Sulm tragjik në një kishë në Michigan: një i vdekur dhe disa të plagosur

Të paktën një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë dhe zjarri në një kishë në qytetin Grand Blanc, Michigan, mëngjesin e së dielës.

I dyshuari për të shtënë u vra nga policia, tha Departamenti i Policisë së Qarkut Grand Blanc, duke shtuar se nuk kishte kërcënim të mëtejshëm për publikun, transmeton albinfo.ch.

Zyrtarët thanë se i dyshuari drejtoi automjetin e tij në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Grand Blanc, një qytet 96 km në veriperëndim të Detroitit, të dielën në mëngjes dhe hapi zjarr.

Ata shtuan se i dyshuari, një mashkull 40-vjeçar, i vuri flakën “qëllimisht” kishës. Zjarri është vënë nën kontroll që atëherë, por zyrtarët thanë se kanë frikë se do të gjejnë viktima të tjera kur të jetë e sigurt të hyjnë në ndërtesë, shkruan bbc.

Oficerët thanë se nëntë të plagosurit pësuan plagë me armë zjarri dhe janë në gjendje të qëndrueshme në spital.

Policia e Grand Blanc shtoi se 100 agjentë të FBI-së janë vendosur për të ndihmuar me hetimin.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi në një deklaratë se agjentët federalë po ndihmojnë autoritetet lokale. Ai e quajti incidentin “një akt frikacak dhe kriminal”.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha në një postim në X se kishte marrë informacione mbi “atë që duket të jetë një të shtënë dhe zjarr i tmerrshëm” në kishë.

“Një dhunë e tillë në një vend adhurimi është zemërthyes dhe rrëqethëse”, tha Bondi. “Ju lutem bashkohuni me mua në lutje për viktimat e kësaj tragjedie të tmerrshme”.

Në një deklaratë të veçantë, Guvernatorja e Michiganit, Gretchen Whitmer, tha: “Dhuna kudo, veçanërisht në një vend adhurimi, është e papranueshme”, duke shtuar se ajo po monitoronte situatën.

Kurti: S’bëj kompromis me ligjin, pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA lidhet me veriun

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, tha se arsyeja e pezullimit të Dialogut Strategjik me Kosovën nga Uashingtoni lidhet me mbylljen e strukturave ilegale serbe në veriun e vendit.

“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, u shpreh Kurti.

Ai tha se marrëdhëniet Kosovë-SHBA mbështeten në tri shtylla – mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci – duke pranuar se në fushën diplomatike ka “pengesa”. Sipas tij, Uashingtoni e sheh të domosdoshme të tërheqë Serbinë nga ndikimi rus, ndërsa Kosova, duke insistuar në sundim të ligjit e sovranitet, shihet nga disa diplomatë si pengesë në këtë drejtim.

Kurti në SHBA tha se ai nuk është kryeministër që i thotë Policisë së Kosovës të mos e arrestojë një kriminel serb të kapur në flagrancë, “sepse ky veprim mund të dënohet nga Brukseli dhe Uashingtoni”.

“Dhe unë u dukem atyre shumë ndryshe nga paraardhësit e mi. Ky është mallkim nga pasardhësit e mi, të cilët kanë qenë të butë. Unë jam normal, por dukem ekstrem. Kjo është për shkak të paraardhësve të mi të cilët nuk kanë qenë normalë”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se mes Kosovës dhe SHBA-së ka dallime kur bëhet fjalë “në taktika dhe veprime” e jo në vlera, interesa dhe parime.

Më 12 shtator, Ambasada amerikane në Kosovë deklaroi se veprimet e qeverisë Kurti kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar bashkëpunimin produktiv mbi prioritetet e përbashkëta”. Kurti, megjithatë, theksoi se me SHBA-në ka dallime vetëm “në taktika e veprime, jo në vlera e parime”.

Vitin e kaluar, Kosova nisi mbylljen e institucioneve paralele në veri, të cilat funksionojnë sipas sistemit serb. Kohët e fundit u pezullua edhe puna e fondeve serbe të sigurimit shëndetësor dhe pensioneve në Mitrovicën e Veriut – vendim që u shoqërua me kritika nga partnerët ndërkombëtarë.

Marshi me motorë nga “Liria ka emër” kalon përmes shtatë shteteve drejt Hagës

Ideatori i platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli, ka bërë të ditur sot detaje mbi marshin me motorë që do të nisë nga Prishtina me destinacion final Hagën.

