Cilat shtete zotërojnë më së shumti Bitcoin në vitin 2025?

Qeveritë në mbarë botën po mbajnë gjithnjë e më shumë Bitcoin, qoftë përmes strategjive të qëllimshme apo përmes konfiskimeve nga organet e zbatimit të ligjit.

Sot, disa nga thesarët kombëtarë më të mëdhenj përfshijnë qindra mijëra monedha, me vlerë miliarda dollarë.

Në këtë infografikë, paraqesim vizualisht vendet që zotërojnë më shumë Bitcoin, që nga data 31 korrik 2025, raportojnë mediat.

Të dhënat për këtë vizualizim vijnë nga BitcoinTreasuries.net, e cila tregon sa Bitcoin ka grumbulluar çdo shtet.

Duhet theksuar se kjo listë mund të mos jetë përfundimtare, pasi disa shtete mund të mos raportojnë publikisht rezervat e tyre. Vlerësimet janë bërë duke u bazuar në një çmim prej 118,454 dollarë për 1 BTC, përcjell telegrafi.

Në total, këto 10 shtete kontrollojnë rreth 2.506 për qind të furnizimit të përgjithshëm të Bitcoin (BTC).

SHBA-ja dhe Kina zotërojnë më së shumti Bitcoin

SHBA-ja dhe Kina janë dy vendet që zotërojnë më së shumti Bitcoin, që nga data 31 korrik 2025.

Në Amerikë, një pjesë e madhe e këtij rezervimi vjen nga konfiskime të profilit të lartë nga agjencitë ligjzbatuese, përfshirë rrjetin famëkeq Silk Road dhe tregje të tjera në “dark web”.

Sipas Investopedia, FBI-ja konfiskoi mbi 144 mijë BTC nga Silk Road në vitin 2013. Themeluesi i saj, Ross Ulbricht, u dënua me burgim të përjetshëm, por u fal nga presidenti amerikan, Donald Trump në janar të vitit 2025.

Kina ndodhet menjëherë pas SHBA-së, duke zotëruar 190 mijë BTC, me një vlerë prej rreth 22.5 miliardë dollarësh. Pavarësisht ndalimit të tregtimit të kriptovalutave për qytetarët, Kina ka mbajtur rezerva të mëdha nga konfiskime që lidhen me minierat dhe rastet e mashtrimeve.

Ukraina dhe Koreja e Veriut mbajnë gjithashtu rezerva të konsiderueshme BTC, që raportohet të jenë të lidhura me aktivitet kibernetik dhe konfiskime pasurish.

Butani gjithashtu bie në sy si një lojtar befasues, me mbi 11 mijë BTC që lidhen me operacionet e tij të fshehta të minierave me energji hidroelektrike.

Salvadori mbetet i vetmi vend që ka blerë Bitcoin drejtpërdrejt si pjesë e strategjisë së tij financiare, duke zotëruar 6,257 BTC, me një vlerë mbi 740 milionë dollarë.

Shën Nënë Tereza – shembull i gjallë i dashurisë

Me rastin e përvjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, Don Marjan Marku ka sjellë për lexuesit e albinfo.ch një shkrim të veçantë kushtuar jetës dhe misionit të saj. Në këtë reflektim ai ndalet mbi figurën e shenjtores shqiptare, si simbol i dashurisë, mëshirës dhe shërbimit ndaj njeriut.

Autori, Don Marjan Marku, në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, në Vatikan, me Papën e atëhershëm, Françeskon

Nënë Tereza, me emrin e lindjes Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në një familje shqiptare katolike. Ajo vet pohoi: “Me gjak jam shqiptare. Me nënshtetësi jam indiane. Me besim jam murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes, i përkas botës. Sa i përket zemrës, i përkas krejtësisht Zemrës së Krishtit.” Që në moshë të re ajo ndjeu thirrjen për t’iu kushtuar Zotit dhe shërbimit ndaj njerëzve. Në moshën 18-vjeçare, ajo iu bashkua urdhrit të murgeshave “Loreto” dhe shkoi në Indi, ku mori emrin Tereza.

E gjithë jeta e saj ishte e përkushtuar për të varfërit, të sëmurët dhe të braktisurit. Në vitin 1950 themeloi Urdhrin e «Misionareve të Bamirësisë» në Kalkutë, i cili shpejt u përhap në më shumë se 130 vende të botës, duke hapur spitale, strehimore, qendra kujdesi dhe shkolla. Për këtë veprimtari ajo mori vlerësimin e mbarë botës dhe u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.

Ja çfarë ka thënë shën Nënë Tereza në Oslo me marrjen e çmimit Nobel.

O Hyj, bëj që unë të jem një mjet i paqes Tënde.
Aty ku është urrejtja, të sjell dashurinë;
aty ku është ofendimi, të sjell faljen;
aty ku është dyshimi, të sjell besimin;
aty ku është dëshpërimi, të sjell shpresën;
aty ku është errësira, të sjell dritën;
aty ku është trishtimi, të sjell gëzimin.

