Zvicër: Më shumë incidente jashtë punës në vitin 2024

Numri i aksidenteve të ndodhura jashtë vendit të punës u rrit ndjeshëm në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 1.7 për qind. Sipas të dhënave të publikuara nga Suva dhe Shoqata Zvicerane e Sigurimeve, vitin e kaluar u regjistruan gjithsej 618 mijë aksidente jo-profesionale, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Në të kundërt, aksidentet dhe sëmundjet profesionale shënuan një rënie me 2 për qind, duke arritur në rreth 280 mijë raste. Kjo e çoi rritjen totale të aksidenteve në vend në një nivel modest prej 0.7 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Pamja ndryshon në varësi të siguruesit. Suva, e cila mbulon sektorë me rrezik të lartë si industria e ndërtimit, raportoi një rënie prej 3.6 për qind të aksidenteve profesionale. Kjo u atribuohet rregulloreve më të rrepta të sigurisë, investimeve në parandalim dhe shtimit të aktiviteteve administrative, veçanërisht te burrat e rinj. Në të kundërt, siguruesit e tjerë që operojnë kryesisht në sektorin e shërbimeve panë një rritje të lehtë prej 0.8 për qind të aksidenteve në punë, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, ndryshimet demografike po ndikojnë në tendencat e aksidenteve gjatë kohës së lirë. Sipas raportit, është vërejtur një rritje e rasteve te gratë mbi moshën 55 vjeç për shkak të aktivitetit të shtuar fizik gjatë kohës së lirë. Pavarësisht këtyre dallimeve, statistikanët parashikojnë se rreziqet e aksidenteve do të konvergojnë gradualisht midis gjinive dhe moshave.

Kostot totale të aksidenteve për vitin 2024 nuk janë publikuar ende. Për krahasim, në vitin 2023, sigurimi i aksidenteve i kushtoi Zvicrës rreth 5.5 miliardë franga zvicerane, transmeton albinfo.

 

Valon Behrami rikthehet në Watdord, por me një rol të ri

Futbollisti shqiptar, Valon Behrami është rikthyer në Watford, por kësaj radhe me një rol të ri.

Ai është rikthyer në klubin anglez në një rol të ri si ndihmës i Drejtorit Sportiv, përcjell albinfo.ch.

Behrami, ka ndërtuar një karrierë të gjatë gati 20-vjeçare duke luajtur për klube si Lazio, West Ham United, Napoli, Hamburg dhe Udinese.

Ai është paraqitur 83 herë me kombëtaren e Zvicrës, duke u bërë lojtari i parë i Zvicrës që ka luajtur në katër Kampionate Botërore radhazi, nga viti 2006 deri në 2018.

“Kur isha lojtar i Watfordit, për herë të parë ndjeva se isha pjesë e një familje dhe kjo ndjenjë më ka munguar,” tha Behrami. “Jam shumë i lumtur që jam rikthyer. Scott Duxbury më kishte transferuar fillimisht te West Ham dhe më pas edhe te Watford si lojtar, prandaj nuk hezitova kur më kërkoi për herë të tretë të bëhem pjesë e diçka kaq emocionuese.”

Behrami shtoi se dëshiron të forcojë lidhjen mes stafit teknik, klubit, lojtarëve dhe tifozëve – si mënyra e vetme për të arritur qëllimet e përbashkëta.

“Jam këtu për ta mbështetur trajnerin Paulo Pezzolano dhe lojtarët. E di si ndihen lojtarët, çfarë u nevojitet dhe si reagojnë, veçanërisht kur gjërat nuk ecin siç duhet – gjë që ndodh shpesh në futboll. Paulo ka qenë i shkëlqyer që nga dita e parë; shihet qartë që ka dëshirë, disiplinë dhe standarde shumë të larta. Kjo është mënyra e vetme për të punuar”, theksoi Valon Behrami.

Zvicër: Rritet ndjeshëm numri i të rehabilituarve përmes sigurimit të paaftësisë

Numri i personave që morën pjesë në masat e rehabilitimit profesional të sigurimit të paaftësisë (DI) u trefishua në vitin 2024 krahasuar me vitin 2008, duke arritur në rreth 57,700 pjesëmarrës. Lajmin e bëri të ditur të mërkurën Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore (FSIO), duke theksuar se masat e ndërmarra kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në riintegrimin e personave me probleme shëndetësore në tregun e punës, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Qëllimi kryesor i këtyre masave është parandalimi i përjashtimit të hershëm nga tregu i punës dhe shmangia e dhënies së pensioneve të paaftësisë kur është e mundur. Sipas të dhënave zyrtare, nga 41,000 persona që përfunduan procesin e rehabilitimit profesional deri në vitin 2024, rreth 60% rezultuan të punësueshëm. Më konkretisht, 46% prej tyre janë kthyer në tregun primar të punës, ndërsa pjesa tjetër ka ende potencial për të gjetur punë ose për të përfituar nga pensioni i invaliditetit.

