Zvicra është i vetmi vend në botë ku qeveria është një organ kolegjial

Të shtatë anëtarët e Këshillit Federal vijnë nga parti të ndryshme politike, kanë pikëpamje të ndryshme, megjithatë marrin vendime kolektivisht, transmeton albinfo.ch.

Ata kërkojnë konsensus dhe përfaqësojnë vendime të përbashkëta edhe kur këto janë në kundërshtim me opinionet e tyre.

Ambasada e Zvicrës ka bërë një postim lidhur me këtë veçori politike, jo të zakonshme në shtetet tjera, duke e marrë si shembull unik.

https://www.facebook.com/share/p/1Ai3WQBH8G/?mibextid=wwXIfr

Kapiteni i Kosovës me ofertë joshëse nga Arabia

Një ofertë shumë e mirë nga Arabia Saudite duket se ka futur në “mendime” të thella kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmanin.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, e ardhmja e mbrojtësit është në qendër të vëmendjes, pasi futbollisti që aktivizohet te Napoli po shqyrton një ofertë të majme nga Arabia Saudite, transmeton albinfo.ch.

Rrahmani, i cili iu bashkua Napolit në vitin 2020 dhe ishte protagonist në dy sezonet historike të titullit kampion, është në moshën 30-vjeçare dhe një transferim në Lindjen e Mesme mund të përfaqësojë mundësinë e fundit për një kontratë të rëndësishme financiarisht në një kampionat më pak konkurrues.

Klubi napolitan është i vetëdijshëm për mundësinë reale të largimit të njërit prej mbrojtësve më të besuar dhe ka nisur menjëherë lëvizjet për të gjetur një zëvendësues të denjë.

Media britanike shkruan për Durrësin si destiancion i mirë për britanikët

Platforma “Airbnb” e ka konsideruar qytetin bregdetar shqiptar të ngjashëm me Ibizën  duke ofruar plazhe mahnitëse dhe të pastra dhe një jetë nate të gjallë  por me një kosto shumë më të ulët, shkruan Danielle Canagasuriam në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Në një raport “Airbnb” detajon destinacionet më trendi të udhëtimeve në Britaninë e Madhe për verën e vitit 2025.

Duke ofruar bare plazhi dhe një jetë të gjallë nate  Durrësi është destinacioni ideal për turistët që kërkojnë një përvojë të ngjashme me Ibizën  por me një buxhet të kufizuar, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

“Britanikët po kërkojnë gjithnjë e më shumë ambiente të gjalla dhe argëtuese  që ofrojnë të njëjtën bukuri bohemiane dhe një jetë nate plot gjallëri si Ibiza  por pa çmimet e larta”, sipas “Airbnb”.

“Shqipëria është një perlë. Kërkimet (searchings) për qytetin e vendosur në bregdetin e Adriatikut po rriten për momentin, ndërsa britanikët kërkojnë të eksplorojnë destinacione të lira pushimesh”, tha platforma.

Por, Durrësi është më shumë sesa një destinacion i ngjashëm me Ibizën  ai ka një histori të pasur për t’u zbuluar.

Durrësi është një nga qytetet portuale më të vjetra dhe më të rëndësishme në Ballkan, me një histori që daton gati 3,000 vjet më parë.

Historia e tij mbresëlënëse i ka dhënë Durrësit titullin “Qytet i Përjetshëm” në Detin Adriatik. Një nga atraksionet më të mëdha në Durrës janë padyshim plazhet e tij me rërë.

Durrësi është shtëpia e disa prej plazheve më mahnitëse të Shqipërisë, të përshtatshme si për adhuruesit e sporteve ujore ashtu edhe për turistët që kërkojnë plazhe të qeta.

Plazhi më i njohur në qytet është plazhi me të njëjtin emër: Plazhi i Durrësit.

Vija bregdetare është krahasuar me Rivierën Franceze me ujëra të cekëta dhe rërë të butë.

Në zonat ngjitur me portin fshihen disa shkëmbinj  kështu që mund të merrni me vete këpucë uji.

Vizitorët që kërkojnë aventura mund të marrin me qira një motor uji ose të provojnë të hidhen me parashutë, në plazhin e Durrësit.

Gjithashtu, ofrohen aktivitete si volejbolli dhe seanca joge, të organizuara nga klubet më të mëdha të plazhit.

Mos humbisni një tjetër perlë lokale: Plazhi i Golemit.