O Hyj, më jep që të kërkoj më shumë të ngushëlloj

sesa të ngushëllohem;
të kuptoj, sesa të kuptohem;
të dua, sesa të dua.
Sepse duke harruar veten, njeriu gjen;
duke falur, njeriu falet;
duke vdekur, njeriu lind për jetën e përjetshme.

Pas vdekjes më 5 shtator 1997, Kisha Katolike filloi procesin e shenjtërimit të saj. Në vitin 2003 Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumë, ndërsa në vitin 2016 Papa Françesku e shpalli Shenjtore. Më 5 shtator, kisha e kremton festën e saj.

Nenë Tereza mbetet një figurë e jashtëzakonshme, jo vetëm për Kishën Katolike, por për mbarë njerëzimin. Ajo është simbol i dashurisë, mëshirës dhe përkushtimit ndaj njeriut, duke na lënë një shembull të madh për të jetuar me mirësi dhe zemër të hapur.

Udhëtimi me tren: një “thirrje brenda thirrjes”

 Më 10 shtator 1946, gjatë udhëtimit me tren drejt Darjeeling, Nënë Tereza përjetoi një vizion mistik në të cilin Krishti, në kryq, i pëshpëriti me thellësi: “I thirst”- “Kam etje”. Këtë përjetim ajo e quajti më vonë si një “thirrje brenda thirrjes”, që e shtyu të shërbej tek më të varfërit ndër të varfër.

“Kam etje” si themel i misionareve të bamirësisë

 Në themel të urdhrit që krijoi, Nënë Tereza kërkoi që qëllimi kryesor të jetë: “të shuhet etja e Jezusit në kryq duke treguar dashuri ndaj njerëzve”. Kjo nuk ishte vetëm një thirrje simbolike, por u shndërrua në themel të Statuteve të Misionareve të Bamirësisë: “The General End of the Missionaries of Charity is to satiate the thirst of Jesus Christ on the Cross for Love and Souls.”

Në çdo kapelë të motrave të saj në botë, fjalët “I THIRST” janë të shfaqura pranë tabernakullit, si kujtesë e pandryshueshme e misionit: të shuash “etjen e Jezusit për shpirtëra, për dashuri, për dashamirësi, për dhembshuri, për dashuri të thellë”.

“I thirst” dhe “You did it to me” — një lidhje shpirtërore

 Në një letër të datës 25 mars 1993, Nënë Tereza shpjegoi: “‘I thirst’ është diçka shumë më e thellë se Jezusi që thotë ‘të dua’. … Zemra dhe shpirti i Misionareve të Bamirësisë është vetëm kjo – etja e Zemrës së Jezusit, e fshehur tek të varfërit. … ‘I thirst’ dhe ‘You did it to me’ – kujtoji gjithmonë t’i lidhësh të dyja.”

Kjo thellësi shpjegon se për Nënë Terezën, çdo akt i vogël bamirësie ishte një përgjigje direkte ndaj “etjës hyjnore” të Krishtit – dhe në këtë mënyrë, shuarja e etjes së Tij për dashuri dhe shpëtim.

“Kam etje” – jo për ujë, por për dashuri

Në shumë shkrime të saj, Nënë Tereza theksonte se fjalët “Kam etje” nga kryqi nuk ishin për ujë, por për dashuri, për ne, për dashuri të sinqertë. Siç shkruante:

“Në këtë moment më të vështirë Ai tha ‘Kam etje.’ Dhe njerëzit menduan se Ai kishte etje të natyrshme dhe i dhanë uthull; por nuk ishte për atë etje; ishte për dashurinë tonë, për ndjenjën tonë, për lidhjen tonë me të, dhe për ndarjen e dashurisë së Tij. Dhe është e çuditshme që Ai përdori këtë fjalë. Ai tha ‘I thirst’, në vend të ‘Give Me your love.’”

Po kështu, Nënë Tereza ftonte motrat «Misionaret e Bamirësisë» që të mendonin fjalët “I thirst” si të drejtuara tek secila prej tyre personalisht – “Sister Mary Vincent, I thirst” – duke e bërë thirrjen të gjithpërfshirëse dhe thellësisht personale.

“You did it to me” – Fjala që u shndërrua në mision

Një Ungjill në pesë gishta

Shën Nënë Tereza përmbledhte Ungjillin me diçka të thjeshtë – një dorë të ngritur me pesë gishta dhe fjalët: “You. Did. It. To. Me.” Kjo frazë, e nxjerrë nga Ungjilli i Mateut (25, 40), u bë zemra e misionit të saj: çdo akt dashurie ndaj të varfërve ishte – sipas saj një dashuri dhe veprim i drejtpërdrejtë për Krishtin vetë.

