X

Na ndiqni:

KQZ: Deri në ora 11:00 votuan 160 mijë qytetarë

Duke u mbështetur në të dhënat preliminare të KQZ-së nga më shumë se 97% e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është 162,439 votues apo 8.29%.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi po vazhdon pa probleme.

“Procesi i votimit po zhvillohet sipas planifikimeve. Sipas të dhënave nga komisionet komunale, deri tash votimi po zhvillohet në kushte të rregullta dhe pa probleme”, ka thënë ai në konferencën e orën 11:30, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën kohë në zgjedhjet e 28 dhjetorit patën votuar 8.27 për qind.

Osmani: Shpresoj që sot të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova të festojë dhe të fitojë

Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e saj të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për një proces zgjedhor të rregullt dhe demokratik.

Pas votimit, Osmani u shpreh se pret që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe transparente, duke kontribuar në forcimin e demokracisë dhe në formimin e shpejtë të institucioneve të reja në vend.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së gjerë në zgjedhje, transmeton albinfo.ch.

“Dua t’u uroj të gjithë qytetarëve një proces të rregullt, i cili kontribuon në demokraci dhe në krijimin sa më shpejt të institucioneve, në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza. Shpresoj që sa më shumë qytetarë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike. Njëkohësisht i falënderoj të gjitha institucionet që gjatë ditës do të jenë në terren për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”, deklaroi ajo.

Osmani e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një moment të rëndësishëm për vendin, duke shprehur besimin se qytetarët do të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm politik të Kosovës.

“Shpresoj që sot të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova të festojë dhe të fitojë”, u shpreh ajo.

Sipas Osmanit, vota e qytetarëve do të jetë vendimtare për formimin e institucioneve të reja dhe për tejkalimin e krizës politike në vend.

Abdixhiku: Sot vendoset fati i Republikës

Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, pasi ushtroi të drejtën e votës, e ka cilësuar ditën e zgjedhjeve si festë të demokracisë dhe ka ftuar qytetarët për pjesëmarrje masive në votime.

“Zgjedhjet janë festë për popullin tonë, janë festat e demokracisë, e shprehjes së lirë, e vullnetit të popullit të Kosovës. Sot presim të kemi zgjedhje të mira dhe demokratike”, deklaroi Abdixhiku.

Ai vlerësoi punën e institucioneve dhe akterëve të përfshirë në procesin zgjedhor, duke përfshirë komisionerët, vëzhguesit, Prokurorinë, Policinë e Kosovës, KQZ-në dhe mediat, transmeton albinfo.ch.

“Janë të gjitha kushtet që populli i Kosovës të vendosë fatin për katër vitet e ardhshme. Sot, brenda 12 orëve, vendoset fati i Republikës, prandaj çdo votë ka rëndësi”, u shpreh ai.

Abdixhiku theksoi pritjet për pjesëmarrje të lartë në zgjedhje dhe zhvillim të rregullt të procesit zgjedhor.

Voton Albulena Haxhiu, thirrja e saj për këtë ditë të rëndësishme

U.d. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, pasi ushtroi të drejtën e votës në shkollën fillore “Meto Bajraktari”, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së lartë në forcimin e demokracisë.

“Me këtë rast nga këtu ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sot, ditë e diel, 7 qershor, të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, deklaroi Haxhiu.

Ajo bëri thirrje për maturi, respekt dhe dashuri ndaj vendit gjatë procesit zgjedhor.

“Ftoj të gjitha palët, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojnë maturi, të dëshmojnë respekt për njëri-tjetrin, por po ashtu edhe dashuri për vendin”, u shpreh ajo.

Haxhiu falënderoi mediat për punën në terren dhe uroi një proces zgjedhor të qetë dhe të lehtë për të gjithë.

Voton Bedri Hamza: Ftoj qytetarët të dalin të votojnë

Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, pasi ushtroi të drejtën e votës bashkë me familjen e tij, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë lirshëm, në mënyrë demokratike dhe sipas bindjeve të tyre politike.

“Të nderuar përfaqësues të mediave, unë bashkë me familjen time posa e shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar. I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës me shfrytëzu këtë të drejtë, me dalë me votuar, me votuar sipas bindjeve të tyre politike, me votuar në mënyrë të lirë, në mënyrë të qetë, në mënyrë demokratike”, deklaroi Hamza.

