Arrestohet një person në Kosovë nën dyshimet për spiunazh

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se sot është arrestuar një person me inicialet H.S., shtetas i Republikës së Kosovës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, arrestimi është bërë pas hetimeve disa mujore dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe me asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Në kuadër të operacionit, janë bastisur dy lokacione në territorin e Kosovës, me urdhër të gjykatës kompetente. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova materiale, përfshirë disa telefona që dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale, transmeton albinfo.ch.

Ndaj të dyshuarit, Prokuroria ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për të ndriçuar plotësisht rastin dhe për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera mbi motivin apo kontaktet e mundshme të të dyshuarit, ndërsa çështja mbetet në hetim, transmeton albinfo.ch.

Kush janë “kampionët e punës” në Evropë

Grekët janë kampionët e punës gjatë fundjavave në Evropë. Të dhënat e Eurostat tregojnë se një në tre punonjës grekë (32.3 %) punon shtatë ditë në javë, ose sepse profesioni i tyre e kërkon, ose ngaqë kanë nevojë për të përmbushur detyrimet e tyre.

Për më tepër, struktura e punësimit në Greqi—veçanërisht përqindja e lartë e të vetëpunësuarve—varësia ekonomike e vendit nga turizmi dhe rrjedhimisht puna në sektorët e shërbimit ushqimor dhe turizmit me turne në fundjavë dhe festa e shpjegon pjesërisht këtë situatë. Gjithashtu, punësimi informal, fleksibël dhe pa orare të përcaktuara luan një rol të rëndësishëm, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Në praktikë, orët e gjata, përveç anashkalimit të legjislacionit, rezultojnë në lodhjen e qytetarëve pa asnjë përfitim financiar, pasi pagat mbeten të ulëta, me rrogën mesatare që arrin në 1 342 euro bruto.

Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat, Greqia renditet e para në BE për sa i përket punësimit gjatë fundjavave—pothuajse 10 pikë më e lartë se mesatarja evropiane (22.4 %). Poshtë Greqisë, gjithashtu me norma të larta, janë Italia (30.9 %) dhe Qiproja (26.4 %).

Në të gjithë Bashkimin Evropian, sipas Eurostat, puna në fundjavë është më e zakonshme në profesionet që lidhen me bujqësinë, pylltarinë dhe peshkimin (49.5 %). Kjo pasohet nga punonjësit në shërbime e shitje (48.9 %), që përfshin sektorët e turizmit, hotelerisë dhe tregtisë me pakicë.

Në lidhje me natyrën e punësimit, pothuajse gjysma e të vetëpunësuarve (46.7 %) deklarojnë se punojnë të shtunën ose të dielën. Greqia ka një nga normat më të larta të vetëpunësimit në BE, me shumë shitës dyqanesh, punonjës të pavarur dhe fermerë që shpesh punojnë në fundjavë, pasi nuk kanë orare të caktuara dhe varen drejtpërdrejt nga prania e tyre personale për mbijetesën e biznesit. Në vitin 2022, 27.3 % e të punësuarve në Greqi ishin të vetëpunësuar, një nga më të lartat në BE, me mesataren evropiane në 13.2 %.

Friedrich Merz zgjedhet kancelar në raundin e dytë të votimit

Pas një dite dramatike në Bundestag, udhëheqësi konservator gjerman Friedrich Merz është zgjedhur kancelar i Gjermanisë në raundin e dytë të votimit parlamentar, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Merz, kreu i CDU-së, siguroi 325 vota, duke kaluar pragun e kërkuar prej 316 votash në parlamentin me 630 anëtarë. Në raundin e parë, ai kishte dështuar me vetëm 310 vota, duke sjellë një situatë të pashembullt në historinë politike të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Mbështetja e siguruar në raundin e dytë tregon për forcimin e kohezionit brenda koalicionit qeverisës të CDU/CSU dhe SPD-së, ndonëse votimi i fshehtë la të hapur mundësinë e kundërshtimeve të brendshme.

Merz pritet të formojë qeverinë në ditët në vijim dhe të paraqesë kabinetin e tij për miratim. Ai ka premtuar qëndrueshmëri, reforma ekonomike dhe një linjë më të fortë në politikën e jashtme dhe të sigurisë, transmeton albinfo.ch.

Sallahu i LVV-së e sheh si jokushtetuese që e tretë të propozojë qeveri tranzicioni

Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka reaguar ndaj propozimit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për formimin e një qeverie tranzicionale, duke e cilësuar atë si jokushtetuese, transmeton albinfo.ch.

“Është jokushtetuese të propozosh, nga pozicioni i tretë, qeveri tranzicionale! Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër”, ka shkruar Sallahu në një postim në Facebook.

Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Abdixhikut në një konferencë për media, ku bëri të ditur se LDK-ja refuzon ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm dhe, në vend të saj, propozon krijimin e një qeverie tranzitore.

“LDK-ja, duke parë stagnimin katërvjeçar, rrezikimin e aleancave dhe sigurinë nacionale, e vlerëson të pamundur bashkëpunimin me z. Kurti. Por vendi është në një krizë të thellë institucionale. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik dhe një qeveri nacionale të tranzicionit”, deklaroi Abdixhiku, transmeton albinfo.ch.

