Zvicra kryeson Evropën për jetëgjatësi, gratë jetojnë më gjatë se burrat

Zvicra është vendi me jetëgjatësinë më të lartë në Evropë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostatpër vitin 2024. Mesatarja kombëtare e jetëgjatësisë është 84.2 vjet, duke e vendosur vendin në krye të listës evropiane, përpara Spanjës (84 vjet) dhe Suedisë (83.8 vjet), transmeton albinfo.ch.

Në 25 vitet e fundit, Zvicra ka qëndruar kryesisht në vendin e parë ose të dytë për jetëgjatësi në Evropë.

Nga rajonet zvicerane, kantoni i Ticinos kryeson me 85.2 vjet, i ndjekur nga rajoni i Liqenit të Gjenevës (Gjenevë, Vaud, Valais) me 84.6 vjet. Të gjitha rajonet e tjera zvicerane renditen ndër 40 rajonet kryesore në Evropë.

Statistikat tregojnë gjithashtu një diferencë gjinore: gratë zvicerane jetojnë mesatarisht 3.5 vjet më gjatë se burrat, me 85.9 vjet për gratë dhe 82.4 vjet për burrat.

Këto të dhëna reflektojnë standardin e lartë të jetesës dhe sistemit shëndetësor zviceran, duke e bërë Zvicrën një nga vendet më të mira për jetëgjatësi në Evropë./Albinfo.ch

Për herë të parë në Kosovë punonjësit e sektorit publik marrin pagën e 13-të

Qytetarët e Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë, që për herë të parë në vend parashikon dhënien e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik, në një periudhë kur ata përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe kostos së jetesës, transmeton albinfo.ch.

Vendimi është marrë nga ekzekutivi i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me synimin që të shpërblehet kontributi i punonjësve të administratës publike dhe të krijohet një standard i ri për trajtimin financiar të tyre.

Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se paga e 13-të nuk do të përfitohet vetëm nga punonjësit që kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë vitit, por edhe nga ata që kanë punuar më pak se 12 muaj, të cilët do ta marrin pagesën shtesë në mënyrë proporcionale me kohëzgjatjen e punësimit.

Një element tjetër i rëndësishëm, sipas Muratit, është se gratë në pushim lehonie do të trajtohen si të punësuara me orar të plotë gjatë kësaj periudhe, duke përfituar pagën e 13-të të plotë, pa u penalizuar për mungesën nga puna.

Murati theksoi se kjo masë synon të vendosë një praktikë të re në sektorin publik dhe se paga e 13-të ka qenë një nga premtimet kryesore të Kurtit gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa tashmë është paraparë edhe në buxhetin për vitin 2026.

Megjithatë, zbatimi i këtij vendimi do të varet nga respektimi i rregullave fiskale, konkretisht nga moskalimi i kufirit të deficitit buxhetor prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Rritet edhe paga minimale

Paralelisht me këtë vendim, Qeveria ka miratuar edhe rritjen e pagës minimale në dy faza, e cila pritet të arrijë në 500 euro deri në korrik të vitit 2026.

Aktualisht paga minimale është 350 euro, ndërsa do të rritet fillimisht në 425 euro në janar 2026, dhe më pas në 500 euro në korrik 2026, për të gjithë punonjësit me orar të plotë.

Sipas Muratit, kjo rritje pritet të ndikojë drejtpërdrejt rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat, ndërsa është marrë pas analizave mbi ndikimin ekonomik dhe mundësitë e tregut.

Paga minimale ndër vite

Përpara ndryshimeve ligjore të vitit 2023, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç. Më pas ajo u rrit në 350 euro gjatë vitit 2024, duke mbetur ende ndër më të ulëtat në Europë, krahasuar me vende si Luksemburgu ku paga minimale kalon 2,500 euro.

Vendimi për pagën e 13-të konsiderohet si një hap i rëndësishëm në sektorin publik dhe një zhvillim që për herë të parë po vendoset si praktikë në Kosovë./Albinfo.ch

“Xhamadani vija-vija” jehon në United Center, Bulls sjellin atmosferë shqiptare në NBA

Një nga arenat më të njohura të basketbollit në botë, United Center në Chicago, është shndërruar në një skenë të vërtetë shqiptare, ku kënga legjendare “Xhamadani vija-vija” dhe vallet tradicionale kanë jehuar para një ndeshjeje të NBA-së, transmeton albinfo.ch.

Para zhvillimit të ndeshjes së Chicago Bulls, atmosfera në sallë mori një kthesë të veçantë, pasi një ansambël nga komuniteti shqiptar në Illinois, i ftuar nga vetë Chicago Bulls, realizoi një performancë mbresëlënëse me muzikë dhe valle tradicionale shqiptare.

Valltarët të veshur me kostume kombëtare sollën energji dhe krenari në parket, ndërsa tingujt e muzikës tradicionale pushtuan arenën, duke tërhequr vëmendjen e publikut amerikan, transmeton tutje albinfo.ch.

NBA kendiohet shqip

Sipas pamjeve që tashmë po qarkullojnë në rrjetet sociale, shumë të pranishëm janë mahnitur nga ritmi dhe gjallëria e valleve shqiptare, duke e bërë këtë moment një nga më të veçantët e këtij sezoni në NBA.

Kjo mbrëmje e dedikuar komunitetit shqiptar në Chicago u konsiderua si një moment krenarie, duke dëshmuar edhe një herë se kultura shqiptare nuk njeh kufij, nga Shqipëria e Kosova deri në zemër të Shteteve të Bashkuara.

Momenti tashmë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke promovuar traditat shqiptare në një nga skenat më të mëdha sportive në botë./Albinfo.ch

 

 

Miratohet Projektligji për çmimet tavan në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për masat e përkohshme për produktet themelore, i njohur si Projektligji për çmimet tavan, me qëllim të parandalimit të rritjes së pajustifikuar të çmimeve në treg, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ky projektligj nuk ka për qëllim ndërhyrjen në tregun e lirë, por synon të mbrojë qytetarët nga rritjet artificiale të çmimeve dhe keqpërdorimet që mund të ndodhin në emër të krizave.

“Po e ri-sjellim për miratim këtë projektligj që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti që qytetarët tanë e kanë përjetuar: rritjen e papritur të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë të mekanizmave efektiv për mbrojtje. Me këtë projektligj ne nuk po hyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi”, tha Kurti.

Ai shtoi se projektligji synon të krijojë një balancë ndërmjet funksionimit të tregut të lirë dhe përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e interesit publik në situata të jashtëzakonshme.