Ai theksoi se dita e zgjedhjeve është moment i rëndësishëm për vendimmarrjen e qytetarëve për katër vitet e ardhshme, transmeton albinfo.ch.

“Ditë e bukur me shfrytëzu këtë ditë me dalë me votuar sepse ne sot vendosim për të ardhmen, për katër vitet e ardhshme”, u shpreh Hamza.

Hamza falënderoi mediat për prezencën dhe uroi një proces të qetë zgjedhor.

Voton Ardian Gjini: Kosova është e qytetarëve

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga Aleanca, Ardian Gjini ka ushtruar të drejtën e votës në qendrën më të madhe të votimit në komunën e Gjakovës, në shkollën Fehmi Agani.

Ai ftoi të gjithë qytetarët që të votojnë, duke theksuar se Kosova është e qytetarëve dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre sot, transmeton albinfo.ch.

“Sot është një ditë e mirë. Ftoj qytetarët me dalë me votu, me marrë Kosovën në duart e veta. Kosova është e qytetarëve dhe ata duhet ta thonë fjalën e vet sot. Urime të gjithëve për këto zgjedhje, me sjellje më të mira për Kosovën”, tha ai.

Të drejtë vote në komunën e Gjakovës kanë mbi 118 mijë qytetarë, të cilët mund të votojnë në 36 vendvotime të rregullta dhe një vendvotim me kusht.

Ndërkaq, shkolla fillore “Fehmi Agani” ka mbi 9,800 qytetarë të regjistruar për të votuar.

Ndërron jetë futbollisti nga Kosova

Futbollisti nga Vushtrria, Fatjon Bunjaku, ka ndërruar jetë në moshën 22-vjeçare pas një aksidenti tragjik, kanë bërë të ditur familjarët dhe të afërmit e tij përmes rrjeteve sociale.

Bunjaku, i cili luante në pozitën e sulmuesit, sezonin e fundit ishte pjesë e klubit shqiptar Elbasani. Gjatë karrierës së tij në futbollin kosovar, ai ka veshur fanellat e disa skuadrave, përfshirë Malishevën, Gjilanin, Lirinë dhe Trepçën, ndërsa ka qenë pjesë edhe e Kosovës U21.

Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar edhe përmes njoftimeve lokale, ku bëhet e ditur se ai ka humbur jetën në një aksident tragjik. Në një njoftim të publikuar thuhet se detajet për ceremoninë e varrimit do të bëhen të ditura më vonë.

Ngushëllime për familjen për humbjen e tij të parakohshme kanë ardhur nga i gjithë komuniteti sportiv.

Voton Kurti, mesazhi i tij për ditën e zgjedhjeve

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, pasi ushtroi të drejtën e votës në objektin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Sot vendosin ata që votojnë, prandaj edhe u bëj thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, ta përdorin mundësinë qytetare të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës në legjislaturën e 11-të”, deklaroi Kurti.

Ai tha se para se të nisej për në vendvotim, kishte verifikuar në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vendvotimin e tij dhe u sugjeroi qytetarëve që të bëjnë të njëjtën gjë, transmeton albinfo.ch.

“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre”, u shpreh Kurti.

Ai e cilësoi ditën e zgjedhjeve si të rëndësishme për institucionet e Republikës së Kosovës, për qeverisjen në vazhdim dhe për mbarëvajtjen e vendit.

Xhaka, sërish në qendër të vëmendjes në Zvicër

Zvicra e Australia luajtën ndeshje të zbehtë në motin e nxehtë të San Diegos, të shtunën. Por pas barazimit 1:1, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ndez zjarrin.

“Ju nuk mund të luanë në këtë mënyrë, përndryshe ktheheni në shtëpi pas tri ndeshjesh. Duhet të zgjohemi. Brazimi 1:1 ishte ftesë për zgjimin e secilit”, ka thënë Xhaka për televizionin zviceran, SRF.

“Kishte gjëra që nuk ishin të mira këtë javë dhe kjo ndikon në lojë. Nëse punoni fort, kjo shfaqet në fushë. Ky nuk ishte rast këtë javë”, ka vazhduar Xhaka.

