Tirana, destinacioni më i kërkuar turistik në Ballkan

Tirana po konsolidohet si një nga qytetet më të vizituara në Ballkan, duke u kthyer në një qendër të gjallë që bashkon historinë, kulturën dhe inovacionin. Sipas portalit ndërkombëtar Travel and Tour World, kryeqyteti shqiptar ofron përvoja të larmishme gjatë gjithë vitit, ga trashëgimia historike deri te jeta moderne urbane, përcjell albinfo.ch.

Traditë dhe modernitet në harmoni

Tirana mbetet magnet për turistët falë ndërthurjes mes së vjetrës dhe së resë. Monumente si Sheshi Skënderbej, Kulla e Sahatit, Bunk’Art dhe Shtëpia e Gjetheve i japin qytetit një dimension historik unik, ndërsa hapësira të reja si Piramida e Tiranës simbolizojnë transformimin e saj në një qendër kreative dhe teknologjike.

Kulturë, kuzhinë dhe eksperienca unike

Përveç trashëgimisë kulturore, Tirana ofron një skenë dinamike sociale dhe gastronomike. Pazari i Ri është destinacioni ideal për të shijuar ushqimin tradicional dhe produktet vendase, ndërsa kafenetë dhe restorantet moderne reflektojnë frymën e re të qytetit.
Në periferitë e kryeqytetit, natyra e pasur, malet dhe parqet kombëtare ofrojnë mundësi për ecje, çiklizëm dhe aventurë.

Ngjarje dhe zhvillim i qëndrueshëm

Evente si Tirana International Film Festival dhe Tirana Jazz Festival e pozicionojnë qytetin si një qendër të rëndësishme kulturore në rajon. Rritja e turizmit ka ndikuar ndjeshëm edhe në ekonominë lokale, duke gjeneruar vende pune dhe duke nxitur bizneset vendase.

Një e ardhme premtuese turistike

Me infrastrukturë moderne, transport të aksesueshëm dhe projekte urbane transformuese, Tirana po e forcon imazhin e saj si një destinacion që kombinon historinë, artin dhe inovacionin. Kryeqyteti shqiptar po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një qendër rajonale turizmi dhe kulture, që tërheq vizitorë nga e gjithë bota./atsh

KQZ-ja sot vendosë për fushatën e raundit të dytë, votimin jashtë Kosovës dhe vëzhguesit

Sot, duke filluar nw orwn 11:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe pika kryesore në rend të ditës do të jetë miratimi i planit të aktiviteteve për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, përcjell albinfo.ch.

Ky lajm është konfirmuar mëngjesin e së premtes nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në mesin e këtyre aktiviteteve për të cilat do të vendosë KQZ janë edhe koha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.

Gjithashtu, KQZ do të vendosë për periudhën e aplikimit dhe konfirmimit të vëzhguesve të subjekteve politike garuese si dhe për konfirmimin e vëzhguesve të mediave, OJQ-ve, përfaqësive diplomatike, etj.

Deri më tani, sipas rezultateve jopërfundimtare, raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Kurti: Kosova ndër vendet më të sigurta në botë për të investuar, e para në rajon

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është renditur ndër vendet më të sigurta në botë për të investuar, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, të publikuar nga organizata Henley, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se sipas këtij indeksi, Kosova renditet në vendin e 26-të nga gjithsej 226 shtete të përfshira në vlerësim, duke u pozicionuar e para në rajon dhe përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ky rankim i Kosovës është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë, sektorë të cilët bëjnë të mundur që të kemi ambient të përshtatshëm për të bërë biznes dhe të ofrojmë mundësi për investim në shumë fusha”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se ky vlerësim vjen vetëm disa muaj pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e hoqi Kosovën nga lista e Shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, si dhe pak ditë pasi i njëjti institucion vlerësoi se vendi do të ketë edhe për këtë vit rritjen më të lartë ekonomike në rajon.

“Përkundër krizave globale dhe sfidave të shumta nga faktorë të jashtëm, shteti ynë vazhdon të forcohet, të ofrojë kushte më të mira për zhvillim socio-ekonomik dhe investime të sigurta”, ka shtuar Kurti.

Mësohet data e kthimit të Jasharit të Milanit

Raportohet se mesfushori i Milanit, Ardon Jashari, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Parmës më 8 nëntor. Kështu ka njoftuar të enjten “La Gazzetta dello Sport”, përcjell albinfo.ch.

“Gjërat deri më tani po shkojnë sipas planit. Mesfushori ka nisur vrapimet”, shkruan gazeta e madhe italiane. 

Jashari në gusht përsoi lëndim në një duel me Santiago Gimenezin në stërvitje. 