Krishti i varfër – një realitet që preket

Ajo shpjegonte kështu: “The forgotten man in the street … was Jesus bearing that man’s appearance. … That was Jesus under the disguise of the poor.”
Shembulli konkret i njeriut që ishte “gjysmë i ngrënë nga krimbat” por në të cilin ajo pa Krishtin – duke i ofruar kujdes dhe respekt e bën të qartë se për Nënë Terezën, çdo i varfër ishte një mishërim njerëzor i Krishtit.

Dashuri që prek dhe bëhet altari

Ajo nxiste motrat e saj që të shikonin çdo rast shërbimi si një akt liturgjik: I advised them: “During Mass you have seen with what care and tenderness the priest touched the body of Christ … Do the same in the home for dying destitutes.” Kur një novice shpëtoi një njeri në kanal, e ndjeu si prekje e vërtetë e Trupit të Krishtit: “I have been touching the Body of Christ for three hours!”

Po ashtu shembulli i dy motrave që shkuan në qytet dhe të cilat u kthyen pas dy orëve në shtëpi dhe shkuan tek Nënë Tereza dhe i thanë. Nënë, nënë, ne kemi prekur dhe takuar dy orë Krishtin. Ajo i pyeti, çka ka ndodh, çfarë keni bërë. Ati i thonë: kur dualëm në rrugë të madhe pam një njeri të shtruar në tokë. Ishte me plotë krimba dhe varrë. Ishte shumë vështirë që ta preknim, por kur menduam se në atë njeri është Krishti, gjithçka ndryshoj.

 Etja hyjnore për dashuri

Në një reflektim më shpirtëror, Nënë Tereza theksonte se Krishti nuk “ishte i etur për ujë”, por për dashuri e për lidhje zemrash: “I was hungry … homeless … lonely … He is the Hungry to be fed. … He is the Lonely to be loved.” Për të, nevojat e njerëzve ishin simbole të vuajtjeve shpirtërore ku Krishti fshihej – të cilit duhet t’i përgjigjeshim në dashuri dhe butësi.

Një thirrje për dashuri të thellë dhe të ndërgjegjshme

Nënë Tereza shpesh ftonte që secili nga ne të ndante momente reflektimi me dorën në gishta, duke pyetur: “What did I do for Jesus today? What did I do to Jesus today? What did I do with Jesus today?” Kjo ishte jo vetëm një ftesë për veprim, por për një dashuri të ndërgjegjshme, të përkushtuar dhe të pranishme në çdo vepër të vogël

Porosia e shën Nënë Terezës nuk ishte vetëm për murgeshat e saj apo për katolikët. Ajo besonte se çdo njeri, me një buzëqeshje, një fjalë të mirë, një akt dashurie, mund të shuajë etjen e Krishtit. Thirrja e saj ishte universale: të duam njëri-tjetrin, duke parë në çdo njeri fytyrën e Krishtit.

Shën Nënë Tereza e jetoi jetën si përgjigje ndaj dy fjalëve të Krishtit: “Kam etje” – etja e Jezusit për dashuri dhe shpirtëra, e shuar përmes shërbimit tek më të varfërit.

“You did it to me” – urdhri ungjillor që çdo akt dashurie ndaj tjetrit është një akt i bërë për Krishtin vetë.

Kështu, jeta dhe misioni i saj na mësojnë se dashuria ndaj Hyjit nuk ndahet nga dashuria ndaj njeriut. Shërbimi i saj ishte një ungjill i gjallë, një dëshmi se në çdo të varfër, të harruar apo të braktisur, është Krishti që pret dashurinë tonë.

 

 

 

 

Sërish protesta në Serbi kundër Vuçiqit

Në Novi Sad  po mbahen protesta “Serbi, a po dëgjohemi?”, e thirrur nga studentët e këtij qyteti për shkak të brutalitetit policor që po përjetojnë qytetarët e këtij vendi.

Protesta filloi duke nderuar viktimat me një minutë heshtje për 16 personat që humbën jetën nga shembja e mbulesës në Stacionin Hekurudhor më 1 nëntor 2024.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka marrë informacione se pjesëmarrësit e tubimit të paautorizuar në Novi Sad kanë për qëllim të sulmojnë policinë që ndodhet përpara Fakultetit të Filozofisë dhe Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik në këtë qytet.

Ata paralajmërojnë të gjithë të pranishmit që të respektojnë ligjin dhe të mos sulmojnë policinë, raporton N1.

“Në të kundërtën, policia do të jetë e detyruar të ndërhyjë dhe të ndërmarrë të gjitha masat e parashikuara me ligj për të mbrojtur jetën e vet, sigurinë dhe për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se protestat kanë filluar tash e sa muaj kundër pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndryshe, gjatë një marshimi protestues në Nish, qytetarët hodhën vezë në ambientet e hapura së fundmi të “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin”.