Sipas tij, motoristët do të kalojnë përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë, Gjermanisë, Belgjikës dhe më pas në Holandë.

Tasholli, gjatë intervistës në “Info Magazinë” shtoi se gjatë rrugës pritet që marshit t’i bashkohen edhe klube të shumta motoristësh nga qytete të ndryshme të Evropës.

“Kemi vizituar disa klube evropiane dhe interesimi i tyre për pjesëmarrje është shumë i madh. Synimi është që në çdo qytet të rrugës të na bashkëngjiten motoristë të rinj,” theksoi ai.

Platforma “Liria ka emër” pritet të nis marshin më 15 tetor nga Prishtina drejt Hagës.

KFOR: Forca Rezervë Turke dislokohet përkohësisht në Kosovë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se Forca Operative Rezervë nga Turqia ka mbërritur në Kosovë për një dislokim të përkohshëm.

Sipas njoftimit, të bërë në faqen zyrtare të KFOR-it në facebook, njësia turke ka marrë detyrat nga Batalioni Multinacional i Forcës Rezervë, në kuadër të planit të rrotacionit të organizuar nga Komanda e Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, Itali.

Siç bëhet e ditur, në muajt e ardhshëm, ky batalion do të veprojë përkrah njësive të tjera të KFOR-it dhe do të jetë i gatshëm të ndërhyjë në rast të çdo zhvillimi që mund të ndikojë në sigurinë në terren, shkruan albinfo.ch.

“Këto forcime rrisin fleksibilitetin operativ të KFOR-it dhe aftësinë për t’iu përgjigjur situatave të ndryshme të sigurisë,” thuhet në komunikatën e misionit të NATO-s.

BE-ja miraton ilaçin Kisunla për trajtimin e fazave të hershme të Alzheimerit

Komisioni Evropian ka dhënë autorizimin për treg në Bashkimin Evropian për ilaçin Kisunla, i cili përdoret në trajtimin e çrregullimeve të lehta njohëse dhe demencës së lehtë në fazat e hershme të sëmundjes së Alzheimerit.

Kisunla mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit të problemeve njohëse dhe funksionale te disa pacientë, raportoi të dielën “EUNews”.

Vendimi për autorizim bazohet në vlerësimin shkencor pozitiv nga Agjencia Evropiane e Barnave, e cila ka konstastuar se përfitimet e ilaçit i tejkalojnë rreziqet për një grup të caktuar pacientësh në fazën e hershme të sëmundjes.

Përdorimi i Kisunlës është i kufizuar dhe lejohet vetëm për pacientë me predispozitë të veçantë gjenetike, përcjell albinfo.ch.

Janë përcaktuar gjithashtu masa të qarta për menaxhimin e rrezikut, përfshirë kërkesa për monitorim dhe etiketim të posaçëm.

Barnat kryesore që importohen në SHBA dhe goditen nga tarifat e reja

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të enjten vendosjen e një tarife prej 100% për importet e ilaçeve të markës që nga 1 tetori, përveçse nëse prodhuesit e tyre tashmë kanë nisur ndërtimin e fabrikave në territorin amerikan.

Bashkimi Evropian dhe Japonia shprehën të premten besimin se kanë siguruar kufizime mbi tarifat e SHBA-së ndaj barnave farmaceutike.

Më poshtë janë disa prej ilaçeve të patentuara të prodhuesve aziatikë dhe evropianë që importohen në SHBA nga vendet si Kina, Zvicra, Japonia, Belgjika dhe Franca, sipas analistëve dhe deklaratave të kompanive:

Lenvima

Prodhues: Eisai, Japoni

Ilaç kundër kancerit, prodhohet në Japoni.

Shitjet në SHBA (deri më 31 mars 2025): 229.6 miliardë jen (1.53 miliardë dollarë).

Crysvita

Prodhues: Kyowa Kirin, Japoni

Ilaç për hipofosfateminë e lidhur me kromozomin X.

Shitjet neto në Amerikën e Veriut në 4 vitet e para: mbi 1.3 miliardë dollarë.

Kompania po ndërton një fabrikë biologjike në Karolinën e Veriut.

Shingrix

Prodhues: GSK, Mbretëria e Bashkuar

Vaksinë kundër herpes zoster (lija e dhenve).

Shitje në vitin 2024: 3.36 miliardë paund (4.5 miliardë dollarë).

Përbërësit prodhohen në Belgjikë.

