Festivali “Mërgata”, në Fushë Kosovë: Verë, ritëm dhe shije

Nga data 15 korrik deri më 15 gusht 2025, në hyrje të parkut rekreativ “Pishat” në Sllatinë, Fushë Kosovë, po mbahet festivali dhe tregu veror “Mërgata”, një ngjarje që synon të bëhet atraksioni kryesor i verës për qytetarët dhe mërgimtarët që kthehen për pushime në Kosovë.

Për 30 net radhazi, festivali do të ofrojë performanca nga artistë të njohur të hip-hopit, RnB, muzikës qytetare, folklorike dhe pop, duke targetuar të gjitha grupmoshat, nga të rinjtë deri te familjet. Çdo natë do të ketë një artist kryesor, dy artistë lokalë dhe një DJ, për të siguruar një atmosferë festive dhe gjithëpërfshirëse.

Tregu veror me mbi 40 shtëpiza druri

Krahas muzikës, pjesë e festivalit është edhe tregu veror me mbi 40 shtëpiza druri, të cilat do të merren në shfrytëzim nga biznese lokale dhe rajonale për të ofruar pije dhe ushqime për vizitorët. Rreth 100 pjesëtarë stafi do të angazhohen nga bizneset pjesëmarrëse dhe mbi 10 nga ekipi organizues, duke u kujdesur për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Infrastrukturë moderne dhe dekor veror ‘Eco Friendly’

Skena muzikore do të jetë e pajisur me teknologji profesionale dhe ekran LED për marketing dhe animacione festive. Hapësira e festivalit dhe shtëpizat e drurit do të dekorohen me ndriçim shumëngjyrësh dhe elemente verore ‘Eco Friendly’, për të ruajtur harmoninë me ambientin natyror të parkut “Pishat”.

Siguri e garantuar dhe marketing modern

Siguria e festivalit do të mbikëqyret nga kompani të specializuara, në bashkëpunim me institucionet lokale, për të garantuar një eksperiencë të sigurt për të gjithë. Ndërkohë, marketingu i festivalit do të realizohet nga kompania “Univers Studio”, e cila do të kujdeset për rrjetet sociale, kampanjat promovuese, xhirimet me dron, foto dhe video profesionale, si dhe shfaqjen e logove të sponsorëve në ekranin LED të skenës.

Pritshmëritë: mbi 100.000 vizitorë gjatë gjithë muajit

Sipas analizave të ekipit të marketingut, falë periudhës kur kthehen shumë mërgimtarë, strategjisë së marketingut dhe hyrjes falas, festivali dhe tregu veror “Mërgata” pritet të mbledhin mbi 3.500 pjesëmarrës çdo natë, duke e çuar numrin total të vizitorëve mbi 100.000 gjatë gjithë periudhës.

Distanca e afërt me qytetet Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Drenas dhe Skenderaj është një tjetër arsye që i bën organizatorët të sigurt për një pjesëmarrje masive.

“Përmes performancave nga artistët më të mirë vendor, si dhe pijeve dhe ushqimeve nga shtëpizat tona të drurit, kemi menduar të ofrojmë një aktivitet të veçantë për mërgimtarët që vijnë nga e gjithë bota,” thotë Endrit Arifaj, menaxher kryesor i projektit.

Me një kombinim të muzikës, gastronomisë dhe atmosferës festive, “Mërgata” premton të kthehet në ngjarjen më të madhe verore të rajonit, duke e bërë verën në Fushë Kosovë edhe më të paharrueshme.

E refuzuan për shkak të shamisë, pas ankesave restoranti në Gjenevë ndryshon politikën

Një grua myslimane ka ngritur zërin pas një incidenti të ndodhur në një restorant të njohur në qendër të Gjenevës, ku ajo pretendon se iu mohua hyrja për shkak të shamisë që mbante në kokë. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe ka ngritur shqetësime rreth diskriminimit fetar në hapësira publike, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Restoranti në Rue du Rhône, i njohur për pamjet e tij panoramike mbi liqenin e Gjenevës, i ishte referuar një “politike të brendshme” që ndalon “çdo mbulesë koke pa diskriminim”, si arsye për refuzimin. Por shumë përdorues të rrjeteve sociale postuan foto dhe video që tregonin klientë me kapele brenda lokalit, duke vënë në dyshim koherencën e kësaj rregulle.

“Jam thellësisht e lënduar dhe e trishtuar që diçka e tillë ndodh në një qytet ndërkombëtar si Gjeneva, ku duhej të mbroheshin të drejtat. Ndjej se ideologjia ekstremiste e krahut të djathtë po rritet pa pengesa. Unë do të vazhdoj të luftoj kundër saj,” deklaroi gruaja për televizionin publik RTS. Ajo ka paralajmëruar se do të ngrejë padi, me mbështetjen e një fondacioni privat që punon kundër racizmit anti-mysliman.