2,069,098 persona me të drejtë vote në zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për certifikimin e listës së votuesve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, përcjell albinfo.ch.

Vota e vetme kundër certifikimit ishte e asaj të anëtares së Listës Serbe, Gordana Llaban. 

Sipas listës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendovtime në Republikën e Kosovës është 2,025,105, ndërsa numri i qytetarëve të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës do të organizohet në 938 qendra votimi me gjithsej 2,625 vendvotime.

U miratua dizajni i fletëvotimeve dhe broshurave. Anëtarët e KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, abstenuan duke thënë se do të miratojnë vetëm fletëvotimet ku nuk figuron Lista Serbe. 

Rritet importi i veturave elektrike në Kosovë, qytetarët kërkojnë heqjen e doganës

Importi i veturave elektrike në Kosovë po shënon rritje të vazhdueshme, megjithëse pjesëmarrja e tyre në treg mbetet e ulët. Sipas Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2024 u importuan mbi 114 milionë euro vetura elektrike e hibride, ndërsa vetëm në periudhën janar–maj 2025 janë sjellë 1,539 vetura me vlerë mbi 56 milionë euro.

Aktualisht, veturat elektrike i nënshtrohen të gjitha taksave doganore – përfshirë doganën, akcizën dhe TVSH-në. Për veturat hibride, akciza është simbolike (10 euro), ndërsa për veturat elektrike varion sipas vitit të prodhimit e specifikave. Kjo, sipas importuesve, është arsyeja kryesore pse pjesëmarrja e tyre në treg arrin vetëm rreth 2% të totalit.

Pronari i AutoNet, Nexhdet Abazi, thekson se qeveria duhet të heqë taksat doganore dhe të subvencionojë blerjen e veturave elektrike, pasi kostoja aktuale është e lartë dhe mungon infrastruktura publike për karikim. “Nëse krahasohemi me vendet e rajonit, Kosova ka potencial për zhvillim, por pengesë mbeten politikat fiskale”, tha ai.

Edhe qytetarët ndajnë të njëjtin mendim, duke kërkuar heqjen e doganës dhe mbështetje nga shteti. Sipas tyre, veturat elektrike janë më ekonomike, nuk ndotin ambientin dhe përmirësojnë cilësinë e ajrit.

Ndërkohë, në rajon dhe botë, trendi i veturave elektrike është në rritje të shpejtë. Vetëm në vitin 2024 janë shitur mbi 17 milionë automjete elektrike, ndërsa në vitin 2025 kjo shifër pritet të kalojë 20 milionë, duke përbërë mbi 25% të tregut global. Kosova mbetet pas në këtë drejtim, por potenciali për zhvillim është i madh, sidomos me përdorimin e energjisë së rinovueshme.

Amir Rrahmani e Aro Muriq me notat më të ulëta

Mësohet se Amir Rrahmani dhe Aro Muriq janë vlerësuar me notat më të ulëta në humbjen 4:0 të Kosovës nga Zvicra.

Sajti i specializuar për statistika në futboll, “sofascore” ka vlerësuar mbrojtësin e qendrës dhe portierin me notën 5.9.

Prej startuesve notën më të mirë e kishte Florent Muslija, derisa Baton Zabërgja është i vetmi i vlerësuar me notën 7. 

Breel Embolo i Zvicrës, që i shënoi dy gola, u vlerësua më i miri i ndeshjes. Granit Xhaka ishte lojtari i tretë më i vlerësuar te Zvicra.

Vlerësimi bëhet duke marrë për bazë të dhëna të shumta statistikore.

Një shqiptar në mesin e 12 fotove më ikonike të vitit 2025, sipas BBC-së

BBC ka përfshirë një imazh të realizuar gjatë zjarreve masive që përfshinë Greqinë këtë verë në listën e 12 fotografive më të rëndësishme të vitit 2025. Fotografia, shkrepur nga Thanasis Stavrakis i agjencisë Reuters, tregon 33-vjeçarin shqiptar Oslien Muçobega teksa shpëton një dele nga flakët në zonën e Patrës, duke e transportuar mbi motor përmes tymit dhe zjarrt, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi gjatë gushtit, kur rajoni i Ahaisë u përfshi nga zjarre të mëdha, që detyruan banorët të largoheshin dhe rrezikuan jetën e njerëzve dhe kafshëve.

BBC ka vlerësuar fotografinë si një pamje me domethënie të veçantë, duke e krahasuar me ikonografinë e “Bariut të Mirë” në artin e krishterë, ku Krishti mban mbi supe një kafshë të brishtë. Sipas medias britanike, kjo lidhje simbolike e bën imazhin një nga momentet më të fuqishme dhe prekëse të vitit.

