Mbi 3 mijë pako të votuesve jashtë vendit refuzohen nga KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot në ora 10:00 për ecurinë e aktiviteteve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna të vendit. Sipas raportit zyrtar, deri tani janë pranuar gjithsej 12,018 pako me fletëvotime brenda Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Nga procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellë deri më tani në vendin tonë, janë aprovuar 8,932, ndërkaq janë refuzuar 3,086. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 3,009 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, njoftoi KQZ.

“Gjatë datave 11–12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete janë tërhequr 13,084 pako të votuesve që kanë dërguar fletëvotimet e tyre me postë. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar nga jashtë për këto komuna është 29,752”.

KQZ njofton se për shkak të distancës së madhe, 519 pako të tjera nga SHBA, Kanada dhe Australi ende nuk kanë arritur në Kosovë. Sipas KQZ-së, këto do të vlerësohen dhe numërohen menjëherë sapo të mbërrijnë.

Paralelisht me këtë proces, KQZ ka numëruar të premten rreth 750 fletëvotime nga votimi me kusht, si dhe 1,441 fletëvotime nga votimi i personave me nevoja të veçanta, përfshirë fletëvotimet e mundësuara përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve.

Rezultatet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta janë publikuar tashmë në platformën zyrtare të rezultateve, në seksionin e veçantë “Rezultatet QNR”.

Në të njëjtën platformë do të publikohen edhe rezultatet pas numërimit të fletëvotimeve me postë jashtë Kosovës, sapo të përfundojë procesi.

KQZ ka theksuar se të gjitha procedurat po zhvillohen me transparencë të plotë dhe se përditësimet e tjera do të jepen në vazhdimësi, deri në përfundimin e numërimit përfundimtar të votave.

Kosova sfidon sonte Slloveninë për ëndrrën e Botërorit

Sot, Kombëtarja e Kosovës zhvillon ndeshjen e parafundit të Grupit B në udhëtim te Sllovenia, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

Ndeshja do të luhet në stadiumin “Stozhice” të Lubjanës, nga ora 20:45.

Për Kosovën, një rezultat pozitiv ka rëndësi të madhe, pasi një barazim do të sigurojë pozitën e dytë dhe pjesëmarrjen në ‘play-off’ për Botërorin. Trajneri Franco Foda ka të gjithë lojtarët në dispozicion, përveç portierit Arijanet Muriç, i cili mungon për shkak të kartonëve.

UEFA ka caktuar treshen franceze të gjyqtarëve: Clément Turpin kryesor dhe Nicolas Danos e Benjamin Pages si anësorë.

Dje, Foda theksoi se ndeshja do të vendoset nga detaje të vogla dhe vlerësoi Slloveninë si një skuadër të fortë, me lojtarë cilësorë si Sesko. Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës është në formë të mirë dhe se Amir Rahmani, pavarësisht ngarkesës së fundit me Napolin, mund të luajë rol të rëndësishëm.

Dy automjete dhe një zyrë përfshihen nga flakët në Bazel, dyshohet zjarrvënie

Një zjarr shpërtheu pas mesnatës së së shtunës në Bazel, duke përfshirë dy automjete dhe një zyrë në zonën Giessliweg/Kleinhüningerstrasse, transmeton albinfo.ch.

Referuar policisë kriminale, incidenti ndodhi rreth orës 03:00 në depon e kthimit të një shitësi me pakicë.

Për shkak të tymit dhe nxehtësisë së madhe, zjarrfikësit evakuuan përkohësisht ndërtesën, por nuk u raportuan të lënduar. Policia po heton rastin dhe dyshon për zjarrvënie të qëllimshme.

https://www.blick.ch/schweiz/basel/war-es-brandstiftung-in-basel-fangen-autos-und-buero-feuer-id21424323.html

Vijon numërimi i votave të diasporës; pritet mbërritja e votave nga SHBA, Kanadaja dhe Australia

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 Komunave, përcjell albinfo.ch.