Jashari u bë një nga transferimet më të shtrenjta të Serie A gjatë afatit kalimtar të verës. Kaloi te Milani për 37 milionë euro nga Club Brugge. 

Para lëndimit ai kishte luajtur vetëm 40 minuta në dy paraqitje si zëvendësues për Kupë të Italisë dhe në Serie A.

Flona Abdullahi, inxhiniere e re nga diaspora që po ndërton karrierë në Suedi

Flona Abdullahi, e lindur në Suedi me origjinë nga Kosova, është një shembull frymëzues i gjeneratës së re të profesionistëve në diasporë. Ajo ka përfunduar studimet në Chalmers University of Technology, një ndër universitetet më prestigjioze të Suedisë, ku është diplomuar si Inxhiniere e Ekonomisë Industriale, transmeton  albinfo.ch.

Aktualisht, Flona ka nisur karrierën e saj profesionale në kompaninë “Eidra”, një ndërmarrje inovative suedeze që ndërthur teknologjinë dhe krijimtarinë për të zhvilluar zgjidhje moderne në industrinë bashkëkohore.

Sot, ajo iu bashkua Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, një iniciativë e Ambasadës së Kosovës në Suedi që ka për qëllim të lidhë, fuqizojë dhe promovojë të rinjtë me prejardhje nga Kosova që po ndërtojnë karrierën e tyre jashtë vendit. /Albinfo.ch

Dan Ballard: Granit Xhaka ka sjellë ndryshim të madh te Sunderlandi

Mbrojtësi i Sunderlandit, Dan Ballard, ka folur për ndikimin e madh që Granit Xhaka ka pasur në skuadër, qëkur iu bashkua ekipit anglez nga Bayer Leverkusen në verë, për shumën prej 15 milionë eurosh, përcjell albinfo.ch.

Sipas Ballardit, mesfushori kosovar me përvojë të gjatë në futbollin evropian ka sjellë energji dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm në grup.

“Nuk kam menduar se një lojtar mund të ketë ndikim kaq të madh në skuadër, por Xhaka është motivues i pabesueshëm dhe i ka ngritur standardet. Kur stërvitesh, e ndien se duhet ta impresionosh atë,”

– ka deklaruar Ballard për Reuters.

Xhaka, 33-vjeçar, ish-futbollist i Baselit, Borussia Mönchengladbachut dhe Arsenalit, ka qenë ndër më të mirët te Sunderlandi. Ai ka regjistruar tri asistime në tetë ndeshjet e para të Premier League-s, ndërsa nën drejtimin e tij si kapiten, skuadra ndodhet aktualisht në vendin e shtatë me 14 pikë.

Kujtojmë se Sunderlandi u rikthye në Premier League24 maj 2025, pas tetë vjetësh mungesë.

Ndeshja e radhës për skuadrën e Xhakës do të zhvillohet të shtunën në “Stamford Bridge” ndaj Chelseat.

Kjo kartmonedhë po ngjall emocion tek zviceranët

Gjashtë dizajne janë në finale për serinë e re të monedhave zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Sipas një studimi neuromarketingu nga Zutt & Partner, dizajni B është favoriti, pasi ngjall ndjenja afërsie dhe besueshmërie tek njerëzit.

Vendimi për dizajnin fitues do të merret nga Banka Kombëtare Zvicerane në fillim të vitit 2026. /Albinfo.ch

Tesla tërheq nga tregu 13 mijë automjete elektrike për shkak të defektit në bateri

Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Rrugët e Shteteve të Bashkuara (NHTSA) njoftoi se kompania Tesla ka nisur tërheqjen e rreth 13 mijë automjeteve elektrike të modeleve Model 3 dhe Model Y të vitit 2026, për shkak të një defekti të mundshëm në sistemin e baterisë.

Sipas deklaratës së NHTSA-së, “një kontaktor në paketën e baterisë mund të dështojë, duke shkaktuar humbje të menjëhershme të fuqisë së ngasjes”. Ky problem, sipas agjencisë, rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve rrugore.

Autoritetet kanë konfirmuar se 13 mijë automjete janë potencialisht të prekura nga ky defekt. Tesla ka njoftuar se do të zëvendësojë komponentin e dëmtuar falas, ndërsa njoftimet zyrtare për pronarët e automjeteve do të dërgohen më 9 dhjetor.

Ky është një tjetër rast që përfshin tërheqjen e automjeteve Tesla për arsye teknike, ndërsa kompania vijon të përballet me rritjen e konkurrencës dhe vëzhgimin e shtuar të autoriteteve për sigurinë e automjeteve elektrike.

 

Çdo qytetar i BE-së prodhon mesatarisht 35 kg mbetje plastike në vit

Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, gjatë vitit 2023 në Bashkimin Europian u prodhuan rreth 79.7 milionë tonë mbetje nga paketimet, që përkthehet në 177.8 kilogramë për çdo banor.