Biznesmenët e suksesshëm në botë, bëhen bashkë në Preshevë

Spektakli “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” për herë të parë do të realizohet në Luginën e Preshevës. Producenti Sokol Guga shprehet se është shumë i gëzuar që ky spektakël do të prek këtë qytet të mrekullueshëm, përcjell albinfo.ch.

Përzgjedhja e personaliteteve ka filluar dhe tashmë Guga po bëhet gati me stafin e tij të nisin një tur në Europë, ku edhe do ti xhirojnë personazhet në vendet respektive ku ata jetojnë dhe punojnë. “Është një spektakël i madh dhe shumë impenjativ, jo vetëm që do të angazhohet një staf i madh nga Tirana që do të zhvendosemi në Preshevë për një muaj, por sepse emri i Shenjtores së madhe Terezë ka një përgjegjësi të madhe për ne”

“Këtë spektakël nuk e bëj as për para e as për ambicje” – shprehet Sokol Guga.

Turi do të nis me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Itali, Zvicër, Gjermani, Palma de Mallorca, Belgjika, Finlanda, Mali i Zi, Amerikë e do të përfundojë në Kopenhagen të Danimarkës ku do të jetë një takim i Sokol Gugës me biznesmenët shqiptarë të Danimarkës dhe Suedisë.

Do të jenë 15 personalitete që do të marrin trofeun e bukur, dizanjuar nga skenografi i mirënjohur shqiptar, Bledar Gërcaliu i cili do të dizenjojë edhe skenografinë e këtij edicioni të Shën Terezës në Preshevë. I ftuar specialë do të jetë dhe ish Presidenti i Kroacisë Z. Stipe Mesić, i cili e ka konfirmuar ardhjen.

Skenografi Gërcaliu është kujdesur që skenografia e këtij viti të ketë simbolikë qirinjtë dhe drita e shpresës që ato japin. Kujtojmë që është i njëjti skenograf, i cili realizoi edhe skenografinë e edicionit të vjetshëm në Tiranë ku ishtë nje skenografi e jashtëzakonshme e cila u pëlqye shumë edhe nga kryeministri Rama.

Të drejtat televizive i ka televizioni Kombëtar Klan Plus, i cili producenti Sokol Guga ka një bashkëpunim disa vjecar.

Presim të shohim një tjeter magji të Guga Production, ashtu siç vetëm ai di ti realizojë e ti përkushtohet.

Ky spektakël është nën kujdesin e veçantë të kryetares së Komunës Znj. Ardita Sinani.

Labinot Xhoxhaj me sfidën më të rëndësishme në karrierë

Boksieri shqiptar, Labinot Xhoxhaj, do të ketë një meç shumë të rëndësishëm në karrierën e tij.

“Më 7 qershor 2025, në Hamburg, do të zhvillohet një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës sime. Do të mbroj titullin Kampion Europe (EBU) dhe do të luftoj për një tjetër brez të madh – WBC International Silver Heavyweight – përballë një kundërshtari të fortë, të pamposhtur, siç është Aliev”, ka shkruar Xhoxhaj në rrjetet sociale.

“Kjo sfidë është kulmi i shumë viteve sakrificë, djersë, mundi dhe punës së pandalshme. Kam kaluar shumë beteja, në ring dhe jashtë tij, por asnjëherë nuk kam qenë vetëm. Pas meje gjithmonë ka qenë familja, trajnerët, miqtë – dhe ju, populli im. Ju ftoj nga zemra të jeni me mua edhe kësaj here”, ka shtuar ai.

“Çdo fjalë mbështetëse, çdo lutje, çdo ndjekje është fuqi për mua në ring. Le ta bëjmë këtë fitore bashkë – jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen!”, përfundoi boksieri.

Eduard Dervishaj, në krye të organizimit nga Spanja për Botërorin 2030

Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka emëruar Eduard Dervishaj, i njohur gjerësisht si “Edi”, si kreun e ri të projektit të Kupës së Botës 2030 të Spanjës pas largimit të María Tato më 26 mars.

Ky shënon një hap të rëndësishëm, pasi vendi përgatitet për të bashkëorganizuar turneun së bashku me Marokun, transmeton Albinfo.ch.

Dervishaj sjell mbi 35 vite përvojë futbolli ndërkombëtar, pasi ka punuar me FIFA-n, UEFA-n dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, ku ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm nga viti 1992 deri në vitin 1997. Më parë, ai ka qenë lojtar dhe trajner i FK Dinamo e Tiranës.

Që nga viti 1997, Eduard ka mbajtur rolin e drejtorit të Marrëdhënieve Institucionale dhe Projekteve Ndërkombëtare në RFEF, pozicion që ai e ruan edhe sot, krahas përfshirjes së tij në gara ndërkombëtare të profilit të lartë. Veçanërisht, ai kohët e fundit ka vepruar si udhëheqës i projektit për tre finale dhe dy finale të Ligës së Kampionëve për femra.

Karriera e Dervishajt mori një kthesë të vështirë në janar 2021, kur ai u shkarkua papritur nga federata nga presidenti i atëhershëm, Luis Rubiales, pa asnjë shpjegim. Roli i tij u plotësua më pas nga José María Mora, një bashkëpunëtor i ngushtë i Rubiales. Pavarësisht nga kjo pengesë, Dervishaj u vlerësua shumë nga UEFA dhe FIFA për udhëheqjen e tij në projekte të mëdha, duke përfshirë finalen e Ligës së Kampionëve për femra 2020, ngjarjen e vitit 2020 në Bilbao, dhe finalet e Champions League në 2019 dhe 2010.

