Mërgim Berisha drejt rikthimit në Austri, në negociata intensive me Sturm Graz

Sulmuesi Mërgim Berisha pritet të rikthehet në futbollin austriak, kësaj radhe te Sturm Graz, ekip me të cilin tashmë është në negociata intensive, transmeton albinfo.at.

Mediumet austriake raportojnë se Sturm Graz e sheh Berishën si përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv dhe është duke negociuar me Hoffenheimin për huazimin e tij deri në fund të sezonit.

Berisha nuk ka regjistruar asnjë paraqitje për Hoffenheimin këtë edicion. Pas rikthimit nga huazimi, 27-vjeçari ka qenë jashtë fushës, pjesërisht për shkak të lëndimeve.

Paraqitjen e fundit në një ndeshje zyrtare, Berisha e ka zhvilluar në muajin maj të vitit të kaluar me fanellën e Augsburgut, skuadër ku ishte i huazuar nga Hoffenheimi.

Sulmuesi ka kontratë me Hoffenheimin deri vitin e ardhshëm, ndërsa një huazim te Sturm Graz do të shënonte rikthimin e tij në një kampionat ku ka hedhur hapat e parë si futbollist profesionist.

Në total, Berisha ka zhvilluar 88 paraqitje në elitën e futbollit austriak, duke luajtur për skuadra si Salzburgu, Altach dhe LASK./Albinfo.at

Shkurtime të reja të vendeve të punës në Zvicër

Zvicra po përballet me një valë të re shkurtimeve të vendeve të punës, pasi disa kompani të mëdha kanë njoftuar masa të reja në kuadër të ristrukturimeve të tyre, transmeton albinfo.ch.

Grupi mediatik Tamedia ka bërë të ditur se, për shkak të riorganizimit të sektorëve të tij print dhe digjital, do të shkurtojë 25 deri në 30 vende pune me orar të plotë gjatë këtij viti.

Ndërkohë, edhe dega zvicerane e IKEA-s ka paralajmëruar se mund të eliminojë deri në 60 pozita administrative në selinë e saj qendrore në Spreitenbach, kantoni Aargau.

Sipas kompanisë, arsyeja e këtyre shkurtimeve lidhet me nevojën që “IKEA të ketë një organizatë më të thjeshtë, më efikase dhe më të fokusuar”.

Këto humbje të vendeve të punës i shtohen shkurtimeve të tjera që janë paralajmëruar më herët, duke shtuar shqetësimet për stabilitetin e tregut të punës në vend. /Albinfo.ch

Luksemburgu ofron mbi 1 milion euro për ide inovative në Kosovë

Bashkëpunimi për Zhvillim i Luksemburgut ka lansuar një thirrje të re për propozime, duke synuar ndërmarrjet inovative në Kosovë. Fondi Demonstrues LuxAid (LDF) ofron mbështetje financiare deri në 350,000 euro për projekte që zhvillojnë zgjidhje dixhitale dhe të gjelbra me ndikim shoqëror dhe ekonomik, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të LUXDEV, aplikimet për këtë thirrje janë të hapura deri më 6 shkurt 2026, ndërsa dhjetë projektet më të mira do të përfitojnë trajnime dhe mbështetje për prezantimin para komisionit të përzgjedhjes. Vendimi final pritet të shpallet në korrik 2026, me 3-4 projekte të përzgjedhura që do të financohen.

Fokus në inovacion dhe rritje të qëndrueshme

Fondi synon të përshpejtojë rritjen e zgjidhjeve inovative që adresojnë sfida të mëdha shoqërore, duke përfshirë:

Inovacion dixhital: AI, analiza e të dhënave, automatizimi, fintech, tregtia elektronike dhe siguria kibernetike.

Aftësi për punësim: Zgjidhje që lidhen me aftësitë dixhitale dhe të gjelbra për të rritur mundësitë e punësimit.

Teknologji shëndetësore: Zgjidhje e-health, me fokus te kujdesi kardiovaskular.

Energjia dhe mjedisi: Efikasitet energjetik, ekonomia rrethore, riciklimi i mbeturinave, agrobiznesi i qëndrueshëm dhe adaptimi ndaj klimës.

Kush mund të aplikojë?

Fondi është i hapur për kompani ose bashkëpunime të regjistruara në Kosovë para 1 nëntorit 2022, me të paktën 5 të punësuar dhe xhiro nën 50 milionë euro. Projektet duhet të kenë një produkt ose shërbim inovativ të testuar tashmë në treg me të ardhura të provuara për të paktën një vit dhe të jenë të afta të bashkëfinancojnë të paktën 50% të kostove të projektit.

Mbështetje dhe shkallëzim

Bashkëfinancimi varion nga 100,000 deri në 350,000 euro, me qëllim të shkallëzimit të zgjidhjeve inovative dhe zgjerimit të ndikimit të tyre në komunitetet lokale. /Albinfo.ch

Instituti i Vjenës: Anëtarësimi i pjesshëm në BE, skenari më realist për Shqipërinë

Mali i Zi dhe Shqipëria janë të parët në radhë për anëtarësim në Bashkimin Europian nga të gjitha vendet kandidate, por një integrim i plotë politik duket ende larg. Kjo është përfundimi i diskutimeve të fundit në një forum të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike (wiiw), transmeton albinfo.ch.