Fondacioni në fjalë e konsideron politikën e mëparshme të restorantit si të paligjshme dhe diskriminuese, duke theksuar se në Zvicër veshja e simboleve fetare është një e drejtë e garantuar, edhe në hapësira private të hapura për publikun.

Pas shpërthimit të debatit dhe kritikave publike, restoranti ka ndryshuar qëndrimin e tij. Në një deklaratë për RTS, menaxhmenti tha se politika për mbulesat e kokës është hequr dhe se nuk kanë pasur synim të diskriminojnë. Ata i kanë kërkuar falje zyrtarisht gruas së prekur nga incidenti, transmeton albinfo.ch.

Kthimi në shtëpi

Ka diçka të papërshkrueshme në momentin kur avioni zbret nga Cyrihu në Prishtinë, në tokën që të njeh. Në atë çast, çdo lodhje udhëtimi zhduket dhe zemra rreh më fort, jo nga frika, por nga mallëngjimi. Është ndjesia që vetëm kthimi në shtëpi mund ta sjellë. Dhe për qindra mijëra mërgimtarë shqiptarë në Zvicër e më gjerë, kjo ndjesi zgjat një verë të tërë, në Kosovë.

Pavarësisht sfidave politike, komunat e Kosovës kanë përgatitur agjenda të veçanta për mërgimtarët, për ata që janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë në botë. Ata mbajnë lart emrin e Kosovës, promovojnë kulturën tonë dhe kontribuojnë me remitanca që e fuqizojnë ekonominë. Prandaj, pritja e tyre duhet të reflektojë vlerat tona më të mira: respektin, dashurinë dhe mikpritjen tradicionale.

Ky numër i veçantë i magazinës albinfo.ch është një homazh për ju, për ata që, edhe pse larg, nuk e kanë harruar kurrë nga kanë ardhur. Ju që, përtej sfidave të përditshme të jetës në mërgim, gjeni kohë dhe energji për t’u kthyer , jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht  në vendin që ju formoi, duke sjellë me vete edhe kursimet tuaja për ta ndihmuar atdheun.

Në këtë numër sjellim gjithashtu informacione rreth festivaleve kryesore të kësaj vere në Kosovë. Nga Sunny Hill e PriFest në Prishtinë, te DokuFest në Prizren , këto ngjarje kulturore po bëhen pjesë e përvitshme e kalendarit veror. Prania e yjeve shqiptare të botës, si këngëtarja me famë ndërkombëtare Dua Lipa, e bën këtë verë edhe më të veçantë.

Kthimi nuk është vetëm vizitë. Është rigjetje. Është mbushje me ajrin e fshatit tënd, me zhurmën e rrugëve të qytetit, me përqafimet e familjarëve dhe shoqërinë që nuk plaket kurrë. Është rrënjë që thellohet e nuk thahet. Është gjithashtu një moment reflektimi: Si po ndryshon Kosova? Çfarë mund të japim më shumë? Si mund të bëhemi pjesë e zhvillimit të saj?

Në këtë edicion, do të gjeni informacione rreth aktiviteteve të organizuara nga komunat për mërgimtarët, si dhe ide për mënyrat se si mund ta shfrytëzoni më së miri kohën tuaj gjatë pushimeve verore në Kosovë. Qëllimi ynë është t’ju frymëzojmë dhe t’ju ftojmë të zbuloni bukuritë, potencialin dhe energjinë e qyteteve tona.

Kjo verë, edhe pse e shkurtër, është një kapitull i vlefshëm për të shkruar bashkërisht të ardhmen.

Faleminderit që po ktheheni. Faleminderit që nuk e harroni.

Në përmbyllje, pritja e diasporës nuk është thjesht një detyrë, është  edhe një mundësi për të forcuar lidhjet tona kombëtare dhe për të ndërtuar së bashku një Kosovë që di ta vlerësojë çdo qytetar të saj, kudo që ndodhet.

Mirë se vini në shtëpi!

 

 

Infermierët e huaj në Gjermani përballen me sfida gjuhësore dhe kulturore në punë

Infermierët dhe kujdestarët e huaj që punojnë në sistemin shëndetësor gjerman përballen me sfida të shumta, sidomos në mësimin dhe përdorimin e gjuhës gjermane teknike, si dhe në adaptimin me ndryshimet kulturore. Këto vështirësi ndikojnë jo vetëm në performancën e tyre, por edhe në marrëdhëniet me kolegët vendas, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas Agjencisë Federale të Punësimit, pjesa e infermierëve të huaj në Gjermani ka shënuar një rritje të ndjeshme në 10 vitet e fundit, duke arritur në 16 për qind të totalit në vitin 2023 dhe duke vazhduar të rritet. Megjithatë, shumë prej tyre fillojnë punën ndërsa ende mësojnë gjermanishten, gjë që krijon sfida të mëdha në komunikim dhe bashkëpunim.