Arexvy

Prodhues: GSK

Vaksinë kundër virusit RSV për të rriturit.

Shitje në vitin 2024: 590 milionë paund.

Përbërësit prodhohen në Belgjikë dhe Francë.

Ozempic

Prodhues: Novo Nordisk, Danimarkë

Ilaç kundër diabetit.

Shitje në vitin 2024: 120.34 miliardë korona daneze (18.85 miliardë dollarë).

Prodhimi kryhet në Danimarkë.

Kompania ka investuar 1.2 miliardë dollarë në Brazil për të rritur kapacitetet.

Wegovy

Prodhues: Novo Nordisk, Danimarkë

Ilaç për humbje peshe.

Shitje në vitin 2024: 58.21 miliardë korona daneze.

Prodhimi kryhet në Danimarkë.

Kymriah

Prodhues: Novartis, Zvicër

Terapia qelizore CAR-T, prodhohet në Stein (Zvicër) dhe New Jersey (SHBA).

Shitjet globale në gjysmën e parë të 2025: 199 milionë dollarë.

Entresto

Prodhues: Novartis, Zvicër

Ilaç për insuficiencën kardiake.

Shitjet globale në gjysmën e parë të 2025: 4.62 miliardë dollarë.

Novartis ka shpallur investim prej 23 miliardë dollarësh në SHBA për ndërtimin dhe zgjerimin e 10 fabrikave, përfshirë një qendër kërkimore në San Diego.

Comirnaty

Prodhues: BioNTech (Gjermani) dhe Pfizer (SHBA)

Vaksinë kundër COVID-19.

Prodhimi kryhet në Gjermani (Mainz, Marburg) dhe Belgjikë (Puurs).

BioNTech mban autorizimin për tregtim në SHBA, BE, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera.

Kina inauguron urën më të lartë në botë, dy herë më e lartë se Kulla Eiffel

Me një spektakël të jashtëzakonshëm dritash, Kina ka përuruar sot urën më të lartë në botë, e ndërtuar mbi Kanionin e Madh Huijiang në provincën Guizhou, raportoi agjencia Xinhua.

Kjo strukturë mbresëlënëse ngrihet 625 metra mbi lumin, ka një gjatësi totale prej 2,890 metrash, dhe hapësira kryesore midis shtyllave arrin 1,420 metra.

Ura nuk është vetëm më e larta në botë, por vendos edhe një rekord të ri inxhinierik për urat që kalojnë mbi terrene malore. Ndërtimi i saj zgjati tre vjet dhe përurimi u shënua me një ceremoni ku morën pjesë inxhinierë, zyrtarë dhe vizitorë të shumtë.

Me një lartësi dy herë më të madhe se Kulla Eiffel, ura tejkaloi edhe rekordin e mëparshëm të mbajtur nga një tjetër urë në të njëjtën provincë.

Kosova do të luajë pa kapitenin Rrahmani ndaj Sllovenisë dhe Suedisë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të paraqitet pa kapitenin Amir Rrahmani në duelet kundër Sllovenisë dhe Suedisë. Lajmi vjen pas një lëndimi që Rrahmani pësoi gjatë stërvitjes të shtunën, dhe pritet që ai të rikthehet në fushë pas ndeshjeve të muajit të ardhshëm, sipas raportimeve të mediave italiane të dielën.

Trajneri Antonio Conte kishte konfirmuar mungesën e Rrahmanit për ndeshjen kundër Milanit, por pa dhënë më shumë detaje. Të dielën, disa burime italiane raportuan se mbrojtësi do të mungojë edhe në ndeshjet e Kosovës në tetor, që bëjnë pjesë në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, përcell albinfo.ch.

Sipas “Corriere del Mezzogiorno”, Rrahmani gjithashtu do të humbasë takimet kundër Sporting Lisbonës dhe Genoas, dhe pritet të rikthehet pas përfundimit të ndeshjeve të tetorit.

Mbrojtësi nuk ishte pjesë e fitores së Kosovës ndaj Suedisë dhe i mungoi Napolit në sfidat kundër Fiorentinës dhe Manchester Cityt. Ai u lëndua në humbjen 4:0 të Kosovës nga Zvicra më 5 shtator.

Kosova do të presë Slloveninë më 10 tetor dhe më pas do të luajë në Goteborg kundër Suedisë pas tre ditësh.

Heqja e vlerës së qirasë miratohet nga shumica e popullsisë

Pavarësisht refuzimit të zviceranëve frankofonë, heqja e vlerës së qirasë kalon lehtësisht testin e referendumeve.

