Komandanti i KFOR-it takon përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash ka takuar të premten ambasadorin e Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, zëvendësshefin e Ambasadës së SHBA-së, atë të Francës, të Turqisë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, përcjell albinfo.ch.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet se takimi ofroi një mundësi të vlefshme për Komandantin që të paraqiste situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar angazhimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

“Në këtë kontekst, Gjeneral Ulutaş vlerësoi kontributet afatgjata të të gjitha shteteve në misionin e udhëhequr nga NATO, KFOR”, thuhet në njoftim.

Kallas: SHBA mbetet aleati më i madh i Evropës

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbeten “aleati më i madh” i Evropës, pavarësisht kritikave të forta ndaj kontinentit në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, përcjell albinfo.ch.

Ajo foli të shtunën në Forumin e Dohas në Katar, në një moment kur vazhdojnë bisedimet për një armëpushim në luftën në Ukrainë.

Kallas pranoi se disa nga kritikat e dokumentit strategjik amerikan – të cilat përfshijnë mungesë “vetëbesimi” në Evropë dhe madje “fshirje qytetërimi”, një pretendim i kundërshtuar gjerësisht – kanë bazë reale. Megjithatë, ajo theksoi se pavarësisht mospajtimeve, lidhja ndëratlantike mbetet thelbësore.

“Mendoj se nuk kemi qenë gjithmonë dakord për tema të ndryshme, por parimi i përgjithshëm është ende aty. Ne jemi aleatët më të mëdhenj”, u shpreh Kallas.

Ajo shtoi se roli i SHBA-së duhet të jetë të ndihmojë Evropën “të korrigjojë trajektoren e saj aktuale”, veçanërisht në sfidat e sigurisë.

Flamuri i Kosovës lartësohet në Emirate, Lirijona Bajraktari fituese e trajnimit elitar

Nëntogerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Lirijona Bajraktari, ka zënë vendin e parë në trajnimin ndërkombëtar ushtarak dymujor të organizuar nga Shkolla Ushtarake për Femra “Khawla Military School” në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe. Ceremonia përmbyllëse e kursit u mbajt të premten.

Për këtë arritje të Kosovës ka njoftuar Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi.

“Fotoja e Nëntogerës sonë, Lirijona Bajraktari, teksa pranon çmimin e vendit të parë në kursin dymujor ushtarak në Abu Dhabi, është shpërndarë gjerësisht në mediat shtetërore dhe rrjetet sociale të Emirateve të Bashkuara Arabe. Krenarë me ty, Lirijona!”, thuhet në njoftimin e ambasadës në Facebook.

Kosova u përfaqësua në këtë aktivitet ndërkombëtar nga tre oficere të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Shkolla ushtarake “Khawla Military School” funksionon nën patronazhin e Sheikha Fatima bint Mubarak, duke promovuar rolin e grave në shërbimin ushtarak në nivel ndërkombëtar.

Ambasada amerikane mirëpret bartjen e pushtetit në veri

Ambasada amerikane ka mirëpritur ngjarjen e djeshme në katër komunat veriore të vendit ku kryetarët e Listës Srpska rimorën pushtetin.

Ambasada në një përgjigje,tha se pret vazhdim të bashkëpunimit paqësor. Ngjashëm janë deklaruar edhe misionet e tjera të huaja në vend.

Ambasada amerikane e ka mirëpritur dorëzimin e qetë të detyrës te kryetarët serbë në katër komunat veriore. Kryetarët serbë atje u betuan në një ceremoni në prezencë të simboleve shtetërore derisa morën detyrën nga kryetarët shqiptarë që u vendosen në këto komuna më 2023.

“Ambasada e SHBA-së mirëpret tranzicionin e qetë të pushtetit dhe shpresojmë të shohim vazhdimin e bashkëpunimit paqësor”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane, transmeton Klankosova.tv.

Kalimi i qetë dhe pa probleme i pushtetit atje u mirëprit edhe nga Zyra e BE-së, ambasada gjermane dhe ajo britanike.

Danimarka do të hapë ambasadë të re në Shqipëri në 2026

Ministria e Jashtme e Danimarkës ka njoftuar se do të hapë ambasada të reja në disa vende, për të forcuar praninë dhe interesat e saj ndërkombëtare në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme. Një nga vendet ku Danimarka do të ketë një përfaqësi të re diplomatike është Shqipëria, në vitin 2026, përcjell albinfo.ch.

Ministri danez për Punët e Jashtme, Lars Løkke Rasmussen, theksoi se hapja e ambasadës në Tiranë do të mundësojë mbështetjen e aspiratave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe forcimin e qëndrueshmërisë së vendit, përfshirë mbrojtjen nga ndikime të dëmshme të jashtme.

