Vjedhje armësh dhe municionesh në kantonin Vaud

Dy dyqane armësh në kantonin Vaud janë sulmuar nga hajdutët në ditët e fundit. Një tentativë për vjedhje më 10 tetor në Mont-sur-Lausanne dështoi, ndërsa një tjetër më 18 tetor në Renens u realizua, ku u vodhën armë dhe municion.

Hajdutët e vjedhjes në Renens janë ende në kërkim. Ndërkohë, në rastin e Mont-sur-Lausanne, në pranga ranë nëntë të dyshuar, njoftoi policia kantonale e Vaud të martën.

Policia zbuloi automjetin e dyshuar gjatë një patrullimi në zonën industriale të Mont-sur-Lausanne. Kur panë forcat e rendit, disa persona u përpoqën të largoheshin, por u arrestuan. Të dyshuarit, të moshës 19–22 vjeç, janë një nga Vaud dhe tetë nga Franca. Për këtë tentativë vjedhjeje, ata përdorën automjete të vjedhura në Zvicër.

Rritja e vjedhjeve në dyqanet e armëve në Zvicër

Policia Federale (Fedpol) vëren se në muajt e fundit, pjesa frankofone e Zvicrës po preket gjithnjë e më shumë nga vjedhjet në dyqanet e armëve, ndërkohë që më parë këto raste prekeshin më shumë Zvicrën lindore. Fedpol e shpjegon këtë rritje kryesisht me dendësinë e lartë të dyqaneve të armëve në vend.

Robin Udry, armëmbajtës në Savièse dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Pro Tell (shoqatë për të drejtën e mbajtjes së armëve), vlerësoi punën e policisë kantonale: “Përveç një rasti në Renens, këto forca policore kanë arritur të arrestojnë të gjithë personat që kanë kryer krime kundër dyqaneve të armëve.”

Udry shtoi se nuk ka frikë të sulmohet: “Kam një biznes të thjeshtë, nuk kam ekspozitë armësh, edhe pse jam mjaft i njohur në këtë industri. Dhe zgjedh vetë klientët që vijnë tek unë; i takoj vetëm me takim.”

Rrjetet sociale si kanal rekrutimi

Policia kantonale e Vaud njoftoi se hetimet tregojnë se “sponsorët rekrutojnë njerëz në rrjetet sociale për të kryer krime të ndryshme për pagesë.”

Këto vjedhje nuk janë të izoluara: raste të ngjashme janë regjistruar në Sion, Yverdon dhe Evionnaz në pjesën frankofone të Zvicrës, ndërsa në kantonin e Cyrihut dy persona u arrestuan pasi përpoqën të grabisnin një dyqan armësh në Pfungen. Në Valais, dy të dyshuar u arrestuan pas një vjedhjeje të armëve në Bas-Valais.

Frangu zviceran forcohet: Euro bie në nivel historik

Frangu zviceran vazhdon të forcohet, ndërsa euro ra sot në nivelin më të ulët historik ndaj saj, duke arritur vetëm 0,9210 franga. Ky zhvillim rrit koston e produkteve zvicerane për eksport dhe ka pasoja direkte për ekonominë vendase, transmeton albinfo.ch.

Shumë investitorë po kërkojnë siguri për shkak të pasigurisë globale, duke u drejtuar drejt frangut, i cili konsiderohet një monedhë e sigurt. Euro arriti të rikuperohej pak gjatë mëngjesit, duke u stabilizuar në 0,9230 franga në orët e para të pasdites.

Forcimi i frangut ka efekte të dyfishta: eksportet zvicerane bëhen më të shtrenjta, duke dobësuar konkurrueshmërinë e kompanive në sektorë si makineri, ora dhe farmaceutikë, ndërsa importet bëhen më të lira, gjë që mund të ndihmojë në frenimin e rritjes së çmimeve për konsumatorët.

Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) po ndjek me kujdes situatën. Një forcim tepër i madh i frangut mund të ngadalësojë ekonominë. Në rast të vazhdimit të presionit, banka mund të ndërhyjë me blerje valute ose të rregullojë normën bazë të interesit, por mundësitë janë të kufizuara, pasi politika monetare e bankave të tjera qendrore po përshtatet ngushtësisht me të.

Ekspertët paralajmërojnë se forca e frangut është një sfidë për eksportuesit, por një përfitim për konsumatorët dhe stabilitetin e ekonomisë në përgjithësi.

 

“Pension aktiv” në Gjermani, metoda më e re për përfitimet e pensionistëve

“Pension aktiv” quhet modeli i fundit që ka miratuar qeveria gjermane.

Falë këtij modeli, mund të fitosh para shtesë pa paguar taksa, pas daljes në pension. Kjo ofertë është menduar për ata që duan të vazhdojnë të punojnë, pas arritjes së moshës së rregullt të pensionit. Struktura pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

“Pensioni aktiv” ofron lehtësime tatimore, kur punëdhënësi dhe personi në moshën e pensionit bien dakord të vazhdojnë marrëdhënien e punësimit. Në projektligj shkruhet se lehtësimi tatimor “zbatohet pavarësisht nëse tatimpaguesi e merr pensionin apo e shtyn marrjen e tij”, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Pensionistët mund të marrin deri në 2000 euro shtesë në muaj, që nuk taksohen kur vazhdojnë punën. Pra, nëse një pensionist fiton 2.500 euro bruto në muaj nga puna e tij, duhet të paguajë taksa vetëm për 500 euro. Pjesa tjetër përjashtohet nga tatimi. Me fjalë të tjera, personat që kanë arritur moshën e pensionit mund të fitojnë deri 24.000 euro në vit, të cilat nuk do të taksohen.

Nga ky model përfitojnë të gjitha ata që duan të punojnë më gjatë se mosha e pensionit, pasi bien dakord, si punonjësi, ashtu edhe punëdhënësi. Pensioni aktiv nuk i jep një personi pretendimin ligjor për punësim të mëtejshëm, thjesht i ofron lehtësi tatimore.

Ministria gjermane e Financave pret që të ketë rreth 168.000 aplikues të rinj në vit, që mund ta pranojnë ofertën. Kjo është e barabartë me rreth një në katër përfitues. Në aspektin fiskal, qeveria është e interesuar në përhapjen e modelit, pasi në këtë rast do të paguanin kontribute sociale si punëdhënësi, ashtu edhe punonjësi.

Nga “pensioni aktiv” nuk përfitojnë të vetëpunësuarit, nëpunësit civilë, si dhe ata që kryejnë ato që quhen “mini-punë”, pra pozicione ku fitojnë më e shumta 556 Euro në muaj dhe maksimalisht 70 ditë në vit. Gjithashtu, nga kjo strukturë përjashtohen edhe fermerët.

