Arrestohet i dyshuari për masakrën e 34 shqiptarëve në Burim të Malishevës

Sot, policia e Kosovës ka arrestuar të martën një person, nën dyshimin për pjesëmarrje në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Malishevës në fund të marsit të 1999-s, përcjell albinfo.ch.

R.M. dyshohet për veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”. Ai u arrestua në Prishtinë.

“R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, thuhet në një njoftim të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të të mbijetuarve.

Kjo prokurori ka thënë se do të paraqesë kërkesën për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin.

Vrasja e Enver Bajraktarit, i arrestuari pranon fajin

Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se i arrestuari T.K. ka pranuar kryerjen e veprës penale, në rastin e vrasjes së Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit, trupi i të cilit u gjet i groposur më 4 gusht, përcjell albinfo.ch.

T.K., sipas njoftimit, gjatë dhënies së deklaratës ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale.

Ai është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat ligjore.

I dyshuari u arrestua të martën në mëngjes.

Policia pati raportuar se më 4 gusht ka gjetur një trup të pajetë të groposur në një arë të këtij fshati. Trupin e Bajraktarit e gjetën familjarët në një arë të mbjellë me misër, pak kohë pasi e kishin raportuar si të zhdukur.

Më vonë u bë e ditur se viktima ishte Enver Bajraktari.

Färbifestival: Pesë ditë cirk, muzikë dhe shije nga e gjithë bota në Wetzikon

Bëhet e ditur se nga 20 deri më 24 gusht 2025, Stadtgarten Färberwiese në Wetzikon do të shndërrohet në një skenë të hapur arti, muzike dhe argëtimi për të gjitha moshat. Färbifestival sjell një program të pasur ku cirku, muzika dhe gastronomia bashkohen në një atmosferë unike verore, transmeton albinfo.ch.

Vlen të theksohet se programi i cirkut përfshin shfaqje të veçanta si “Dr. Eisenbarth” dhe “Titi und die Kobolde” (20 gusht), “Zirkustheater Inklusiv” nga Hof Wagenburg (21 gusht), spektaklin rinor “Farbstoff” (23 gusht) dhe shfaqjen ndërkombëtare “L’homme Cirque” nga David Dimitri (20 dhe 24 gusht). Një atraksion i veçantë do të jetë Cirku Kombëtar Shqiptar me artisten Shqipe Sylejmani dhe Marguerite Meyer (21 dhe 22 gusht). Festivali mbyllet me “Compagnia Express” më 24 gusht.

Po ashtu, muzika nuk mungon, me grupe si Chrott, Singsong, Sebass dhe tinguj ballkanikë më 20 dhe 24 gusht, Blue Boulevard më 23 gusht, si dhe DJ AGRAFF me ritme “Shakepop” më 23 gusht në mbrëmje.

Përveç shfaqjeve, vizitorët mund të marrin pjesë në punëtoritë e cirkut për fëmijë e të rinj (20, 23 dhe 24 gusht), të shijojnë bufenë e hapur çdo ditë nga ora 18:00 deri në 21:00, me specialitete ballkanike të enjten dhe të premten, si dhe të freskohen me akullore Fruchthorn-Glace.

Biletat mund të blihen paraprakisht në eventfrog.ch/faerbifestival ose në arkë nga ora 18:00. Vizitorët mund të mbështesin festivalin edhe përmes biletave mbështetëse.

Organizatorët ftojnë të gjithë të vijnë me biçikletë ose transport publik; për personat me aftësi të kufizuara fizike janë të rezervuara vende parkimi pranë hapësirës së festivalit (kontakt: [email protected])./Albinfo.ch. 

Për më shumë informacione gjenden në www.faerbifestival.ch.

 

Gjermania krijon grup të posaçëm kundër grupeve djathtiste me ideologji terroriste

Në shtator të këtij viti, autoritetet gjermane do të formojnë një njësi të specializuar të forcave të sigurisë, e cila do të ketë në fokus hetimin, zbulimin dhe luftimin e grupeve djathtiste që përhapin ideologji terroriste, transmeton albinfo.de. 

Referuar mediave gjermane, policia ka vërejtur një rritje shqetësuese të grupeve ekstremiste me prirje djathtiste, të cilat përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve të ndryshme përpiqen të rekrutojnë të rinj për t’u bashkuar me këto ideologji të rrezikshme dhe me sfond terrorist.

Qëllimi i kësaj njësie të re të specializuar do të jetë zbulimi dhe parandalimi i veprimeve terroriste që këto grupe mund të planifikojnë dhe ndërmarrin kundër sigurisë së vendit.