I vendosur 20 kilometra në jug të qendrës së qytetit të Durrësit, plazhi i Golemit  me rreth 3,5 kilometra rërë të butë dhe të artë dhe ujëra bruz  ia vlen të vizitohet.

Ka shumë plazhe të tjera  si perla të fshehura ashtu edhe vende turistike  që janë mjaft të lehta për t’u arritur nga qendra e qytetit.

Plazhet pranë Durrësit:

Plazhi i Spillesë

Plazhi i Porto Romanos

Plazhi i Kallmit

Kepi i Rodonit

Shkëmbi i Kavajës

Plazhi i Currilave

Nëse jeni duke kërkuar një eksperiencë më kulturore, eksploroni galeritë, teatrot dhe muzetë e shumta në Durrës.

Një nga më të frekuentuarit është Muzeu Arkeologjik ku ekspozohen objekte që përfshijnë periudha të shumta.

Nëse dëshironi një atmosferë më moderne dhe pasuri kulturore,  jugu i qytetit është zgjidhja më e mirë.

Këtu, do të gjeni restorante dhe resorte të zhurmshme, si dhe një jetë nate të gjallë.

Xhaka lavdëron Jasharin, flet si mund të luajnë së bashku

Udhëheqësi i vjetër është ende aty dhe i riu është gati tashmë. Në dy miqësoret e ekipit kombëtar në SHBA, një lojtar në veçanti spikati. Në fitoren 4-2 kundër Meksikës në Salt Lake City, 22-vjeçari Ardon Jashari zëvendësoi Granit Xhakën, dhjetë vjet më të madh se ai, si organizator në pjesën e parë dhe e luajti rolin e tij si organizator me shumë sukses, shkruan 20 minutes, transmeton albinfo.ch.

Në fitoren 4:0 kundër SHBA-së në Nashville, të dy “shpërndarësit e topave” dhanë muzikën për herë të parë. “Funksionoi shumë mirë”, tha Murat Yakin, i cili e la në stol Remo Freuler (33) për këtë përpjekje.

Jashari, me këmbën e tij të hollë dhe syrin e mprehtë, dha dy asistime. “Jam shumë i kënaqur me të”, tha Granit Xhaka pas fitores vendimtare. “Ai ka vizion të mirë dhe e di saktësisht se ku janë hapësirat”. 22-vjeçari u shpall “Lojtari i Vitit” në ligën belge sezonin e kaluar me Bruges.

“U përpoqa të gjeja një ekuilibër të mirë midis meje dhe Ardonit”, tha Xhaka, së bashku me shpresën për më shumë ndeshje me partnerin e tij të ri dhe të dashur. “Ky kompeticion është shumë i mirë për ne”.

Trajneri i ekipit kombëtar pajtohet: “Me Ardonin, tani kemi një mundësi shtesë”, tha Yakin, duke iu referuar kualifikueseve të Kupës së Botës, të cilat fillojnë në shtator me dy ndeshje në shtëpi kundër Kosovës dhe Sllovenisë.

 

 

 

Osmani: 26 vjet më parë mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa

Presidentja , Vjosa Osmani ka reaguar me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës duke thënë se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë dhe se në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.

Postim i Vjosa Osmanit:

Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.

Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë  pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.

Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.

Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!.

Nis dëshminë edhe një zyrtar policor në gjykimin për sulmin terrorist në Banjskë

Sot në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor kundër tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

Në këtë seancë do të dëgjohet dëshmitari i Prokurorisë Speciale, zyrtari policor Elez Peci në sesionin e paradites dhe Avni Shala në sesionin e pasdites.

Nën masa të larta të sigurisë janë sjell në gjykatore të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Dje është dëgjuar zyrtari policor i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejt, Mirsad Kryeziu i cili tha se ky sulm ka qenë i organizuar ushtarak dhe se edhe armët e përdorur kanë qenë të altilerisë së lehtë dhe të rëndë.

Prokuroria Speciale e Kosovës më njëmbëdhjetë (11) shtator (dymijenjëzetekatër) 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.

42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati./KP

Aksion në Ministrinë e Infrastrukturës, raportohet për tri zyrtare të arrestuara

Së fundmi, policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë po zhvillon të enjten një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), përcjell albinfo.ch.

“Betimi për Drejtësi” merr vesh se deri tani, nga ky aksion janë arrestuar tri zyrtare të kësaj Ministrie.