LDK-ja refuzon takimin me Kurtin

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka propozuar formimin e një qeverie të tranzicionit që do të përfshinte të gjitha partitë shqiptare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë një konference për media, bëri të ditur se ka refuzuar ftesën për takim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, përcjell albinfo.ch.

“Kam marrë një letër nga kryetari i VV-së dhe i nxitur nga konsiderata për votuesit e VV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet qe janë ngritur mbi atë. LDK-ja duke parë stagnimin 4-vjeçar, e kam fjalën për aleancat e rrezikuara, rrezikimin e sigurisë nacional. E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me z.Kurti. Por sot vendi është në krize te thellë institucionale. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale te tranzicionit”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me liderët e partive të tjera sapo ata të shprehin gatishmëri për dialog.

“Të ulemi në tavolinë të flasim. Le të nisim një proces që nis zhbllokimin e procesit brenda një afati të shkurtër. Duhet një kryeministër unifikues, me një kabinet ministrash unifikues”, ka thënë Abdixhiku.

Celestin: Xherdan Shaqiri është futbollist jashtëzakonisht kualitativ

“Xherdani është jashtëzakonisht kualitativ dhe mendoj se është i lumtur. Ai është lojtar i lumtur në fushë”, ka thënë trajneri i Baselit, Fabio Celestini, për Bluewin.ch, përcjell Albinfo.ch.

Kujtojmë se të dielën, në fitoren 5:1 të Baselit ndaj Servettes, 33-vjeçari realizoi një gol dhe bëri tri asistime, secili më i bukur se tjetri.

Me këtë fitore, Baseli tashmë e ka në dorë titullin e kampionit, por ai do të ishte i pamundur pa kontributin e Shaqirit. Ish-ylli i Zvicrës, në 30 paraqitje kampionale, ka plot 15 gola e 20 asistime.

Ai është golashënuesi dhe assist-mbajtësi më i mirë në kampionatin zviceran.

I pyetur për sekreti n e formës së Shaqirit, trajneri Fabio Celestini tha se “Xherdani është jashtëzakonisht kualitativ dhe mendoj se është i lumtur. Ai është lojtar i lumtur në fushë. Po e shijon kohën e kaluar në fushë, dhe kjo po shpërblehet me paraqitje të nivelit të lartë.

“Ai është i lirë, ai e di që ka dhjetë lojtarë të tjerë që vrapojnë për të. Kemi raport të shkëlqyer mes lojtarëve, dhe mendoj se jemi një ekip”.

Celestini theksoi se Shaqiri është lideri i qartë i skuadrës, por edhe lojtarët e tjerë mund të shënojnë gola. Pa Shaqirin, megjithatë, do të ishte vështirë për Baselin.

Në tri ndeshjet e fundit kampionale kjo skuadër i shënoi 14 gola, dhe në dhjetë prej tyre ishte i përfshirë Xherdani. Në gjashtë ndeshjet e fundit Shaqiri ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë tetë asistime.

Mediat zvicerane shkruan se Shaqiri ishte i përfshirë në 46 % të 77 golave të Baselit në këtë edicion të Superligës—një përqindje mjaft e lartë.

Kur u prezantua para tifozëve të Baselit në gusht të vitit të kaluar, Shaqiri kishte premtuar titullin. Ky premtim, bëhet fjalë para 3 000 shikuesve, tani po realizohet.

Shaqiri u rrit si futbollist te Baseli, nga ku u largua në vitin 2012 për t’i bashkuar gjigantit gjerman Bayern. Më pas luajti për Interin, Stoke Cityn, Liverpoolin, Lyonin e Chicago Fire. Në klubin ku u formua, tani po shkëlqen nga ndeshja në ndeshje.

Albian Ajeti, futbollisti i javës në Zvicër

Futbollistët shqiptarë po thonë fjalën kryesore në futbollin zviceran.

Javën e kaluar, Xherdan Shaqiri ishte futbollisti i javës, ndërsa këtë javë është shpallur Albian Ajeti, i cili po ashtu luan për Baselin, shkruan albinfo.ch.

Në ndeshjen e fundit ndaj Servettes, ai shënoi dy gola dhe bëri një asistim.

Baseli ka nëntë pikë më shumë se vendi i dytë, Servette, dhe është shumë pranë titullit kampion.

Ajeti ka shtatë gola dhe gjashtë asistime këtë edicion të Superligës zvicerane.

 

 

24-vjeçari nga Kosova humb jetën, bie nga kati i tretë i skeleve në Milano

Mërgimtari 24 vjeçar nga Kosova ka humbur jetën në vendin e tij të punës në Milano të Italisë, shkruan albinfo.ch.

Sipas informatave të para, thuhet se i riu nga Kosova ishte duke punuar në ndërtimtari dhe në rrethana ende të paqarta ka ndërruar jetë pikërisht në vendin e punës.

Pavarësisht ndihmës së shpejtë, për shkak të lëndimeve të rënda, ai ndërroj jetë në spitalin italian.

Ai po punonte në një kantier ndërtimi për rinovimin e ndërtesës në numrin 39 të rrugës Bassini.

Thuhet se i riu ishte duke punuar për një kompani ndërtimi në rikonstruksionin e një ballkoni në katin e katërt të një ndërtese, dhe në rrethana ende të paqarta është rrëzuar.