Me anë të kësaj mase, qeveria gjermane synon të zbusë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Gjermania ndodhet para një sfide të madhe demografike, pasi 4.8 milionë punonjës dalin në pension deri në vitin 2035.

Abdixhiku: LDK prin në votën e diasporës: 30.25% mbështetje jashtë vendit

Diaspora kosovare i ka dhënë mbështetjen më të madhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e fundit lokale, duke e renditur këtë subjekt politik të parin në listën e partive më të votuara jashtë vendit.

Sipas të dhënave të publikuara nga vetë LDK, partia ka siguruar 8,903 vota, që përbëjnë 30.25% të totalit të votave të diasporës. Kjo përbën, sipas kësaj partie, rezultatin më të mirë të saj në mërgatë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

LDK ka falënderuar bashkatdhetarët për besimin, duke vënë në pah rëndësinë që diaspora ka në proceset demokratike në vend.

“Mërgata foli qartë! Besimi mbyt zhurmën, ideali e zhbën propagandën, e Lidhja i qëndron kohës,” ka deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një postim në Facebook.

Ai ka shtuar se “30.25% nga gati 30 mijë votues nga jashtë i kanë dhënë mbështetje LDK-së, duke rikonfirmuar se lidhja jonë me mërgatën është e drejtë dhe e thellë.”

Votat e partive të tjera në diasporë

Përveç LDK-së, të dhënat e publikuara nga ky subjekt tregojnë edhe rezultatet e partive të tjera në votën e diasporës:

Lëvizja Vetëvendosje (VV): 6,918 vota (23.5%)

Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 5,121 vota (17.4%)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): 4,740 vota (16.1%)

Të tjera: 3,750 vota (12.75%)

Këto të dhëna janë publikuar nga vetë Lidhja Demokratike e Kosovës.

 

 

Kove dhe Ospelt diskutojnë problemet e përkthimit letrar mes gjermanishtes dhe shqipes

Në kuadër të aktivitetit tradicional “Lichtensteiner Buchtage” që këtë vit ka përvjetorin e dhjetë të mbajtjes, të dielën që vjen, më 26 tetor mbahet një takim që në fokus ka përkthimin letrar në mes të shqipes dhe gjermanishtes, shkruan albinfo.ch.

Biseda midis shkrimtares dhe përkthyeses shqiptare Anna Kove dhe autores nga Lihtenshtajni Anna Ospelt shqyrton afrimin dhe shkëmbimin, si dhe vështirësitë e përkthimit të poezive nga një gjuhë në tjetrën, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Leximi dygjuhësh i mundëson audiencës të zhytet në botët e ndryshme gjuhësore.

Anna Kove është një autore fituese e shumë çmimeve në Shqipëri dhe gjithashtu përkthyese e letërsisë gjermane në gjuhën shqipe. Nga ana tjetër, autorja Anna Ospelt është e njohur si poete në Lihtenshtajn. Anna Kove po viziton Lihtenshtajnin me ndërmjetësimin e rrjetit të njohur të këmbimeve letrare,  Traduki dhe me ftesë të Fondacionit Kulturor për Shkëmbim Kulturor.

Kove ka përkthyer, veç tjerash, poezi dhe tekste nga Anna Ospelt në shqip. Bashkëbisedimi me shkrimtaren dhe përkthyesen Andrea Grill përqendrohet në afrimin dhe shkëmbimin, si dhe vështirësitë e përkthimit të poezive nga një gjuhë në tjetrën.

“Pas përkthimit në gjermanisht të librit “Kambanat e së dielës”, jam e ftuar në Festivalin Jubilar të Librit në Liechtenstein. Së bashku me autoren Anna Ospelt, me moderimin e shkrimtares dhe përkthyeses Andrea Grill, e cila ka përkthyer për aktivitetin enkas edhe një cikël me poezi të miat. Në ngjarje do të jetë e pranishme Ministrja e Kulturës e Liechtenstein-it, Presidenti i Fondacionit Kulturor të Liechtenstein-it, si edhe personalitete të letërsisë dhe kulturës së Principatës”, shkruan me këtë rast në një postim të saj në fb, autorja shqiptare, Anna Kove.

Anna Ospelt jeton në Vaduz dhe boton poezi dhe tregime të shkurtra, duke përfshirë librat si “Wurzelstudien” dhe “Frühe Pflanzung”.

Bisedën mes dy autoreve e drejton Andrea Grill – poete dhe autore nga Vjena, një nga përkthyeset më të njohura të letërsisë shqipe në gjermanisht, romani më i fundit i së cilës është “Njerëz të përsosur”.

Mirëseardhje mysafirëve do tu dëshirojë Daniel Quaderer, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Lihtenshtajnit dhe Sabine Monauni, Ministre e Kulturës

Një rezyme të aktivitetit do ta bëjë Hansjörg Büchel, President i Fondacionit Kulturor të Lihtenshtajnit

Takimi është sponsorizuar nga Fondacioni Kulturor i Lihtenshtajnit, Zyra e Kulturës së Lihtenshtajnit,
Biblioteka Kombëtare e Lihtenshtajnit dhe Zyra Shkollore e Lihtenshtajnit
www.facebook.com/liechtensteinerbuchtage buchbar.li

E diel, 26 tetor, ora 10:30 deri në 12:00, Biblioteka Kombëtare, Gerberweg 5, Vaduz

Kosova rrezikon humbjen e fondeve të BE-së për shkak të mungesës së institucioneve

Kosova rrezikon të mbetet pa mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor (2024–2027), për shkak të vonesave në krijimin e institucioneve dhe mosratifikimit të marrëveshjeve me BE-në.

Ekspertët paralajmërojnë se bllokimi institucional po pengon zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja, ndërsa raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë “në nivelin më të ulët në dekadën e fundit”, raporton rel transmeton albinfo.ch.

Sipas njohësve të integrimeve, nëse Kosova nuk i përdor fondet deri në vitin 2027, ato mund të rishpërndahen tek vendet e tjera të rajonit që kanë përmbushur kushtet më shpejt.

 

Rama me kritika ndaj politikanëve britanikë: Ndalojeni të folurit për shqiptarët në mënyrë negative

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Londër për një tryezë me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”, reagoi fort ndaj deklaratave të disa politikanëve britanikë që stigmatizuan shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar.

Rama theksoi se shqiptarët në Britani janë një shembull i integrimit dhe kontributit pozitiv në shoqëri, duke kërkuar që emri i tyre të mos përdoret më në mënyrë negative, përcjell albinfo.ch.

