KFOR-i vendos tabela të reja në kufirin Kosovë-Serbi

Misioni i KFOR-it në Kosovë ka njoftuar se është duke vendosur tabela të reja në kufirin Kosovë-Serbi, përcjell albinfo.ch.

Këtë kanë thënë se po e bëjnë për shkak të natyrës malore dhe pyjore të terrenit.

“Ushtarët e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO-ja aktualisht po veprojnë përgjatë Vijës Kufitare Administrative, brenda zonës së përgjegjësisë së KFOR-it, për të instaluar tabela të reja. Për shkak të natyrës malore dhe pyjore të terrenit, këto tabela po vendosen për të shënuar qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale. Vendosja e këtyre tabelave do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme”, thuhet në njoftim.

Tutje KFOR-i ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë patrullimet në veri të Kosovës dhe në afërsi të kufirit.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet tutje në njoftim.

15 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës

Sot bëhen 15 vjet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

Me vota pro, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Vendimi ishte i lexuar nga presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në atë kohë, Hiasashio Ovada.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Me ndihmën e Zvicrës, Berati ndriçohet me teknologji moderne LED

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të sistemit të ri të ndriçimit rrugor në qytetin e Beratit, një projekt që synon rritjen e efiçencës energjetike dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për banorët, shkruan albinfo.ch.

Ky sistem ndriçimi, i bazuar në teknologjinë LED, ofron ndriçim më të sigurt, me konsum të ulët energjie dhe me ndikim pozitiv në mjedis. Falë bashkëpunimit mes Zvicrës dhe Bashkisë Berat, qyteti ka përfituar nga një investim modern që kontribuon në zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe përmirësimin e infrastrukturës publike.

Mund të jetë një imazh i 6 persona, Camogli, Stari Most dhe rrugë

Kontributet kryesore të projektit:
Rritja e kapaciteteve lokale për projektimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës me efiçencë të lartë energjetike.

Ndriçim efikas dhe ekonomik, që siguron kursime të energjisë dhe ulje të ndjeshme të kostove operacionale për Bashkinë.

Reduktimi i emetimeve të CO₂, duke kontribuar në përpjekjet për një mjedis më të pastër dhe përballje me ndryshimet klimatike.

Siguri më e lartë publike, përmes ndriçimit më të mirë të hapësirave rrugore dhe publike.

Planifikim i qëndrueshëm afatgjatë, që garanton funksionim dhe mirëmbajtje të sistemit në përputhje me standardet evropiane të eficiencës energjetike.

Pjesë e projektit “Smart Energy Municipalities”
Kjo ndërhyrje në qytetin e Beratit është pjesë e projektit më të gjerë Smart Energy Municipalities në Shqipëri, i cili mbështetet nga Zvicra dhe synon forcimin e kapaciteteve të bashkive shqiptare për të përmirësuar performancën energjetike dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm.

Gjatë fjalës së saj në inaugurim, Ambasadorja Ruth Huber theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve lokale dhe partnerëve ndërkombëtarë për zbatimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Zvicra është krenare që mbështet iniciativa që sjellin përfitime konkrete për komunitetet vendore. Ndriçimi më i mirë, më ekonomik dhe më i qëndrueshëm është një hap domethënës drejt një të ardhmeje më të gjelbër për Shqipërinë,” u shpreh ambasadorja Huber.

Pse turistët italianë po braktisin bregdetin shqiptar?

Efekti “Albania”, që në tre vitet e fundit tërhoqi mijëra turistë italianë drejt bregdetit shqiptar për shkak të bukurisë natyrore dhe çmimeve të lira, duket se po zbehet ndjeshëm këtë vit, përcjell albinfo.ch.

Sipas një raportimi të publikuar nga media italiane “Corriere della Sera” dhe deklaratave të operatorëve turistikë, interesi i italianëve për të kaluar pushimet verore në Shqipëri ka rënë ndjeshëm në vitin 2025.

Michele Viola, drejtues i agjencisë turistike italiane “Goodays”, thotë se sinjalet e para të rënies ishin të dukshme që në fund të sezonit të kaluar, por këtë vit situata është përkeqësuar më tej. “Shumë pak njerëz po telefonojnë për të rezervuar pushimet në bregdetin shqiptar. Grupet organizohen për destinacione të tjera”, shprehet ai.

Referuar të dhënave të kësaj agjencie, kërkesat për Shqipërinë kanë rënë më shumë se gjysma krahasuar me tre vite më parë, kur fluksi i turistëve italianë në Shqipëri ishte në rritje me 30%, falë çmimeve të përballueshme dhe natyrës së paprekur.

Viola thekson se problemet ekonomike të familjeve italiane po ndikojnë gjithashtu: “Të ardhurat po bien dhe pushimet janë bërë një luks. Më parë, raporti çmim-shërbim në Shqipëri ishte i favorshëm. Sot, kjo nuk vlen më.”

Nga ana tjetër, Massimo Salomone, koordinator për turizmin në Confindustria Puglia, thekson se Shqipëria ka përparuar si destinacion turistik, falë investimeve të shpejta në infrastrukturë dhe një administrate më efikase, por paralajmëron për kujdes: “Ideja që Shqipëria është një destinacion ‘low-cost’ është shpesh e gabuar. Ka probleme me cilësinë e shërbimeve, transparencën e çmimeve dhe ofertën turistike, që shpesh janë ngritur nga vetë udhëtarët.”

