Anketa e UBS: Perspektiva ekonomike e Zvicrës përmirësohet pas marrëveshjes tregtare me SHBA-në

Marrëveshja tregtare zvicerane me Shtetet e Bashkuara thuhet se ka përmirësuar perspektivën për ekonominë zvicerane.

Analistët financiarë të anketuar nga banka zvicerane UBS janë edhe një herë shumë më optimistë për perspektivat e ekonomisë zvicerane.

Treguesi CFA, i cili përpilohet si pjesë e anketës mujore të kryer nga UBS, u përmirësua ndjeshëm në 12.2 pikë në nëntor, siç njoftoi banka kryesore të mërkurën.

Indeksi kështu u rrit me pothuajse 20 pikë krahasuar me muajin e kaluar dhe arriti nivelin më të lartë që nga janari, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Para kësaj, indeksi kishte rënë ndjeshëm në shtator (-46.4) dhe gusht (-53.8) për shkak të tronditjes tarifore më 1 gusht, kur Trump prezantoi një rritje të tarifës ndëshkuese për Zvicrën në 39%.

Mbi të gjitha, pritjet e analistëve në lidhje me vrullin e eksportit janë përmirësuar ndjeshëm kohët e fundit, shpjegoi UBS, duke iu referuar deklaratës së përbashkët të qëllimit midis Zvicrës dhe SHBA-së për një marrëveshje tregtare.

 

Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), një strukturë që prej vitesh bashkon mësimdhënës të gjuhës shqipe, me dhjetë përfaqësues nga vende të ndryshme si Zvicër, Austri, Gjermani, Itali, Greqi, Turqi, Angli, Itali, Kanada, vijon të jetë një pikë qendrore bashkëpunimi për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare jashtë atdheut. Me veprimtari të rregullta, trajnime, seminare dhe projekte të përbashkëta, KKAD synon të mbështesë mësuesit, të forcojë rrjetin profesional dhe të krijojë kushte sa më të mira për mësimin e shqipes në diasporë.

Këtë herë, Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) po mbyll vitin me një veprimtari të rëndësishme kushtuar mësuesve të gjuhës shqipe që veprojnë jashtë vendit. Më 6 dhe 7 dhjetor 2025, përmes platformës Zoom, organizohet seminari dyditor me temë “Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë: nga entuziazmi i fillimit te qëndrueshmëria dhe cilësia e mësimdhënies”. Ngjarja pritet të mbledhë mësimdhënës nga shumë vende ku vepron komuniteti shqiptar, duke krijuar një hapësirë të përbashkët diskutimi, shkëmbimi përvojash dhe forcimi profesional.

Seminari sjell në qendër sfidat dhe zhvillimet që përcaktojnë mësimin e shqipes në rrethana diasporike: ruajtja e vazhdimësisë së klasave, nxitja e motivimit të nxënësve, përmirësimi i qasjeve didaktike dhe ndërtimi i një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes mësuesve, prindërve dhe institucioneve shqiptare. Përmes ligjëratave dhe diskutimeve të strukturuara, synohet të ndriçohen praktikat më efektive që mund të ndihmojnë mësimdhënësit në punën e tyre të përditshme.

Temat kryesore që do të trajtohen janë:

Roli i mësuesit në forcimin e klasave ekzistuese dhe ruajtjen e interesit të nxënësve.

Qasjet bashkëkohore të mësimdhënies: përdorimi i teknologjisë, mjeteve digjitale, aktiviteteve kulturore dhe lojërave edukative.

Ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet prindërve, mësuesve dhe institucioneve shqiptare.

KKAD fton mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë të marrin pjesë me punime në përputhje me temat e seminarit. Punimet dorëzohen në formatin Word, me një kohë të parashikuar prezantimi deri në dhjetë minuta. Afati i fundit për dorëzim është 27 nëntor 2025, në adresën zyrtare të këshillit: [email protected]

Orari i seminarit është si vijon:

6 dhjetor 2025, ora 18:00–21:00

7 dhjetor 2025, ora 16:00–20:00

Ky aktivitet synon të shërbejë si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e përbashkët për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe në komunitetet shqiptare në mbarë botën. Për KKAD-në, bashkimi i mësuesve në një platformë profesionale është mënyra më e qëndrueshme për të ndërtuar cilësi dhe për të garantuar vazhdimësinë e këtij misioni kulturor e arsimor.

