinde

Pothuajse 50 furra buke mbyllen çdo vit në Zvicër

Vetëm gjatë këtij viti janë mbyllur disa furra në rajone të ndryshme – përfshirë Diemtigtal, Dachsen dhe Thalwil. Brenda 25 viteve të fundit, numri i furrave anëtare të Shoqatës së Bukëpjekësve të Zvicrës (SBC) është përgjysmuar – nga 2,500 në rreth 1,200.

Sipas shoqatës, arsyet kryesore janë:

  • Vështirësitë financiare

  • Mungesa e pasardhësve në bizneset familjare

  • Konkurrenca në rritje nga supermarketet dhe produktet e importuara

Në vitin 2024, Zvicra importoi mbi 161,000 ton produkte të pjekura, një rritje prej 50% në krahasim me dhjetë vjet më parë.

“Importet e brumërave të gatshëm po dëmtojnë rëndë bizneset artizanale,” – thotë Claudia Vernocchi nga SBC.

https://www.srf.ch/news/wirtschaft/baeckereien-in-der-schweiz-pro-jahr-schliessen-fast-50-baeckereien-die-hintergruende

Zvicër: 11,000 nënshkrime kundër vërshimit të pakove nga Kina

Shoqata Zvicerane për Mbrojtjen e Klimës ka dorëzuar një peticion me mbi 11,000 nënshkrime duke kërkuar masa konkrete ndaj vërshimit të pakove të vogla nga platformat si Temu, Shein dhe kompani të tjera të ngjashme nga Lindja e Largët. Protesta u zhvillua të martën në Bernë, jashtë ambienteve të qeverisë, ndërsa zhvillime të rëndësishme po ndodhin edhe në mbledhjet javorë të Këshillit Federal dhe në komitetet parlamentare, përcjell albinfo.ch.

Kërkesa kryesore e peticionit është prezantimi i një “pasaporte dixhitale për produktet”, e cila do të përmbajë të dhëna të detajuara për origjinën, përbërjen dhe ndikimin mjedisor të secilit produkt të importuar.

Çfarë do të përmbajë pasaporta dixhitale?

Sipas organizatorëve të peticionit, pasaporta dixhitale duhet të përfshijë:

Vendndodhjen e prodhimit

Llojin e materialeve të përdorura

Mënyrën e transportit

Gjurmën e karbonit (CO₂)

Riparueshmërinë dhe jetëgjatësinë e produktit

Kjo masë synon të ndërgjegjësojë konsumatorët dhe të krijojë më shumë transparencë në tregun online, sidomos për produktet që importohen me kosto shumë të ulëta nga Azia, shpesh në dëm të mjedisit dhe prodhimit lokal.

Zvicra pas BE-së?

Aktivistët theksojnë se Bashkimi Evropian do të fillojë zbatimin e pasaportës dixhitale të produktit nga viti 2027, dhe kërkojnë që edhe Zvicra të ndjekë të njëjtin shembull, për të mos mbetur prapa në përpjekjet për qëndrueshmëri dhe mbrojtje të mjedisit.

Sfondi politik

Përveç protestave dhe peticioneve, vendime të rëndësishme rreth çështjeve si mbrojtja e klimës, ekonomia dixhitale dhe politika tregtare po përgatiten edhe në komitetet e Këshillit Kombëtar dhe Këshillit të Shteteve, ku zhvillohen punime intensive edhe jashtë seancave plenare. Ndërkohë, Këshilli Federal vazhdon mbledhjet javore për të shqyrtuar çështje aktuale me interes kombëtar dhe ndërkombëtar./Albinfo.ch

Gazeta “20 Minuten” ngre pyetjen: A është gjesti i polices shqiptare “i bukur” apo “shqetësues”?

Një video e regjistruar në qytetin e Bazelit, pak orë para ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës mes Zvicrës dhe Kosovës, ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik dhe komunitetet e përfshira. Në këtë video, e cila është bërë virale në rrjetin social TikTok me afro 500,000 shikime, shihet një police e kantonit të Bazelit teksa lëviz buzët në sinkron me një këngë kushtuar Adem Jasharit, figurë e njohur si hero kombëtar për shqiptarët e Kosovës dhe një personazh i diskutueshëm për komunitete të tjera, përcjell albinfo.ch.