Nuk është hera e parë që mesfushori dhe legjenda e futbollit të Zvicrës është kritik për punën që bëhet në përfaqësuese. Këtë e ka bërë herë pas here në karrierën impresive. Bëri bujë sidomos në vitin 2023 pas një ndeshjeje me Kosovën, kur kritikoi edhe kushtet e stërvitjes së “helvetikëve”. Më pas pati ndryshim pozitiv te Zvicra.

Trajneri Murat Yakin është përgjigjur pas deklaratës së fundit të Xhakës. “Me Granitin, gjërat asnjëherë nuk janë të mërzitshme. Ai gjithnjë dëshiron të fitojë dhe insiston për perfeksion”.

Yakini e sheh miqësoren si shumë më pozitive. Ai ka thënë se ishte test i suksesshëm me dy apo tri rënie të koncentrimit. “Po ashtu na kanë munguar sulmuesit kryesorë si Ruben Vargas apo Breeel Embolo. Jam i sigurt se do të jemi gati”, ka vazhduar Yakin.

Yakin ka paralajmëruar një takim privat me Xhakën pas kritikave të kapitenit për përgatitjet. Selektori i Zvicrës ka thënë se lojtarët kanë nisur përgatitjet në kohë të ndryshme për shkak të obligimeve që i kanë për Botëror. Gjatë deklaratës për televizionin zviceran, Xhaka ka theksuar se “ka mësuar që nuk mund t’i thotë të gjitha”. Por ka thënë mjaftueshëm.

“E kemi edhe një javë për të punuar me veten dhe më pas do të jemi gati. Për këtë, na duhet përkushtim maksimal”, ka thënë Xhaka.

Televizioni zviceran ka shkruar se Xhaka e di se çka po bën. Sipas SRF, Xhaka me përvojën e tij, di si të nxjerr më të mirën nga bashkëlojtarët “dhe nëse është e nevojshme, edhe me kritika publike”.

Edhe media të tjera, si “Bluewin”, kanë shkruar se përplasja Xhaka – Yakin, është “shenjë e mirë”.

Xhaka: Nëse luajmë kështu, do të shkojmë herët në shtëpi

Granit Xhaka nuk ka mbetur i kënaqur me barazimin 1:1 të Zvicrës me Australinë.

Deklarata e Xhakës pritet të komentohet shumë në mediat zvicerane.

“Kishte gjëra që nuk ishin mirë këtë javë dhe kjo ka ndikuar në lojë. Por kam mësuar që nuk mund t’i them të gjitha. Ishte miqësore, por të luash kështu e bënë të vështirë. Nuk mund të paraqitesh kështu, përndryshe kthehesh në shtëpi pas tri ndeshjes. Duhet të zgjohemi”, ka thënë kapiteni i Zvicrës.

Ai ka theksuar se barazimi 1:1 ishte ftesë për zgjimin e të gjithëve, transmeton albinfo.ch.

“Nëse punon fort, kjo shfaqet në fushë. Ky nuk ishte rast këtë javë. Si kapiten unë duhet të jem me besim. Kemi një javë për të punuar me veten tonë dhe më pas do të jemi gati. Për këtë na duhet përkushtim maksimal”, ka shtuar Xhaka.

Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin i pyetur për deklaratën e Xhakës ka thënë se do të diskutojë me të privatisht.

Afër 60 mijë qytetarë votuan deri në ora 09:00

3.04 për qind e votuesve me të drejtë vote kanë votuar të dielën deri në orën 9:00.

Nga 2,429 vendvotimet e procesuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi në përditësimin e fundit se kanë votuar gjithsej 59,593 qytetarë, transmeton albinfo.ch.

Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në të njëjtën periudhë, vërehet se këtë herë kanë votuar një numër pak më i lartë. 2.68% ishte dalja e qytetarëve atëkohë.

Pronarja e lokalit përballet me akuza të reja pas tragjedisë që tronditi Zvicrën

Hetimet për zjarrin tragjik që përfshiu lokalin “Le Constellation” në qendrën turistike të skijimit në Crans-Montana kanë marrë një kthesë të re. Bashkëpronarja e lokalit, Jessica Moretti, është përballur me një akuzë shtesë për falsifikim dokumentesh, krahas akuzave ekzistuese për vrasje nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Jessica dhe bashkëshorti i saj, Jacques Moretti, janë nën hetim që nga tragjedia e natës së Vitit të Ri, kur një zjarr shkatërrues në lokalin e tyre shkaktoi vdekjen e 41 personave dhe plagosjen e më shumë se 100 të tjerëve. Shumica e viktimave ishin të rinj që po festonin ndërrimin e viteve.