Katër M-Outlet-e në Cyrih drejt mbylljes, 24 punonjës preken

Migros Zürich do të mbyllë katër M-Outlet-e në fillim të vitit 2026, për shkak të performancës së dobët të shitjeve, përcjell albinfo.ch.

Lokacionet në Eglisau, Niederurnen, Bachenbülach dhe Aathal do të ndalojnë aktivitetin, ndërsa 24 punonjësve u janë ofruar vende alternative pune brenda Migros.

Pas këtyre mbylljeve, në funksion mbetet vetëm një Outlet pranë selisë qendrore dhe një tjetër është në planifikim.

Migros synon të fokusohet më shumë në shitjen e stokut të supermarketeve dhe pritet të heqë gradualisht produktet nga furnitorët e tretë.

Dy monedha të rralla zvicerane prej ari do të dalin në ankand sot

Në St. Gallen po zhvillohet sot ankandi i shtëpisë Rapp, ku dalin në shitje dy monedha zvicerane shumë të rralla ari, përcjell albinfo.ch.

Një monedhë 16-frankëshe e vitit 1813, nga e cila ekzistojnë vetëm 100 copë, ka çmim fillestar 8000 franga, por pritet të arrijë shumë më tepër.

Gjithashtu shitet një dukatë ari 300-vjeçare nga manastiri Fischingen, me vetëm 50 ekzemplarë në botë, me çmim fillestar 10 000 franga dhe vlerësim deri në 20 000 franga. Për ankandin priten edhe koleksionistë ndërkombëtarë.

https://www.blick.ch/wirtschaft/echte-raritaet-verkaufspreise-duerften-10-000-franken-uebersteigen-heute-kommen-zwei-seltene-schweizer-goldmuenzen-unter-den-hammer-id21457977.html

PDK-ja zyrtarizon koalicionin me Eman Rrahmanin

Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar të mërkurën koalicionin parazgjedhor me Eman Rrahmanin, ish-lider i Listës për Familjen në zgjedhjet e fundit, përcjell albinfo.ch.

Në konferencën për media, kandidat për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, tha se marrëveshja synon “ndryshimin e gjendjes në Kosovë”, duke e cilësuar përfshirjen e anëtarëve të Listës për Familjen në listën zgjedhore të PDK-së për 28 dhjetorin si “vlerë të shtuar”.

Hamza u shpreh se është i bindur që ky partneritet do të jetë “i qëndrueshëm” dhe do të kontribuojë në progresin e vendit.

Dy anije patrullimi të ushtrisë përplasen në liqenin e Gjenevës.

Dy anije patrulluese të ushtrisë zvicerane u përplasën gjatë natës në liqenin e Gjenevës gjatë një stërvitjeje, përcjell albinfo.ch.

Dy ushtarë u lënduan lehtë dhe morën trajtim mjekësor. Nuk ka patur rrjedhje karburanti dhe mjetet janë kthyer në port, shkruan srf.

Në vendngjarje ndërhynë ekipe civile të shpëtimit, ndërsa drejtësia ushtarake ka nisur hetimet për aksidentin.

Për më shumë detaje –https://www.srf.ch/news/schweiz/waehrend-einer-uebung-zwei-patrouillenboote-der-armee-kollidieren-auf-dem-genfersee

Zvicra mban të njëjtat kuota për shtetasit e vendeve të treta në vitin 2026

Ashtu si në vitet e kaluara, një maksimum prej 8,500 punëtorësh të kualifikuar dhe të specializuar nga vendet e treta mund të rekrutohen në vitin 2026, njoftoi qeveria, përcjell albinfo.ch.

Për këta individë, do të jenë në dispozicion 4,500 leje qëndrimi (leje B) dhe 4,000 leje qëndrimi afatshkurtra (leje L).