Në muajt e fundit, Gjermania ka regjistruar një rritje të arrestimeve të personave me bindje djathtiste ekstremiste, të cilët dyshohet se kanë planifikuar sulme terroriste, përfshirë edhe veprime kundër rendit kushtetues të shtetit.

Autoritetet kanë kryer gjithashtu bastisje masive dhe veprime të tjera hetimore ndaj këtyre strukturave, duke theksuar seriozitetin e kërcënimit që paraqet terrorizmi me sfond djathtist në vend.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se kjo formë e terrorizmit aktualisht përbën rrezikun më të madh në Gjermani, duke e bërë të domosdoshme krijimin e këtij grupi special për t’u përballur me kërcënimet në rritje.

Gjermania u kërkon politikanëve ta respektojnë vendimin e Kushtetueses

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, u ka kërkuar akterëve politikë në Kosovë të respektojnë dhe implementojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive, përcjell albinfo.ch.

Për dy ditë, Reiffenstuel takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe liderët e opozitës, përfaqësues të komunitetit serb dhe shoqërinë civile.

Siç ka njoftuar ambasadori gjerman Jorn Rohde, “gjatë takimit me akterët politikë të Kosovës, ai theksoi nevojën për respektim të plotë dhe implementim të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë fund bllokadës politike”.

“Ai po ashtu ritheksoi pritjet tona që të gjitha partitë të përmbushin kriterin për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme lokale”, ka shkruar Rohde në rrjete sociale.

Sipas njoftimit, Reiffenstuel ka shprehur përkrahjen për emisarin e Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, në dialogun me Serbinë. “Angazhimi konstruktiv i Kosovës është thelbësor për suksesin e integrimit të Kosovës në BE, të cilin Gjermania e mbështet fuqimisht”, ka shkruar Rohde.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Vendimi i Kushtetueses është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje.

Zvicër: Letra e hapur e një të riu shqiptar për shfrytëzimin e të rinjve në punë

Një punëtor i ri shqiptar në Zvicër ndan përvojën e tij të vështirë si viktimë e padrejtësive në punë, duke denoncuar mungesën e mbrojtjes ligjore ndaj punonjësve të rinj dhe emigrantëve, transmeton albinfo.ch.

Ai apelon për drejtësi dhe ndryshime në sistem që të parandalojnë shfrytëzimin dhe të sigurojnë respektin dhe mbështetjen që meritojnë punëtorët.

Letër e hapur:

“Unë jam i ri në Zvicër. S’e di mirë gjuhën, s’i njoh ligjet. Por kam ardhur këtu me shpresë, për të punuar ndershëm dhe për të mbajtur familjen. E gjitha ka rezultuar e kotë.


Kam punuar për një firmë të vogël në Winterthur,  një
einzelfirma në emër të një bashkatdhetareje. Kisha kontratë, kam punuar me orar të gjatë dhe shumë seriozisht. Besoja se do të më paguanin. Por pas 3 muajsh, nuk mora asgjë. Asnjë rrogë. Asnjë shpjegim.


Më pas mësova se firma ishte mbyllur. Pronari dhe pronarja janë ndarë dhe janë në social. As 
Betreibung, as Rechutzi, as ndihma sociale nuk më ndihmuan. Arsyeja? “Je lajmëruar vonë.”
Kam dokumente bankare që tregojnë se nuk jam paguar. Kam kontratë. Kam fakte. Por askush nuk mban përgjegjësi. E ndjej veten të 
shkelur, mashtruar dhe harruar. Dhe nuk jam i vetmi.
Duke folur me kolegë të tjerë në ndërtim, më kanë treguar histori të ngjashme. Shumë të rinj, të sapoardhur në Zvicër, pa njohuri për gjuhën apo sistemin ligjor, bien viktimë të firmave të vogla   shpesh edhe nga bashkatdhetarë  që i shfrytëzojnë dhe zhduken pa lënë gjurmë.


Sistemi zviceran, i njohur për drejtësinë e tij, 
nuk na mbron në raste si ky. Askush nuk na tregon hapat. Dhe kur përpiqemi, është “shumë vonë”.
Sot nuk pres më asgjë për vete. Por vendosa ta ndaj këtë përvojë me ju, 
jo për hakmarrje, por që askush tjetër të mos e pësojë si unë. Mbase dikush në ndonjë institucion, ose ndonjë ligjvënës, do ta lexojë këtë dhe do të kuptojë: njerëzit si unë kanë nevojë për ndihmë reale, të menjëhershme, dhe të thjeshtë për t’u kuptuar.