Sipas prokurorëve, akuza e re lidhet me një faturë të dyshuar si e falsifikuar, e cila mund të ketë rëndësi në hetimet për kushtet e sigurisë dhe menaxhimin e lokalit. Avokatët e Jessica Moretti kanë mohuar çdo shkelje, duke insistuar se klientja e tyre është e pafajshme.

Çifti Moretti u paraqit sërish para prokurorëve në Sion këtë javë, ndërsa familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe sqarime për rrethanat që çuan në një nga tragjeditë më të rënda në historinë moderne të Zvicrës.

Hetimet po shqyrtojnë jo vetëm përgjegjësinë e pronarëve, por edhe rolin e autoriteteve lokale, pasi është zbuluar se lokali nuk ishte inspektuar për sigurinë kundër zjarrit për disa vite para katastrofës.

Vendvotimet hapen me kohë

Nga ora 7 e mëngjesit janë hapur vendvotimet në qendrat zgjedhore në komunat e Kosovës.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 2.092.174 qytetarë.

Një ditë para fillimit të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se janë zhvilluar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit, transmeton albinfo.ch.

Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë do të ketë nga një qendër për votim me kusht.

Sipas KQZ-së, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 949 qendra të votimit në 2550 vendvotime.

Sot Kosova voton

Në Kosovë sot zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të tretat me radhë brenda 16 muajve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka bërë të ditur se në garë zgjedhore janë 23 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore.

Sipas listës së votuesve të miratuar nga KQZ, të drejtë vote kanë pak mbi dy milionë qytetarë, përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë Kosovës.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra votimi, me gjithsej 2,550 pika votimi, prej të cilave 911 qendra me 2,498 pika votimi për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Në zgjedhjet e fundit të 28.12.2025, rreth 900 mijë qytetarë morën pjesë në zgjedhje apo rreth 45% e trupës elektorale.

Për ditën e zgjedhjeve, autoritet e policisë dhe organet e drejtësisë, tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet që procesi zgjedhor të zhvillohet normalisht.

Po ashtu si njofton prokuroria e shtetit, rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të jenë të angazhuar në gjithë territorin e Kosovës për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë dhe integritetin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Edhe kësaj here, zgjedhjet do të vëzhgohen nga mijëra vëzhgues vendorë, por do të ketë pak vëzhgues ndërkombëtarë. Kjo për faktin që, sipas zyrtarëve të BE-së, për shkak të kohës së shkurtër nuk do të jetë në gjendje të dërgojë një mision vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

 

Zjarri e bën të pabanueshme një qendër azili në Graubünden

Një zjarr shpërtheu në një akomodim azili në Trimmis, Graubünden, të premten në mbrëmje. Askush nuk u lëndua, por ndërtesa aktualisht është e pabanueshme. Një banor dyshohet se e ka ndezur qëllimisht zjarrin, siç njoftoi policia kantonale e Graubünden të shtunën.

Personi në fjalë dyshohet se ka thyer disa dritare të ndërtesës para se të fillonte zjarri.

Shërbimet e emergjencës u njoftuan pak pas orës 6:35 të mbrëmjes. Departamenti i zjarrfikësve të Calandës mbërriti shpejt dhe i vuri flakët nën kontroll.

Banorët arritën të largoheshin vetë nga ndërtesa dhe mbetën të padëmtuar. Ata më pas u strehuan në akomodime të përkohshme. Ndërtesa pësoi dëme të konsiderueshme.

Përveç policisë kantonale dhe departamentit të zjarrfikësve, në vendngjarje ishte edhe shërbimi i shpëtimit të Chur. Policia ka nisur një hetim për rrethanat e sakta të zjarrit.

Edhe në Vjenë protestohet kundër Qeverisë Rama

Qindra qytetarë u mblodhën në Vjenë për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë shqiptare dhe për të kërkuar ndryshime politike në vend.

