Komuna e Crans Montanës e pranon se lokali ku ndodhi tragjedia nuk u inspektua nga 2019

Komuna e Crans-Montana ka pranuar se lokali Le Constellation, i shkatërruar nga zjarri, nuk është kontrolluar që nga viti 2019. Autoritetet komunale shprehën “keqardhje të thellë” për këtë dështim, duke folur për mungesë kontrollesh periodike gjatë viteve 2020–2025.

Këto deklarata u bënë të ditura gjatë një konference për shtyp, ku komuna paraqiti dokumentacionin zyrtar të dorëzuar më 3 janar në Prokurori, që përfshin rreth 60 dokumente. Hulumtimi është bazuar në afro 60 vite arkiva komunale, të cilat përshkruajnë të gjitha procedurat administrative që lidhen me lokalin, i hapur fillimisht në vitin 1967 dhe i transformuar në 2015, përpara krijimit të komunës së bashkuar të Crans-Montana-s në vitin 2017.

Asnjë kontroll mes viteve 2020 dhe 2025

Sipas ligjit, shërbimi komunal i sigurisë është i detyruar të kryejë kontrolle vjetore në objektet e hapura për publikun. Kryetari i komunës, Nicolas Féraud, konfirmoi se kontrolle (përfshirë sigurinë nga zjarri) janë kryer në vitet 2016, 2018 dhe 2019, por jo më pas.

“E pendojmë thellësisht këtë,” deklaroi Féraud, duke shtuar se aktualisht nuk ka një shpjegim për këtë neglizhencë. “Jemi thellësisht të trishtuar dhe nuk kemi përgjigje për momentin.”

Komuna theksoi se gjykatat do të përcaktojnë ndikimin e kësaj mungese kontrolli në zinxhirin e shkaqeve që çuan në tragjedi dhe se ajo do të marrë përsipër çdo përgjegjësi që do të vendosë drejtësia.

Çështja e shkumës akustike

Autoritetet komunale deklaruan se kontrolli i shkumës akustike në tavanin e bodrumit nuk ishte pjesë e mandatit të tyre, pasi punimet e brendshme nuk kishin kërkuar leje ndërtimi, as në vitin 2015 e as më pas. Megjithatë, pronari kishte detyrimin të respektonte ligjet për përzgjedhjen dhe vendosjen profesionale të materialeve.

Sipas komunës, gjatë një kontrolli të verandës në vitin 2015, shërbimi i sigurisë kishte verifikuar edhe veshjen akustike dhe nuk kishte konstatuar probleme. As në kontrolle të tjera të mëvonshme nuk ishin evidentuar shqetësime.

Masa të reja sigurie

Pas zbulimit të këtyre mangësive, kryetari Féraud njoftoi se një zyrë e jashtme e specializuar do të angazhohet për të kryer kontroll urgjent të 128 lokaleve publike në territorin e komunës. Po ashtu, do të kërkohet kontroll i materialeve, edhe pse ligji nuk e detyron një gjë të tillë.

Komuna ka vendosur gjithashtu ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në të gjitha ambientet e mbyllura.

Kapaciteti dhe pajisjet e sigurisë

Sipas autoriteteve, lokali Le Constellation kishte dy dalje emergjence, të mjaftueshme për këtë lloj objekti, dhe një fikës zjarri, i konsideruar i mjaftueshëm për madhësinë e hapësirës. Po ashtu, u theksua se nuk ishte i detyrueshëm një sistem alarmi kundër zjarrit për këtë kapacitet.

Kapaciteti maksimal i lokalit ishte 200 persona, 100 në bodrum dhe 100 në katin përdhes.

Reagimi i Kantonit

Këshilltari shtetëror i Valais-it përgjegjës për sigurinë, Stéphane Ganzer, deklaroi se kontrolli i materialeve, veçanërisht i një shkumë të tillë, “është pjesë bazë e çdo kontrolli sigurie”. Ai u shpreh i tronditur dhe i zemëruar nga mungesa e kontrolleve periodike që nga viti 2019.

“Janë konstatuar mangësi serioze dhe këto nuk duhet të ndodhin në një vend si i yni,” tha Ganzer, duke shtuar se kantoni po shqyrton masa urgjente shtesë, përfshirë ndalimin e mjeteve piroteknike në ambiente të mbyllura.