Referuar ekspertëve të këtij forumi, megjithëse Shqipëria ka një pozicion të favorshëm për pranimin në BE, shqetësime të tilla si përqendrimi i pushtetit brenda vendit dhe ndikimet gjeopolitike në rajon, përfshirë ndikimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç mbi Malin e Zi, e bëjnë të mundshëm një skenar të anëtarësimit të pjesshëm brenda tre viteve të ardhshme.

Në këtë model, vendet kandidate do të integrohen ekonomikisht dhe rregullatorisht në BE, duke pasur akses në tregun e brendshëm, duke përfituar nga fondet strukturore, bujqësore dhe infrastrukturore, dhe duke zbatuar legjislacionin europian, por pa të drejta të plota politike: nuk do të kenë të drejtë vote në Këshillin e BE-së, komisioner europian ose përfaqësim të plotë në Parlamentin Europian.

Ky model synon të kapërcejë paradoksin aktual të zgjerimit, ku vendet kandidate detyrohen të zbatojnë një pjesë të madhe të rregullave të BE-së pa përfituar ekonomikisht nga ky proces.

Përfitimet për Shqipërinë:

• Kompanitë shqiptare do të kenë akses të plotë në tregun e përbashkët europian, pa tarifa dhe barriera jo-tarifore, duke integruar ekonominë shqiptare direkt në zinxhirët e prodhimit dhe shërbimeve të BE-së.

• Vendit do t’i shtohen fonde zhvillimi më të mëdha sesa ato që merr aktualisht përmes instrumenteve të para-anëtarësimit.

• Qytetarët shqiptarë do të kenë më shumë të drejta për të punuar, studiuar dhe qëndruar në vendet e BE-së, por me kufizime të caktuara, të ngjashme me modelet e Norvegjisë apo Zvicrës.

Analistët e Vjenës theksuan se Ballkani Perëndimor ka pritur gjatë për integrim dhe fitimet nga konvergjenca ekonomike të BE-së kanë qenë të kufizuara. Politikat fiskale strikte dhe mungesa e konkurrueshmërisë janë sfida të tjera që vendet e rajonit duhet të adresojnë. Megjithatë, perspektiva makroekonomike e rajonit mbetet pozitive, me investime të huaja që kanë qenë të qëndrueshme dhe potencial për zhvillim të mëtejshëm.

Sipas ekspertëve, anëtarësimi i pjesshëm mund të jetë një rrugë praktike për të lidhur Ballkanin Perëndimor fort me ekonominë europiane, duke ulur ndikimin e aktorëve të jashtëm, pa i detyruar vendet e BE-së të marrin vendime politike të ndjeshme për anëtarësimin e plotë. /Albinfo.ch

Bordi i Paqes mirëpret Shqipërinë si anëtare themeluese të organizatës ndërkombëtare

Bordi i Paqes ka bërë të ditur pranimin e Shqipërisë si anëtare themeluese të organizatës ndërkombëtare të Paqes dhe Stabilitetit, në nivel global, përcjell albinfo.ch.

Ky hap vlerësohet si një moment i rëndësishëm për rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe vjen si rezultat i angazhimit të saj të vazhdueshëm në mbrojtjen e vlerave demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe ruajtjen e integritetit territorial. Përmes këtij angazhimi, Shqipëria kontribuon në forcimin e paqes dhe stabilitetit, si në rajon ashtu edhe më gjerë.

Pranimi i Shqipërisë është konfirmuar përmes një postimi zyrtar të Bordit të Paqes në platformën X, ku thuhet:

“Bordi i Paqes mirëpret Shqipërinë si një anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje.”

Po udhëtonte drejt Francës, i riu shqiptar humb jetën në një aksident

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të martën në Rumani, ku ka humbur jetën një i ri shqiptar, me inicialet V. P., së bashku me gjashtë tifozë të klubit grek PAOK, shkruan albinfo.ch.

Sipas autoriteteve rumune, viktima shqiptare është identifikuar zyrtarisht nga policia e këtij shteti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë udhëtimit të tifozëve drejt Francës.

Mësohet se V. P. jetonte prej shumë vitesh me familjen e tij në qytetin Alexandria të rajonit Imathia, në Greqi. Miqtë e tij kanë bërë të ditur se ai ishte një tifoz i zjarrtë i PAOK-ut dhe kishte ndjekur pothuajse çdo ndeshje të skuadrës së zemrës.

Edhe këtë herë, V. P. po udhëtonte për të qenë pranë ekipit të tij, por udhëtimi drejt Francës përfundoi tragjikisht./Albinfo.ch

Bordi i Paqes mirëpret Kosovën si anëtare themeluese

Bordi i Paqes, një iniciativë ndërkombëtare e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump, ka mirëpritur zyrtarisht Republikën e Kosovës si anëtare themeluese të kësaj organizate, përcjell albinfo.ch.

Ky mirëseardhje është bërë publike përmes një postimi në platformën X, ku Bordi i Paqes ka konfirmuar anëtarësimin e Kosovës në strukturën e tij.