Edhe pse kjo përfaqëson një ulje prej 8.7 kg për frymë krahasuar me vitin 2022, sasia mbetet më e lartë se dhjetë vjet më parë — konkretisht me 21.2 kg më shumë se në vitin 2013.

Nga totali i mbetjeve të paketimeve të gjeneruara:

40.4% përbëheshin nga letër dhe karton,

19.8% nga plastika,

18.8% nga qelqi,

15.8% nga druri,

4.9% nga metali,

ndërsa pjesa tjetër përfshinte materiale të tjera.

Në vitin 2023, çdo qytetar i BE prodhoi mesatarisht 35.3 kilogramë mbetje plastike, nga të cilat 14.8 kilogramë u ricikluan.

Kjo përfaqëson një rënie të lehtë të mbetjeve plastike të gjeneruara (–1 kg) dhe një rritje të vogël të sasisë së ricikluar (+0.1 kg) krahasuar me vitin e mëparshëm.

Në krahasim me vitin 2013, mbetjet plastike të paketimeve janë rritur me 6.4 kg për frymë, ndërsa riciklimi ka shënuar një përmirësim prej 3.8 kg.

Në total, 42.1% e mbeturinave plastike të paketimeve u ricikluan në BE gjatë vitit 2023, duke treguar përmirësim nga 38.2% në vitin 2013.

Shtetet me shkallën më të lartë të riciklimit ishin Belgjika (59.5%), Letonia (59.2%) dhe Sllovakia (54.1%), ndërsa më të ulëtat u regjistruan në Hungari (23%), Francë (25.7%) dhe Austri (26.9%).

 

Kroacia vendos pagën minimale të re, ja sa do të jetë rritja

Qeveria e Kroacisë pritet të miratojë një pagë minimale bruto prej 1,050 eurosh deri në fund të këtij muaji, bëri të ditur kryeministri Andrej Plenkoviq gjatë një vizite në Bruksel.

Plenkoviq komentoi mbi negociatat mes sindikatave dhe punëdhënësve për pagat minimale, duke theksuar se ligji e obligon qeverinë që të vendosë shumën e pagës minimale bruto për vitin e ardhshëm deri në fund të tetorit, raporton Index.hr.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm të disa propozimeve nga një komision i posaçëm, ku marrin pjesë profesorë, përfaqësues sindikatash, punëdhënës dhe ekspertë, po vlerësojmë nivelin e përshtatshëm të pagës minimale. Mendimi ynë është që për vitin e ardhshëm të jetë 1,050 euro bruto,” tha Plenkoviq.

Ai shtoi se gjatë nëntë viteve të qeverisjes së tij, Kroacia ka rritur PBB-në për frymë nga 61% në 78% të mesatares evropiane, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto ka shkuar nga 11,000 në 22,000 euro, duke u rritur gjithashtu nga 47 miliardë në afërsisht 93.4 miliardë euro deri në fund të këtij viti.

Plenkoviq njoftoi se qëllimi i qeverisë është që paga minimale bruto të arrijë rreth 1,250 euro deri në fund të mandatit të tretë, ndërsa aktualisht është 970 euro.

 

Skandali i Kardiologjisë Evropiane: Mjekët nën ndikimin e industrisë farmaceutike

Një skandal i madh tronditi botën e kardiologjisë evropiane: disa mjekë të njohur thuhet se kanë marrë miliona për të promovuar ilaçin për zemrën Ivabradine, i cili në Zvicër shitet me emrin Procoralan. Hetimi i gazetarëve danezë për Temps Présent zbuloi konflikte të mëdha interesi brenda Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC), transmeton albinfo ch.

Në qendër të skandalit është ish-presidenti i ESC-së, Profesor Kim Fox, i cili raportohet se ka marrë rreth 84 milionë franga zvicerane nga laboratori francez Servier, prodhues i ilaçit. Kjo shumë ngre dyshime serioze mbi pavarësinë e udhëzimeve mjekësore të ESC-së.

Hetimi tregon se industria farmaceutike përdor metoda të ndryshme për të influencuar mjekët, përfshirë pagesa direkte, ftesa në konferenca luksoze dhe presione në spitale. Ndërsa ESC-ja ka përjashtuar Kim Fox nga organizata dhe pretendon se procesi i saj për rekomandime është i pavarur, kritikat për mungesë transparence vazhdojnë.

Rasti nënvizon nevojën për kontroll më të rreptë mbi marrëdhëniet mes mjekëve dhe industrisë farmaceutike dhe rëndësinë e një qasjeje kritike ndaj udhëzimeve mjekësore, edhe kur vijnë nga institucione të njohura.