Autoritetet e sigurisë italiane ende nuk kanë lëshuar një komunikatë lidhur me rastin, ndërkohë ekspertiza e rastit pritet të publikohet ditët në vijim. /Albinfo.ch

Bajrami: LDK-ja ka qëndrim të formësuar sa i përket bashkëpunimit me VV-në

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, një ditë pas letrës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili i ftoi për koalicion, tha se partia e saj tashmë ka një qëndrim të formësuar sa i përket bashkëpunimit me VV-në, përcjell albinfo.ch.

Ajo tha se nuk kanë qenë në pritje të një letre për të përcaktuar pozicionin e tyre dhe se çdo përgjigje zyrtare ndaj letrës së dërguar nga VV-ja do të vijë nga kryetari i LDK-së, i cili ka ekskluzivitetin për këtë çështje.

“Letra iu ka dërguar kryetarit të LDK-së. Sigurisht që ai vetë do të përgjigjet dhe ka ekskluzivitetin t’ju tregojë se çfarë do të thotë për letrën. Mirëpo, LDK-ja e ka tashmë një qëndrim të formësuar sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje. S’kemi qenë duke pritur letër në mënyrë që ta formulojmë qëndrimin; ne e kemi qëndrimin,” tha Bajrami për mediat.

Kosovarja ka mashtruar fondin e papunësisë, dënohet por nuk dëbohet

Një grua nga Kosova u dënua për marrjen e përfitimeve të papunësisë për një vit, ndërkohë që ishte duke punuar. Ajo, sipas prokurorisë, duhej të ishte dëbuar nga vendi për këtë arsye, por Gjykata e Lartë “mbylli sytë” për një arsye.

Kushdo që merr një pagë mujore dhe njëkohësisht merr përfitime papunësie, kryen një vepër penale. Një grua kosovare u detyrua ta provojë këtë. Nga fundi i gushtit 2019 deri në fund të gushtit 2020, gruaja kishte marrë përfitime papunësie, transmeton albinfo.ch. Ajo ishte paguar mbi 11,000 franga gjatë gjithë vitit.

Fakti që ajo mori para nga fondi i sigurimit të papunësisë nuk është i paligjshëm. Por i paligjshëm ishte veprimi që ajo e fshehu faktin se po punonte gjatë pjesës më të madhe të kësaj kohe, shkruan Limmattaler Zeitung. Çdo muaj ajo u përgjigjej negativisht pyetjeve në lidhje me punësimin e saj dhe i nënshkruante ato, edhe pse ishte e punësuar si pastruese dhe fitonte mbi 17,000 gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në dhjetor të vitit 2021, fondi i sigurimit të papunësisë mori një njoftim nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike ku thuhej se kishte dyshime për përfitime të paligjshme. Më pas ajo u mor në pyetje nga policia dhe pranoi se kishte dhënë informacion të rremë. Në atë kohë, ajo kishte vendosur të “merrte para nga diku” sepse burri i saj ishte në borxhe, pati thënë ajo në dëshminë e saj.

Në maj të vitit 2023, zyra e prokurorit publik Rheinfelden-Laufenburg ngriti akuzën. Ajo kërkoi që gruaja kosovare të dënohej me një gjobë prej 60 frangash ditore për mashtrime të shumëfishta, të paguante një gjobë prej 1,600 frangash dhe më pas të dëbohej nga vendi.

Megjithatë, Gjykata e Qarkut në Rheinfelden vendosi ndryshe në qershor të vitit 2024. Edhe pse gjykata e liroi gruan nga akuza të shumta për mashtrim, ajo e dënoi atë me 60 tarifa ditore prej 90 CHF secila dhe i vendosi një gjobë prej 1,350 CHF për marrje të përsëritur të paligjshme të përfitimeve të sigurimeve shoqërore. Gjykata u përmbajt nga dëbimi i gruas nga vendi.

Por, prokuroria publike nuk ishte e kënaqur me vendimin dhe paraqiti një ankesë në fund të qershorit të vitit 2024, ku vazhdonte të kërkonte dënim për akuza të shumta mashtrimi, përcjell albinfo.ch. Edhe Gjykata e Lartë e ndoqi këtë kërkesë. Kjo ndodhi sepse në këtë delikt përmbushej qëllimi mashtrues, i cili është i nevojshëm për një dënim për mashtrim të shumëfishtë.

Qëllimi keqdashës do të thotë që mashtrimi ishte aq i vështirë për t’u zbuluar sa autoritetet nuk do të kishin qenë në gjendje ta zbulonin atë – pikërisht të këtillë e ka konsideruar gjykata. Megjithatë, e akuzuara argumentoi se mungonte marrëdhënia e nevojshme e besimit. Por Gjykata e Lartë e sheh ndryshe.

“Duke pasur parasysh numrin e madh të aplikimeve për përfitime papunësie, fondi i sigurimit të papunësisë nuk mund të fajësohet për dështimin në kryerjen e kontrolleve të plota në këtë rast”, thuhet në vendim.

Gjithashtu thuhet: “Një fond sigurimi papunësie nuk mund të detyrohet të dyshojë për abuzim të gjithë përfituesit e përfitimeve të sigurimit të papunësisë.” Dokumentet e të pandehurve nuk i kanë dhënë fondit të sigurimeve të papunësisë ndonjë arsye për dyshim të veçantë.