Presidentja e Këshillit Gjerman të Infermierisë (DBfK), Christine Vogler, ka kërkuar vendosjen e standardeve të detyrueshme gjuhësore për infermierët, pasi aktualisht ato ndryshojnë shumë nga një land në tjetrin. Zëdhënësja e DBfK, Anja Hild, thekson se aftësitë gjuhësore janë thelbësore jo vetëm për ndarjen e informacionit mjekësor, por edhe për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme në ambientin e punës.

Një tjetër problem i rëndësishëm janë barrierat kulturore. Infermierët nga vende të tjera shpesh nuk e dinë që në Gjermani pjesë e detyrave të tyre janë edhe aktivitetet bazë të kujdesit ndaj pacientit, si ndihma në larje, ushqim dhe lëvizje. Kjo mund të krijojë keqkuptime dhe ndjenja demoralizimi, transmeton albinfo.ch.

Koudjo Johnson, menaxher i integrimit në Klinikën Ernst-von-Bergmann në Potsdam, thotë se shpesh infermierët me përvojë të specializuar nuk vendosen në pozicione që përputhen me kualifikimet e tyre, duke ndikuar negativisht në motivimin e tyre. Ai sugjeron që rekrutimi të bëhet bazuar në përvojën dhe aftësitë specifike, jo vetëm në nevojat urgjente të punës.

Sipas një studimi të DBfK, gati 80 për qind e infermierëve e pranojnë se punëtorët e huaj janë të domosdoshëm për funksionimin e sistemit shëndetësor gjerman, transmeton albinfo.ch.

Zvicra lëshon urdhër-arresti për tre hakerë pro-rusë

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës (ZAP) ka lëshuar urdhër-arresti për tre anëtarë të dyshuar të grupit haker pro-rus “NoName”, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar të koordinuar për çmontimin e këtij rrjeti kibernetik, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Grupi është përgjegjës për disa sulme DDoS (Distributed Denial-of-Service) ndaj institucioneve federale zvicerane gjatë viteve 2023 dhe 2024. Ndër faqet e prekura përfshihet edhe ajo e Parlamentit Zviceran, e cila u bë e padisponueshme në qershor 2023, në kohën kur Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim video në Parlamentin Federal.

Sipas ZAP, sulmet kibernetike janë përsëritur edhe gjatë momenteve të tjera të rëndësishme politike dhe mediatike, si vizita e ish-Presidentit zviceran Alain Berset në Kiev (nëntor 2023), Forumi Ekonomik Botëror në Davos (2024 dhe 2025), Konferenca për Paqen në Ukrainë në Bürgenstock (qershor 2024) dhe Konkursi i Këngës në Eurovision në Bazel (maj 2025).

Hetimet, të udhëhequra nga Europol dhe me pjesëmarrjen e Policisë Federale Zvicerane (fedpol), identifikuan tre persona që besohet të jenë figura kyçe të grupit “NoName057(16)”. Për këta tre individë, që jetojnë në Rusi, janë hapur procedura penale dhe ZAP ka lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, por procedurat do të pezullohen derisa ata të arrestohen, transmeton albinfo.ch.

Të martën u zhvilluan operacione të gjera policore në disa vende evropiane, ku u sekuestruan pajisje kompjuterike dhe u kryen arrestime. Në total u lëshuan shtatë urdhër-arreste ndërkombëtare, përfshirë ato për drejtuesit e grupit, njoftoi agjencia Eurojust. Deri tani, autoritetet zvicerane nuk kanë identifikuar ndonjë person të përfshirë brenda territorit të Zvicrës.

Grupi “NoName” rekrutonte anëtarë dhe koordinonte sulmet përmes një shërbimi mesazhesh, duke mobilizuar mbi 4.000 përdorues nga e gjithë bota për të ndërmarrë sulme ndaj faqeve të qeverive dhe institucioneve perëndimore.

Sulme të ngjashme janë regjistruar edhe në vende të tjera evropiane. Në Suedi u goditën faqet zyrtare dhe bankat gjatë zgjedhjeve, ndërsa në Holandë hakerët sulmuan infrastrukturën dixhitale gjatë samitit të fundit të NATO-s.

Autoritetet zvicerane kanë theksuar se siguria kibernetike mbetet një prioritet kombëtar, ndërkohë që bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për përballjen me kërcënimet gjithnjë në rritje nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë, transmeton albinfo.ch.