Numri i fletëvotimeve që do të numërohen gjatë ditës së shtunë është rreth 9 mijë pako me fletëvotime, por në këtë numër ende nuk përfshihen fletëvotimet e tërhequra nga kutitë postare në SHBA, Kanada dhe Australi, që për shkak të largësisë ende nuk kanë arritur në Kosovë.

Këto detaje u bënë të njohura nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Gjatë ditës së premte, është përmbyllur procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellur deri më tani në Kosovë. Për shkak të largësisë, ende nuk janë sjellur në Kosovë 519 pakot me fletëvotime nga kutitë postare në ShBA, Kanadë dhe Australi, vlerësimi dhe numërimi i të cilave do të bëhet pasi të arrijnë”, tha Elezi.

“Nga procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellë deri më tani në vendin tonë, janë aprovuar 8,932, ndërkaq janë refuzuar 3,086. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 3,009 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi.

Më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime. Numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës dhe që i takonin këtyre 18 komunave është: 29,752.

Të premten, KQZ ka numëruar rreth 750 fletëvotime nga votimi me kusht i mundësuar në vnevotime të veçanta dhe 1,441 fletëvotime nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile.

Zvicra mbështet mbrojtjen sociale në Shqipëri me 2 milionë franga

Zvicra ka nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi për programin “Askush Të Mos Mbetet Pas”, duke siguruar 2 milionë franga zvicerane për përmirësimin e shërbimeve sociale në Shqipëri. Marrëveshja u firmos nga Ambasadorja Ruth Huber, së bashku me përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe sistemit të OKB-së, përcjell albinfo.ch.

Qëllimi i programit është forcimi i shërbimeve sociale për kategoritë më të cenueshme, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë vendor.

“Shërbimet sociale duhet të jenë të qëndrueshme dhe të aksesueshme në të gjithë vendin”, theksoi Ambasadorja Huber gjatë ceremonisë.

Ky angazhim i ri përforcon partneritetin afatgjatë mes Zvicrës dhe Shqipërisë në fushën e zhvillimit social.

Ka humbur jetën i plagosuri në atentatin në Rinas

Agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Mustafa Sheqeri, i plagosur rëndë në atentatin e së martës në rrethrrotullimin e Rinasit, ka ndërruar jetë gjatë natës. Lajmi u konfirmua nga Policia e Tiranës, e cila njoftoi se pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, Sheqeri nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

Në të njëjtin atentat u ekzekutua edhe Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, pak pasi Dani dhe Sheqeri ishin kthyer nga Barcelona, ku kishin udhëtuar më 7 nëntor.

Autorët i zunë pritë sapo ata u nisën drejt Tiranës me një automjet tip “Mercedes-Benz”. Mbi 50 gëzhoja kallashnikovi u gjetën në vendngjarje, duke treguar përdorimin e të paktën tre armëve automatike.

Pak orë më vonë, policia gjeti në fshatin Halil të Fushë-Krujës automjetin e djegur të autorëve. Brenda tij u gjetën katër armë – tre kallashnikovë dhe një pistoletë – që dyshohet se u përdorën në atentatin e Rinasit.

Hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë vijojnë.

Ekonomia zvicerane mund të marrë frymë më lirishëm pas marrëveshjes me SHBA-n

 

Siç ka shkruar dje Albinfo.ch, Zvicra ka arritur dje një marrëveshje me SHBA-në që ul tarifat amerikane nga 39% në 15%.

Kjo i rikthen kompanive zvicerane kushte më të drejta konkurimi ndaj atyre të BE-së, veçanërisht në industrinë e makinerive, elektrike, metaleve dhe prodhimin e orëve, të cilat kanë qenë të prekura rëndë nga tarifat e larta të muajve të fundit.

Megjithatë, ulja e tarifave vjen me një çmim: bizneset zvicerane pritet të investojnë rreth 200 miliardë dollarë në SHBA, një e treta që vitin e ardhshëm. Kompani si Roche, Novartis, Stadler Rail dhe Pilatus do të zgjerojnë prodhimin dhe vendet e punës në Amerikë, gjë që dobëson Zvicrën si vend prodhimi.

