Talibanët përfitojnë mbi 70 milionë dollarë nga fluturimet mbi Afganistan, ndikim edhe për Zvicrën

Fluturimet mbi Afganistan janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Iran, duke u kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për autoritetet talibane.

Rreth 2,000 avionë kalojnë çdo javë mbi hapësirën ajrore afgane, rreth pesë herë më shumë se një vit më parë. Për çdo fluturim, Talibanët vendosin një tarifë fikse prej rreth 700 dollarësh (rreth 550 franga zvicerane), duke gjeneruar mbi 1.4 milion dollarë në javë, ose më shumë se 70 milionë në vit.

Ndryshimet në rrugët ajrore globale, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë në veri dhe konfliktet në Lindjen e Mesme në jug, kanë bërë që shumë fluturime midis Evropës dhe Azisë të kalojnë përmes Afganistanit.

Edhe Zvicra preket nga kjo situatë. Shërbimi zviceran i kontrollit ajror Skyguide përfitoi vitin e kaluar rreth 623 milionë franga nga tarifat e mbikalimeve ajrore, të cilat ndihmojnë në funksionimin e sistemit të sigurisë së trafikut ajror. Ndërkohë, edhe kompanitë ajrore zvicerane dhe pasagjerët e tyre ndikohen nga rritja e kostove të fluturimeve dhe ndryshimi i rrugëve.

Ndryshe nga Evropa, ku tarifat llogariten sipas distancës dhe peshës së avionit dhe menaxhohen përmes Eurocontrol, Talibanët aplikojnë një tarifë fikse për çdo avion, pavarësisht karakteristikave të fluturimit. Afganistani, ndërkohë, nuk ka një sistem funksional të kontrollit të plotë të trafikut ajror, dhe pilotët komunikojnë drejtpërdrejt për pozicionet e tyre në hapësirë.

Gjykata në Gjenevë rikthen kufizimin e shpejtësisë 30 km/h në disa rrugë të qytetit

Gjykata e Drejtësisë në Gjenevë ka vendosur të rikthejë kufizimin e shpejtësisë prej 30 km/h në pjesë të ndryshme të qytetit, duke rrëzuar një vendim të mëparshëm që e kishte bllokuar zbatimin e tij të gjerë.

Vendimi vjen pas ankesës së paraqitur nga disa organizata mjedisore kundër anulimit të këtij kufizimi. Gjykata ka pranuar ankesën e tyre, duke i hapur rrugë kantonit të Gjenevës për të zbatuar planin që parashikon kufizimin e shpejtësisë në rreth 400 rrugë.

Megjithatë, çështja mund të dërgohet sërish në Gjykatën Federale, pasi palët kanë ende të drejtë apelimi.

Vendim i diskutuar

Një vit më parë, një gjykatë e kishte rrëzuar vendosjen e përgjithshme të kufizimit 30 km/h. Por më 14 prill, Gjykata Administrative e Gjenevës u rreshtua në favor të organizatave mjedisore.

Zëvendëspresidenti i Shoqatës së Transportit dhe Mjedisit në Gjenevë, Matthieu Jotterand, e përshëndeti vendimin: “Një e katërta e popullsisë së Gjenevës vuan nga zhurma e trafikut dhe humbet vite të jetës së shëndetshme për shkak të saj. Kufizimi në 30 km/h do të thotë gjithashtu më pak aksidente dhe më pak viktima në rrugë.”

Rasti i një polici të refuzuar nga gjykata

Vendimi ishte kundërshtuar nga një polic, i cili argumentonte se kufizimi i shpejtësisë e pengonte në kryerjen e detyrës së tij, sidomos gjatë ndërhyrjeve emergjente.

Megjithatë, gjykata nuk e pranoi këtë argument, duke theksuar se ai nuk kishte provuar ndikim të veçantë përveç një rritjeje të mundshme të kohës së udhëtimit. Në vendim theksohet gjithashtu se kufizimi i shpejtësisë ul ndotjen nga zhurma dhe rrit sigurinë për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.