“Bordi i Paqes e mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, thuhet në njoftim.

Anëtarësimi i Kosovës u formalizua më 22 janar të këtij viti, kur presidentja Vjosa Osmani nënshkroi dokumentin përkatës, duke e bërë Kosovën pjesë të kësaj iniciative që synon promovimin e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Presidentja Osmani ishte gjithashtu e vetmja lidere grua që nënshkroi këtë iniciativë, fakt që i jep një dimension të veçantë përfaqësimit të Kosovës në këtë organizatë globale./Albinfo.ch 

 

Rinumërimi drejt fundit zbulon manipulime masive të votave

Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit po i afrohet përfundimit, duke nxjerrë në pah një sërë parregullsish serioze. Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë rinumëruar mbi 80 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 2061 nga gjithsej 2557, përcjell albinfo.ch.

Vendimi për rinumërim të plotë u mor pas rinumërimit të pjesshëm, gjatë të cilit u evidentuan manipulime të shumta në garën ndërmjet kandidatëve për deputetë. Në pothuajse të gjitha partitë politike janë identifikuar kandidatë që në numërimin fillestar kishin përfituar ose humbur qindra vota në mënyrë të pajustifikueshme.

Sipas rezultateve të deritanishme, kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) rezultojnë të jenë më të prekurit nga këto manipulime, me dhjetëra mijëra vota të kontestuara dhe të korrigjuara gjatë rinumërimit.

Parregullsitë e publikuara edhe në platformën zyrtare të KQZ-së kanë nxitur reagimin e organeve të drejtësisë. Prokuroria ka nisur hetime në disa rajone të vendit, ndërsa në Prizren janë paraburgosur 23 persona të dyshuar për përfshirje në manipulimin e procesit zgjedhor. Hetime janë duke u zhvilluar edhe në komuna të tjera.

Një operacion i gjerë hetimor është duke u zhvilluar në Gjakovë, ku mbi 50 komisionerë zgjedhorë janë shoqëruar deri më tani nën dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.

Manipulimet nuk lidhen vetëm me Gjakovën, por dyshimet serioze shtrihen edhe në komuna të tjera, përfshirë Malishevën, si dhe zona të tjera ku janë evidentuar mospërputhje të rezultateve të votimit.

Komisionerët e shoqëruar po intervistohen në lidhje me dyshime për: ndërhyrje në numërimin e votave, mospërputhje të rezultateve përfundimtare, keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë procesit zgjedhor. /Albinfo.ch 

Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026

Pasi kanë mbetur më pak se katër muaj deri në edicionin e 61-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, përgatitjet për prezantimin e artit të Kosovës janë në fazën përfundimtare. Pavijoni i Kosovës do të shfaqë sivjet për herë të parë një pikturë, veprën monumentale 17-metërshe “Dhëmbë të fortë” të artistit Brilant Milazimi, e cila do të vendoset në kishën e stilit barok Chiesa di Santa Maria del Pianto, transmeton albinfo.ch.

Kjo kishë dhe ish-manastir tetëkëndor, e ndërtuar në vitin 1658 nga arkitekti Francesco Contin, ndodhet përballë lagunës veneciane dhe është një prej hapësirave të çmuara të arkitekturës veneciane. Me kalimin e shekujve, kompleksi ka shërbyer si shkollë, spital, kazermë dhe hapësirë magazinimi, ndërsa më pas u mbyll për publikun dhe mbeti e paprekur për dekada. Sot, ndërtesa është në pronësi të një kompanie private dhe përdoret për aktivitete të ndryshme ambulatore, ndërsa kisha mbetet në gjendje të braktisur. Sipas Galerisë Kombëtare të Kosovës, pjesëmarrja e këtij viti shënon një rihapje të rrallë të hapësirës së mbyllur, duke përjetësuar cikle përkushtimi, braktisjeje dhe pritjeje institucionale.

Ekspozita e Milazimit, e kuruar nga meksikani José Esparza Chong Cuy, do të jetë e hapur nga 9 maji deri më 22 nëntor. Piktura “Dhëmbë të fortë” prezanton një rend figurash të radhitura ngushtë, që përkujtojnë terrenin rural të Kosovës dhe procesione të gjata njerëzish, duke krijuar një atmosferë pezullimi kohor dhe tensioni emocional. Ngjyra e kuqe dominon në veprë, ndërsa nuancat e hapura dhe errëta formojnë dritëhije që i japin figurave një dimension poetik dhe ogurzi. Vepra pasqyron tendosjen fizike dhe psikologjike të pritjes së gjatë, duke reflektuar dekada pasigurie të formësuara nga tranzicioni politik dhe njohja e kontestuar e Kosovës.

Sipas Galerisë Kombëtare të Kosovës, ekspozita fton vizitorët të përjetojnë veprën nga afër, ndërsa figurat “rezistojnë, qëndrojnë në pritje, me dhëmbët e shtrënguar fort”, duke krijuar një dialog me situatën politike dhe shoqërore të vendit. “Ekspozita synon të ngjallë reagime të thella emocionale përmes atmosferës së zhytur dhe tensionit të qetë, duke reflektuar gjendje të paqarta politike dhe krizash globale”, theksohet në arsyetim.