Sipas tij, nuk është qëllimi që të rritet konkurrenca me Shqipërinë, por të krijohet një bashkëpunim rajonal, pasi Shqipëria dhe Puglia ndajnë të njëjtin det dhe trashëgimi kulturore.

Ndërkohë, Piero Innocenti, nga Shoqata Rajonale e Agjencive Turistike në Puglia (Fiavet), nënvizon se konsumatorët që dikur toleronin shërbime më modeste për një çmim të lirë, tani nuk e shohin më këtë si përfitim: “Tarifat në Shqipëri janë rritur dhe kjo po i dekurajon pushuesit. E njëjta gjë po ndodh edhe me destinacione të tjera si Kroacia dhe Mali i Zi. Ndërsa Greqia po qëndron mirë në treg.”

Në përfundim, duket se mungesa e avantazhit ekonomik, rritja e çmimeve dhe pritshmëritë në rritje të turistëve italianë po ndikojnë ndjeshëm në rënien e fluksit nga Italia drejt bregdetit shqiptar këtë sezon.

Përditësimi i të dhënave, kjo është gjendja në të gjitha pikat kufitare

Tash e disa ditë mërgimtarët kanë nisur të vijnë për pushime në Kosovë, mirëpo deri më tani nuk janë krijuar kolona të shumta në hyrjet dhe daljet e pikave kufitare, shkruan albinfo.ch.

Referuar përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, situata paraqitet e qetë në të gjitha pikat.

Me rritjen e ardhjeve të mërgimtarëve, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në kufi, për të shmangur pritjet e gjata gjatë ditëve në vijim.

Qyteti i pushimeve ekonomike në Shqipëri: Çadra falas dhe dreka me vetëm 1000 lekë

Ndërkohë që pushimet në bregdetin e jugut po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta, qyteti i Pogradecit po shihet gjithmonë e më shumë si një alternativë e qetë, familjare dhe shumë më e përballueshme për verën.

Së fundmi, një qytetar ka ndarë në rrjetet sociale një foto nga një plazh publik në Pogradec, duke treguar se aty çadrat janë vendosur nga bashkia dhe ofrohen falas për të gjithë pushuesit.

“Meqenëse çmimet në jug janë katastrofë, po ju dërgoj një foto nga Pogradeci. Çadrat janë vendosur nga bashkia dhe janë falas. Plazh publik. Ju mjafton një peshqir dhe dëshira për t’u kënaqur.”, shkruan ai.

Përveç relaksit buzë liqenit, pushuesi ndau edhe një detaj interesant për ata që duan të kursejnë gjatë pushimeve:

“Ne sapo hëngrëm drekën dhe me vetëm 1000 lekë morëm një pice familjare dhe pije. Rehatllik, qetësi, ekonomi dhe klimë perfekte.”

Në një kohë kur shumë vizitorë ankohen për çmimet e larta në jug, Pogradeci po vlerësohet gjithnjë e më shumë si një destinacion ekonomik dhe miqësor për familjarë, të rinj dhe të moshuar. Liqeni, ajri i pastër, plazhet e organizuara, ushqimi i lirë dhe klima e butë e bëjnë këtë qytet gjithnjë e më të preferuar për ata që kërkojnë pushime cilësore me buxhet të ulët.

 

Kërkohet mbyllja e plazhit nudist në Cyrih

Një letër anonime po qarkullon në Cyrih duke kërkuar mbylljen e zonës nudiste të notit në ishullin Werdinsel. Arsyeja: sjellje të konsideruara të papërshtatshme. Ky vend historik dhe i rregulluar po nxit debat mbi bashkëjetesën në hapësirat publike.

Në Werdinsel, një ishull në lumin Limmat në zemër të Cyrihut, nudistët janë bërë objekt i një letre anonime. Autorët e saj kërkojnë mbylljen e zonës nudiste, duke përmendur raste të ekshibicionizmit, marrëdhënieve seksuale publike dhe ngacmimeve ndaj grave.

Sipas raportimeve të Blick, një baba pretendon se ka parë katër burra duke u masturbuar ndërsa po shëtiste me vajzën e tij 7-vjeçare. Gazeta publikoi gjithashtu një video ku shihej një akt seksual eksplicit mes dy personash në plazh, transmeton albinfo.ch.

Letra përmend gjithashtu një fluks vizitorësh që sjell trafik shtesë përreth ishullit. Megjithatë, identiteti dhe numri i saktë i firmëtarëve mbeten të panjohur, ndaj origjina e kësaj tensioni të re është ende e paqartë.

Reagime të përziera

Kjo mobilizim nuk ka gjetur mbështetje unanime: shoqata e lagjes shprehet kundër mbylljes, duke deklaruar se nuk ka vërejtur rritje incidentesh këtë vit. Si përgjigje ndaj letrës anonime, një vizitor i rregullt i zonës nisi një peticion kundër mbylljes, duke mbledhur rreth 80 firma.

Nga ana e saj, policia bashkiake e Cyrihut raporton se që nga viti 2022 ka regjistruar pesë ankesa për ekspozim të pahijshëm në Werdinsel

 

Pse Mercedes Benz do të tërheq mbi 200 mijë vetura

Prodhuesi gjerman i automjeteve “Mercedes-Benz” thuhet se do të tërheqë rreth 223 000 automjete komerciale në të gjithë botën për shkak të një defekti në airbag.