Apel në Gjykatën Federale

Avokati i policit, Romain Jordan, ka njoftuar se do të apelojë vendimin në Gjykatën Federale, duke e cilësuar atë të pabazuar.

“Kur një polic thirret për ndërhyrje urgjente, ai ndikohet nga kufizimi 30 km/h, sidomos në zonat e kufizuara,” tha ai.

Planet e kantonit

Ndërkohë, autoritetet kantonale po presin vendimin përfundimtar të gjykatave për të vazhduar me zbatimin e planit të ri të mobilitetit. Këshilltari shtetëror Pierre Maudet u shpreh se proceset ligjore kanë zgjatur shumë dhe duhet të përfundojnë.

Plani parashikon që:

280 rrugë të jenë me kufizim 30 km/h gjatë gjithë kohës

120 rrugë të tjera të kenë kufizim vetëm gjatë natës

Sipas kantonit, këto masa do të aplikohen kryesisht në zona banimi.

Geci: Thaçi mund të përfundojë si Murseli, PDK reagon ashpër, VV distancohet

Një deklaratë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka shkaktuar përplasje të forta në Kuvend. Gjatë një seance parlamentare, ai përmendi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli dhe deklaroi se edhe ish-presidenti Hashim Thaçi mund të përballet me një fat të ngjashëm.

Kjo deklaratë u konsiderua e rëndë dhe provokuese, duke nxitur reagime të menjëhershme nga deputetët e opozitës nga PDK, të cilët e cilësuan si të papranueshme dhe fyese për figurat që lidhen me luftën çlirimtare.

Pas polemikave, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, u distancua nga qëndrimi i Gecit. Ajo theksoi se qëndrimet e subjektit të saj për luftën çlirimtare janë të qarta dhe publike, duke nënvizuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, si dhe duke shprehur respekt për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e vendit.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nga ulësja e saj, u distancua nga deklarimi i deputetit Geci.

“Ai qëndrim nuk është as i Kuvendit, as i Vetëvendosjes, as i imi si kryetare e Kuvendit, as i shefes të grupit parlamentar, prandaj natyrisht se distancimi nga një fjalim i tillë, është i kuptueshëm”, deklaroi Haxhiu.

 

Paracetamoli nuk ka lidhje me autizmin

Një studim i ri në shkallë të gjerë, i publikuar në JAMA Pediatrics, ka dalë në përfundimin se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk lidhet me rritjen e rrezikut për çrregullime të spektrit të autizmit tek fëmijët, duke sjellë rezultate qetësuese për nënat shtatzëna.

Kërkimi, i realizuar në Danimarkë, analizoi të dhënat e më shumë se 1.5 milion fëmijëve të lindur mes viteve 1997 dhe 2022. Studiuesit përdorën regjistrat kombëtarë shëndetësorë për të hetuar nëse ekspozimi ndaj paracetamolit gjatë shtatzënisë kishte ndonjë ndikim në zhvillimin e autizmit, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Rezultatet treguan se nuk ekziston asnjë lidhje domethënëse mes përdorimit të këtij medikamenti dhe rrezikut për autizëm, pavarësisht dozës së marrë apo periudhës së shtatzënisë.

Gjetjet mbetën të qëndrueshme edhe në analizat krahasuese mes vëllezërve dhe motrave, një metodë që konsiderohet më e besueshme pasi eliminon ndikimin e faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë të përbashkët.

Debati mbi sigurinë e paracetamolit gjatë shtatzënisë ishte rihapur muajt e fundit, pasi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave kishte këshilluar mjekët të tregojnë kujdes në përdorimin e tij.

Edhe Donald Trump kishte ngritur shqetësime për një lidhje të mundshme me autizmin, duke shtuar vëmendjen publike mbi këtë çështje.

Megjithatë, studimet e mëparshme kanë dhënë rezultate kontradiktore. Një kërkim në Suedi kishte sugjeruar fillimisht një rritje të lehtë të rrezikut, por kjo lidhje u zhduk kur u aplikuan metoda më të avancuara krahasuese brenda familjeve.