Zviceranët kanë miratuar heqjen e vlerës së qirasë me 57.7% të votave. Ky “po” nënkupton heqjen e vlerës së qirasë për pronarët që banojnë në shtëpitë e tyre.

Vlera e qirasë do të hiqet për banesat kryesore dhe të dytë.

Ticino ul tarifat e sigurimeve shëndetësore pas votës popullore

Banorët e kantonit Ticino kanë votuar për të ulur tarifat e sigurimeve shëndetësore. Të dielën, ata aprovuan dy iniciativa – njërën të Partisë Socialiste dhe tjetrën të Lëvizjes Lega – që synojnë të lehtësojnë barrën financiare për qytetarët.

Iniciativa socialiste, e cila kërkon që tarifat e sigurimeve shëndetësore të mos tejkalojnë 10% të të ardhurave të disponueshme të një familjeje, mori mbështetje me 57.08% të votave. Për të arritur këtë qëllim, iniciatorët propozojnë rritjen e kontributit të kantonit në uljen e këtyre tarifave.

Ndërkohë, iniciativa e Lega-s, e cila synon rritjen e shumat maksimale të shpenzimeve të zbritshme, u miratua me 60.51% të votave. Deduktimet do të rriten nga 5,500 në 9,000 franga për individë të vetëm dhe nga 10,900 në 18,000 franga për çiftet e martuara, duke përfshirë edhe pensionistët.

Këshilli i Madh i Ticino-s dhe qeveria kantonale kishin rekomanduar refuzimin e të dy iniciativave. Pjesëmarrja në votim arriti 51.64%.

Ky vendim tregon një përpjekje të qartë të banorëve të Ticino për të përmirësuar qasjen në shëndetësi dhe për të reduktuar shpenzimet personale për sigurimet shëndetësore.

Identiteti elektronik miratohet, vlera e qirasë shfuqizohet

Të dielën, votuesit zviceranë miratuan shfuqizimin e vlerës së qirasë me 59%, duke arritur shumicën e dyfishtë të kantoneve dhe popullit. Të gjitha kantonet frankofone votuan kundër.

Identiteti elektronik shtetëror (e-ID) u miratua ngushtë me 50.4%, pas rezultateve të kantonit të fundit, Cyrihut, duke vendosur një diferencë prej vetëm 20,000 votash në nivel federal. Rezultati ishte surprizues, pasi sondazhet kishin parashikuar një mbështetje më të gjerë.

 

Kantoni i Schwyz-it rrit pagat për mësuesit

Banorët e kantonit Schwyz kanë votuar për të rritur pagat fillestare të mësuesve, me qëllim shtimin e numrit të tyre në shkollat fillore.

Më 28 shtator 2025, rreth 53% e votuesve miratuan propozimin për të rritur pagat vjetore të mësuesve me kohë të plotë në shkollat fillore nga 78,500 CHF në 87,100 CHF.

Me këtë rritje, Schwyz afrohet më shumë me kantonet përreth, ku pagat janë dukshëm më të larta. Aktualisht, mësuesit në Schwyz paguhen më pak se në kantonet fqinje; për shembull, në Cyrih, mësuesit fillorë marrin mbi 19,000 CHF më shumë në vit.

Kjo rritje page do të sjellë një kosto shtesë prej rreth 3.3 milionë CHF në vit, e cila do të ndahet në mënyrë të barabartë mes kantonit dhe autoriteteve shkollore.

Propozimi u miratua në parlamentin kantonal me 59 vota pro dhe 33 kundër. Vetëm Partia Popullore Zvicerane (SVP) votoi kundër.

Lorian Musa, për të dytin vit radhazi, kampion në “Lion Cup”

Të shtunën, më 27 shtator 2025 Lorian Musa, karatisti 15-vjeçar që stërvitet në karaté club Valais në Sion dhe përfaqëson ekipin kombëtar të Zvicrës (SKL), ka arritur një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare të karatesë.

Në turneun prestigjioz “Lion Cup” të mbajtur në Luksemburg, një nga garat më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij sporti, Lorian Musa u shpall kampion i kategorisë së tij U16/ -57kg, duke fituar vendin e parë për të dytin vit me radhë, shkruan albinfo.ch.