Sipas Shoqatës Zvicerane të Kardiologjisë, Ivabradine përdoret rrallë në Zvicër dhe konsiderohet një “produkt i veçantë”.

 

Rama në BBC: Si e ndaluam emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve me gomone

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dha një intervistë për BBC Radio 4, ku foli për uljen e ndjeshme të emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Britanisë. Ai theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar pas marrëveshjes së vitit 2023 ka ulur me 95% numrin e shqiptarëve që mbërrinin me gomone.

Rama shpjegoi se suksesin e arritën përmes shkëmbimit të informacionit në kohë reale dhe krijimit të ekipeve të përbashkëta mes dy vendeve. Ai gjithashtu e hodhi poshtë idenë e qendrave të kthimit për azilkërkuesit, duke thënë se kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme dhe se emigracioni duhet trajtuar përmes marrëveshjeve ku të dyja palët përfitojnë.

Kryeministri gjithashtu theksoi se imigracioni mund të jetë pjesë e zgjidhjes për sfidat demografike dhe nevojën për fuqi punëtore të kualifikuar në Europë dhe Britani.

Presidentja Vjosa Osmani në Berlin: Kosova dëshmi e qëndrueshmërisë dhe shpresës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në forumet prestigjioze “The Humboldt Speeches on Europe” në Berlin, ku ka folur për Kosovën jo vetëm si një shtet të ri, por si një shembull i gjallë se besimi, qëndrueshmëria dhe forca e qytetarëve mund të sjellin dritë edhe pas plagëve të luftës.

Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova përfaqëson një histori suksesi të demokracisë, vlerave që bashkojnë dhe shpresës që forcon dhe bashkon Evropën. Ajo u shpreh se ky forum, i zhvilluar në një ndërtesë historike në zemër të Berlinit, ofron mundësinë për të treguar për progresin e Kosovës dhe rolin e saj në forcimin e vlerave evropiane.

Presidentja Osmani gjithashtu e cilësoi pjesëmarrjen e saj si një nder personal dhe institucional, duke nënvizuar rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës në nivele të larta ndërkombëtare.

Stuhia “Benjamin” shkakton dëme dhe ndërprerje trafiku në Zvicër

Zvicër: Stuhia e fortë “Benjamin” kaloi nga perëndimi në lindje të Zvicrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ndërprerje trafiku. Era arriti deri në 150 km/orë në vende të ekspozuara si Säntis dhe Pilatus.

Dëmet kryesore:

Vaud: Dy shtylla elektrike u rrëzuan në Bière; zjarrfikësit morën 98 thirrje kryesisht për pemë të rrëzuara.

Gjenevë: Të gjitha parket dhe rrugët e shëtitjes u mbyllën; shërbimet me anije në Liqenin e Gjenevës u anuluan.

Mittelland dhe Zvicra Veriperëndimore: Pema mbi binarë shkaktoi ndërprerje në disa linja hekurudhore; vonesa në rrugë dhe trafiku publik.

Zvicra Qendrore: Rekord tetori në Luzern: era arriti 114 km/orë.

Zvicra Lindore dhe Zürich: Rimorkio u përmbys në autostradë; disa linja hekurudhore dhe teleferikë u ndërprenë.

Ndikimi në Francë: Era arriti deri në 161 km/orë në Normandi dhe shkaktoi stuhira edhe në Paris.

Autoritetet kishin lëshuar paralajmërime për zonën veriore të Alpeve dhe nivel paralajmërimi federal ishte 3 nga 5.

 

Drita e bardhë e ftohtë ul më shumë stresin sesa drita e bardhë e ngrohtë, zbulon eksperimenti në Cyrih

Një studim zviceran tregon se drita e bardhë e ftohtë ndihmon trupin të relaksohet më shumë sesa drita e bardhë e ngrohtë — megjithëse kjo e fundit perceptohet si më e këndshme për syrin.

Një eksperiment i zhvilluar në kantonin e Cyrihut ka zbuluar se trupi reagon më qetë nën ndriçimin e bardhë të ftohtë. Ky studim, i realizuar nga Instituti Federal Zviceran për Kërkime mbi Pyjet, Dëborën dhe Peizazhin (WSL) në bashkëpunim me kompaninë e energjisë elektrike të kantonit të Cyrihut (EKZ), përfshiu 77 vullnetarë në qytetin Richterswil (ZH).

Pjesëmarrësit u ekspozuan për 20 minuta ndaj tre llojeve të ndryshme ndriçimi LED:

dritë e ngrohtë (2700 Kelvin),

dritë e bardhë neutrale (4000 Kelvin),

dhe dritë e bardhë e ftohtë (6500 Kelvin).