“Rezultatet tregojnë se përpjekjet për riintegrim funksionojnë dhe se shumë persona me vështirësi shëndetësore kanë ende mundësi reale për të qenë aktivë në tregun e punës,” thuhet në njoftimin e FSIO.

Aktualisht, rreth 4% e popullsisë së siguruar në Zvicër përfiton nga sigurimi i paaftësisë (AI), një përqindje që ka mbetur e qëndrueshme që nga viti 2018. Më shumë se gjysma e rasteve të regjistruara kanë të bëjnë me sëmundje mendore, sipas organizatës Inclusion Handicap, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Ashpërsohen kushtet për pension të parakohshëm, ndikohen më shumë punëtorët e ndërtimit

Fondacioni FAR, fondi i pensioneve për industrinë zvicerane të ndërtimit, ka hyrë në një fazë të re shtrëngese financiare, duke detyruar ndryshime të ndjeshme në skemën e pensionimit të parakohshëm për punëtorët e ndërtimit, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Nga 1 korriku 2025, për të përfituar pension të plotë të parakohshëm nga mosha 60 vjeç, punëtorët do të duhet të kenë të paktën 20 vjet kontribute të pandërprera në këtë sektor, një rritje prej 5 vitesh nga kërkesa e mëparshme.

Fondacioni FAR, i themeluar në vitin 2003 si një iniciativë e përbashkët mes sindikatave dhe Federatës Zvicerane të Ndërtuesve Kryesorë, ka qenë një model i pensionimit fleksibil në një sektor të vështirë fizikisht. Deri tani, mbi 30 mijë punëtorë ndërtimi kanë përfituar nga kjo skemë, me pagesa që shkonin deri në 70 për qind të pagës së fundit, duke kushtuar vetëm në vitin 2024 rreth 500 milionë franga zvicerane.

Por presioni financiar është rritur ndjeshëm. Me rritjen e kërkesave për pensione të parakohshme, kryesisht për shkak të daljes në pension të brezit të “baby boomers”, dhe stagnimin e kontributeve, fondi është përballur me mungesë kapitali, transmeton albinfo.ch.

Deri në fund të vitit 2024, kapitali i tij kishte rënë në më pak se 820 milionë franga. Bordi i administratorëve, i përbërë nga përfaqësues të sindikatave dhe ndërtuesve, vendosi të rrisë periudhën e nevojshme të kontributit në përpjekje për të stabilizuar situatën.

Ky vendim po shkakton zemërim dhe pasiguri mes punëtorëve. Reto Baur, një shofer kamioni në një kompani ndërtimi, që priste të përfitonte pension të parakohshëm në fund të korrikut 2025, do të humbasë rreth 1 500 franga në muaj për shkak të mungesës së viteve të nevojshme të kontributit. Ai, si shumë të tjerë, është i shqetësuar nga fakti se nuk është paraparë asnjë marrëveshje kalimtare për raste të tilla, transmeton albinfo.ch.

Sindikatat shprehen të zhgënjyera që nuk arritën të parandalonin zgjatjen e periudhës së kontributit, por theksojnë se të paktën arritën të shmangnin uljen e përgjithshme të pensioneve dhe rritjen e kontributeve. Ndërkohë, Shoqata e Ndërtuesve Kryesorë kishte propozuar shtyrjen e moshës së pensionimit të parakohshëm me disa muaj, një masë që sindikatat e refuzuan.

E ardhmja e FAR-it mbetet e pasigurt. Edhe pse statuti i fondit përmban një dispozitë për trajtimin e rasteve të veçanta në vështirësi, ende nuk dihet nëse ajo do të aplikohet për raste si ai i Reto Baur. Ndërkohë, mijëra punëtorë ndërtimi mund të përballen me pensione më të ulëta në një sistem që dikur u konsiderua simbol i dinjitetit në moshën e tretë për punëtorët e ndërtimit në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Haradinaj: Pas 30 ditësh mund të ketë zhvillime dramatike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar për një përshkallëzim të krizës politike në vend nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues. Pas një takimi të mërkurën me presidenten Vjosa Osmani, ai e ka cilësuar situatën si të rëndë dhe ka thënë se shpresat për dalje nga kriza pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese janë venitur, raporton albinfo.ch.

“Zhvillimet pas 30-ditëshit mund të jenë shumë dramatike. Gjykata mund të na kthejë në pikën zero, sikur të mos jenë mbajtur fare zgjedhjet. Kjo është situatë serioze”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka përmendur se nëse gjykata vlerëson se të zgjedhurit nuk kanë ushtruar funksionin e tyre, mund të deklarojë se e kanë humbur mandatin, duke e dërguar të gjithë spektrin politik “në shtëpi”.

