Archives
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë viziton Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, realizoi një vizitë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku pati mundësinë të njihet nga afër me funksionimin dhe operacionet e përditshme të aeroportit, përcjell albinfo.ch.
Gjatë vizitës, ambasadori Sprecher u prit me mikpritje dhe mori një guidë përmes ambienteve të aeroportit, përfshirë edhe zonat prapa skenës, duke u njohur më për së afërmi me mënyrën se si organizohet dhe menaxhohet ky institucion jetik për lidhjen ajrore të Kosovës me botën.
Kosova dhe Zvicra janë të lidhura ngushtë përmes fluturimeve të përditshme që përbëjnë një urë të rëndësishme komunikimi, sidomos për diasporën e madhe kosovare në Zvicër. Aeroporti i Prishtinës luan një rol kyç në këtë drejtim, duke shërbyer si nyje strategjike për lëvizjen e udhëtarëve dhe zhvillimin ekonomik.
Ambasada e Zvicrës në Kosovë shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe shumëvjeçar me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, bashkëpunim që ka ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Një falënderim i veçantë u drejtohet Aeroportit Ndërkombëtar LIMAK Kosova, Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës (KANS), si dhe stacionit policor të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për organizimin dhe kontributin e tyre të çmuar gjatë vizitës.
Zelensky shkon në Berlin për takimin me Trumpin
Sot, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Berlinin për t’u bashkuar me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, për bisedime me udhëheqësit evropianë dhe amerikanë përpara samitit Trump-Putin më vonë këtë javë, ka thënë qeveria gjermane, përcjell albinfo.ch.
Merz-i ka organizuar një seri takimesh virtuale të mërkurën, në një përpjekje për të dëgjuar zërin e udhëheqësve evropianë dhe ukrainas, përpara një samiti nga i cili ata janë lënë mënjanë, raporton AP.
Zelensky pritet të takohet fillimisht me udhëheqësit evropianë, në përgatitje të një telefonate virtuale me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe zëvendëspresidentin JD Vance rreth një orë më vonë.
Një telefonatë midis udhëheqësve të vendeve të përfshira në “koalicionin e të vullnetshmëve”, ata që janë të përgatitur të ndihmojnë në kontrollin e çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje midis Moskës dhe Kievit, do të zhvillohet e fundit.
Të mërkurën, Merz-i është zotuar të ndihmojë Ukrainën të zhvillojë sistemet e veta të raketave me rreze të gjatë veprimi, që do të jenë të lira nga çdo kufizim i imponuar nga Perëndimi në përdorimin dhe objektivat e tyre, ndërsa qeveria e Kievit lufton për të sprapsur pushtimin e Rusisë.
Zelensky e ka vizituar për herë të fundit Berlinin në fund të majit.
Takimi Trump-Putin do të zhvillohet të premten në Alaska.
Kosovë: 11 armë zjarri të sekuestruara në 24 orët e fundit
Në 24 orët e fundit janë sekuestruar 11 armë zjarri në Kosovë. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, janë sekuestruar nëntë pistoleta e dy pushkë, si dhe katër thika, përcjell albinfo.ch.
Në një rast në fshatin Gramaçcel të Deçanit, gjatë një bastisje në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta me leje, dy pushkë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, rreth 110 fishekë, si dhe katër thika dhe afro 1.5 gram marihuanë. Po ashtu u sekuestruan dy vetura për shmangie doganore. U ndaluan dy burra e dy gra, ndërsa me vendim të prokurorit ata më pas u liruan në procedurë të rregullt.
“Fsh. Gramaçel, Deçan 12.08.2025-09:30.Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra kosovare dhe tjetra me shtetësi të huaj, pasi që gjatë bastisjes në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar; një pistoletë (me leje) me 16 fishekë, një pushkë, një pistoletë (me leje) me karikator dhe me 24 fishekë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, një pushkë, gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika si dhe sasi të vogla substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 1.5 gram. Po ashtu, janë sekuestruar dy automjete për shmangie doganore, të cilat janë proceduar tek Dogana e Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Pistoleta janë sekuestruar edhe në Lipjan, Drenas, Obiliq, Fushë-Kosovë, e Skënderaj dhe dy në Rahovec – në fshatrat Xërxë dhe Polluzhë.