“Bota po ndryshon me shpejtësi. Kjo sjell sfida të reja, por edhe mundësi të mëdha. Duhet të kemi një shërbim të jashtëm të fortë dhe modern, të pranishëm në vendet ku janë të rrezikuara interesat tona kryesore”,deklaroi Rasmussen.

Vendimi i Danimarkës reflekton edhe ambicien për të ndërtuar partneritete të reja në rajon dhe për të forcuar bashkëpunimin politik dhe ekonomik me Shqipërinë. Vendimi i Danimarkës reflekton edhe ambicien për të ndërtuar partneritete të reja në rajon dhe për të forcuar bashkëpunimin politik dhe ekonomik me Shqipërinë.

Rriten çmimet e birrës në Zvicër

Shoqata e pronarëve të restoranteve në Bazel ka shprehur shqetësim të madh pas rritjes së çmimeve të birrës nga birreria Feldschlösschen, e cila ka ngritur çmimin e birrës së fuçisë dhe të shishezuar që nga fillimi i nëntorit. Shoqata e quan këtë vendim “të padrejtë” dhe një “fyerje” ndaj pronarëve të bareve dhe restoranteve, përcjell albinfo.ch.

Në lokalin tradicional Rheinfelderhof në Kleinbasel, menaxheri Amancio Camean tregon se kjo rritje përbën një problem të madh: “Ne kemi shumë klientë të rregullt që konsumojnë kryesisht birrë. Një rritje e çmimeve ndikon drejtpërdrejt në biznesin tonë”, shprehet ai, duke theksuar se shërben mysafirët me birrë Feldschlösschen për gati dy dekada, shkruan srf.

Rritja prej 4% e çmimit të birrës ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga pronarët e lokaleve, të cilët paralajmërojnë se mund të ndikojë në frekuentimin e klientëve dhe në fitimet e tyre.

Një 16-vjeçar humb jetën në një aksident të rëndë në Torre TI

Një 16-vjeçar zviceran ka humbur jetën të shtunën herët në mëngjes në Torre TI, pasi makina me të cilën po udhëtonte doli nga rruga, u përmbys dhe u përfshi nga flakët. Në automjet ndodheshin dy të rinj, të dy 16 vjeç dhe nga rajoni, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë, shoferi humbi kontrollin e mjetit për arsye që ende janë duke u hetuar. Njëri prej të rinjve ndërroi jetë në vend, ndërsa tjetri mori lëndime të lehta dhe u dërgua në spital. Shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë në vendngjarje.

Hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë – https://www.blick.ch/schweiz/tessin/schwerer-unfall-in-torre-ti-zwei-jugendliche-kommen-mit-auto-von-strasse-ab-16-jaehriger-tot-id21492263.html

Xhaka dhe Yakin të kënaqur me shortin, Kanadaja, kundërshtari i përsosur

Pas shortit të Kupës së Botës në Washington D.C., trajneri i Zvicrës Murat Yakin dhe lojtarët e ekipit kombëtar janë shprehur të kënaqur me Grupin B, ku Zvicra do të përballet me Kanadanë, Katarin dhe fituesin e plejofit evropian, transmeton albinfo.ch.

Yakin e vlerësoi grupin si “interesant dhe të favorshëm”, duke shtuar se Shaquille O’Neal, i cili hodhi shortin, “pati dorë të mbarë për Zvicrën”. Ndeshja kundër bashkë-organizatorit Kanada pritet të jetë më e veçanta për trajnerin, i cili tha se nuk ka qenë kurrë në këtë vend.

Kapiteni Granit Xhaka dhe mesfushori Remo Freuler gjithashtu shprehën optimizëm. Të dy theksuan atmosferën e jashtëzakonshme që pritet në përballjen me ekipin pritës dhe e konsideruan Kanadanë short të mirë, shkruan Blick.

Freuler paralajmëroi kujdes ndaj Katarit, duke theksuar se ekipi aziatik ka treguar cilësi në kampionatin e fundit.

Zvicra synon një paraqitje të fortë në këtë grup, të cilin e konsideron të balancuar dhe të hapur për rezultate pozitive.

E verbra zvicerane mahnit jurinë dhe siguron finalen në “The Voice”

Këngëtarja e verbër zvicerane Bernarda Brunovic (32) ka siguruar të premten vendin në finalen e “The Voice of Germany”. Me interpretimin e fuqishëm të këngës “Writing’s On The Wall”, ajo mori duartrokitje në këmbë dhe vlerësime të shumta nga publiku dhe trajnerët, përcjell albinfo.ch.

Moderatori Thore Schölermann e quajti Bernarda-n “një pasurim për këtë show”, ndërsa trajnerët Michi & Smudo e vlerësuan si “këngëtare të jashtëzakonshme”. Edhe Nico Santos u shpreh i impresionuar: “Ti këndon me gjithë zemër dhe shkëlqen mbi skenë.”