Haradinaj ka kritikuar iniciativën për krijimin e komisionit për votim të fshehtë, duke e quajtur të gabuar dhe shkaktare të bllokadës aktuale. Ai është shprehur në favor të kthimit të praktikës së votimit të hapur si mënyrë për të kapërcyer ngërçin.

“Sikur të kthehet praktika e hapur e votimit, shpresojmë që do të votojmë edhe për ata që nuk kemi votë, do të votojmë kundër, por për kandidatët konsensual do të votojmë për. Kjo është përparësia”, ka thënë ai, raporton albinfo.ch.

Sipas tij, edhe presidentja Osmani është e shqetësuar për situatën dhe ka kërkuar të dijë qëndrimin e AAK-së për mënyrat e mundshme të daljes nga kriza. Haradinaj ka theksuar se qëndrimi i partisë së tij ka qenë gjithmonë konstruktiv dhe me synimin për të ndihmuar në stabilizimin institucional, raporton albinfo.ch.

Shaqiri mbështet ekipin e femrave: “Zvicra ka potencial për surprizë”

Xherdan Shaqiri, një nga figurat më të spikatura të ekipit kombëtar të Zvicrës, me përvojë në katër Kupa Bote dhe tre Kampionate Evropiane, i është bashkuar në një mënyrë të veçantë mbështetjes për ekipin kombëtar të femrave në prag të Euro 2025, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Në një rol simbolik, 33-vjeçari ishte ai që hodhi shortin për fazën e grupeve të këtij turneu historik që do të zhvillohet për herë të parë në Zvicër.

“Nuk ishte aq keq, apo jo? Tregova një dorë të mirë atje,” tha Shaqiri me humor pas hedhjes së shortit. Ndërsa ylli i FC Basel po përgatitet intensivisht për sezonin e ri në kampin stërvitor në Austri, ai shprehu dëshirën që të jetë i pranishëm fizikisht për të mbështetur ekipin e futbollisteve në stadium, nëse i jepet mundësia.

“Ne kemi një ekip të mirë kombëtar. Shoh një zhvillim të qartë dhe për mua, Zvicra është kali i errët,” theksoi ai, duke vlerësuar përparimin e vajzave në fushën e futbollit.

Shaqiri, i cili ka përjetuar emocionet e turneve madhorë me fanellën e Zvicrës, dha edhe disa këshilla për lojtaret. “Në një turne është e rëndësishme të rritesh së bashku si ekip. Dhe një turne në vendin tënd është diçka vërtet unike, thjesht duhet ta shijosh,” tha ai, transmeton albinfo.ch.

Mesazhi i tij ka edhe një notë personale. Ai ndau raportin e afërt me bashkëlojtarën e tij te FCB, Coumba Sow, golashënuesen më të mirë të sezonit të kaluar në Superligën e femrave. “Shpesh bëjmë shaka së bashku. Ajo shënon shumë gola në stërvitje dhe pastaj gjithmonë bërtas: ‘Coumba në zjarr!’,” tha Shaqiri me entuziazëm.

Kur u pyet se çfarë mund të mësojnë meshkujt nga futbolli i femrave, Shaqiri u përgjigj shkurt dhe prerë: “Uria.” Ai vlerësoi vendosmërinë dhe përkushtimin e lojtareve, shpesh përballë kushteve më të vështira dhe burimeve më të pakta financiare. “Të japësh gjithmonë gjithçka për sukses meriton respekt. Disa nga lojtaret tona të reja mund të mësojnë një ose dy gjëra nga ne, por edhe ne mund të mësojmë nga ato.”

Për Xherdan Shaqirin, futbolli i femrave në Zvicër është në rritje dhe Euro 2025 në shtëpi është një moment që duhet përqafuar me krenari dhe pasion, transmeton albinfo.ch.

DW: Paratë më mirë për mirëqenien sociale apo ura në Mitrovicë?

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë të hënën në ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e dy urave të reja në qytetin e Mitrovicës, njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë, në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, që ndan qytetin në pjesën veriore me shumicë serbe dhe atë jugore me shumicë shqiptare, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti deklaroi se ndërtimi i urave synon forcimin e lidhjes mes dy pjesëve të qytetit dhe nxitjen e komunikimit, bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërmjet komuniteteve.

“Qeveria jonë është e përkushtuar që ndërmjet veriut dhe jugut të ketë sa më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim e shkëmbime,” tha ai.

Ndërsa ndërtimi pritet të përfundojë në vjeshtë, projekti ka hasur në kundërshtime nga faktori ndërkombëtar. Bashkimi Evropian, javën e kaluar, kishte bërë thirrje për përmbajtje, duke theksuar se veprime të tilla duhet të merren me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, me përfshirjen e plotë të komuniteteve të prekura.

Ambasada Gjermane në Prishtinë ngriti po ashtu shqetësimin për mungesë të koordinimit institucional dhe rrezikun për përshkallëzim të situatës.