Austri: Shembet ura për këmbësorë në Linz, dy persona plagosen rëndë

Një aksident i rëndë ndodhi të mërkurën në mëngjes në lagjen Auwiesen të Linzit, ku një kamion me vinç goditi një urë për këmbësorë, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe plagosjen e rëndë të shoferit dhe pasagjerit, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Në momentin e përplasjes, një copë mbeturinash prej rreth 50 tonësh ra mbi kabinën e kamionit, duke bllokuar dy burrat që ndodheshin brenda. Të plagosurit, një 22-vjeçar dhe një 18-vjeçar nga lagjja Rohrbach, u operuan atë pasdite dhe u dërguan në spital me lëndime të rënda. Personeli i emergjencës arriti në vendin e ngjarjes rreth orës 09:15 të mëngjesit.

Për të siguruar vendin e aksidentit dhe për të kryer operacionin e shpëtimit, në vendngjarje u përdor një vinç i madh 220 tonësh, i cili ngriti pjesën e dëmtuar të urës për të krijuar hapësirën e nevojshme. Komandanti i zjarrfikësve të Linzit e përshkroi ndërhyrjen si shumë të rrezikshme për shkak të paqëndrueshmërisë së urës.

Fatmirësisht, në kohën e aksidentit asnjë këmbësor nuk ishte duke kaluar mbi urë, e cila lidh dy komplekse ndërtesash.

Në vendngjarje reaguan shpejt edhe ekipet e Kryqit të Kuq me automjete mjekësore dhe ambulanca, si dhe ekipe emergjente për kujdesin psikologjik, pasi disa kolegë të të lënduarve, dëshmitarë të aksidentit, kërkuan ndihmë, transmeton albinfo.ch.

Rritet pjesëmarrja në ngjarjet e vrapimit në Zvicër

Vrapimi po përjeton një bum të ri në Zvicër, me mbi 260.000 persona që morën pjesë në rreth 250 ngjarje vrapimi gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Swiss Runners, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Dhjetë ngjarjet më të mëdha të sezonit panë një rritje prej 18 për qind në pjesëmarrje krahasuar me vitin e kaluar, duke mbledhur rreth 163.000 vrapues. Veçanërisht të ngarkuara ishin dy fundjavat e para të majit, kur u zhvilluan disa nga garat më të njohura në vend, si 20KM de Lausanne, Lucerne City Run, Grand Prix i Bernës dhe Maratona e Gjenevës. Në secilën nga këto fundjava u regjistruan rreth 60.000 pjesëmarrës.

Drejtori menaxhues i Swiss Running, Andreas Grüter, theksoi për agjencinë Keystone-SDA se kjo tendencë pasqyron një ndërgjegjësim gjithnjë në rritje për shëndetin. “Edhe të rinjtë nga mosha 20 deri në 30 vjeç po bëhen më aktivë në vrapim,” tha ai. “Ky ndryshim shihet edhe në garat me distanca të gjata, ku aspekti social, shëndeti dhe aktiviteti fizik janë faktorë kyç.”

Megjithatë, Grüter paralajmëron se rritja e vazhdueshme mund të përbëjë sfidë për organizatorët, të cilët tashmë po përballen me kufizime të kapacitetit në disa gara.

Për gjysmën e dytë të vitit, interesimi mbetet i lartë. Disa ngjarje janë të rezervuara plotësisht, ndërsa të tjera po thyejnë rekorde të regjistrimit. Për shembull, 4.000 vendet e nisjes për Maratonën Jungfrau në shtator janë tashmë të zëna, ndërsa mbi 10.000 vrapues janë regjistruar për garën Greifenseelauf në kantonin e Cyrihut, transmeton albinfo.ch.

Makina digjet në tunel, mbyllet autostrada A1

Rreth mesditës së së mërkurës, një veturë me qira ka marrë flakë brenda Tunelit Rosenberg në autostradën A1, duke shkaktuar një ndërhyrje të menjëhershme të zjarrfikësve, policisë dhe ekipeve të shpëtimit, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

“Rreth orës 12:36 kemi pranuar një raport për një veturë që po digjej në tunel,” tha zëdhënësi i policisë, Hanspeter Krüsi. Ai bëri të ditur se deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar. Shoferi i veturës është nxjerrë në kohë nga tuneli me ndihmën e një automjeti tjetër.

Për shkak të incidentit, autostrada A1 në drejtim të St. Margrethen është mbyllur për qarkullim. Trafiku po devijohet përmes qytetit të St. Gallen, duke shkaktuar ndalesa dhe kolona të gjata.

Zjarri është vërejtur fillimisht nga kalimtarë të rastit. Një dëshmitar, një 68-vjeçar nga Uzwil, tregoi për një përvojë tronditëse teksa kalonte përmes tunelit në momentin e incidentit. “Ishim duke shkuar në spital kur pamë flakët. Tuneli ishte i mbushur me tym dhe u dëgjua një zhurmë e madhe. Ishte e frikshme,” tha ai.