Sipas një liste në uebfaqen e Autoritetit Federal Gjerman të Automjeteve Motorike (KBA), Mercedes-Benz do të tërheqë 223 000 automjete në të gjithë botën, 60 246 prej të cilave në Gjermani.

Deklarata e përfshirë në listë tha se pasagjerët mund të preken në “një aksident në të cilin aktivizohet airbag-u” në modelet e furgonëve ”Viano” dhe ”Vito” të prodhuara midis dhjetorit 2002 dhe shkurtit 2006, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Sipas raporteve të mediave gjermane në këto automjete, “gjeneratori i gazit mund të shpërthejë në një aksident ku aktivizohet airbag-u” dhe në këtë rast, airbag-u nuk do të ofrojë më siguri dhe ekziston rreziku i lëndimit të pasagjerëve për shkak të thyerjes së pjesëve të gjeneratorit të gazit.

Çfarë ndryshon në Gjermani gjatë gushtit 2025

Nga mbyllja e linjës hekurudhore Berlin-Hamburg për rikonstruksion, te rregullat e reja për fotot dixhitale të ID-së dhe riciklimin e baterive – këto janë zhvillimet më të rëndësishme që duhen ditur këtë gusht në Gjermani.

 Linja hekurudhore Berlin-Hamburg mbyllet për përmirësime të mëdha

Nga 1 gushti, lidhja kryesore hekurudhore mes Berlinit dhe Hamburgut do të mbyllet për rikonstruksione të gjera, të cilat do të zgjasin deri në fund të prillit 2026.

Trenat e shpejtësisë së lartë do të devijohen, duke shtuar rreth 45 minuta në udhëtimet e zakonshme.

Disa lidhje rajonale do të pezullohen, ndërsa të tjera do të zëvendësohen nga autobusë me internet, porta USB dhe tualete për udhëtime të gjata.

Foto dixhitale të detyrueshme për pasaporta dhe karta identiteti

Nga 1 gushti, fotot në letër nuk do të pranohen më për ID dhe pasaporta në zyrat e shtetasve dhe të emigracionit (Bürgeramt/Ausländerbehörde).

Fotot duhet të jenë dixhitale, të marra në terminale ‘PointID’ brenda zyrave ose në studio të certifikuara dhe dyqane si DM, të dorëzuara me QR kod.

Çmimi i tyre varion nga 10-15 euro.

 Ulen tarifat për shitjen e energjisë diellore

Nga 1 gushti, ata që instalojnë panele diellore të reja do të marrin më pak për energjinë që japin në rrjet:

Deri 10 kW: 7.87 cent/kWh (nga 7.94 më parë)

Deri 40 kW: 6.81 cent/kWh

Deri 100 kW: 5.56 cent/kWh

Ky ndryshim nuk prek kontratat ekzistuese të nënshkruara para 1 gushtit.

Rregulla të reja sigurie për pajisjet smart

Nga 1 gushti, të gjitha pajisjet smart me lidhje wireless (Wi-Fi, Bluetooth, etj.) mund të shiten me shenjën CE vetëm nëse:

Janë të mbrojtura kundër abuzimit me të dhënat dhe aksesit të paautorizuar.

Kanë fjalëkalime të sigurta, lidhje të enkriptuara dhe mekanizma të besueshëm për përditësime.

Kjo prek telefonat, laptopët, orët smart, fshesat robot, zile dere, kufjet dhe printerët.

Transparencë e detyrueshme për modelet e mëdha të AI

Nga 2 gushti, modelet e mëdha të inteligjencës artificiale si ChatGPT dhe Gemini do të duhet të:

Publikojnë dokumentacion mbi mënyrën si funksionojnë dhe mbi të dhënat mbi të cilat janë trajnuar.

Etiketimi i përmbajtjeve të krijuara nga AI dhe deepfake do të bëhet gjithashtu i detyrueshëm.

Ligji zbatohet për modelet e reja nga viti 2026 dhe për ato ekzistuese nga 2027.

Riciklim dhe etiketime të reja për bateritë

Nga 18 gushti, të gjitha bateritë – nga ato të vogla deri tek bateritë e biçikletave elektrike – mund të dorëzohen falas në qendrat komunale të riciklimit.

Bateritë e reja do të kenë një vulë cilësie dhe më pas QR kod me informacion mjedisor dhe riciklueshmërie.

Rregulla më të rrepta do të zbatohen për importuesit dhe prodhuesit.

Pensionet kthehen në normalitet pas rregullimit të korrikut

Në korrik, pensionet u ulën përkohësisht për shkak të ndryshimeve në kontributet për sigurimin e kujdesit afatgjatë. Nga gushti, rritja e plotë prej 3.74% do të reflektohet normalisht.

Ky muaj shënon edhe barazimin përfundimtar të rregullave të pensioneve midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore.

Fillon viti i ri shkollor për klasat e para

1 gushti shënon fillimin zyrtar të vitit të ri shkollor në shumicën e landeve gjermane. Fëmijët që mbushin 6 vjeç para kësaj date do të fillojnë klasën e parë në gusht ose fillim shtatori.

Arena e Këlnit Lanxess kalon pa para cash

Nga 1 gushti, Arena Lanxess në Këln (më e vizituara në Evropë) do të pranojë kryesisht pagesa me kartë ose elektronike, për të ulur kohën e pritjes dhe për të thjeshtuar proceset logjistike.