Gjatë tubimit, protestuesit mbajtën pankarta dhe artikuluan thirrje kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Një pjesë e pjesëmarrësve shprehën gjithashtu kërkesën për ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë lidhur me akuzat që ata adresojnë ndaj qeverisë, transmeton albinfo.at.

Protesta në kryeqytetin austriak u zhvillua në mënyrë paqësore dhe vjen në vazhdën e manifestimeve të ngjashme të organizuara nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Gjatë ditëve të fundit, tubime të ngjashme janë mbajtur në qytete të ndryshme evropiane, përfshirë Londrën, Berlinin, Munihun, Milanon dhe Stokholmin.

Ndërkohë, protestat kundër qeverisë kanë vijuar edhe në Shqipëri, ku prej disa ditësh qytetarë dhe grupe të ndryshme interesi kanë organizuar tubime dhe marshime në lidhje me çështje të ndryshme politike dhe sociale. Vala e protestave nisi pas projektit në Zvërnec dhe dhunës së rojës private ndaj një protestuesi një javë më parë.


Pa fitues miqësorja Zvicra-Australia

Testi i fundit para fillimit të Botërorit përfundoi me barazim për Zvicrën.

Zvicra ishte duke fituar në pjesën e parë, me golin e Ndoye pas asistimit të kapitenit Granit Xhaka, shkruan albinfo.ch.

Australia barazoi në pjesën e dytë, Yengi, realizoi në minutën e 56-të.

Xhaka luajti 80 minuta, ku u ndëshkua me karton të verdhë në fund të pjesës së parë, derisa Ardon Jashari hyri në minutën e 71-të.

Vazhdojnë protestat në Tiranë, kërkohet anulimi i projektit të Zvërnecit

Ka përfunduar grumbullimi përpara ndërtesës së Kryeministrisë së Shqipërisë, por revolta qytetare e kësaj mbrëmjeje nuk ndalet këtu.

Menjëherë pas fjalimeve të forta të mbajtura në podium, mijëra protestuesit kanë nisur marshimin nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, transmeton albinfo.ch.

Në ditët e kaluara të kësaj proteste, qytetarët kanë zgjedhur të vijojnë tubimin duke lëvizur në formë marshimi, duke paralizuar përkohësisht qarkullimin në disa prej akseve kyçe të Tiranës.

Me dritat e telefonave ende të ndezura dhe nën tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, turma po marshon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ndërsa pritet që ditët në vijim numri i tyre të rritet, aktivistët lajmëruan se nesër do jenë të pranishëm edhe studentët nga diaspora.

Ata kanë paraqitur edhe më herë pesë kërkesa: Dorëheqjen e qeverisë; Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë;  Shfuqizimin e Paketës së Maleve;  Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura;  Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Gjykohet kosovari: Ka izoluar dhe përdhunuar partneren për vite me radhë

I shtyrë nga xhelozia, ai dyshohet se ia kishte bërë jetën ferr të vërtetë partneres së tij prej shumë kohësh: Një burrë 53-vjeçar, me origjinë nga Kosova dhe me banim në Erding, është duke u gjykuar në Gjykatën e Landit të Landshut që nga e marta. Ai përballet me akuza për ngujim, abuzim fizik, përdhunim dhe akuza të shumta për fyerje të ish-partneres së tij, trnsmeton albinfo.ch.

Gruaja 48-vjeçare nga Erding përshkroi torturat e shumta që i ishin shkaktuar nga partneri i saj i atëhershëm në një dëshmi të regjistruar dy orë e gjysmë gjatë marrjes në pyetje në nëntor 2025.

I pandehuri, i cili pretendon se është i vetëpunësuar, refuzoi të dëshmonte. Por dosja tregon se ai i mohon akuzat dhe pretendon se ish-partnerja e tij ka probleme me shëndetin mendor, tha gjykatësi Ralph Reiter.

Të dy u bënë çift në vitin 2003 dhe kanë dy djem së bashku, të lindur në vitin 2008 dhe 2011, shkruan merkur.de. Fillimisht, ai e akuzoi atë për pabesi. Gjatë shtatzënisë së djalit të saj të dytë, ndodhën rastet e para të abuzimit fizik. Ai e detyroi të bënte dy aborte dhe kërkoi teste atësie për të dy djemtë.