Ndryshe, gjatë një operacioni policor në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, Policia më 29 maj arrestoi 11 të dyshuar për keqpërdorime me patentë shoferë.

Strehimi i 50 emigrantëve nga Kosova, DASH-i: Jemi mirënjohës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur gatishmërinë e Kosovës që t’i pranojë 50 emigrantë përkohësisht, përcjell albinfo.ch.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se e mirëpret bashkëpunimin nga një partner i saj.

“Ne jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pritjen e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga SHBA-ja dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës”, ka thënë DASH-i në përgjigje për CBSNews.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar vendimin për pranimin e 50 emigrantëve, për, siç ka thënë, lehtësimin e kthimit të tyre në vendlindje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se strehimi i tyre do të bëhet brenda një periudhe njëvjeçare.

DASH-i ditë më parë konfirmoi se shtetet e Ballkanit ishin përfshirë në kontaktet brenda një strategjie amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

Kosova ka shprehur gatishmëri për zhvillimin e diskutimeve të ngjashme edhe me Britaninë e Madhe.

Sot varroset Bujar Bukoshi

Mbahet mbledhje komemorative në nderim të Dr. Bujar Bukoshit.Në nderim të jetës dhe veprës së Dr. Bujar Bukoshit, njeriut që për dekada ishte në shërbim të çështjes kombëtare dhe të shëndetësisë në Kosovë, u mbajt mbledhje përkujtimore.

Bujar Bukoshi u vlerësua si një prej figurave më të rëndësishme politike dhe intelektuale të Kosovës, duke luajtur rol kyç në rezistencën ndaj regjimit serb dhe sensibilizimin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Dr. Bukoshi ishte ndër figurat më të rëndësishme politike të viteve ’90.

“Sot janë mbushur 26 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe sa herë që i qasemi historisë, një nga emrat kyç që kujtojmë është ai i Dr. Bukoshit. Në kronikat dhe lajmet e asaj kohe, emri i tij ishte gjithandej. Bujar Bukoshi ishte dhe do të mbetet histori si kryeministri i parë i Republikës së Kosovës. Emri i tij është përjetësuar edhe në dokumentin themeltar të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.”

Në emër të familjes Bukoshi foli vajza e tij, Shota Bukoshi.

“Një nga fjalimet më të vështira për mua është ky, të flas në emër të familjes sonë për të. Ju falënderoj nga zemra për praninë dhe nderimin tuaj. Shumë prej jush e njihni si veprimtar, si mjek dhe si kryeministrin e parë të Kosovës. Ne e kemi njohur si baba, si bashkëshort dhe si gjysh. Aq sa ishte i saktë si mjek, ishte edhe i guximshëm dhe mbështetës në jetën tonë.”

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, foli për idealin e përbashkët që kishte me të.

“Me të na lidhi një miqësi e veçantë. Në bisedat tona të gjata, flisnim për një Kosovë ndryshe. Me Dr. Bukoshin u njohëm që në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.”

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka publikuar agjendën e ceremonisë së varrimit, e cila do të mbahet sot:

E enjte, 12 qershor 2025

10:00 – 13:00 Homazhe në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës
13:30 Nisja nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për në ceremoninë e varrimit
14:00 Ceremonia e varrimit në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani

26 vjet nga çlirimi i Kosovës

Kanë kaluar 26 vjet që nga dita kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, më 12 qershor 1999, duke i dhënë fund fushatës së dhunshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Kjo ndërhyrje historike erdhi pas 78 ditë bombardimesh ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi caqet ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Fushata ajrore e NATO-s, që nisi më 24 mars dhe përfundoi më 10 qershor të vitit 1999, ishte një ndërhyrje vendimtare për të ndalur spastrimin etnik dhe për të shpëtuar popullsinë civile shqiptare nga zhdukja.

Gjatë kësaj periudhe, aeroplanët nga 13 vende anëtare të NATO-s realizuan mbi 38 mijë fluturime, prej të cilave 10 mijë e 484 ishin sulme ajrore, ku u hodhën rreth 26 mijë projektilë.

Me intensifikimin e bombardimeve, forcat serbe nisën një ofensivë brutale ndaj civilëve shqiptarë. Mbi 10 mijë civilë u vranë e u zhdukën në varreza masive, ndërsa mbi gjysmë milioni shqiptarë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre vetëm në dy javët e para të sulmeve, duke shkaktuar krizë humanitare në Shqipëri e Maqedoni.