19 vite në arrati, arrestohet shqiptari në Itali

Një 52-vjeçar shqiptar, i kërkuar nga Italia në të gjithë Evropën, është arrestuar pas 19 vitesh arrati.

Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për shtetasin Durin Lusha.

Arrestimi i tij u bë në Taviano, në provincën e Leçes në një lokal, ndërsa u identifikua nga një tatuazh në parakrahun e djathtë të një gruaje gjysmë të zhveshur.

52-vjeçari do të vuajë dënimin me 10 vjet burg për drejtimin e një organizate italo-shqiptare e cila shfrytëzonte gratë e huaja dhe ato nga Shqipëria, për prostitucion.

Për t’i shpëtuar arrestimit, Lusha kishte ndryshuar emrin e tij në pasaportë.

Blick: Debutimi i vështirë i Leon Avdullahut me Kosovën

Kalimi i Leon Avdullahut nga Zvicra te Kosova ka bërë bujë në javët e fundit, duke ngjallur pritshmëri të mëdha për mesfushorin e ri. Avdullahu debutoi në ndeshjen ndaj Zvicrës, ku luajti në mesfushë, por Kosova pësoi një humbje të thellë 4:0 dhe Avdullahu nuk arriti të ndikojë në lojë, përcjell albinfo.ch.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e ka krahasuar Avdullahun me Granit Xhakën, duke theksuar potencialin e tij të madh, por në këtë duel debutimi me Zvicrën, Avdullahu nuk mundi të rivalizojë me Xhakën në fushë.

Gazeta zvicerane Blick shkruan se mesfushori përjetoi “makth në vendin e debutimit të ëndrrave”. Gabimet e tij të dukshme në lojë u vunë re më shumë se ato të lojtarëve të tjerë, për shkak të pritshmërive të larta që ekzistonin ndaj tij. Avdullahu, megjithatë, ka ende kohë për të treguar potencialin e tij dhe për t’u konsoliduar si një nga mesfushorët kryesorë të Kosovës.

Xhaka në mesin e lojtarëve më të vlerësuar të Zvicrës ndaj Kosovës

Zvicra dhe Kosova u përballën mbrëmë në një ndeshje ku Zvicra arriti të fitojë 4:0. Granit Xhaka, kapiteni i kombëtares zvicerane, u rendit në mesin e lojtarëve më të vlerësuar në fushë, transmeton albinfo.ch.

Xhaka mori notën 7.8 për paraqitjen e tij, duke u renditur i dyti pas Breel Embolos, i cili u vlerësua më lart me 8.5. Paraqitja e Xhakës u shfaq e qëndrueshme në mesfushë, duke kontribuar në kontrollin e lojës dhe organizimin e sulmeve.

Megjithatë, Kosova nuk arriti të kundërpërgjigjej dhe pësoi katër gola, duke e bërë humbjen një sfidë të vështirë për debutuesit dhe lojtarët e rinj. Notat e larta të Xhakës dhe Embolos tregojnë se, edhe në një fitore të madhe, performanca individuale mbetet thelbësore për suksesin e ekipit.

Hapet Konsullata e Nderit e Maqedonisë së Veriut në Gjenevë

Në Gjenevë u inaugurua dje Konsullata e Nderit e Maqedonisë së Veriut, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pranisë diplomatike dhe ekonomike të vendit në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Ceremonia u zhvillua në prani të Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Timço Mucunski, i cili së bashku me të pranishmit shpalli emërimin e z. Zaim Jashari si Konsull i Nderit. Jashari është një personalitet i njohur për angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar në shërbim të komunitetit dhe marrëdhënieve ndërshtetërore.

Konsullata e re do të shërbejë si urë miqësie dhe bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës, duke krijuar mundësi të reja në fushën diplomatike, ekonomike dhe kulturore. /Albinfo.ch

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Nacionalizmi serb ndalon filmin shqip në Mal të Zi

Shfaqja e filmit “Lejleku” të Isa Qosjes në festivalin “Xhad” në Podgoricë u ndërpre nga një grup personash që kundërshtuan faktin se filmi ishte në gjuhën shqipe. Ngjarja nxiti reagime të shumta nga presidenti i Malit të Zi, organizatat shqiptare dhe OJQ-të, por jo edhe nga kryeministri. Si kundërpërgjigje, filmi u transmetua me titra në gjuhën malazeze në RTVMZ, ndërsa organizatorët paralajmëruan se do ta shfaqin përsëri aty ku u ndal.

Regjisori Qosja e quajti incidentin “të planifikuar nga Serbia”, ndërsa theksoi se arti shqiptar do të mbetet i gjallë pavarësisht nacionalizmit. Producenti malazias Ivan Gjuroviq fajësoi shtetin dhe shoqërinë që kanë lejuar ringjalljen e miteve nacionaliste, duke shtuar se filmi trajton tema universale dhe jo çështje kombëtare.