“Në vend të ndërtimit të dy urave të reja, do të kishte përfitime shumë më të mëdha riorientimi i burimeve të pakta publike të Kosovës drejt prioriteteve sociale,” deklaroi Christian Böttcher, zëvendësshefi i misionit të ambasadës, transmeton albinfo.ch.

Kur u pyet nëse ka pasur koordinim me Bashkimin Evropian për këtë projekt, Kurti u shpreh:

“Gjithçka që bëjmë ne është në përputhje me planet tona, sipas ligjit dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ata që kanë dilema mund të na kontaktojnë lirisht dhe ne ua shpjegojmë me përpikëri.”

Ky zhvillim vjen në vazhdën e përpjekjeve të mëhershme të qeverisë Kurti për të hapur për qarkullim të automjeteve urën kryesore mbi lumin Ibër, një nismë e ndërmarrë vitin e kaluar, por e kundërshtuar ashpër nga banorët serbë të veriut dhe bashkësia ndërkombëtare.

Aktualisht, KFOR-i, përmes karabinierëve italianë, vazhdon të jetë i stacionuar mbi urë si masë sigurie.

“Çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret brenda kornizës së dialogut Kosovë-Serbi,” ka theksuar misioni i NATO-s në Kosovë.

Kurti përsëriti qëndrimin e tij se hapja e urës kryesore mbetet qëllim i qeverisë.

“Prej neve është kërkuar t’i bëjmë matjet për qëndrueshmërinë e urës. I kemi bërë, ura është e qëndrueshme. Se kur do të hapet, varet edhe nga karabinierët italianë. Ne nuk duam të krijojmë fërkime me askënd,” theksoi ai.

Ndryshe, sipas një marrëveshjeje të vitit 2014 të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ura kryesore duhej të hapej për qarkullim në janar të vitit 2017, pas rivitalizimit, transmeton albinfo.ch.

Abdixhiku: Zgjidhja e krizës politike përmes shumicës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se mirëpret ftesën e presidentes Vjosa Osmani dhe përfshirjen e saj në përpjekjet për zgjidhjen e krizës aktuale institucionale në Kuvendin e Kosovës.

Ai theksoi se ekziston një aktgjykim i qartë i Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, i cili nënvizon se e drejta për të propozuar kandidatin dhe për të siguruar shumicën parlamentare i takon partisë së parë.

“Thelbi i problemit nuk është procedura, por mungesa e shumicës parlamentare nga partia e parë. LDK-ja kërkon zgjidhje përmes krijimit të shumicës politike dhe pastaj respektim të domosdoshëm të procedurave kushtetuese,” tha Abdixhiku.

Sipas tij, LDK nuk ka problem me emra të caktuar, por ka një qëndrim të qartë kundër kandidaturave të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje.

“LDK-ja ka qëndrim parimor dhe me vullnet e bindje dëshiron të votojë kundër kandidatëve të VV-së,” deklaroi ai.

Abdixhiku kritikoi mënyrën se si është trajtuar procesi i konstituimit të Kuvendit, duke e quajtur “vendim arbitrar” kalimin në votim të fshehtë nga ana e deputetit më të moshuar, pa konsultim me subjektet politike.

“Deri më tani ka pasur një procedurë paraprake, ndërsa tani kemi të bëjmë me një vendim të njëanshëm pas shtatë seancave të dështuara,” shtoi ai.

Kreu i LDK-së e quajti situatën një krizë artificiale politike, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mungesë legjitimiteti.

“Kurti është duke qeverisur me rezultatet e para katër viteve. Ai nuk ka as legjitimitet, as moral politik,” tha Abdixhiku, duke e akuzuar më tej se ka kapur institucionin kushtetues përmes më të moshuarit të Kuvendit.

LDK, sipas tij, do të qëndrojë në linjë me Kushtetutën dhe vlerat demokratike, duke kërkuar zgjidhje reale e jo improvizime procedurale.

Rreth 1 milion e 800 mijë fletëvotime do të shtypen për zgjedhjet lokale në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave të shtypen rreth 1 milion e 800 mijë fletëvotime. Ndërkaq, për raundin e dytë planifikohen të shtypen 1 milion e 250 mijë sosh, përcjell albinfo.ch.

Lidhur me specifikat teknike për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025 foli Arianit Elshani nga Këshilli i Operacioneve Zgjedhore.

Në mbledhjen e KQZ-së më 2 korrik, ai tregoi se lista e votuesve për raundin e dytë është 4 mijë e 420.