Nuk kërkoj asgjë më shumë veçse 
respekt për punën që kemi bërë dhe mbrojtje nga padrejtësia.Shpresoj që kjo letër të shërbejë si thirrje për ndryshim.”

Kosovë: Vrasja që dyshohet se erdhi pas përleshjes së qenve

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar paraburgimin e një personi të dyshuar për vrasje të rëndë, përcjell albinfo.ch.

Kjo Prokurori ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj E. B. për shkak të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve.

“Sipas kërkesës së prokurorisë, me datë 10.08.2025 rreth orës 20:30min në lagjen “Tusuz” në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E. B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta tani më të ndjerin H. Sh., në atë mënyrë që fillimisht i nxisin qentë e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën-patentë dhe e godet H. Sh. ” njofton Prokuroria mes tjerash.

Pas goditjes me thikë, viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku edhe ka vdekur.

Me keto veprime, E.B sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të datës 11.08.2025 ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e një personi, më 10.08.2025, në fshatin Zhur të Prizrenit.

Sipas Policisë, viktima fillimisht ishte dërguar në emergjencën e Spitalit në Prizren, për shkak të lëndimeve që kishte marrë nga therja me thikë.

Si pasojë e këtyre lëndimeve, më pas viktima është dërguar në QKUK ku edhe ka vdekur, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku.

“Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar një thikë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”  thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sekuestrohet kokainë 300 mijë euro në Prizren

Raportohet se mbi 4 kilogramë kokainë janë kapur gjatë një operacioni të Antidrogës në Prizren, përcjell albnfo.ch.

Operacioni është zhvilluar më datë 11 gusht 2025, në rrugën “Viljam Voker” në Prizren, ku për pasojë është arrestuar i dyshuari me iniciale H.K i vitit të lindjes 1994, shtetas i Republikës së Kosovës.

Kështu ka njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ku theksohet se sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kapë vlerën deri në 300 mijë euro.

Në njoftim thuhet se i dyshuari është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Ndërkaq, pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Gjatë kontrollit të realizuar në dy lokacione me urdhër të prokurorit kompetent, Policia thotë se në njërën nga lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale.

“Substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale 4 kg e 440 gram; Dy peshore elektronike; Para në vlerë prej 260 euro; Një  pajisje për vakumim të qeseve plastike; Një  motoçikletë PIAGGIO VESPA; Një telefon mobil iPhone 15 Pro Max; Një  skalper; dhe, sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim”, theksoi Policia në njoftim.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga ana e Njësisë së antidrogës në Prizren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Valon Behrami rrëfen rrugëtimin nga Kosova në futbollin elitar në librin “Ylli i Futbollit”

Bëhet e ditur se më 18 gusht do të publikohet libri “Ylli i Futbollit” i autorit Andreas Boni, që sjell rrëfime të hapura nga yjet e futbollit. Në mesin e tyre është edhe ish-mesfushori zviceran Valon Behrami, i cili ndan përvojat e tij nga fëmijëria dhe karriera, transmeton albinfo.ch.

Behrami tregon për largimin e familjes së tij nga Kosova në vitin 1990 dhe për vështirësitë e mëdha që përjetuan gjatë luftës, përfshirë humbjen e të afërmve dhe pasigurinë e madhe. Futbolli, thotë ai, ishte mbështetja që e ndihmoi të integrohej në Zvicër.

Në karrierën e tij, Behrami ka luajtur në klube të njohura si Lazio, Napoli, West Ham dhe Fiorentina, duke regjistruar 83 paraqitje për kombëtaren zvicerane ndërmjet viteve 2005 dhe 2018. Ai mbetet lojtari i vetëm zviceran që ka luajtur në katër Kampionate Botërore rresht dhe është fitues i Kupës së Italisë me Napolin në 2014.

Andreas Boni, autori i librit, ka një eksperiencë 15-vjeçare në gazetarinë sportive zvicerane dhe aktualisht është kryeredaktor i “Blue Sport”.

Libri premton të sjellë rrëfime të fuqishme dhe emocionale nga futbollistë të njohur, duke ofruar një pasqyrë të veçantë në jetën dhe sfidat e tyre jashtë fushës.

Endriti e Natyra, dy shqiptarët që sollën inteligjencën artificiale në DEF CON 33 në Las Vegas

Një arritje e veçantë për teknologjinë dhe sigurinë kibernetike shqiptare u shënua më 8 gusht 2025 në një nga ngjarjet më prestigjioze të botës, konferencën ndërkombëtare DEF CON 33, shkruan albinfo.ch.