Sipas Kurtit, ligji parasheh mekanizma të qartë për ndërhyrje të përkohshme pa shkaktuar deformime afatgjata në treg, duke garantuar furnizim dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në periudha krizash.

“Ky projektligj parandalon spekulimet dhe fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve dhe siguron reagim të shpejtë institucional kur tregu destabilizohet”, u shpreh ai.

Ky projektligj ishte miratuar më herët edhe në Kuvendin e Kosovës, por ishte dërguar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, e cila e kishte shpallur antikushtetues ligjin për çmimet tavan.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se këtë herë projektligji është rikthyer për miratim me plotësimet e nevojshme, në përputhje me vendimin e Kushtetueses./Albinfo.ch

Nora Gjakova bëhet trajnere e xhudos në Belgjikë

Një nga emrat më të mëdhenj të sportit kosovar, Nora Gjakova, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e saj, këtë herë jashtë tatamit si garuese, transmeton albinfo.ch.

Kampionia olimpike e Tokio 2020 ka filluar zyrtarisht punën si trajnere e xhudos në Federatën e Xhudos së Valonisë në Belgjikë, pas tërheqjes nga sporti aktiv më herët gjatë këtij viti.

Gjakova do të jetë pjesë e stafit të trajnerëve ku do të punojë së bashku me Pedro Guedes, me synimin për të zhvilluar gjeneratat e reja të xhudistëve belgë. Dyshja njihen prej më parë, pasi Guedes kishte kaluar një periudhë të shkurtër si trajner në Kosovë.

Federata Judo Wallonie Bruxelles e ka konfirmuar lajmin përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur krenarinë për angazhimin e saj në ekip.

“Me shumë krenari e mirëpresim Nora Gjakovën në ekipin tonë si trajnere. Kampionia Olimpike e Tokios 2020 dhe fituese e shumë medaljeve ndërkombëtare sjell me vete përvojë të nivelit të lartë, përkushtim dhe pasion që do të jenë të çmuara për zhvillimin e judokasve tanë”, thuhet në reagim.

Ky angazhim i ri i Norës konsiderohet si një hap i rëndësishëm në karrierën e saj sportive, duke e shndërruar përvojën dhe suksesin e saj në kontribut për zhvillimin e xhudos në Belgjikë./Albinfo.ch

Gjermani: 20-vjeçari ndez fishekzjarre në tren, 12 të lënduar

Një incident serioz ka shkaktuar panik dhe kaos gjatë natës së kaluar në stacionin hekurudhor Siegburg/Bonn, në landin gjerman Nordrhein-Westfalen, pasi një 20-vjeçar kërcënoi me sulm ndaj udhëtarëve dhe ndezi fishekzjarre brenda një treni të shpejtësisë së lartë ICE, transmeton albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, i riu ka ndezur disa mjete piroteknike në tren, duke shkaktuar frikë dhe zhurmë të fortë, ndërsa 12 pasagjerë kanë pësuar lëndime të lehta, kryesisht si pasojë e tronditjes dhe zhurmës së fishekzjarreve.

Ngjarja ka detyruar policinë gjermane të ndërhyjë me një aksion të gjerë sigurie, ndërsa 20-vjeçari është arrestuar në vendngjarje.

Policia Federale ka bërë të ditur se gjatë kontrollit, në çantën e të dyshuarit janë gjetur thika, si dhe mjete të tjera piroteknike, çka ka ngritur shqetësime për rrezik të mundshëm të përshkallëzimit të situatës.

Sipas informacioneve paraprake, i arrestuari është shtetas gjerman dhe kishte kërcënuar edhe me sulme të tjera, ndërsa motivet e tij ende nuk janë bërë të ditura dhe mbeten nën hetim nga autoritetet.

Hetimet pritet të sjellin më shumë detaje gjatë orëve në vijim, ndërsa policia ka siguruar zonën dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët dhe pasagjerët që ndodheshin në tren./Albinfo.ch

Kaos në Gotthard: Kolonë 19 kilometra dhe mbi 3 orë pritje drejt jugut

Trafiku drejt jugut të Zvicrës ka shënuar një përkeqësim të madh gjatë ditëve të festave të Pashkëve, ku tuneli i Gotthardit është kthyer në një “pikë bllokimi” për mijëra udhëtarë, përcjell albinfo.ch.

Kolona para tunelit të Gotthardit ka arritur deri në 19 kilometra, ndërsa pritjet për kalimin e tunelit kanë shkuar në mbi 3 orë.

Blick raporton se automjetet janë bllokuar deri në zonën e pushimit mes Schattdorf dhe Erstfeld, duke theksuar se një situatë e tillë nuk është parë shpesh në këtë orar gjatë viteve të fundit.

Po ashtu thuhet se shumë udhëtarë ende nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës. Një grua ka treguar se navigacioni i saj i shfaqte vetëm 45 minuta pritje, ndërkohë që realisht pritja ishte të paktën trefish më e gjatë, transmeton tutje albinfo.ch.

Shumica e shoferëve janë raportuar të nervozuar dhe të tensionuar, ndërsa vetëm disa turistë të rinj dukeshin më të qetë, pavarësisht bllokadës.

Shkaktarët e bllokimit

Sipas TCS (Touring Club Suisse), shkaktarët kryesorë të kolonave janë:

punime në tunel,

kufizim i përkohshëm i gjerësisë së korsive,

• si dhe një automjet i prishur brenda tunelit, që në një moment ka shkaktuar edhe mbyllje të plotë të tunelit në të dy drejtimet.

Në orët e hershme të mëngjesit (rreth 05:50), tuneli u raportua i bllokuar plotësisht, duke rritur kolonën sërish në 12 kilometra, me rreth 2 orë pritje.

Rrugët alternative të rekomanduara

Autoritetet rekomandojnë si rrugë alternative:

A13 përmes tunelit San Bernardino,

• për udhëtarët drejt Italisë edhe rrugët:

A9 Simplon / Grosser St. Bernhard,

• ose transporti me tren përmes Lötschberg.

Paralajmërim për mbyllje të rrugës Gotthard

Ndërkohë, Kanton Uri ka paralajmëruar se rruga Gotthard mes Amsteg dhe Wassen do të mbyllet nga e shtuna deri të martën, nga ora 13:00 deri 19:00, për shkak të rrezikut të ortekëve të borës së lagësht.

Mbyllja vjen si pasojë e rritjes së madhe të temperaturave të parashikuara për ditët në vijim, ndërsa segmenti më i rrezikuar konsiderohet Wilerplanggä, mes Gurtnellen dhe Wassen.