Pas presionit ndërkombëtar dhe dështimit për ta mbajtur Kosovën me dhunë, më 1 qershor 1999, Beogradi pranoi parimet e G8-shes, dhe dhjetë ditë më vonë, NATO pezulloi sulmet. Po atë ditë, më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, që përcaktoi vendosjen e administratës civile ndërkombëtare dhe të forcave paqeruajtëse në Kosovë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës nga Serbia e shënoi kapitullimin e saj në Kosovë. Me këtë marrëveshje, forcat serbe nisën tërheqjen, duke i hapur rrugën hyrjes së trupave të NATO-s dhe kthimit të mbi një milion shqiptarëve të dëbuar në shtëpitë dhe tokat e tyre.

Që nga viti 1999 e deri më sot, në Kosovë kanë shërbyer afro 500 mijë ushtarë nga vendet anëtare të NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë. Ata kanë qëndruar larg familjeve të tyre, duke kontribuar për paqen, sigurinë dhe ndërtimin e një jete të re për popullin e Kosovës.

Shqiptari shpallet hero në këtë shtet, shpëtoi dy të mitur nga mbytja në lum

Duket se një akt humanizmi ka bërë jehonë në Greqi, ku një emigrant shqiptar nga Berati, Levian Goga, ka shpëtuar dy fëmijë të mitur nga mbytja në lumin Arakthos, pranë fshatit Neohori të Artës, përcjell albinfo.ch.

Ai u hodh në ujërat e thella të lumit pa menduar as për një sekondë për rrezikun që i kanosej vetë, për të shpëtuar të miturit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të mërkurën në mesditë, ku sipas dëshmitarëve, djali më i madh u hodh për të shpëtuar mikun e tij dhe në përpjekje për ta tërhequr, e kapi nga qafa duke rrezikuar të dy.

Një i ri me motor vrapoi në kafenenë ku ndodhej Goga dhe kërkoi ndihmë: “Po mbyten dy fëmijë në lumë!” 

Siç vetë Levian Goga ka treguar për mediat, ai ka reaguar menjëherë duke marrë makinën dhe duke u nisur drejt vendngjarjes për të shpëtuar fëmijët.

Në një thellësi rreth 8 metrash, ai arriti të gjente njërin prej fëmijëve, i cili ishte pa ndjenja dhe me fytyrë të nxirë, por arriti ta nxirrte gjallë. Kur dëgjoi se ishte edhe një fëmijë tjetër, u hodh sërish dhe e gjeti të shtrirë me shpinë në fundin e lumit.

“Isha në kafene. Vjen një djalë me motor dhe bërtet ‘ndihmë, po mbyten dy fëmijë në lumë!’ Pa menduar, vrapova. Mora makinën dhe shkova. Hyra mes kallamishtes, nuk shihja gjë. Hipëm në një varkë me të tjerë. U hodha një herë, asgjë. Herën e dytë mora frymë thellë dhe u zhytja rreth tetë metra.

Aty e pashë. Djali ishte i shtrirë, i palëvizshëm, fytyra e nxirë, duart e këmbët të hapura. Si i vdekur. E kapa dhe me zor e nxora. Pastaj dëgjova se kishin gjetur edhe të dytin. U hodha sërish, dy e tre herë.

E gjeta me shpinë në fund. Kur e nxora, i dilte gjak nga hunda dhe goja. U tremba. Njëri ishte në moshën e vajzës sime. Nuk më intereson kush janë, çfarë race apo feje kanë. Edhe unë jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do bënte çdo prind. Vetëm fëmijët më rrinë në mendje,” ka thënë ai mes lotësh.

Të jetojnë. Të zgjohen. Të bëjnë jetën e tyre. Më vjen keq. Edhe fëmijët e mi qajnë në shtëpi. Duhet të kthehem…”, është shprehur ai në një telefonatë për Protothema, teksa priste radhën në spitalin Artës, i plagosur në këmbë pas përpjekjes për të nxjerrë fëmijët nga thellësitë e lumit të turbullt.

Levian Gogën të gjithë në fshatin Neohori të Artës e njohin si “Leo”, emigrant nga Berati. Ai sipas mediave fqinje shkoi në Greqi 24 vite më parë, në moshën 17-vjeçare, sapo kishte përfunduar shkollën e mesme.

Përcjellja për në banesën e fundit të Lea Bajramit do të bëhet në Austri

Lea Bajrami do të varroset në Austri, ani pse dita e përcjelljes në banesën e fundit nuk dihet saktë, pasi që pritet të bëhet një ceremoni organizimi nga shteti austriak.