Paraqitja e tij u vlerësua lart nga juria dhe publiku, falë shpejtësisë, qartësisë taktike dhe teknikës së avancuar që e karakterizojnë stilin e tij të garimit. Përmes një kombinimi të disiplinës dhe talentit, ai tregoi edhe një herë se është një prej sportistëve më premtues të karatesë evropiane në moshën e tij.

Ky sukses është rezultat i një pune të gjatë e të përkushtuar, me orë të shumta stërvitjeje dhe përgatitjeje profesionale.

Trajnerët e tij në karaté club Valais dhe drejtuesit e ekipit kombëtar zviceran theksojnë se Loriani është shembull i një sportisti që po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe po ndërton një karrierë të suksesshme në karate.

Gjykata mbron pensionistët: studiot në shtëpinë e të moshuarve nuk janë “banesa të përbashkëta”

Një vendim i Gjykatës Administrative në Bern ka sjellë lehtësim për disa të moshuar, të cilët rrezikonin humbjen e përfitimeve shtesë. Zyra e kompensimeve i kishte klasifikuar studiot e tyre në shtëpinë e të moshuarve Neuhaus si “banesa të përbashkëta”, çka do t’i detyronte të paguanin vetë një pjesë të madhe të qirasë prej 1,200 frangash.

91-vjeçari Hans Mäder dhe 69-vjeçarja Renate Böser apeluan vendimin, duke kaluar muaj të tërë në pasiguri. Gjykata vendosi se këto studio me kuzhinë dhe banjo janë apartamente të mirëfillta dhe jo banesa të përbashkëta.

Drejtori i shtëpisë së moshuarve, Daniel Schmied, kritikoi burokracinë dhe procedurat e zgjatura, duke theksuar se ky vendim u jep siguri banorëve dhe familjeve të tyre.

Për Hans Mäder, kjo është një mundësi për të jetuar i qetë vitet e mbetura në banesën ku ndihet në shtëpi.

 

Fribourg thotë “po” për zgjerimin e burgut dhe “jo” për mbrojtjen e Liqenit Gruyère

Banorët e kantonit Fribourg janë shprehur të dielën në votimin kantonal me dy qëndrime të qarta: refuzuan nismën “Për mbrojtjen e Liqenit Gruyère dhe brigjeve të tij” dhe miratuan financimin për zgjerimin e burgut Bellechasse.

Pas numërimit të votave në 120 nga 122 komunat, iniciativa e parë, e njohur si “Shpëto Laviaux”, u refuzua nga 59.77% e votuesve. Qytetarët duket se ndoqën qëndrimin negativ të Këshillit të Shtetit, të Këshillit të Madh si dhe të komunave përreth, të cilat e konsideruan tekstin “tepër kufizues”.

Propozimi i dytë, i cili parashikon një kredi prej 53.1 milionë frangash për ndërtimin e një burgu të ri qendror në Bellechasse, u miratua me 67.53% të votave. Ky projekt, që i nënshtrohej një referendumi financiar të detyrueshëm, nuk hasi në asnjë kundërshtim dhe u cilësua nga autoritetet si një “zgjidhje e sigurt, e thjeshtë dhe ekonomike”.

Pjesëmarrja në votim arriti rreth 45% të trupës elektorale.

Gjenevë: Votuesit rrëzojnë ligjet kufizuese dhe nismën për policinë, miratojnë banesat kooperative

Votuesit në kantonin e Gjenevës refuzuan të dielën dy ligje të ashtuquajtura “korse”, që synonin të kufizonin shpenzimet publike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe një nismë për mbrojtje shtesë të policisë.

Sipas rezultateve paraprake nga votimi me postë, që përfshinte rreth 95% të elektoratit, mbi 53% e votuesve thanë “jo” për kufizimet buxhetore. Edhe nisma e UDC-së “PO, unë mbroj policinë që më mbron mua!” u refuzua bindshëm, me 67% kundër.

Në të kundërt, banorët e Gjenevës miratuan me 60.12% një nismë që synon rritjen e banesave kooperative. Sipas saj, deri në vitin 2030, 10% e stokut të banesave në kanton duhet të jenë në pronësi të kooperativave, duke përdorur edhe të drejtat e parablerjes dhe shpronësimit nëse është e nevojshme.

Ndërkohë, iniciativa e të Gjelbërve për krijimin e korridoreve të mëdha këmbësore dhe zonave shtesë për këmbësorë u rrëzua (57.20% kundër). Por kundër-propozimi i Këshillit të Madh, që përmirëson aksesin në rrugë këmbësore për personat me aftësi të kufizuara, u miratua me 56.97%.