Sipas studiuesve, të dhënat e reja përforcojnë idenë se paracetamoli mund të përdoret me siguri relative gjatë shtatzënisë, kur është i nevojshëm dhe me rekomandim mjekësor.

Gjetjet pritet të ndihmojnë në uljen e ankthit tek prindërit dhe të ofrojnë udhëzime më të qarta për profesionistët e shëndetësisë.

Detajet nga krimi tronditës në Mal të Zi

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi në Podgoricë, ku u vranë tre persona, mes tyre dy vëllezër.

Autori i dyshuar, Vehid Murici, pas krimit të rëndë ka shkuar në shtëpi duke ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij.

Ndërkohë autoritetet e Malit të Zi janë vënë në kërkim të Vehid Muriqit me origjinë nga Rozhaja, transmeton albinfo.ch.

Ai dyshohet se me një mjet të ftohtë ka vrarë tre shokët e tij me të cilët ishin duke qëndruar në një banesë me qira në lagjen e njohur si “Aeroporti i Vjetër”.

I dyshuari besohet se ka shkuar në qytetin e tij të lindjes mbrëmë pas krimit, ku ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij në shtëpi.

Familja e ka raportuar rastin në polici dhe më pas krimi është zbuluar në Podgoricë.

Më pak aksidente në punë, por më shumë në kohën e lirë në Zvicër

Numri i aksidenteve në vendin e punës në Zvicër ka shënuar rënie, ndërsa aksidentet gjatë kohës së lirë janë në rritje, sipas të dhënave më të fundit nga siguruesi i aksidenteve Suva.

Sipas statistikave, gjatë vitit 2024 janë raportuar rreth 495 mijë aksidente dhe sëmundje profesionale, një rritje shumë e vogël krahasuar me vitin paraprak, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Aksidentet në punë kanë rënë me rreth 3.7%, duke zbritur në më pak se 180 mijë raste, ndërsa aksidentet jashtë punës janë rritur me rreth 2.2%, duke arritur në afro 298 mijë raste.

Sot, pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhin gjatë kohës së lirë – rreth 62% e rasteve, krahasuar me vetëm 38% në vendin e punës.

Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me përmirësimin e standardeve të sigurisë në punë dhe me faktin që njerëzit kalojnë më shumë kohë në aktivitete sportive dhe rekreative, ku rreziku për lëndime është më i lartë.

Ndërkohë, sportet si futbolli, skijimi dhe çiklizmi mbeten ndër shkaqet kryesore të aksidenteve gjatë kohës së lirë.

Gjykata Supreme refuzon anulimin e votimit për e-ID në Zvicër

Gjykata Supreme Federale në Zvicër ka refuzuar kërkesat për anulimin e votimit për identitetin elektronik (e-ID), duke konfirmuar vlefshmërinë e rezultatit të referendumit.

Ankesat ishin paraqitur nga grupe kundërshtuese, të cilat pretendonin se procesi i votimit ishte ndikuar në mënyrë të padrejtë. Megjithatë, gjykata më e lartë e vendit nuk gjeti baza ligjore për ta rrëzuar rezultatin, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Referendumi për e-ID u mbajt më 28 shtator 2025, ku ligji u miratua ngushtë me rreth 50.4% të votave pro, një nga rezultatet më të ngushta në vitet e fundit.

Ky vendim hap rrugën për zbatimin e sistemit të ri të identitetit elektronik, i cili do të jetë i menaxhuar nga shteti dhe synon të mundësojë identifikimin online për shërbime publike dhe private.

Debati për e-ID ka qenë intensiv në Zvicër, sidomos për çështje që lidhen me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave, ndërsa kundërshtarët kishin kërkuar anulimin e votimit për shkak të dyshimeve për ndërhyrje gjatë fushatës.

Alarm në Zvicër: Kanceri i zorrës së trashë po rritet tek personat nën 50 vjeç

Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Gjenevës, rreziku i shfaqjes së këtij kanceri tek të rinjtë është rritur mesatarisht me rreth 0.5% në vit që nga viti 1980.