“Këshilli për Operacione Zgjedhore ka shqyrtuar kërkesën e sekretariatit për shqyrtimin e specifikave teknike për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave votuese për zgjedhjet lokale. Lidhur me këtë dokument, ne i kemi dhënë komentet tona dhe janë bërë përditësimet e fundit lidhur me numrin e përgjithshëm të përllogaritur se sa do të shtypen për raundin e parë dhe të dytë të fletëvotimeve, listat votuese dhe broshurat. Bëhet fjalë për fletëvotimet për kuvend të komunës, në sasi prej 1 milion e 800 mijë. Broshura e kandidatëve për kuvend të Kosovës është 16 mijë e 980. Fletëvotimet për kryetarët e komunës janë 1 milion e 800 mijë. Ndërsa për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës janë të përllogaritura 1 milion e 250 mijë fletëvotime dhe lista e votuesve është 4 mijë e 420 për raundin e dytë”, tha Elshani.

Lidhur me këtë, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, sugjeroi që si bazë të merret numri maksimal i votuesve që kanë marrë pjesë në dy palët e fundit të zgjedhjeve lokale, ato të vitit 2017 dhe 2021, dhe mbi këtë numër të shtohen edhe 10 deri në 20 për qind më shumë fletëvotime.

Në këtë mënyrë, sipas tij, mund të reduktohet numri i fletëvotimeve.

Numër rekord biznesesh të reja në Zvicër

Më shumë kompani po themelohen se kurrë më parë në Zvicër: gjashtë muajt e parë të vitit 2025 panë numra rekord. Megjithatë, ka dallime të mëdha rajonale, me Ticinon që kundërshton trendin, sipas një studimi nga Instituti IFJ për Bizneset e Reja. Në gjysmën e parë të vitit, 27,811 kompani të reja u regjistruan në Zvicër në tërësi, transmeton albinfo.ch.

Kjo përfaqëson një rritje prej 2.6% gjatë vitit. Shifra është dukshëm mbi mesataren e 10 viteve të fundit, e cila është rreth 24,400 regjistrime.

Duke parë rajonet e ndryshme, një performancë shumë pozitive mund të shihet në Zvicrën Qendrore (+7.3%), Romandie (+4.9%) dhe Cyrih (+4.6%). Nga ana tjetër, Ticino (-4.0%) dhe Zvicra Lindore (-2.9%) janë në një trend të kundërt. Sektorët më dinamikë janë ndërtimi, konsulenca dhe pasuritë e paluajtshme.

FDP kandidon Përparim Avdilin për kryebashkiak të Cyrihut

Në mbledhjen e tiuj të djeshme, Bordi Ekzekutiv i Partisë FDP Qyteti i Cyrihut vendosi për tre kandidatë të cilët do t’ua propozojë delegatëve të FDP Qytetit të Cyrihut për nominim në Këshillin (ekzekutivin) e Qytetit të Cyrihut më 4 shtator. Ata janë: Këshilltari i Qytetit Michael Baumer, Këshilltarja e Qytetit Marita Verbali dhe Këshilltari i Qytetit dhe Presidenti i Partisë, Përparim Avdili.

Komiteti rekomandon Përparim Avdilin si kandidat për President të Qytetit, kryebashkiak thuhet në një komunikatë për media, të dërguar nga kjo parti.

FDP Qyteti i Cyrihut po përgatitet kështu për fushatën zgjedhore me një ekip kompetent dhe të larmishëm prej tre personash, transmeton albinfo.ch. Ata duhet të mbështesin një Cyrih të ri, kozmopolit, inovativ dhe miqësor ndaj biznesit, dhe t’i japin fund kulturës penguese të ndalimeve dhe burokracisë së tepërt.

Në vazhdim, komunikata prezanton tre kandidatët duke vlerësuar profilet e tyre për postet që propozohen.

Në prezantimin që i bëhet Përparim Avdilit, ndër të tjera thuhet se ai është “një njeri veprues me një shtysë krijuese për Këshillin e Qytetit të Cyrihut”:

“Cyrihu duhet të bëhet përsëri një metropol inovativ ekonomik, kulturor dhe i dijes, një vend i gjallë i diversitetit dhe progresit. Kjo kërkon një kryetar bashkie të përkushtuar që e bën këtë premtim të prekshëm në jetën e përditshme, me mundësi të drejta për strehim, në punë dhe në lagjet tona.”

Ndërsa vetë Avdili, duke prezantuar në mediat sociale këtë kandidim, ndër të tjera ka shkruar:
“Jam rritur në Cyrih, fëmijë i një familjeje emigrantësh. Kam bërë shkollimin në Altstetten dhe Albisrieden dhe ende luaj rregullisht futboll me miqtë e mi në lagje. Herë pas here madje shikojmë ndonjë ndeshje futbolli në Letzigrund. Duhet pranuar, me një preferencë të lehtë për klubin e qytetit.

Pas përfundimit të trajnimit tim tregtar, fillova karrierën në qendrën financiare të Cyrihut. Sot jam Drejtor Financiar i kompanisë jofitimprurëse të trajnimit libs, e vendosur në Cyrihun Verior, ku mbështesim 1 500 praktikantë në industritë mekanike, elektrike dhe metalike në karrierën e tyre.