Ndërkohë, presidenti Millatoviq kërkoi që autorët e incidentit të ndiqen penalisht dhe që filmi të shfaqet sërish. Deputetët dhe partitë shqiptare në Mal të Zi e cilësuan ngjarjen si sulm ndaj multietnicitetit dhe lirisë artistike.

“Lejleku”, i mbështetur nga fondi evropian “Eurimages”, është një bashkëprodhim i shtëpive filmike nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Jashari: Ishte ndeshje emocionale për të gjithë

Gjatë intervistës së Granit Xhakës është përfshirë edhe Ardon Jashari. Ai i mungoi Zvicrës për shkak të lëndimit, përcjell albinfo.ch.

“Fitorja ishte gjëja më e rëndësishme. Por qartë se ishte emocionale për të gjithë. Gjërat mund të vazhdojnë në këtë mënyrë”, ka thënë Jashari për SRF.

Xhaka është pyetur për lëndimin e Jasharit.

“Jasharit i është dashur shumë durim, por unë gjithnjë i kam thënë se koha e tij do të vijë. Ai ka të ardhme të ndritur përpara. Me lëvizjen te Milani, ai ka dëshmuar që mund të luajë me ekipet e mëdha. Lëndimi është mëkat, por është pjesë e futbollit. Ai është mjaftueshëm i fortë për t’u kthyer”, ka thënë Xhaka.

Eva Murati mahnit Venecian, bukuria shqiptare që rrëmbeu tapetin e kuq

Edicioni i 82-të i Festivalit të Filmit në Venecia mblodhi sërish emra të mëdhenj të kinemasë botërore në tapetin e kuq, përcjrll albinfo.ch.

Përveç yjeve ndërkombëtarë, këtë vit nuk munguan as përfaqësuesit shqiptarë që po bëjnë karrierë të suksesshme në Itali.

Pas performancës së balerinës së njohur Klaudia Pepa, e cila prej vitesh është një emër i dashur për publikun italian, edhe moderatorja dhe aktorja Eva Murati tërhoqi vëmendjen e mediave me paraqitjen e saj.

E veshur me një fustan të zi elegant, me prerje të stilit sirenë, flokë të valëzuar dhe make-up të sofistikuar, Eva rrëmbeu sytë e fotografëve. Eleganca e saj u theksua edhe më shumë nga detaji i shpinës së zbuluar, ndërsa qëndrimi i saj i sigurt reflektonte bukurinë dhe vetëbesimin e një vajze shqiptare që shkëlqen në arenën ndërkombëtare

“Edicioni i 82-të i Festivalit të Filmit në Venecia. ‘Dead Man’s Wire’, premierë nga Gus Van Sant”, ka shkruar Eva në rrjetet sociale, ku ndau disa imazhe nga momenti i saj në tapetin e kuq.

Muriqi për humbjen: Kishim motivin para ndeshjes, por në lojë “humbëm kryet”

Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, ka kërkuar falje pas humbjes 4:0 nga Zvicra në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës, përcjell albinfo.ch.

“Nuk funksionoi, fatkeqësisht, e kalojshin lehtë presingun”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes.

“Nuk kemi qenë në rastet ku nevojitet me e fitu topin e dytë.

“Me gabimet trashanike që kemi ba, kemi marrë katër gola në pjesën e parë”.

“Duke e ditur që pas tri dite kemi një kundërshtar më të vështirë se Zvicra”.

“Tash mbaroi kjo lojë, prapa s’mund të kthehemi.

“Duhet me e kthy motivimin apet. Na pret një ndeshje më e vështirë se kjo në ‘Fadil Vokrri’”

Muriqi tha se ata kishin motivin para ndeshjes por gjatë ndeshjes gjërat mund të ndryshojnë.

“Kemi qenë të motivum gjithë, por kur nganjëherë mrena fushës nuk funksionon, hyn nëpër mendime, brenda thonjëzave, ‘e humb kryet’”.

“Unë si kapiten i dytë i ekipit, u kërkoj falje tifozëve dhe shtetit tonë, dhe pastaj pres moral dhe motivim në ‘Fadil Vokrri’ ndaj Suedisë që momentalisht na duhet më shumë se teknika dhe taktika”, përfundoi Muriqi.

KQZ mblidhet sot, certifikon listën e votuesve për zgjedhjet komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës, përcjell albinfo.ch.

Në rendin e ditës, parashihet se ndër të tjera gjatë mbledhjes së KQZ-së do të certifikohet lista e votueseve për zgjedhjet e 12 tetorit.