Gjatë atmosferës festive në rrugët e Bazelit, tifozët kosovarë brohorisnin, valëvitnin flamuj dhe këndonin këngë patriotike. Mes tyre, një police – pjesë e ekipit të dialogut të Policisë së Bazelit – u pa duke buzëqeshur dhe duke bashkëndarë momentin me tifozët. Ajo u filmua duke “kërcitur buzët” me vargjet e këngës që përmend Adem Jasharin. Videoja, e shpërndarë gjerësisht në llogari shqiptare në rrjete sociale, u përshkrua si një “moment prekës”.

Reagimet publike dhe institucionale
Ngjarja ka nxitur reagime të ndryshme: komuniteti shqiptar në Zvicër e ka përshëndetur gjestin si një shenjë afërsie dhe empatie ndaj rrënjëve kulturore, ndërsa përfaqësues të komunitetit serb e kanë kritikuar ashpër, duke e cilësuar si të papërshtatshme për një zyrtare policie në detyrë.

Policia e Bazelit ka njoftuar se është duke shqyrtuar ngjarjen dhe po vlerëson nëse sjellja e punonjëses ka qenë në përputhje me detyrimin për neutralitet institucional që kërkohet nga zyrtarët publikë gjatë ushtrimit të funksionit të tyre.

Debat mbi simbolikën dhe neutralitetin
Ngjarja ka hapur një debat më të gjerë rreth rolit të zyrtarëve të rendit në ngjarje publike me ngarkesë simbolike dhe etnike. A duhet të jetë pjesëmarrja në një këngë me domethënie historike një shprehje spontane e identitetit apo një shkelje e neutralitetit profesional? Opinioni publik në Zvicër duket i ndarë.

Pavarësisht se videoja nuk përmban gjuhë urrejtjeje apo veprime të dhunshme, ajo ka dëshmuar edhe një herë se sa të ndjeshme janë çështjet e identitetit në një shoqëri multietnike si ajo zvicerane. Rasti pritet të trajtohet me kujdes nga institucionet përkatëse, ndërkohë që vazhdon të ngjallë diskutime të gjera në publik dhe në rrjete sociale. /Albinfo.ch

https://www.20min.ch/story/wm-quali-in-basel-polizistin-lipsynct-zu-kosovo-song-schoen-oder-verstoerend-103411475

Prishtinës i shtohen 90 autobusë të rinj në transportin publik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se flota e transportit publik në kryeqytet është pasuruar me 90 autobusë të rinj, përcjell albinfo.ch.

Në një postim në Facebook, Rama ka bërë të ditur se shumë shpejt pritet të shtohen edhe 30 autobusë të tjerë, ndërsa paralajmëroi edhe modernizimin e mëtejmë të flotës me autobusë elektrikë dhe logjistikë bashkëkohore.

“Kjo është pjesë e një transformimi të vazhdueshëm që synon një Prishtinë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët”, ka shkruar ai.

Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si BERZH, IFC, KfW dhe Banka Botërore.

Ambasada gjermane: Respektojeni pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë u ka bërë thirrje të martën aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë ta respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqësorin në përgjithësi, dy ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kritikoi gjykatën më të lartë për vendimet e saj të fundit.

Në një njoftim për media, Ambasada gjermane tha se pavarësia e gjyqësorit është gur themel i sundimit të ligjit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë ta respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqësorit në tërësi, si dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet personale”, tha ajo.

Reagimi vjen dy ditë pasi Kurti, i cili është lider i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca, kritikuan vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Presidentja Osmani: Po synohet bllokimi i shtetit për një nënkryetar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të përkohshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Ajo tha se bllokimi i këtij procesi për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari, cenon themelet e Republikës dhe rrezikon funksionimin normal të institucioneve.

“Për një nënkryetar po synohet të bllokohet shteti. Ky bllokim do të krijonte precedent të rrezikshëm dhe do të pamundësonte përfaqësimin legjitim të qytetarëve”, tha Osmani në një konferencë për media.

Ajo theksoi se Kryesia e Kuvendit ka kuorum dhe kryetar të zgjedhur, ndërsa vendi i nënkryetarit nga komuniteti serb nuk do të merret nga askush, por do të plotësohet në një seancë tjetër.