Nuk ka dorëheqje nga autoritetet lokale

I pyetur për dorëheqje, Nicolas Féraud u përgjigj negativisht:

“Ne jemi zgjedhur nga populli. Nuk e braktisim anijen në mes të stuhisë – ne marrim përgjegjësi.”

Ai theksoi se autoritetet kanë shprehur trishtimin e tyre disa herë, duke shtuar se nëse do të kishin pasur dijeni për probleme konkrete, do të kishin marrë masa menjëherë.

Avokati i viktimave kërkon përgjegjësi të plotë

Avokati Romain Jordan, që përfaqëson disa nga viktimat, deklaroi se komuna dhe të gjitha autoritetet duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë. Ai kritikoi mungesën e kërkim-faljeve dhe theksoi se numri i madh i mangësive ngre pyetje serioze për hapjen e një hetimi më të thelluar ndaj komunës.

Sipas tij, përpjekja e komunës për ta paraqitur veten si viktimë është e papranueshme dhe cenon statusin e viktimave të vërteta të kësaj tragjedie.

Sonte përfundon numërimi i votave me kusht

Procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të dhëna nga personat me nevoja të veçanta në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, pritet të përmbyllet sonte në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Deri në ora 16:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 49 nga 57 vendvotimet, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht.

Ndërkohë, në platformën e KQZ-së për rezultate ka filluar të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, sipas dinamikës së numërimit të fletëvotimeve.

Për dallim nga Kosova e Shqipëria, situata më e mirë në Maqedoni

Ndryshe nga disa vende të rajonit, ku reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar përmbytje, në Maqedoni nuk është regjistruar asnjë situatë e tillë.

Aktualisht nuk ka rritje të nivelit të shtretërve të lumenjve dhe gjendja hidrologjike mbetet e qëndrueshme, shkruan Alsat, transmeton albinfo.ch.

Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se, për momentin, nuk pritet që vendi të përfshihet nga përmbytje dhe se nuk parashikohen ndryshime të mëdha në ditët në vijim.

Megjithatë, pas dy ditësh pritet një valë e re e të ftohtit, e shoqëruar me reshje bore, e cila mund të ndikojë në ndryshimin e gjendjes hidrologjike.

“Aktualisht nuk ka rritje drastike të nivelit të shtratit të lumenjve, duke pasur parasysh reshjet e dobëta gjatë periudhës së fundit dhe ndikimin e tyre të kufizuar në prurjet ujore. Situata në vend është stabile, ndërsa shtretërit e lumenjve janë brenda niveleve normale. Por nga 08.01.2026 parashikohet depërtimi i një vale të ftohtë me reshje bore, e cila do të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të gjendjes hidrologjike”, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Ndërkohë, sinoptikët paralajmërojnë se ditëve në vijim vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu, të cilat pritet të zgjasin deri në fundjavë, ndërsa në zonat malore reshjet do të jenë edhe në formë bore.

“Nga sot zona jonë do të jetë në ndikimin e motit të paqëndrueshëm, më reshje të rrëmbyeshme të shiut, borë do të ketë vetëm nëpër male gjatë ditës së sotme. Prej nesër në fund të ditës do të kemi mot më të ftohtë, kështu që nëpër male reshjet do të shndërrohen në borë, nesër presim edhe reshje më të shumta të shiut mbi 25 litra për metër katrorë, të enjten do të vazhdoj ky mot i ftohët…të premten do të ketë mot më të qëndrueshëm, ndërsa të shtunën përsëri do të ketë reshje të shiut dhe borës” , tha Lençe Rizova, sinoptike.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar reshje shiu, me sasi më të mëdha në rajonet perëndimore dhe ato malore. Sasia më e madhe e reshjeve është shënuar në Pozharanë, me 21 litra për metër katror, e ndjekur nga Tetova me 19 litra për metër katror.

Institucionet kompetente thonë se po e ndjekin situatën dhe do ta informojnë publikun në kohë në rast të ndryshimeve të rëndësishme.

Vërshimet në Shqipëri: Preken shumë qytete

Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë edhe Shqipërinë prej mbrëmjes së djeshme, duke  shkaktuar përmbytje në disa qytete.