 

Shkurtime masive të vendeve të punës në OKB në Gjenevë

Qindra punonjës të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë kanë humbur tashmë vendet e punës, dhe priten shkurtime të tjera edhe më të mëdha.

Që nga janari 2025, kur Donald Trump mori detyrën si President i SHBA, ai e tërhoqi vendin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe pezulloi financimet për shumë agjenci e OJQ të tjera të bazuara në Gjenevë, si Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), transmeton albinfo.ch.

Deri tani:

Punësimet në OKB janë ulur me 43% krahasuar me vitin e kaluar.

Shumë programe humanitare janë ndërprerë, ndërsa mijëra punonjës janë larguar globalisht.

Shkurtime të mëdha të paralajmëruara:

UN AIDS: Nga 127 punonjës do të mbesin vetëm 19.

Gavi – Aleanca e Vaksinave: 155 vende pune do të shkurtohen.

IOM: 200 vende pune do të eliminohen në selinë qendrore.

ILO – Organizata Ndërkombëtare e Punës: 190 punonjës do të largohen, ndërsa 92 do të transferohen në terren.

OBSH: Pritet të largojë 40% të stafit të saj në Gjenevë, që përbën mbi 1,000 vende pune.

UNCTAD – Agjencia për Tregti dhe Zhvillim: 70 vende pune, ose 20% e stafit, do të shkurtohen.

Reagimi në Zvicër

Për të mbrojtur prezencën e OKB-së dhe OJQ-ve në Gjenevë:

Parlamenti i kantonit ka miratuar 10 milionë franga ndihmë urgjente për OJQ-të.

Qeveria federale ka caktuar 269 milionë franga për të ndihmuar Gjenevën të përballojë krizën.

Këshilli Federal deklaroi se shkurtimet e kontributeve financiare nga disa vende anëtare, pa përmendur drejtpërdrejt SHBA-në, kanë sjellë sfida serioze për organizatat ndërkombëtare.

Vjedhje armësh në Zvicrën Lindore: Katër raste brenda pesë ditëve

Në kantonin St. Gallen dhe rajonet përreth, në ditët e fundit janë regjistruar disa vjedhje dhe plaçkitje armësh. Ende nuk është e qartë nëse këto krime janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Raste të ngjashme janë raportuar edhe në kantonet Cyrih dhe Wallis, ndërsa deri tani autorët nuk janë kapur.

Mëngjesin e hershëm të së enjtes së kaluar, në Altstätten të St. Gallenit, grabitës të panjohur vodhën dhjetë pistoleta nga një dyqan armësh. Ata përdorën një nga dy veturat e vjedhura më parë për të përplasur derën e dyqanit dhe për të hyrë brenda. Të shtunën vonë në mbrëmje, në Buchs të St. Gallenit, u vjedhën armë nga një apartament.

Gjatë natës midis së shtunës dhe të dielës u plaçkit edhe një poligon qitjeje në Wittenbach të St. Gallenit, ku u vodhën disa armë antike nga një ekspozitë. Ndërsa gjatë natës së pasuar nga e hëna në të martën, grabitës të panjohur hynë me forcë në një dyqan armësh në Gossau, St. Gallen, dhe vodhën 14 pistoleta.

Zëdhënësi i policisë kantonale të St. Gallenit tha për SRF se nuk mund të konfirmojë në këtë moment lidhjet konkrete midis këtyre vjedhjeve, por hetimet janë në vazhdim.

Ndjekje e madhe në kantonin Wallis

Në qershor, një vjedhje e madhe në një dyqan armësh në Pfungen, kantoni Cyrih, ku u vodhën rreth 50 pistoleta, ka shkaktuar shumë zhurmë. Hetimet vazhdojnë.

Po ashtu, në kantonin Wallis, policia raportoi një tjetër plaçkitje në një dyqan armësh. Autorët u përplasën me makinë gjatë ikjes dhe u detyruan të largohen në këmbë, duke lënë pas një pjesë të armëve të vjedhura. Të paktën tre persona mbeten ende në kërkim, ndërsa po zhvillohet një ndjekje e gjerë.

Mbështetje nga autoritetet federale

Policia kantonale merr mbështetje nga Zyra Federale e Policisë (Fedpol), e cila ndihmon në koordinimin ndërkombëtar dhe njoftimin për armët e vjedhura. Fedpol nuk dha detaje për numrin e përgjithshëm apo tendencat e vjedhjeve të armëve.

Rajoni perëndimor më i prekur

Fedpol thekson se zona e Zvicrës frankofone mbetet më e goditura nga krimi i organizuar i grupeve që vijnë nga Franca, sidomos nga rrethet e Lyonit, Annemasse, Grenoble, Montbéliard dhe Saint-Étienne. Këto grupe janë të përfshira në vjedhje, trafik armësh, mashtrime, pastrim parash dhe plaçkitje.

Disa nga grabitjet më të njohura, si plaçkitja e makinave të blinduara në 2018 dhe 2019, apo plaçkitjet në dyqanet e armëve në 2020 dhe 2021, i atribuohen këtyre rrjeteve.

Një nga dy shkollat Steiner në Ticino shpall falimentin, simbol i një modeli në rënie

Një nga dy shkollat Rudolf Steiner në Ticino ka shpallur falimentin për shkak të mungesës së fondeve.

Shkolla në Origlio, afër Luganos, nuk arriti të mbulonte një boshllëk financiar prej rreth 800,000 frangash zvicerane dhe si pasojë 126 nxënës dhe 40 mësues nuk do të rikthehen në bankat e shkollës në fillim të vitit të ri.