Shkaku i zjarrit nuk dihet ende dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e incidentit. Autostrada do të qëndrojë e mbyllur deri në përfundimin e operacionit të shpëtimit dhe pastrimit, transmeton albinfo.ch.

Kosovari me shtetësi zvicerane në gjyq për vdekjen tragjike të të dashurës në Kosovë

Pas dy vjetësh nga ngjarja tragjike, media zvicerane Blick rikthehet me raportime mbi gjykimin që po zhvillohet në Kosovë ndaj shtetasit zviceran K. L., i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij, Sofia T., një grua e re nga Argjentina, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi në verën e vitit 2023 në një hotel në Prishtinë, ku sipas aktakuzës, pas një konflikti të ashpër, ai e ka goditur dhe më pas e ka shtyrë nga dritarja e katit të gjashtë.

Avokati mbrojtës pretendon se nuk ka prova konkrete që lidhin K. L. me dhunën në dhomën e hotelit dhe se viktima kishte konsumuar substanca psikoaktive.

Megjithatë, prokuroria dhe familja e të ndjerës këmbëngulin se bëhet fjalë për një vrasje të rëndë – një femicid. Në sallën e gjyqit kanë dëshmuar prindërit e viktimës dhe menaxheri i hotelit, ndërsa vetë i akuzuari deklaron se është 100 për qind i pafajshëm. /Albinfo.ch

Për më shumë të reja rreth kësaj teme – https://www.blick.ch/ausland/er-wollte-freundin-ueberfahren-dann-stuerzte-sie-aus-dem-fenster-beschuldigter-erklaert-ich-bin-100-prozent-unschuldig-id21055611.html

Pesë ligje zvicerane që ndikojnë më shumë te banorët e huaj

Kryesisht, ligjet e orientuara drejt të huajve përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet që kanë të bëjnë posaçërisht me banorët ndërkombëtarë, çfarë kanë të drejtë (ose jo) ndërsa jetojnë në Zvicër.

Ndërsa disa kanë të bëjnë vetëm me kombësi të caktuara, të tjerat janë më gjithëpërfshirëse, pra prekin të gjithë të huajt.

Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë të Personave (AFMP)
Ky legjislacion është një shembull i një ligji të orientuar drejt një grupi të zgjedhur të të huajve, përkatësisht qytetarëve të Bashkimit Evropian. Në fuqi që nga viti 2002, AFMP heq kufizimet për qytetarët e BE-së që dëshirojnë të jetojnë ose të punojnë në Zvicër, sipas qeverisë. E drejta e lëvizjes së lirë plotësohet nga njohja reciproke e kualifikimeve profesionale, e drejta për të blerë pronë dhe koordinimi i sistemeve të sigurimeve shoqërore.

Kjo marrëveshje ka qenë shtylla kryesore e politikës së imigracionit të Zvicrës për më shumë se dy dekada. Një pakt i ngjashëm ekziston ndërmjet Bernës dhe Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit (EFTA). Një nga dispozitat kryesore të këtij ligji është se shtetasit e këtyre vendeve kanë të njëjtat të drejta në punësim dhe akses në tregun e punës si qytetarët zviceranë.

Akti i Shtetasve të Huaj dhe Integrimit (FNIA)
Në fuqi në formën e tij aktuale që nga viti 2008, ky ligj përcakton kushtet ligjore për pranimin, qëndrimin dhe integrimin e emigrantëve në Zvicër. Ligji përfshin kërkesat për marrjen e vizave dhe lejeve të qëndrimit, përshkruan të drejtat dhe detyrimet e shtetasve të huaj që jetojnë e punojnë në Zvicër dhe përcakton rregullat për qëndrim të vazhdueshëm. Ai gjithashtu përfshin dispozita për ribashkimin familjar.

FNIA është ligji më gjithëpërfshirës, pasi rregullon të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me lejet e punës dhe qëndrimit.

Akti Federal mbi Shtetësinë Zvicerane
Ky ligj, në fuqi që nga viti 2018, përcakton kërkesat për të gjitha çështjet që lidhen me shtetësinë. Ai përfshin mënyrat e fitimit të shtetësisë zvicerane, si nga lindja apo prejardhja, dhe sidomos kriteret dhe procesin e natyralizimit për të huajt.

Akti Federal mbi Shkëmbimin Automatik Ndërkombëtar të Informacionit në Çështjet Tatimore (AEOI)
Pavarësisht emrit të gjatë, qëllimi i këtij ligji është i thjeshtë. Që nga viti 2018, ai rregullon shkëmbimin e informacionit mes Zvicrës dhe autoriteteve tatimore të vendeve të tjera për të luftuar evazionin fiskal global. Nëse i përmbaheni rregullave tatimore, nuk keni arsye për shqetësim. Ky ligj synon ata që i shmangen detyrimeve.