“Dua të sqaroj diçka: nuk ka ardhur askush me skaf, por ambasadori ynë ka udhëtuar me mjete të tjera dhe ka arritur të përfaqësojë vendin tonë. Shumë shqiptarë kanë ardhur me ëndrra dhe ambicie të mëdha dhe po japin kontribut të madh në shoqërinë britanike. Prandaj, kushdo që tenton të shajë shqiptarët, duhet të ndalojë menjëherë,” tha Rama.

Ai shtoi se komuniteti shqiptar po i jep shumë Britanisë dhe se politikanët nuk duhet të përdorin më emrin e shqiptarëve për të krijuar stigmatizime.

Ballafaqimi i fëmijëve me jetën, në fokus të tryezës së shoqatës “Parandalo”

Nën moton “Të fortë që në fëmijëri – Si mësojnë fëmijët të përballen me jetën”,  më 19 tetor 2025  Shoqata “Parandalo” organizoi në Cyrih një tryezë diskutimi kushtuar zhvillimit emocional të fëmijëve dhe mënyrave për të ndërtuar qëndrueshmërinë e tyre psikologjike.
Takimi u mbajt në ambientet e GZ Oerlikon dhe mblodhi së bashku prindër, profesionistë të shëndetit, mësues dhe anëtarë të komunitetit, të interesuar për të kuptuar më thellë proceset që formësojnë botën e brendshme të fëmijëve.

Ngjarja u organizua në kuadër të nismave sensibilizuese të Shoqatës Parandalo, me qëllim forcimin e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor të fëmijëve dhe parandalimin e vështirësive emocionale në mjedisin familjar e shoqëror.
Në këtë aktivitet morën pjesë Dr. Xhida Lumi, psikiatre dhe psikoterapiste për fëmijë, të rinj dhe familje, si dhe Dr. Xhevat Hasani, mjek dhe anëtar i bordit të Shoqatës “Parandalo”.


Takimi u drejtua nga Drita Ibrahimi Shabani, moderatore dhe përgjegjëse e Shoqatës për rajonin e Bazelit, e cila udhëhoqi me profesionalizëm rrjedhën e diskutimit, duke krijuar një hapësirë dialogu të hapur dhe frymë bashkëpunuese.

Në fjalën e saj, Dr. Xhida Lumi theksoi rëndësinë e viteve të para të jetës si periudha më e ndjeshme për zhvillimin e qëndrueshmërisë emocionale tek fëmijët.
Ajo foli mbi faktorët mbrojtës që ndikojnë në formimin e reziliencës, si lidhjet e sigurta me kujdestarët, aftësia për të shprehur emocionet dhe ndjenja e vetë-efikasitetit, duke vënë theksin te roli jetik i prindërve dhe mjedisit social.

“Rezilienca tek fëmijët nuk është një cilësi e lindur, por një proces që ndërtohet hap pas hapi – në marrëdhënie të sigurta, në dashuri të qëndrueshme dhe në një mjedis që dëgjon e mbështet,” – theksoi Dr. Lumi.
“Fëmijët mësojnë të përballen me sfidat e jetës kur ndihen të pranuar dhe kur emocionet e tyre vlerësohen, jo gjykohen. Të ndihmosh një fëmijë të zhvillojë reziliencë, do të thotë të mbjellësh besim, qëndrueshmëri dhe aftësi për të gjetur dritë edhe në situatat më të vështira.”

Sipas saj, edukimi emocional është pjesë thelbësore e kujdesit prindëror dhe një investim afatgjatë në mirëqenien e brezave që rriten në një shoqëri gjithnjë e më të ndërlikuar.

Duke e thelluar diskutimin, Dr. Xhevat Hasani solli në vëmendje aspektin më pak të dukshëm, por shpesh më të fuqishëm të përvojës njerëzore – traumat që transmetohen nga brezi në brez dhe ndikimin e tyre në zhvillimin emocional të fëmijëve.
Ai theksoi se shumë prindër, shpesh pa e kuptuar, bartin me vete ngarkesa të pashëruara që më pas shfaqen në mënyrën si komunikojnë, si reagojnë dhe si i përballojnë situatat e vështira me fëmijët.

“Traumat nuk janë gjithmonë të dukshme, por ndikimi i tyre ndjehet në heshtje, në reagime, në frikëra apo në mungesën e komunikimit të hapur,” – u shpreh Dr. Hasani.
“Është thelbësore që prindërit të mësojnë të flasin hapur me fëmijët për sfidat, për ndjenjat dhe për realitetet e jetës. Të folurit me sinqeritet, pa frikë e pa tabu, krijon besim dhe u jep fëmijëve ndjesinë e sigurisë që u nevojitet për t’u përballur me botën.”

Ai theksoi se ndërtimi i një kulture komunikimi të shëndetshëm në familje është mënyra më efikase për të parandaluar izolimin emocional dhe për të nxitur empatinë e ndjeshmërinë tek brezat e rinj.

 

Pyetje, reflektime dhe bashkëbisedim i hapur

Diskutimi ngjalli interes të madh nga të pranishmit, shumë prej të cilëve ishin prindër apo profesionistë që punojnë me fëmijë.
Ata shtruan pyetje konkrete rreth mënyrave për të përballuar stresin, ankthin dhe pasiguritë që shfaqen në përditshmërinë e fëmijëve, duke kërkuar këshilla praktike mbi rolin e komunikimit, dëgjimit aktiv dhe mbështetjes emocionale.

Ngjarja përfundoi me një aperitiv të ngrohtë, ku bisedat vazhduan në mënyrë miqësore, duke forcuar ndjenjën e komunitetit dhe solidaritetit prindëror.

Shoqata Parandalo është një nismë e rëndësishme në fushën e shëndetit publik dhe ndërgjegjësimit familjar në diasporën shqiptare në Zvicër.
Përmes aktiviteteve të saj, ajo synon të nxisë edukimin shëndetësor, parandalimin e fenomeneve sociale dhe krijimin e një rrjeti mbështetës për familjet shqiptare që përballen me sfida të ndryshme jetësore.

Takimi i radhës: “Shëndeti mendor dhe migrimi – I”

Shoqata “Parandalo” njofton se moduli i radhës informativ do të mbahet më 23 tetor 2025, nga ora 18:30 deri në 20:00, në Mittenza Saal, Hauptstrasse 4, 4132 Muttenz.
Tema e këtij takimi do të jetë “Shëndeti mendor dhe migrimi – I (Psyche und Migration – I)”, me Dr. med. Xhida Lumin, psikoterapiste për fëmijë, të rinj dhe familje, dhe Drita Ibrahimin, moderatore dhe përgjegjëse e Shoqatës Parandalo për Basel.