Tre persona u dërguan në mbajtje e rastet tjera shkuan në procedurë të rregullt.
Rastet e raportuara në Polici:
MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE /PËRDORIM I ARMËS APO MJETIT TË RREZIKSHËM
Lipjan 29.05.2025-08:30. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare pasi që muaj më parë kishte publikuar një video në rrjet social duke shtënë me armë zjarri. Pistoleta është sekuestruar dhe me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Gllogoc 12.08.2025-18:30. Raportohet se njësiti policor nga i dyshuari mashkull kosovar ka konfiskuar armën e zjarrit me një karikator me 27 fishekë pasi që i njëjti gjatë ahengut familjar dyshohet se ka shtënë me të. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
KANOSJE/PËRDORIM I ARMËS APO MJETIT TË RREZIKSHËM
Plemetin, Obiliq 12.08.2025-20:40. Njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur të dyshuarin mashkull kosovar i cili me vete kishte një armë zjarri. Nga i dyshuari arma e zjarrit me shtatë fishekë dhe dy gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
KANOSJE/ MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE
Rr. Gjergj Fishta, Fushë Kosovë 12.08.2025-18:12. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti pas një mosmarrëveshje ka kanosur viktimën mashkull kosovar duke i drejtuar armën e zjarrit. Nga i dyshuari është konfiskuar arma e zjarrit me një karikator me 9 fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.
MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE
Fsh. Gramaçel, Deçan 12.08.2025-09:30. Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra kosovare dhe tjetra me shtetësi të huaj, pasi që gjatë bastisjes në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar; një pistoletë (me leje) me 16 fishekë, një pushkë, një pistoletë (me leje) me karikator dhe me 24 fishekë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, një pushkë, gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika si dhe sasi të vogla substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 1.5 gram. Po ashtu, janë sekuestruar dy automjete për shmangie doganore, të cilat janë proceduar tek Dogana e Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE
Fsh. Xërxë, Rahovec 12.08.2025-01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri. Pistoleta me një karikator me pesë fishekë dhe pesë gëzhoja janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Fsh. Polluzhë, Rahovec 11.08.2025-21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Pistoleta me një karikator është sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
KANOSJE/ MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËS
Fsh. Abri e Poshtme, Skenderaj 12.08.2025-19:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që, i njëjti kishte ekspozuar një armë të zjarrit. Nga i dyshuari është sekuestruar një revole. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje.
Vazhdon lufta me zjarret në Shqipëri
Vera e sivjetme ka bërë që shumë zona në Shqipëri të përfshihen nga zjarret, duke shkaktuar dëme të shumta.
Veç dëmeve në infrastrukturë e në shkrumbim të maleve të tëra, të martën është regjistruar një viktimë në zonën e Elbasanit. Atje raportohet se një 80-vjeçar ka vdekur si pasojë e asfiksisë, pasi i njëjti dyshohet se i kishte vënë zjarrin oborrit të tij, duke shkaktuar kështu djegien e gjashtë fshatrave në zonën e Gramshit.
Ndërkaq, sot, mediat në Tiranë po raportojnë edhe për një viktimë në këtë zonë, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar.
Agjencia e lajmeve “Reuters” ka shkrepur pamje nga aksioni i zjarrfikësve për shuarjen e zjarreve në Delvinë, të cilat mund t’i shihni më poshtë.
Dy makina dëmtohen në Mitrovicë si pasojë e një shpërthimi
Raportohet se dy makina janë dëmtuar në Mitrovicë të Jugut si pasojë e një shpërthimi, ka njoftuar Policia e Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një dorëz e granatës, që është marrë si dëshmi materiale. Rasti po hetohet.
“Rr. Dëshmorët e Kombit, Mitrovicë Jugu 10.08.2025-00:50. Raportohet se si pasojë e një shpërthimi janë dëmtuar dy automjete prona të dy ankuesve meshkuj kosovarë. Në vendin e ngjarjes është gjetur një dorëz e granatës dhe e njëjta është konfiskuar si dëshmi materiale. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kujdestar i cili rastin e ka cilësuar si më lartë dhe rasti mbetet nën hetime”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sot mbyllet afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale
Mësohet se sot do të përfundojë afati për certifikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve të tyre për zgjedhje lokale të 12 tetorit, përcjell albinfo.ch.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike në KQZ, Besnik Buzhala dje tha se të mërkurën do të përfundojë afati për certifikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve të tyre për zgjedhje lokale të 12 tetorit.
“Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve të tyre për zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025 përfundon me datë 13 gusht në orën 23:59. Lidhur me aplikimin për certifikim gjithsej dhjetë subjekte politike e kanë përfunduar aplikimin përmes platformës digjitale e cila është lansuar nga KQZ dhe e cila platformë përdoret për herë të dytë në këto zgjedhje lokale”, deklaroi ai.
Xherdan Shaqiri: Lojtari që nuk kursehet në kritika ndaj bashkëlojtarëve dhe gjyqtarëve
Ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka pritje të larta, jo vetëm nga vetja, por edhe nga të gjithë rreth tij. Kjo shpesh e vendos atë në debate me bashkëlojtarët dhe gjyqtarët gjatë ndeshjeve, transmeton albinfo.ch.
Në triumfin e Baselit sezonin e kaluar, karakteri kritik i Shaqirit ishte i dukshëm. Në sezonin e ri, kjo karakteristikë është edhe më e shprehur. Shaqiri nuk ngurron të qortojë gjyqtarët që nuk fishkëllen ose nuk tregojnë karton, kundërshtarët agresivë, dhe madje edhe shokët e ekipit kur nuk luajnë sipas standardeve të tij. Pas humbjes 2:1 nga St. Gallen, ai madje bëri kritika publike para gazetarëve. Nuk duket të ketë rëndësi sa mirë luan vetë Shaqiri, apo rezultati i ndeshjes qoftë një humbje 1:3 në Lugano, apo fitorja 4:1 ndaj Young Boysit.
Shaqirit i lejohet të kritikojë më shumë
Ndërsa çdo lojtar ka të drejtë të ankohet, Shaqirit i lejohet dhe madje i kërkohet të shprehet më shumë se të tjerët në ekip. Presioni më i madh bie mbi të, dhe CV-ja e tij e bën liderin natyral të skuadrës. Ankesa e tij ka ndihmuar ekipin të kuptojë se vetëm duke kërkuar më shumë, Baseli mund të fitonte titullin dhe kupën sezonin e kaluar.
Lojtari që i duhet ekipit
Nëse tani Shaqiri po kritikon më shpesh dhe po përdor fjalët inkurajuese më rrallë, kjo mund të tregojë se ekipi nuk ndodhet aty ku ai dëshiron. Me dy ndeshje të rëndësishme për Ligën e Kampionëve deri në fund të gushtit, kjo qasje mund të ndikojë shumë në sezon. Kjo është pikërisht ana e Shaqirit që skuadra ka nevojë, ai kërkon më shumë nga bashkëlojtarët sesa ata besojnë se mund të arrijnë.
Megjithatë, edhe për një lojtar me statusin e Shaqirit ekziston një kufi: mënyra se si kritikët ndikojnë tek shokët e ekipit. Një fjalë e drejtë mund të nxisë performancë, por gjithashtu mund të frikësojë, duke bërë që lojtarët të mos marrin rreziqe.
Gjendja mendore e lojtarëve të Baselit pas katër ndeshjeve të para, dy fitore dhe dy humbje mbetet ende e paqartë. Do të ketë më shumë përgjigje rreth ndikimit të stilit kritik të Shaqirit deri në fund të gushtit. (Basler Zeitung)
Tifozët shqiptarë të Sunderland-it mirëpresin Granit Xhakën me flamurin kuqezi
Granit Xhaka, futbollisti i njohur shqiptar që prej verës i është bashkuar skuadrës së Sunderland-it në Premier Ligën angleze, është pritur me ngrohtësi nga disa tifozë shqiptarë të klubit, transmeton albinfo.ch.
Pas një prej stërvitjeve të ekipit, disa tifozë kuqezi u mblodhën për të takuar mesfushorin, duke mbajtur me vete flamurin kombëtar shqiptar. Ata pozuan së bashku me Xhakën, duke e mirëpritur atë në klubin e ri dhe duke i shprehur mbështetjen e tyre të plotë.