Durrësi mbetet qyteti më i prekur nga moti i keq. Rrugët mbeten pothuajse të pakalueshme në shumë lagje të qytetit dhe të braktisura.

Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimit të rrugëve.

Sipas Zyrës Vendore të Arsimit Durrës, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht 8 familje po evakuohen për shkak të përmbytjes së banesave, 3 prej të cilave nga Shijaku.

Situatë e rënduar paraqitet dhe në autostradën Durrës- Tiranë ku disa automjete janë fikur e paraqesin probleme për shkak të pranisë së lartë të ujit në disa segmente të këtij aksi të rëndësishëm rrugor.

Edhe në Tiranë, reshjet dhe mbushja e rrugëve me ujë ka sjellë trafik të rënduar.

Në Kukës, vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore.

Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.

Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona, raporton TCh.

Malisheva dhe Juniku shpallin gjendje të jashtëzakonshme

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka njoftuar se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në këtë komunë pas vërshimeve që ndodhën sot atje.

“Që nga orët e mesnatës, Komuna jonë po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit tonë. Si Kryetar i Komunës, që nga momentet e para jam në terren bashkë me ekipet emergjente të shpëtimit, strukturat komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, ka deklaruar ai.

Kastrati theksoi se fatkeqësisht, vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, rrugë, prona private, toka bujqësore dhe objekte të ndryshme, duke krijuar vështirësi serioze për shumë familje, transmeton albinfo.ch.

“Për këtë situatë të rëndë, shpreh keqardhjen time më të thellë dhe solidaritetin e plotë me të gjithë qytetarët e prekur. Dua të falënderoj të gjitha ekipet emergjente, zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe vullnetarët, të cilët pa u lodhur, në kushte të vështira dhe me përkushtim të lartë profesional, janë duke punuar pa ndërprerë për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës aty ku ka nevojë”, theksoi Kastrati.

Kreu i Malishevës, iu bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat e rrezikuara, të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren.

“Komuna e Malishevës do të vazhdojë të jetë në gatishmëri të plotë derisa situata të stabilizohet dhe më pas do të angazhohemi maksimalisht për vlerësimin e dëmeve dhe përkrahjen e familjeve të prekura”, shtoi kreu i Malishevës.

Pas Malishevës, edhe Juniku e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme shkaku i vërshimeve të sotme.

Në njoftimin e Komunës, thuhet se është formuar shabi emergjent.

Tutje, theksoi se edhe fillimi i gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë deri më 12 janar.

“Në këtë kuadër, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më 12.01.2026. I lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare. Ditët e humbura të mësimit do të kompensohen” thuhet në njoftim.

Shkollat ofrojnë mbështetje për nxënësit pas zjarrit në bar

Nxënësit e shkollave në Gjenevë u kthyen në klasa dje nën një re të rëndë emocionale, pas një zjarri vdekjeprurës të natës së Vitit të Ri në Crans-Montana.

Zjarri vrau dyzet persona, përfshirë një djalë katërmbëdhjetë vjeç, dhe plagosi më shumë se njëqind.

Zyrtarët e Gjenevës thonë se disa nxënës vendas u plagosën rëndë, transmeton albinfo.ch.

Në përgjigje, Departamenti i Arsimit Publik solli shërbime mbështetëse psikologjike në të gjitha shkollat ​​publike dhe programet e mësimdhënies.

Mësuesit dhe këshilltarët po i inkurajojnë nxënësit të flasin, ndërsa shkollat ​​gjithashtu kërkojnë ekspozim të kufizuar në mediat sociale.

Një minutë heshtjeje në të gjithë vendin do të mbahet këtë të premte pasdite.

Ndërkohë, në Crans-Montana, zyrtarët vendas kanë tërhequr licencën për një bar të dytë në pronësi të së njëjtës familje.

Zvicra përgatitet për temperaturat e ulëta

E hëna e parë e vitit 2026 – domethënë 5 janari – shënoi fillimin e motit “të ftohtë dhe të acartë”, sipas parashikimit nga shërbimi zyrtar meteorologjik i Zvicrës, MeteoSchweiz, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa do të mbetet kryesisht me diell për disa ditët e ardhshme, temperaturat do të bien shumë nën zero në pjesën më të madhe të Zvicrës, madje edhe në zonat e ulëta.