E dua atë që bëj dhe e dua këtë qytet. Dhe kam rrënjë të thella këtu.

Por qyteti ka qenë thjesht vetëm i administruar për vite me radhë. Pa guxim. Pa ngjyrë. Pa shpirt. Dua që Cyrihu të vazhdojë të zhvillohet. Që Cyrihu të lulëzojë. Që Cyrihu më në fund të perceptohet si një metropol. Prandaj dua një qytet që ka një ndjenjë qëllimi. Një fund të mënyrës administrative të viteve të fundit. Nëse duam të jemi të rëndësishëm, duhet të jemi të dukshëm dhe të dëgjueshëm. Të dukshëm dhe të dëgjueshëm si një qytet kozmopolit, i larmishëm, krijues dhe i guximshëm. Kjo kërkon lidership me vizion, empati dhe entuziazëm…”, shkruan ndër të tjera kandidati i FDP-së për kryebashkiak të Cyrihut, Përparim Avdili.

Makina luksoze përplasen me makinën e policisë në Vaud

Policia e Kantonit Vaud ka javë të tëra që po lufton kundër shpejtësisë së lartë gjatë natës, veçmas me “makina të vjedhura”. Pas një ndjekjeje në autostradën A1, dy automjete (përfshirë edhe ajo e policësë) u ndaluan dhe autorët u arrestuan, përcjell albinfo.ch.

Javen e kaluar dhe këtë javë, Policia e Kantonit Vaud është përballur me një numër automjetesh që qarkullojnë nëpër kanton në mes të natës me shpejtësi rreth 200 km/orë.

Këto automjete fillimisht vidhen nga shitësit e makinave në Zvicër, kryesisht në Zvicrën gjermanishtfolëse, nga njerëz që përpiqen të arrijnë në Francë, shkroi policia kantonale në një deklaratë.

Në të dy vendet, u zhvilluan disa ndjekje policore, të cilat rezultuan në arrestimin e të miturve ose shkelësve të rinj.

Javën e kaluar, pas një ndjekjeje të gjatë në autostradën A1, dy automjete u ndaluan pak para zonës së pushimit Bursins VD.

Gjatë këtij operacioni, një nga automjetet e vjedhura u përplas me një makinë të Policisë Rajonale të Morges që ishte ndaluar në autostradë. Oficerët e policisë po përpiqeshin të shpëtonin shoferin e automjetit, i cili kishte dalë nga rruga dhe kishte marrë flakë në një fushë. Të dy autorët u arrestuan.

Policia dyshon se autorët – të gjithë shtetas francezë – janë rekrutuar nga mafia.
Për më shumë detaje – https://www.blick.ch/breaking-news/mit-200-km-h-durch-die-nacht-luxusboliden-crashen-polizeiauto-in-der-waadt-eins-geht-in-flammen-auf-id21014417.html

Deri në fundjavë, temperaturat do të bien në Zvicër

Një valë e të nxehtit ka vazhduar të kaplojë që nga fundjava shtetin zvicran dhe shtetet rreth saj, përcjell albinfo.ch.

Sipas Meteo News, temperaturat do të arrijnë deri në 35 gradë Celsius në perëndim të mërkurën, ndërsa në veri do të ketë 33 gradë Celsius, 30 gradë Celsius në jug.

Ndërkohë, disa stuhi dhe shira do të përfshijnë Jurën dhe Alpet.

Të enjten, temperaturat bien dhe stuhitë janë në rritje.

Në veri dhe perëndim, erërat jugperëndimore sjellin mot të ndryshueshëm me shira dhe stuhi lokale, sipas Meteo News.

Temperatura do të jetë rreth 28 gradë Celsius.
Për më shumë – https://www.blick.ch/schweiz/ende-der-hitzewelle-in-sicht-heute-nochmal-schwitzen-doch-bald-kommt-die-abkuehlung-id21013586.html

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i reagon Petkoviqit

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka kritikuar Serbinë, e cila, sipas Berlinit, nuk po i trajton me seriozitet kërkesat për ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për sulmin në Banjska, përcjell albinfo.ch.

Lidhur me këtë, ambasada risjell në vëmendje shprehjen gjermane “Erstmal vor der eigenen Haustür kehren”, që simbolikisht fton shtetin serb të pastrojë përpara derës së vet, duke siguruar drejtësi për sulmin në Banjska, para se të kritikojë veprimet e Kosovës.

Reagimi i ambasadës vjen ndaj letrës së fundit të Petar Petkoviç, ku ai i bën thirrje Bashkimit Evropian, shteteve anëtare dhe palëve të tjera të ndalojnë atë që e përshkruan si “veprimet eskaluese të Prishtinës”, konkretisht ndërtimin e dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

“Fakti që udhëheqësi i vetëpranuar i atij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënpresidenti i Listës Serbe, zoti Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë publikisht, por vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, dobëson thellësisht përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe përgjegjshmërisë në rajon. Në gjermanisht themi, ‘Erstmal vor der eigenen Haustür kehren’, që do të thotë së pari pastroni para derës suaj. E përshtatur për situatën aktuale, kjo fjalë e urtë na kujton se duhet të rregulloni shtëpinë tuaj para se të akuzoni vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj”, thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane.