Bernarda do të konkurrojë javën e ardhshme për fitoren e madhe në finalen e edicionit. /Albinfo.ch

https://www.blick.ch/people-tv/schweiz/wunder-saengerin-blinde-schweizerin-steht-im-the-voice-finale-id21492343.html

Sot është afati i fundit për regjistrimin e votuesve nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se sot, 6 dhjetor 2025, është dita përfundimtare që shtetasit kosovarë që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e ardhshme përmes diasporës, shkruan albinfo.ch.

Pse është e rëndësishme regjistrimi në diasporë

Regjistrimi ju mundëson të votoni edhe nëse jetoni jashtë Kosovës, duke ju dhënë mundësi të kontribuoni për zgjedhjet parlamentare nga diaspora.

Çdo qytetar i Kosovës që është me të drejtë vote dhe jeton jashtë mund të bëhet pjesë e procesit zgjedhor, por vetëm nëse regjistrohet si votues jashtë vendit.

 

Qytetarët mund të regjistrohen online ose përmes postës:

 

1. Regjistrimi online:

Përdoruesit mund të regjistrohen përmes platformës zyrtare të KQZ-së për votuesit jashtë Kosovës, duke vizituar këtë link:

https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter

2. Regjistrimi përmes postës:

Aplikimi mund të dërgohet në adresën postare të KQZ-së:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Votimi përmes Postës

Posta 6, Kutia Postare 351

10000 Prishtinë, Republika e

Informacione shtesë dhe kontakt:

Për më shumë detaje mbi regjistrimin dhe procedurat e votimit jashtë Kosovës, mund të vizitoni:

https://kqz-ks.org/regjistrimi-per-votim-jashte-kosoves/

Kontakti direkt me KQZ-në:

• Email: [email protected]

• WhatsApp & Viber: +383 46 61 00 61

Mos e humbisni afatin dhe sigurohuni që zëri juaj të numërohet në zgjedhjet e ardhshme!

Berlin, shfaqja e dokumentarit të ARTE-s mbi traditën dhe inovacionin kosovar

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin, në bashkëpunim me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, ARTE dhe kompaninë Vidasus, organizoi mbrëmë shfaqjen paraparake të dokumentarit të ri të ARTE-s me titull “Kosovo: alte Kräuter, neuer Geist”. Dokumentari sjell historinë e zhvillimit të produkteve artizanale të Vidasus, të krijuara përmes metodave tradicionale dhe të rrënjosura thellë në trashëgiminë kulturore të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Eventi mblodhi përfaqësues të korit diplomatik, institucioneve gjermane, komunitetit të biznesit, mediave dhe anëtarë të mërgatës kosovare në Gjermani, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për promovimin e kulturës dhe potencialit ekonomik të vendit.

Promovim i kulturës dhe sipërmarrjes kosovare

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e nismave të tilla që promovojnë storiet e suksesit të ndërmarrësve kosovarë, bukuritë natyrore të Kosovës dhe potencialin turistik të vendit. Ai u shpreh se dokumentari e paraqet Kosovën si një vend të vogël në përmasa, por me një “thesar të pasur kulturor, artistik dhe tradita që meritojnë vëmendje ndërkombëtare”.

Ish-ambasadori gjerman në Kosovë, z. Jörn Rohde, vlerësoi bukuritë e vendit dhe rolin e projekteve të tilla në forcimin e prezencës ndërkombëtare të Kosovës, duke nënvizuar se promovimi kulturor mbetet ura më e fortë e bashkëpunimit mes popujve.

Vidasus – Tradita që shndërrohet në sukses global

Themeluesi i Vidasus, z. Ali Alijaj, ndau historinë e rrugëtimit të tij në krijimin e brendit, duke theksuar se ndërthurja e traditës me inovacionin është çelësi i suksesit të tyre në tregun ndërkombëtar. Në këtë linjë, koproducentët e dokumentarit, Michaela Kirst dhe Kosovë Gjoci, folën për procesin kreativ dhe sfidat e realizimit të projektit.

Një hap drejt rritjes së imazhit të Kosovës

Aktivitete të tilla luajnë rol të rëndësishëm në promovimin e imazhit të Kosovës në Gjermani, në krijimin e rrjeteve të reja të bashkëpunimit, si dhe në rritjen e interesimit për produktet autentike dhe kulturën e distilimit tradicional që e karakterizon vendin.

Orna, violonçelistja nga Nju Jorku që prej 30 vjetësh i jep shpirt Operës së Seviljes

Orna Carmel, violonçelistja e talentuar me origjinë nga Nju Jorku, prej më shumë se tridhjetë vitesh është një nga figurat qendrore të Teatrit të Operës Maestranza në Sevilje, transmeton albinfo.ch.