Endrit Shaqiri, studiues dhe ekspert në fushën e kibernetikës dhe inteligjencës artificiale, prezantoi projektin AIMAL (Artificial Intelligence for Malware Analysis & Learning), një platformë novatore që kombinon fuqinë e inteligjencës artificiale me mekanizmat e sigurisë kibernetike për të zbuluar, analizuar dhe parandaluar kërcënimet dixhitale të së ardhmes.

 

 

Në këtë mision inovativ është e angazhuar edhe Natyra Shaqiri, studente e sigurisë kibernetike dhe bashkëpunëtore strategjike e projektit, e cila mori pjesë në Las Vegas për të përfaqësuar vizionin dhe pasionin që qëndron pas AIMAL.

Prezantimi në skenën e Red Team Village & DemoLabs u prit me interes nga komuniteti ndërkombëtar i ekspertëve të teknologjisë dhe sigurisë, duke theksuar potencialin e madh që kanë inovacionet e zhvilluara nga profesionistë shqiptarë.

 

 

“Inovacioni nuk njeh kufij. Talenti ynë udhëton nga Prishtina në Las Vegas,” u shpreh ekipi i AIMAL, duke e konsideruar këtë pjesëmarrje si një dëshmi të përkushtimit dhe aftësisë konkurruese në arenën globale.

Ekspertë nga e gjithë bota në DEF CON 33 i dhanë projektit AIMAL, të zhvilluar nga Endriti dhe Natyra Shaqiri, vëmendje dhe interesim të jashtëzakonshëm. Prezantimi i tyre tërhoqi kërkesa për bashkëpunim dhe arriti një shikueshmëri të madhe në komunitetin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike.

Përveç kësaj, ata morën mirënjohje dhe falënderime direkte nga organizatorët e DEF CON, duke theksuar rëndësinë dhe cilësinë e punës së tyre inovative.

Ky sukses përbën jo vetëm një arritje individuale për Endritin e Natyren, por edhe një moment krenarie për prezantimin e dijes dhe profesionalizmit shqiptar në skenën më të madhe të sigurisë kibernetike në botë./Albinfo.ch

 

Pranvera Hyseni shpërblehet në SHBA për projektin e doktoraturës në Shkencat Planetare

Astronomja shqiptare, Pranvera Hyseni, ka shënuar një arritje të veçantë në Universitetin e Kalifornisë, Santa Cruz, duke fituar çmimin vjetor për propozimin më të mirë të doktoraturës në Departamentin e Shkencave Planetare, transmeton albinfo.ch.

Ky vlerësim i lartë, i cili jepet vetëm një herë në vit për projektin kërkimor më premtues, shoqërohet me një grant prej 3,000 dollarësh dhe konsiderohet ndër nderimet më të rëndësishme akademike në fushën e astronomisë planetare.

Hulumtimet e Hysenit fokusohen te asteroidët dhe trupat e vegjël të Sistemit Diellor, veçanërisht ata që përmbajnë ujë dhe përbërje organike. Ajo analizon proceset e transformimit të materialeve dhe kripërave që përmbajnë azot, duke kombinuar eksperimentet laboratorike me vëzhgime përmes teleskopëve, si dhe modelime teorike. Këto studime ofrojnë të dhëna të rëndësishme për kuptimin e shpërndarjes së ujit dhe mundësive të jetës në fazat e hershme të sistemit tonë diellor.

“Ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një dëshmi se pasioni dhe kureshtja për shkencë nuk njohin kufij gjeografikë,” u shpreh Hyseni, duke falënderuar komisionin vlerësues dhe kolegët për mbështetjen e vazhdueshme.

Suksesi i saj përbën një tjetër faqe të ndritur për shkencën kosovare dhe një frymëzim të fuqishëm për të rinjtë që synojnë të ndjekin rrugën e tyre në fushat STEM. /Albinfo.ch

 

 

Kosovë: Suspendohen katër policë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka suspenduar katër zyrtarë policorë, lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë që ndodhi të dielën në qendër të Gjilanit.

Policët e suspenduar dyshohen për lëshime apo përfshirje në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët janë në arrati pas ngjarjes.

Hetimet e IPK-së, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, vazhdojnë për të sqaruar rolin e mundshëm të policëve në këtë rast. Për momentin janë pezulluar një rreshter dhe një hetues nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, një rreshter tjetër nga Novobërdë dhe një zyrtar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, përcjell albinfo.ch.

Hetimet janë në fazën fillestare dhe përfshijnë mbledhjen e dëshmive dhe provave, për të vendosur më tej mbi përgjegjësitë.