Fotot e takimit janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ngjallur entuziazëm te tifozët shqiptarë kudo në botë. Ky gjest simbolik jo vetëm që tregon lidhjen e fortë mes sportistit dhe komunitetit shqiptar, por edhe krenarinë që ndjehet për përfaqësimin e flamurit kuqezi në një nga kampionatet më prestigjioze të futbollit botëror.
Xhaka pritet të ketë një rol kyç në mesfushën e Sunderland-it gjatë këtij sezoni, ndërsa tifozët shqiptarë premtojnë ta mbështesin në çdo hap të karrierës së tij në Premier Ligë.
Këln: Endrit Smaili paraqet punim shkencor në Kongresin Ndërkombëtar të Papirologjisë
Në kuadër të Kongresit Ndërkombëtar të Papirologjisë, i mbajtur më 28 korrik deri më 2 gusht në Këln, Gjermani, studiuesi Endrit Smaili prezantoi një pjesë të studimeve të tij postdiplomike, transmeton albinfo.ch.
Punimi i tij, me titull “Akti i shitjes në Antinoopolis (1): cheirographa-t”, trajton diplomatiken e kontratave greke të shitjes të prodhuara ndërmjet viteve 325 dhe 569 në qytetin e Antinoopolisit në Egjipt, i themeluar në vitin 130 si eponim i Antinoousit, të preferuarit të perandorit romak Hadrianit (117-138).
Smaili shpjegoi se këto akte, të njohura si cheirographa (dorëshkrime), përmbanin klauzola të bazuara në të drejtën kontraktuale romake dhe greke, duke imponuar dhe dëshmuar realizimin e transaksioneve. Një veçanti e tyre ishte se hartoheshin nga noterë privatë, ndryshe nga periudhat e mëhershme, kur përdorej vetëm notariati publik. Struktura dhe forma e akteve reflektonin reformat administrative të perandorit Dioklecian (284-305), si dhe standardizimet e perandorit Justinian (527-565).
Kjo kumtesë është pjesë e temës së diplomës së tij me titull “Shitblerja në Afrodité: editim, përkthim dhe komentim i akteve greke të shitjes në arkivat e Dioskorit të Afrodités dhe të Phoibammônit/Kollouthosit”, e realizuar në École Pratique des Hautes Études, Paris.
Smaili shprehu mirënjohje për profesorin Jean-Luc Fournet, i cili mbikëqyri punën e tij kërkimore, si dhe për pjesëmarrësit e kongresit, të cilët me pyetjet dhe komentet e tyre e ndihmuan të thellonte reflektimin mbi disa aspekte të studimit./Albinfo.ch
Kulturë dhe miqësi: Austriakët vizitojnë Kosovën
Një grup nga Austria ka mbërritur në Kosovë për një vizitë kulturore dhe artistike, gjatë së cilës do të shëtisin në disa qytete dhe vende të njohura turistike të vendit, transmeton albinfo.at.
Në axhendën e tyre përfshihen vizita në Shpellën e Gadimes, qendrën rekreative të Gërmisë dhe atraksione të tjera natyrore e kulturore.
Më 15 gusht, ky grup do të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar “Folk Festival – Anamorava” që mbahet në qytetin e Vitisë. Po ashtu, ata do të zhvillojnë një koncert të përbashkët me ansamblin “Kastriotët” nga Ferizaj, duke sjellë para publikut një bashkim të traditave artistike austriake dhe shqiptare.
Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, ky grup austriakësh do të kenë edhe takime me zyrtarë të ndryshëm lokalë dhe do të marrin pjesë në aktivitete të tjera të planifikuara.
Ky organizim është mundësuar nga Shoqata “Internacionale” Kapfenberg – Austri, nën udhëheqjen e kryetarit Naim Sadiku, i cili ka theksuar rëndësinë e këmbimit kulturor mes dy vendeve dhe miqësisë së ndërsjellë. /Albinfo.at
Një orë pritje në dalje të pikës Mërdarë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se nuk ka pritje të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë, ndërkohë, në dalje, pritjet janë deri në 1 orë pritje në pikën Merdarë, shkruan albinfo.ch.