Studimi, i publikuar në European Journal of Cancer, analizoi gati 100 mijë raste nga viti 1980 deri në 2021, duke zbuluar një trend shqetësues: rreth 7% e rasteve të reja sot prekin persona nën 50 vjeç, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Ky zhvillim është në kontrast të fortë me grupmoshat mbi 50 vjeç, ku rastet kanë rënë falë programeve të depistimit dhe diagnostikimit të hershëm.

Ekspertët e cilësojnë këtë trend si “alarmant”, ndërsa arsyet kryesore dyshohet të lidhen me ndryshimet në stilin e jetesës, përfshirë dietën dhe mungesën e aktivitetit fizik.

Ky fenomen nuk është i izoluar vetëm në Zvicër – rritja e rasteve të kancerit tek të rinjtë është vërejtur edhe globalisht, duke shtuar thirrjet për diagnostikim më të hershëm dhe rritje të ndërgjegjësimit.

Nuk dëbohet çifti kosovar që kishte marrë 750 mijë franga ndihma sociale

Një çifti nga Kosova, i varur nga ndihma sociale për dekada të tëra, i ishte revokuar leja e qëndrimit. Megjithatë, ata fituan në gjykatën ku bënë apelin.

Edhe pse gjykata arriti në përfundimin se “interes publik për deportim është i konsiderueshëm”, çiftit kosovar i lejohet të qëndrojë në Zvicër. Sfondi i çështjes përshkruhet në gazetën “Aargauer Zeitung”.

Burri ka jetuar në Zvicër për afërsisht 40 vjet. Më vonë ai u martua me gruan që ka tani, trnsmeton albinfo.ch. Të dy janë nga Kosova dhe kanë marrë leje qëndrimi të përhershme (Vizë C).

Në vitin 2020, Zyra për Migrim dhe Integrim revokoi lejen e qëndrimit të përhershëm të çiftit. Zyra në fjalë përmendi tre arsye kryesore për këtë:

Varësia afatgjatë nga ndihma sociale: Familja me katër fëmijë kishte marrë një total prej afërsisht 750,000 frangash zvicerane nga shteti gjatë një periudhe prej rreth 20 vjetësh.

Borxhet e larta: Sipas gazetës, burri kishte borxhe prej 26,000 frangash zvicerane në kohën e ndërhyrjes, dhe gruaja afërsisht 11,000 franga zvicerane.

Integrim i pamjaftueshëm profesional: Në vitin 2003, burri u tërhoq nga puna për shkak të problemeve me shpinën. Megjithatë, në raportin e tij të daljes nga spitali për rehabilitim, mjekët vunë re se ai ishte i aftë të kryente “punë më të lehta”.

Pasojat: Zyra e migracionit i dha çiftit vetëm një leje qëndrimi (Vizë B). Ndryshe nga një leje qëndrimi e përhershme (Viza C), kjo është e kufizuar në një maksimum prej pesë vjetësh. Autoritetet e bënë të qartë në atë kohë se nuk do tu jepej zgjatja e vizës nëse burri mbetej i papunë dhe i varur nga ndihma sociale. Gruaja pritej gjithashtu të gjente punë, të mbante një dosje të pastër kriminale dhe të menaxhonte borxhet e saj me përgjegjësi.

Në qershor të vitit 2024, zyra e migracionit refuzoi zgjatjen për të dy lejet e qëndrimit.

Gjykata Administrative e Kantonit të Aargaut shqyrtoi disa pika dhe mbështeti ankesën e çiftit: Të dy kanë jetuar në Zvicër për një kohë shumë të gjatë. Lidhjet familjare ekzistojnë, pasi të katër fëmijët e tyre jetojnë në Zvicër, përcjell albinfo.ch. Ekziston një “perspektivë e dobët” për riintegrim profesional dhe social në rast kthimi në Kosovë.

Për të kursyer në kostot e strehimit, çifti u zhvendos të jetonte me dy nga djemtë e tyre. Ata kanë filluar të shlyejnë borxhet e tyre.