Për shembull, parashikimet parashikojnë -10°C në Bernë, -7°C në Cyrih dhe Bazel, dhe -5°C në Lozanë.

Vala e ftohtë por me diell do të vazhdojë deri të enjten, me shi ose borë – varësisht nga rajonet – që do të mbërrijnë të premten dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë fundjavës.

Po moti në male?

Do të jetë edhe më ftohtë në lartësi më të mëdha, me temperatura në 2,000 metra që do të bien në -11C.

Por në disa zona të Alpeve Zvicerane do të jetë edhe më ftohtë: në pistat e skive, në një lartësi mbi 2,000 metra, temperatura do të jetë mesatarisht rreth -13C.

Megjithatë, në disa pista – si në St. Moritz (Graubünden) – i ftohti do të mbetet intensiv, me temperatura që do të bien deri në -24C.

Mesi i janarit: Më i butë, por më i lagësht

Duke parë përpara nga e hëna, 12 janar deri të dielën, 18 janar, MeteoSchweiz parashikon një “zonë të madhe me presion të ulët mbi Evropën veri-qendrore, me një rrymë perëndimore mbi Zvicër. Ditët do të jenë kryesisht me re me disa reshje që alternohen me periudha me diell dhe të thata dhe temperatura maksimale nga 2 deri në 7C”.

 

83 persona ende në spital pas tragjedisë së zjarrit në Zvicër

Shumica e të plagosurve në zjarrin shkatërrues në një bar të Vitit të Ri në Crans-Montana ishin ende në spital të hënën, ndërsa trupat e pesë adoleshentëve italianë u riatdhesuan nga Zvicra.

Katër ditë pas katastrofës, policia zvicerane njoftoi se të gjithë 116 personat e plagosur në zjarrin vdekjeprurës ishin identifikuar, së bashku me 40 viktimat, shumica e të cilëve ishin adoleshentë.

“Të gjithë 116 personat e plagosur janë identifikuar. Tetëdhjetë e tre prej tyre janë ende të shtruar në spital”, tha të hënën policia kantonale e Valais, transmeton albinfo.ch.

Të dielën vonë, policia tha gjithashtu se të gjithë 40 personat që humbën jetën në tragjedi ishin identifikuar. Ata ishin të moshës 14 deri në 39 vjeç, me moshën mesatare 19 vjeç.

Shtetas zviceranë përbënin shumicën e të vrarëve dhe të plagosurve, por u prekën edhe shtetas të 18 vendeve të tjera. Të vdekurit përfshinin 19 mbajtës të pasaportave të huaja, përfshirë nëntë francezë dhe gjashtë italianë. Midis të plagosurve ishin 23 shtetas francezë, 11 italianë, katër serbë dhe dy polakë, tha policia të hënën.

Shtetas nga Australia, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Kongo-Brazzavil, Republika Çeke, Finlanda, Luksemburgu, Filipinet dhe Portugalia ishin gjithashtu midis të lënduarve në tragjedi.

Viktimat më të rënda të djegies janë transportuar me helikopter në qendra të specializuara për djegie në Zvicër dhe jashtë vendit.

Zvicra është një nga vendet më të sigurta në botë në vitin 2026

Një studim i kohëve të fundit i kryer nga platforma krahasuese HelloSafe tregon se Zvicra është në vendin e dytë globalisht (pas Islandës) në një renditje të vendeve më të sigurta për udhëtarët në vitin 2026.

Në total, 50 vende u renditën në kategori të tilla si siguria publike dhe krimi, stabiliteti politik dhe social, siguria shëndetësore, siguria kibernetike, si dhe rreziku mjedisor, transmeton albinfo.ch.

Renditja globale e 50 vendeve më të sigurta për të udhëtuar nxjerr në pah dominimin e vendeve nordike (Islanda, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Zvicra), të cilat qëndrojnë si modele të vërteta të sigurisë globale. Përsosmëria e tyre rezulton nga një kombinim i jashtëzakonshëm i krimit pothuajse inekzistent, stabilitetit politik afatgjatë, institucioneve transparente dhe sistemeve shembullore të kujdesit shëndetësor. Këto vende mishërojnë një ekuilibër midis sigurisë publike, besimit social dhe qëndrueshmërisë mjedisore, duke vendosur cilësinë e jetës dhe parandalimin e rreziqeve në thelb të modelit të tyre kombëtar.