Rezultatet tregojnë një tjetër fitore të së majtës dhe sindikatave, të cilat kishin udhëhequr fushatën kundër ligjeve kufizuese, ndërsa kantoni vazhdon të debatojë mbi menaxhimin e shpenzimeve publike dhe zhvillimin urban.

“Washington Post” shkruan për Shqipërinë: Nuk është kopje e fqinjve

Udhëtimi nga Shkodra drejt bregdetit na çoi 186 milje, mes autostradash e rrugësh malore. Destinacioni ynë ishte Himara, më e qetë se Vlora, Durrësi apo Saranda.

Pamja e detit Jon gjatë rrugës ishte mbresëlënëse, shkruan Washington Post në një shkrim të gjatë për Shqipërinë si destinacion turistik, transmeton Albinfo.ch.

Tutje në shkrim përshkruhet Himara, ku bregu ishte i mbushur me çadra e uji kristal. “Akomodimet varionin nga hostele të lira deri në hotele luksoze. Ne zgjodhëm një bujtinë kodrinore, vetëm 49 dollarë nata. Mbrëmjet i kalonim në breg, mes familjesh e çiftesh, dhe darkuam në një restorant me ushqime deti — 60 dollarë për dy persona”, thuhet mes tjerash.

Më pas vjen Plazhi i Livadhit, disa kilometra më në veri, ishte më i populluar. Në Kampingun Moskato paguam 35 dollarë për furgonin nën hijen e ullirit, vetëm tre minuta nga deti. Kishte dushe, lavanderi dhe një restorant të thjeshtë. Ndërkohë, hotelet aty afër kushtonin mbi 300 dollarë nata.

“Pasditen e kaluam duke eksploruar plazhe të fshehura pa shezlongë, vetëm një kasolle me skarë e kokteje. Në “Restorantin Blue Bay” shijuam peshk vendas, makarona me fruta deti, perime dhe verë — një nga vaktet më të shijshme, për 60 dollarë”, përshkruhet tutje.

Më pas udhëtuam drejt Beratit, qytetit me shtëpi osmane mbi lumin Osum, dhe qëndruam në kampingun e agroturizmit Alpeta në Roshnik. U kthyem në Tiranë për natën e fundit pranë aeroportit. Një javë nuk mjaftoi: mbetën për t’u zbuluar majat, fshatrat e largëta, Syri i Kaltër dhe plazhet e arritshme vetëm me varkë.

Shqipëria nuk është “kopje” e fqinjëve të saj. Ajo ofron autenticitet: bujtinat rurale, mëngjeset me djathë e mjaltë vendas, ecjet në male dhe ngjyrat magjepsëse të ujërave të saj. Për ne, këto mbeten kujtimet më të paharrueshme./Albinfo.ch/

Trendet e votës në Zvicër: Fiton nisma mbi qiratë, paqartësi te ajo për E-ID

Trendi drejt një vote “po” për heqjen e vlerës së qirasë së imputuar është “i qartë”, thotë Lukas Golder i GFS Bern në SRF. Shumë votues, veçanërisht në kantonet gjermanishtfolëse, jane pajtuar me iniciativën. Me sa duket, pronarët e shtëpive janë bashkuar në fund të fushatës. Një rezultat i ngushtë pritej paraprakisht.

Nga ana tjetër iniciativa E-ID (për kartat elektronike të identitetit) edhe pse në përllogaritjen më të re është 50% me 50 %, po tregon trend të rënies, dhe kjo është e habitshme.

Sondazhet kishin treguar pak tregues të një trendi drejt “jo”-së. Kundërshtarët e njohur në votimin e parë të vitit 2021 kanë kaluar në kampin “po”. Opozita, nga ana tjetër, ishte një koalicion heterogjen dhe i ndarë i kritikëve të shtetit dhe aktivistëve online.

Një shpjegim për votën “jo” që po afrohet mund të jetë mosbesimi i përhapur si ndaj shtetit ashtu edhe ndaj botës dixhitale.

Ja çfarë përfshin votimi për E-ID 

Në votimin e sotëm bëhet fjalë mbi futjen e identitetit elektronik. Referendumi është kërkuar për të kundërshtuar këtë formë të identifikimit, transmeton albinfo.ch.