Megjithatë gjykata kritikoi burrin në lidhje me përpjekjet e tij për kërkim pune. Ai ka deklaruar se ka punuar me kohë të pjesshme me ndërprerje që nga viti 2021.

Nga ana tjetër, gruaja u kritikua në lidhje me përpjekjet e saj për integrim. Sipas deklaratave të saj, ajo ka ndjekur një kurs gjermanishte në vitin 2024 për të përmirësuar perspektivat e saj të punës. Në të njëjtin vit, ajo filloi të kujdesej për vjehrrën e saj, për të cilën merr mbështetje financiare.

Gjykata i paralajmëroi të dy se “leja e tyre mund të revokohet nëse rrethanat përkeqësohen përsëri”.

Vendimi mund të apelohet ende dhe kështu mund të arrijë në Gjykatën Supreme Federale.

Mbi 100 familje në Gjenevë përballen me dëbim, nis dialogu për zgjidhje

Negociatat pritet të nisin së shpejti në Gjenevë, pas një konflikti të madh banesor që ka prekur mbi 100 familje dhe disa biznese lokale.

Rreth 107 familje dhe disa subjekte afariste në zonën e Boulevard Carl-Vogt kanë marrë njoftime për dëbim, të lidhura me plane për renovim të ndërtesave ku jetojnë prej vitesh, transmeton albinfo.ch.

Ky rast ka shkaktuar reagime të forta nga banorët, të cilët frikësohen se renovimet do të çojnë në rritje të qirave dhe largimin e tyre përfundimtar nga zona.

Situata është pjesë e një problemi më të gjerë në qytet, ku banorët shpesh përballen me presion për t’u zhvendosur për shkak të projekteve zhvillimore dhe interesave ekonomike.

Tani, palët pritet të ulen në tryezë për të gjetur një kompromis, ndërsa çështja mbetet një test i rëndësishëm për politikat e strehimit dhe mbrojtjen e banorëve në Gjenevë.

Haxhiu: Drejtësi e merituar, askush nuk mund të kryejë një krim të tillë pa u përballur me drejtësinë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit gjyqësor me burgim të përjetshëm ndaj përgjegjësve për vrasjen e Liridona Ademajt, duke e cilësuar atë si një akt të drejtësisë së merituar dhe të fortë ndaj një krimi që kishte tronditur opinionin publik.

Haxhiu theksoi se përpjekjet e të dënuarve për të fshehur krimin përmes skenarëve të rremë vetëm sa e kanë rënduar edhe më shumë aktin, duke e cilësuar vrasjen si mizore, transmeton albinfo.ch.

Ajo shtoi se asnjë vendim gjykate nuk mund ta kthejë Liridonën pranë familjes së saj, por vendimi i dhënë sipas saj konfirmon se askush nuk mund të planifikojë apo të kryejë një krim të tillë pa u përballur me drejtësinë.

Ministrja theksoi se lufta kundër femicidit kërkon institucione të forta, vigjilencë të vazhdueshme dhe zero tolerancë ndaj dhunës me bazë gjinore.

Në fund të reagimit të saj, Haxhiu u shpreh se ndodhet pranë familjes së viktimës dhe uroi që vendimi gjyqësor t’u sjellë sadopak lehtësim në dhimbjen e tyre.

Babai i Liridonës: Populli i dënoi ata

Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, ndërsa Kushtrim Kokalla u dënua me plot 30 vjet dënim.

Hajdar Ademaj, babai i të ndjerës ka folur për Klan Kosova, teksa tha se që të tre të akuzuarit i ka dënuar populli, transmeton albinfo.ch.

“Populli i ka dënuar ata. Faleminderit prej të gjithëve, e kam pritur këtë ditë me padurim, veç deshi Zoti dhe e mori dënimin e merituar. Ju faleminderit shumë”, tha babai i Liridonës.

Prezantohet në Lozanë libri “Për ata që s’u kthyen”

Një ngjarje kulturore me rëndësi për komunitetin shqiptar në Zvicër do të mbahet më 7 maj 2026, në ora 19:00, në Universitetin e Lozanës (UNIL), Géopolis, salla 1612, në Chavannes-près-Renens.