Pas tyre, vendet e Azi-Paqësorit si Singapori, Japonia, Zelanda e Re dhe Australia dallohen për përsosmërinë në sigurinë kibernetike, disiplinën sociale dhe menaxhimin e përparuar urban. Në Evropë, vendet Perëndimore dhe Veriore mbeten performues të fortë, ndërsa Evropa Qendrore (Estonia, Sllovenia, Republika Çeke) po përparon me shpejtësi falë politikave efektive dixhitale dhe institucionale. Portugalia, Spanja dhe Italia gjithashtu ofrojnë nivele të larta sigurie për udhëtarët, pavarësisht sfidave të caktuara që lidhen me korrupsionin ose ndotjen.

 

 

Këta janë kandidatët e LDK-së që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës

Procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit.

Teksa ka përfunduar numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike dhe ato me postë, numërimi i votave me kusht është drejt përmbylljes ku deri tani janë procesuar rezultatet e numërimit të mbi 73% të këtyre votave në platformën e KQZ-së, përcjell albinfo.ch.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar publikimin e listës së kandidatëve për deputetë të cilët kanë arritur të fitojnë ulëse në legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila deri tani ka fituar 14 mandate sipas KQZ-së, ulëse kanë arritur të fitojnë: Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti, Doarsa Kica Xhelili, Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku Sadriu, Janina Ymeri, Besian Mustafa, Adelina Thaqi Meta, Ermal Sadiku.

Kujtojmë që procesit të numërimit do t’i nënshtrohen edhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Kush janë deputetë e PDK-së që siguruan ulëse në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar emrat e deputetëve të secilës parti që do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, përcjell albinfo.ch.

Partinë Demokratike të Kosovës do ta përfaqësojnë 23 deputetë, bazuar në rezultatet e deritanishme të KQ-së, nga Bedri Hamza deri te Arbnora Salihu.

Rashiq konfirmon mandatin dhe shpreh gatishmëri për ta votuar Qeverinë Kurti 3

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka konfirmuar se, bazuar në rezultatet e deritanishme zgjedhore, ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Me këtë rast, Rashiq ka deklaruar se është i gatshëm ta votojë Qeverinë “Kurti 3”, por ka theksuar se paraprakisht kërkon një takim me kryeministrin Albin Kurti, në të cilin do të sqarohen disa çështje.

“Besoj se kemi siguruar një mandat, pasi diferenca e votave është e madhe dhe nuk jemi në rrezik sa i përket mandatit. Është një mandat i vetëm, por i vlefshëm. Kam pasur përvoja të mira bashkëpunimi me zotin Kurti. Ende nuk kemi zhvilluar biseda konkrete për bashkëpunim, por jam i bindur se në ditët në vijim do të takohemi dhe do të diskutojmë”, ka deklaruar Rashiq.

Ai ka shtuar se është i hapur për bashkëpunim dhe nuk sheh pengesa për vazhdimin e tij, duke theksuar se nuk ka kushte për ta votuar Qeverinë Kurti 3, por kërkesa për disa korrigjime teknike.

“Nuk kemi kushte, por ka nevojë për disa përmirësime teknike për një qeverisje më të mirë në interes të qytetarëve serbë. Kushtetuta përcakton qartë se një ministri duhet të udhëhiqet nga një ministër serb dhe të gjitha rrethanat po na drejtojnë drejt bashkëpunimit. Në këtë moment nuk shoh asnjë pengesë për ta vazhduar bashkëpunimin”, ka theksuar ai.

Rashiq ka lënë të hapur edhe mundësinë e rizgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit, por ka bërë të ditur se fillimisht po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të sqarojë nëse posti i nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb i takon Listës Serbe, si shumicë parlamentare, apo nëse ky post mund t’i takojë atij.

Kusari-Lila: Raportimi i NZZ-së për takime në Zvicër është lajm i rremë

Kryetarja e “Alternativës”, Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur si lajmë të rremë, raportimin e gazetës zvicerane NZZ, në të cilin përmenden takime të fshehta në Solothurn të Zvicrës, përfshirë edhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe kryediplomatin serb, Marko Gjuriq, përcjell albinfo.ch.