Kjo rrugë përdoret shpesh si alternativë kur autostrada A2 është e mbingarkuar, çka pritet ta rëndojë edhe më shumë situatën në ditët në vijim.

Autoritetet bëjnë të ditur se dalja e autostradës në Wassen do të mbetet e hapur dhe rajoni Urserntal do të jetë i qasshëm për banorët dhe vizitorët.

Vlen të theksohet se situata në Gotthard pritet të mbetet kritike gjatë gjithë fundjavës së Pashkëve, ndërsa shoferët këshillohen të planifikojnë udhëtimin me kujdes dhe të përdorin rrugë alternative./Albinfo.ch

Nisin xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det” në Kosovë

Kanë nisur xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det”, filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë me skenar dhe regji të Sovran Nrecajt, ndërsa producente e projektit është Aurela Kadriu. Filmi po realizohet nga Can and Cam në partneritet me Degjenerata, me mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, “Për sa t’ketë det” sjell në vëmendje dhimbjet e pafolura dhe jetët që mbeten pezull nga pritja. I vendosur në një shoqëri që përpiqet të rindërtojë veten pas konfliktit, filmi nuk fokusohet në heronj apo fitimtarë, por depërton në brishtësinë e një familjeje të formësuar nga humbja.

Në qendër të rrëfimit është Sadetja, e interpretuar nga Ilire Vinca, e cila jeton një jetë modeste me bashkëshortin Burimin (Alban Ukaj), fotograf, dhe djalin e tyre Lumin (Yzeir Meha). Ngjarja merr kthesë kur Burimi i bashkohet rezistencës së armatosur dhe nuk kthehet më, duke e lënë Sadeten vetëm me djalin dhe përballë një humbjeje pa një përfundim të qartë.

E ngujuar mes një të tashmeje të rëndë dhe një të kaluare që nuk e lë të qetë, Sadetja përpiqet të mbijetojë dhe të ndërtojë rrugën e saj në një shoqëri patriarkale, ku pritja dhe dhimbja bëhen pjesë e përditshmërisë.

Filmi aktualisht ndodhet në fazën e xhirimeve në Kosovë.

Ekipi i filmit “Për sa t’ketë det”

Skenarist dhe regjisor: Sovran Nrecaj

Producente: Aurela Kadriu

Në role kryesore: Ilire Vinca, Alban Ukaj, Yzeir Meha

Në role të tjera: Refet Abazi, Melihate Qena, Molikë Maxhuni, Valdrin Osmani, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Blend Sadiku, Ermal Sadiku, Ideal Nrecaj

Drejtor i fotografisë: Murat Emkuzhev

Kostume dhe skenografi: Leonora Mehmeti Hoxha

Kompozitorë: Anda Kryeziu dhe Justin Robinson Stewart

Dizajner i zërit: Pëllumb Ballata

Grim dhe flokë: Linda Nimani

Ky projekt pritet të sjellë një rrëfim të fuqishëm dhe emocional, duke trajtuar realitetin e pasluftës dhe sfidat e jetës së njerëzve të zakonshëm në Kosovë./Albinfo.ch

Studentët e Fakultetit të Arteve përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Oberhausen

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se studentët e Fakultetit të Arteve kanë shënuar një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar me filmin e tyre të shkurtër “Prej 6-ve në 5”, i cili është përzgjedhur për garën ndërkombëtare në edicionin e 72-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër të Oberhausenit (Internationale Kurzfilmtage Oberhausen), përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, filmi është realizuar nga studentët e Departamentit të Arteve Dramatike si projekt diplome dhe trajton një ditë pune të një punëtori të sigurimit në një hotel. Ky projekt pasqyron gjithashtu rezultatet e drejtimit të ri të Kamerës dhe Montazhit të Filmit në Fakultetin e Arteve, duke dëshmuar zhvillimin dhe profesionalizmin e programeve akademike në këtë institucion.

Krijuesit e filmit, Ardian Dubova dhe Erlisë Beqiri, së bashku me ekipin akademik dhe artistik, janë pritur nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, dhe prorektorët, të cilët u kanë uruar përfaqësim dinjitoz dhe sukses në këtë garë prestigjioze.

Në këtë edicion të festivalit janë përzgjedhur gjithsej 121 filma nga 48 shtete, duke e bërë përfshirjen e studentëve të Universitetit të Prishtinës një arritje të veçantë.

Filmi “Prej 6-ve në 5” përfaqëson një bashkëpunim të frytshëm ndërmjet departamenteve të Fakultetit të Arteve. Rolet kryesore janë interpretuar nga aktorët Astrit Kabashi dhe Eshref Durmishi, të cilët kanë kontribuar në këtë projekt pa kompensim material.

Universiteti i Prishtinës vlerëson se pjesëmarrja në Festivalin e Oberhausenit shënon një sukses historik për institucionin dhe mund të hapë rrugë edhe për përfshirje në garën për Çmimin Evropian të Filmit, duke theksuar potencialin e studentëve dhe cilësinë e programeve të Fakultetit të Arteve./Albinfo.ch

Komedia “Ne dhe Ata” në Bernë: humor dhe reflektim mbi jetën në diasporë

Pas një pritjeje të fuqishme në Winterthur, “Ne dhe ata” u prezantua edhe në Bernë, duke sjellë një mbrëmje me humor dhe mesazh të drejtpërdrejtë.

Shfaqja (stand-up komedia) “Ne dhe Ata”, me interpretim nga Dan Morina dhe me skenar e regji të Ben Apollonit, u prezantua në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, duke mbledhur një numër të madh pjesëmarrësish nga komuniteti shqiptar në Zvicër.

E ndërtuar mbi një format që ndërthur monologun me elemente muzikore, shfaqja trajtoi përvojën e përditshme të diasporës, duke vënë në pah raportin mes “ne” dhe “ata” përmes situatave konkrete dhe një qasjeje të drejtpërdrejtë skenike. Në interpretim, Dan Morina u shoqërua nga Flutur Bytyqi dhe Bexhet Sallai në kitarë, duke i dhënë shfaqjes një ritëm të balancuar mes humorit dhe ndërhyrjeve muzikore.

Regjisori dhe autori i projektit Ben Apolloni, theksoi se ideja e shfaqjes ka nisur në janar dhe ka kaluar një proces të vazhdueshëm zhvillimi deri në realizim. “Si ide ka filluar në janar, por si proces i krijimit ka zgjatur nga janari deri më tani. Kjo është sfida e projekteve teatrore, sidomos kur unë jetoj në Prishtinë dhe protagonistët në Zvicër. Provat i kemi mbajtur online me video-thirrje, ndërsa prova fizike kemi pasur vetëm një ditë,” u shpreh ai.