Në Zvicër, numri i shkollave Steiner ka rënë nga 39 në 28 dhe numri i nxënësve është zvogëluar me 20%, duke reflektuar krizën që po përjeton ky model edukimi i bazuar në antroposofi.

 

25 vende, përfshirë Zvicrën, bëjnë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës në Gaza

Rreth 25 vende, përfshirë Zvicrën, kanë bërë thirrje për një përfundim “të menjëhershëm” të luftës në Rripin e Gazës, i cili është nën rrethimin izraelit, në një deklaratë të përbashkët të publikuar të hënën.

“Ne (…) bashkohemi rreth një mesazhi të thjeshtë dhe urgjent: lufta në Gaza duhet të përfundojë menjëherë,” shkruajnë ministrat e jashtëm të këtyre 25 vendeve, duke theksuar se “vuajtjet e civilëve në Gaza kanë arritur nivele të reja.” transmeton albinfo.ch.

Rreth dy milionë palestinezë të rrethuar nga Izraeli në Gaza janë në prag të urisë pas më shumë se 21 muajsh konflikt, i cili u shkaktua nga një sulm i paprecedentë i lëvizjes islamiste palestineze Hamas në tokën izraelite më 7 tetor 2023.

Model i rrezikshëm i shpërndarjes së ndihmave

“Modeli i shpërndarjes së ndihmave i qeverisë izraelite është i rrezikshëm, nxit destabilitet dhe ua mohon gazanëve dinjitetin njerëzor,” vazhdojnë nënshkruesit, duke iu referuar Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

GHF filloi operimin në fund të majit, pas një bllokade të plotë humanitare të vendosur nga Izraeli për më shumë se dy muaj. “Është tronditëse që më shumë se 800 palestinezë janë vrarë ndërkohë që po përpiqeshin të merrnin ndihma,” shkruajnë ministrat.

Javën e kaluar, OKB raportoi se kishte regjistruar 875 persona të vrarë gjatë përpjekjes për të siguruar ushqim që nga fundi i majit, përfshirë 674 pranë pikave të GHF.

“Refuzimi i qeverisë izraelite për të ofruar ndihmë thelbësore humanitare për popullsinë civile është i papranueshëm,” theksojnë ata.

Thirrje për lirimin e pengjeve izraelite

Nënshkruesit gjithashtu bëjnë thirrje për lirimin e pengjeve që mbahen “mizorisht” nga Hamas.

Ata deklaruan gjithashtu se “kundërshtojnë fuqishëm çdo iniciativë që synon ndryshimin e territorit ose demografisë në territoret palestineze të pushtuara,” duke kërkuar ndërprerjen e aktivitetit të vendbanimeve në këto territore.

Vendet nënshkruese

Australia, Austria, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Islanda, Irlanda, Italia, Japonia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar.

Deklarata është nënshkruar gjithashtu nga Komisionerja Evropiane për Barazi, Hadja Lahbib.

 

Shumë skuadra pas Brojës

Armando Broja mund të jetë përpara një kapitulli të ri në karrierën e tij, teksa katër klube jashtë Anglisë kanë shfaqur interes konkret për të.

Pas një periudhe të vështirë të mbushur me dëmtime dhe pak minuta loje, sulmuesi shqiptar i Chelsea-t është në kërkim të një transferimi që mund ta ndihmojë të rikthehet në formën më të mirë të tij.

Sipas mediave britanike, Chelsea ka hyrë në fazën e largimeve këtë verë, dhe ndonëse vëmendja është përqendruar te emra si Nicolas Jackson apo Axel Disasi, edhe e ardhmja e Brojës është një çështje e hapur. Pas një huazimi zhgënjyes te Everton sezonin e kaluar – ku luajti në 13 ndeshje pa shënuar apo asistuar – duket se ka ardhur momenti që ai të zbresë një nivel për të grumbulluar minuta dhe të fokusohet në zhvillimin personal, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Në këtë panoramë, emri i PSV Eindhoven është shtuar së fundmi në listën e klubeve që e duan. Fituesit e Tripletës dhe kampionët në fuqi të Holandës e kujton mirë periudhën e Brojës te Vitesse, ku u shfaq si një talent premtues dhe tani po konsideron seriozisht të bëjë një ofertë, sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja.

Përveç PSV-së, edhe tre klube të tjera kanë hyrë në garë për sulmuesin 23-vjeçar:

Parma në Serie A, që kërkon të zëvendësojë Ange-Yoan Bonny pas kalimit të tij te Interi;

Stuttgart në Bundesliga, në rast se humb Nick Woltemade që kërkohet nga Bayern Munich;

RB Leipzig, që po ndjek zhvillimet dhe mbetet në pritje.

Broja mbetet një lojtar me potencial të madh, por dëmtimet e përsëritura e kanë penguar që ta tregojë plotësisht. Aktualisht, prioriteti kryesor për të është të gjejë një ekip ku të luajë rregullisht dhe të rikthejë vetëbesimin.

Nëse arrin të qëndrojë i shëndetshëm dhe të gjejë një ambient të qëndrueshëm, sulmuesi kuqezi ka ende kohë për ta kthyer karrierën në drejtimin e duhur. Të gjitha ekipet që e duan ofrojnë një mundësi reale për ringritje – tani gjithçka varet nga zgjedhja e duhur dhe rikthimi në formë.