Albinfo.at mëson se një numër i madh i bashkëatdhetarëve kanë qenë rregullisht për vizita e ngushëllime në familjen Bajrami në Graz.

Disa nga familjarët e familjes Bajrami kanë udhëtuar nga Kosova për në Graz, për të qenë afër me prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Ndërkohë, disa bashkëatdhetarë nga komuniteti shqiptar në Steiermark, të cilët kishin vizituar familjen Bajrami për ngushëllime, kanë thënë për albinfo se dhimbja që i ka kapluar familjen Bajrami është shumë e madhe.

Për detaje të tjera, albinfo.at do t’ju mbajë të informuar.

Gjermani: Fatjona Maliqi “rrëmbeu” çmimin “Münster Stella Award Klassik 2025”

Artistja shqiptare në Gjermani, Fatjona Maliqi është dekoruar me çmimin “Münster Stella Award Klassik 2025” për arritjet internacionale dhe akademike, transmeton albinfo.ch.

Pianistja e njohur në Gjermani është me origjin nga Gjilani dhe para pak ditësh ajo ka njoftuar se ka marr çmimin  “Münster Stella Award Klassik 2025″ për arritjet e saj internacionale dhe akademike.

Ajo ka theksuar se ky çmim është ndarë për herë të parë.

Maliqi është shprehur e lumtur për këtë arritje, ku tha se pas lojës së saj në piano, publiku e mirëpriti në këmbë me një entuziazëm të madh.

Postimi

Krenare dhe shumë e lumtur që e kam nderin të marr këtë çmim shumë të veçantë.

Ndihem shumë e privilegjuar dhe e lumtur që mua m’u nda çmimi „Münster Stella Award Klassik 2025“ për arritjet e mia ndërkombëtare dhe akademike. Çmim i cili u nda për herën e parë.

Pas lojës sime, publiku më priti disa herë në këmbë dhe ishte shumë entuziast për koncertin tim.

Faleminderit Münster 🌹

***

Proud and very happy to have the honor of receiving this very special award.

I feel very privileged and happy to have been awarded the “Münster Stella Award Klassik 2025” for my international and academic achievements. An award that was awarded for the first time.

After my performance, I have got long standing ovation and the audience was very enthusiastic about my concert.

Thank you Münster!

📸: Carsten Bender

Një shqiptar nga Kosova në Radhët e Paqeruajtësve Kanadezë

Talenti dhe gjeniu i njeriut mund të shprehet në forma të ndryshme. Mjafton dëshira dhe vullneti për të arritur realizimin e ëndrrave, në destinacionin e duhur. E kush më mirë mund të na vërtetojë këtë sesa Rilind Musliu, shqiptari nga Kosova i cili tani është në radhët e Paqeruajtësve Kanadezë, transmeton albinfo.ch.

Rilindi shërben me përkushtim si pjesëtar i Forcave të Armatosura të Kanadasë në një mision paqeruajtës ndërkombëtar.

Ai është pjesë e një operacioni të rëndësishëm ndërkombëtar, i angazhuar në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në zona të cenueshme. I pyetur për misionin e tij, ai thotë me bindje dhe krenari:

Rilindi jeton dhe vepron në Kanada dhe familja e tij ka emigruar para 35 vjetësh.

Politikani austriak ngushëllon popullin e Kosovës për vdekjen tragjike të vajzës nga Graz

Deputeti i Parlamentit Federal të Austrisë dhe njëherësh President i Shoqatës së Miqësisë Austri–Kosovë, z. Andreas Minich, ka shprehur ngushëllimet më të thella për popullin e Kosovës pas vdekjes tragjike të Leas, vajzës me prejardhje kosovare që humbi jetën në sulmin në qytetin e Grazit. Mesazhi i tij është përcjellë përmes Avokatit Arsim Vranovci, i cili është edhe President i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri.

Minich u shpreh i prekur thellë nga kjo ngjarje dhe nënvizoi solidaritetin e plotë me familjen e viktimës. “Ky është një moment i dhimbshëm për të gjithë ne. Ngushëllimet tona më të sinqerta i drejtohen familjes dhe komunitetit shqiptar në Austri. Dhimbja e tyre është edhe dhimbja jonë”, thuhet në mesazhin e tij.