Pritjet vijojnë edhe në pikën Jarinje deri në 40 minuta, Mutivodë deri në 30 minuta, Dheu i Bardhë deri në 20 minuta.
Në pikat tjera nuk raportohen pritje. /Albinfo.ch
”The Telegraph”: Zelensky gati të dorëzojë territore për paqe
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duket i gatshëm të relaksojë qëndrimet e tij në negociata dhe të pranojë dorëzimin zyrtar të disa territoreve për Rusinë në këmbim të paqes, një opsion që administrata Trump e ka konsideruar të pashmangshëm. Kushti kryesor i Zelenskyt mbetet përfshirja e garancive të sigurisë për Ukrainën, të cilat janë pjesë e planit të aleatëve evropianë, raporton gazeta britanike “The Telegraph”, e cila ka qenë një mbështetëse e Ukrainës në konfliktin me Moskën.
Sipas burimeve të afërta me çështjen, të cituara nga korrespondenti i “The Telegraph” në Bruksel, Zelensky ka paraqitur propozime konkrete gjatë takimeve të fundit me liderët evropianë, në prag të samitit të 15 gushtit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin.
Ai u ka kërkuar aleatëve të tij, veçanërisht britanikëve dhe Bashkimit Evropian, të mos pranojnë asnjë marrëveshje që mund të arrihet në mungesë të tij gjatë takimit bilateral në Alaska.
Megjithatë, Zelensky ka bërë të ditur se është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje që do të nënkuptonte heqjen dorë nga kontrolli faktik i territoreve që Rusia ka pushtuar tashmë ushtarakisht, qoftë në tërësi ose pjesërisht (Krimea, rajonet e Luganskut, Donetsk ut, Zaporizhias dhe Khersonit), për sa kohë që kjo marrëveshje përfshin “planin evropian”.
Një zyrtar i lartë perëndimor, që ka folur në kushte anonimiteti, ka konfirmuar për gazetën se “lëshimet mund të kufizohen vetëm në vijën aktuale të frontit”.
Trump zgjat pezullimin e tarifave ndaj mallrave kineze për 90 ditë
Shtetet e Bashkuara dhe Kina ranë dakord të vazhdojnë armëpushimin tregtar për 90 ditë të tjera, vetëm pak orë para se të hynin në fuqi tarifa më të larta. Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër për të shtyrë marrëveshjen deri më 10 nëntor, ndërsa Pekini po ashtu do të mbajë pezulluar tarifat shtesë ndaj SHBA-së.
Në bazë të marrëveshjes aktuale, SHBA ruan tarifat 30% mbi importet kineze, ndërsa Kina mban tarifat 10% mbi mallrat amerikane. Më parë këtë vit, tarifat kërcënuan të arrinin nivele shumë më të larta, por u ulën pas bisedimeve në Gjenevë.
Shtëpia e Bardhë thekson se kjo shtyrje do të shfrytëzohet për të vazhduar negociatat mbi pabarazitë tregtare dhe praktikat jo të drejta, duke u fokusuar edhe në zgjerimin e aksesit për eksportuesit amerikanë dhe çështjet e sigurisë kombëtare.
Tensionet mes SHBA-së dhe Kinës u përshkallëzuan në prill me vendosjen e tarifave të gjera, por armëpushimi në maj i ka lehtësuar marrëdhëniet tregtare, duke shmangur një konflikt më të thellë.
Situatë e rëndë nga zjarret në Shqipëri, ministria raporton 27 vatra aktive
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë mbrëmjes së 12 gushtit janë raportuar gjithsej 34 vatra zjarri në të gjithë vendin, prej të cilave 27 janë ende aktive. Situata është më kritike në jug të Shqipërisë, ku flakët kanë rrezikuar banesa dhe infrastrukturë në zona si Delvinë, Sevaster, Mesaplik dhe Tepelenë, duke detyruar evakuimin e banorëve.
Po ashtu, situata paraqitet e vështirë në Gramsh dhe Berat, ku zjarri ka përfshirë edhe Rezervatin Natyror “Balloll”.
Sipas qarqeve:
Qarku Vlorë: Zjarri ka përfshirë zona në Delvinë dhe Sevaster, me ndërhyrje të forcave zjarrfikëse dhe avionëve. Evakuimet vazhdojnë për të mbrojtur banorët.