Edhe pse tarifa 15% është më e ulët, ajo mbetet e lartë krahasuar me vitin e kaluar. Për më tepër, eksportet zvicerane vazhdojnë të përballen me sfida si ekonomia e dobët në disa tregje dhe franga e fortë.

Kanada: Flutura emërohet Drejtore e Programeve në Artistè Foundation

Artistè Foundation në Kanada ka njoftuar emërimin e Flutura Mazreku Seeback si Drejtore e Programeve, duke i shtuar ekipit drejtues një profesioniste me përvojë të thellë në çështjet e refugjatëve dhe diplomacinë komunitare, transmeton albinfo.ch.

Me origjinë nga Kosova dhe shtetësi kanadeze, Flutura mbërriti në Kanada si refugjate në vitin 1999. Që atëherë, ajo është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në shërbim publik dhe në forcimin e lidhjeve mes komuniteteve shqiptare dhe institucioneve kanadeze.

Flutura mban një diplomë Bachelor në Jurisprudencë dhe Filozofi, si dhe një Master në të Drejtën Ndërkombëtare të Refugjatëve. Karriera e saj përfshin role të rëndësishme në Parlamentin Federal dhe Qeverinë e Kanadasë, ku ka udhëhequr iniciativa të orientuara drejt dhembshurisë, barazisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Me përkushtim të thellë ndaj rrënjëve të saj dhe vendit që e ka mirëpritur, Flutura ka qenë një urë lidhëse kulturore dhe diplomatike mes komuniteteve. Vizionin e saj e përputh në mënyrë të natyrshme me misionin e Artistè Foundation për të amplifikuar zërat e refugjatëve dhe të ardhurve përmes artit, avokimit dhe fuqizimit.

Artistè Foundation shpreh vlerësimin dhe entuziazmin për pranimin e Fluturës në ekipin udhëheqës, duke theksuar besimin se ajo do të sjellë ndikim të rëndësishëm dhe transformues në mbështetje të komuniteteve që organizata synon të fuqizojë çdo ditë.

Dy të rinj shqiptarë nënshkruajnë marrëveshje me gjigantin amerikan Ripple

Kompania fintech e themeluar në Shqipëri, T-Blocks, ka njoftuar partneritetin strategjik me gjigantin amerikan të blockchain-it, Ripple, për të lançuar tokenizimin e aseteve të botës reale (RWA) në bursën XRP Ledger (XRPL), përcjell albinfo.ch.

Sipas marrëveshjes, T-Blocks do të dixhitalizojë rreth 50 milionë euro asete nga fondi i saj me seli në Luksemburg, duke u lejuar investitorëve që t’i tregtojnë ato online përmes XRPL. Kompania theksoi se projekti fillestar do të fokusohet në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit, duke tokenizuar mundësi në pasuri të paluajtshme, mikpritje dhe energji të rinovueshme.

E themeluar në vitin 2023 nga dy sipërmarrës të rinj shqiptarë, Eni Shtini dhe Henri Ndreca, T-Blocks operon aktualisht nga Luksemburgu. Më herët gjatë këtij viti kompania lançoi një fond investimi të dedikuar diasporës, me synimin për të ofruar qasje më të lehtë në investime në real estate dhe energji të gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Ripple, kompania që qëndron pas XRPL, ofron një platformë të avancuar për tregtimin e kriptomonedhave dhe pagesa ndërkombëtare me shpejtësi dhe kosto më të ulët sesa sistemi tradicional SWIFT. Kapitalizimi aktual i XRPL vlerësohet rreth 160 miliardë dollarë dhe pritet të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme.

Çfarë është tokenizimi i aseteve reale?

Tokenizimi i aseteve të botës reale përfshin konvertimin e të drejtave të pronësisë së aseteve financiare, fizike ose tradicionale në tokenë dixhitalë të regjistruar në blockchain. Ky proces lidh financat tradicionale me ekosistemin e financave të decentralizuara (DeFi), duke sjellë likuiditet të ri për asete që zakonisht janë të vështira për t’u tregtuar, si pasuritë e paluajtshme, obligacionet, ari apo veprat e artit.