Kuotat për ofruesit e shërbimeve nga BE ose EFTA, caktimi i të cilëve në Zvicër tejkalon 120 ditë në vit, do të mbeten gjithashtu të pandryshuara: mund të lëshohen deri në 3,500 leje, duke përfshirë 3,000 leje L dhe 500 leje B, përveç 3,500 lejeve të caktuara për punëtorët nga Mbretëria e Bashkuar (2,100 leje B dhe 1,400 leje L).

Limaj mohon koalicionin me PDK-në

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka konfirmuar se është në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, përcjell albinfo.ch.

Jemi në bisëdime me LDK’në, nuk ka pasë asnjë ftesë e as takim me PDK-në”, tha shkurt Limaj.

Pak ditë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij është e gatshme që nën listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së të përfshihet edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

BE: Serbia po shkel obligimet me kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Së fundmi, Bashkimi Evropian vlerëson se Serbia është duke i shkelur obligimet e saj nga procesi i normalizimit të raporteve me Kosovën dhe marrëveshjes nga dialogu, duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke reaguar në njoftimet nga Serbia se ministri i Brendshëm i këtij shteti, Ivica Daçiq, është lavdëruar se po vazhdon kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë dhe se, sipas këtij ministri, “Kosova nuk ka kurrfarë gjasash që të bëhet pjesë e Interpolit”, përcjell albinfo.ch. 

Daçiq po ashtu ka thënë se Kosova edhe më parë “ka dështuar keq kur ka provuar të bëhet anëtare e Interpolit” dhe se tash “e ka të qartë se nuk ka gjasa, prandaj as nuk po provon”.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mes tjerash, obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. BE-ja insiston se kjo marrëveshje është valide, se ajo duhet të implementohet pa vonesa, dhe se zbatimi i saj mbetet kusht për Kosovën dhe Serbinë, si për integrimin e tyre në BE, ashtu edhe për përfitime financiare nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Këtë, në përgjigjen e tij, e ka thënë për KOHËN përsëri një zëdhënës i BE-së.

“Progresi i Serbisë në rrugëtimin evropian varet nga përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve nga marrëveshja e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit. Duke kundërshtuar në parim anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Serbia është në shkelje të obligimeve nga marrëveshja e Ohrit, neni 4 i marrëveshjes”, ka thënë ky zëdhënës.

Por në BE akoma nuk saktësojnë se cilat do të jenë pasojat për Serbinë për një sjellje të tillë që vetë BE e konsideron shkelje. Disa shtete anëtare shpesh kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e masave ndaj Serbisë, ndërkohë që Komisioni Evropian i mban në fuqi masat kundër Kosovës. Një qasje e tillë nga disa shtete anëtare të BE-së është vlerësuar si “qasje e pabalancuar”.

“Sa i përket planit të rritjes, parakushtet e lidhura me progresin në normalizimin e raporteve mes Serbisë e Kosovës vlerësohen sa herë që të bëhen kërkesa për pagesa, në përputhje me rregulloren”, ka thënë për këtë zëdhënësi i BE-së.

Serbia ka marrë pagesën e parë nga paketa e rritjes në formën e “parafinancimit”. Kosova nuk ka përfituar akoma nga kjo, për shkak se nuk ka ratifikuar marrëveshjen për kredi me BE-në.

Nëse kualifikohet, Kosova do të jetë në vazon e katërt për shortin e Botërorit

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar vazot për shortin e Kupës së Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, përcjell albinfo.ch. 

Kosova ende synon kualifikimin në këtë Botëror. “Dardanët” do të luajnë më 26 mars në Bratislavë ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale të plejofit. Fituesi i kësaj ndeshjeje më pas më 31 mars do të përballet me Turqinë ose Rumaninë. Një fitore edhe në këtë ndeshje do t’i siguronte Kosovës vendin në Kupën e Botës.

Nëse kualifikohet, Kosova do të renditet në vazon e katërt për short, bashkë me fituesit e tri plejofeve të tjera evropiane, dy plejofeve ndërkontinentale dhe përfaqësueset si Jordania, Kepi i Gjelbër, Ghana, Kuraçaon, Haiti dhe Zelanda e Re.