 

Rritje e lartë e konsumit të produkteve organike

Konsumimi i produkteve organike u stabilizua përsëri në vitin 2024, pas rritjes së shkaktuar nga inflacioni në vitin 2023. Segmenti organik po shënon rritje më të fortë në volum krahasuar me segmentin jo-organik, sipas Institutit të Kërkimeve për Bujqësinë Organike (Fibl) në Frick, AG.

Në vitin 2024, ushqimet organike arritën një vlerë shitjeje prej rreth 3.5 miliardë frangash zvicerane në tregun me pakicë. Ndërsa shitjet u rritën me 0.3 për qind, volumi i produkteve organike të shitura u rrit me 1.7 për qind. Kjo tregon që segmenti organik po rritet më shumë se ai jo-organik, i cili pati vetëm një rritje prej 0.5 për qind.

Ata që tashmë konsiderohen blerës të shpeshtë të produkteve organike janë ata që blejnë më shumë. Përqindja e njerëzve me konsum të lartë organik u rrit me gjashtë pikë përqindjeje, duke arritur në 55 për qind midis viteve 2022 dhe 2024. Ata që konsumojnë organik në mënyrë të moderuar ose rrallë blenë edhe më pak produkte organike në 2024 krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, më shumë se gjysma e popullsisë zvicerane konsumon rregullisht ushqime organike.

Pse (jo) organik?

Ashtu si në sondazhin e fundit të vitit 2022, çmimi mbeti barriera kryesore për blerjen e produkteve organike në vitin 2024 dhe madje u rëndësua më shumë. Faktorë të tjerë si paketimi, shija apo mungesa e prodhimit vendas humbën pak rëndësi.

Arsyet kryesore për blerjen e ushqimeve organike mbeten të pandryshuara gjatë viteve: shmangia e pesticideve kimike, ushqimi i shëndetshëm dhe përbërësit minimalë. Motivet e përgjithshme përfshijnë shmangien e antibiotikëve në bagëtinë, mirëmbajtjen e kafshëve në mënyrë natyrore dhe prodhimin miqësor ndaj mjedisit.

Shitësit tradicionalë janë burimi kryesor i produkteve organike

Në dyqanet specialistike, pjesa e produkteve organike ishte 5.7 për qind në 2024, në krahasim me 6.7 për qind në 2022. Diskontet si Aldi dhe Lidl rritën pak shitjet me 0.1 pikë përqindjeje, duke arritur 6.1 për qind. Këto dyqane shohin potencial të madh në shitjet organike dhe po ofrojnë gjithnjë e më shumë markat e tyre organike.

Rritja më e madhe u regjistrua nga shitësit “tradicionalë”, me një rritje prej 0.9 pikë përqindjeje. Ata mbeten burimi më i rëndësishëm i shitjeve të ushqimeve organike në Zvicër, ku pjesa e produkteve organike në totalin e shitjeve arrin 13.5 për qind.

Buka organike është produkti më i shitur

Gruri dhe produktet e pjekura organike sollën të ardhurat më të mëdha në 2024, si për shkak të volumit të shitjeve, ashtu edhe për shkak të rritjes së çmimeve. Kjo mund të lidhet me luftën në Ukrainë, që solli një rritje të përkohshme të çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe drithërave. Pas tyre vijnë perimet dhe patatet, e më pas produktet e qumështit dhe alternativat e tyre.

Në kategoritë e ndryshme të produkteve organike, ushqimi për foshnjat është përqindja më e lartë e tregut organik, me 61.4 për qind.

Fibl bazohet në një studim dyvjeçar të sjelljes së blerjes në shtëpi dhe në tregjet me pakicë, të realizuar nga Nielsen IQ.

 

Mungesa e urologëve në Fribourg pezullon operacionet urgjente në HFR

Spitali i Fribourg-ut (HFR) nuk mund të ofrojë këtë javë shërbime kirurgjikale urgjente në urologji, për shkak të mungesës së mjekëve specialistë në kanton.

Që nga e premtja e kaluar, asnjë urolog nga Fribourg nuk ka qenë i disponueshëm për të operuar në HFR, raporton “La Liberté”. Pesë prej tyre janë me pushime, ndërsa i gjashti është në leje mjekësore që nga vjeshta e kaluar. Në rastet urgjente që kërkojnë operacion, pacientët po transferohen në Inselspital, Bern, ose në CHUV, Lausanne. Një rast i tillë ndodhi edhe gjatë natës së së premtes, kur një pacient u dërgua në spitalin e Bernës.