Ai sqaroi se projekti është realizuar nga Studio Aktrimi dhe Studio Artistike Feniks, pa mbështetje financiare institucionale. “Ky është projekt i Studios së Aktrimit dhe Studios Feniks, këta janë producentët e shfaqjes. Nuk kemi pasur mbështetje financiare nga askush tjetër,” tha Apolloni, duke shtuar se forma e stand-up-it është zgjedhur si një mënyrë komunikimi e drejtpërdrejtë me publikun. “Kjo është stand-up komedi, ku një aktor del në skenë dhe rrëfen situata të ndryshme. Jam përpjekur t’i jap një frymë mini-mjuzikëll, ku përveç monologut të ketë edhe pauza muzikore që lidhen me temën.”

Duke folur për pritjen e publikut, ai nënvizoi interesin për teatër në diasporë. “Shfaqja është pritur jashtëzakonisht mirë dhe kjo tregon se publiku shqiptar në Zvicër e do teatrin. Ka një lloj kërkese për art dhe ne duhet të bëjmë më shumë për të prodhuar shfaqje cilësore,” tha ai, duke theksuar nevojën për mbështetje institucionale. “Për të realizuar një shfaqje duhet buxhet, kohë dhe përkrahje në mënyrë që artin shqiptar ta sjellim më shpesh këtu.” Ai përmbylli me një mesazh të drejtpërdrejtë për publikun: “Kur të vijnë në Kosovë, të vijnë më shumë në teatër sesa në dasma.”

Në interpretimin e tij, Dan Morina u ndal te thelbi i raportit që trajton shfaqja. “Është mirë që ekzistojmë si komunitet, por është e rëndësishme të mbetemi një, të mos bëhemi ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse në thelb nuk ndahemi dot,” u shpreh ai. Sipas Morinës, komedia ofron një mënyrë të veçantë për t’i trajtuar këto dallime: “Përmes komedisë mund t’i trajtojmë këto tema dhe t’i sjellim në një formë tjetër para publikut.”

Ai ndau edhe dimensionin personal të angazhimit të tij artistik. “Është një punë që e bëj me shumë dashuri. Edhe pse kam një punë fizike dhe një familje me pesë fëmijë, gjithmonë gjej kohë për ta ushqyer shpirtin, sepse kam studiuar për teatër dhe nuk dua të mos e shfrytëzoj këtë pjesë të vetes,” tha ai, duke theksuar rëndësinë e interaksionit me publikun. “Pjesa interaktive është shumë e rëndësishme për mua, sepse krijon një lidhje të drejtpërdrejtë dhe spontane me audiencën.” Mesazhi i tij për komunitetin ishte i qartë: “Të kthejnë më shumë vëmendjen nga jeta kulturore dhe të mbështesin iniciativat artistike.”

Nga ana organizative, Yllka Zuzaku theksoi sfidat me të cilat përballen projektet teatrore në diasporë. “Studio e Aktrimit ekziston prej rreth 20 vitesh, por vazhdimisht përballemi me mungesë të mjeteve financiare. Ky projekt është realizuar me vetëfinancim,” tha ajo, duke shtuar se bashkëpunimi me regjisorin ka qenë i bazuar në vullnet të mirë. “Ben Apolloni na ka ndihmuar shumë, edhe pse nuk është financuar.”

Ajo vlerësoi gjithashtu suksesin e shfaqjes në qytete të tjera. “Në Winterthur kemi pasur një pritje të jashtëzakonshme, me publik edhe nga kantone të tjera,” tha Zuzaku, duke theksuar se sfidë mbetet edhe organizimi praktik. “Të gjithë jemi të punësuar dhe jetojmë larg njëri-tjetrit, por megjithatë vazhdojmë të punojmë për projekte të reja.” Mesazhi i saj ishte i drejtuar veçanërisht te të rinjtë: “Do të donim që në shfaqje të vijnë më shumë të rinj, në mënyrë që teatri të ketë vazhdimësi.”

Në aspektin artistik, Flutur Bytyqi theksoi se ka kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të materialit. “Skenari ka qenë nga Ben Apolloni, por kam shtuar elemente për ta bërë më interesant dhe më ironik pjesën “Dy kunatat” tha ajo, duke u ndalur te tematika e marrëdhënieve që trajton shfaqja. “Shumë nga situatat janë të njohura për publikun, sidomos raportet mes njerëzve, ku përzihen stereotipat me të vërtetat.” Ajo theksoi se në thelb shfaqja mbart një mesazh bashkimi: “Pavarësisht gjithçkaje, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin.”

Bexhet Sallai vlerësoi përfshirjen e tij në projekt si një përvojë të rëndësishme. “Nuk kemi pasur shumë prova, madje prova gjenerale ka qenë një ditë para shfaqjes, por jam i lumtur që jam pjesë e këtij projekti,” tha ai. Ai u ndal edhe te përzgjedhja muzikore, duke përmendur këngë me përmbajtje historike dhe mesazhe të forta. “Këto këngë mbartin një histori dhe një përvojë që duhet të kujtohet,” tha Sallai, duke theksuar gjithashtu nevojën për mbështetje më të madhe për artistët në diasporë.

Shfaqja u vlerësua pozitivisht edhe nga profesionistë të fushës. Regjisori Sabri Pajaziti e cilësoi si “një shfaqje interesante dhe një bashkëpunim të suksesshëm, që ka tejkaluar pritshmëritë duke pasur parasysh mënyrën e realizimit”, ndërsa Burim Haliti vlerësoi veçanërisht performancën e aktorit. “Nuk është e lehtë të mbash publikun për një orë të tërë vetëm në skenë dhe të arrish ta bësh atë të qeshë. Tema është shumë e afërt për diasporën,” tha ai, duke shtuar rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj në aktivitete kulturore.

Ngjarja u organizua nga Studio Aktrimi dhe Studio Artistike Feniks, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë. Mbrëmja u hap nga zëvendësambasadorja Shukrie Ramadani, e cila vlerësoi rolin e aktiviteteve kulturore në forcimin e jetës së komunitetit në diasporë.

Ambientet e ambasadës ishin të mbushura me pjesëmarrës, ndërsa atmosfera gjatë shfaqjes u karakterizua nga reagime të vazhdueshme dhe pjesëmarrje aktive e publikut. Pas përfundimit të programit, mbrëmja vijoi në një ambient miqësor, duke krijuar hapësirë për komunikim dhe shkëmbim mes të pranishmëve.