“Lajm i rremë në NZZ, lajm i rremë në disa platforma kosovare. Zelli për shpërndarjen e lajmeve të rreme mbetet i njëjtë, përkundër fakteve të qarta që e demantojnë plotësisht këtë narrativë. Kjo nuk është gazetari është papërgjegjësi”, ka shkruar ajo.

PDK-ja “ia rrëmben” një ulëse LDK-së

Një ndryshim i papritur ka ndodhur në fund të procesit të numërimit të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka rikthyer ulësen e 23-të në Kuvend, duke e “rrëmbyer” atë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila tani ka rënë në 14 mandate nga 15 sa kishte sipas rezultateve preliminare.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), fituese e zgjedhjeve, ka arritur në 57 ulëse në Kuvend, duke i marrë një mandat PDK-së, e cila sipas rezultateve të mëparshme kishte 23. Me këto llogaritje të fundit, në Kuvend rikthehet Bekim Haxhiu nga PDK-ja.

Nga ana tjetër, LDK-ja humb një ulëse, të cilën e ka humbur Fadil Hadërgjonaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar gjithsej 6 ulëse në Kuvend.

Qeveria në detyrë demanton raportimet për takime Bislimi–Gjuriq në Zvicër

Gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) ka publikuar sot një artikull në të cilin pretendon se shteti zviceran ka organizuar takime joformale ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Sipas gazetës zvicerane, në këto takime thuhet se kanë marrë pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryenegociatori për dialogun, Besnik Bislimi, si dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq.

Ndaj këtij raportimi ka reaguar Qeveria në detyrë e Kosovës, e cila ka mohuar kategorikisht se Bislimi ka pasur ndonjë takim me Gjuriqin në Zvicër.

“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka pasur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Në reagimin e plotë, Qeveria në detyrë sqaron se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin një numër të madh akterësh ndërmjetësues. Krahas Bashkimit Evropian, edhe vende partnere e mike, si Zvicra, organizojnë iniciativa të ndryshme ndërmjetësimi përmes Departamentit Federal të Punëve të Jashtme.

Sipas reagimit, Zvicra çdo vit organizon takime me përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë, politikanë dhe zyrtarë qeveritarë nga të dyja shtetet, për çka Qeveria e Kosovës ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e saj.

Megjithatë, theksohet se këto takime nuk janë “të fshehta” dhe se zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, në cilësinë e kryenegociatorit, nuk ka zhvilluar takime të tilla, e aq më pak me Marko Gjuriqin.

“Në njërin nga këto takime në Zvicër, zëvendëskryeministri Bislimi ka qenë i ftuar si folës, por në atë takim nuk ka qenë i pranishëm Marko Gjuriq. Pra, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka pasur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, përfundon reagimi.

Numërohen mbi 50% e votave me kusht, këto janë rezultatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me publikimin e rezultateve nga numërimi i votave me kusht në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave të përditësuara deri më tani nga 31 vendvotime të numëruara nga 57 gjithsej (54.39%), Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.06% të votave, që përkthehet në 2,086 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.29% ose 820 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11.08% (471 vota).

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 7.62% (324 vota)

KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit po vazhdon dhe se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha vendvotimeve dhe verifikimeve përkatëse.

Agjencia Kundër-Korrupsionit nis hetim pasuror ndaj presidentes Osmani

Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës,Vjosa Osmani, përcjell albinfo.ch.

Kjo pasi Agjencia ka gjetur dallime të theksuara në deklarimin e saj të pasurisë ndërmjet viteve 2024 dhe 2025.

Burime brenda këtij institucioni kanë konfirmuar për VOX Kosova se procedura ka nisur pasi janë vërejtur dallime në sasinë e pasurisë që presidentja kishte deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë.

Ndryshimet lidhen kryesisht me rritjen e kursimeve, si dhe me shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara.

Në dokumentet e dorëzuara për vitin 2025 vërehen lëvizje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, çka ka nxitur institucionin përgjegjës të ndërmarrë verifikime shtesë, ashtu siç parashihet me ligj.