Ligji i ri krijon bazën për një e-ID qeveritare. Kjo do t’u mundësojë njerëzve të identifikohen në internet tek të gjitha autoritetet zvicerane dhe, në disa raste, tek kompanitë. Kjo do të bënte të mundur, ndër të tjera, të porosisnin në mënyrë dixhitale një patentë shoferi, një leje qëndrimi ose një produkt me një kërkesë minimale moshe, shkruan srf.ch.

Përdorimi i e-ID duhet të mbetet vullnetar. Qeveria federale nuk dëshiron të ngarkojë asnjë tarifë.

Për çfarë bëhet fjalë në votimin për heqjen e vlerës së qirasë së imputuar?

Sot, votuesit zviceranë po vendosin për “Dekretin Federal mbi Taksat Kantonale mbi Pronën mbi Shtëpitë e Dyta” (heqja e vlerës së imputuar të qirasë). Kushdo që zotëron dhe përdor një pronë duhet të taksojë të ashtuquajturën vlerë të imputuar të qirasë si të ardhura. Kjo bazohet në shumën që mund të fitohet duke dhënë me qira pronën, përcjell albinfo.ch. Parlamenti dëshiron të heqë këtë taksë dhe, në të njëjtën kohë, të kufizojë zbritjet ekzistuese, si ato për interesin mbi borxhin ose mirëmbajtjen.

Për të kompensuar heqjen e vlerës së imputuar të qirasë, duhet të miratohet një taksë e re kantonale mbi shtëpitë e dyta. Meqenëse propozimi është i lidhur me një amendament kushtetues, ai kërkon si shumicën e popullit ashtu edhe shumicën e kantoneve.

Në Kantonin Thurgau votohet mbi “ndalimin e vallëzimit”

Në Zvicër, falë asaj që quhet “demokraci e drejtpërdrejtë”, populli drejtohet ze kutitë e votimit pothuajse për gjithçka. Votimet në nivele të komunave dhe kantoneve kanë shpeshherë motive mjaft interesante.

Kështu, sot në kantonin e Thurgau-t, po zhvillohet një votim mbi “ndalimin e vallëzimit”, shkruan albinfo.ch.

Për rreth 30 vjet, në Thurgau ka qenë në fuqi një i ashtuquajtur ndalim vallëzimi gjatë festave fetare si ato të Pashkëve, të Premtes së Madhe, të Dielës së Rrëshajave, Ditës së Krishtlindjeve dhe Ditës së Lutjeve, shkruan 20minuten.ch. Kjo do të thotë që ngjarjet jo-fetare, ku hyn dhe vallëzimi, janë të ndaluara në këto ditë. Ky ndalim tani, nëse fiton nisma që është dërguar në votim, do të lehtësohet.

Ndërsa një iniciativë që po votohet sot në Kantonin e Bernës mban titullin e gjatë “Për qira të drejta dhe të përballueshme falë qirasë së mëparshme transparente (iniciativa për qiranë)”. Përveç gjatësisë së titullit ajo ka një përmbajtje po ashtu jo të zakonshme. Ajo kërkon që qiramarrësit të detyrohen të zbulojnë qiranë e qiramarrësit të mëparshëm, sipas kërkesës.

Iniciativa kërkon që, në rast të mungesës së banesave, çmimi i qirasë së mëparshme të zbulohet në një formular. Me këtë rregullore, iniciatorët duan ta bëjnë më të lehtë për qiramarrësit të identifikojnë rritjet e pajustifikuara të qirasë.

Shumica e parlamentarëve të Bernës beson se iniciativa nuk do ta përmirësojë situatën aktuale në tregun e banesave. Në vend të kësaj, kjo do të çojë në barrë shtesë burokratike, përcjell albinfo.ch. Për më tepër, përvoja nga kantonet e tjera ka treguar se zbulimi i qirave të mëparshme nuk ka çuar në qira dukshëm më të ulëta.

Kurti: DioGuardi pati një rol qendror për shqiptarët në politikën amerikane

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar kontributin e Joe DioGuardit dhe bashkëshortes së tij, Shirley, për çështjen e Kosovës në politikën amerikane.

“Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve apo përkatësive politike, e pranon se Joe DioGuardi luajti një rol qendror për zërin e shqiptarëve në politikën amerikane në një kohë vendimtare për Kosovën. Ai ishte personi që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve, kur jo shumë njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet tona në ish-Jugosllavi,” ka shkruar Kurti.

Kurti ka theksuar se përveç Joe DioGuardit, një rol të veçantë ka pasur edhe bashkëshortja e tij, Shirley DioGuardi, e cila ka qenë gjithmonë pranë tij në përpjekjet për çështjen e Kosovës, shkruan rtklive.com.