Më shumë fotografi nga të dyja shfaqjet: (1) Facebook

(Autor i fotos në ballinë: Afrim Nevzati)

Skytrax publikon renditjen për 2026: Këto janë aeroportet më të mira në botë

Renditjet më prestigjioze globale në industrinë e aviacionit, Skytrax World Airport Awards dhe AirlineRatings.com World’s Best Airline Awards, kanë publikuar fituesit për vitin 2026, duke konfirmuar edhe një herë dominimin e Azisë në sektorin e udhëtimeve ajrore, përcjell albinfo.ch.

Në krye të listës së aeroporteve më të mira në botë qëndron Singapore Changi Airport, i cili është shpallur “Aeroporti i Vitit” për herë të 14-të, duke vendosur rekord dhe duke u konfirmuar si lider global për cilësinë dhe përvojën që u ofron udhëtarëve.

Ndërkohë, në renditjen e linjave ajrore, Qatar Airways është shpallur linja ajrore më e mirë “full-service” në botë, duke e zëvendësuar Korean Air, e cila kishte fituar këtë titull në vitin 2025.

Top 5 aeroportet më të mira në botë për 2026

Pesë aeroportet më të mira në botë janë të gjitha në Azi:

1. Singapore Changi Airport

2. Incheon International Airport

3. Tokyo International Airport

4. Hong Kong International Airport

5. Narita International Airport

Në këtë renditje bie në sy mungesa e Hamad International Airport, i cili vendosi të tërhiqet nga çmimet dhe eventet ndërkombëtare, për shkak të situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme.

Europa mbetet konkurruese, Paris CDG në krye

Në Europë, për të katërtin vit radhazi, aeroporti më i mirë është shpallur Paris Charles de Gaulle Airport, i cili renditet i gjashti në botë.

Pas tij renditen:

Rome Fiumicino Airport (7)

Istanbul Airport (8)

Munich Airport (9)

Në top 20 të listës globale përfshihen gjithashtu edhe disa aeroporte të tjera të rëndësishme evropiane si:

Helsinki-Vantaa Airport

Vienna International Airport

London Heathrow Airport

Amsterdam Schiphol Airport

Zürich Airport

Ndërkohë, Budapest Airport është shpallur aeroporti më i mirë në Europën Lindore, ndërsa London Heathrow Airport ka fituar çmimin për blerjet më të mira në aeroport.

Linjat ajrore më të mira: dominim i vazhdueshëm aziatik

Edhe në renditjen e linjave ajrore, Azia vazhdon të dominojë. Top 5 linjat ajrore më të mira për 2026 janë:

1. Qatar Airways

2. Cathay Pacific

3. Singapore Airlines

4. Korean Air

5. STARLUX Airlines

Linja ajrore më e mirë europiane “full-service” është shpallur Turkish Airlines, e renditur e shtata në nivel global.

Pas saj në listë vijnë:

Virgin Atlantic

KLM

Air France

LOT Polish Airlines

Low-cost në Europë: airBaltic në krye

Në segmentin e fluturimeve “low-cost”, në Europë kryeson airBaltic, e ndjekur nga:

easyJet

Wizz Air

Ryanair

Jet2

TUI Group

Azia udhëheq, Europa ruan cilësinë

Rezultatet e vitit 2026 tregojnë një realitet të qartë: Azia vazhdon të udhëheqë botën në inovacion dhe përvojë të udhëtarëve, ndërsa Europa mbetet konkurruese falë cilësisë dhe rrjeteve të konsoliduara.

Në një treg gjithnjë e më konkurrues, diferencimi nuk vjen më vetëm nga çmimi, por nga përvoja e plotë e udhëtimit – nga aeroporti e deri te kabina e avionit./Albinfo.ch

Shqiptarja nga Kosova pranohet në një nga specializimet më konkurruese në SHBA

Zanë Sejdiu po shndërrohet në një nga emrat më premtues të brezit të ri të mjekëve shqiptaro-amerikanë, duke përfaqësuar një kombinim të rrallë të shkencës, përkushtimit njerëzor dhe identitetit kulturor, transmeton albinfo.ch.

Si vajza e Dr. Mentor Sejdiut dhe Ganimete Sejdiut, rrugëtimi i saj pasqyron sakrificat dhe vlerat e një familjeje që ka ndërtuar një trashëgimi të fortë përkushtimi ndaj mjekësisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Një rol të veçantë në formësimin e saj profesional e ka pasur babai i saj, Dr. Mentor Sejdiu, mjek me përvojë shumëvjeçare në Montefiore Hospital në New York, i cili është konsideruar si shembull profesional dhe njerëzor në vizionin e Zanës për kujdesin ndaj pacientëve.

Aktualisht, Zanë është në përfundim të studimeve për Doktor të Mjekësisë në Drexel University College of Medicine, ku pritet të diplomojë në pranverën e vitit 2026. Njëkohësisht, ajo ka arritur një sukses të madh duke u pranuar në specializimin e dermatologjisë në Pensilvani, një nga degët më konkurruese në fushën e mjekësisë. Kjo arritje përbën një moment krenarie jo vetëm për familjen e saj, por edhe për gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan.

Rruga akademike e Zanës është e karakterizuar nga rezultate të larta dhe përkushtim multidisiplinar. Ajo u diplomua summa cum laude në Universitetin Fordham, në degën e Psikologjisë, një bazë që ka ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e interesave të saj shkencore edhe në mjekësi. Ky interesim i hershëm për mendjen njerëzore evoluoi në një fokus të veçantë: lidhjen mes dermatologjisë dhe shëndetit mendor.

Përmes kërkimeve në fushën e psikodermatologjisë, Zanë ka studiuar mënyrën se si sëmundjet e lëkurës dhe mirëqenia psikologjike janë të ndërlidhura ngushtë, duke kontribuar në një qasje gjithnjë e më të kërkuar drejt një kujdesi holistik dhe të përqendruar te pacienti.

Kontributi i saj shkencor vlerësohet si i jashtëzakonshëm për një studente të mjekësisë. Ajo ka realizuar disa botime të rishikuara nga kolegët, kapituj librash dhe prezantime në nivel kombëtar. Studimet e saj përfshijnë tema të rëndësishme si rreziku nga melanoma, çrregullimi dismorfik trupor, dermatologjia pediatrike dhe barra psikiatrike e sëmundjeve kronike të lëkurës. Disa nga punimet e saj janë pranuar në revistat më të njohura të dermatologjisë, duke dëshmuar seriozitet dhe inovacion shkencor.