E njohur për interpretimet e saj të thella emocionale dhe elegancën muzikore, Orna ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme që bashkon disiplinën amerikane me pasionin andaluzian.

Në një rrëfim të sinqertë dhe të rrallë, të publikuar nga Neta, The Cellist of Seville, ajo flet për udhëtimin e saj artistik, sfidat, triumfet dhe mençurinë që ka mbledhur gjatë viteve. Intervista ofron një dritare të veçantë drejt botës së një artisteje që e ka përqafuar violonçelin jo si instrument, por si pjesë të qenies së saj.

Muzika më ka mësuar durimin, pranimin e procesit dhe bukurinë e të jetuarit me zemër të hapur”, rrëfen Orna, duke reflektuar mbi dekadat në skenë dhe zhvillimin si njeri dhe artiste.

Performancat e saj në Teatrin Maestranza janë vlerësuar gjerësisht për intensitetin emocional dhe përkushtimin e pakushtëzuar ndaj artit. Gjatë karrierës, Orna ka interpretuar në qindra produksione operistike, duke i dhënë jetë roleve muzikore që kërkojnë precizion teknik dhe shpirt artistik.

“The Cellist of Seville” jo vetëm që prezanton një pjesë të rëndësishme të jetës së saj profesionale, por falë qasjes intime, i jep publikut mundësinë të lidhët me Orna Carmel si njeri, një artiste që ka gjetur shtëpinë e saj të dytë në Spanjë, pa e harruar kurrë rrënjën dhe identitetin e saj formues nga Nju Jorku.

Profili i saj është një shembull frymëzimi për çdo muzikant të ri që ëndërron të ngjitet në skenat më të mëdha të botës: talenti dhe pasioni hapin dyert, por vetëm përkushtimi afatgjatë dhe guximi për të qëndruar besnik vetes e ndërtojnë një trashëgimi të qëndrueshme./Albinfo.ch.

Kurti: Kosova, 34 vende më lart në indeksin e luftimit të krimit të organizuar

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar përmes një psotimi në mediat sociale se Kosova është bërë histori suksesi në tjetër indeks ndërkombëtar, kësaj radhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke iu referuar “Indeksit Global mbi Krimin e Organizuar 2025”.

Kurti ka thënë se sipas Indeksit Global mbi Krimin e Organizuar 2025, Kosova është përmirësuar për 34 vende në krahasim me vitin 2021, ndërsa vlerësohet si shteti me nivelin më të ulët të kriminalitetit në rajon.

“Tregues i qartë i angazhimit të përbashkët për luftim të krimit të organizuar, forcim të sundimit të ligjit dhe besimit ndaj institucioneve të rendit”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryeministri në detyrë ka bërë të ditur se ky indeks mbështetet e financohet edhe nga Bashkimi Evropian, Interpol dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Nga 8 dhjetori Aeroporti i Cyrihut lejon pjesërisht lëngjet në bagazhin e dorës

Aeroporti i Cyrihut ka prezantuar sot skanerë të rinj CT për kontrolle më të shpejta sigurie. Duke filluar nga 8 dhjetori, pasagjerët do të jenë në gjendje të lënë lëngje në bagazhet e tyre të dorës fillimisht në njërin kat (ku janë kryer punimet përkatëse), transmeton albinfo.ch.

Ndalimi i përgjithshëm i shisheve me kapacitet më të madh se 100 mililitra mbetet në fuqi për momentin, njoftoi të premten Aeroporti i Cyrihut. Kjo për shkak se vetëm një nga katër katet do të konvertohet fillimisht.

(Foto: Zürich Flughafen)

Pasi të jenë përmirësuar të 26 korsitë e kontrollit, do të lejohen shishet ose enët me kapacitet deri në dy litra, shkruan sda.ch.

Pasagjerët që mbërrijnë në katin 0 me një shishe më të madhe mund ta mbajnë atë, me kusht që përmbajtja të mos paraqesë rrezik sigurie. Udhëtarët gjithashtu mund t`i mbajnë pa i nxjerrë pajisjet elektronike në bagazhet e tyre të dorës në shtatë skanerët e rinj.

Përmirësimi i ambienteve të kontrollit të sigurisë po kryhet në faza deri në verën e vitit 2026, përcjell albinfo.ch. Siç e kanë përjetuar udhëtarët ditët e fundit, puna po ndikon në kohën e pritjes ndërsa aeroporti mbetet i hapur.

 

Cyrih: Takim pune për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkimit të shkollave shqipe

Dje, më 4 dhjetor në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, u mbajt një takim pune në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së 17 marsit 2024 për bashkimin e shkollave të gjuhës shqipe në Zvicër, thuhet në një njoftim për publikun, nga LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër.