Osmani nënvizoi se është kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë askënd të ketë veto mbi proceset jetike të shtetit. “Një veto e tillë do ta zhvleftësonte Republikën në një copë letre”, tha ajo, duke paralajmëruar se shteti duhet të ecë përpara pavarësisht bojkotit të Listës Serbe.

Presidentja foli edhe për gjyqtarin serb të Kushtetueses, Radomir Laban, për të cilin tha se prej vitesh ka dërguar prova dhe se është shqetësim i madh fakti që ai vazhdon të jetë pjesë e institucioneve.

Vendimi i përkohshëm i Kushtetueses u mor të premten, me kërkesë të deputetëve të Listës Serbe, duke pezulluar procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Skandal nga Kombëtarja e Spanjës: Kosovën e quajnë “Territori i Kosovës”

Kombëtarja Spanjolle e Futbollit ka shkaktuar polemika me prezantimin e ndeshjes së sontme ndaj Kosovës U-21, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2027, përcjell albinfo.ch.

Në faqen e saj zyrtare në Facebook, federata spanjolle publikoi flajerin zyrtar të takimit, ku Kosovës nuk iu referua si shtet, por si “Territori i Kosovës”. Ky formulim është pasojë e faktit se Spanja ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ky nuk është incidenti i parë i tillë: edhe në ndeshjet e kaluara, institucionet sportive spanjolle janë kritikuar për fshehjen e flamurit të Kosovës apo për përdorimin e emërtimeve të tjera denigruese ndaj shtetit të saj.

Serbia arreston një kosovar në Merdare

Një 77-vjeçar nga Kosova raportohet të jetë arrestuar në Merdar nga Policia e Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Referuar njoftimit nga Ministra serbe e Punëve të Brendshme, H.H është arrestuar me pretendimin se ka kryer krime lufte.

“Ai dyshohet se ka vrarë një civil të kombësisë serbe me armë zjarri në qershor të vitit 1999 në Podujevë në bashkëpunim me disa anëtarë të ‘UÇK-së’”, thuhet në njoftim.

Atij i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë, ndërkaq thuhet se do të dërgohet në Zyrën e Prokurorit Publik për Krime Lufte me një kallëzim penal.

Kohëve të fundit ka pasur një sërë arrestimesh të qytetarëve të Kosovës nga Serbia, kryesisht me pretendimin se kanë kryer krime lufte.

Miqësorja me Zvicrën, Shqipëria U21 pëson disfatë

Shqipëria U21 nuk ia doli të rikthehej te rezultatet pozitive, duke u mundur me rezultatin 2-1 nga Zvicra, në një ndeshje miqësore të zhvilluar në transfertë, përcjell albinfo.ch.

Ky ishte takimi i dytë në shtator për “Shpresat”, të cilët e mbyllin kështu dyshen e miqësoreve me dy humbje.

Ndeshja nisi me dominim të helvetëve, që kontrolluan më shumë topin dhe kërcënuan disa herë portën e Jukajt, madje goditën edhe shtyllën në pjesën e parë. Pas një gabimi në mbrojtje nga kuqezinjtë, Zvicra arriti të shënojë golin e parë, duke marrë avantazhin.

Pjesa e dytë solli një fytyrë tjetër për Shqipërinë, me futjen në lojë të Rashicës dhe Përndrecës, të cilët shtuan ritmin dhe krijuan më shumë rrezik në zonën kundërshtare.

Barazimi do të vinte pas një skeme të mirë të ekzekutuar nga një goditje këndi, me Shehun që finalizoi saktë për 1-1.

Sfida mbeti e hapur deri në fund, me raste nga të dyja skuadrat, por fati nuk ishte me Shqipërinë. Një devijim i pafat nga portieri Jukaj, pasi topi u kthye nga shtylla, rezultoi në autogol dhe i dha Zvicrës avantazhin përfundimtar.

Kuqezinjtë e rinj u përpoqën të reagonin në minutat e fundit, por pa sukses, ndërsa Zvicra menaxhoi mirë rezultatin dhe e ruajti fitoren deri në fund.

Selektori i Suedisë pranon se fitorja e Kosovës është plotësisht e merituar

Menjëherë pas ndeshjes, selektori i Suedisë, Jon Dahl Tomasson ka pranuar superioritetin e Kosovës në fitoren 2:0, përcjell albinfo.ch.