Rënia e vaksinimit në SHBA po ndikon negativisht në pjesën tjetër të botës

Administrata Trump është aktive në sektorin e shëndetësisë: me skeptikun e njohur të vaksinave Robert F. Kennedy Jr. në krye të Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, kriza e besimit është e thellë dhe ka pasoja globale.

Të gjithë ekspertët e pavarur që këshillonin qeverinë amerikane për politikat e vaksinave janë larguar nga detyra me vendimin e Kennedy Jr. dhe janë zëvendësuar nga persona të lidhur me qarqe kundër vaksinimit, ose pa ndonjë ekspertizë të veçantë në këtë fushë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësimin për përhapjen e dezinformatave rreth vaksinave, ndërkohë që forume të profesionistëve të shëndetit në Francë kanë paralajmëruar se rënia e mbulimit të vaksinimit në SHBA do të ketë pasoja globale. Për më tepër, SHBA ka tërhequr kontributin e saj financiar ndaj Aleancës Globale të Vaksinave, transmeton albinfo.ch.

Paralajmërime nga ekspertët

Dr. Michel Kazatchkine, ish-drejtor i Fondit Global për Luftën kundër HIV/AIDS, Tuberkulozit dhe Malaries, thekson: “Ai ka shtyrë shumë takime të komiteteve këshilluese dhe ka ndërprerë fondet federale për studimet mbi hezitimin ndaj vaksinave. Gjithashtu, ka propozuar rregullore të reja për vaksinat kundër Covid dhe ka sugjeruar një kalendar të ri vaksinimi”.

Ai paralajmëron se ky kontekst i pasigurt përbën kërcënim për shëndetin publik, sidomos ndërkohë që fruthi po përhapet sërish në SHBA. Fruthi, një sëmundje infektive tepër ngjitëse, mund të ketë komplikime serioze, por parandalimi bëhet lehtësisht përmes vaksinës MMR (fruth, shytë, rubeolë) e cila administrohet në fëmijëri. Sipas OBSH-së, shkalla e vaksinimit ndaj fruthit duhet të arrijë 95% për të siguruar imunitet në komunitet.

Fruthi si barometër i mbrojtjes

Rikthimi i fruthit në SHBA ka nisur para presidencës së Trump, por situata po përkeqësohet. Madje ka frikë për rikthimin e poliomielitit, sëmundje që mund të shkaktojë paralizë të përhershme dhe që konsiderohej pothuajse e zhdukur – një fitore historike e mjekësisë moderne.

Në vitin 2000, fruthi u shpall i eliminuar nga SHBA, por sot vendi raporton rreth 1500 raste, shifër rekord që tregon krizën në politikat aktuale të shëndetit publik. Senatori demokrat Chuck Schumer i ka bërë thirrje RFK Jr. që të shpallë emergjencë shëndetësore për këtë situatë, kompetencë që i takon vetëm Sekretarit të Shëndetësisë.

Rënia globale e vaksinimit

Rënia e mbulimit vaksinor nuk kufizohet vetëm në SHBA, por është shfaqur edhe në shumë vende të Europës, veçanërisht në Ukrainë për shkak të luftës dhe vështirësive në programet e shëndetit publik.

Sipas Dr. Kazatchkine, kemi hyrë në një periudhë “përtacie dhe indiference”: njerëzit e konsiderojnë fruthin si një sëmundje të lehtë dhe harrojnë rrezikun real, duke hezituar ose duke mos vaksinuar fëmijët.

Ai thekson se konsensusi shkencor është i qartë dhe i padiskutueshëm: vaksinat janë efektive, të sigurta dhe kanë shpëtuar miliona jetë në të gjithë botën. Një studim i fundit danez mbi një milion fëmijë gjatë dhjetë viteve konfirmoi se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm, sëmundje autoimune apo hepatit.

Si të rikthehet besimi?

Rikthimi i besimit mes skeptikëve ndaj vaksinave kërkon një strategji të re komunikimi dhe lidhje më të fortë mes shkencëtarëve dhe mjekëve të familjes, të cilët kanë kontaktin më të drejtpërdrejtë me qytetarët. “Mjekët e familjes janë mjeti më i mirë i komunikimit për këtë çështje”, thotë Kazatchkine.

Marrëveshja Mercosur: Mishi i viçit dhe pulës nga Amerika e Jugut drejt tregut zviceran

Dy javë më parë, Zvicra bëri nënshkrimin paraprak të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me vendet e Mercosur-it (Brazili, Argjentina, Paraguai dhe Uruguai), duke sjellë përfitime për bizneset zvicerane, sidomos në sektorin farmaceutik. Por çfarë do të thotë kjo për konsumatorët?

Mishi i viçit

Aktualisht, 20% e mishit të viçit të freskët të importuar vjen nga Mercosur, kryesisht nga Paraguai. Për të mbrojtur prodhuesit vendas, Zvicra aplikon kuota doganore të OBT-së, ku një sasi e caktuar tatohet më pak dhe sasia mbi këtë kuotë tatohet më shumë.

Sipas marrëveshjes së re, Mercosur mund të eksportojë edhe 3000 ton mish viçi pa taksa shtesë, duke kursyer rreth 5 milionë franga për importuesit zviceranë. Megjithatë, autoritetet zvicerane sigurojnë se kjo nuk do të ndikojë ndjeshëm në tregun vendas, i cili furnizohet 80% nga prodhuesit lokalë, transmeton albinfo.ch.