Përtej kërkimit, Zanë Sejdiu ka treguar edhe një angazhim të madh komunitar dhe shëndetësor. Ajo është themeluese e iniciativës “Sun Run” në Filadelfia, e cila synon promovimin e sigurisë ndaj diellit dhe parandalimin e kancerit të lëkurës. Në kuadër të kësaj nisme, ajo ka organizuar shpërndarje të kremrave mbrojtës dhe ka udhëhequr fushata edukimi për komunitetin.

Avokimi i saj shtrihet gjithashtu në mbështetjen e popullsive të nënshërbyera, edukimin e të rinjve dhe iniciativat që promovojnë barazinë dhe qasjen në kujdesin dermatologjik.

E udhëhequr nga një vizion i qartë për ta humanizuar mjekësinë, Zanë synon të ndërthurë ekspertizën shkencore me njohurinë psikologjike, duke ofruar një kujdes më të plotë për pacientët.

Ndërsa përgatitet të nisë rezidencën në Pensilvani, ajo vazhdon të çojë përpara trashëgiminë familjare dhe vlerat e këmbënguljes, arsimit dhe shërbimit. Rrugëtimi i saj mbetet një shembull i fuqishëm i suksesit të brezit të parë shqiptaro-amerikan dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm./Albinfo.ch

OKB paralajmëron: Çmimet e ushqimeve rrezikojnë krizë për 5 milionë njerëz në vendet arabe

Një rritje prej 20% e çmimeve globale të ushqimeve mund të çojë në krizë ushqimore për rreth 5 milionë persona nga shtresat e mesme dhe të varfra në vendet arabe, njoftoi sot Komisioni Ekonomik dhe Social i OKB-së për Azinë Perëndimore (ESCWA).

Raporti i fundit i OKB-së nënvizon se situata është e brishtë dhe mund të përkeqësohet, veçanërisht në vendet më të varfra ose të përfshira në konflikte, që varen shumë nga importet e ushqimit dhe nuk kanë kapacitet për të përballuar goditjet ekonomike.

Eksportet e naftës nga Gjiri kanë rënë 75–90% që nga fillimi i konfliktit SHBA-Izrael, ndërsa çmimi i naftës ka shkuar mbi 112 dollarë për fuçi. Kjo ka rritur koston e transportit dhe ka përkeqësuar deficitin buxhetor.

Rreth 40 milionë njerëz në rajon varen nga uji i përpunuar nga Gjiri, duke i bërë ata shumë të ndjeshëm ndaj dëmtimeve të infrastrukturës ose ndotjes. Për më tepër, vendet arabe importojnë shumicën e grurit dhe kanë rezervat vetëm për disa muaj, gjë që e bën sistemin ushqimor jashtëzakonisht të dobët.

ESCWA bën thirrje për veprime urgjente, duke përfshirë krijimin e rezervave strategjike, diversifikimin e rrugëve të tregtisë dhe investime në infrastrukturë më të qëndrueshme. Pa ndërhyrje të menjëhershme, konflikti mund të rrisë varfërinë, tensionet sociale dhe të dëmtojë zhvillimin ekonomik.

Sipas një raporti të mëparshëm, humbjet për ekonomitë arabe mund të arrijnë deri në 150 miliardë dollarë brenda vetëm një muaji.

Banorët në Bazel ankohen për akomodimin e azilkërkuesve

Akomodimi për azilkërkuesit në Kleinhüningen, Bazel, ka shkaktuar kritika. Banorët kanë shprehur shqetësimet e tyre pranë qeverisë federale, e cila ka njoftuar masa për të adresuar situatën.

Banorët e zonës raportojnë prej javësh zhurma, shqetësime dhe tentativa për thyerje rreth akomodimit nën tokë të vetëm burrave. Pas një sulmi me shufër hekuri ndaj një burri nga tre sulmues më herët këtë vit – edhe pse sulmuesit nuk ishin të akomodimit – ndjenja e pasigurisë është rritur në lagje. Incidenti ka nxitur një debat mbi sigurinë dhe cilësinë e jetesës.

Në mbrëmjen e së mërkurës, disa dhjetëra persona u mblodhën në qendrën komunitare Klyck për të diskutuar me policinë dhe Sekretariatin Shtetëror për Migracionin (SEM). Banorët përshkruan situata nga jeta e përditshme: burra që nuk lejoheshin të hynin natën në akomodim dhe detyroheshin të flinin jashtë, zhurma përreth objektit dhe gjetje të objekteve të rrezikshme si thika në kopshte para shtëpive, transmeton albinfo.ch.

Disa banorë raportuan gjithashtu se dyert ose kopshtet përdoren si vende gjumi. Një banore e re tha se veçanërisht gratë ndihen të pasigurta në rrugët përreth dhe ajo vetë shmang dalje në mbrëmje kur është e mundur. Banorët theksuan gjithashtu se situata është e vështirë edhe për azilkërkuesit.

Të pranishmit diskutuan shqetësimet e tyre me përfaqësues të SEM, policisë dhe politikës lokale. Disa vunë në dukje se lagjja përballet gjithashtu me kriminalitet lokal. Policia theksoi se ndjenja e pasigurisë është kryesisht subjektive dhe nuk ka pasur rritje të incidenteve të raportuara.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin njoftoi masa shtesë: patrulla sigurie dhe komunikim i shtuar për të garantuar qetësinë. “Kemi futur patrulla sigurie, të cilat kanë rezultuar të suksesshme edhe në vende të tjera,” tha zëdhënësi i SEM, Reto Korman. Gjithashtu, do të krijohet një grup mbështetës për dialog të rregullt midis banorëve dhe autoriteteve, si dhe një linjë telefonike emergjente.

Mahir Kabakci, parlamentar kantonal i SP-së në Bazel, përshëndeti shkëmbimin e hapur: “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë një dialog të drejtpërdrejtë dhe që SEM ka njoftuar masa konkrete.” Ai shtoi se duhet diskutuar edhe shpërndarja e barrës së akomodimeve mes lagjeve në nivel kantonal.

Mbrëmja kaloi në mënyrë emocionale, por respektueshme. Disa banorë mirëpritën masat e paralajmëruara, ndërsa të tjerë kërkuan zgjidhje më të gjera. Një banor tha: “Për mua është e qartë: qendra duhet të mbyllet, nuk është në vendin e duhur. Por gjithçka që ndihmon për të qetësuar situatën është mirë.” SEM bëri të ditur se akomodimi në Schäferweg do të vazhdojë, i dedikuar për burra që udhëtojnë vetëm dhe që zakonisht qëndrojnë 12-14 ditë. Familjet dhe personat vulnerabël nuk do të vendosen në objektet e civilit.