Tokenizimi konsiderohet nga shumë ekspertë si faza e ardhshme e evolucionit të tregjeve financiare, pasi u mundëson investitorëve pjesëmarrje më të lehtë, transparente dhe të ndarë në asetet fizike—p.sh., pronësi të pjesshme në një apartament ose projekt energjetik.

Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë

Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë vit, shoqata “17 Shkurti”, në Baden të Austrisë ka organizuar një manifestimin për nder të Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, shkruan albinfo.at.

Në këtë manifestim pritet të mblidhen numër i madh i bashkatdhetarëve tanë në Austri si dhe miq austriakë.

“Festë e madhe në Baden

Shoqëria kulturore artistike “17 SHKURTI” , ju fton në koncertin e saj madhështor kushtuar 113 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Këngë, valle dhe krenari kombëtare. Tre breza bashkë në skenë. Ju mirëpresim!”, ka shkruar në njoftimin e tij, organizatori Tahir Turkaj, përcjell albinfo.at.

Manefistimi do të moderohet nga Dorentina Nuredini dhe Edona Durmishi, ndërkohë të pranishmit do t’i argëtoj këngëtari i njohur, Yll Demaj.

Koncerti do të mbahet ditën e shtunë, (15.11.2025) duke filluar nga ora 16:00 në Waltersdorfstraße 40, 2500 Baden.

Shaqiri rikthen historinë e Botërorit 2018: U provokuam shumë

Xherdan Shaqiri, një nga futbollistët më të rëndësishëm në historinë e Zvicrës, ka rikthyer në vëmendje festimin e bujshëm me shqiponjën dykrenore në Botërorin 2018, pas golit kundër Serbisë. Në të njëjtën ndeshje, edhe Granit Xhaka festoi në mënyrë të ngjashme, një gjest që u komentua gjerësisht në mediat ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

I ftuar në emisionin “Gredig direkt” në televizionin zviceran SRF, Shaqiri tregoi se ai dhe familja e tij kishin përjetuar provokime të vazhdueshme nga tifozët serbë ditë para ndeshjes.

“Shumë gjëra janë shkruar atëherë. Familjet tona dhe ne u provokuam jashtëzakonisht shumë, sidomos në rrjetet sociale. Kjo na krijoi një ndjenjë të fortë për të fituar. Në fund, vetëm fitorja sportive kishte rëndësi”, ka deklaruar ai.

Shaqiri, me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit, ka zhvilluar 125 ndeshje për Zvicrën, duke u bërë një prej figurave më të rëndësishme të “Nati”-t. Ai foli edhe për të ardhmen e tij, mundësinë e rikthimit te Baseli, si dhe për lidhjet emocionale me Kosovën.

Sfida Zvicër–Kosovë, e cila mund të jetë vendimtare në kualifikimet për Botërorin, pritet të ketë një domethënie të veçantë për të.

“Sigurisht jam për të dyja, për Kosovën dhe Zvicrën. Por do ta mbështes ‘Nati’-n”, u shpreh ai.

Shaqiri shtoi se Zvicra ka përfituar shumë nga diversiteti në përfaqësuese, duke theksuar se jo të gjithë zviceranët e kanë të njëjtin shpirt luftarak si kosovarët.

Erëza Suka pranë gjysmëfinales së “The Voice of Germany”

Erëza Suka, vajza e ish-futbollistit të njohur Bekim Suka dhe me origjinë nga Suhareka, po afirmohet me shpejtësi në skenën muzikore gjermane. E lindur dhe rritur në Perëndim, talenti i saj po spikat në spektaklin prestigjioz “The Voice of Germany”, transmeton albinfo.ch.

Me interpretimin e saj të fundit, Erëza bindi jurinë dhe siguroi kualifikimin në një fazë vendimtare të garës, ku kanë mbetur vetëm 16 konkurrentë, mes tyre edhe tetë këngëtarë të afirmuar, çka rrit ndjeshëm nivelin e konkurrencës.