HFR nuk ka një departament të vetin të urologjisë. Gjashte urologët që punojnë në praktika private në kanton ndajnë turnet e shërbimit gjatë gjithë vitit.

Apel për ta bërë Fribourg-un më tërheqës

Urologët, specialistë në trajtimin e sëmundjeve të traktit urinar, prej vitesh paralajmërojnë për situatën dhe kërkojnë reforma. Në kantonin e Fribourg-ut ka rreth një urolog për çdo 56,000 banorë, ndërsa në Vaud raporti është një për çdo 27,000 banorë.

Duke folur në edicionin informativ të orës 12:30, Dr. Nicolas Fleury, përfaqësues i Grupit të Urologëve të Fribourg-ut, bëri thirrje që kantoni të bëhet më tërheqës për specialistët e rinj:

“Gjëja e parë është të organizohen shërbimet e gatishmërisë, për t’u kthyer qetësinë mjekëve në menaxhimin e rasteve urgjente. E dyta është harmonizimi i tarifave të procedurave urologjike me ato të kantoneve të tjera,” deklaroi ai.

Nga ana e saj, HFR ka vite që punon për krijimin e një departamenti të vetin të urologjisë.

 

 

Rregullatori zviceran miraton vaksinën e përditësuar kundër Covid-19

Agjencia Zvicerane për Produktet Terapeutike (Swissmedic) ka miratuar një vaksinë të përditësuar kundër COVID-19 nga kompania farmaceutike amerikane Moderna.

Vaksina, e cila vjen në shiringë të paraplotësuar për imunizim aktiv kundër sëmundjes së koronavirusit, është e destinuar për personat mbi 12 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Swissmedic konfirmoi njoftimin e lëshuar nga Moderna të hënën. Sipas kompanisë, miratimi i vaksinës COVID-19 Spikevax LP.8.1 bazohet në të dhënat e prodhimit si dhe në të dhënat klinike, joklinike dhe praktike ekzistuese që tregojnë efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave mRNA të Moderna-s kundër COVID-19.

Në përputhje me këtë, për miratimin e variantit të ri janë paraqitur të dhëna mbi prodhimin (CMC – Kimi, Prodhim dhe Kontroll) dhe të dhëna paraklinike, por jo të dhëna të reja klinike.

Kosovë: 1 i vdekur dhe 10 të plagosur në aksidentin në Komoran, dy në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në Komoran, ku janë përfshirë gjashtë automjete. Si pasojë, një person ka humbur jetën, ndërsa dhjetë të tjerë janë lënduar.

Burime të Klan Kosovës nga Emergjenca e QKUK-së kanë bërë të ditur se dy prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre është në gjendje të paqëndrueshme, ndërsa tjetri, megjithëse ka lëndime serioze, është në gjendje stabile, përcjell albinfo.ch.

Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar për ngjarjen.

Ngrohja globale do të bëjë që valët e të nxehtit të jenë shumë më të shpeshta

Valët e të nxehtit që goditën rajonin e Liqenit të Gjenevës, Valisin dhe Ticinon të premten do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen në ditët në vijim. Ato pritet të shtrihen edhe në pjesë të Zvicrës gjermanofolëse që nga e marta. Sipas MeteoSwiss, nuk priten temperatura rekord në Zvicër, por këto valë të nxehti pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta, transmeton albinfo.ch.

MeteoSwiss ka zgjatur paralajmërimin për valën e të nxehtit të nivelit 3 në Zvicrën frankofone dhe në Valis deri të dielën. E marta dhe e mërkura do të jenë ditët më të nxehta, me temperatura mes 35 dhe 36°C dhe mundësisht deri në 37°C në zonën e Gjenevës dhe Valisit qendror.

Evropa Jugperëndimore përvëlohet

Zvicra nuk është e vetmja e prekur nga kjo valë e të nxehtit. Franca jugperëndimore, ku temperaturat po kalojnë 40°C, është veçanërisht e goditur. Bordeaux theu rekordin e vet historik të temperaturës të hënën, duke shënuar 41,6°C.

Meteorologët krahasojnë situatën me verën përvëluese të vitit 2003, kur gushti dhe qershori ishin muajt më të nxehtë që nga fillimi i matjeve në 1864. Por, ndërsa Franca po thyen rekorde, Zvicra mbetet disi në periferi të këtij fenomeni, shpjegon meteorologu Didier Ulrich nga MeteoSwiss.