Para dhe pas ekspozimit, ata plotësuan pyetësorë mbi gjendjen e tyre shpirtërore dhe ndjenjën e sigurisë, ndërsa niveli i kortizolit në pështymë u mat për të përcaktuar shkallën e stresit.

Diferenca midis perceptimit dhe realitetit

Rezultatet treguan një kontrast të qartë mes asaj që njerëzit ndjenë dhe reagimit të vërtetë të trupit: shumica e pjesëmarrësve e vlerësuan dritën e ngrohtë si më të këndshme dhe e konsideruan dritën e ftohtë si tepër të fortë, por stresi trupor u ul më shumë nën ndriçimin e bardhë të ftohtë.

Sipas Solène Guenat, udhëheqëse e studimit, kjo mund të shpjegohet nga fakti se “ndihemi më të sigurt gjatë ditës sesa natës, gjë që mund të shpjegojë pse niveli i stresit ra nën ndriçimin e bardhë të ftohtë.”

Një dilemë për qytetet

Komunat që po rinovojnë ndriçimin publik duhet të bëjnë një zgjedhje të vështirë:

Të ndjekin preferencat vizuale të qytetarëve apo efektet reale të spektrit të dritës mbi shëndetin?

Përveç ndikimit pozitiv në stres, drita e bardhë e ftohtë ka edhe një avantazh energjetik — harxhon rreth 30% më pak energji elektrike se drita e bardhë e ngrohtë.

“Në Zvicër, shumica e komunave kanë zgjedhur tashmë ndriçues me dritë të bardhë të ngrohtë. Kjo përbën një kompromis të mirë mes efikasitetit energjetik dhe pranueshmërisë sociale,” shpjegon Jörg Haller, përgjegjës i ndriçimit publik dhe i projekteve Smart City në EKZ.

Në Richterswil, një rrugë e tërë është ndriçuar me llamba me temperatura të ndryshme ngjyrash, nga drita e ngrohtë në të majtë, deri te drita e bardhë e ftohtë në të djathtë – për të demonstruar efektet vizuale të ndryshme të ndriçimit publik.

 

IA fajësohet për uljen e vendeve të punës në Zvicër

Zgjerimi i inteligjencës artificiale (IA) mund të shpjegojë ngadalësimin e tregut të punës në Zvicër, thotë kompania e rekrutimit Adecco.

Sipas një analize të rregullt të Adecco-s, numri i vendeve të lira ka rënë me 0.2% në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me 5.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Indeksi zviceran i tregut të punës, një tregues i llogaritur nga Adecco dhe Universiteti i Cyrihut, qëndronte në vlerën 133, sipas një njoftimi të publikuar sot.

“Sipas raportit ekonomik KOF, ekonomia zvicerane pothuajse është ndalur në tremujorin e dytë, e penalizuar nga rënia e eksporteve dhe rritja e tarifave amerikane,” tha Marcel Keller nga Adecco. “Megjithatë, numri i vendeve të lira në tremujorin e tretë ka rënë vetëm në mënyrë modeste, dhe norma e papunësisë ka shënuar një rritje të vogël. Kjo mund të shpjegohet nga stabilizimi i tendencave të konsumit dhe nga futja e punës me orar të shkurtuar.”

Studimi aktual fokusohet në punët administrative dhe zyrtare, që përbëjnë grupin më të madh të profesionistëve në Zvicër dhe janë thelbësore për proceset qendrore në kompanitë private dhe sektorin publik.

Në të njëjtën kohë, këto profesione janë veçanërisht të ekspozuara ndaj zhvillimeve në fushën e AI-së: rezulton se në dy vitet e fundit (që nga 2023) numri i vendeve të lira në këtë degë ka rënë me 17.4%.

“Arsimimi i lartë nuk e mbron automatikisht individin nga ndikimi i AI-së,” paralajmërojnë ekspertët e Adecco-s. Për t’u përballur me situatën, ata rekomandojnë: përparësi në arsimin e vazhdueshëm për aftësi të lidhura me të dhënat dhe proceset, rritje të informimit mbi inteligjencën artificiale dhe rishikim të roleve profesionale.

 

Franca tërhiqet nga angazhimi për ndalimin e anijeve me emigrantë në Kanalin e La Manshit

Franca është tërhequr nga premtimi i dhënë së fundmi për të përdorur masa të forta në det me qëllim ndalimin e kalimit të anijeve të vogla me emigrantë përmes Kanalit të La Manshit, raportoi BBC., përcjell albinfo.ch.

Sipas burimeve, tensionet e brendshme politike në Francë kanë ndikuar në këtë vendim, i cili konsiderohet një goditje për përpjekjet e qeverisë britanike për të frenuar emigracionin e paligjshëm.

Ndërkohë, çdo ditë vazhdojnë të nisen anije të mbipopulluara nga brigjet pranë portit të Dunkirkut, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për t’i penguar ato.