Mbështetja për të është rritur dukshëm, veçanërisht nga komuniteti shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporë, të cilët e shohin si një ambasadore të denjë të talentit shqiptar në një prej skenave më të mëdha muzikore në Evropë.

Sonte pritet performanca e saj vendimtare, e cila mund ta dërgojë drejt gjysmëfinales së “The Voice of Germany”. /Albinfo.ch

 

Familja e Steve Jobsit vinte nga Zvicra

Rezulton se bashkëthemeluesi i Apple, Steve Jobs, kishte rrënjë zvicerane.

Hulumtime të reja kanë gjurmuar prejardhjen e tij në fshatin Neuenhof në kantonin e Aargau. Në mesin e viteve 1800, paraardhësit e tij – familja Schibli – emigruan në Shtetet e Bashkuara me ndihmë financiare nga autoritetet lokale.

Me të mbërritur në Amerikë, emri i tyre ndryshoi në Jobs, dhe breza më vonë, një nga pasardhësit e tyre do të revolucionarizonte teknologjinë moderne.

Ka pasur thashetheme të pakonfirmuara se familja e Jobs vinte nga Zvicra në të kaluarën, por tani një hetim i plotë dhe i detajuar e ka vërtetuar këtë.

Nga një fshat modest bujqësor zviceran në Silicon Valley – një udhëtim i jashtëzakonshëm familjar që ndryshoi botën në kuptimin e plotë të fjalës.

Planifikohet iniciativë për taksën e linjave ajrore

Një iniciativë qytetare për të frenuar rritjen e trafikut ajror dhe për të nxitur transportin publik po përgatitet për vitin e ardhshëm.

Grupi mjedisor actif-trafiC, i njohur për fushatën e tij kundër zgjerimit të autostradave, dëshiron të vendosë një taksë mbi biletat e avionit bazuar në parimin “ndotësi paguan”.

Udhëtarët e shpeshtë, pasagjerët e udhëtimeve të gjata dhe avionët e biznesit do të paguanin më shumë, me të ardhura të rishpërndara për publikun përmes kuponëve të lëvizshmërisë dhe të përdorura për të përmirësuar lidhjet hekurudhore, veçanërisht trenat e natës.

Mbështetësit thonë se qëllimi nuk është të ndalohet fluturimi, por të bëhet udhëtimi më i pastër më tërheqës.

Zvicër: Më pak vizita në aktivitetet kulturore, më shumë në festivale

Më pak njerëz në Zvicër kanë vizituar muzetë, koncertet ose kinematë sesa para pandemisë. Pjesëmarrja në koncerte dhe kinema ka rënë në veçanti ndjeshëm, pas periudhës së pandemisë. Zyra Federale e Statistikave raporton se vetëm monumentet dhe bibliotekat kanë qenë në gjendje të ruanin numrin e vizitorëve.

Shumë aktivitete janë zhvendosur tashmë në ambiente private.

Festivalet e mëdha të qyteteve dhe fshatrave po humbasin audiencën, veçanërisht midis të rinjve. Nga ana tjetër bumi i festivaleve përbën një përjashtim të qartë: në vitin 2024, 52 për qind e popullsisë ka marrë pjesë në një festival – një rekord i ri.

Në të njëjtën kohë, 79 për qind do të donin më shumë përvoja kulturore. Megjithatë, mungesa e kohës dhe kostoja e lartë i pengojnë shumë njerëz të dalin më shpesh.

Përballjet e mundshme të kuqezinjve në “Play-off”

Fitorja ndaj Andorrës jo vetëm i dha Shqipërisë tre pikë të arta, por e futi kuqezinjtë direkt në librat e historisë.

Skuadra e Sylvinhos është tashmë kombëtarja e parë evropiane që siguron matematikisht pjesëmarrjen në play-off-in e Kupës së Botës 2026, duke vulosur vendin e dytë në Grupin K pa pritur ndeshjen e fundit.