Milazimi, artist i gjeneratës së re nga Gjilani, u zgjodh unanimisht nga juria ndërkombëtare e përbërë nga Inke Arns, Erëmirë Krasniqi, Christine Macel, Valentine Umansky dhe Rein Wolfs. Juria vlerësoi qartësinë e vizionit, gjuhën e fuqishme vizuale dhe angazhimin e tij me mediumin e pikturës, duke e caktuar atë për të hapur kapitullin e radhës të Pavijonit të Kosovës.

Kuratori i ekspozitës, José Esparza Chong Cuy, është shkrimtar, redaktor dhe arkitekt nga Meksika, i cili ka bashkëpunuar me dhjetëra artistë në mbarë botën dhe është bashkëredaktor i librit të ardhshëm Empty Plinths: Monuments, Memorials, and Public Sculpture in Mexico, që do të botohet në vitin 2026 nga Harvard Design Press.

Kosova vijon kështu traditën e prezantimit të kulturës së saj të artit vizual në Bienalen e Venecias, duke përdorur hapësirën për dialog kulturor dhe politik, dhe duke shënuar këtë vit një kapitull të veçantë me pikturën monumentale të Brilant Milazimit. /Albinfo.ch

Shqiptarja nga diaspora drejt Olimpiadës Dimërore 2026 me flamurin kuqezi

Lisa Brunga, skiatorja shqiptare që jeton dhe stërvitet në Toronto të Kanadasë, është gjithnjë e më pranë realizimit të një ëndrre madhore, duke u bë pjesë e Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, ku synon të përfaqësojë me krenari Shqipërinë, transmeton albinfo.ch.

Garat olimpike pritet të zhvillohen më 22 shkurt 2026, një moment historik jo vetëm për sportisten, por edhe për sportin shqiptar.

Me përkushtim, disiplinë dhe pasion të jashtëzakonshëm për skitë, Lisa Brunga ka ndërtuar një rrugëtim që reflekton talentin dhe vullnetin e fortë të sportistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Stërvitjet intensive dhe angazhimi i vazhdueshëm e kanë afruar gjithnjë e më shumë drejt objektivit për të ngritur flamurin kuqezi në një nga ngjarjet sportive më prestigjioze në botë.

Përtej rezultateve sportive, Brunga është shquar edhe për përkushtimin e saj ndaj zhvillimit të sportit në Shqipëri. Në dhjetor të vitit 2023, ajo organizoi në Toronto një Mbrëmje Bamirësie në mbështetje të Federatës Shqiptare të Skive, duke mbledhur anëtarë të komunitetit shqiptar dhe përfaqësues të biznesit. Kjo nismë u kurorëzua me dorëzimin e një çeku prej 15 mijë dollarësh, një kontribut i rëndësishëm për zhvillimin e sportit të skive dhe mbështetjen e sportistëve të rinj shqiptarë.

Lisa Brunga mbetet një shembull frymëzues i përkushtimit, solidaritetit dhe dashurisë për atdheun, duke dëshmuar se suksesi personal mund të shndërrohet edhe në mbështetje konkrete për komunitetin dhe sportin shqiptar./Albinfo.ch

Denik Prizreni përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkulturor 2026 në Athinë

Në Athinë u mbajt Festivali Ndërkulturor 2026, një ngjarje e rëndësishme që organizohet nën patronazhin e UNESCO-s, me qëllim promovimin e kulturës dhe artit nga shtetet pjesëmarrëse, transmeton albinfo.ch.

Republika e Kosovës u përfaqësua me dinjitet në fushën e muzikës nga tenori Denik Prizreni, i cili performoi për dy ditë me radhë duke sjellë një përzierje të muzikës tradicionale shqiptare dhe veprave të njohura ndërkombëtare. Performancat e tij i dhanë festivalit një atmosferë emocionuese dhe prezantuan kulturën tonë në një skenë ndërkombëtare.

Nga repertori i tij, veprat e pavdekshme shqiptare si “E bukura more”, “Lule Lule” dhe “Kosova” ishin ndër interpretimet më të spikatura, të cilat jehuan fuqishëm në festival përmes zërit të Prizrenit, duke dëshmuar talentin e tij dhe pasurinë e muzikës shqiptare.

Ky pjesëmarrje thekson angazhimin e Kosovës për të promovuar identitetin kulturor dhe muzikor në skenën ndërkombëtare, duke kontribuar në dialogun ndërkulturor përmes artit./Albinfo.ch

Inxhinierja shqiptare në Amerikë arrin majat e industrisë kimike

Një histori force, këmbënguljeje dhe suksesi vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Teuta Elshani, shqiptare nga Kosova, ka arritur të ngjitet në një nga pozicionet më të larta profesionale në fushën e inxhinierisë kimike, në një prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare, transmeton albinfo.ch.

Pas një rrugëtimi 26-vjeçar pune të palodhur, Teuta Elshani ka marrë pozitën e Udhëheqëses Teknike të Kërkimit dhe Zhvillimit (R&D Technical Leader)Kimberly-Clark Professional – Amerika e Veriut, duke ushtruar rolin e një inxhiniereje strategjike, nivel ky elitar në industrinë globale.