Shefi i sigurisë kufitare në Britaninë e Madhe, Martin Hewitt, shprehu “zhgënjimin” e tij për mungesën e veprimit nga pala franceze dhe e cilësoi premtimin për një “doktrinë të re detare” si të pavlefshme. Kjo doktrinë parashikonte që anijet patrulluese franceze të ndalonin mjetet me emigrantë dhe t’i tërhiqnin ato përsëri në breg.

Një zyrtar francez e përshkroi këtë politikë si “një manovër politike”, ndërsa ish-ministri i Brendshëm Bruno Retailleau ishte vlerësuar për qasjen e tij më të ashpër ndaj kalimeve të paligjshme.

Kujtojmë se në korrikun e kaluar, presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Sir Keir Starmer zhvilluan një samit për këtë çështje, duke theksuar bashkëpunimin në ndalimin e të ashtuquajturave “anije taksi”, të cilat përdoren nga kontrabandistët për të transportuar emigrantët përgjatë vijës bregdetare.

Megjithatë, policia franceze rrallë ndërhyn ndaj këtyre mjeteve, pasi rreziku për jetën e oficerëve dhe civilëve mbetet shumë i lartë.

 

Shqipëria, ndër vendet më të rrezikuara nga turizmi masiv

Të qenit destinacion shumë i frekuentuar nga turistët nuk është gjithmonë një avantazh. Ndërsa turizmi sjell fitime ekonomike, ai gjithashtu mund të shkaktojë presion mbi ambientin dhe jetën e përditshme të komuniteteve vendase.

Gjetja e një balancë mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore është një sfidë kryesore për destinacionet që përjetojnë rritje të madhe turistike.

Turizmi masiv ndodh kur një vend apo zonë nuk është në gjendje të përballojë numrin e madh të vizitorëve, duke ndikuar negativisht në jetën e banorëve dhe infrastrukturën lokale.

Këto pasoja përfshijnë mungesën e ushqimit dhe ujit me çmime të përballueshme, mbipopullim, trafikun e rënduar, ndotjen, rritjen e çmimeve të banesave dhe humbjen e autenticitetit të zonës, transmeton monitor përvjell albinfo.ch.

Ekspertët këshillojnë që turizmi të mos evitohet, por të menaxhohet me kujdes — përmes vizitave jashtë sezonit të lartë, qëndrimeve më të gjata dhe mbështetjes së biznesit lokal.

1. Shqipëria

E vendosur mes brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria po përjeton një rritje të madhe të turizmit. Ndërsa në vitin 2015 vizitorët ishin 3 milionë, ky numër u trefishua në 10 milionë në 2023. Parashikimet flasin për 30 milionë turistë deri në vitin 2030, duke e bërë Shqipërinë destinacionin me rritjen më të shpejtë turistike në Europë.

Elton Caushi, banor i Tiranës dhe themelues i Albanian Trip, rekomandon që vizitorët të shpërndahen edhe në zona më pak të njohura përtej destinacioneve të zakonshme si Saranda, Dhërmiu dhe Ksamil.

“Zgjidhni fshatra si Zogaj pranë Shkodrës, Delvina, Lushnja apo Kukësi, për të ndihmuar komunitetet që zakonisht nuk përfitojnë shumë nga turizmi,” thotë ai.

“Bëni rezervime në bujtina lokale dhe vizitoni jashtë sezonit turistik. Shqipëria do të jetë po aq e bukur, më e qetë dhe më ekonomike, duke ndihmuar bizneset vendase të qëndrojnë aktive gjatë gjithë vitit.”

2. Raja Ampat, Indonezi

Ishujt e Raja Ampat po përballen me një rritje të fuqishme të turizmit tokësor që po dëmton mjedisin unik të zonës. Programet e turizmit me ndikim të ulët, si ekspeditat në anije kërkimore ose projektet edukative, po ndihmojnë në ruajtjen e këtij rajoni të veçantë.

3. Santiago de Compostela, Spanjë

Ky qytet i njohur si destinacion pelegrinazh, i përmendur edhe në filmin “The Way”, po përballet me rritje të çmimeve të qirave dhe mungesë banesash për banorët vendas. Një alternativë më e qetë është qyteti A Coruña, që ofron arkitekturë mesjetare, muze të shumtë dhe plazhe të bukura.

4. Belém, Brazil

Në hyrje të Amazonës, Belém po tërheq më shumë turistë, por po përjeton gjithashtu zhvendosjen e banorëve për shkak të investimeve të shpejta. Vizitorët mund të zgjedhin akomodime në pronësi të komuniteteve lokale dhe të eksplorojnë rrugë më pak të njohura brenda pyllit amazonik.