Pastaj, “motivi i saj nuk ishte të blinte ndonjë artikull luksi me paratë shtesë që nuk i takonin, por veprimet e saj ishin bërë për shkak të borxhit financiar të burrit të saj”, shpjegoi Gjykata e Lartë në vendimin e saj. Prandaj, ajo dënohet me 60 tarifa ditore prej 90 frangash për mashtrime të shumëfishta dhe merr një gjobë prej 1,350 frangash.

Sipas ligjit, dëbimi nga Zvicra do të ishte i detyrueshëm në rastin e gruas kosovare. Megjithatë, Gjykata e Lartë e konsideron këtë si një rast të vështirë dhe për këtë arsye nuk e dëbon atë nga vendi, trasnmeton albinfo.ch. “Një dëbim i tillë do ta shkatërronte familjen”, ka shpjeguar Gjykata e Lartë.

Kosovarja jeton në Zvicër prej 18 vitesh.

UBS do të paguajë 511 milionë dollarë për t’i dhënë fund hetimit tatimor të Credit Suisse në SHBA

Raportohet se UBS Group AG ka rënë dakord të paguajë 511 milionë dollarë (420 milionë dollarë) për të zgjidhur një hetim amerikan mbi mënyrën se si Credit Suisse Group, banka zvicerane që bleu, ndihmoi amerikanët e pasur të shmangnin taksat edhe pasi u zotua të ndalonte këtë praktikë një dekadë më parë, përcjell albinfo.ch.

Një njësi e Credit Suisse u deklarua fajtore për konspiracion për të ndihmuar klientët e saj të fshehin më shumë se 4 miliardë dollarë nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme në të paktën 475 llogari jashtë vendit, tha Departamenti i Drejtësisë. SHBA-të gjithashtu ngritën një padi penale në lidhje me llogaritë amerikane të regjistruara në Credit Suisse AG Singapore, të cilën do ta heqin nëse banka bashkëpunon mjaftueshëm.

Rezoluta i jep fund një skandali të gjatë që përfshin Credit Suisse, e cila përdori ligjet zvicerane të sekretit bankar për të ndihmuar amerikanët të fshehin para nga IRS për dekada të tëra. Edhe pasi arriti një marrëveshje në vitin 2014 ku u zotua të ndalonte praktikën, Credit Suisse ndihmoi taksapaguesit amerikanë të hapnin dhe të mbanin llogari që nuk i kishin deklaruar në IRS, duke fshehur pasuritë dhe të ardhurat e tyre.

“Credit Suisse kreu krime të reja dhe shkeli marrëveshjen e pranimit të fajësisë të majit 2014 me Shtetet e Bashkuara”, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatën federale në Aleksandri, Virxhinia.

Credit Suisse ndihmoi në mënyrë të paligjshme klientët të fshehin pasuritë, përfshirë një pasardhës miliarder të një familjeje të pasur evropiane, sipas dosjeve gjyqësore, të cilat nuk e përmendën atë. Duke pasur parasysh zotërimet e tij, Credit Suisse kishte “detyrimin më të lartë” të dinte sa më shumë rreth tij, por nuk arriti të pyeste për statusin e tij, ta klasifikonte atë si taksapagues amerikan ose ta mbyllte llogarinë e tij, tha banka në dosje.

Për më shumë detaje – Kliko Këtu

Marigona Toma, e vetmja shqiptare me ekspozitë në mesin e 40 artistëve zviceranë

Piktorja shqiptare Marigona Toma nga Zvicra do të ekspozojë punimet e saj në një ekspozitë që mbahet gjatë qershorit, në Wünnewil-Flamatt.

Nga 13 deri më 29 qershor 2025, shumë artistë dhe disa klasa shkollore do të shfaqin artin e tyre në „Armaturën Flamatt“, e organizuar nga Komisioni Kulturor Wünnewil-Flamatt, shkruan albinfo.ch.

Marigona Toma do të prezantojë 12 pikturat e saj në mesin e 40 artistëve zviceranë.

Ajo për albinfo.ch ka treguar se kjo nuk është hera e parë që zgjedh të prezantojë pikturat në mesin e publikut zviceran.

Për më shumë detaje:

Mund të jetë një imazh i teksti
Kunst im Zeughaus 2025

 

Mund të jetë një imazh i teksti që thotë "KUNS ZEUGHAUS FLAMAT 13, 13.-29. 29. JUNI 2025 KATHRIN RACZ SARAH BINZ JACQUELINE SCHMUCKLI HEIDI MARGRIT GERBER CHRISTIAN RAPPO MIRJAM BURI * THERESE FISCHER GERALDINE BÜRGY HANNI MISCHLER ANNA KATHARINA CONDE SILVIA FRISCHKNECHT MARIANNE DIETRICH MURIELLE MORGER MARIGONA TOMA GJERGJI URSULA HIRSCHI BRIGITTE WERNER KEIST MARKUS PROBST NOTHANDO GRACE MONTGOMERY CORNELIA SCHMID JACQUELINE LARA RÜTTIMANN RENE GLOOR SILVAN MAHLER LEO RUFFIEUX NICOLAS DIMITRI BERGER KONRAD BINZ MANFRED ZURKINDEN STEFAN RITLER EVA SCHNEUWLY KATHRIN SCHNEIDER KUNO PERLER ANDREA STAUB KEITH THOMAS ZAHND WERNER FISCHER CLIVIA BERCHTOLD EDITH NEUHAUS JACQUELINE ZURKINDEN JOHANNA LENA DOBRUSSKIN KLASSEN AUS WÜNNEWIL-FLAMATT (PRIMAR + OS)"
Kunst im Zeughaus 2025

Ulet papunësia në Shqipëri

Për herë të parë në 10 vjet, niveli i papunësisë në rang kombëtar, e veçanërisht mes të rinjve në Shqipëri, ka shënuar rënie — një lajm i mirë e i shumëpritur.