Tani, vëmendja është tërësisht te marsi dhe te shorti që do të përcaktojë rivalët e Shqipërisë në rrugën drejt Botërorit, transmeton albinfo.ch.

Ajo që pritet të zbardhet në ditët e ardhshme është vazoja ku do të pozicionohet Kombëtarja në short – mes vazos së dytë dhe asaj të tretë. Gjithçka varet nga renditja e re e FIFA-s për skuadrat e kualifikuara.

Për Shqipërinë, vazoja e dytë do të ishte një avantazh i madh, pasi mundëson që ndeshja e parë e play-off-it të luhet në shtëpi, përballë një rivali të vazos së tretë. Aktualisht, lëvizjet e rezultateve në Evropë – sidomos fakti që Islanda ka kaluar Ukrainën – kanë sjellë një ndryshim të përkohshëm të panoramës së vazove.

Në këtë moment, duke marrë parasysh renditjen aktuale, kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë në play-off do të ishin: Maqedonia e Veriut, Islanda, Bosnjë Hercegovina dhe Kosova.

Natyrisht, gjithçka mund të ndryshojë me ndeshjet e mbetura, por nëse situata mbetet kështu, kuqezinjtë do ta nisin play-off-in në “shtëpi”.

Vazot e mundshme të Play-off-it

VAZO 1: Itali, Turqi, Poloni, Hungari

VAZO 2: Skoci, Çeki, Sllovaki, Shqipëri

VAZO 3: Maqedoni e Veriut, Islandë, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë

VAZO 4: Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut

Reaksionet në Zvicër pas uljes së tarifave amerikane

Lajmi qendror sot në mediat zvicerane ishte padyshim ulja e tarifave të SHBA-së për eksportet zvicerane, nga 39% sa ishte në 15%. Këtë lajm e ka sjellë ministri i ekonomisë dhe nënpresidenti federal, Guy Parmelin. Ai ishte i angazhuari i drejtpërdrejtë i qeverisë së Zvicrës në bisedimet e lodhshme me përfaqësuesit e SHBA-së.

“Marrëveshja në mosmarrëveshjen” për tarifat me SHBA-në është një lajm pozitiv, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme zvicerane, thotë redaktori i biznesit i SRF, Matthias Heim. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në veçanti, kanë vuajtur më shumë nga tarifat e larta, të caktuara muaj më parë nga SHBA.

Pika thelbësore është se Zvicra tani është në të njëjtin nivel me konkurrentët e saj në BE, transmeton albinfo.ch. SHBA ka vendosur gjithashtu një tarifë prej 15 për qind edhe për produktet nga BE-ja.

Megjithatë, është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se situata për ekonominë zvicerane është ende dukshëm më e keqe krahasuar me fillimin e vitit, kur tarifat ende nuk ishin vendosur, vazhdon Heim.

Reagimet e partive

Politikanët zviceranë mbeten skeptikë sepse marrëveshja në mosmarrëveshjen për tarifat është ende jo detyruese. Bashkëpresidentja e FDP-së, Susanne Vincenz-Stauffacher, paralajmëron se klima e përgjithshme politike mund të ndryshojë.

Bashkëpresidenti i SP-së, Cédric Wermuth, është po ashtu skeptik. Shumë pak dihet ende për lëshimet që ka bërë Zvicra, thotë ai. Presidenti i Partisë së Qendrës, Philipp Matthias Bregy, thotë se nëse vendet e punës do të zhvendoseshin nga Zvicra në SHBA, kjo do të kishte gjithashtu pasoja negative.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popullore Zvicerane (SVP), Thomas Aeschi, thotë se partia e tij është e kënaqur me marrëveshjen e arritur. Ai shton se janë mbrojtur edhe interesat e bujqësisë.