Lex Koller
Ky ligj vendos kufizime për disa shtetas të huaj që duan të blejnë pasuri të paluajtshme në Zvicër. Qëllimi është të parandalojë kalimin e pronave zvicerane në duar të huaja. Megjithatë, qytetarët e BE/EFTA-s dhe mbajtësit e lejes C nuk i nënshtrohen këtyre kufizimeve. Ndërsa shtetasit e vendeve të treta mund të kenë nevojë për leje për blerje, varësisht nëse prona është për banim parësor, dytësor apo për qira.

Këto janë ligjet kryesore federale që rregullojnë praninë dhe jetesën e të huajve në Zvicër. Nëse po pyesni mbi çfarë baze ligjore duhet të mbështeteni gjatë qëndrimit tuaj në vend, ky përmbledhje mund t’ju ndihmojë.

Aeroporti i Cyrihut do të jetë i ngarkuar gjatë fundjavave të ardhshme

Edhe pse transportuesi kombëtar përpiqet të pasqyrojë reputacionin e Zvicrës për cilësi, indeksi i sapo publikuar i Flightright e rendit atë në vendin e 9-të në listën e saj vjetore të 20 linjave ajrore më të këqija evropiane, përcjell albinfo.ch.

Bazuar në sistemin e vlerësimit me 5 pikë, SWISS mori vetëm 2.76 pikë, pasi nuk përmbushi kritere të tilla si besueshmëria, pagesat e rimbursimit dhe kompensimit, si dhe kënaqësia e përgjithshme e klientit.

Në të gjitha këto kategori, SWISS performoi më keq se linja ajrore mëmë Lufthansa (3.18 pikë) dhe partneri i kodit të përbashkët Austrian (3.19).

SWISS ‘zbret’ në vendin e 9-të si një nga linjat ajrore më të këqija të Evropës

Edhe pse transportuesi kombëtar përpiqet të pasqyrojë reputacionin e Zvicrës për cilësi, Indeksi i sapo publikuar i Flightright e rendit atë në vendin e 9-të në listën e saj vjetore të 20 linjave ajrore më të këqija evropiane, përcjell albinfo.ch.

Bazuar në sistemin e vlerësimit me 5 pikë, SWISS mori vetëm 2,76 pikë sepse nuk përmbush kritere të tilla si besueshmëria, pagesat e rimbursimit dhe kompensimit, si dhe kënaqësia e përgjithshme e klientit.

Në të gjitha këto kategori, SWISS performoi më keq se linja ajrore mëmë Lufthansa (3.18 pikë) dhe partneri i kodit të përbashkët Austrian (3.19).

Xhaka mes Arabisë dhe Premier Ligës

Granit Xhaka është një nga emrat më të kërkuar në këtë merkato. Për mesfushorin shqiptar ka interes nga klubet e mëdha të Serisë A si Juventus, Milan dhe Inter, nga dy klubet kryesore të Turqisë, Fenerbahçe dhe Galatasaray, nga liga arabe Neom SC dhe së fundmi nga Sunderland, përcjell albinfo.ch.

Klubi i rikthyer këtë vit në Premier League i ka ofruar mesfushorit shqiptar një kontratë 3-vjeçare, sipas asaj që raporton “Sky Sport”. Xhaka ka qenë më parë pjesë e Premier League, ku ka luajtur për 7 sezone te Arsenali, dhe padyshim ky do të ishte një rikthim i bujshëm në Angli.

Mesfushori shqiptar është ende në mëdyshje për të pranuar ofertën e majme që ka ardhur nga klubi arab, i cili i ofron 10 milionë euro rrogë në sezon, apo të rikthehet në Premier League. Brenda muajit korrik, Granit Xhaka do të vendosë përfundimisht për të ardhmen e tij, duke pasur parasysh sa shumë klube janë të interesuara për të. Nuk përjashtohet as mundësia për të vazhduar te Leverkuseni, të paktën edhe për një sezon.

 

Mbi 300 mijë qytetarë kaluan nga Morina për pushime gjatë dy javëve të fundit

Tashmë jemi në mes të korrikut, ndërsa në pikat kufitare me Kosovën po vihet re një rritje e madhe e hyrjeve. Në Doganën e Morinës, fluksi i automjeteve dhe autobusëve me pushues kosovarë është i lartë jo vetëm gjatë fundjavave, por edhe në ditët e zakonshme të javës.

Pushuesit nga Kosova thonë se këtë vit ka më pak probleme në bregdetin shqiptar. Sipas tyre, çmimet janë më të arsyeshme dhe plazhet publike më të pastra dhe më të rregulluara.