5. Kotor, Mal i Zi

Ky qytet historik me 22 mijë banorë pret rreth 500 anije turistike në vit. Problemet e trafikut dhe çmimet e larta po detyrojnë vendasit të largohen nga qendra historike. Vizitat me anije të vogla dhe jashtë sezonit turistik janë mënyra më e mirë për të shijuar këtë zonë pa shkaktuar dëme.

6. Plazhet jugore, Sri Lanka

Pas një periudhe të vështirë për turizmin, Sri Lanka po rikthehet fuqishëm, por plazhet dhe parkët në jug janë tashmë pranë kufijve të kapacitetit të tyre. Ekspertët sugjerojnë që turistët të eksplorojnë pjesët veriore dhe lindore të vendit, ku kultura lokale ruhet më mirë dhe ndikimi turistik është më i ulët.

 

Trump kërcënon se Izraeli do të humbasë mbështetjen e SHBA-së nëse anekson Bregun Perëndimor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do ta lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor, duke paralajmëruar se Izraeli do të humbasë mbështetjen e SHBA-së nëse e bën këtë.

“Kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte”, tha Trump për TIME, transmeton albinfo.ch.

Deklarata e Trump vjen pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së ka thënë se një lëvizje nga parlamenti i Izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar, do të kërcënonte planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Ndryshe, ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën në favor të avancimit të dy projektligjeve për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar. Më herët, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se qeveria nuk kishte vendosur ta çonte votimin për aneksimin përpara në këtë fazë, në mënyrë që të siguronte suksesin e planit shumëfazor të Trump për Gazën.

Taksitë elektrike të automatizuara do të testohen në Zvicër nga dhjetori

Gjigandi kinez i teknologjisë Baidu njoftoi se dega e tij Apollo Go do të nisë provat e taksive elektrike autonome në katër kantone të Zvicrës Lindore në fund të vitit 2025, në partneritet me shërbimin e transportit publik PostBus.

Shërbimi i rregullt i AmiGo është planifikuar “jo më vonë se tremujori i parë i vitit 2027”.

Kompania me seli në Pekin tha se udhëtimi në këto automjete me katër vende mund të jetë privat ose i përbashkët, me qëllim optimizimin e përdorimit të flotës.

Testet do të kryhen në kantonet e St. Gallen, Thurgau dhe dy Appenzells, transmeton albinfo.ch. Një shofer rezervë do të udhëtojë në çdo automjet të automatizuar PostBus.

Bardhec Berisha vjen me librin e ri me poezi shqip – gjermanisht

Bardhec Berisha është një krijues dhe veprimtar i njohur në mërgatën shqiptare të Zvicrës dhe më gjerë. Ai ka botuar deri më tani një numër librash, kryesisht me poezi, të cilat janë përkthyer edhe në gjuhën gjermane ose janë shkruar në të dy gjuhët, shkruan albinfo.ch.

Edhe libri më i ri i Berishës me titullin “Vendlindja ime, eliksiri im/ Meine heimat, mein Elixier” vjen në të dy gjuhët dhe është botim i shtëpisë botuese Xenia (Lucernë&Klinë).

Kështu e prezanton Shoqata e Shkrimtarëve të Zvicrës Qendrore librin e Bardhec Berishës. “Në këtë mënyrë, Bardhec Berisha, në mërgim, krijon lidhje të ngushta me dy kultura dhe dy gjuhë – një përvojë që reflektohet në hapësira krijuese. Poezitë e tij lexohen dhe interpretohen në dy realitete të ndryshme. Poezitë e përkthyera në gjermanisht formojnë një urë komunikimi dhe mirëkuptimi për popullin e Zvicrës – dhe në të njëjtën kohë bëhen pjesë e identitetit të poetit në një tokë të huaj, ashtu siç ai mbetet në atdheun e tij”.

Bardhec Berisha ka studiuar gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1983, ai jeton në Zvicër, si i përndjekur politik nga Kosova. Këtu, për të mbajtur familjen, ka punuar si punëtor krahu dhe murator deri në vitin 1996.

Më pas ai përfundoi një diplomë në gjermanisht në Institutin Goethe në Bazel. Që atëherë, ai ka punuar si përkthyes në Emmenbrücke të Lucernës dhe merret me shkrime.

 

Cilat janë detyrimet e mia komunale si pronar apartamenti në Zvicër?

Nëse zotëroni një apartament (ose dëshironi të blini një) në një ndërtesë në Zvicër që menaxhohet nga një shoqatë pronarësh shtëpish, do të keni disa detyra dhe përgjegjësi. Ja çfarë duhet të dini.