Ngjarja ka tronditur jo vetëm opinionin publik në Austri, por edhe komunitetin shqiptar që jeton atje. Autoritetet austriake janë duke zhvilluar hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit tragjik.

Qelizat staminale tashmë mund të ndihmojnë edhe problemet me sytë

Riparohen dëme të pakthyeshme te sytë falë qelizave staminale. Trajtimi eksperimental është kryer në një spital amerikan të specializuar dhe arritja është publikuar në revistën shkencore “Nature Communication”.

Ekipi mjekësor ka marrë qeliza staminale nga syri i shëndetshëm i një pacienti, më pas i kanë kultivuar në laborator për 2-3 javë dhe më pas i kanë transplantuar në syrin e dëmtuar. Procedura klinike është aplikuar mbi 14 pacientë dhe pas 18 muajsh nga transplanti.

Teknika ka rezultuar e suksesshme në 92% të rasteve. Problemi që kishin pacientët ishte te kornea e syrit, që është shtresa transparente dhe më e jashtme. Në rast dëmtimi të kësaj zone, është e papërshtatshme të realizohet një transplant i kornesë.

Teknika me përdorimin e qelizave staminale ka rezultuar efikase, ku që në tremujorin e parë pas ndërhyrjes, në 7 prej pacientëve kornea është shëruar plotësisht. Ndërsa në fund të trajtimit, ishte efikase dhe e sigurt për të gjithë pacientët, pa asnjë efekt anësor apo problematikë tjetër.

Procedura do të kalojë teste të tjera dhe studime të mëtejshme përpara se të kalojë në aprovimin përfundimtar nga autoritetet në SHBA.

Sa shoferë nuk e kuptojnë teknologjinë moderne në automjetet e reja?

Sipas një studimi të fundit, çdo i katërti shofer është i pakënaqur me teknologjinë që ofrojnë makinat moderne. Veçori si sistemi i mbajtjes në korsi apo paralajmërimi për pikën e verbër shpesh shkaktojnë konfuzion e madje frikë për shumë drejtues mjetesh.

Shoferët e kanë të vështirë të përshtaten me teknologjitë e avancuara të automjeteve të sotme. Shumë prej tyre nuk kuptojnë si funksionojnë sistemet automatike të frenimit apo drejtimit të timonit gjatë ndërrimit të korsive.

Një hulumtim i realizuar nga DG Cities në Mbretërinë e Bashkuar dhe publikuar nga Autocar, tregon se 40% e shoferëve ndihen të painformuar për funksionimin e teknologjisë së re në makinat që drejtojnë. Këto përfshijnë asistencën për mbajtje në korsi, kontrollin adaptiv të lundrimit dhe sistemet e paralajmërimit për pika të verbra. Ndryshimet nga një markë në tjetrën e bëjnë edhe më të vështirë përshtatjen.

Madje, një në dhjetë shoferë nuk i beson fare funksionalitetit të këtyre sistemeve, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me frenimin automatik në raste emergjente apo njohjen e shenjave të trafikut  një pasiguri që, sipas studiuesve, mund të sjellë pasoja serioze në sigurinë rrugore.

Një tjetër problem që theksohet është mungesa e përgjegjësisë në edukimin e shoferëve për këto teknologji. Prodhuesit e makinave nuk i promovojnë këto sisteme si pikë të forta shitjeje, dhe as shitësit nuk i prezantojnë ato në mënyrë të qartë tek blerësit. Si rezultat, shumë drejtues mjetesh marrin çelësat e makinës pa pasur asnjë ide se si funksionojnë teknologjitë që ajo përmban  duke e zbuluar vetëm atëherë kur aktivizohen papritur gjatë vozitjes, shpesh duke shkaktuar stres dhe paqartësi.

 

A po zgjohet supervullkani më i rrezikshëm i Europës?

Rajoni i Phlegräische Felder (Campi Flegrei), pranë qytetit Pozzuoli në afërsi të Napolit, po tregon shenja gjithnjë e më shqetësuese aktiviteti vullkanik. Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar mbi 3400 tërmete, me më të fortat që kanë arritur magnitudën 4.4. Paralelisht, toka po ngrihet me ritme të përshpejtuara – deri në 3 cm në muaj – mbi një rezervuar të madh magme, 6 deri në 8 kilometra nën tokë.