Në vazon e parë janë Kanadaja, Meksika, SHBA-ja si nikoqire, si dhe Spanja, Argjentina, Franca, Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Belgjika dhe Gjermania. Vazoja e dytë përbëhet nga Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Irani, Korea e Jugut, Ekuadori, Austria dhe Australia, ndërsa vazoja e tretë përfshin Norvegjinë, Panamanë, Egjiptin, Algjerinë, Skocinë, Paraguain, Tunizinë, Bregun e Fildishtë, Uzbekistanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Afrikën e Jugut.

Shorti i Botërorit do të tërhiqet më 5 dhjetor në Washington, ku do të marrin pjesë delegacionet e federatave të kualifikuara dhe atyre që janë ende në garë, përfshirë edhe Kosovën.

Ky do të jetë Botërori i parë me 48 përfaqësuese, të ndara në 12 grupe me nga katër skuadra. Dy të parët e secilit grup do të kualifikohen në 1/16 e finales, bashkë me tetë përfaqësueset më të mira të vendit të tretë.

Kualifikimi i Kosovës, por edhe i Shqipërisë, në këtë Botëror do të përbënte një sukses historik për futbollin shqiptar.

Sot fillon afati 11-ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

Sot, 26 nëntor 2025, ka filluar periudha 11-ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 28 dhjetor, njofton albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë detaje për Rtk Live, duke sqaruar se gjatë kësaj periudhe, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi mund të bëhet online përmes platformës së KQZ-së në https://diaspora.kqz-ks.org, ose përmes postës, duke dërguar formularin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Votuesit gjatë regjistrimit mund të zgjedhin mënyrën e votimit: fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ose përmes postës në kutitë e hapura nga KQZ jashtë vendit. Elezi theksoi se, nëse përfaqësitë diplomatike arrijnë numrin maksimal të votuesve, aplikuesit do të udhëzohen të zgjedhin një nga mënyrat e tjera të votimit.

Sipas afateve të KQZ-së, votimi fizik në përfaqësitë diplomatike do të zhvillohet më 27 dhjetor, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, ndërsa votimi përmes postës do të nisë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025.

https://qv.kqz-ks.org/

Gjashtë vjet nga tërmeti në Shqipëri

Sot bëhen gjashtë vjet nga tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë, duke marrë jetën e 51 personave dhe duke lënë qindra e mijëra të tjerë pa banesa.

Në mesin e viktimave ishin edhe tetë fëmijë, përcjell albinfo.ch.

Dy nga zonat më të goditura ishin Durrësi dhe Thumana, ku u regjistrua edhe numri më i madh i jetëve të humbura.

Kujtojmë se tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave, duke lënë të pastrehë shumë banorë në disa zona të Durrësit, Fushë-Krujës, Laçit, Lezhës dhe Tiranës.

Dita e tretë e protestës, Prishtina sërish pa autobusë

Kryeqyteti as sot nuk ka linja të autobusëve. Punëtorët e Trafikut Urban dhe atij privat do të protestojnë sërish, për shkak të mosmarrjes së pagave, përcjell albinfo.ch.

Të martën, ata zbarkuan me autobusë nëpër rrugët e Prishtinës, nga Komuna deri te Qeveria, për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Protestuesve dje iu bashkua edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për bllokim të buxhetit dhe për “sabotazh” ndaj Komunës.

Ai u deklarua i gatshëm për një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për krizën, por deri në këto momente një takim i tillë nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, qytetarët e Prishtinës vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha në lëvizje, duke u detyruar të kërkojnë alternativa të tjera ose të ecin në këmbë për të përmbushur obligimet e përditshme.

Situata po rëndohet çdo ditë, ndërsa zgjidhja duket ende larg.

Vdes këngëtari Shpat Kasapi

Ka ndërruar jetë këngëtari shqiptar Shpat Kasapi, njoftojnë mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai ka pësuar një sulm në zemër dhe vdiq në moshën 40-vjeçare, përcjell albinfo.ch.

Kasapi u lind më 1 maj 1985 në Tetovë dhe filloi karrierën e tij muzikore në fillim të viteve 2000. Shpejt u bë një nga yjet më të njohur të estradës shqiptare, duke lënë gjurmë me këngë që vazhdojnë të dëgjohen ende, si “Valle kosovare”, “A më do?”, “Dashni pa limit” dhe “Aroma e saj”.

Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përmes një postimi në Facebook, shprehu ngushëllimet e tij për familjen dhe komunitetin artistik:

“Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet. Në këtë ditë të rëndë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe.”

Vdekja e Shpat Kasapit lë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësuan artin e tij.

Ardian Ramadani emërohet Shef klinike në “Hôpitaux Universitaires de Genève”

Ardian Ramadani është shqiptari nga Kosova i cili është emëruar Shef i klinikës në spitalin më të madh në Gjenevë, “Hôpitaux Universitaires de Genève”, shkruan platforma mediale Albinfo.ch.

Doktori shqiptar është emëruar “Chef de Clinique” në repartin e Kirurgjisë Ortopedike të HUG.

Në njoftimin e tij ai ka falënderuar mësuesit e tij të parë, mentorët, por më së shumti familjen, për mbështetjen gjatë rrugëtimit profesional.

Vlen të theksohet se Spitali Universitar i Gjenevës (Hôpitaux Universitaires de Genève)  është institucioni kryesor spitalor në kantonin e Gjenevës, dhe për shumë specialistë mjekësorë përfaqëson pikën më të lartë profesionale në Zvicër.

Reparti i Kirurgjisë Ortopedike dhe Traumatologjisë së aparatit motorik në HUG është shërbimi më i madh i këtij lloji në Zvicër, aty realizohen mijëra ndërhyrje kirurgjikale në vit, dhe ofrohen shërbime për patologji të kockave, nyjeve, lëndimeve traumatike, rehabilitimit, si dhe kirurgji sportive, shkruan tutje albinfo.ch.

Emërimi i Ramadanit si “Chef de Clinique”, pozicion ky që zakonisht nënkupton përgjegjësi në nivel klinik, trajnim specialistësh dhe pjesëmarrje në organizimin e shërbimeve brenda spitalit, është një njohje e rëndësishme për punën dhe përkushtimin e tij.

„Kam kënaqësinë të ndaj me ju se nga sot jam emëruar Shef i Klinikës (Chef de Clinique) në repartin e Kirurgjisë Ortopedike në Hôpitaux Universitaires de Genève. Faleminderit mësuesve të parë që ndezën ëndrrën, mentorëve që më udhëhoqën në specializim dhe mbi të gjitha familjes sime që më ka qëndruar pranë në çdo hap të këtij rrugëtimi. Ky falenderim nënvizon rëndësinë e rrugëtimit personal dhe profesional, fillimin në arsimim dhe specializim, mentorimin, përkushtimin në punë, dhe mbështetjen familjare, si komponentë të domosdoshme për arritje të këtij niveli, ka deklaruar në një njoftimin publik, Dr. Ramadani. /Albinfo.ch

 

Shaqiri dhe Haaland: Dy yje që bëjnë diferencën në ekipet e tyre

Xherdan Shaqiri dhe Erling Haaland ndajnë më shumë sesa aftësitë e jashtëzakonshme në futboll, të dy janë shtyllat kryesore të ekipeve të tyre, përcjell albinfo.ch.

Si ish-lojtari i Zvicrës, ashtu edhe ylli norvegjez, janë të pazëvendësueshëm për skuadrat që përfaqësojnë. Sipas televizioni zviceran “SRF”, “Nëse Shaqiri ka një ditë të keqe, Baseli rrallë fiton. Varësia e Manchester Cityt nga Haaland është aktualisht edhe më e madhe. Norvegjezi nuk ka arritur të shënojë vetëm në tri ndeshje këtë sezon dhe në të tri rastet skuadra e Pep Guardiolas humbi. Kjo ndodhi edhe në fundjavë në humbjen 2:1 nga Newcastle.”

Shaqiri, 34-vjeçar, ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë po aq asistime për Baselin këtë edicion, ndërsa Haaland për Cityn ka regjistruar 22 gola dhe 2 asistime në 20 ndeshje. Performancat e tyre tregojnë qartë ndikimin e madh që kanë në rezultatet e ekipeve përkatëse, duke i bërë ata figura kyçe në futbollin evropian.