Ky aktivitet, i mbështetur nga Basel Landschaft, KIP dhe Café International, do të trajtojë ndikimet emocionale të migrimit, sfidat e përshtatjes dhe mënyrat për të ruajtur ekuilibrin mendor në jetën e migruesve.

Shoqata Parandalo pret me kënaqësi pjesëmarrjen e anëtarëve dhe miqve të saj në këtë takim të radhës, që synon të forcojë dialogun, mirëkuptimin dhe kujdesin për shëndetin mendor në familjet tona.

Për Albinfo.ch Luljeta Ademi

 

Rregulla të reja për patentë shoferët në BE

Parlamenti Evropian ka miratuar ndryshimet për modernizimin e rregullave të patentave të shoferëve në Bashkimin Evropian, duke lejuar 17-vjeçarët të ngasin automjete në prani të një shoferi me përvojë dhe duke prezantuar patentën dixhitale.

Në seancën plenare të mbajtur në qytetin francez të Strasburgut, eurodeputetët miratuan rishikimin e rregullave për patentat e shoferëve, të cilat përfshijnë dispozita të reja për shoferët e rinj, patentat dixhitale dhe ndalimet e drejtimit.

Sipas Asamblesë Evropiane, ky përditësim synon rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e numrit të aksidenteve, që çdo vit shkaktojnë gati 20,000 viktima në rrugët e BE-së.

Patentë për 17-vjeçarët dhe periudhë prove

Sipas rregullave të reja, 17-vjeçarët mund të marrin patentën e kategorisë B (automjete për pasagjerë), por do të duhet të ngasin vetëm në prani të një shoferi me përvojë deri në moshën 18 vjeç.

Për herë të parë vendoset një periudhë prove dyvjeçare për shoferët e sapolicencuar, me rregulla më të rrepta dhe ndëshkime për drejtimin nën ndikimin e alkoolit ose për mosvendosjen e rripit të sigurimit apo pajisjeve për fëmijë.

Mosha për drejtuesit profesionistë

Për të zbutur mungesën e shoferëve profesionistë, rregullat e reja lejojnë që:

18-vjeçarët të marrin patentën e kategorisë C (kamionë)

21-vjeçarët të marrin patentën e kategorisë D (autobusë)

nëse kanë certifikatë të aftësisë profesionale. Përndryshe, mosha minimale mbetet përkatësisht 21 dhe 24 vjeç.

Patenta dixhitale

Një tjetër risi është patenta dixhitale, e cila do të jetë e qasshme përmes telefonit celular dhe do të bëhet formati kryesor në BE, duke zëvendësuar kartat fizike.

Trajnimi dhe vlefshmëria

Testi i patentës do të përfshijë tema të reja, si:

rreziqet e këndeve të verbra,

sistemet e asistencës për drejtuesit,

hapja e sigurt e derës,

dhe shpërqendrimi nga përdorimi i telefonit.

Patenta do të jetë e vlefshme:

15 vjet për motoçikleta dhe makina (ose 10 vjet nëse përdoret si dokument identiteti kombëtar);

5 vjet për kamionë dhe autobusë.

Shtetet anëtare mund të shkurtojnë periudhën e vlefshmërisë për shoferët mbi 65 vjeç, duke kërkuar kontrolle mjekësore më të shpeshta ose kurse përditësuese.

Kontrolle mjekësore dhe shkëmbim informacioni

Për marrjen ose rinovimin e patentës, shoferët do të duhet të kryejnë kontroll mjekësor që përfshin testimin e shikimit dhe të shëndetit kardiovaskular.

Po ashtu, vendet e BE-së do të shkëmbejnë informacion për pezullimet, konfiskimet dhe kufizimet e patentave, për të parandaluar drejtimin e rrezikshëm në shtetet e tjera.

Afatet e zbatimit

Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Shtetet anëtare do të kenë tre vjet për t’i përfshirë në legjislacionin kombëtar dhe një vit shtesë për përgatitjen e zbatimit.

Kjo rishikim u propozua fillimisht nga Komisioni Evropian në mars 2023.

Shqipëria, e bukur për tu vizituar edhe gjatë vjeshtës

Nëse po kërkoni një arratisje të ngrohtë vjeshte pa udhëtime të gjata, Shqipëria mund të jetë zgjedhja perfekte, sipas “Express”.

Me fluturime direkte nga Britania e Madhe  përmes “Wizz Air”, “Ryanair” dhe “British Airways”, ky vend i nënvlerësuar në Europën Juglindore është nën tre orë larg, por duket si një tjetër botë, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Në tetor, mund të prisni ende temperatura ditore deri në 21°C, me rreth gjashtë orë diell dhe 11 orë dritë, sipas faqes së udhëtimeve “Undiscovered Balkans”. Ndërsa pjesa më e madhe e Europës ftohet dhe turistët kthehen në shtëpi, bregdeti jugor i Shqipërisë mbetet ngrohtë dhe i qetë.

Do të gjeni plazhe me rërë të bardhë, ujëra të kristalta, kështjella antike dhe qytete të bukura pa turma të mëdha ose çmime të fryra.

Riviera Shqiptare është e pakrahasueshme, me plazhe të mrekullueshme si Ksamil, me ujërat e tij të kristaltë dhe rërën e bardhë. Qytete si Dhërmi, Jalë dhe Himarë janë ideale për relaks pranë detit pa turma të mëdha.

Berati dhe Gjirokastra janë dy vende të trashëgimisë botërore UNESCO me arkitekturë unike dhe kështjella madhështore.

Parku Kombëtar i Butrintit është një tjetër vend magjepsës, ku mund të eksploroni rrënoja greke dhe romake të rrethuara nga natyra.

Tirana, kryeqyteti, ka një atmosferë të gjallë me ndërtesa shumëngjyrëshe, jetë nate dhe vende historike si Sheshi Skënderbej dhe muzeumet “Bunk’Art”. Për dashamirësit e natyrës, Bjeshkët e Nemuna në veri ofrojnë mundësi të shkëlqyera për hiking dhe pamje mahnitëse.

Liqeni i Ohrit, i ndarë me Maqedoninë e Veriut, është një nga liqenet më të vjetër të Evropës dhe një vend i qetë për relaks. Apollonia është një sit arkeologjik antik që ia vlen ta vizitoni, dhe Qafa e Llogarasë ofron pamje fantastike të Detit Jon, ideale për udhëtime me makinë ose foto.