Erion Muça, ekspert për punësimin, thotë: “Papunësia e të rinjve për herë të parë është nën 20 %, një sfidë që kishim vite që nuk po arrinim ta fitonim. Po ashtu, papunësia e përgjithshme e të gjitha grupmoshave është nën 10 %, që është një tregues shumë pozitiv dhe pasqyrë e performancës së tregut të brendshëm të punës. Pikërisht këto të dhëna pozitive japin, të paktën, sinjalet e para se tregu vendas i punës po reagon për sa i përket reduktimit të shifrave të papunësisë”, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Faktorët që po ndikojnë janë, së pari, shumë të rinj po e aksesojnë punën që në moshë të vogël — pra, që në moshën 16-vjeç, shumë të rinj sot po punësohen part-time.

Së dyti, ka një ndërgjegjësim të lartë të të rinjve që punojnë freelancer përmes aftësive të zhvilluara që kanë apo talentit të tyre, duke bërë që të deklarojnë veten si të punësuar apo si të vetëpunësuar në sistemin e tatimeve dhe sigurimeve.

Një faktor tjetër është lufta e përgjithshme ndaj informalitetit të punës, dhe së fundmi ndikimi i emigracionit, i cili në nivel të përgjithshëm redukton numrin total të popullsisë apo njerëzve në moshë aktive për punë, duke bërë që të kemi një efekt relativisht pozitiv në shifrat që shohim aktualisht.

Shqipëria, gati për Giro d’Italia, gara e kampionëve të botës në çiklizëm

Shqipëria bëhet epiqendra e sportit ndërkombëtar! Nga data 9 deri më 11 maj 2025, gara më prestigjioze e çiklizmit në Evropë, Giro d’Italia, do të nisë për herë të parë nga Shqipëria, duke shkruar një kapitull të ri në historinë tonë sportive dhe turistike.

Tre etapa magjepsëse – Durrësi, Tirana dhe Vlora – do të jenë mikpritëset e kësaj sfide spektakolare, ku 180 çiklistë profesionistë, ndër kampionët më të mëdhenj të botës, do të garojnë në rrugët e Shqipërisë, nën ritmin e adrenalinës dhe bukurisë shqiptare, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Gara starton në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, më 9 maj në orën 13:00, për të vijuar nëpër itinerar dhe përmbyllet në Sheshin “Nënë Tereza”, ku çiklistët pritet të mbërrijnë rreth orës 18:00.

Ky event nuk është vetëm një garë sportive – është një dritare e madhe për ta treguar Shqipërinë në gjithë botën: një vend që gërsheton bukurinë natyrore me mikpritjen, historinë dhe energjinë e një kombi që ecën gjithmonë përpara.

Për garantimin e organizimit në nivelin më të lartë, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan të posaçëm masash për mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të parashikuara.

Merzi dështon të sigurojë shumicën për kancelar të Gjermanisë

Friedrich Merz ka dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë kancelar i Gjermanisë në votimin e parë në Parlament.

Ai arriti vetëm 310 vota, ndërsa i duhej të paktën 316.

Seanca është shtyrë në mënyrë që grupet politike të mund të konsultohen për hapat e ardhshëm.

Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Republikës Federale.

Për t’u zgjedhur kancelar, kandidatit i duhet të sigurojë votat e shumicës absolute të anëtarëve të Bundestagut (50 % plus një votë).

Bundestagu ka 14 ditë kohë për të zgjedhur një kandidat tjetër për kancelar, ose për ta votuar përsëri Merzin në raundin e dytë.

Nëse dështon zgjedhja e kancelarit në raundin e dytë, shkohet në raundin e tretë, ku zhvillohet një votim përfundimtar i menjëhershëm. Në këtë rast, kandidati që merr shumicën e votave – edhe nëse jo domosdoshmërisht mbi 50 % – konsiderohet i zgjedhur.

Në këtë pikë, presidenti i Gjermanisë vendos për hapat e mëtejshëm:

  • Nëse fituesi ka shumicë absolute, presidenti duhet ta emërojë kancelar.

  • Nëse fituesi ka vetëm shumicë relative, presidenti mund ose ta emërojë kancelar, ose të shpërndajë Bundestagun dhe të caktojë zgjedhje të reja.

Konservatorët e Merzit të hënën nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen e koalicionit me Partinë Socialdemokrate. Aleanca CDU/CSU e Merzit dhe SPD-ja bashkë kanë 328 deputetë.

Merz dhe partnerët e tij janë zotuar për ringjallje të ekonomisë, rindërtim të ushtrisë, frenim të emigracionit të parregullt dhe kundërshtim të partisë nacionaliste Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila javën e kaluar u shpall grup ekstremist i krahut të djathtë nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë.

Liderja e AfD-së, Alice Weidel, shijoi dështimin e Merzit në rundin e parë të votimit për kancelar, ndërsa bëri thirrje për zgjedhje të reja.
“Merzi duhet të tërhiqet dhe rruga duhet të lirohet për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme,” tha ajo, duke e cilësuar rezultatin e sotëm si një “ditë të mirë për Gjermaninë.”