Në takim morën pjesë Ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Mentor Latifi; Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Rexhep Demiri; Sekretari i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, z. Valon Gashi; si dhe Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha.

Të ftuar nga ana e tri ambasadave ishin bashkëkryetarët e Shkollës Shqipe – LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër, z. Vaxhid Sejdiu dhe z. Liburn Mehmetaj. I ftuar ishte gjithashtu edhe kryetari i LAPSH-it të Kantonit të Cyrihut, z. Naser Ulaj, i cili nuk mori pjesë.

Diskutimet u fokusuan në ecurinë e procesit të bashkimit të shkollave shqipe dhe në hapat e nevojshëm për përmbyllen e tij, veçanarisht në kantonin e Cyrihut.

Tri ambasadat riafirmuan angazhimin e tyre të plotë për të ndërmjetësuar dhe mbështetur përmbylljen e këtij procesi, në mënyrë që të krijohet një strukturë e vetme, funksionale dhe legjitime për mbarë Zvicrën.

U vlerësua puna e mësueseve dhe veprimtarëve që mbajnë gjallë gjuhën shqipe, si dhe zgjerimi i pikave të reja mësimore në disa kantone. Njëherazi u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes të të gjitha palëve, përfshirë edhe Cyrihun, për të siguruar një proces të koordinuar dhe të suksesshëm.
LAPSH mbetet i përkushtuar që mësimi plotësues të jetë i unifikuar, i qëndrueshëm dhe në shërbim të fëmijëve dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.

Gjermani: Bundestagu miraton reformën e pensioneve

Parlamenti gjerman ka miratuar reformën kontroverse të pensioneve të Kancelarit Friedrich Merz. Ndër të tjera, ajo përcakton që pensionet do të rriten me të njëjtin ritëm si pagat.

318 anëtarë të parlamentit votuan në favor të modelimit të ri të nivelit të pensioneve deri në vitin 2031 dhe zgjerimit të pensionit të nënave, me 224 vota kundër dhe 53 abstenime, tranmseton albinfo.ch. Kjo do të thotë që kancelari Friedrich Merz e tejkaloi objektivin e tij të të ashtuquajturës “shumicë kancelarike” prej 316 votash, me dy vota.

Bundestagu fillimisht kishte njoftuar 319 vota pro dhe 225 kundër, por më vonë e korrigjoi këtë shifër. Shtatë nga 208 anëtarët e parlamentit të CDU/CSU votuan kundër ligjit të diskutueshëm, raporton dpa.de. Dy të tjerë abstenuan dhe një anëtar nuk votoi.

Plani kishte tërhequr kritika edhe nga brenda aleancës CDU/CSU të Kancelarit Merz, kryesisht për shkak të kostove në rritje dhe barrës që do t’u vinte brezave të rinj.

Anëtarët më të rinj të grupit parlamentar CDU/CSU, në veçanti, e kishin kundërshtuar propozimin. Prandaj, reforma e pensioneve ishte në rrezik të dështonte në parlament.

KQZ: Afër 64.000 votues nga diaspora janë regjistruar për të votuar

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se deri më tani kanë aplikuar për regjistrim 63 mijë e 997 nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në njoftimin më të ri për media, KQZ-ja përkujton bashkatdhetarët se ka mbetur edhe një ditë afat për aplikim për të votuar jashtë Kosovës.

“Mos e humb mundësinë tënde që zëri yt të dëgjohet”, thuhet në një njoftim të KQZ-së në Facebook.

Adresa për aplikim online është https://diaspora.kqz-ks.org/sq/, ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.

Për detaje rreth regjistrimit, mërgata mund të njoftohet përmes postës: https://kqz-ks.org/regjistrimi-per-votim-jashte-kosoves/

Edhe 3 shtete tërhiqen nga Eurovisioni për shkak të Izraelit

Irlanda, Spanja dhe Holanda do të bojkotojnë Festivalin e Këngës në Eurovision të vitit të ardhshëm, pasi Izraelit iu lejua të garonte.

Ato ishin midis një numri vendesh që kishin kërkuar përjashtimin e Izraelit për shkak të humbjeve humanitare të luftës në Gaza dhe akuzave për praktika të padrejta votimi.

Pavarësisht thirrjeve për një votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit, anëtarët në vend të kësaj miratuan një sërë rregullash të reja që synonin të mbronin integritetin e konkursit.

Në një deklaratë, transmetuesi holandez ”Avrotros” tha se “pjesëmarrja në rrethanat aktuale është e papajtueshme me vlerat publike që janë thelbësore për ne”.

Transmetuesi spanjoll RTVE shtoi se ”bordi i drejtorëve të RTVE ra dakord shtatorin e kaluar që Spanja do të tërhiqej nga Eurovision nëse Izraeli do të ishte pjesë e tij”.