Personat e akuzuar për sulmin terrorist më 24 shtator 2023 u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjithashtu, kjo ambasadë ka reaguar edhe në lidhje me projektin për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e cilësuar këtë iniciativë si “veprim përshkallëzues”.

Megjithatë, sipas ambasadës, thirrjet për ulje të tensioneve duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha palët.

“Ashtu si kemi deklaruar vazhdimisht në përgjigjet tona ndaj pyetjeve të mëparshme për media, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të heqë dorë nga veprimet eskaluese. Megjithatë, thirrjet për ulje të tensioneve duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha palët. Sigurisht, nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon të zbatojë masa ligjore kundër përgjegjësve për sulmin makabër në Banjska”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Dje është vendosur gurthemeli i dy urave të reja mbi lumin Ibër, me një vlerë afro tre milionë euro. Aty, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk e ka konfirmuar nëse janë koordinuar me Bashkimin Evropian sa i përket ndërtimit, duke thënë se punojnë në bazë të ligjit dhe në të mirë të qytetarëve, ndërsa ka theksuar se do të hapet edhe ura kryesore.

Vazhdojnë takimet, Osmani pret në zyrë Abdixhikun

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka arritur në Presidencë për takim me presidenten Vjosa Osmani, përcjell albinfo.ch.

Takimi i Osmanit me Abdixhikun, vjen pas atij që pati me kreun e VV-së, Albin Kurti dhe atë të PDK-së, Memli Krasniqi.

Kurti pas takimit tha se afatet e dhëna në Aktgjykimin e Kushtetueses po rrjedhin dhe se do të bëjnë çmos që edhe me konsensus të konstituojnë Kuvendin.

E kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se edhe në këtë takim ka rikonfirmuar qëndrimin dhe gatishmërinë e PDK-së për gjetjen e një zgjidhje të kësaj krize. Sipas Krasniqit, Aktgjykimi i Kushtetueses e ka bërë të qartë rolin e secilit.

Takimet e sotme, Osmani pritet t’i përmbyllë me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Parlamenti zviceran heton blerjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35

Një komision parlamentar të martën hapi një hetim për blerjen e 36 avionëve luftarakë Lockheed Martin F-35A, për të cilët Shtetet e Bashkuara tani kërkojnë deri në 1.3 miliardë dollarë shtesë, përcjell albinfo.ch.

Bern dhe Uashingtoni po grinden për çmimin përfundimtar të avionëve të rinj të blerë për të zëvendësuar flotën e vjetër zvicerane.

Agjencia Amerikane e Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen dëshiron që Zvicra të marrë përsipër kosto shtesë, por Berna thotë se po i përmbahet çmimit të rënë dakord prej pak më shumë se 6 miliardë frangash zvicerane (7.65 miliardë dollarë me kurset aktuale të këmbimit).

Avioni luftarak F-35A, i përdorur nga Forcat Ajrore Amerikane dhe disa vende evropiane, u zgjodh në qershor 2021 në vend të Airbus Eurofighter, F/A-18 Super Hornet nga Boeing dhe Rafale nga firma franceze Dassault.

Kontrata u nënshkrua në shtator 2022, kur 6 miliardë franga zvicerane ishin ekuivalente me 6.2 miliardë dollarë.

Dërgesat e para priten në vitin 2027.

Krasniqi deklarohet pas takimit me Presidenten Osmani

Lideri i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se asaj i rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e PDK-së.

“Unë shpresoj që edhe këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes, por mbetet që takimet e tjera të na qartësojnë nëse ka apo s’ka një ndryshim të kryeneçësisë politike të Vetëvendosjes dhe Kurtit. Për PDK-në është e qartë, këto qëndrime ia shpreha edhe presidentes, se aktgjykimi e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit, sepse e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e rendit të ditës. Por kjo është po ashtu e konfirmuar në mbledhjen e 8 prillit”, tha Krasniqi.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës, nëse ka një parti politike dhe një lider që nuk duhet të merren me interpretimet, është Albin Kurti dhe Vetëvendosje, sepse sa herë që i kemi çuar në Kushtetuese, ne i kemi fituar lëndët. Kjo çështje është krejtësisht e qartë. Nëse thuhet se nuk mund të ndryshojë rendi i ditës, atëherë nuk mund të shtohet formimi i komisionit”, tha ai.