Mos harroni të provoni ushqimin shqiptar, si byrekun, frutat e detit të freskëta dhe mishrat e pjekur. Rakia, pije tradicionale, gjithashtu është shumë popullore. Akomodimi në shtëpi pritëse familjare ju jep mundësinë të përjetoni mikpritjen e vërtetë shqiptare.

Saranda është gjithashtu një qytet bregdetar i gjallë me plazhe të bukura, jetë nate të mirë dhe akses të lehtë në ishullin grek të Korfuzit.

Vjedhja spektakolare në muzeun e Luvrit, dëmi vlerësohet në 88 milionë euro

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, njoftoi të martën në mbrëmje se dëmi financiar i shkaktuar nga vjedhja spektakolare e bizhuterive në Muzeun e Luvrit, e ndodhur të dielën, është vlerësuar nga kujdestari i muzeut në 88 milionë euro.

“Sipas kujdestarit të Luvrit, dëmi përllogaritet në 88 milionë euro — një shumë jashtëzakonisht e madhe, por që nuk mund të krahasohet me dëmin historik,” deklaroi prokurorja për radion RTL, duke shtuar se autorët e krimit “nuk do të përfitonin” këtë shumë “nëse do të bënin gabimin fatal t’i shkrihnin bizhuteritë”, transmeton albinfo.ch.

“Shpresojmë që të mendojnë dy herë dhe të mos i shkatërrojnë këto bizhuteri pa arsye,” shtoi ajo.

Katër persona të identifikuar, njëqind hetues në terren

Prokurorja bëri të ditur se gjurmët e gishtave të gjetura në vendngjarje janë aktualisht nën analizë për të verifikuar nëse përputhen me ndonjë të dyshuar. Ajo konfirmoi se katër persona janë identifikuar si të pranishëm në skenën e krimit, por nuk përjashtoi mundësinë që përreth tyre të ketë pasur “një rrjet të tërë bashkëpunëtorësh që i ndihmuan të realizonin këtë vjedhje”.

Sa i përket mundësisë së ndonjë përfshirjeje të brendshme brenda muzeut më të vizituar në botë, Beccuau tha se “në këtë fazë nuk mund të japë as ‘po’ as ‘jo’”.

Ajo shtoi se platforma ajrore e përdorur gjatë grabitjes ishte marrë nga autorët përmes një “qiraje të rreme gjatë një zhvendosjeje të supozuar”.

Në hetime janë përfshirë rreth njëqind hetues në Paris, nën drejtimin e magjistratëve të Juridiksionit të Specializuar Ndërrajonal (JIRS) të prokurorisë së Parisit.

Një ngjarje që tronditi Francën dhe muzeun më të famshëm në botë

Ngjarja ka ngjallur debat të gjerë në Francë mbi sigurinë në muzetë kombëtarë, veçanërisht në Luvër, simbolin më të rëndësishëm kulturor të vendit.

Zërat që ngjiten më lart se majat – gratë shqiptare që frymëzojnë përmes sportit

Më 18 tetor 2025 në  hapësirat e restorantit Allresto në Bernë u zhvillua një mbrëmje speciale e  mbushur me energji, frymëzim dhe solidaritet- një podium që vuri në qendër zërat e tri grave shqiptare në sport.

Në mesin e rreth 100 pjesëmarrësve, shumica gra të pasionuara pas sportit, jetës aktive, shoqërore e kulturore, u krijua një atmosferë e ngrohtë dhe me dialog interaktiv.

 

Uta Ibrahimi (Foto: Rromir Imami)

Ngjarja u drejtua me profesionalizëm dhe ndjeshmëri nga Arbela Statovci  një bisedë të thellë mbi forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e gruas shqiptare në sport. Gjithashtu u bashkëmoderua  nga Dzevrije Zendeli dhe Natalia Komani.

Organizimi i kësaj mbrëmjeje u bë i mundur falë mbështetjes së Prima Pflege, Rio Express dhe Fianza, të cilat kontribuan me përgjegjësi shoqërore dhe besim në fuqinë e nismave që promovojnë barazinë, mirëqenien dhe frymën bashkëpunuese në komunitet.

Tri gra që përfaqësojnë dimensione të ndryshme të forcës dhe përkushtimit: Uta Ibrahimi – shqiptarja e parë që ka ngjitur majën e Everestit, personi i parë nga Ballkani që ka pushtuar 14 majat më të larta të botës dhe e 14-ta grua në Evropë që e ka arritur këtë sukses historik; Dr. Rita Parashumti – mjeke dhe trajnere që ndërthur me pasion shkencën, lëvizjen dhe ndërgjegjësimin; dhe Pashke Marku – sportistja e palodhur që mishëron forcën, disiplinën dhe shpirtin ekipor.

Pashke Marku (Foto: Rromir Imami)

Mbrëmja u shndërrua në një dialog të gjallë e të thellë mbi guximin, sfidat dhe qëndrueshmërinë e grave që po ndryshojnë realitetin e sportit shqiptar. Ajo tregoi se fuqizimi fillon nga rrëfimet e sinqerta – nga ato gra që ngjiten jo vetëm në majat e botës, por edhe në ato të vetvetes.

Arbela Statovci (Foto: Rromir Imami)

Në hapjen e ngjarjes, Arbela Statovci, përfaqësuese e swissalbs, solli një mesazh që përmbledh thelbin e mbrëmjes:

“Guxim, forcë dhe qëndrueshmëri mendore – pa kufij, vetëm synime. Gratë shqiptare në sport tregojnë se frymëzimi lind kur pasioni bashkohet me këmbënguljen dhe kufijtë shndërrohen në mundësi. Takime të tilla krijojnë besim, frymëzim dhe guxim – duke bashkuar njerëz përtej kufijve dhe prejardhjeve. Ato janë thelbësore për ta bërë të dukshme figurën e gruas, për të ndarë përvoja dhe për të ndërtuar hapësira ku rriten dialogu, vlerësimi dhe barazia.”

Alpinistja Uta Ibrahimi, një figurë që pasqyron guximin e skajshëm dhe vendosmërinë, ndau rrëfimin e saj të jashtëzakonshëm – nga rrënjët në Gjilan deri te majat e Himalajeve.

“Kur flasim për gratë e forta dhe për gratë në sport, ndihem e nderuar që jam pjesë e këtij aktiviteti. Vij nga Gjilani, një vend i vogël, por me njerëz të mëdhenj. Shpesh dëgjoja se Kosova nuk ka shumë mundësi, por ajo ka dëshmuar të kundërtën – në sport, në art dhe në kulturë. Sidomos vajzat kanë bërë shumë për promovimin e vendit tonë. Ndjehem e lumtur që pata mundësinë të ngjis 14 majat më të larta të botës, të mbaj flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë në secilën prej tyre. Ky ka qenë motivi im më i madh: të bëj diçka për vendin tim.”