Ky rajon, një kalderë gjigante që mbulon pjesërisht Gjirin e Pozzuolit, është konsideruar prej ekspertëve si një nga vullkanet më të rrezikshme në botë. Shkencëtarët paralajmërojnë se megjithëse nuk ka shenja të një shpërthimi të menjëhershëm, presioni i gazrave dhe lëvizjet nëntokësore po rriten, transmeton albinfo.ch.

Sipas specialistëve të INGV dhe ETH Zürich, vëzhgimet tregojnë për mbushjen graduale të dhomës magmatike. Megjithatë, për shkak të mungesës së përvojës direkte me super-shpërthime moderne, shkalla reale e rrezikut është e vështirë për t’u vlerësuar.

Qindra mijëra njerëz jetojnë në këtë zonë aktive, ku një erupsion i ngjashëm me ato të 15,000 ose 39,000 viteve më parë do të kishte pasoja katastrofike për Italinë dhe gjithë Europën, përfshirë ndotjen ajrore, reshje acidike dhe ndikime klimatike globale.

Ekspertët bëjnë thirrje për forcimin e masave të sigurisë dhe modernizimin e planeve të evakuimit, pasi infrastruktura aktuale nuk përballon një krizë të papritur. Megjithëse nuk ka vend për panik të menjëhershëm, as nuk mund të jepet ndonjë entuziazëm i rremë: vullkani është aktiv  dhe historia ka treguar se është i paparashikueshëm.

Zvicër: Një në 5 kompani i paguan furnizuesit me vonesë

Një në pesë kompani zvicerane i paguan furnizuesit e tyre me vonesë dhe shifra arrin në një në katër në Ticino, kantoni ku kushtet respektohen më pak. Kjo është ajo që del nga një analizë periodike e kryer nga kompania e informacionit ekonomik Dun and Bradstreet (D&B) mbi sektorin B2B (domethënë biznes me biznes, pra kompani me kompani), transmeton albinfo.ch.

Në vend në tërësi, gjatë gjysmës së parë të vitit, 20.5% e faturave nuk e respektuan afatin e pagesës, krahasuar me 18.5% të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo është shifra më e lartë që nga viti 2020. Megjithatë, gjatë harkut kohor prej dymbëdhjetë muajsh, vonesa mesatare ka rënë pak, duke shkuar nga 14.9 në 14.8 ditë.

Dallimet sektoriale janë të konsiderueshme. Kompanitë që paguajnë me vonesë  D&B vlerëson 1.5 milionë fatura B2B çdo muaj  janë ato që janë aktive në sektorin e ushqimit (30.7%), tregtinë e makinave (28.4%), botimet (28.2%) dhe logjistikën (27.1%). Paguesit më të mirë janë bankat dhe kompanitë e sigurimeve (9.5%).

Në nivel rajonal, vonesat bien në sy në Ticino (26.7%), e cila me një përkeqësim prej 1.1 pikësh ka tejkaluar Zugun (24.7%) në renditje. Gjeneva (24.2%), Neuchâtel (23.6%) dhe Fribourg (22.2%) vijojnë. Grisonsi (17.2%) gjithashtu përkeqësohet, me 1.9 pikë, dhe hyn në renditjen e 16-të. Kompanitë që i përmbushin më shumë angazhimet e tyre janë ato në Uri (9.9% janë me vonesë), Obwalden (10.7%) dhe Appenzell Innerrhoden (12.1%).

Mediumi zviceran shkruan për 30 dështimet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

RTS (Radio Televizioni Zviceran) raportoi të mërkurën mbi krizën e thellë institucionale në Kosovë, ku për të tridhjetën herë radhazi Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e tij, duke e lënë të bllokuar të gjithë procesin e formimit të qeverisë. Kanë kaluar më shumë se katër muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, por vendi mbetet në ngërç politik.

Partia në pushtet, Vetëvendosje (VV), e cila doli fituese e zgjedhjeve me 48 nga 120 ulëse në Kuvend, nuk arriti të sigurojë shumicën absolute dhe nuk ka arritur të krijojë një koalicion qeverisës. Pa një kryetar Kuvendi të zgjedhur, nuk mund të formohet as qeveria e re.

RTS thekson tutje se opozita po refuzon të marrë pjesë në votim.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare Kuvendi, por pa sukses. Një përpjekje për ta kaluar votimin me votim të fshehtë dështoi gjithashtu për mungesë kuorumi, thekson RTS.