Qarku Dibër: Zjarret kanë marrë përmasa të mëdha në zonat e Bulqizës dhe Martaneshit, me ndërhyrje të forcave të specializuara.
Qarku Berat: Situata është kritike në Rehovë dhe Vokopolë, ku banorët janë evakuuar dhe po kërkohet ndihmë nga ajri.
Qarku Tiranë: Zjarret afër banesave kanë sjellë evakuime në disa zona si Spanesh dhe Vaqarr.
Qarku Gjirokastër: Flakët rrezikojnë banesa në Tepelenë dhe Memaliaj, me disa shtëpi të dëmtuara.
Qarku Elbasan: Në Gramsh, situata është kritike, me një humbje jete dhe evakuime të shumta.
Qarku Shkodër: Forcat po punojnë intensivisht për shuarjen e vatrave në zonat Xhath dhe Fushë-Arrëz.
Në të gjithë vendin janë angazhuar mijëra forca zjarrfikëse, ushtarake dhe vullnetare për të kontrolluar flakët dhe për të mbrojtur banorët dhe mjedisin.
BBC: Mijëra punëtorë nga Koreja e Veriut dërgohen në Rusi dhe përballen me kushte skllavërie
Sipas BBC-së, mijëra punëtorë nga Koreja e Veriut po dërgohen në Rusi për të mbushur mungesën e fuqisë punëtore që ka krijuar lufta në Ukrainë. Këta punëtorë përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira: punojnë mbi 18 orë në ditë, kanë vetëm pak ditë pushim në vit dhe mbahen nën kontroll të rreptë për të ndaluar arratisjet.
Disa prej atyre që kanë arritur të largohen kanë treguar për trajtime mizore, mungesë ndihme mjekësore dhe kushte pune të papërshtatshme, përfshirë qëndrimin në kontejnerë të ndotur dhe ndërtesa të papërfunduara pa ngrohje.
Rusia ka shtuar numrin e punëtorëve nga Koreja e Veriut vitet e fundit, me mbi 13 mijë të hyrë vetëm në vitin 2024, shumë prej tyre duke përdorur viza studentore për të shmangur ndalimet ndërkombëtare. Autoritetet ruse dhe koreano-jugore thonë se punëtorët janë dërguar edhe në zonat e pushtuara të Ukrainës për projekte rindërtimi.
Ekspertët e konsiderojnë këtë si një mënyrë për Rusinë që të sigurojë punëtorë të lirë për nevojat e saj në kohë lufte.
Mali i Zi: Një ushtar humb jetën, tjetri plagoset gjatë përpjekjeve për të shuar zjarret
Në një aksident të ndodhur pranë Podgoricës, një ushtar nga Mali i Zi ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë, pasi një autocisternë e përdorur për shuarjen e flakëve u përmbys. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e incidentit, në bashkëpunim me ushtrinë dhe institucionet e tjera.
Përpjekjet për shuarjen e zjarreve në rajonin e Kuçës dhe zonat përreth Podgoricës, si dhe mes Budvës dhe Tivarit, po vazhdojnë për ditën e dytë me radhë. Në këto zona, përveç dëmeve nga flakët, është shënuar edhe djegia e një shtëpie dhe e disa pronave të tjera. Për shkak të rrezikut, disa banorë janë evakuuar.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Miodrag Beshoviç, deklaroi: “Situata është pak më e qëndrueshme, por nuk mund të parashikojmë zhvillimet e mëtejshme. Me përkushtimin e ekipeve tona dhe mbështetjen nga partnerët, presim të marrim kontrollin mbi zjarret.”
Për shkak të tymit dhe ajrit të ndotur, Instituti i Shëndetit Publik ka këshilluar qytetarët të shmangin qëndrimin jashtë dhe të tregojnë kujdes maksimal.
Në Mal të Zi është shpallur alarm i kuq, ndërsa era e fortë po e vështirëson më tej luftën kundër zjarreve.
Për herë të parë, AfD kryeson sondazhet në Gjermani
Në një sondazh të fundit të kryer nga instituti Forsa, partia gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD) është renditur si partia më e mbështetur në vend për herë të parë.