Fluks i madh ka edhe në doganën e Kosovës në Vërmicë, ku përveç turistëve kalojnë edhe shumë emigrantë kosovarë që kthehen për pushime në vendlindje. Shumë prej tyre zgjedhin të kalojnë disa ditë edhe në bregdetin shqiptar, por theksojnë se mikpritja dhe shërbimet duhet të përmirësohen më tej.

Autoritetet doganore në Morinë dhe Vërmicë po punojnë me nga 6 sportele në hyrje dhe dalje, për të shmangur pritjet e gjata. Shtetasit e Shqipërisë dhe Kosovës kalojnë pa kontroll, ndërsa për të huajt janë vendosur procedura të përshpejtuara, njofton A2CNN.

Në mesditë vihet re edhe një fluks i lartë i kamionëve që transportojnë mallra në të dy drejtimet, duke treguar për rritjen e aktivitetit tregtar në këtë periudhë të verës. Sipas informacioneve nga shërbimet SPK Morinë, për datën 01.07.2025 ora 08:00 deri në datën 15.07.2025 ora 08:00, janë përpunuar në hyrje të Shqipërisë 328.143 shtetas dhe 98.347 mjete, dhe në dalje 367.235 shtetas dhe 122.471 mjete.

Numri i lartë i hyrjeve nga Shqipëria në Kosovë lidhet me disa faktorë.

Një pjesë e madhe përbëhet nga emigrantët kosovarë që kthehen në vendlindje për pushime. Një tjetër pjesë janë turistët e huaj, të cilët gjatë qëndrimit të tyre disa ditor në Shqipëri zgjedhin të vizitojnë edhe Kosovën.

Si emigrantët kosovarë, ashtu edhe turistët e huaj, përdorin Rrugën e Kombit si korridor tranziti për të hyrë në Kosovë. Ndërsa shifra e hyrjeve në Shqipëri është vetëm e qytetarëve të Kosovës, pa përfshirë ato nga vendet e tjera të rajonit.

LDK-ja dorëzon në Prokurorinë Speciale vendimin e Supremes

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të mërkurën e ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për pajisjet fiskale dhe softuerët elektronikë fiskalë, përcjell albinfo.ch.

Vendimin e dorëzuan dy deputetët, Besian Mustafa dhe Alban Zogaj.

LDK-ja thotë se me këtë vendim, Supremja ka konfirmuar se ministrat në detyrë kanë shkelur ligjin kur kanë nënshkruar akte nënligjore pasi janë betuar si deputetë.

Në një postim në Facebook, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kanë dorëzuar 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale për “ata që janë sjellë njëkohësisht si ministra dhe deputetë”.

Abdixhiku pati shtuar se, pas vendimit të Supremes, presin reagimin e Prokurorisë.

Zvicra me telashe para ndeshjes ndaj Spanjës

Ka shqetësime për shëndetin e ekipit zviceran të futbollit të femrave përpara ndeshjes së tyre vendimtare çerekfinale kundër Spanjës të premten.

Shumë lojtare po tregojnë shenja ftohjeje, transmeton albinfo.ch.

Ekipi pushoi dje. Edhe ekipi spanjoll po pushon për të njëjtën arsye.

Zhvillimi është shqetësues, pasi është ndeshja më e rëndësishme e Zvicrës deri më sot. Ato do të kenë shumë punë të premten, pasi Spanja është kampione në fuqi.

Humb jetën 25 vjeçari që ra nga ndërtesa e Hotelit “Grand”

Një mashkull, rreth 25-vjeç, ka vdekur pasi ka rënë nga lartësia në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë, te hotel “Grandi”, ka konfirmuar Policia e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjekët emergjentë në vendngjarje.

Aktualisht policia po punon për zbardhjen e rrethanave që karakterizojnë rastin”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, zëdhënësja e policië për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar vdekjen e personit që ka rënë nga ndërtesa e Hotelit “Grand” në Prishtinë.

“Rreth orës 11:30 është raportuar se në rrugën ”Garibaldi” në Prishtinë, një person ka rënë nga lartësia e një objekti . Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilë kanë konstatuar se , viktima( mashukull) është pa shenja jete. Aktualisht policia po punon për zbardhjen e rrethanave që karakterizojnë rastin.”, tha Ahmeti.

Njohja e shtetësisë së Kosovës forcohet në institucionet gjermane

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin njofton me kënaqësi se, falë përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm institucional, janë arritur disa të arritura konkrete në drejtim të paraqitjes së drejtë të shtetësisë së Republikës së Kosovës në institucionet dhe sistemet gjermane, transmeton albinfo.ch.