Ky pozicion përfaqëson kulmin e një karriere të ndërtuar me përkushtim, dije dhe vizion afatgjatë, ku Elshani kontribuon në zhvillimin e produkteve dhe inovacioneve që ndikojnë drejtpërdrejt në tregun ndërkombëtar.

Por pas këtij suksesi profesional fshihet një histori personale e dhimbshme dhe thellësisht njerëzore. Në një postim të saj, Elshani rrëfen se jeta e saj ndryshoi rrënjësisht më 17 prill 1999, kur lufta në Kosovë ia mori familjen dhe e la të vetme në moshën vetëm 23-vjeçare. Nga ajo ditë, ajo u përball me sfida të jashtëzakonshme, por vendosi të mos dorëzohej.

E vetme, larg atdheut dhe e ngarkuar me dhimbje të madhe personale, Teuta Elshani e shndërroi humbjen në forcë dhe dijen në mjet për të ndërtuar një të ardhme të re. Me punë të palodhur dhe përkushtim profesional, ajo arriti të ndërtojë një karrierë të jashtëzakonshme në një nga kompanitë më prestigjioze amerikane.

Sot, historia e saj është dëshmi e fuqishme se edhe nga rrethanat më të vështira mund të lindin histori suksesi, dhe se gratë shqiptare nga Kosova janë të afta të arrijnë majat e industrisë globale. Teuta Elshani mbetet një shembull frymëzimi për brezat e rinj, se ëndrrat mund të realizohen edhe kur rruga drejt tyre është e mbushur me sakrifica./Albinfo.ch

A është sauna e mirë për shëndetin tuaj?

Saunat po përjetojnë një rritje të madhe në Zvicrën frëngjishtfolëse, ku po hapen shumë objekte të reja. Përveç aspektit social dhe relaksues që ofrojnë, cilat janë efektet reale të saunës mbi shëndetin tonë?

Frekuentueshmëria e tyre po rritet – mund t’i gjesh në një jurta apo madje mbi një anije. Edhe pse nuk ka statistika zyrtare, Federata Zvicerane e Saunave raporton një rritje masive të numrit të këtyre banjove të nxehta në Zvicër. A është ndjenja e mirëqenies që ato ofrojnë arsyeja e popullaritetit të tyre?

Mathieu Saubade, mjek sportiv në CHUV dhe UniSanté, shpjegon se si sauna ndikon mbi trupin: “Rritet diametri i enëve të gjakut dhe qarkullimi i gjakut. Kjo është një reagim kundër stresit nga nxehtësia. Trupi përpiqet të mbajë temperaturën e tij.” Djersitja gjithashtu ndihmon në eliminimin e nxehtësisë nga trupi, transmeton albinfo.ch.

“Çfarë ka më rëndësi në sauna është të ndjesh trupin dhe të respektohesh këtë ndjesi.”

Sipas Mathieu Saubade, sauna sjell disa përfitime shëndetësore: “Më së shumti ka një efekt relaksues. Një studim finlandez i vitit 2015 tregoi gjithashtu një ulje të mortalitetit tek përdoruesit e rregullt të saunës. Sa më e shpeshtë përdorimi, aq më të mëdha duket të jenë përfitimet.”

Kujdes dhe kundërindikacione

Pavarësisht përfitimeve, përdorimi i saunës nuk është pa rreziqe. Personat me probleme kardiovaskulare, epilepsi apo sëmundje të tjera duhet të konsultohen me një mjek para përdorimit të saunës. Dehidratimi është gjithashtu një rrezik që duhet marrë parasysh.

Gjermania paralajmëron për “akull të zi” në rrugë

Shërbimi meteorologjik i Gjermanisë ka lëshuar një paralajmërim për rrezikun nga “akulli i zi” në rrugë, duke përfshirë zonat nga Hamburgu deri në Bavarinë qendrore, si dhe të gjithë shtetin e North Rhine-Westphalia.

Autoritetet po rekomandojnë që qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të qëndrojnë brenda shtëpisë sa më shumë që të jetë e mundur, sipas raportimeve të medias gjermane Bild.

Gjatë natës së fundit, Gjermania ka regjistruar një numër të konsiderueshëm aksidentesh rrugore për shkak të rrugëve të akulluara. Në shtetin e Baden-Württemberg, autoritetet njoftuan disa aksidente të shkaktuara nga akulli.

Në disa zona të Bavarisë, shumë rrugë do të mbeten të mbyllura edhe sot, për shkak të rrezikut nga rrëzimi i pemëve ose thyerja e degëve

Pula, mishi më i preferuar i zviceranëve

Ndërsa konsumi i mishit të derrit bie dhe ai i mishit të viçit mbetet i qëndrueshëm, pula po njoh rritje të jashtëzakonshme në Zvicër. Në vitin 2024, çdo banor konsumoi mesatarisht 15.9 kg pulë, një rritje prej 73% krahasuar me vitin 2000.