Sipas rezultateve, AfD ka fituar përkrahje nga 26% e qytetarëve gjermanë, duke tejkaluar Unionin Kristian Demokrat (CDU), që ka rënë në 24%.
Ky zhvillim shënon një pikë kthese në politikën gjermane, pasi AfD, një forcë politike e djathtë populiste dhe shpesh kritikuar për qëndrimet e saj kundër emigracionit dhe euroskepticizmit, nuk ishte parë më parë si lider në sondazhe të tilla.
Në të njëjtën kohë, partitë tradicionale që kanë dominuar politikën gjermane që pas Luftës së Dytë Botërore po përjetojnë një rënie të dukshme në mbështetje.
Partia Socialdemokrate (SPD) dhe Të Gjelbrit qëndrojnë në vendin e tretë, secila me nga 13% të votave.
Ky sondazh reflekton një ndryshim të thellë në skenën politike të Gjermanisë dhe tregon rritjen e mbështetjes për partitë që sfidojnë status quo-në.
Nëse kjo tendencë vazhdon, zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin një peizazh politik krejtësisht të ri për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian në përgjithësi.
Mbyllen mbi 350 shkolla në 10 vitet e fundit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut
Në dekadën e fundit, më shumë se 350 shkolla publike janë mbyllur në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar një krizë të thellë demografike dhe probleme serioze në sistemet arsimore të rajonit.
Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri janë mbyllur 295 shkolla publike gjatë periudhës 2012-2022. Në Kosovë, numri i shkollave të mbyllura për periudhën 2013-2023 është rreth 40, ndërsa në Maqedoninë e Veriut varion nga 30 deri në 44 shkolla të mbyllura. Këto shifra tregojnë më shumë se thjesht ndryshime statistikore; ato janë një paralajmërim serioz për të ardhmen, shkruan alsat përcjell albinfo.ch.
Shkalla e ulët e lindshmërisë, emigracioni i madh drejt vendeve perëndimore dhe zbrazja e zonave rurale janë faktorët kryesorë që kanë çuar në mbylljen e shumë institucioneve arsimore.
Në Shqipëri, kjo situatë ka shkaktuar një raport jo të zakonshëm mes mësuesve dhe nxënësve, ku në disa shkolla ka nga 7 mësues për vetëm 3 nxënës. Problemi është më i theksuar në zonat rurale, ku shumë familje largohen drejt qyteteve në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.
Në Kosovë, ka shkolla që funksionojnë me vetëm 5 deri në 10 nxënës, e ndonjëherë edhe më pak. Numri i nxënësve në arsimin e mesëm për vitin shkollor 2024/2025 ishte 63,551, duke shënuar një rënie prej më shumë se 2,000 nxënësve krahasuar me vitin paraprak (65,757).
Në Maqedoninë e Veriut, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka propozuar transformimin e objekteve shkollore të mbyllura në qendra për të moshuarit, një masë që thekson zhvendosjen demografike ku ka më pak të rinj dhe më shumë të moshuar në komunitete.
E ardhmja e Kristjan Asllanit te Interi duket gjithnjë e më e pasigurt
Pas refuzimit të ofertave nga Real Betis dhe Sassuolo, një tjetër klub i Serie A ka shfaqur interes për mesfushorin shqiptar: Torino. Sipas mediave italiane, klubi “granata” ka kontaktuar së fundmi për të marrë informacion mbi situatjen e tij. Klubi kërkon të forcojë mesfushën dhe e sheh Asllanin si profil të përshtatshëm për projektin e trajnerit Baroni.
23-vjeçari iu bashkua Interit në verën e vitit 2022, por ka pasur hapësira të kufizuara në formacion, si nën drejtimin e Simone Inzaghit, ashtu edhe tani me Chivu në stol. Sipas raporteve, Interi nuk e ka më në planet e tij.
Torino ende nuk ka paraqitur një ofertë zyrtare, por sinjalet nga “Olimpico Grande Torino” tregojnë se interesimi është serioz. Afati i merkatos mbyllet më 31 gusht, prandaj ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e Asllanit.