Fenomeni i “pomës së nxehtësisë”

Për shkak të një anticikloni të gjerë mbi Mesdheun dhe një depresioni në brigjet e Francës, moti është i bllokuar mbi Evropë. Ky depresion sjell një rrjedhë ajri nga jugperëndimi që transporton masat shumë të nxehta nga Afrika e Veriut drejt Spanjës e më pas Francës, duke krijuar efektin e ashtuquajtur të “pomës së nxehtësisë”. Kjo situatë pritet të zgjasë për disa ditë, madje ndoshta për gjithë javën.

Valët e të nxehtit: nga përjashtim në rregull

Edhe pse është ende herët për të thënë nëse kjo valë është e jashtëzakonshme për Zvicrën, meteorologët theksojnë se është e pazakontë që të vijë kaq vonë në verë. “Ngrohja globale do t’i bëjë periudhat e tilla shumë më të shpeshta,” paralajmëron Ulrich. Në të ardhmen mund të kemi 3, 4 apo edhe 5 valë të nxehti çdo verë, të ndërprera herë pas here nga masa ajri më të freskëta nga oqeani, të shoqëruara me stuhi.

SHBA-ja nuk do të vendosë tarifa doganore mbi arin, konfirmon Donald Trump

Shtetet e Bashkuara nuk do të vendosin tarifa doganore mbi arin, konfirmoi presidenti Donald Trump.

Presidenti Donald Trump deklaroi të hënën se ari nuk do të jetë subjekt i tarifave të reja amerikane, pasi një dokument zyrtar javën e kaluar shkaktoi konfuzion dhe çmimi i këtij metali të çmuar arriti një rekord të ri.

“Një deklaratë nga Donald J. Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Ari nuk do të jetë subjekt i tarifave doganore!” – shkroi kreu i shtetit në platformën e tij Truth Social, pa dhënë detaje të tjera.

Çmimet e arit arritën një nivel rekord në fund të javës së kaluar, pasi investitorët u shqetësuan se disa stërmyshkale ari mund të ndikoheshin nga tarifat që po vendoseshin nga presidenti amerikan, tranemeton albinfo.ch.

Sipas një përditësimi nga Doganat Amerikane, i detajuar në një dokument datë 31 korrik, por i bërë publik të premten, stërmyshkalet e arit me peshë një kilogram dhe 100 unca u klasifikuan si të prekura nga tarifat doganore, ndërkohë që investitorët besonin se ishin të përjashtuara.

Shtëpia e Bardhë më pas tha se planifikonte “të nxjerrë së shpejti një urdhër ekzekutiv për të sqaruar keqinformimin rreth taksimit të stërmyshkaleve të arit dhe produkteve të tjera speciale,” tha një zyrtar për AFP.

Megjithatë, nuk u tha nëse kjo do të thoshte që stërmyshkalet do të mbeteshin të përjashtuara.

A është vërtet kafeja e mirë për shëndetin?

Konsumimi i rregullt i kafes lidhet me përfitime për shëndetin kardiovaskular, metabolik, respirator, trurin dhe madje edhe shëndetin mendor. “Le Point J” e analizon këtë temë me një ekspert.

A mund të jetë pirja e kafes çelësi për një jetë më të gjatë? Kështu sugjeron një studim shkencor i publikuar në fillim të janarit në European Heart Journal. Sipas studiuesve nga Universiteti Tulane në SHBA, pirja e kafes në mëngjes ul rrezikun e vdekjes nga shkaqe kardiovaskulare me 31% dhe rrezikun e vdekshmërisë së përgjithshme me 16%, krahasuar me ata që nuk pinë kafe.

Këto rezultate nuk e befasojnë Thierry Favrod-Coune, mjek dhe specialist i varësive në HUG. “Ky studim përputhet plotësisht me hulumtime të tjera që kanë treguar të njëjtën gjë,” shpjegon ai.

Një meta-analizë e vitit 2019, që përfshinte 3.8 milionë individë në disa vende, tregoi një ulje prej 15% të vdekshmërisë tek konsumuesit e kafes, “me përfitimin maksimal rreth katër filxhanë në ditë,” shton doktori, transmeton albinfo.ch.

Studimet tregojnë një lidhje mes konsumimit të kafes dhe uljes së rrezikut kardiovaskular, problemeve metabolike, si edhe një efekt pozitiv në peshë, funksionin muskulor dhe sëmundjet e frymëmarrjes.

“Këto përfitime vijnë kryesisht nga polifenolët, antioksidantë të pranishëm në kafe, dhe jo nga kafeina vetë,” thekson Thierry Favrod-Coune. Kafja thuhet gjithashtu se ka efekte pozitive në kujtesë dhe ngadalësimin e rënies kognitive.