Rritja e popullaritetit të pulës reflektohet edhe në fast food, ku ajo përbën një të tretën e burgerëve të shitur në McDonald’s, dhe praninë e fortë të markave si KFC dhe Popeyes. Kompani zvicerane si Crrsp po shfrytëzojnë këtë trend, duke shërbyer kryesisht pula në restorantet e tyre dhe duke regjistruar rritje të konsiderueshme të të ardhurave, transmeton albinfo.ch.

Edhe kuzhina e lartë po i kushton më shumë vëmendje pulës. Në restorantin Le Chasseur në Fribourg, kuzhinieri Pierre-Pascal Clément përdor pjesë të ndryshme të pulës, duke e bërë atë një produkt gastronomik tërheqës dhe më të qëndrueshëm.

Rritja e konsumit të pulës ofron mundësi për fermerët zviceranë, të cilët mund të përfitojnë ekonomikisht duke rritur pulë në mënyrë të qëndrueshme. Megjithatë, një e treta e pulës së konsumuar në Zvicër vijon të vijë nga importi, kryesisht nga Brazili.

Kosovë: I mituri nga Gadimja e Lipjanit humb jetën, dërgohet në QKUK pa shenja jete

Vogëlushi Z.Z. nga Gadimja e Lipjanit, i cili ishte raportuar i humbur nga familja, ka ndërruar jetë.

Ai u gjet pas disa orësh dhe u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por nuk arriti të mbijetojë.

Lajmin e konfirmoi mjekja kujdestare Dafina Basholli:

“Pacienti u pranua pa shenja jete. Përkundër përpjekjeve reanimuese, nuk arriti të mbijetojë.”

Swisscom rrit çmimet e abonimeve private nga prilli

Pas operatorëve Sunrise dhe Salt, gjigandi i telekomunikacionit Swisscom njoftoi të martën se do të rrisë çmimet e disa abonimeve për klientët rezidencialë duke nisur nga 1 prilli. Çmimi mujor i abonimeve për internet dhe telefoninë mobile do të rritet me 1.90 franga zvicerane, ndërsa për televizionin dhe telefoninë fikse me 90 centime.

Ky ndryshim vlen si për klientët e rinj, ashtu edhe për ata ekzistues, njoftoi Swisscom në një komunikatë për shtyp. Janë të përjashtuara ofertat e shërbimit universal, abonimet prepaid, si dhe abonimet mobile vetëm për të dhëna dhe për fëmijë.

Klientët e prekur do të njoftohen në ditët e ardhshme me email ose përmes një shënimi në faturë. Nëse nuk bien dakord me rritjen e çmimeve, ata do të kenë mundësinë të ndërpresin kontratën para kohe.

Arsyeja e rritjes së çmimeve

Swisscom shpjegon se kjo rritje çmimesh është një përgjigje ndaj ndryshimeve strukturore në tregun e telekomunikacionit. “Ndërkohë që klientët kanë parë një rritje të fuqisë së abonimeve të tyre në vitet e fundit (ndonjëherë deri në 20 herë), çmimet kanë vazhduar të bien, ndryshe nga të gjitha sektorët e tjerë. Kjo ka shkaktuar një ulje të të ardhurave totale, si dhe të ardhurave për klient.”

“Kjo ulje e të ardhurave në tregun e telekomunikacionit nuk mund të kompensohet më vetëm me ulje kostosh dhe përmirësim të efikasitetit,” thekson kompania. Prandaj, Swisscom e konsideron këtë rritje çmimesh “të nevojshme për të ruajtur nivelin më të lartë të cilësisë së shërbimit.”

Investime të vazhdueshme

Swisscom nënvizon se “vazhdimisht po investon në zgjerimin, modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve mobile dhe optike.” Deri në vitin 2025, kompania ka alokuar rreth 1.7 miliardë franga zvicerane për rrjetet dhe infrastrukturën e teknologjisë së informacionit në Zvicër.

Rezultatet financiare të grupit për vitin 2025 pritet të publikohen më 12 shkurt. Për nëntëmujorin e parë të vitit të kaluar, fitimi neto ishte 998 milionë franga, duke shënuar një rënie prej 23% krahasuar me një vit më parë. Swisscom shpenzoi një shumë të konsiderueshme në tremujorin e tretë për të vazhduar integrimin e operatorit Vodafone Italia, i cili u ble në fund të vitit 2024.

Bota përkujtoi sot Holokaustin, Kosova kujtoi vuajtjet e saj

Sot, bota kujtoi viktimat e Holokaustit, një tragjedi që shënoi humbjen e miliona jetëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Gjermani kjo ditë shënohet që nga viti 1996, ndërsa në Izrael përkujtimi kryesor mbahet në Yom HaShoa, zakonisht në prill.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në vitin 2005, shpalli 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit dhe të viktimave të regjimit nazist. Kjo nismë synon të mbajë gjallë kujtesën për të parandaluar urrejtjen, racizmin dhe intolerancën në botë. Sekretari i atëhershëm i OKB-së, Kofi Annan, kishte theksuar se “çdo genocid nis me paragjykim dhe urrejtje”, dhe kujtimi i tragjedive të së kaluarës ndihmon njerëzimin të mos i lejojë ato të përsëriten.