Avion i vogël bie në Liqenin e Gjenevës pranë Vevey, dy persona shpëtojnë pa lëndime
Një avion turistik dyvendësh u rrëzua pasditen e së martës në ujërat e Liqenit të Gjenevës, pranë brigjeve të Vevey-t (kantoni Vaud, Zvicër). Të dy personat që ndodheshin në bord arritën të dilnin vetë nga avioni dhe u shpëtuan nga një varkë private. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar. Avioni u fundos shpejt në fund të liqenit.
Zëdhënësi i policisë kantonale të Vaudit bëri të ditur se aksidenti ndodhi rreth orës 16:00, përballë plazhit “Pichette” në Corseaux. Sipas tij, mendohet se avioni ka bërë një ulje emergjente në ujë, por shkaqet e ngjarjes mbeten ende për t’u përcaktuar.
Në një video të publikuar nga mediat, shihet avioni teksa përpiqet të ulet mbi ujë, por më pas përmbyset sapo prek sipërfaqen. Një dëshmitare që ndodhej në plazhin “Poisson Rouge” tha se kishte dëgjuar një zhurmë të fortë motori, sikur ai të ishte fikur ose t’i kishte mbaruar karburanti, transmeton albinfo.ch.
Policia konfirmoi se bëhet fjalë për një avion dyvendësh. Të dy pasagjerët arritën të shpëtojnë vetë dhe u morën nga një varkë që ndodhej pranë. Avioni do të nxirret nga fundi i liqenit në ditët në vijim, ndërsa janë marrë masa për të parandaluar ndotjen e mundshme.
Hetimet do të drejtohen nga Prokuroria Publike, pasi ngjarja klasifikohet si aksident i aviacionit civil. Detaje të tjera, përfshirë identitetin e pasagjerëve dhe origjinën e avionit, pritet të bëhen publike të mërkurën.
Afërdita Gashi, gruaja e parë shqiptare nga Zvicra që ngjit Majën Mont Blanc
Maja e Mont Blanc-ut, me një lartësi prej 4.808 metrash mbi nivelin e detit, është pika më e lartë e Alpeve dhe e Evropës Perëndimore, një simbol i guximit, këmbënguljes dhe ëndrrave që shikojnë drejt qiellit. Në këtë sfidë madhështore, Afërdita Gashi ka hyrë në histori si gruaja e parë shqiptare nga Zvicra që arriti ta pushtojë majën e këtij gjiganti malor, shkruan albinfo.ch.
Afërdita Gashi, e cila jeton në Zvicër, është e njohur si maratoniste dhe alpiniste me përvojë, duke u ngjitur rregullisht në majat më sfiduese të vendit. Për të, sporti dhe aktivitetet në natyrë nuk janë vetëm pasion, por mënyrë jetese, një disiplinë që ndërthur përgatitjen fizike, forcën mendore dhe dashurinë për lirinë që ofron mali.
Ngjitja në Mont Blanc kërkon një nivel të lartë stërvitjeje dhe qëndrueshmërie, përballim të kushteve atmosferike të ashpra dhe aftësinë për të marrë vendime të shpejta në terren ekstrem. Për Afërditën, kjo arritje ishte kulmi i një rruge të gjatë përgatitjeje dhe përkushtimi.
“Në zemrën e stuhisë dhe mbi heshtjen e akullt, çdo hap dhe çdo frymëmarrje ia kushtova familjes sime. Ishte forca e dashurisë që më ngriti deri në qiell.”, shprehet Afërdita Gashi për Albinfo.ch.
Me këtë ngjitje, Afërdita Gashi jo vetëm që vendosi një rekord personal dhe kombëtar, por dha edhe një mesazh frymëzues për të gjitha gratë shqiptare, në vend dhe në diasporë se majat më të larta arrihen me guxim, këmbëngulje dhe dashuri të thellë për atë që bën.
Ekspedita u realizua për të katërtën herë nga Klubi Alpin Prishtina (KAP), nën udhëheqjen e guidës malore Kristian Gashi dhe me koordinimin e kryetrajnerit të KAP-it, Nazmi Hasnaramaj, një figurë e respektuar në komunitetin e alpinistëve shqiptarë. Në këtë sfidë drejt majës, krah alpinistëve të tjerë, mori pjesë edhe Ramush Haradinaj, duke e ndarë me grupin përvojën, vendosmërinë dhe emocionin e arritjes në kulmin e alpeve.