Mbledhja nis nga ora 15:00, ndërsa më poshtë gjeni rendin e plotë të ditës:

1.Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;

Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes Nr.51, 52, 53 dhe 54/2025;Këshillat e KQZ;
3.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore

3.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për përcaktimin e formulës së këshillave të vendvotimeve për Zgjedhjet Lokale 2025

3.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për përcaktimin e formulës se ekipeve te numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit

3.1.3. Shqyrtimi dhe miratimi i Rekomandimit për caktimin e numrit maksimal të votuesve në vendvotime për Zgjedhjet Lokale 2025

3.1.4. Shqyrtimi dhe miratimi i Rekomandimit për caktimin e numrit të vendvotimeve në qendrat e votimit me kusht për Zgjedhjet Lokale 2025

3.1.5. Certifikimi i Listës së Votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025

3.1.6. Shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve dhe broshurave që do të shtypen për Zgjedhjet Lokale 2025

3.1.7. Shqyrtimi dhe miratimi i përmbajtjes dhe dizajnit final të fletëvotimeve dhe broshurave të kandidatëve për Zgjedhjet Lokale 2025

3.1.8. Shqyrtimi dhe miratimi i vendimit për mbikëqyrjen e procesit të shtypjes së fletëvotimeve, broshurave dhe listës së votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025

Rrahmani: Zvicra shfrytëzoi gabimet tona, humbëm gjithmonë topin e dytë

Pas ndeshjes, kapiteni Amir Rrahmani ka thënë se problemet e Kosovës me “topin e dytë” i kushtuan me humbjen 4:0 sonte nga Zvicra në kualifikimet për Kupën e Botës.

“Realisht, Zvicra i shfrytëzoi rastet që i pati pas gabimeve tona”, tha Rrahmani.

“Të gjitha rastet ndodhën në pjesën e parë. Që nga minuta e parë nuk arritëm ta fitonim topin e dytë, gjithmonë e fitonin ata. Prej aty nisnin aksionet e tyre, dhe ne u tërhoqëm shumë prapa. Nuk ishim të kujdesshëm”.

“Të gjitha rastet ishin pothuajse të njëjta: topi i dytë i humbur.”

Rrahmani po ashtu foli për lëndimin e tij dhe për ndeshjen e radhës ndaj Suedisë pas pak ditësh.

“Nesër do të bëjmë rezonancën për të parë se çfarë është”, tha Rrahmani.

“Duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë ndeshje, t’i marrim nga ajo vetëm gabimet që kemi bërë dhe t’i përmirësojmë, duke u përgatitur për ndeshjen kundër Suedisë./Albinfo.ch

26 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës sot mbush 26 vjet nga themelimi i saj, përcjell albinfo.ch.

Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999.

Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.

Në kuadër të shënimit të 26-vjetorit mbahet ceremonia Qendrore në drejtoritë e përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Granit Xhaka: Krejt bota e dinë se jam gjak e shpirt e zemër shqiptar

Granit Xhaka ka folur pas fitores 4:0 ndaj Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës, duke thënë se ata ishin shumë të fortë, dhe jo që Dardanët ishin shumë të dobët.

“Besoj se në pjesën e parë kemi qenë shumë dominues. Nuk jemi të kënaqur me pjesën e dytë, pasi nuk kemi luajtur ashtu siç duhet”, ka thënë Xhaka.

“Por, një fitore 4:0 ndaj një ekipi shumë të mirë si Kosova, mendoj se e kemi merituar plotësisht sot.”

“Nuk besoj se Kosova ishte e dobët, por ne kemi qenë shumë më të mire, sidomos në pjesën e parë”.

Xhaka sidoqoftë nuk ishte i kënaqur me pjesën e dytë të helvetëve.

“I fituam topat e dytë, duelet, bëmë pasime më të sakta dhe ishim më të qartë para portës”.

“Mendoj se Kosova nuk pati asnjë rast të rrezikshëm sot. Problemi është që nuk ishim dominues gjatë gjithë 90 minutave.”.

“Ishte ndeshja e parë, morëm tri pikë, dhe shpresoj që kështu të vazhdojmë.”

Mes tjera deklaratave, Xhaka u shpreh se krejt bota e dinë se jam gjak e shpirt e zemër shqiptar.

Po ashtu kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka thënë që kritikët e Zvicrës nuk është dashur ta vënë në mëdyshje potencialin e kësaj kombëtareje të cilët kishin thënë që nuk është e fortë si ka qenë.

“Kom dëgju do sene para ndeshjes që Zvicra nuk është qysh u kanë përpara. Nuk ka kualitet sikur ka pasë. Nuk ban ashtu me folë për neve”, ka thënë Xhaka për Klan Kosovën dhe Artmotion.

“Çdo lojtar që e kemi luan nëpër ligat ma të mëdha në botë. Jemi me një ekip shumë të mirë, me të rinjë, por edhe me lojtarë që kemi eksperiencë”.