Data 27 janar lidhet me çlirimin e kampit nazist të përqendrimit Auschwitz-Birkenau nga Ushtria e Kuqe sovjetike më 27 janar 1945. Kampi kishte qenë vendi i shfarosjes së mbi një milion njerëzve, shumica hebrenj, por edhe romë, sinti, njerëz me aftësi të kufizuara, kundërshtarë politikë dhe grupe të tjera të persekutuara.

Në Kosovë, përkujtimi i 81-vjetorit të Holokaustit u shënua me një ceremoni në Prishtinë. Presidentja Vjosa Osmani theksoi se Kosova e kupton mirë çfarë do të thotë të përjetosh persekutim, pastrim etnik dhe krime lufte, dhe kjo e bën vendin të solidarizohet me vuajtjet e hebrenjve gjatë Holokaustit. “Në Aushvic kujtojmë miliona gra, burra e fëmijë që u bënë viktima të një urrejtjeje të thellë. E kaluara nuk guxon të përsëritet ajo duhet të udhëzojë ndërgjegjen dhe vendimet tona,” tha Osmani.

Ajo gjithashtu përmendi përpjekjet e Kosovës për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të luftuar antisemitizmin, racizmin dhe çdo formë urrejtjeje. Parlamenti ka miratuar definicionin punues të antisemitizmit, duke treguar vendosmërinë e vendit për të qëndruar ballëhapur ndaj diskriminimit dhe paragjykimeve, transmeton albinfo.ch.

Në Gjermani, shënimi i 27 janarit përfshin uljen e flamujve në gjysmë shtizë dhe aktivitete edukative në shkolla. Në parlament mbahen seanca komemorative ku të mbijetuarit e Holokaustit dhe politikanë ndërkombëtarë ndajnë rrëfimet e tyre, përcjellin mesazhin e fuqishëm: “Kurrë më! Kurrë më!”

Izraeli, përveç Yom HaShoah, zhvillon ceremonitë e ndezjes së gjashtë pishtarëve që simbolizojnë gjashtë milionë viktimat hebreje, ndërsa në Poloni organizohet Marshimi i të Gjallëve nga kampi Auschwitz në Birkenau, me pjesëmarrjen e mijëra të rinjve hebrenj.

Kjo ditë përkujtimore nuk është thjesht reflektim mbi të kaluarën, por edhe një mësim për të ardhmen: për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për të parandaluar krimet kundër njerëzimit kudo në botë.

Vonesa dhe anulime në Aeroportin e Gjenevës për shkak të një defekti teknik

Një defekt në sistemin Skyguide ka ndaluar të gjitha ngritjet dhe uljet në Aeroportin e Gjenevës për pjesën e mëngjesit të së martës. Rreth gjysma e fluturimeve rifilluan pas orës 10:00, ndërsa 80% e tyre ishin normalizuar deri në orën 11:30.

Zëdhënësi i aeroportit të Gjenevës, Ignace Jeannerat, konfirmoi se vonesat vazhduan gjatë gjithë ditës, duke përforcuar raportimin e faqes online lematin.ch. Në mëngjesin e së martës, nëntë fluturime u devijuan drejt Bazelit, Lionit ose qyteteve të origjinës së tyre, ndërsa pesë fluturime u anulluan. Pasagjerët u këshilluan të kontaktojnë linjat ajrore për të kontrolluar statusin e fluturimeve të tyre.

Skyguide njoftoi gjithashtu se kishte mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore të Gjenevës si masë paraprake pas incidentit teknik. Sipas kompanisë, mbyllja, që ndikonte në 80% të kapacitetit, do të mbetej në fuqi për 24 orë.

Përditësime dhe defekte të mëparshme teknike

Skyguide kishte kryer një përditësim të softuerit gjatë natës nga e hëna në të martën, por disa komponentë të sistemit nuk u ngarkuan siç duhet. Ishte e nevojshme kthimi tek versioni i mëparshëm i instrumentit dhe një rikthim i kontrolluar i sistemit. Hapësira ajrore e Cyrihut nuk u prek. Kompania siguroi se siguria e të gjitha fluturimeve dhe pasagjerëve ishte e garantuar.

Skyguide ka pasur më parë disa probleme teknike ose vështirësi me softuerin në vitet e fundit. Në qershor të vitit të kaluar, kompania ishte detyruar të ulte kapacitetin e qasjes në Aeroportin e Gjenevës me 20%.

Mungesa e borës kërcënon punët sezonale në qendrat e skive me lartësi mesatare në Zvicër

Ndryshimet klimatike dhe mungesa e borës po reduktojnë ditët e hapjes të qendrave të skive me lartësi mesatare, duke rrezikuar të ardhurat e punonjësve lokalë. Në Zvicër, rreth 11,000 persona punojnë sezonalisht në skijim, por në stacionet e mesme puna shpesh varet nga kushtet e motit.

Në qendrën Bugnenets-Savagnières, numri i ditëve të hapjes ka rënë nga 70 në vit 20 vjet më parë, në rreth 25 ditë gjatë tre viteve të fundit. Për pasojë, vendet e punës të garantuara për stafin kanë rënë në vetëm katër, edhe falë borës artificiale.