“Kjo tërheqje do të thotë gjithashtu se RTVE nuk do të transmetojë finalen e Eurovision 2026… as gjysmëfinalet paraprake”, shtoi ai.

RTVE kishte udhëhequr thirrjet për shkarkimin e Izraelit dhe kërkoi një votim të fshehtë mbi pjesëmarrjen e tij, shkruan ATSh, transmeton albinfo.ch.

Sipas transmetuesit, organizatorët “e mohuan kërkesën e RTVE-së”, duke shtuar se “ky vendim rrit mosbesimin e RTVE-së ndaj organizimit të festivalit dhe konfirmon presionin politik që e rrethon atë”.

Transmetues të tjerë, përfshirë Slloveninë dhe Islandën, pritet gjithashtu të tërhiqen nga konkursi.

Vazhdon rritja e çmimeve të banesave në Kosovë

Çmimet e banesave kanë shënuar rritje prej 4.2 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave Banesore, i cili është publikuar për herë të parë nga Agjencia e Statistikave, rritje më të madhe të çmimeve pati në rajonin e Prishtinës me 6.5 për qind.

Të dhënat që flasin për periudhën 2019-2025 tregojnë se çmimet e banesave janë rritur çdo vit, por rritje më të madhe kishte në vitet 2022 dhe 2024.

Sipas ASK-së, rritja mesatare vjetore më e lartë e çmimeve të banesave është regjistruar në vitin 2022, me 4.5%, e ndjekur nga viti 2024 me 4.0% dhe viti 2023 me 3.7%.

Këto vite pasqyrojnë një periudhë me aktivitet të lartë ndërtimi dhe rritje të kërkesës, si në tregun primar ashtu edhe në atë sekondar të banesave, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, viti 2020 ka qenë më i dobëti, me rritje minimale prej vetëm 0.2%, për shkak të pasojave të pandemisë COVID-19, e cila ngadalësoi dukshëm qarkullimin në tregun e pronave.

Sipas raportit, rajoni i Prishtinës vazhdon të udhëheqë me çmimet më të larta të banesave në nivel vendi.

Rritja më e madhe vjetore në kryeqytet është regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2025, me 11.3%, që përfaqëson një nga normat më të larta të rritjes që nga viti bazë 2018.

Pas Prishtinës, rritje të theksuara janë parë edhe në vitet 2021 dhe 2024, kur normat kanë kaluar 5 për qind, duke reflektuar një kërkesë të qëndrueshme për banim dhe investime në kryeqytet.

Në kontrast me kryeqytetin, rajonet tjera të Kosovës kanë shënuar rritje më të moderuara. Më e larta është regjistruar në vitin 2023 (5.4%), pasuar nga 2022 (4.4%) dhe 2019 (2.7%), ndërsa një rënie e lehtë është shënuar në vitin 2021 (-1.4%). Këto të dhëna tregojnë se edhe pse trendi mbetet pozitiv, dinamika e tregut ndryshon dukshëm në varësi të rajoneve.

ASK thekson se rritjet më të dukshme janë vërejtur në periudha të caktuara tremujore, ku çmimet janë rritur me ritme të larta për shkak të kërkesës së shtuar për banesa të reja.

Në këtë kuadër, tremujorët me rritjen më të lartë vjetore kanë qenë:

TM1 2025 – 7.8%,

TM3 2022 – 6.1%,

TM1 2023 – 5.5%,

TM4 2024 – 5.3%,

TM4 2019 – 5.2%,

TM2 2022 – 5.2%.

Sipas ASK-së, këto periudha përfaqësojnë momente me aktivitet të shtuar në treg, si pasojë e investimeve në ndërtim, rritjes së kreditimit për banesa dhe zgjerimit të zonave urbane. Në anën tjetër, rëniet më të mëdha janë regjistruar në vitin 2020, konkretisht në tremujorin e katërt (-2.4%) dhe në tremujorin e dytë (-2.0%), si pasojë e mbylljeve dhe pasigurisë ekonomike që ndikuan në uljen e transaksioneve.

Në krahasim me periudhat e mëparshme, tregu i banesave në Kosovë po tregon shenja të një stabilizimi gradual, me luhatje më të vogla dhe rritje më të qëndrueshme.

Në shumë rajone, veçanërisht në Prishtinë, çmimet po mbahen në nivele të larta, të ndikuara nga kërkesa e qëndrueshme, kthimi i diasporës dhe ndërtimi i projekteve të reja rezidenciale.

Sipas ekonomistëve, publikimi i Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit është një hap i rëndësishëm, pasi për herë të parë krijohet një bazë zyrtare për matjen e lëvizjeve të çmimeve në këtë sektor, e cila mund të ndihmojë institucionet, investitorët dhe qytetarët në vendimmarrje më të informuar.