Megjithatë, kujdes kafeja nuk është një “pije magjike”. Efektet e saj ndryshojnë nga një person te tjetri, dhe konsumimi i tepruar mund të shkaktojë ankth dhe çrregullime gjumi tek disa njerëz. Për më tepër, shtimi i sheqerit apo kreminës mund të zvogëlojë përfitimet e saj.

Ftohen prindërit në diasporë: Regjistroni fëmijët në shkollat e gjuhës shqipe

Në një iniciativë të veçantë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare jashtë vendit, prindërit shqiptarë që jetojnë në diasporë ftohen të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat dhe kurset e gjuhës shqipe, transmeton albinfo.ch.

Mësimi organizohet në shumë vende të botës dhe ofron mundësinë që fëmijët të lidhen me gjuhën, traditat dhe rrënjët e tyre shqiptare, duke u njohur me kulturën kombëtare në një ambient mësimor të përshtatur.

Regjistrimet për vitin e ri shkollor hapen më 15 gusht. Prindërit mund të shikojnë adresat e shkollave dhe të bëjnë regjistrimin në faqen zyrtare të Ministrisë për Diasporën:

https://qbd.gov.al/shkollat-shqipe

Mësimi i gjuhës shqipe është një urë lidhëse me identitetin dhe trashëgiminë kombëtare, që ndihmon brezat e rinj në diasporë të ruajnë dhe kultivojnë gjuhën amtare.

 

 

Të marrësh një pako që nuk e ke porositur, një mashtrim gjithnjë e më i zakonshëm në Zvicër

Gjithnjë e më shumë njerëz në Zvicër po marrin pako që nuk i kanë porositur, shpesh të shoqëruara edhe me fatura. Ky problem jo vetëm që shkakton bezdi, por mund të ketë edhe kosto financiare. Avokatja e FRC-së, Manon Renaud, ndan këshillat e saj për t’u mbrojtur në këto raste.

“Ky fenomen është rritur prej disa vitesh. Po marrim gjithnjë e më shumë kërkesa nga konsumatorët,” thotë Renaud në emisionin On en parle, transmetin albinfo.ch.

Vjedhje identiteti apo thjesht gabim?

“Nuk çdo pako e marrë pa u porositur do të thotë domosdoshmërisht se jeni viktimë e vjedhjes së identitetit,” shpjegon Renaud. “Në çdo rast, kur merrni një pako të tillë, kontaktoni menjëherë kompaninë dhe kundërshtoni faturën. Mund t’ju thonë se llogaria juaj e klientit dhe adresa janë përdorur. Kërkoni gjurmueshmëri: kur është bërë porosia, çfarë të dhënash janë përdorur? Kështu mund të kuptoni nëse jeni viktimë e vjedhjes së identitetit.”

Nëse ndodh kjo, duhet t’i shpjegoni situatën kompanisë dhe të kundërshtoni faturën, duke i informuar se do ta mbani pakon për 30 ditë në rast se duan ta tërheqin. Kompania mund t’ju kërkojë të bëni kallëzim penal  nuk është e detyrueshme, por rekomandohet për të thjeshtuar procedurat dhe për të mbrojtur veten.

Blerjet “me faturë” e lehtësojnë mashtrimin

Si e bëjnë autorët e mashtrimeve një porosi me identitetin tuaj? “Mund të jetë përmes marrjes në kontroll të llogarisë suaj online, por shpesh mjafton emri dhe adresa. Kur faqja e kompanisë lejon pagesën me faturë pas marrjes së produktit, mashtruesit e kanë shumë më të thjeshtë. Ata marrin njoftime për ndjekjen e pakos dhe e tërheqin sapo mbërrin faturën e lënë tek ju.”

Procedura që kushton kohë dhe para

Nëse pas kundërshtimit të faturës merrni kujtesa për pagesë, edhe ato duhet t’i kundërshtonimë mirë me shkrim ose email për të pasur provë. Mund të kërkoni nga kompania konfirmim me shkrim që nuk keni detyrim pagese.

Por procesi mund të ketë kosto, si dërgimi i letrave të rekomanduara apo telefonatat ndërkombëtare. Sipas Renaud, nuk janë kompanitë që dërgojnë pakot ato që duhet të mbulojnë shpenzimet, por vetë mashtruesi  gjë që në praktikë rrallë ndodh.

Amazon dhe Riverty, të kontaktuara nga On en parle, u bëjnë thirrje klientëve të kontaktojnë shërbimin e tyre ndaj klientit nëse kanë dyshime dhe theksojnë se mbrojtja e të dhënave është prioriteti i tyre.