Ajo kujtoi momentin e kthesës që e çoi drejt një rruge të re jetësore: “Në vitin 2015 vendosa ta lë punën dhe askush nuk mund ta kuptonte ëndrrën time. Në fillim doja vetëm të ngjisja majat e Kosovës, të Shqipërisë, të Evropës. Pastaj fillova trajnimin si udhërrëfyese malore, që sot është puna ime. Nuk ka qenë e lehtë të thyesh barrierat në një shoqëri ku ‘me marrë malin’ shihej si diçka e pazakontë për një grua. Por disiplina, qëndrueshmëria dhe dashuria për atë që bëj më çuan deri në Everest.”

Ambasadori i Kosovës, Mentor Latifi (Foto: Swissalbs)

Në fjalën e saj, Uta solli një mesazh të fuqishëm për sfidat dhe dimensionin njerëzor të suksesit:

“Ekspeditat mbi 8000 metra nuk janë garë , janë ultra maratona, janë një përballje me vetveten, një udhëtim i shpirtit. Kam parë njerëz që e humbin jetën atyre shtigjeve, por edhe lindjen e një force që s’e njeh frikën. Çdo hap, çdo rrezik, më ka mësuar mirënjohjen. Në fund, ajo që mbetet nuk është vetëm maja që pushton, por rruga që ndan me të tjerët. Ky është mesazhi im për vajzat e reja – që të besojnë se çdo ëndërr është e mundur, nëse e ndjek me zemër.”

Në panel u prezantua edhe rrëfimi i Pashke Markut, hendbolliste shqiptare e lindur në Cyrih, e cila është ndër emrat më të dalluar të sportit të femrave në Zvicër. Ajo ka luajtur për klubet Spono Eagles dhe HSC Kreuzlingen, duke shënuar mbi 735 gola në më shumë se 170 ndeshje në Superligën zvicerane.

“Kam lindur në Cyrih, por u shpërngulëm në Torgau. Motra ime filloi hendbollin, ndërsa unë isha më e tërhequr, më dhembte që lamë Cyrihun. Por pastaj gjithçka ndryshoi – unë vazhdova me hendbollin, motra e la. Trajneri im, që në fillim, më tha: ‘Ti do të arrish’. Dhe unë besova. Ai besim më ka shoqëruar gjithmonë.”

Rrugëtimi i Dr. Rita Parashumtit ndërthur mjekësinë, kujdesin dhe filozofinë e mirëqenies. Ajo u shpërngul nga Kroacia në Prishtinë në vitin 2009, ku fillimisht ëndërronte një jetë në art, por zgjodhi mjekësinë – një rrugë që e çoi drejt misionit të saj profesional.

Dr. Rita Parashumti (Foto: Rromir Imami)

“Kam ardhur në Prishtinë nga Kroacia në vitin 2009, isha vetëm 16 vjeç. Nuk ishte e lehtë të përshtatesha, sepse gjithmonë ëndërroja të jetoja në një vend tjetër, të studioja art, jo mjekësi. Por me këshillën e babait zgjodha mjekësinë – dhe ajo u bë rruga ime e jetës.”

Pasi u specializua në Gjermani, ajo ndërtoi konceptin e mjekësisë parandaluese përmes platformës Ritwells, ku filozofia e saj bazohet në balancimin e trupit dhe mendjes, në zhvillimin e vetëdijes dhe në forcimin e shëndetit përmes stilit të jetës.

“Ritwells nuk është vetëm një profesion – është mënyrë jetese. Kam kuptuar se mirëqenia nuk është luks, por domosdoshmëri për të jetuar në ekuilibër. Unë punoj me njerëz që duan ta ndryshojnë jetën e tyre, jo përmes dietave apo programeve të përkohshme, por përmes ndërgjegjësimit të thellë se si e trajtojmë trupin dhe mendjen tonë. Parandalimi është kujdes, dhe kujdesi është dashuri për veten. Çdo gjë që bëj e bëj me zemër, si në ditën e parë që zgjodha këtë rrugë.”

Në fjalën e tij, Shkëlqesia e Tij, Ambasadori Mentor Latifi, theksoi rëndësinë e shembujve që japin gratë shqiptare:

“Sonte shohim qartë se çfarë niveli kanë arritur gratë tona. Shpesh dëgjojmë lajme të këqija për to – jo për shkak të grave, por për shkak të neve burrave, që ndonjëherë nuk dimë si të sillemi me to. Kjo mbrëmje tregon se gratë tona nuk kanë nevojë për mbështetje, por për hapësira. Suksesi arrihet me disiplinë, me punë dhe me vlerat që i përfaqësojnë.”

Merita Pinta, përfaqësuese e Prima Pflege, theksoi në mënyrë të përmbledhur rolin e kompanisë në mbështetjen e iniciativave me ndikim shoqëror: “Është kënaqësi të mbështesim nisma që frymëzojnë dhe fuqizojnë gratë në çdo fushë. Këto janë vlera që ndajnë edhe vetë parimet e Prima Pflege – kujdes, besim dhe përgjegjësi.”

Edhe Shukrije Ramadani, përfaqësuese e Ambasadës së Kosovës në Bernë, u shpreh: “swissalbs Women po bën një punë të mrekullueshme në fuqizimin e grave shqiptare në diasporë dhe në krijimin e urave bashkëpunuese midis gjeneratave.”

Kjo mbrëmje në Bernë dëshmoi se kur gratë flasin, frymëzojnë; kur bashkohen, ndryshojnë realitete. Zërat e Utës, Ritës dhe Pashkës u bënë pasqyra e një brezi që sfidon kufijtë me guxim dhe përulësi, duke treguar se sporti është shumë më tepër se garë – është mënyrë për të ndërtuar shoqëri më të barabarta, më të vetëdijshme dhe më njerëzore.

Fuqizimi i grave shqiptare në sport nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por një dëshmi e rrugëtimit kolektiv të një populli që kërkon të ngjitet më lart – me pasion, profesionalizëm dhe dashuri për jetën.

 

 

Qarkullimi i trenave në Vaud i ndërprerë për disa orë, trafiku rikthehet pjesërisht

Qarkullimi hekurudhor në kantonin Vaud u ndërpre të martën pas dëmtimit të linjës elektrike midis Bussigny dhe Cossonay-Penthalaz. Një tren mallrash me pantograf të vendosur gabimisht shkaktoi dëmtimin e linjës së kontaktit për disa kilometra, duke ndaluar qarkullimin në segmentin Lausanne–Yverdon-les-Bains.