Konkretisht, këto arritje përfshijnë:

  • Heqjen e shtetësisë serbe në Regjistrin Civil gjerman për shtetasit e Republikës së Kosovës, duke siguruar identifikimin e drejtë të shtetësisë

  • Vendosjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur në disa institucione bankare, organizata sportive dhe kompani të ndryshme gjermane

  • Evidentimin e kufijve dhe emërtimin korrekt të vendbanimeve të Republikës së Kosovës në sistemet e navigacionit të automjeteve në Gjermani

Këto janë hapa të rëndësishëm drejt njohjes dhe përfaqësimit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në institucionet dhe shoqërinë gjermane. Ambasada falënderon të gjithë qytetarët dhe institucionet që kanë kontribuar në këtë proces.

Në këtë kuadër, Ambasada e Kosovës në Berlin inkurajon qytetarët që, në rast se hasin në institucione apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës nuk paraqitet në mënyrë të saktë, të informojnë Ambasadën.

Ju mund të kontaktoni në adresën elektronike:
📧 [email protected]
duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse (foto, dokumente apo përshkrime), në mënyrë që këto raste të adresohen dhe të korrigjohen sa më shpejt.

Katër të arrestuar pas bastisjeve në agjencitë Kadastrale dhe atë të Arkivave

Bastisen dy agjenci shtetërore në tri komuna, shkak keqpërdorimi i detyrës, transmeton albinfo.ch.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, mëngjesin e së mërkurës, ka nisur bastisjet në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave. Aksioni po zhvillohet në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga gjykata, ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e Arkivës dhe atë Kadastral të Kosovës për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, ka thënë Kaltrina Shala, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacioni policor përfshin Prishtinën, Ferizajn dhe Shtimen.

“Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Policia.

Katër persona, dy gra dhe dy burra, janë arrestuar nga Policia pas bastisjeve në agjencitë e Arkivave dhe atë Kadastrale.

Dyshimet mbi të cilat janë kryer bastisjet kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bastisjet, përveç Prishtinës, janë duke u kryer edhe në Ferizaj dhe Shtime. Ende nuk dihet nëse ka të arrestuar të tjerë.

Berna do ta festojë ndeshjen me Zvicrën duke pirë gjatë gjithë natës

Qyteti i Bernës do të festojë rezultatin e ndeshjes së Zvicrës kundër Spanjës të premten – pavarësisht rezultatit.

Qyteti ka njoftuar një ‘Freinacht’ – ose Natë të Lirë.

Kjo do të thotë se të gjitha rregulloret normale për sa kohë mund të qëndrojnë të hapura baret do të hiqen dhe pijet mund të vazhdojnë të qarkullojnë gjatë gjithë natës, transmeton albinfo.ch.

Në një deklaratë, Qyteti thotë se “performanca e shkëlqyer e ekipit zviceran të grave do të festohet me një natë argëtimi”.

Loja madje do të ndërpresë muzikën në Festivalin Gurten – një nga skenat do të ketë një ekran të madh të vendosur, kështu që pjesëmarrësit në festival nuk do ta humbasin.

Zvicër: Centrali bërthamor u mbyll për shkak të frikës nga siguria

Një nga centralet bërthamore më të mëdha të vendit është jashtë funksionit pasi një inspektim sigurie zbuloi probleme të mundshme.

Centrali elektrik Gösgen në kantonin Solothurn furnizon 13% të të gjithë energjisë elektrike të përdorur në Zvicër.

Llogaritjet e reja të përdorura në sistemin e ujit të furnizimit tregojnë se ekziston rreziku që tubat të shpërthejnë në rrethana të caktuara, transmeton albinfo.ch.

Nuk dihet se sa gjatë do të qëndrojë centrali joaktiv – aktualisht është në “modalitet të sigurt”.

U hap në vitin 1979. Mbyllja do t’i kushtojë operatorit energji të pafurnizuar.

Tren i ri nate për në Suedi

Një tren i ri nate do të nisë udhëtimin nga Zvicra në Suedi vitin e ardhshëm.

Zyra Federale e Transportit thotë se do të subvencionojë trenin nga Bazeli në Malmö, që kalon nëpër Kopenhagën, transmeton albinfo.ch.

Paratë do të vijnë nga fondi i krijuar nga ligji i CO₂, i projektuar për të ulur emetimet e karbonit.

Zyra e Transportit po shpenzon gjithashtu 5 milionë franga për të përmirësuar trenat e njohur si trenat Gotthard, pasi ato përdoren normalisht për të kaluar nëpër Tunelin Bazë Gotthard, në mënyrë që të mund të lëvizin me një shpejtësi maksimale prej 250 km/orë, në vend të 200 km/orë që është aktualisht.

Shpejtësia e re do të lejojë shërbime të drejtpërdrejta për në Venecia, Gjenova dhe Bolonja.