Fermeri Thierry Oppliger punon aty prej 40 vitesh, por pranon se puna sezonale po bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Drejtuesit e qendrave, si në Les Paccots, theksojnë se ruajtja e punonjësve besnikë është thelbësore për funksionimin e stacioneve dhe shpesh u ofrohet punonjësve pensionistë ose studentë për të mbuluar mungesat.

Pasiguria e borës dhe ditëve të hapjes ka bërë që punonjësit të kërkojnë burime të tjera të ardhurash, duke vënë në dyshim stabilitetin e punës sezonale në këto qendra malore.

Parlamenti i Vaud refuzon hetimin mbi mburojën tatimore të paligjshme

Këshilli i Madh i kantonit Vaud vendosi të martën të mos hapë një hetim parlamentar mbi mburojën tatimore, mekanizmin që kufizon taksat për qytetarët më të pasur. Propozimi për krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar (CEP) u rrëzua pas një debati dy e gjysmë orësh, me 74 vota kundër, 37 për dhe 32 abstenime. Kërkesa ishte iniciuar nga deputeti Hadrien Buclin (Ensemble à gauche – POP), pas raportit të ekspertit të pavarur François Paychère që konstatonte se praktika ishte e paligjshme midis 2009 dhe 2021.

E djathta argumentoi se hetimi i prokurorisë, i nisur nga Prokurori i Përgjithshëm Eric Kaltenrieder, tashmë po zbardh ngjarjet, dhe një hetim parlamentar nuk do të sillte informacion të ri, duke u konsideruar shpenzim kohe dhe financash.

E majta kërkoi një akt të madh transparence për të rikthyer besimin e publikut dhe për të përcaktuar përgjegjësinë politike, duke sugjeruar që CEP të plotësojë punën e Prokurorisë.

Qeveria kantonale dhe kryetarja Christelle Luisier theksuan rëndësinë e transparencës dhe njoftuan se po zhvillohen dy auditime për sistemet e kontrollit të brendshëm dhe rutinat e taksave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me përfundime të pritshme deri në mars.

Sipas ligjit, një CEP përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Në historikun e kantonit Vaud, vetëm katër çështje kanë çuar në hetime parlamentare: Spitali i Rennaz (2021), BCV (2003), kontrolli i EMS-ve (2000) dhe parregullsitë financiare kantonale (1995).

Gjermania krijon tribunal për kthimin e veprave të artit të grabitura nga nazistët

Më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania po ndërmerr një hap historik duke krijuar një tribunal të ri arbitrazhi për të trajtuar kthimin e veprave të artit të grabitura nga nazistët.

Dhjetëra mijëra vepra arti, të sekuestruara gjatë regjimit nazist, nuk janë kthyer kurrë. Në Berlin, vepra mesjetare të njohura tërheqin çdo vit mijëra vizitorë, por thesari i Guelphëve është gjithashtu në qendër të një beteje ligjore që zgjat prej vitesh. Avokati Jörg Rosbach përfaqëson pasardhësit e Alice Koch, një prej pronareve të mëparshme.

Në vitin 1935, nën presionin e nazistëve, Alice Koch u detyrua të shesë aksionet e saj për të arritur të largohej në Zvicër. Trashëgimtarët e saj kërkojnë kthimin e pasurisë dhe kanë paraqitur prova të reja në këtë çështje, transmeton albinfo.ch.

“Ne dorëzuam dokumente në vitin 2022 që tregojnë qartë se shitja e thesarit të Guelphëve ishte e motivuar nga përndjekja racore e palëve të përfshira,” shpjegon avokati Jörg Rosbach.

Çështja tani do të shqyrtohet nga tribunali i ri i arbitrazhit për grabitjet naziste.

Një hap historik

Nga mbi 600 mijë vepra arti të grabitura nga nazistët, rreth 70 mijë ende nuk janë kthyer. Deri më tani, muzetë gjermanë kishin të drejtë të refuzonin bashkëpunimin në raste të tilla, por kjo nuk do të jetë më e mundur me krijimin e tribunalit të ri.

Sipas presidentit të tribunalit, Peter Müller, ky mekanizëm përbën një kthesë të rëndësishme:

“Vendosja e një procedure detyruese dhe dorëzimi i këtyre çështjeve një tribunali të pavarur arbitrazhi është një shenjë e vullnetit të Gjermanisë për të marrë përgjegjësitë e saj ndaj së kaluarës me më shumë seriozitet se më parë.”

Kritika nga organizatat hebraike

Organizatat hebraike e kanë përshëndetur këtë hap, por theksojnë se ai mbetet i pamjaftueshëm. Sipas Rüdiger Mahlo, përfaqësues i Claims Conference, vetëm një ligj i posaçëm për restitucionin mund të zgjidhë plotësisht çështjen e veprave të grabitura.

“Arbitrazhi zbatohet vetëm për muzetë dhe institucionet publike gjermane. Ai nuk përfshin veprat e artit të grabitura që ndodhen aktualisht në pronësi private,” shprehet Mahlo.

Ndërkohë që shumë vepra arti të grabitura ende mbeten jashtë çdo procedure ligjore, qeveria gjermane është zotuar se do të miratojë një ligj për restitucionin para përfundimit të mandatit të saj.