Të dhënat e reja të ASK-së tregojnë se çmimet e banesave në Kosovë janë rritur pothuajse çdo vit që nga 2018-a, me ritme më të forta në vitet e fundit.

Kjo prirje vjen si rezultat i kombinimit të disa faktorëve: kërkesës së lartë për banim në zonat urbane, rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit, si dhe normave të favorshme të kredive hipotekare në periudha të caktuara.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati tha se ky është një raport i rëndësishëm për vendin dhe institucionet ndërkombëtare. “ASK-ja e publikon një raport të rëndësishëm, jo vetëm për vendin, por edhe institucionet ndërkombëtare, sepse ky indeks është kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky indeks, është në bashkëpunim të ngushte me ekspertizën e Bankës Qendrore, Agjencinë e Kadastrës së Kosovës, Ministrinë e Financave. Ky indeks është në harmoni me protokollin e fondit monetar. Me këtë indeks i plotësojmë indekset e nevojshme, që kërkohen sipas kritereve standarde, është indeksi i tetë që e prodhojmë në fusha të ndryshme”.

Drejtori i Departamentit të statistikave ekonomike në ASK, Ilir Berisha shtoi se ky indeks është kërkuar nga qeveria në vitin 2023. Berisha tha se ka pasur edhe asistencë teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ka bërë vlerësimin e burimeve të mundshme të të dhënave.

“Ky indeks ka qenë kërkesë e Qeverisë në vitin 2023, në bazë të një marrëveshje të Fondit Monetar, e cila ka qenë pikë e veçantë. Fatmirësisht, kemi pasur një bashkëpunim ndërinstitucional dhe janë krijuar grupet punuese, kemi pasur edhe asistencën teknike eksperte nga FMN që ka bërë vlerësimin e burimeve të mundshme të të dhënave. Në vitin 2024 kemi pasur ngecje për shkak të prioritetit tonë për regjistrimin e popullsisë dhe më pas kemi vazhduar riformimin e grupit punues për këtë indeks”, tha Berisha.

Gëzim Ahmeti, zyrtar i statistikave të çmimeve, ka prezantuar indeksin e çmimeve. “Në nivel vendi çmimet e pronave banesore, në tremujorin e dytë të vitit 2025 krahasuar me tremujorin e dytë të 2024, ka pasur rritje prej 4.2 për qind, kurse te rajoni i Prishtinës shënoi një rritje prej 6.5 për qind, ndërsa për rajonet e tjera ka pasur një ngritje prej 0.7 për qind. Kemi paraqitur ndryshimet vjetore në përqindje, ndryshimet mesatare duke filluar prej vitit 2019 – 2.1 për qind, 2020 – 0.2 për qind për shkak të pandemisë, 2021 – 2.4 për qind, 2022 – 4.5, 2023 3.7, 2024 – 4 për qind. Në bazë të këtij grafiku shohim se ka një trend rritës prej vitit 2018 deri më 2024 që ka arritur vlerën e indeksit prej 118.1 për qind”.

Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) mat ndryshimet e çmimeve, duke përdorur dy tregues kryesorë: ndryshimet vjetore në përqindje, duke krahasuar një tremujor të vitit referues me vitin paraprak, si dhe ndryshimet tremujore në përqindje, duke krahasuar tremujorin referues me tremujorin e paraprak.

Zvicër: Kërkohet kontrollim më i mirë i letërnjoftimeve të të huajve

Këshilli Federal synon të arrijë kontrolle gjithëpërfshirëse të kartave të identitetit të të huajve me rregullore të reja. Kjo ndodh sepse kantonet dhe komunat shpesh nuk i shqyrtojnë me kujdes dokumentet e shtetasve të huaj, transmeton albinfo.ch.

Një studim i porositur nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin zbuloi se autoritetet përgjegjëse nuk e verifikojnë sistematikisht vërtetësinë e kartave të identitetit që u paraqiten atyre në shumicën e rasteve, shkruan srf.ch

Në mënyrë specifike, kjo ka të bëjë me verifikimin e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit e huaj kur aplikojnë për leje qëndrimi, vendosjeje dhe udhëtimi ndërkufitar.

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale nga mësuesit: Shqipëria, e para në Evropë

Inteligjenca Artificiale, përveçse është një nga zhvillimet më të fundit të teknologjisë, është bërë edhe shumë e përdorshme.

Pothuajse në shumë kompani ku ka gjetur përdorim, nuk ka shpëtuar as arsimi pa u bërë pjesë e këtij ndryshimi. Inteligjenca artificiale në këtë fushë gjen përdorim të ndryshëm, si nga studentët që mund ta përdorin për detyrat e shtëpisë, esetë, kërkime dhe projekte, mund të përdoret edhe për mësuesit.