Situata është kthyer në një cikël të pafund: Kuvendi mblidhet çdo 48 orë, siç e kërkon ligji, por pa rezultat. Deri më tani janë zhvilluar 30 seanca pa zgjedhje të kryetarit.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare të unitetit kombëtar, duke deklaruar se: “Nuk kemi as Kuvend funksional, as qeveri funksionale dhe as përfaqësim legjitim.”

Mediumi zviceran nënvizon se kjo krizë institucionale mund t’i kushtojë Kosovës miliona euro ndihmë nga Bashkimi Evropian. Rreth 883 milionë euro ndihma dhe grante janë në rrezik për shkak të pamundësisë për të ratifikuar marrëveshjet e nevojshme.

Fëmijët nga qendra e azilit në Gjenevë do të ndjekin shkollat lokale

Fëmijët që strehohen në qendrën e re federale të azilit në Grand-Saconnex të Gjenevës do të kenë mundësinë të ndjekin shkollat publike lokale duke filluar nga viti shkollor 2025. Ky vendim përfaqëson një kthesë të rëndësishme nga plani fillestar, i cili parashikonte arsimimin e tyre brenda vetë qendrës, një ide që u përball me kritika të ashpra dhe protesta të shumta, transmeton albinfo.ch.

Qendra, e cila ndodhet pranë aeroportit të Gjenevës dhe pritet të hapet zyrtarisht të hënën, ka qenë në qendër të debatit për shkak të vendndodhjes dhe politikës së mëparshme për edukimin e fëmijëve të azilkërkuesve brenda ambienteve të saj. Për shkak të kritikave dhe shqetësimeve të ngritura, Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) anuloi një vizitë publike të planifikuar për të enjten për arsye sigurie.

Zgjedhja e prindërve dhe mbështetja logjistike

Departamenti i Arsimit Publik i Gjenevës konfirmoi për RTS se fëmijët mund të ndjekin shkollat fillore të fshatit Grand-Saconnex, Ecole de la Tour, si dhe ciklin e orientimit Budé dhe shërbimet pritëse të arsimit të mesëm të lartë (Sekondar II). Prindërit do të kenë mundësinë të zgjedhin midis kësaj oferte ose arsimimit brenda qendrës, ku do të veprojë një ekip mësuesish i dedikuar.

Për fëmijët që do të ndjekin shkollat publike, udhëtimet do të shoqërohen gjithmonë nga personel i Departamentit të Arsimit Publik.

SEM ka premtuar se në fillim të vitit shkollor nuk do të ketë më shumë se 30 fëmijë të moshës shkollore në qendër, edhe pse ky numër mund të ndryshojë çdo javë sipas shpërndarjeve të brendshme.

Arsye logjistike dhe presion politik

Ky ndryshim politike është nxitur kryesisht nga arsye logjistike. Deri tani, shkollat në Grand-Saconnex kishin qenë të mbingarkuara, por situata ka ndryshuar pas largimit të rreth pesëdhjetë fëmijëve ukrainas që ishin të strehuar në qendrën e Palexpo. Këto familje do të zhvendosen deri në verë në ambiente më të përshtatshme, sipas të dhënave nga Hospice Général.

Gjithashtu, nuk mund të mohohet ndikimi i presionit politik. Partitë e majta, sindikatat dhe organizatat për të drejtat e azilkërkuesve kanë organizuar protesta, kanë dorëzuar një peticion dhe një rezolutë në Këshillin e Madh të Gjenevës, duke denoncuar projektin e mëparshëm si një “shkollë burgu”, në kundërshtim me të drejtat e fëmijëve.

Shikim drejt të ardhmes

Për momentin, nuk është e qartë nëse shkollat lokale do të jenë në gjendje të përballojnë një rritje të numrit të fëmijëve në rast të shtimit të banorëve në qendër.

 

Kosovare Asllani ftohet për Evropianin e Futbollit në Zvicër

Futbollistja shqiptare Kosovare Asllani do të jetë pjesë e Suedisë në Kampionatin Evropian të futbollit për femra që mbahet në Zvicër.

Suedia ka shpallur listën finale të Evropianit, ku futbollistja me përvojë nga Kosova është pjesë e saj, njofton albinfo.ch.

Asllani, 35 vjeç, është njëra nga futbollistet më me përvojë te Suedia, ku ka marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme si Kampionati Evropian, Botëror dhe Lojërat Olimpike Verore.

Ajo ka luajtur në 196 ndeshje për Suedinë, duke shënuar 48 gola.

Evropiani do të mbahet nga 2 deri më 27 korrik.