Një shqetësim tjetër është përdorimi i hormoneve të rritjes, të lejuara në import por të ndaluara në prodhimin zviceran. Ministri Guy Parmelin theksoi se prania e hormoneve do të duhet të etiketohet qartë.

Mishi i shpendëve

Çdo zviceran konsumon rreth 15 kg mish pule në vit. Një e treta e këtij vëllimi vjen nga Brazili. Vetëm në 2024, u importuan 19,500 ton, ku 1000 ton jashtë kontingjentit doganor u taksuan me 19,45 franga/kg (kundrejt 1,5 franga/kg brenda kontingjentit).

Marrëveshja e re i shton këto 1000 ton pa taksa, një lehtësim prej rreth 20 milionë franga për Brazilin. Aktivistët mjedisorë paralajmërojnë se kjo rritje lidhet me shpyllëzimin masiv të Amazonës për prodhimin e sojës, e cila përdoret si ushqim për shpendët.

 

Dogana e Kosovës më shumë se 1 miliard euro të hyra deri në korrik 2025

Dogana e Kosovës ka përmbyllur javën e tretë të korrikut me një arritje të rëndësishme fiskale: mbi 1 miliard euro të hyra të mbledhura, që përfaqëson një rritje prej 9.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin mbledhur 912 milionë euro.

Dogana thotë se ky rezultat jo vetëm që tejkalon shifrat e vitit të kaluar, por edhe kapërcen ndjeshëm planifikimin vjetor, duke dëshmuar një performancë të qëndrueshme dhe efikase në mbledhjen e të hyrave doganore.

“Përkundër uljes së normave tatimore pas pandemisë, Dogana ka arritur të ruajë dhe përshpejtojë ritmin e mbledhjes së të hyrave, duke tejkaluar për më shumë se dyfish rritjen ekonomike të përgjithshme të vendit. Kjo tregon për ndërhyrje të qëllimshme dhe efektive kundër ekonomisë informale, që ka qenë një nga sfidat kryesore ndër vite”, thuhet në njoftim.

Përparimi në luftimin e ekonomisë joformale, sidomos në periudhën pas pandemisë, është i dukshëm. Një ndër arritjet e theksuara është forcimi i sundimit të ligjit në Mitrovicën Veriore, përfshirë pezullimin e veprimtarive të dyshuara në sektorin e derivateve.

Dogana e Kosovës  ka falënderuar në veçanti Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e zbatimit të ligjit për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e misionit të saj. Po ashtu, shpreh mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë që kontribuojnë në operacionet dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale,  një shtyllë kyçe e suksesit të arritur, transmeton albinfo.ch.

“Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e palëkundur të stafit të Doganës. Ata mbeten baza mbi të cilën ndërtohet performanca dhe besimi i publikut ndaj institucionit. Mirënjohje të veçantë u shkon edhe familjeve të punonjësve për mbështetjen e tyre të përditshme”, thuhet në njoftim.

Bazuar në trendin aktual dhe angazhimin e vazhdueshëm, Dogana e Kosovës parashikon një performancë të qëndrueshme deri në fund të vitit 2025.

Sipas Doganës, kjo do të sigurojë jo vetëm mbledhjen e qëndrueshme të të hyrave, por edhe shërbime më efikase për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Transport falas për të rinjtë në Gjenevë, por kostoja po dyfishohet

Kantoni i Gjenevës kishte parashikuar një buxhet prej 32 milionë frangash për të mbuluar abonimet falas të të rinjve nën 25 vjeç dhe të moshuarve. Por, kërkesa ka qenë shumë më e lartë se sa pritej në gjysmën e parë të vitit, ndaj fondi nuk do të mjaftojë, transmeton albinfo.ch.

Sipas RTS, fatura totale mund të dyfishohet deri në fund të vitit dhe të arrijë rreth 60 milionë franga, megjithëse rritja e përdorimit të transportit publik mbetet modeste.

Nga 1 janari, të rinjtë nën 25 vjeç udhëtojnë falas, ndërsa përfituesit e AVS/AI paguajnë më pak, si pjesë e masave të miratuara nga Grand Conseil.

 

Kurti apel qytetarëve: Mos udhëtoni përmes Serbisë, paralajmërim për ndalime arbitrare dhe provokime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë, duke paralajmëruar rrezik për provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe.

“Ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe të qytetarëve tanë,” tha Kurti në konferencën për media të mbajtur sot në Prishtinë, transmeton albinfo.ch.

Në këtë konferencë, Kurti reagoi ashpër ndaj deklaratave kërcënuese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilat i quajti “kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme”, duke theksuar se ato nuk janë thjesht qëndrime individuale, por “politikë shtetërore e Serbisë për nxitjen e tensioneve e destabilizimit të rajonit.”

Ai përmendi rastin e fundit të arrestimit të Igor Popoviqit, i dyshuar për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit etnik, si dhe rikujtoi sulmet e ndodhura më parë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe sulmin terrorist në Banjskë në shtator 2023, duke akuzuar Serbinë për “instrumentalizimin e grupeve kriminale dhe terroriste për qëllime shtetërore.”

Kurti tha se Serbia nuk ka ndryshuar mendësi, duke e cilësuar regjimin e Vuçiqit si pro-rus, autoritar dhe destabilizues, dhe paralajmëroi se Kosova nuk do të lejojë kurrë rikthimin e kohëve të Millosheviqit, kur Vuçiq ishte ministër i Informimit.