Bëhet fjalë për prezantimin e librit “Për ata që s’u kthyen”, nga autorja Edona B. Kelmendi, një vepër që sjell një dëshmi të fortë mbi luftën në Kosovë. Libri trajton: përjetimet e një fëmije gjatë luftës (masakrën e Qyshkut (Pejë), më 14 maj 1999) kujtesën, dhimbjen dhe mungesën.

Autorja ishte vetëm 10 vjeçe kur i përjetoi këto ngjarje, duke i dhënë rrëfimit një dimension të thellë dhe autentik Organizimi Ngjarja organizohet nga: LAPSH “Naim Frashëri” – Lozanë,  Shoqata e Studentëve të Lozanës (AEAUL) në bashkëpunim me albinfo.ch.

E hapur për publikun

Aktiviteti është i hapur për të gjithë dhe synon të forcojë kujtesën kolektive, dialogun ndërbrezor dhe ruajtjen e identitetit në diasporë.

Kurti për postin e presidentit: Opozita s’i ka votat as për aplikim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka thënë se po bën koncesion të madh me ofertat që ua ka dhënë dy partive, duke shtuar se në LVV katër vetë kanë më shumë vota se Hamza, derisa 10 vetë kanë më shumë vota se Abdixhiku, përcjell albinfo.ch.

“Çka të bëj me rezultatin zgjedhor që mi kanë dhënë 51.1%. Ata nuk i kanë votat as për t’i mbledhur nënshkrimet për një kandidat. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë as të aplikojnë. Për shembull a keni aplikuar për punë ju ndonjëherë? Paramendoje të mos i kesh dokumentet… e po thua a hy në punë, por ti s’i ke as dokumentet të aplikosh. Me ja dhënë atij po thua, por s’ia ka dhënë populli o vëlla, qysh me ia dhënë unë kur s’ia ka dhënë populli”, ka thënë Kurti.

Ambasadori amerikan në NATO arrin në Kosovë, pritet nga Prattipati

E ngarkuara me Punë në ambasadën amerikane, Anu Prattipati ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker.

Diplomati amerikan do të qëndrojë sot dhe nesër për vizitë në vendin tonë.

“E Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati, ka kënaqësinë të mirëpresë Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara në NATO, Ambasadorin Matthew Whitaker, në Ambasadën e SHBA-së gjatë vizitës së tij në Kosovë. Kjo vizitë është një mundësi për të diskutuar interesat e përbashkëta të sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të Kosovës në kontributin ndaj prioriteteve rajonale dhe globale të sigurisë së SHBA-së’’, thuhet në një njoftim të kësaj ambasade. 

Zvicër: Rriten pagat dhe fuqia blerëse për të dytin vit radhazi

Pagat në Zvicër kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke bërë që një pjesë më e madhe e të ardhurave të mbetet në dispozicion të qytetarëve. Sipas të dhënave të Federal Statistical Office (FSO), pagat nominale janë rritur mesatarisht me 1.8%, ndërsa pagat reale kanë shënuar një rritje prej 1.6%, përcjell albinfo.ch.

Kjo do të thotë se fuqia blerëse e qytetarëve është rritur për të dytin vit radhazi, në një periudhë kur inflacioni mbetet i ulët, në vetëm 0.2%. Sipas statistikave, kjo është rritja më e fortë e pagave reale që nga viti 2009, duke tejkaluar edhe rritjet e regjistruara në vitet 2015 dhe 2020. Për krahasim, rritja e vitit të kaluar ishte më e moderuar, vetëm 0.7%.

Megjithatë, zhvillimi i pagave nuk është i njëjtë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në sektorin e prodhimit, pagat nominale janë rritur me rreth 1.5%, ndërsa në sektorin e shërbimeve rritja ka qenë më e lartë, rreth 1.9%.