Prillin e kaluar, ai e akuzoi atë se kishte një aferë me një fqinjë që nuk e njihte. Gruaja tha në regjistrim se nuk mund të shpjegonte pse xhelozia e tij ishte përshkallëzuar papritur kaq dramatikisht. Gjatë shtatë viteve të fundit, ajo nuk kishte pasur çelësin e saj të apartamentit. “Unë kurrë nuk dilja nga apartamenti,” tha ajo, duke iu referuar kohës që ishte larg punës.

Burri kosovar ka jetuar në Gjermani prej 30 vitesh. Që nga prilli i vitit 2025 e tutje, ai e ka penguar viktimën të largohej nga apartamenti i tyre i përbashkët në Erding çdo ditë duke e kyçur derën e përparme. Pak më vonë, ai hoqi edhe dorezën e brendshme të derës, transmeton albinfo.ch. Ajo nuk kishte telefon inteligjent.

Djemtë e saj nuk ishin në dijeni të asgjëje nga kjo.

Në atë kohë, viktima punonte si fizioterapiste në Spitalin Erding. I pandehuri e çonte me makinë për në punë dhe nga puna dhe e detyronte të kalonte pushimin e drekës me të, duke e justifikuar këtë me akuza se kishte afera me kolegë ose pacientë. Ai e ofendonte pothuajse çdo ditë, duke e quajtur me emra si “kurvë e ndyrë” ose “psikopate”. Ai e akuzonte se “i kishte shkatërruar jetën” dhe e kërcënonte vazhdimisht me vdekje.

Sapo mbërrinte nga puna në apartament, burri i urdhëronte të bënte dush dhe të “lante papastërtinë”. Me këtë, ai nënkuptonte “mbetjet nga kontakti me burra të tjerë”, shpjegon ajo. Nëse ajo refuzonte, ai e godiste me shqelma, grushte ose e ngulfaste. Ajo ishte detyruar pesë herë të kryente marrëdhënie seksuale kundër vullnetit të saj. Burri tani 53-vjeçar e përdhunonte edhe në situata të tjera. Ajo nuk kishte rezistuar “për të shmangur përballjet e mëtejshme”.

Ai e kërcënonte vazhdimisht se do ta vriste. “Prit derisa të jemi në Kosovë”, i kishte thënë ai asaj para se të vizitonin familjen e tij për tre javë në gusht. Ai gjithashtu e kishte kërcënuar se do t’ia “shtypte kokën”, përcjell albinfo.ch. Gruaja nga Erdingu i kishte marrë seriozisht kërcënimet dhe kishte frikë për jetën e saj.

Pasi i ishte rrëfyer një kolegeje dhe plagët e saj binin në sy nga të tjerët në punë, mbikëqyrësi i saj informoi policinë. Burri nga Erdingu u arrestua më 11 shtator 2025. Ai ndodhet në paraburgim që atëherë.

Gjykimi vazhdon të martën që vjen.

Asiston Xhaka, Zvicra në epërsi

Përfundoi pjesa e parë e miqësores ndërmjet Zvicrës dhe Austrisë, që po zhvillohet në SHBA.

Nati është në epërsi, shkruan albinfo.ch.

Golin e vetëm e ka shënuar Ndoye në minutën e 14-të pas asistimit të Granit Xhakës, i cili në fund të pjesës së parë u ndëshkua me karton të verdhë.

Përfundon votimi në përfaqësitë diplomatike, votuan 80.85% e të regjistruarve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përfunduar procesi i votimit në 26 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, në 16 shtete të ndryshme, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas KQZ-së, votimi është mbyllur në përfaqësitë diplomatike në Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikën Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, votimi pritet të përfundojë në orën 01:00 pas mesnate sipas kohës në Kosovë, në katër përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. KQZ ka bërë të ditur se pas përfundimit të procesit edhe në këto shtete do të publikohet një njoftim i ri me shkrim.

Gjatë gjithë ditës së votimit, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike, ndërsa zyrtarët e shërbimit votues kanë ofruar udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e procesit në përputhje me ligjin dhe procedurat në fuqi.

Sipas institucionit, procesi i votimit në përgjithësi është zhvilluar pa pengesa të theksuara.