Zvicra me ekonominë më konkurruese dhe inovative në botë

Në rishikimin e saj vjetor të vendit të publikuar të martën, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e rendit Zvicrën midis ekonomive më konkurruese, elastike dhe inovative në botë, me institucione shumë të besueshme dhe një forcë punëtore të kualifikuar, përcjell albinfo.ch.

Ai parashikon një rritje të PBB-së prej 1.2 përqind për vitin 2026, si dhe një normë shumë të ulët inflacioni.

E vetmja re në horizont, sipas FMN-së, është pasiguria e vazhdueshme rreth tarifave të SHBA-së që do të vendosen ndaj Zvicrës.

Dollari bie në nivelin më të ulët kundrejt frangës në 14 vjet


Kundrejt frangës, dollari është aktualisht në nivelin e tij më të ulët në 14 vjet. Kundrejt euros, monedha amerikane është në nivelin e saj më të dobët që nga viti 2021, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Dollari arriti nivelin më të ulët ditor prej 0.7872 CHF rreth mesditës. Nga ana tjetër, euro u rrit në 1.1832. Ndërkohë, franga u forcua disi edhe kundrejt euros. Me një nivel minimal prej 0.9307 CHF, euro synon nivelin 0.93 CHF.

Siç shkruan Deka-Bank në një deklaratë të kohëve të fundit, kjo lëvizje aktuale e dollarit është kryesisht për shkak të diferencës së normave të interesit midis SHBA-së dhe eurozonës. Nga ana tjetër, periudha e parë e dobësisë së dollarit në fillim të prillit pas “Ditës së Çlirimit” të presidentit të SHBA-së Donald Trump u nxit kryesisht nga zhvendosjet e aseteve jashtë SHBA-së.

Commerzbank shton se euro është vlerësuar kohët e fundit kundrejt dollarit për tetë ditë rresht. Tre ditët e ardhshme do të sjellin një sërë të dhënash mbi tregun e punës në SHBA. Pika kryesore do të jetë raporti i qeverisë për tregun e punës të enjten. Sipas Commerzbank, nuk është plotësisht e qartë se si do të reagojë tregu ndaj një tregu të fortë pune në veçanti.

Një raport i mirë i tregut të punës nuk do të ishte domosdoshmërisht pozitiv për dollarin. “Nëse tregu vazhdon të presë që Rezerva Federale të ulë normat e interesit pavarësisht një tregu të mirë pune, kjo duhet të ndikojë ndjeshëm në dollar. Tregu më pas do të fillojë të vlerësojë një Rezervë Federale politike që do të ulë normat e interesit pavarësisht të dhënave.”

Ndërkohë, bankierët qendrorë po takohen në forumin e politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane në Sintra të Portugalisë. Fjalimi i kryetarit të Rezervës Federale Jerome Powell pritet me padurim. Ndër të tjera, strategjia e politikës monetare do të jetë një temë, por ndoshta edhe përpjekjet politike për të ushtruar ndikim.

Vuçiq proteston te Perëndimi për urat në Mitrovicë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi ka protestuar te fuqitë perëndimore, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, përcjell albinfo.ch.

“Kanë bërë shumë gjëra dhe tani kemi parë që kanë vendosur gurë themele për dy ura, pa marrë pëlqimin e popullit serb dhe të njerëzve nga Mitrovica e Veriut, sepse kjo do të nënkuptonte eksod përfundimtar”, tha Vuçiq për televizionin Informer, transmeton REL.

Më 1 korrik, Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, i cili ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shqiptarë dhe në pjesën veriore të banuar me serbë.

Njëra urë parashihet të jetë për këmbësorë dhe tjetra për automjete.

Autoritetet kosovare thanë se projekti, me një vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet banorëve nga të dyja anët e lumit.

Megjithatë, reagimet në terren janë të ndryshme. Disa e përkrahin këtë iniciativë, ndërsa të tjerët e shohin si të panevojshme.

Urat e reja do të vendosen në anën e majtë dhe të djathtë të urës kryesore, e cila është pjesë e Marrëveshjes Kosovë-Serbi për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.

Nga BE-ja i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.

Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.

Nis takimi i Osmanit me Krasniqin

Ka nisur takimi mes Presidentes Vjosa Osmani dhe liderit të PDK-së Memli Krasniqi për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhjeje për konstituimin e Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Sot më herët Osmani u takua me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ky i fundit tha se do të bëjnë çmos që ta konstiutojnë Kuvendin në frymën e bashkëpunimit dhe kompromisit.

Pas takimit me Kurtin, Osmani preti në “takim të rregullt” Prattipatin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim sot Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti lidhur me krijimin e institucioneve, përcjell albinfo.ch.

Presidentja ka nisur takimin me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Pas këtij “takimi të rregullt” me Pratippatin, Osmani do të pres në zyre rreth orës 13:30 kreun e PDK-së, Memli Krasniqin.

Në këtë seri takimesh, do të zhvillohet edhe një me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun e pas tij, Kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Theksojmë se nesër Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me komunitetet.