Sipas Anketës Ndërkombëtare të Mësimdhënies dhe të Nxënies (TALIS) të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), përdorimi i inteligjencës artificiale nga mësuesit ndryshon ndjeshëm në të gjithë Evropën që nga viti 2024.

Në këtë kërkim është matur niveli i përdorimit të IA në 32 vende për shkollat e mesme të ulëta. Shqipëria kryeson rajonin dhe Evropën në përdorimin e inteligjencës artificiale nga mësuesit ku 53.2% e tyre e kishin përdor qoftë edhe një herë, ndërkohë Franca paraqitet e fundit në këtë drejtim, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Ajo që bie në sy nga statistikat është se vendet e Evropës Perëndimore, në përgjithësi, kanë një përqindje më të ulët përdorimi sesa vendet e Evropës Lindore.

Mirëpo, si ndryshon përdorimi I inteligjencës artificiale  sipas shteteve? Nëse flasim për rajonin, pas Shqipërisë renditen Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke qenë edhe në 10 vendet e para të listës, ku sipas studimit rreth 43% e mësuesve në Kosovë dhe 42% në Maqedoninë e Veriut e përdorin IA-në. Ndërkohë, Serbia dhe Mali i Zi paraqesin përqindje më të ulëta, duke u renditur në fund të rajonit dhe Evropës.

Nga ana tjetër, mesatarja është 32 %në Bashkimin Evropian (BE-22), ndërsa në OECD (27 vende) është 36%.

Në Evropë, pas Shqipërisë, mësuesit në Maltë (46%), në Çeki (45.8%), Rumani (45.8%) dhe Poloni (45.1%) shfaqin përdorim të lartë të IA në shkolla.

Ndërkohë, shtetet ku mësuesit e përdorin më pak janë: Bullgaria, Hungaria, rajoni francez i Belgjikës, Turqia, Italia, Finlanda, Mali i Zi dhe Sllovakia.

Për çfarë e përdorin mësuesit IA-në?

Nga mësuesit që përdorën IA-në, mesatarisht në Bashkimin Evropian (BE-22), pothuajse dy të tretat (65%) thonë se e përdorin atë për të mësuar dhe përmbledhur në mënyrë efikase një temë, dhe 64 % e përdorin IA-në për të gjeneruar plane mësimore ose aktivitete. Dy përqindjet më të larta tregojnë se IA përdoret kryesisht për përgatitjen e vetë mësuesve.

Shorti i Botërorit 2026: Zvicra në grup me Kanadanë, ja ndarja e plotë e grupeve

Sot është tërhequr shorti i Botërorit për vitin 2026.

Zvicra do të luajë në Grupin B të Botërorit, teksa kundërshtare e vendit nga vazoja e parë është Kanadaja, transmeton albinfo.ch.

Kampionia në fuqi, Argjentina është në grupin J, Meksika në Grupin A, ndërsa SHBA-ja në Grupin D.

Anglia e Kroacia do të luajnë në një grup, L. Anglia ishte në vazon e parë, ndërsa Kroacia në  të dytën.

Ndryshe, ndeshja e parë e Botërorit do të jetë ajo mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, më 11 qershor në Mexico City.

Ja ndarja e plotë e grupeve:

Grupi A

  1. Meksika
  2. Afrika e Jugut
  3. Koreja e Jugut
  4. Plejofi D: Danimarka, Çekia, Irlanda, Maqedonia e Veriut

Grupi B

  1. Kanadaja
  2. Plejofi A: Italia, Uellsi, Bosnja, Irlanda e Veriut
  3. Katar
  4. Zvicra

Grupi C

  1. Brazili
  2. Maroku
  3. Haiti
  4. Skocia

Grupi D

  1. SHBA-ja
  2. Paraguai
  3. Australia
  4. Plejofi C: Turqia, Sllovakia, Kosova, Rumania

Grupi E

  1. Gjermania
  2. Curaçao
  3. Bregu i Fildishtë
  4. Ekuadori

Grupi F

  1. Holanda
  2. Japonia
  3. Plejofi B: Ukraina, Polonia, Shqipëria, Suedia
  4. Tunizia

Grupi G

  1. Belgjika
  2. Egjipt
  3. Irani
  4. Zelanda e Re

Grupi H

  1. Spanja
  2. Kepi i Gjelbër
  3. Arabia Saudite
  4. Uruguai 

Grupi I

  1. Franca
  2. Senegali
  3. Plejofi 2: Iraku, Bolivia, Surinami
  4. Norvegjia

Grupi J

  1. Argjentina
  2. Algjeria
  3. Austria
  4. Jordania

Grupi K

  1. Portugalia
  2. Plejofi 1: DR Kongo, Xhamajka, Caledonia e Re
  3. Uzbekistan
  4. Kolumbia

Grupi L

  1. Anglia
  2. Kroacia
  3. Gana
  4. Panama