Parlamenti kërkon fonde federale shtesë për çerdhet e fëmijëve

Në të ardhmen, një pagesë për kujdesin ndaj fëmijëve do t’i lehtësojë prindërit nga kostot e mëdha për vendet në çerdhe të fëmijëve të tyre. Pas Dhomës së Kantoneve, edhe Dhoma Nacionale miratoi sot një model të ri financimi për çerdhet, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, kjo dhomë dëshiron ta mbajë qeverinë federale më përgjegjëse në këtë pikë.

Dhoma Nacionale e parlamentit e zgjeroi kundërpropozimin ndaj iniciativës për kujdesin ditor, të miratuar më parë nga Dhoma e Kantoneve, shkruan sda.ch. Ajo vendosi, me 109 vota pro dhe 82 kundër, të rivendoste në projektligj marrëveshjet e programit federal, të cilat ishin fshirë nga dhoma e ulët me një shumicë shumë të vogël.

SVP-ja dhe një pjesë e fraksionit të FDP-së ishin kundër kësaj.

Dhoma Nacionale vendosi gjithashtu për fushat shtesë të financimit. Duhet të promovohen gjithashtu masa për të përmirësuar cilësinë arsimore dhe operative të shërbimeve të ofruara dhe për të përmirësuar përputhshmërinë e familjes dhe karrierës. Qeveria federale do të sigurojë një maksimum prej 200 milionë CHF për këtë qëllim brenda katër viteve.

Propozimi për financim afatgjatë të kujdesit plotësues për fëmijët tani do t’i kthehet Dhomës së Kantoneve.

Faturat për prindërit që kanë fëmijë për çerdhe, në Zvicër janë më të lartat në Evropë. Kështu, siç shkruan gazeta Tages Anzeiger, ato, në raste arrijnë deri në shumën e lartë prej 57,000 frangash në vit e më shumë.

5,828 franga, 4,573 franga, 3,236 franga, 3,684 franga: Këto nuk janë shuma për qiratë e apartamenteve moderne në Cyrih apo Bernë, por faturat mujore të kujdesit ditor që prindërit që punojnë duhet të paguajnë për kujdesin e fëmijëve të tyre, transmeton albinfo.ch. Këto shembuj u mblodhën nga organizata ombrellë e grave Alliance F, e cila po bën thirrje për më shumë mbështetje për prindërit e rinj në nivel kombëtar.

Kujdesi i jashtëm për fëmijët është i kushtueshëm. Disa kantone tashmë po investojnë miliona në qendrat e kujdesit ditor, ndërsa të tjerë ua lënë këtë komunave.

Presidentja Osmani: I përhershëm qoftë kujtimi për Kaqusha Jasharin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të znj. Kaqusha Jashari, një prej figurave më të shquara të historisë politike të Kosovës.

Në mesazhin e saj zyrtar, Presidentja Osmani u shpreh:
“Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të znj. Kaqusha Jashari, një prej figurave më të njohura të historisë politike të Kosovës moderne. Ajo dha kontribut të pandërprerë në periudha vendimtare për vendin. Jeta dhe vepra e znj. Jashari përfaqësojnë përkushtimin ndaj vendit—si zë i fuqishëm në kohë të vështira politike, si themeluese dhe udhëheqëse e një partie politike, si deputete e zgjedhur nga populli, por edhe si krijuese në sferën e artit.”

Osmani u shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe Partisë Socialdemokrate të Kosovës, duke theksuar se në këto çaste të rënda bashkëndjen me ta dhe i inkurajon të gjejnë forcë në përballimin e dhimbjes.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për Kaqusha Jasharin!” përfundon mesazhi i Presidentes.

Ndryshe, Kaqusha Jashari, themeluese e Partisë Socialdemokrate dhe ish-deputete në Kuvendin e Kosovës, u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare. Lajmin e dha familja e saj, e cila njoftoi se ceremonia e varrimit do të mbahet sot, në orën 13:00, në Prishtinë.

Mira Murati nga krijimi i Chat GPT e Open AI te Thinking Machines Lab

Mira Murati është një nga figurat më me ndikim në peizazhin global të inteligjencës artificiale, por rrënjët e saj janë shumë larg laboratorëve teknologjikë të Silicon Valley, transmeton albinfo.ch.

E lindur në vitin 1988 në Vlorë, një qytet bregdetar në jug të Shqipërisë, Murati u rrit në një periudhë historike të shënuar nga tranzicioni i vendit nga një regjim komunist në një ekonomi tregu.

Fëmijëria e saj u karakterizua nga një kuriozitet i thellë intelektual dhe një pasion i hershëm për matematikën dhe shkencën, të stimuluar nga familja dhe konteksti shkollor. Pavarësisht burimeve të kufizuara teknologjike të kohës, gjatë viteve të shkollës fillore dhe të mesme në Shqipëri, Mira u shqua si një nxënëse jashtëzakonisht e talentuar.