Brenda industrive, disa fusha kanë shënuar rritje të dukshme të pagave, përfshirë industrinë kimike dhe farmaceutike si dhe përpunimin e metaleve. Në anën tjetër, sektorë si inxhinieria mekanike dhe prodhimi i automjeteve kanë mbetur më prapa në krahasim me trendin e përgjithshëm.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se pagat e grave po rriten më shpejt se ato të burrave, duke sinjalizuar një dinamikë të re në tregun e punës zviceran. /Albinfo.ch

Flet Leonard Ademaj: Lehtësim për familjen tonë

Vëllai i Liridona Ademaj, Leonard Ademaj tha se vendimi me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe më 30 vite burgim për Kushtrim Kokallën nuk shkon vetëm për familjen, por edhe për motrën e tij të ndjerë dhe fëmijët e saj.

Pas seancës së sotme ku trupi gjykues i shpalli fajtor Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën për vrasjen e Liridona Ademaj, vëllai i saj Leonardi tha se dënimi i shqiptuar sot është mësim për të tjerët që krijojnë mundësi për krime të tilla, transmeton albinfo.ch.

“Ajo se çfarë u vërtetua sot është ajo që e kemi thënë që nga fillimi se, Naimi së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës, e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim sot nuk shkon vetëm për ne, shkon për Liridonën, shkon dhe për fëmijët e saj, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht. Andaj, ky dënim duhet të jetë edhe një mësim për të gjithë ata, të cilët mundohen apo krijojnë mundësi që ta bëjnë një krim të tillë”, tha ai.

“Sado pak na ka lehtësuar dhimbjen edhe neve, edhe familjes, e po besoj që ishte një vendim të cilin e kemi pritur të gjithë populli shqiptar, jo vetëm ne familja”, tha ai.

Ndërsa, avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla tha se vendimin e shkallës së parë për të akuzuarin Kushtrim Kokalla do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit.

Syla tha se sot drejtësia foli dhe nxori vendim konform provave materiale.

Gjykata Themelore e Prishtinës sot i ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën e ka dënuar me 30 vite burgim.

Që të tre sot u shpallën  fajtor për vrasjen e Liridona Ademaj, që ndodhi në fund të nëntorit 2023.

Klubi zviceran refuzon koncertin e Kanye West

Klubi i futbollit FC Basel ka refuzuar një kërkesë për organizimin e një koncerti të reperit amerikan Kanye West në stadiumin St. Jakob-Park.
Artistit amerikan, i njohur edhe me emrin Ye, i ishin planifikuar disa koncerte në Evropë gjatë muajve të ardhshëm. Megjithatë, disa prej tyre janë anuluar ose shtyrë gjatë dy javëve të fundit, përcjell albinfo.ch.

48-vjeçari është kritikuar gjerësisht për deklarata antisemitike dhe për shprehje admirimi ndaj Adolf Hitler, gjë që ka nxitur reagime të forta në opinionin publik.

Klubi kampion i Zvicrës tha se është i interesuar ta përdorë më shumë stadiumin për aktivitete të ndryshme dhe se shqyrton me kujdes çdo kërkesë për evente të tilla.
“Në këtë rast, FC Basel mori një kërkesë dhe e shqyrtoi atë”, tha një zëdhënës i klubit.
“Megjithatë, pas një vlerësimi të detajuar, vendosëm të mos e vazhdojmë projektin, pasi në përputhje me vlerat tona nuk mund t’i ofrojmë një platformë artistit në fjalë.” (AFP)/Albinfo.ch

Zvicra kryeson botën për numrin e ekspertëve të Inteligjencës Artificiale për banor

Zvicra është renditur në vendin e parë në botë për numrin e studiuesve dhe zhvilluesve të Inteligjencës Artificiale për frymë të popullsisë. Të dhënat vijnë nga raporti i vitit 2026 i AI Index Report, i publikuar nga Stanford Institute for Human-Centered Artificial Intelligence në kuadër të Stanford University, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit, në vitin 2025 Zvicra kishte 110.5 studiues dhe zhvillues të AI për çdo 100 mijë banorë, duke u renditur kështu në vendin e parë në nivel global. Pas saj vjen Singapore me 109.5 ekspertë për 100 mijë banorë.