“Kështu sot e bëmë një hap shumë të mirë me i kallëzu botës se Zvicra është hala këtu. Edhe sot, besoj, e kemi meritu fitoren”. /Albinfo.ch

Xhaka: Mund të fitonim 6:0 ose 7:0

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka ka folur pas ndeshjes mes Zvicrës dhe Kosovës.

“Mund të them që ishte një pjesë e parë më e mira për kohë të gjatë. Por pjesa e dytë nuk ishte e mirë. Nuk kemi bërë gjërat që kemi planifikuar. Ata që më njohin e dinë që jam vetëkritik dhe kritik ndaj ekipit. Dhe nuk mund të jemi të kënaqur me pjesën e dytë. Nëse do të luanim si në pjesën e parë do të mund të fitonim 6:0 ose 7:0”, theksoi Xhaka, duke shtuar: “Është mëkat që përfundoi vetëm 4:0, ndonëse ishte rezultat i merituar. Zhvillimi tani duhet të jetë që duhet të dominojmë për 60, 70 apo 90 minuta në ndeshje, jo vetëm 45. Kemi shumë lojtarë të rinj të cilëve ndoshta u duhet ende kohë për të luajtur me konsistencë për 90 minuta. Por ne kemi dashur tri pikë dhe i morëm me komoditet”, ka thënë Xhaka.

Xhaka shkëlqeu dhe udhëhoqi Zvicrën në fitoren 4:0.

 

 

Gjermani: 4 policë hetohen për përvetësimin e parave që ua kanë marrë shqiptarëve

Zyrtarët e policisë në Düsseldorf dyshohet se kanë mbledhur depozita sigurie dhe i kanë futur paratë në xhepat e tyre. Gjithsej dhjetë policë janë nën hetim, gjashtë prej tyre për pengim të drejtësisë, transmeton albinfo.ch.

Hetimi gjithashtu ka të bëjë me një arrestim të mundshëm të paligjshëm, sipas policisë dhe prokurorëve. Sipas informacionit të marrë nga dpa, oficerët, si anëtarë të një task force, thuhet se kanë kërkuar para si siguri, kryesisht nga shtetasit shqiptarë, të cilat më pas me sa duket i kanë futur në xhepat e vetë.

Hetimet janë nisur kundër gjashtë zyrtarëve të tjerë të policisë me dyshimin për pengim të drejtësisë në detyrë, sipas prokurorëve dhe policisë. Ata thuhet se kanë qenë në dijeni të incidenteve, por nuk i kanë raportuar ato. Gjashtë zyrtarë janë pezulluar nga detyra.

Sipas hetuesve, kreu i departamentit kishte vënë re parregullsi një ditë më parë në mëngjesin e 7 gushtit. Rasti përfshinte një kontroll të një burri shqiptar. Gjatë kërkimit, mbikëqyrësi gjeti një numër raportesh të çuditshme. Kur u përball me një zyrtar policie, polici pranoi se kishte njëfarë të vërtete në dyshim – por se ai vetë nuk ishte përfshirë, përcjell albinfo.ch. Prandaj, ky i fundit po hetohet vetëm për pengim të drejtësisë në detyrë.

Të nesërmen, më 8 gusht janë zhvilluar bastisje, gjatë të cilave, ndër të tjera, janë konfiskuar telefonat celularë të të dyshuarve.

Policia e Duisburgut merr përsipër hetimin
Sipas informacionit zyrtar, drogë u gjet edhe në dollapin e armëve të një të dyshuari (38). Konkretisht, sipas informacionit të marrë nga dpa, këto përfshinin 60 gramë marihuanë dhe 8 gramë një substancë të ngurtë kafe të panjohur. Nëse këto përbënin shkelje të trajtimit të provave apo një vepër penale të lidhur me drogën, është nën hetim.

Deri më tani, asnjë nga zyrtarët e akuzuar të policisë nuk ka komentuar mbi akuzat. Hetuesit thanë se qarkullojnë thashetheme brenda policisë së Düsseldorf-it në lidhje me veprimet e dyshuara të kolegëve të tyre.

Zvicra e nis me fitore bindëse ndaj Kosovës

Zvicra fitoi bindshëm ndaj Kosovës 4:0, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Gjithçka u vendos në pjesën e parë, ku Nati ishin bindshëm më i mirë, ndërsa për Dardanët nuk mungoi përkrahje e madhe nga tifozët shqiptarë në Bazel.

Në minutën e 22-të, Manuel Akanji shënoi me kokë brenda zonës për 1:0, shkruan albinfo.ch.

Vetëm tre minuta më vonë, Breel Embolo shënoi për 2:0.

Silvan Widmer shënoi për 3:0 në minutën e 39-të, kurse Embolo në minutën e 45-të shënoi për 4:0.

Në ndeshjen e ardhshme, më 8 shtator, Zvicra e pret Slloveninë, kurse Kosova e pret Suedinë në Prishtinë.

Sllovenia dhe Suedia barazuan 2:2 sonte.