Shoqata e pronarëve, e njohur me akronimet EPP në gjermanisht dhe PPE në frëngjisht dhe italisht, është një formë bashkëpronësie ku individët zotërojnë vetë apartamentet e tyre private, ndërsa zotërojnë bashkërisht zonat e përbashkëta të një ndërtese, siç janë çatia, korridoret, ashensorët, si dhe, në disa raste, çdo tokë përreth.

Ky sistem ka si avantazhe ashtu edhe disavantazhe – lexoni më shumë rreth tij më poshtë – por për momentin, është e rëndësishme të dini se në Zvicër, EPP/PPE janë një çështje serioze: ka rregulla të rrepta se si duhet të menaxhohen ato dhe cilat janë të drejtat dhe detyrimet e secilit pronar.

Kjo sepse, ndryshe nga një shtëpi me një familje të vetme, ku të gjitha vendimet merren në mënyrë të njëanshme nga kushdo që i përket prona, PPE/PPE-të kanë më shumë të bëjnë me dinamikën e grupit – domethënë, të gjithë pronarët ndajnë përgjegjësinë, si në aspektin e vendimeve ashtu edhe të financave, për zonat e përbashkëta të ndërtesës së tyre.

Çfarë është e jotja dhe çfarë jo?

Çdo gjë që ndodhet brenda kufijve të brendshëm të apartamentit tuaj ju përket juve dhe mund të bëni me të siç dëshironi, mund ta dekoroni atë siç dëshironi, të lyeni ose edhe të hiqni muret dhe të ndryshoni dyshemenë, me fjalë të tjera, ju keni lirinë për të përmirësuar/rinovuar në çfarëdo mënyre që dëshironi, gjë që nuk do të ishit në gjendje ta bënit nëse do të ishit qiramarrës, pasi do t’ju duhej leja e qiradhënësit për çdo ndryshim.

Megjithatë, këto të drejta janë të kufizuara vetëm në banesën tuaj: aftësia juaj për të vepruar siç dëshironi në lidhje me pjesën e jashtme është e kufizuar; në vend të kësaj, ju jeni të detyruar nga rregullat e shoqatës së pronarëve të shtëpive.

Zakonisht, çdo ndryshim në çati ose fasadën e ndërtesës, ose në zonat e përbashkëta të brendshme (si shkallët), si dhe në tokën e përbashkët jashtë, duhet të miratohet nga pronarët e tjerë.

Ky mund të jetë rasti, për shembull, nëse dëshironi të instaloni një njësi kondicioneri në apartamentin tuaj, gjë që do të kërkonte ndryshimin e fasadës së ndërtesës, ose të rilyeni qepenat me një ngjyrë tjetër, gjë që gjithashtu do të modifikonte pamjen e jashtme të ndërtesës, transmeton albinfo.ch.

Ndryshime të tilla mund të ndodhin vetëm nëse të gjithë pronarët e tjerë (ose një kuorum, varësisht nga rregulloret e shoqatës) janë në favor të këtyre ndryshimeve.

Pra, nëse doni të shtyni përpara një axhendë individuale, shanset tuaja për sukses, veçanërisht në ndërtesat me pronarë të shumtë, janë të pakta.

Këto janë detyrimet tuaja:

Ndarja e kostos

Të gjithë pronarët duhet të paguajnë tarifa mujore të shoqatës – të cilat përcaktohen nga madhësia e apartamentit të tyre.

Ato mblidhen së bashku për të paguar tarifat e administratorit, sigurimin e ndërtesës, çdo riparim ose përmirësim të nevojshëm në pronë, si dhe për të përbërë një fond të veçantë për kur nevojiten rinovime të mëdha.

Ato përdoren gjithashtu për të paguar një kujdestar dhe/ose kopshtar, nëse shoqata i punëson ata.

Kjo do të thotë që çdo kosto e riparimeve ose punimeve të mirëmbajtjes do të ndahet nga të gjithë pronarët – në këtë drejtim, është një avantazh i padyshimtë ndaj pronarëve të shtëpive të vetme të cilët do të duhej të paguanin për gjithçka vetë.

Çfarë përgjegjësish të tjera keni në një EEP/PPE?

Ju duhet të merrni pjesë në mbledhjet e përgjithshme

Ato zakonisht zhvillohen një herë në vit dhe përqendrohen në tema të tilla si buxheti aktual dhe i ardhshëm i EEP/PPE, si dhe çdo ndryshim/përmirësim/riparim që duhet të bëhet në pronë.

Sugjerimet gjithashtu mund të bëhen dhe, nëse është e nevojshme, të votohen nga anëtarët e tjerë të shoqatës.

Paguan tarifat

Si pronar, ju duhet të paguani tarifat tuaja mujore të shoqatës, të cilat, siç u përmend, përdoren për çdo shpenzim të nevojshëm dhe për të ndërtuar një fond rinovimi.