Aftësitë e saj analitike dhe dëshira për të kuptuar se si funksionojnë gjërat e bënë atë të dilte në garat kombëtare shkollore, veçanërisht në matematikë dhe fizikë. Familja e saj, duke njohur potencialin e saj, vendosi ta mbështeste në një rrugë studimi ndërkombëtare. Si adoleshente, ajo u zhvendos në Kanada, ku vazhdoi shkollimin e saj në një mjedis akademik më stimulues dhe të pasur me mundësi. Kjo përvojë ndërkulturore ia rriti vendosmërinë dhe ia zgjeroi botëkuptimin, duke e përgatitur për sfidat e ardhshme globale. Më vonë ajo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar studimet universitare.

Mira Murati, një fenomen i ri i inteligjencës artificiale që po diskutohet në mbarë botën

Murati u diplomua në Inxhinieri Mekanike në Kolegjin Dartmouth (Shtetet e Bashkuara). Në vitin 2012, ku u specializua në robotikë, sisteme të ngulitura dhe ndërfaqe njeri-makinë, që nga studimet e saj, shfaqet një prirje e qartë për teknologjitë në zhvillim dhe ndikimin e tyre shoqëror, pas diplomimit, ajo bashkohet me Tesla, ku punon si inxhiniere e lartë në ekipin e zhvillimit të Model X, në këtë kontekst ajo kontribuon në projektimin dhe integrimin e sistemeve të përparuara, duke fituar një vizion unik të kryqëzimit midis harduerit dhe softuerit, ky rol i lejon asaj të shohë se si inovacioni mund të aplikohet në një shkallë industriale, shpejt dhe në mënyrë efektive.

Në vitin 2016 ajo bashkohet me Leap Motion si Zëvendëspresidente e Produkteve dhe Inxhinierisë, këtu ajo përqendrohet në krijimin e ndërfaqeve natyrore, në veçanti përmes gjurmimit të duarve dhe ndërveprimeve në realitetin e shtuar dhe virtual, ky rol konsolidon bindjen e saj se teknologjia duhet të përshtatet me qenien njerëzore, dhe jo anasjelltas, në vitin 2018, Mira Murati bashkohet me OpenAI, duke u bërë më vonë Drejtoreshë e Teknologjisë, ndikimi i saj në kompani është i thellë dhe i shumëanshëm, ajo mbikëqyr zhvillimin e modeleve gjuhësore GPT-2, GPT-3 dhe GPT-4, ajo është një nga mendjet pas transformimit të këtyre modeleve në produkte të arritshme, si ChatGPT, kontribuon në krijimin e sistemeve multimodale si Codex (gjenerimi i kodit) dhe DALL E (gjenerimi i imazhit), promovon një qasje etike dhe të përqendruar te njeriu ndaj IA-së, duke adresuar çështje kritike si paragjykimi, siguria dhe qeverisja, gjatë mandatit të saj, Murati shfaqet si një figurë referimi në debatin mbi IA-në, e njohur për aftësinë e saj për të kombinuar vizionin teknik dhe përgjegjësinë sociale, në këtë periudhë, ajo intervistohet shpesh edhe nga Bloomberg, i cili ndjek nga afër punën dhe lidershipin e saj në sektor, paraqitjet e saj në Bloomberg TV dhe intervistat e publikuara janë bërë pika referimi për të kuptuar trajektoren evolucionare të inteligjencës artificiale, në fund të vitit 2024, pas mosmarrëveshjeve të brendshme mbi qeverisjen dhe vizionin e ardhshëm të IA-së.

Murati largohet nga OpenAI, dalja e saj shënon fillimin e një kapitulli të ri profesional, në vitin 2025 ajo themelon Thinking Machines Lab, një startup të dedikuar për zhvillimin e inteligjencës artificiale multimodale dhe gjeneraliste, qëllimi i deklaruar është të ndërtojë më shumë sisteme “njerëzore”, të afta për të kuptuar dhe bashkëvepruar me botën në një mënyrë më natyrale, të sigurt dhe të kontrollueshme, Thinking Machines Lab tërheq menjëherë interesin e investitorëve të nivelit të parë si Sequoia Capital dhe Goldman Sachs, të cilët shohin në lidershipin e saj një garanci të soliditetit teknik dhe vizionit etik, Murati synon të udhëheqë këtë realitet të ri me të njëjtën filozofi që e ka udhëhequr të gjithë karrierën e saj: duke kombinuar përsosmërinë teknike me përgjegjësinë e thellë etike, Murati ka përsëritur vazhdimisht se IA është “një forcë shoqërore, jo vetëm një teknologji”, ajo ka promovuar bashkëpunimin ndërdisiplinor midis inxhinierëve, filozofëve, psikologëve dhe artistëve, për të hartuar sisteme që pasqyrojnë më mirë vlerat njerëzore.

Mira Murati duket se konsiderohet nga shumë si krijuesja e inteligjencës artificiale, por ChatGPT tenton të mbrojë kontekstin e OpenAI si një përpjekje ekipore, duke i njohur asaj një rol të rëndësishëm udhëheqës, edhe pa ia atribuar asaj shpikjen ose zbatimin e platformës që e bëri IA-në të njohur publikut të gjerë në mbarë botën.

cittadinovara.com

Vdes Kaqusha Jashari, politikane e njohur në vitet 80’ dhe themeluese e PSD-së

Në mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë Kaqusha Jashari, një aktiviste në jetën politike në Kosovë, e njohur për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përcjell albinfo.ch.

Kështu kanë bërë të ditur familjarët e saj.

Kaqusha ka qenë kryetare e Lidhjes Komuniste të Kosovës në vitet e ’80-ta dhe themeluese e PSD-së.