Sipas CFF/SBB, incidenti solli anulimin e shumë linjave ndërqytetase dhe ndërkombëtare që nga mëngjesi, ndërsa riparimet zgjatën deri rreth orës 17:00, kur trafiku u rikthye pjesërisht me vonesa të mbetura.

Në pasditen e së martës, një tjetër incident u regjistrua në linjën Lausanne–Gjenevë, ku dëmtime në shina midis St-Prex dhe Morges shkaktuan vonesa dhe anulime shtesë, transmeton albinfo.ch.

CFF njoftoi se nga mëngjesi i së mërkurës pritet rikthimi i plotë i qarkullimit normal në të dy linjat.

Gjatë ditës, për udhëtarët u vendosën autobusë zëvendësues dhe rrugë alternative përmes Bernës dhe Fribourgut.

 

Britania dhe Franca: Kosova të njihet ndërkombëtarisht, të gjykohen kriminelët e Banjskës

Sot, me rastin e shqyrtimit të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, Britania e Madhe u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe zhvillimin e plotë të vendit.

Përfaqësuesja britanike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe të rrugës së saj euroatlantike.

“Si një ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, tha ajo.

Britania gjithashtu bëri thirrje që Serbia të dorëzojë Milan Radoiçiqin dhe kritikoi sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, shkruan telegrafi.com. Përfaqësuesja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë dhe përgëzoi “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Francës në OKB, Jay Dharmadhikari, kërkoi që kryesit e sulmit terrorist në Banjskë të sillen para drejtësisë.

“Është e papranueshme që kryesit e sulmit në Banjskë të mbesin në liri më shumë se dy vjet pas këtyre ngjarjeve. Është kritike që të gjithë kryesit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë,” tha Dharmadhikari.

Deklaratat e Britanisë dhe Francës vijnë gjatë shqyrtimit të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit, sundimit të ligjit dhe njohjes ndërkombëtare të vendit.

Gërvalla: Kosova po ndjek rrugën drejt integrimit euroatlantik, kurse Serbia drejt Rusisë

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në hyrje të fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit ka thënë se do që ta bëjë të qartë se “Kosovë e Metohi” nuk ekziston, në përgjigje të parafolësit të saj serb, Marko Gjuriq.

Ajo ka theksuar se Kosova po ndjek rrugën drejt integrimit euroatlantik, por se Serbia ka drejtim tjetër drejt Rusisë.

“Paralajmërimi ynë është i qartë, mos prisni gjatë, mos rrezikoni edhe një luftë ballkanike, duke u përqendruar në pyetjet e gabuara, në vend se të merreni me rrezikun e vërtetë”.

“Nuk ka Kosovë dhe Metohi, ajo nuk ekziston. Kosova dhe Metohia është shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Është gjuha e vjetër e Millosheviqit dhe atyre që e ndjekin. Kosova është demokraci e pastës perëndimore. Mbështetja për NAOT dhe SHBA është 99%. Ne jemi vendim më pro-NATO dhe pro-SHBA në botë. Ne jemi mbrojtur nga gjenocidi nga NATO dhe SHBA”, ka thënë ajo, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka prezantuar fotografi të një murali në Serbi, që siç ka thënë ajo, paraqet kërcënimin serb ndaj Kosovës. Gërvalla ka theksuar se Kosova është për dialog dhe jo mashtrime të Aleksandër Vuçiqit. “Nuk po flasim për historinë por të tanishmen dhe në tanishmen Kosovë është një kërcenim për rajonin. E përcjellim propagandën e Vuçiqit dhe urrejtjes që shpërndahet, helmon popullatën serbe. Në Serbi mund të shihni grafitë murale të mëdha sot ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’. Nuk shkruhet ‘nëse’ por ‘kur’. Ata nuk e fshehin qëllimin e vet. Ne jemi në favor të dialogut.  Na duhet një dialog i vërtetë dhe jo një mashtrim nga Vuçiqi. Strategjia e të cilit ndaj BE-së është luftë deri te agresioni ushtarak”.

Gërvalla ka thënë se presidenti serb duhet të ndalet nga bashkësia ndërkombëtare, pasi “Serbia ka provuar më 2023 se është e gatshme për luftë”. Ajo tutje ka bërë thirrje për lirimin e ish-policit Arbnor Spahiu të arrestuar nga Serbia.

“Nëse nuk ka pasoja to do eskalojnë më tutje sepse nuk kanë kujt t’i frikësohen. Gjuriq e di mirë, ai nuk ka probleme me vrasës e dhunues. Ai mund të ketë zë të butë por ai u ul në kafe pas sulmit në Banjskë me Radoiçiqin. Gjuriqi ishte përfaqësues i Vuçiqit për vite të tëra për Kosovën. Ai ishte partner në krim e korrupsion”.

Gërvalla u shpreh se UNMIK-u duhet të mbyllet sepse nuk i shërben qëllimit. “UNMIK duhet të mbyllet. Është humbje e parave të OKB-së. Nuk i shërben qëllimit. Po të shkonte nesër, asgjë s’do të ndryshonte në Kosovë. Rezultati në rajon do të vendoste mes demokracisë perëndimore e autokracisë për ndikimin në këtë pjesë të Evropës”.

 

Rriten restorantet me yje Michelin në Zvicër

Nuk ka ndryshime në listën me tre yje, por ka pasur një rritje në numrin e restoranteve me dy yje, ku tre restorante zvicerane u përmirësuan, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Në një ceremoni në shkollën e menaxhimit të hoteleve në Lozanë, ata që ishin përgjegjës për udhëzuesin me ndikim të restoranteve mbajtën tre yjet e tyre për katër restorantet më të njohura në vend: Cheval Blanc i Peter Knogl në Bazel, Schloss Schauenstein i Andreas Caminada në Fürstenau në Graubünden, Memories i Sven Wassmer në Bad Ragaz në St Gallen dhe Hôtel de Ville në Crissier në Vaud me shefin e tij Franck Giovannini.

Udhëzuesi Michelin tani numëron 27 restorante në kategorinë me dy yje. Asnjë restorant nuk u ul në këtë kategori, por tre u promovuan: Igniv nga Andreas Caminada në Andermatt në kantonin e Uri, restoranti i Gilles Varone në Savièse në Valais dhe Ecco në Ascona në Ticino.

Shumica e politikanëve zviceranë janë të nënshtruar ndaj urrejtjes dhe kërcënimeve

Anëtarët e Partisë Popullore Zvicerane dhe të të Gjelbërve ishin më të prekurit, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Ky ishte rezultati i një ankete me rreth 3,500 anëtarë të parlamentit nga Universiteti i Cyrihut (UZH). Anketa u krye në emër të Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë (FDJP).