Ky rezultat konfirmon reputacionin e Zvicrës si një nga qendrat më të rëndësishme në botë për kërkime në fushën e Inteligjencës Artificiale, përqendrimin e talenteve dhe zhvillimin e inovacionit teknologjik.

Në fakt, vendi njihet prej kohësh për performancën e lartë në inovacion. Zvicra është shpallur për 15 vite radhazi si vendi më inovativ në botë, duke ruajtur një pozicion dominues në fusha të ndryshme të kërkimit shkencor dhe teknologjik. /Albinfo.ch

Zvicër: Banorët përplasen për gjelat, lopët dhe kamionin e qumështit

Një debat i pazakontë ka shpërthyer në fshatin Val de Bagnes, ku disa banorë janë ankuar për zhurmën e gjelave, kamionin e qumështit që kalon shumë herët në mëngjes dhe erën e plehut të lopëve që përhapet në zonë, përcjell albinfo.ch.

Sipas banorëve që kanë paraqitur ankesat, këto elemente po prishin qetësinë dhe komoditetin e përditshëm. Por reagimi nga pjesa tjetër e komunitetit nuk ka munguar.

Në përgjigje të këtyre ankesave, një grup banorësh që mbështesin traditat bujqësore të zonës ka nisur një peticion. Ata kërkojnë nga autoritetet lokale që karakteri rural i rajonit të njihet zyrtarisht, duke argumentuar se zhurma e gjelave dhe aromat e fermave janë pjesë e pandashme e jetës në fshat.

Shumë banorë kanë theksuar gjithashtu se kushdo që shqetësohet nga kjo atmosferë tipike rurale, ndoshta do të duhej të jetonte në qytet dhe jo në një zonë bujqësore. Debati ka hapur diskutime më të gjera rreth bashkëjetesës mes jetës tradicionale në fshat dhe pritjeve të reja të disa banorëve./Albinfo.ch

Zvicër: Produktet për lënien e duhanit deri pesë herë më të shtrenjta se jashtë vendit

Lënia e duhanit në Zvicër rezulton të jetë dukshëm më e shtrenjtë sesa në vendet fqinje. Produktet zëvendësuese të nikotinës, të cilat ndihmojnë duhanpirësit të heqin dorë nga cigaret, në shumë raste kushtojnë deri në pesë herë më shumë se jashtë vendit, përcjell albinfo.ch.

Një shembull i qartë është çmimi i çamçakëzëve me nikotinë. Një paketë me 210 copë kushton rreth 22 franga në një farmaci në qytetin francez Annemasse, pranë kufirit me Zvicrën. Ndërsa në Gjenevë, për të njëjtin produkt dhe në të njëjtën sasi, qytetarët duhet të paguajnë rreth 109 franga.

Sipas Shoqatës së Farmacistëve të Zvicrës, PharmaSuisse, kjo diferencë e madhe çmimesh lidhet me disa faktorë. Çmimet përcaktohen nga tregu specifik i vendit, kërkesat rregullatore si dhe legjislacioni lokal i taksave.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është mbështetja nga sigurimet shëndetësore. Në Francë, rreth 65 për qind e kostos së këtyre produkteve mbulohet nga sigurimi shëndetësor, gjë që e bën më të lehtë për qytetarët të lënë duhanin. Në Zvicër, megjithatë, një mbulim i tillë nuk ekziston, duke e bërë procesin e lënies së duhanit më të kushtueshëm për shumë njerëz. /Albinfo.ch

Naim Murseli dhe Granit Plava dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

Kosovë – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselin e Granit Plavën. Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim. Vendimi është marrë në seancën e mbajtur të martën, përcjell albinfo.ch.

Murseli, bashkëshorti i Ademajt, Plava e Kokalla, të cilët nuk kanë qenë prezent në sallë kur është shpallur vendimi, akuzoheshin për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-ës.

Të tre sipas aktakuzës ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, në aktakuzë thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Tom Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në tri vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli u pat deklaruar i pafajshëm. Plava nuk u pat deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla pati kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen./Albinfo.ch