Osmani, e cila shpesh përmendet në opinionin publik për standardin e saj të jetesës, ka blerë një shtëpi në një lagje luksoze në periferi të Prishtinës.

Por ajo ka edhe shumë patundshmëri të tjera, siç janë pronat në Australi, ku vetëm një shtëpi figuron me vlerë mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, vitin e kaluar, në deklarimin e pasurisë, ajo ka deklaruar se bashkë me bashkëshortin posedojnë edhe një banesë në Prishtinë, si dhe tokë dhe një shtëpi tjetër në Australi.

Ndërkohë, Bekim Kupina, këshilltari i Osmanit, e mirëpresin çfarëdo verifikimi.

“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhi.”, tha KupinaPas raportimeve se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga Presidenca për rtv21.tv kanë bërë të ditur se nuk kanë informacione të tilla.

Kurti drejt 400 mijë votave, VV me rezultat rekord

Procesi i numërimit të votave po vazhdon edhe sot, përfshirë votat me kusht, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me përqindjen më të lartë të votave, 50.67 për qind.

Sipas të dhënave të deritanishme, kryeministri dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, ka arritur të marrë 386,953 vota, duke u renditur bindshëm si kandidati më i votuar në këto zgjedhje.

Përveç Kurtit, Albinfo.ch sjell edhe pesë kandidatët më të votuar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje:

Glauk Konjufca – 303,733 vota

Albulena Haxhiu – 164,604 vota

Hekuran Murati – 162,576 vota

Donika Gërvalla-Schwarz – 145,567 vota

Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen pas përmbylljes së plotë të procesit të numërimit, përfshirë votat me kusht dhe ato nga diaspora, por trendi aktual tregon një epërsi të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të liderit të saj, Albin Kurti./Albinfo.ch 

Vërshime në disa pjesë të Kosovës

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në kryeqytet disa rrugë janë mbushur me ujë duke e bërë të vështirë qarkullimin e automjeteve.

Në Skenderaj, kryetari i Komunës, Sami Lushtaku ka shkruar se reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh.

“Ekipet emergjente të zjarrfikësve që nga mesnata janë të angazhuara në terren dhe po përcjellin situatën me kujdes të shtuar. Në bashkëpunim me të gjitha ekipet e emergjencave në kuadër të komunës, do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve për tu përballur së bashku me këtë situate”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të rritjes së turbullueshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kjo ndërmarrje ka thënë se është e detyruar ta ndërpresë ujin dhe se masa merret me qëllim të garantimit të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes.

“Ekipet tona teknike janë në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen. Furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbulleshmërisë dhe krijimit të kushteve të sigurta për distribuim”, thuhet në njoftimin e të martës në mëngjes.

Edhe në Malishevë për shkak të reshjeve të dendura është vërshuar parkingu nëntokësor, pak ditë pas përurimit të tij.

Në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga datat 3-5 janar, në pjesën perëndimore të Kosovës, janë regjistruar reshje të konsiderueshme të shiut, të cilat kanë ndikuar dukshëm në rritjen e niveleve dhe prurjeve të ujit.

Tutje ka njoftuar se kryesisht bëhet fjalë për lumenjtë që rrjedhin nga Alpet Shqiptare dhe si pasojë, mund të kenë dalë nga shtretërit e tyre.

Afro 1 orë pritjet e mërgimtarëve për të dalë nga Kosova

Bëhet e ditur se mërgimtarët po presin afro 1 orë për të dalë nga Kosova në drejtim të vendeve ku ata jetojnë dhe veprojnë, përcjell albinfo.ch.

Bazuar në të dhënat e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, 40 minuta vijojnë pritjet në Merdarë.

Ndërkohë, pikat tjera kufitare nuk regjistrojnë fluks të madh të pritjeve.

VV kryeson edhe në votat me kusht

Numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta ka nisur të hënën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përcjell albinfo.ch.

Kjo fazë është pjesë e përpunimit të fundit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të KQZ-së, deri në momentin e përditësimit janë numëruar 18 nga 57 vendvotime, apo 31.58% e totalit të votave me kusht.

Deri tani Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson bindshëm me 49.81% (1,313 vota). Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.45% (539 vota).

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11.65% (307 vota) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 8.95% (236 vota).