Në emër të KQZ-së, është shprehur falënderim për shefat dhe stafin e misioneve diplomatike, si dhe për anëtarët e këshillave të vendvotimit për angazhimin e tyre gjatë ditës së votimit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 26 përfaqësi diplomatike ku votimi është mbyllur, si dhe nga të dhënat deri në orën 13:00 nga votimi në SHBA dhe Kanada, nga gjithsej 27,724 votues të regjistruar kanë votuar 80.85%, apo 22,414 votues.

KQZ ka bërë të ditur se fletëvotimet nga përfaqësitë diplomatike nuk do të numërohen në vendvotime, por do të transportohen në Kosovë, ku gjatë ditëve në vijim do të bëhet numërimi i tyre.

DnV e konsideron garën zgjedhore të qetë, por të dominuar nga liderët

Koalicioni Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit është zhvilluar në një ambient konkurrues dhe kryesisht të qetë, pa incidente serioze, por me sfida që lidhen me pabarazinë në garën zgjedhore, dezinformimin dhe mungesën e debateve substanciale për programet politike, raporton rtklive.com.

Në konferencën e mbajtur një ditë para votimit, DnV theksoi se subjektet politike kanë pasur liri të zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe të komunikojnë me votuesit, megjithatë vendime dhe veprime të institucioneve publike para nisjes së fushatës kanë ndikuar në perceptimin për barazi të mundësive mes garuesve.

Sipas vlerësimit të organizatës, fushata është dominuar nga promovimi i liderëve politikë dhe sloganet elektorale, ndërsa temat kryesore kanë qenë ekonomia, energjia, pagat, pensionet dhe zhvillimi i infrastrukturës.

DnV vëren se shumica e premtimeve elektorale nuk janë shoqëruar me sqarime të mjaftueshme për koston financiare dhe mënyrën e realizimit.

Organizata ka evidentuar gjithashtu përfshirjen e një numri të madh kandidatësh të rinj në garë, me mbi gjysmën e tyre që kandidojnë për herë të parë. Gratë përbëjnë rreth 34 për qind të kandidatëve për deputetë, por sipas monitorimit të DnV-së, ato kanë pasur dukshëm më pak hapësirë në debate televizive dhe në diskursin publik krahasuar me burrat.

Në raport thuhet se tubimet e mëdha elektorale kanë dominuar fushatën, ndërsa kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët dhe diskutimet për politika publike kanë qenë më të kufizuara. DnV ka shprehur shqetësim edhe për përdorimin e fëmijëve në aktivitete politike dhe për vazhdimin e trendit të dezinformimit në rrjetet sociale.

Sa i përket shpenzimeve në platformat digjitale, DnV ka monitoruar rreth 500 profile në rrjetet sociale dhe ka evidentuar mbi 100 mijë euro shpenzime për sponsorizime vetëm gjatë javës së fundit të fushatës. PDK dhe kandidatët e saj rezultojnë me shpenzimet më të larta në sponsorizime, të ndjekur nga LDK-ja dhe LVV-ja.

Organizata vlerësoi se mediat kanë luajtur rol të rëndësishëm në informimin e publikut, por kritikoi mungesën e debateve mes kandidatëve për kryeministër dhe fokusimin e tepruar në retorikën politike në vend të analizës së programeve.

Lidhur me administrimin e zgjedhjeve, DnV konsideron se institucionet zgjedhore kanë përmbushur shumicën e obligimeve ligjore, megjithëse disa vendime të KQZ-së kanë nxitur debate për interpretimin e ligjit. Ndërkohë, PZAP deri më tani ka trajtuar 19 ankesa dhe ka shqiptuar 26.100 euro gjoba për shkelje të Kodit të Etikës.

Për ditën e votimit, DnV ka angazhuar mbi 600 vëzhgues në të gjithë vendin, prej të cilëve 500 do të jenë vëzhgues statikë në vendvotime të përzgjedhura sipas mostrës përfaqësuese. Organizata do të zbatojë metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (PVT) dhe do të publikojë gjatë ditës vlerësime të rregullta për mbarëvajtjen e procesit.

DnV u ka bërë thirrje partive politike, kandidatëve dhe qytetarëve që të respektojnë rregullat zgjedhore dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një procesi të qetë, demokratik dhe transparent.

Reklamë
X

Abonohu në revistën tonë