Në afat të mesëm, një qendër e re federale për azilkërkuesit në Bazel do të mund të lehtësojë situatën; bisedime për këtë janë në zhvillim.

Austria refuzon lejet për fluturime ushtarake amerikane mbi territorin e saj

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kritikoi aleatët evropianë pasi disa vende refuzuan kërkesat amerikane për përdorimin e hapësirës ajrore për misione ushtarake në lidhje me situatën në Iran, raporton “Euronews”, transmeton albinfo.ch.

Austria, duke mbrojtur statusin e saj si shtet neutral, ka refuzuar lejet për fluturime ushtarake amerikane mbi territorin e saj. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Vjenë bëri me dije se çdo kërkesë e SHBA-së do të shqyrtohet veç e veç, pa dhënë detaje mbi numrin e fluturimeve të ndaluara.

Në të njëjtën linjë ka vepruar edhe Zvicra. Po ashtu, Franca dhe Italia kanë ndaluar përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për aeroplanët ushtarakë amerikanë, ndërsa Spanja ka zgjeruar ndalimin për të gjitha misionet ushtarake të përfshira në konflikt. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares Bueno, tha se ky vendim pasqyron opinionin publik dhe parimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Këto refuzime, së bashku me mungesën e gatishmërisë së aleatëve për të bashkëpunuar në një forcë detare për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, bënë që Trump ta quante NATO-n një “tigër prej letre” dhe të paralajmëronte për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga aleanca.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se marrëdhëniet me NATO-n duhet të rishikohen. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron kritikoi Trump për “minimin e NATO-s” dhe krijimin e “dyshimit të përditshëm” mbi angazhimin amerikan ndaj aleancës.

Izraeli konfirmon vrasjen e komandantit iranian të Drejtorisë së Naftës

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se kanë kryer një sulm që çoi në vrasjen e Jamshid Eshaqim, komandant i Drejtorisë së Naftës në Forcat e Armatosura të Iranit. Sipas IDF-së, Drejtoria e Naftës luan një rol kyç në forcimin e kapaciteteve ushtarake të regjimit iranian, duke siguruar të ardhura nga shitja e naftës.

Sulmi që rezultoi me vdekjen e Eshaqim u realizua më herët gjatë javës, duke u bazuar në informacionet e Drejtorisë së Inteligjencës. Ushtria izraelite theksoi se Eshaqim drejtonte pjesën financiare të forcave të regjimit, si dhe industrinë ushtarake përgjegjëse për prodhimin e raketave balistike dhe mekanizmat e shtypjes. Për më tepër, ai koordinonte fonde për mbështetjen e grupeve terroriste iraniane në Lindjen e Mesme, përfshirë Hezbollah dhe Houthit.

IDF shtoi se Gardat Revolucionare Islamike dhe forcat e tjera të Iranit janë financuar për vite me rradhë nga të ardhura të mëdha nga nafta, të cilat shpesh shmangin sanksionet ndërkombëtare. Këto të ardhura janë menaxhuar nga drejtoritë e posaçme të krijuara nga Irani, duke i dhënë një rol thelbësor forcës së regjimit dhe financimit të aktiviteteve terroriste globalisht.

Ahmeti: Gjuha shqipe nuk është dhe nuk do të jetë kurrë subjekt negociatash

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar përmes një letre të hapur lidhur me debatet për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ai thekson se çështjet e tilla nuk duhet të trajtohen impulsivisht, por me përgjegjësi shtetërore.

Ahmeti nënvizon se shtetet e forta bazohen në parime të qarta dhe respekt të ndërsjellë, dhe se relativizimi i tyre krijon debate të panevojshme.

“Ka tema që nuk i përkasin partive apo garave politike, por janë pjesë e marrëveshjes për të jetuar bashkë, të barabartë, në një shtet të përbashkët dhe evropian. Një prej tyre është statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”, shkruan ai.

Ai shton se barazia nuk është thjesht slogan, por parim politik dhe moral, dhe se forca e shtetit matet nga respekti për çdo qytetar dhe popull.

“Një shtet bëhet i fortë kur çdo qytetar ndihet i respektuar dhe përfaqësuar me dinjitet. Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por shprehje e identitetit, dinjitetit dhe barazisë kushtetuese”, thekson Ahmeti.

Kreu i BDI-së nënvizon se gjuha shqipe nuk mund të jetë kurrë objekt negociatash, duke e lidhur me themelet e shtetit dhe Marrëveshjen e Ohrit. Ai kujton se shqipja nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese e fituar.

Ahmeti shton se shqiptarët gjithmonë kanë respektuar gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas, duke mbështetur një shtet të përbashkët dhe evropian.

Ai paralajmëron se çdo tentativë për të kufizuar përdorimin e gjuhës shqipe minon rendin kushtetues dhe kohezionin e vendit. Gjithashtu, ai shpreh shqetësim për qasjet në Gjykatën Kushtetuese, të cilat sipas tij nuk janë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Ahmeti citon edhe Komisionin e Venedikut, i cili nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese për ligjin e gjuhëve.

Ai përfundon me një mesazh të qartë: “Të drejtat e fituara nuk negociohen. Çdo përpjekje për kufizim është e rrezikshme për stabilitetin e vendit. Nuk ka të ardhme pa barazi, nuk ka barazi pa dinjitet, dhe nuk ka dinjitet pa gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare”.

Ky reagim vjen pas riaktivizimit të shqyrtimit të Ligjit të Gjuhës nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut.

Kosovë: Paralajmërohen gjoba ndaj KEDS pasi rezultoi se përdori njehsorë me afat të skaduar

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) në Kosovë ka njoftuar të enjten se testimet laboratorike në Agjencinë e Metrologjisë kanë zbuluar devijime në kohë dhe datë të disa njehsorëve të energjisë elektrike, megjithëse matjet e energjisë kanë rezultuar të sakta dhe bllombat e pajisjeve të paprekura.

Bazuar në këto gjetje, MINTI do të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të ndërmarrë masat e nevojshme për korrigjimin e devijimeve. Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) pritet të shqiptojë gjoba ndaj KEDS-it për përdorimin e njehsorëve me afat të skaduar, sipas ligjit në fuqi.

Që nga krijimi i komisionit verifikues, vetëm në dy ditët e fundit janë regjistruar 209 ankesa, ndërsa më parë Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk kishte pranuar ankesa të ngjashme.