“Një fitore shumë e merituar e Kosovës. Te Kosova e kanë dashur më shumë. Nuk iu jemi përmbajtur parimeve tona. Kemi luajtur ngadalë dhe nuk kemi reaguar mjaftueshëm shpejtë kur kemi humbur topin. Kemi pësuar nga katër kundërsulme, ku është dashur të paraqitemi më mirë si ekip. Ne trajnerët po ashtu jemi pjesë e kësaj”, ka thënë Tomasson.

“Ne provuam në pjesën e dytë, por nuk ishim të mirë. Kemi dërguar topin në zonë, por na mungoi ideja aty. As sulmi e as mbrojtja nuk ishin mjaftueshëm të mirë. Ishte në tërësi. Kjo nuk ishte mirë. Por mos të harrojmë që kemi fituyar tetë nga 11 ndeshjet nga shtatori 2024. Mendoj se kemi fituar tetë, kemi humbur një dhe kemi barazuar dy. Kjo nuk ishte mjaftueshëm mirë, por duhet kohë për të ndërtuar. Nuk ishim vetvetja. Kemi luajtur ndeshje fantastike ndaj Sllovenisë, por kjo përpjekje ishte e pamjaftueshme. Ne ëndërrojmë Kupën e Botës dhe kjo ishte goditje. Por do të gjejmë mënyrë për të dalë nga kjo”, ka vazhduar tekniku danez.

Ai ka thënë se është shumë i dëshpëruar, njëjtë si lojtarët.

Çfarë plani dhe sa para do të ndahen për rindërtimin e Blatten?

Këshilli Shtetëror i Valais dhe autoritetet bashkiake prezantuan të mërkurën një plan veprimi për rindërtimin e fshatit Blatten, i cili u shkatërrua nga një rrëshqitje dheu më 28 maj. Plani, i cili synon të përfundojë deri në vitin 2030, përmban një sërë masash për të adresuar rindërtimin, mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, mbështetjen për individët dhe bizneset, ekonominë, lëvizshmërinë, planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e mjedisit, transmeton albinfo.ch.

Këshilltari Shtetëror i Qendrës Demokratike, Franz Ruppen, deklaroi për median: “Ne duam të rindërtojmë, por duam ta bëjmë këtë në një vend të sigurt.”

Udhërrëfyesi, i miratuar nga qeveria kantonale, përfshin 69 masa të detajuara dhe u prezantua publikut gjatë një aktiviteti informues në bashkëpunim me Bashkinë e Blatten. Pjesa më e madhe e masave pritet të formalizohet në një dekret për rindërtimin, i cili do t’i dorëzohet Këshillit të Madh në fund të vitit.

Kostoja e vlerësuar e masave më kritike, që lidhen me rreziqet natyrore dhe punimet hidraulike, arrin në 42.65 milionë franga. Kantoni pritet të kontribuojë me rreth 100 milionë franga, nga të cilat 36 milionë janë për masa emergjente, ndërsa kompanitë e sigurimeve kanë vlerësuar kostot që do të përballojnë në rreth 320 milionë franga. Bashkia ende nuk ka përcaktuar kostot që do të mbulojë.

Në fund të qershorit, donacionet e mbledhura për Blatten nga organizatat e ndihmës, organet publike dhe kompanitë private arritën në total 61 milionë franga.

Plani: Është një plan veprimi i prezantuar nga Këshilli Shtetëror i Valais dhe autoritetet bashkiake, i cili përmban 69 masa që mbulojnë:

• rindërtimin e fshatit Blatten,

• mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore,

• mbështetjen për individët dhe bizneset,

• zhvillimin ekonomik, lëvizshmërinë, planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e mjedisit.

Shumat e parave:

Masat më kritike që lidhen me rreziqet natyrore dhe punimet hidraulike kushtojnë rreth 42.65 milionë franga.

Kantoni pritet të paguajë 100 milionë franga, nga të cilat 36 milionë do të jenë për masa emergjente.

Kompanitë e sigurimeve kanë vlerësuar kostot që duhet të përballojnë në rreth 320 milionë franga.

Bashkia ende nuk ka përcaktuar kostot që do të mbulojë.

Donacionet e mbledhura deri në fund të qershorit arrijnë në 61 milionë franga, nga organizata ndihmëse, organet publike dhe kompanitë private.