Ai nënvizoi gjithashtu se Kosova ka arrestuar gjashtë persona për spiunazh në shërbim të Serbisë gjatë një viti.

Në fund, Kurti i bëri thirrje BE-së, NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë qartë ndaj këtyre kërcënimeve, duke theksuar se Kosova do të mbrojë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe paqen.

Temperatura të larta në Kosovë, bëhet thirrje për kujdes

Kosova këtë javë do të përfshihet nga një valë e fuqishme e të nxehtit afrikan, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 39°C.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron për ndikime të mëdha në shëndet, mungesë reshjesh dhe rrezik të shtuar për zjarre në zonat pyjore dhe bujqësore. Autoritetet e emergjencës u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, ndërsa janë ndaluar të gjitha zjarret në natyrë.

Ndërsa nga Ujësjellësi kërkojnë që uji të shpenzohet në mënyrë më racionale.

Sipas meteorologut Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, vendi po ndikohet nga masa ajrore të thata dhe të nxehta që vijnë nga Afrika Veriore. Ai i tha Radio Kosovës se këto masa, shpeshherë gjatë verës shkaktojnë valë të të nxehtit në rajon, transmeton albinfo.ch.

“Këto masa sjellin temperatura të larta, përmbajtje të ulët të lagështisë dhe rritje të rrezikut për thatësira dhe zjarre. Dita më e nxehtë pritet të jetë e premtja, me temperatura që mund të arrijnë nga 35 deri në 39°C.”

Ai shtoi se indeksi UV do të jetë shumë i lartë nga ora 9 deri në 17, dhe u bëri thirrje qytetarëve,   të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së për mbrojtje nga rrezet e dëmshme. Pavarësisht motit të nxehtë gjatë javës, Aliu tha se IHK parashikon një lehtësim të vogël gjatë fundjavës.

“Një masë më e freskët nga veriu i Evropës do të ndikojë në uljen e temperaturave. Nuk përjashtohet mundësia për ndonjë stuhi lokale.”

Ndërkaq, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, u bëri thirrje qytetarëve për shpenzim sa më racional të ujit.

“Nëse ne e keqpërdorim ujin, atëherë më të vërtetë do të ketë shqetësime për ujë, sidomos në pikat e larta furnizuese.”

Nga ana tjetër, Genc Metaj nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave i tha Radio Kosovës se janë ndërmarrë të gjitha masat që në fillim të sezonës verore, por theksoi se situata mund të përshkallëzohet për shkak të zjarreve të shumta.

“Kemi mbi 40 zjarre të mëdha të regjistruara. Fatkeqësisht, kemi pasur humbje jete ,një person në Klinë dhe një zjarrfikës javën e kaluar. Situata po bëhet e rrezikshme edhe për kapacitetet  tona operacionale.”

Ai bëri thirrje për ndërgjegjësim qytetar, duke theksuar se janë ndaluar të gjitha zjarret në ambient të hapur, përfshirë piknikët, ndezjen e fishekzjarrëve dhe çdo aktivitet tjetër që mund të shkaktojë zjarr.

Në Portalin Verior të Gotthard, kolona deri në shtatë kilometra

Udhëtimi për pushime drejt Ticino-s dhe Italisë ka çuar përsëri në një bllokim trafiku përpara Portalit Verior të Gotthard në Göschenen UR.

Rreth orës 3 pasdite, automjetet ishin ende të bllokuara për shtatë kilometra, sipas Klubit Turistik të Zvicrës (TCS) në X. Deri në drekë, numri kishte arritur pak më pak se dhjetë kilometra.

Në orën 12, automjetet u bllokuan përsëri për pesë kilometra përpara portalit jugor midis Quinto dhe Airolo, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Që në fundjavë, një bllokim prej mbi dhjetë kilometrash ishte krijuar përpara Portalit Verior të Gotthard. Udhëtarëve iu deshën pothuajse dy orë më shumë për të përfunduar pjesën e prekur të autostradës A2 sesa në kushte normale të trafikut.

Rregullohet kufiri kantonal: Aargau dhe Cyrihu shkëmbejnë tokë

Departamenti i Çështjeve Ekonomike dhe Punëve të Brendshme (DVI), ka njoftuar se rregulloret siguruan një shkëmbim të barabartë të tokës.

Ndryshimet kishin të bënin me ndryshimet kufitare midis Oberwil-Lieli AG dhe Birmensdorf ZH, midis Würenlos AG dhe Oetwil an der Limmat ZH, dhe midis Schneisingen dhe Niederweningen ZH. Këshillat qeveritare të të dy kantoneve, dhe më parë këshillat bashkiake të bashkive përkatëse, miratuan ndryshimet, transmeton albinfo.ch.

Në rastin e Oberwil-Lieli, rruga anësore luajti një rol, siç mund të shihet nga procesverbali i këshillit qeveritar të Cyrihut nga maji 2024. Për shkak të rrugës anësore, situata në kufirin kantonal dhe komunal midis Oberwil-Lieli dhe Birmensdorf ndryshoi disa vite më parë, shkruan Blick.

Kufijtë e pronës janë rregulluar. “Meqenëse kufijtë kantonalë dhe komunalë midis bashkive Birmensdorf dhe Oberwil-Lieli kalojnë pjesërisht përgjatë kufijve të vjetër, ky kufi territorial duhet të rregullohet edhe me situatën e ndryshuar”, thuhet në procesverbal.