Gjetjet kryesore nga verifikimi:

Njehsorët ishin me afat të skaduar të vlefshmërisë;

Devijime në datë rreth 2–3 ditë dhe në kohë rreth 10–11 orë;

Matja e energjisë elektrike ishte e saktë;

Bllombat e njehsorëve nuk ishin dëmtuar.

MINTI thekson se do të vazhdojë të trajtojë çdo ankesë të konsumatorëve dhe do të marrë masa ligjore në përputhje me gjetjet e veri1fikimit.

OpenAI mbledh miliarda, por ende nuk është fitimprurëse

Edhe pse OpenAI gjeneron rreth 2 miliardë dollarë të ardhura çdo muaj dhe po shënon rritje të shpejtë, kompania ende nuk ka arritur të jetë fitimprurëse për shkak të kostove të larta operacionale.

Së fundmi, kompania pas ChatGPT ka përfunduar një raund të madh investimi prej 122 miliardë dollarësh, duke e vlerësuar atë në 852 miliardë dollarë. Në këtë investim marrin pjesë gjigantë të teknologjisë si Amazon, Microsoft, Nvidia dhe SoftBank.

Fondet e siguruara do të përdoren për të forcuar infrastrukturën e inteligjencës artificiale dhe për të zhvilluar një “super-aplikacion” që integron bisedat, kërkimin në internet, programimin dhe asistentë autonomë.

ChatGPT ka mbi 900 milionë përdorues aktivë javore dhe rreth 50 milionë abonentë, ndërsa kompania po eksploron mënyra të reja për të gjeneruar të ardhura dhe planifikon të dalë në bursë (IPO), duke intensifikuar konkurrencën në tregun global të inteligjencës artificiale.

Funksioni i ri i SBB shkakton konfuzion te udhëtarët

Një funksion i ri në makinat e biletave të hekurudhave zvicerane (SBB), i prezantuar në shtator 2025, po shkakton paqartësi te udhëtarët. Ky opsion u lejon klientëve që biletën ta ngarkojnë drejtpërdrejt në kartën SwissPass, pa pasur nevojë për biletë fizike.

Megjithatë, problemi kryesor është se këto bileta nuk shfaqen në aplikacionin mobil të përdoruesit. Si pasojë, shumë udhëtarë mendojnë se nuk kanë blerë fare biletë, edhe pse pagesa është kryer me sukses.

Sipas SBB, funksioni është menduar kryesisht për persona që nuk përdorin smartphone, si fëmijët apo të moshuarit. Gjatë kontrollit, stafi skanon kartën SwissPass dhe sistemi konfirmon se udhëtimi është i paguar, edhe nëse bileta nuk është e dukshme për vetë përdoruesin.

Të dhënat tregojnë se më pak se 0.5% e biletave shiten përmes këtij opsioni, ndërsa kompania nuk planifikon ndryshime të mëdha në ndërfaqe, pasi ankesat kanë qenë të pakta.

SBB sqaron se në makinë ofrohen dy zgjedhje të qarta: biletë e printuar ose ngarkim në SwissPass. Fatura e printuar shërben vetëm si dëshmi pagese dhe nuk është biletë valide për udhëtim.

Udhëtarët që duan të kenë biletën të dukshme në aplikacion këshillohen ta blejnë atë drejtpërdrejt përmes telefonit mobil, për të shmangur konfuzionin gjatë udhëtimit.

Rrezik i shtuar nga ortekët në Zvicër gjatë Pashkëve

Mot i ngrohtë dhe reshje të shumta bore kanë rritur ndjeshëm rrezikun nga ortekët në zonat malore të Zvicrës, pikërisht në prag të festave të Pashkëve.

Autoritetet paralajmërojnë se situata është veçanërisht e rrezikshme në rajonin Alpstein, ku rekomandohet shmangia e aktiviteteve si ecja apo ski jashtë pistave. Në disa zona malore, brenda një jave ka rënë deri në një metër borë e re, ndërsa erërat e forta kanë krijuar shtresa të paqëndrueshme.

Ekspertët theksojnë se rreziku për ortekë mbetet i lartë, sidomos në terrene të pjerrëta dhe gjatë orëve të pasdites, kur temperaturat rriten. Për këtë arsye, këshillohet kujdes maksimal, planifikim i mirë dhe shmangie e zonave të rrezikshme.

Deri më tani, këtë sezon janë raportuar 15 viktima nga ortekët në Zvicër.

Lufta në Lindjen e Mesme ndryshon destinacionet e pushimeve për turistët zviceranë

Me fillimin e pushimeve të Pashkëve, tensionet ndërkombëtare po ndikojnë ndjeshëm në planet e udhëtimit të qytetarëve zviceranë. Konflikti në Lindjen e Mesme ka bërë që shumë turistë të shmangin këtë rajon, duke zgjedhur destinacione që perceptohen si më të sigurta.

Sipas Stéphane Jayet, nënkryetar i Federatës Zvicerane të Udhëtimeve, rezervimet për destinacionet në Lindjen e Mesme kanë rënë me 15 deri në 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ai thekson se shumë qytetarë kanë ndryshuar planet e tyre për shkak të situatës së pasigurt në rajon, transmeton albinfo.ch.

Në vend të kësaj, qytete evropiane si Barcelona, Lisbona dhe Porto po përjetojnë kërkesë të lartë, kryesisht falë fluturimeve direkte dhe sigurisë më të madhe. Gjithashtu, udhëtimet me tren po bëhen gjithnjë e më të preferuara, si rezultat i përmirësimeve në rrjet dhe ofertave më të favorshme.

Evropa dhe Karaibet përfitojnë më shumë

“Turistët po orientohen më shumë drejt Evropës Perëndimore, si Spanja dhe Portugalia, ose po zgjedhin destinacione më të largëta si Karaibet, për shembull Santo Domingo,” deklaroi Jayet.

Ndërkohë, edhe udhëtarët që kishin planifikuar të udhëtonin drejt Azisë përmes aeroporteve tranzit në Lindjen e Mesme janë detyruar të rishikojnë itineraret e tyre.

Rritet turizmi i brendshëm në Zvicër

Zvicra vetë po përfiton nga kjo situatë. Rajoni i Ticinos mbetet ndër destinacionet më të preferuara brenda vendit. Sipas organizatës TicinoTurismo, më shumë se gjysma e dhomave të hoteleve në zonën e Locarnos ishin të rezervuara që në fillim të javës, ndërsa në Lugano shkalla e zënies ka arritur në 60%.

Edhe zonat malore, veçanërisht në Valais dhe Grisons, po tërheqin turistë që kërkojnë natyrë dhe ajër të pastër.