“Teksa ai qëndronte në krah të vërtetës dhe popullit tonë, përkrah tij qëndronte bashkëshortja e tij, Shirley. Bashkë, lobuan te Presidenti Clinton për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke u siguruar që Bosnja të mos përsëritej; mbrojtën UÇK-në si një ushtri çlirimtare me një kauzë të drejtë; bindën administratën Bush se pavarësia e Kosovës nuk duhej të vonohej dhe në vitin 2008 kjo u bë realitet; dhe deri më sot, kanë punuar pa u ndalur në Uashington DC për t’u siguruar që përgjegjësia të vendoset aty ku i takon, mbi ata që minojnë paqen dhe sigurinë”, ka shkruar më tej kryeministri në detyre.

Kurti ka uruar DioGuardin dhe bashkëshorten e tij për ditëlindjet. “Mbrëmë Joe festoi ditëlindjen e 85-të, kurse Shirley të 75-të. Veprat e tyre janë shembulli i shkëlqyer se çfarë dy amerikanë, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe miqësia, mund të bëjnë për një popull që lufton për lirinë e tij”, ka theksuar ai në Facebook.

A do të bëhet Lucerni, qyteti i parë pa makina?

Sot është dita e votimeve në Zvicër, si në nivel qendror ashtu dhe në disa kantone dhe komuna. Përveç propozimeve të ndryshme komunale, vendimeve për kantieret e vogla të ndërtimit dhe rinovimeve në Zvicrën Qendrore, një votim është veçanërisht interesant.

Iniciativa e të Gjelbërve të Rinj të Qytetit të Lucernit kërkon që katër distriktet e qytetit: Bruch, Hirschmatt, Neustadt dhe Kleinmatt të lirohen nga trafiku i makinave dhe të gjelbrohen, transmeton albinfo.ch. Zejtarët dhe punonjësit e shërbimeve, furnizuesit e bizneseve, shërbimet e emergjencës dhe personat me aftësi të kufizuara në ecje janë të përjashtuar nga rregullorja. Parlamenti i Qytetit të Lucernit e ka miratuar iniciativën në qershor, shkruan 20minuten.ch.

Finn Krummenacher, bashkëpresident i të Gjelbërve të Rinj, i vlerëson shanset që iniciativa të miratohet të dielën si të mira. “Popullsia e kupton se kjo çështje u sjell dobi të gjithëve”, thotë Krummenacher.

Nga ana tjetër, Patrick Zibung, kreu i SVP-së së Lucernit, nuk mendon se iniciativa do të pranohet. “Mendoj se do të ketë midis 40 dhe 50 për qind të votave pro”, thotë ai.

Ka goditur arbitrin me grusht, dënohet rëndë babai i lojtarit kosovar

Po luhej një ndeshje futbolli krejtësisht normale midis SC Schöftland dhe FC Villmergen C-Juniors. Schöftland fitoi ndeshjen 4-2 me dy gola të vonë në kohën shtesë, transmeton albinfo.ch.

Por këto dy gola çuan në një shpërthim  emocional nga babai i një lojtari të FC Villmergen. Pas një diskutimi të shkurtër, ai goditi me grusht arbitrin 35-vjeçar në fytyrë, sipas “Aargauer Zeitung”. Arbitri pësoi një prerje në mjekër.

Ndalim i hyrjes në stadium për babain, në gjithë Zvicrën

Ky sulm tani ka pasoja të kushtueshme për babain: Zyra e prokurorit publik lëshoi ​​një urdhër penal për sulm të thjeshtë kundër 51-vjeçarit kosovar. Pasoja: Babai merr një gjobë me kusht prej 100 tarifash ditore prej 70 frangash secila dhe një gjobë prej 1,400 frangash, përcjell albinfo.ch. Përveç kësaj, ekziston një tarifë urdhri penal prej 1,000 frangash.

Atij gjithashtu i është ndaluar të shikojë ndeshjet e futbollit drejtpërdrejt për momentin: Shoqata e Futbollit Aargau ka vendosur një ndalim kombëtar të hyrjes në stadium për tre vjet.

Pasoja të mëtejshme financiare po i vijnë FC Villmergen, pasi klubi është dënuar nga shoqata me një gjobë disiplinore prej 3,500 frangash – dhe klubi me sa duket dëshiron t’i marrë këto para nga babai abuzues.

Foto: Screenshot/Tele M1