Mbi 98% e anëtarëve të të dy dhomave parlamentare deklaruan se kishin qenë viktimë e nënçmimit personal, gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve, shpifjes, përndjekjes, vandalizmit ose dhunës.

Ndër parlamentarët kantonalë, shifra ishte tre të katërtat dhe në nivel komunal pak më pak se gjysma (45%).

Përveç anëtarëve të partive politike, gratë, njerëzit në të majtën politike dhe anëtarët e pakicave sociale u prekën gjithashtu më shpesh se mesatarja në nivel komunal.

Formimi i Qeverisë, Kurti paralajmëron për zgjedhje të reja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se partia e tij Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit mund të dështojë në bërjen e Qeverisë së re të vendit, duke thënë se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.

Duke folur në një takim me diasporën në Londër të martën, Kurti tha se “në këto ditët e mbetura, jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar”, pa dhënë hollësi se me cilat parti apo deputetë, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Kurti u nominua më 11 tetor nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re dhe, sipas ligjeve të Kosovës, ai ka 15 ditë afat për ta bërë këtë, që nënkupton se atij i ka mbetur kohë vetëm deri më 26 tetor.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, theksoi Kurti të martën.

Kurti udhëtoi për në Londër të hënën, ku do të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.

Partia e Kurtit gjendet nën trysni të madhe për ta fituar mbështetjen e nevojshme në Kuvend, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit e lanë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme.

Opsionet janë të kufizuara: Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Disa deputetë të partisë së konfirmuan të hënën për Radion Evropa e Lirë se “nuk janë në dijeni për ndonjë bisedë me parti të tjera parlamentare”, duke shtuar se “mbetet për t’u parë”.

Gjithashtu, zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se deri tani “nuk ka pasur as takime e as ftesa për të diskutuar një koalicion të mundshëm”.

“Vetëvendosje po vepron përmes individëve, jo me ne si subjekt politik”, tha njëri prej tyre.

Kurti tha të martën se “nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre”. Nëse Kurti dështon ta formojë Qeverinë e re deri të dielën e 26 tetorit, atëherë presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

Osmani tha të hënën se ka ende kohë për të arritur këtë qëllim, duke kritikuar njëkohësisht Listën Serbe për, siç theksoi, krijimin e pengesave.

Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, dorëzoi javën e kaluar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme.

Ankesa u paraqit më pak se një javë pas konstituimit të Kuvendit – një proces që zgjati pothuajse gjashtë muaj.

Ekspertët paralajmërojnë se, në varësi të vendimit të Kushtetueses, procesi mund të rifillojë nga zeroja dhe Kuvendi të mos konsiderohet i konstituuar.

Sulmohet autobusi me udhëtarë nga Shqipëria në autostradën gjermane

Një autobus është grabitur në autostradën A93 në qytetin Kelheim të Bavarisë, Gjermani, gjatë natës së të hënës. Tre autorë të panjohur më parë e detyruan shoferin të ndalonte, vodhën para dhe dokumente nga pasagjerët dhe më pas ikën drejt Mynihut, transmeton albinfo.ch. Policia po bën thirrje për informacion.

Sipas policisë, incidenti ndodhi rreth orës 3:30 të mëngjesit të së hënës. Autorët e panjohur i bënë shenjë shoferit të një autobusi në autostradën A93 të dilte dhe të ndalonte në kryqëzimin e Aiglsbach, shkruan br.de.

Të tre burrat hipën në autobus me pretekstin e një kontrollimi që do të bënin. Ata vodhën para dhe dokumente personale nga pasagjerët, pa kërcënuar fizikisht ose lënduar askënd.

Autorët ikën drejt Mynihut – Policia kërkon furgonin e bardhë VW

Pas grabitjes, tre autorët ikën me një furgon (kombi) të bardhë VW në autostradën drejt Mynihut. Mjeti thuhet se kishte një regjistrim gjerman me targë të pjesshme “WR”. Pavarësisht një kërkimi në shkallë të gjerë të nisur menjëherë, kërkimi deri më tani ka qenë i pasuksesshëm.

Besohet se autobusi i zënë në pritë ka qenë një automjet i huaj, me pasagjerë kryesisht nga Shqipëria, përcjell albinfo.ch.

Policia apelon për informacion nga dëshmitarët

Departamenti i Hetimeve Penale të Landshut ka marrë përsipër hetimin. Kushdo që ka parë njerëz ose automjete të dyshimta në A93 pranë Aiglsbach rreth orës 3:30 të mëngjesit të së hënës, kërkohet të paraqitet urgjentisht.

Carouge ndalon biçikletat elektrike dhe skuterët

Qyteti i Carouge ka ndaluar biçikletat, biçikletat elektrike dhe skuterët elektrikë në një pjesë të Old-Carouge.

Rregulli i ri, në fuqi që nga 13 tetori, zbatohet në zonat e këmbësorëve të Saint-Joseph dhe Place du Marché.

Prova njëvjeçare synon të përmirësojë sigurinë dhe bashkëjetesën në këto rrugë të ngarkuara pas raportimeve për sjellje të rrezikshme, transmeton albinfo.ch.

Për momentin, policia bashkiake po përqendrohet në parandalim, por nga 3 nëntori, shkelësit rrezikojnë gjoba prej 30 frangash – ose 100 për automjetet motorike.

Përfundon numërimi i votave nga diaspora

Të hënën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.

Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Pas përfundimit të numërimit të votave nga jashtë vendit, në QNR ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve, sipas urdhrit të PZAP.

Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut, Kamenicë  dhe Podujevë.

Në vazhdim të aktiviteteve të planifikuara, gjatë ditës së sotme në QNR do të fillohet me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve.

 

Berna këshillon një dietë të re të ekuilibruar

Të hash një dietë të ekuilibruar sapo është bërë më e thjeshtë, të paktën sipas Bernës.

Zyra Federale e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka zbuluar një version të përditësuar të pjatës së ekuilibruar, të krijuar në bashkëpunim me Shoqatën Zvicerane për Ushqyerjen dhe Shëndetin, transmeton albinfo.ch.

Udhëzuesi sugjeron mbushjen e dy të pestave të pjatës suaj me fruta dhe perime, dy të pestat me drithëra ose patate dhe një të pestën me proteina si mishi, peshku, vezët ose tofu.

Zyrtarët thonë se sa më shumëngjyrësh dhe sezonalë të jenë përbërësit, aq më i shëndetshëm dhe më i qëndrueshëm është vakti.

Një fushatë online do të zgjasë tre javë për të promovuar modelin e ri.