Zvicër: Lindjet arritën nivelin më të ulët historik

Shkalla e lindshmërisë në Zvicër ka arritur një nivel historik të ulët. Shifrat e reja nga Zyra Federale e Statistikave tregojnë se gratë kishin një mesatare prej vetëm 1.29 fëmijësh në vitin 2024 – niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Sipas Tribune de Genève, nuk janë vetëm çiftet që presin më gjatë para se të kenë fëmijë, kryesisht për shkak të presionit të karrierës, por edhe 10% e 20- deri në 29-vjeçarëve nuk duan kurrë fëmijë në mënyrë aktive.

Krahasuar me Evropën, Zvicra renditet ndër vendet me shkallët më të ulëta të lindshmërisë, së bashku me Spanjën dhe Italinë – duke ngritur shqetësime afatgjata në lidhje me plakjen dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Dardanët të gatshëm për duelin ndaj Sllovenisë

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda dhe sulmuesi Vedat Muriqi kanë folur para ndeshjes në Slloveni.

Foda: Në ndeshjen e parë të dyja skuadrat luajtën mirë, me kujdes. Detajet do ta vendosin ndeshjen e dytë. Ekipi që do të jap më shumë në fushë do të fitojë. Detajet do të vendosin

Amiri i ka zhvilluar tri ndeshje të plota me skuadrën e Napolit. Është pak i ngarkuar, por ndikimi i tij në fushë është i rëndësishëm. Prania e tij në mbrojtje jep siguri. Presim që të jetë kështu edhe në ndeshjen e nesërme

Sheshko është lojtar shumë i rëndësishëm tek ekipi i Sllovenisë. Sllovenia ka edhe disa lojtarë tjerë të rëndësishëm. Përtej cilësisë individuale, Sllovenia ka lojë shumë të mirë ekipore.

E kemi analizuar ndeshjen që e kemi luajtur në fushën tonë. Kemi analizuar edhe ndeshjet e tjera të Sllovenisë. Jemi të vetëdijshëm për cilësitë e tyre. Jemi gati. Nesër është ndeshje shumë e rëndësishme dhe synimi jonë është fitorja.

Do të shohim nesër se si do të rrjedhë loja. Edon Zhegrova në ndeshjet e fundit ka luajtur më shumë, rreth 30 minuta luajti në ndeshjen e fundit. Pavarësisht se si do të shkojë loja do të marrim edhe vendimin.

Të gjithë lojtarët në mbrojtje kanë luajtur mirë. Ne kemi mundësi të shumta. Janë të gjithë të gatshëm për lojë. Të gjithë janë të rëndësishëm. I kam parë edhe në stërvitje paraprakisht. Kjo është më e rëndësishmja. Ne duhet të zgjedhim vetëm 11 lojtarë për ndeshje. E rëndësishme është që janë të gatshëm për lojë, jo vetëm qendërmbrojtësit, kjo më gëzon mua si trajner”

Vedat Muriqi: “Me mbrojtje dhe me kundërsulme po shpresojmë dhe besojmë që do ta ndëshkojmë Slloveninë dhe të shpresojmë të kualifikohemi në Kupën e Botës

Jam sulmues dhe si unë që shpresoj, ashtu edhe e gjithë shqiptaria shpreson të shënojë. Jemi 100 për qind të gatshëm për lojë. Gjithmonë kam thënë se gola për mua nuk ka rëndësi, rëndësi ka fitorja e ekipit. Sidomos me Kombëtare. Por nëse shënoj golin e fitores, nuk besoj se do të ketë ndonjë njeri më të lumtur se unë.

Normalisht, tabela momentalisht tregon që momentalisht ka bërë më mirë se Sllovenia, prandaj jemi katër pikë para Sllovenisë. Ata kanë treguar vetëbesim para mediave, por edhe ne jemi ambicioz. Megjithatë,  për ne e rëndësishme është ta sigurojmë plejofin e më pas të shohim se çfarë do të ndodhë.

Nëse kualifikohemi, shpresoj që edhe atje të shënojmë gol. Kur më pyete për premtimin se çfarë do të bëj nëse do të kualifikohemi, e di se e kishe për t’i prerë flokët. Por jo, kjo nuk do të ndodh. Më vjen keq”.

 

Merz kritikon braktisjen e Ukrainës nga burrat që kanë moshën për ushtri

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka avokuar që burrat e rinj të kryejnë shërbimin ushtarak në Ukrainë në vend që të largohen nga atdheu i tyre.

Ai me këtë deklarim të tij po reagonte ndaj rritjes së fundit të numrit të refugjatëve ukrainas, sidomos të meshkujve të rinj në Gjermani dhe në vende të tjera, transmeton albinfo.ch.

Këta të rinj janë të nevojshëm në Ukrainë, tha Merz gjatë një paraqitjeje në Berlin. Ai e kishte diskutuar çështjen në një bisedë telefonike me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, shkruan srf.ch.

Kancelari gjerman i ka kërkuar homologut të tij ukrainas të sigurohej që të rinjtë, në veçanti, të mos vijnë në Gjermani në numër gjithnjë e në rritje.

Edhe pse ligji ushtarak ndalon udhëtimin, Ukraina ka lejuar prej tashmë disa javësh të rinjtë e moshës 18 deri në 22 vjeç të largohen përsëri nga vendi.

Punëtorët e ndërtimit vazhdojnë të protestojnë

Qindra punëtorë ndërtimi hynë në grevë në Cyrih të premten. Sipas sindikatave Unia dhe Syna, shumë kantiere ndërtimi kishin ndërprerë punën. Punëtorë nga Zvicra qendrore dhe lindore, si dhe nga Graubünden, kishin udhëtuar gjithashtu për në Cyrih, që t`i bashkoheshin protestës, transmeton albinfo.ch.

Pas një takimi, ata kanë marshuar drejt selisë së Shoqatës së Ndërtuesve Zviceranë, shkruan srf.ch.

Për javë të tëra, punëtorët e ndërtimit kanë kërkuar kushte më të mira në marrëveshjen e re kolektive që duhet të dalë pas negociatave: më shumë orë pune miqësore për familjen, një pushim të paguar në mes të mëngjesit dhe asnjë kohë udhëtimi të papaguar.

Ende nuk është arritur asnjë marrëveshje. Nëse nuk gjendet zgjidhje deri në fund të vitit, një situatë pa kontratë për sektorin e ndërtimit në Zvciër kërcënon të ndodhë në vitin 2026.

Gjeneva do të votojë për kuponët prej 300 frangash për trajtimin e dhëmbëve

Të dielën e zgjedhjeve, më 30 nëntor, qytetarët e Gjenevës mund të votojnë për iniciativën e Partisë Social Demokrate “Për Kujdes Dentar të Përballueshëm për të Gjithë Popullsinë” dhe për një kundërpropozim të kësaj nisme popullore.

Iniciativa propozon një kupon vjetor me vlerë 300 franga për të mbuluar vizitat dentare, transmeton albinfo.ch. Një përfitim i tillë do t’u jepej individëve që kanë të drejtë për ulje të primeve, por nuk marrin ndonjë formë tjetër të ndihmës sociale.

Kjo do të koordinohej nga një zyrë stomatologjike kantonale e sapokrijuar. Kostot totale vlerësohen në 45.5 milionë franga zvicerane në vit, shkruan srf.ch.

Iniciativa mbështetet nga Partia Socialdemokrate (SP), Partia e Gjelbër dhe sindikatat. Këshilli i Shtetit dhe partitë e qendrës së djathtë konsiderojnë se iniciativa kushton shumë shtrenjtë.

Sigurimi dentar i refuzuar

Kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Gjenevës votojnë për kujdesin dentar, përcjell albinfo.ch. Ashtu sikurse Kantoni Vaud në vitin 2018 dhe Neuchâtel në 2022, ata hodhën poshtë një iniciativë kushtetuese kantonale për të krijuar sigurim të detyrueshëm dentar, në vitin 2019.

Kundërpropozimi i zhvilluar nga partitë e qendrës së djathtë dhe Këshilli i Shtetit kërkon sanksionimin e shëndetit dentar në ligj. Kundërpropozimi gjithashtu parashikon mbështetje financiare më të saktësuar.