Shkollat Shqipe në Bavari festojnë me krenari 28 Nëntorin në Nürnberg

Mësohet se në Nürnberg u mbajt një manifestim i veçantë për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ku Shkolla Shqipe në Nürnberg, Neumarkt, Fürth, Roth, Aschaffenburg dhe Bamberg u bashkuan në një aktivitet të përbashkët festiv, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja mblodhi dhjetëra nxënës, prindër dhe mësues, duke e shndërruar këtë ditë të rëndësishme kombëtare në një festë të madhe uniteti e identiteti.

Nxënësit sollën një program artistik të përgatitur me përkushtim, ku u interpretuan këngë, poezi dhe pika të ndryshme që pasqyruan historinë, kulturën dhe vlerat shqiptare.

Përmes performancave të tyre, ata përcollën mesazhin e krenarisë kombëtare dhe rëndësinë e ruajtjes së gjuhës e traditave në diasporë.

Aktiviteteve iu bashkua edhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në München, znj. Genta Mburimi, e cila me praninë e saj nderoi manifestimin dhe përshëndeti punën e palodhur të mësuesve dhe komunitetit shqiptar në Bavari.

Organizatorët shprehën mirënjohjen për të gjithë donatorët dhe mbështetësit që kontribuuan në realizimin e kësaj feste, duke theksuar se bashkëpunimi është çelësi për të mbajtur të gjallë trashëgiminë kulturore shqiptare edhe larg atdheut.

Gjykata e BE-së: Shtetet duhet të njohin martesat e së njëjtës gjini të kryera në BE

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka vendosur se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë të detyruara të njohin martesat mes personave të së njëjtës gjini kur ato janë kryer ligjërisht në një vend tjetër të BE-së.

Vendimi vjen pasi një gjykatë polake kishte refuzuar të njihte martesën e dy qytetarëve polakë, të cilët ishin martuar në Gjermani. Autoritetet në Poloni nuk pranuan të regjistronin certifikatën e tyre të martesës, duke u mbështetur në ligjin polak që ndalon martesat mes së njëjtës gjini.

Sipas GJED-së, një refuzim i tillë bie ndesh me të drejtën e Bashkimit Evropian, pasi kufizon lirinë e lëvizjes së qytetarëve të BE-së, si dhe të drejtën e tyre për jetën private dhe familjare, raporton dw transmeton albinfo.ch.

“Bashkëshortët në fjalë, si qytetarë të BE-së, gëzojnë lirinë për të lëvizur dhe banuar brenda territorit të shteteve anëtare, si edhe të drejtën për të pasur një jetë familjare normale gjatë ushtrimit të kësaj lirie dhe pas rikthimit në vendin e tyre të origjinës,” thuhet në vendimin e gjykatës.

Çifti polak ishte martuar në Berlin në vitin 2018. Pasi u zhvendosën në Poloni, autoritetet vendase refuzuan njohjen e martesës së tyre, duke u mbështetur në ligjin vendas.

GJED konkludoi se ky refuzim përbën shkelje të së drejtës së BE-së dhe cenon lirinë e lëvizjes së qytetarëve, si dhe të drejtën e tyre për jetën private dhe familjare

Tesla hap qendër dorëzimi në Tolochenaz, banorët shqetësohen për zjarret

Tesla do të zhvendosë vitin e ardhshëm qendrën e saj të dorëzimeve për Zvicrën frëngjishtfolëse nga Bussigny në Tolochenaz (VD), në vendin e deges së autobusëve Morges-Bière-Cossonay (MBC).

Disa banorë të zonës janë shprehur kundër, duke u shqetësuar për rrezikun e zjarreve nga bateritë e automjeteve elektrike, pasi vendi është vetëm 50 metra larg lagjes me ndërtesa dhe vila.

Reto Dorta, banor që jeton përballë zonës, tha: “Kur digjet një makinë, është një gjë, por ato mund të digjen njëra pas tjetrës dhe të lirojnë gazra toksike.” Ai ka depozituar një kundërshtim gjatë periudhës së konsultimit publik, e cila përfundon brenda dhjetë ditësh.

Kryetari i Tolochenaz, Andreas Sutter, tha se shqetësimi i banorëve është i ligjshëm dhe Institucioni Kantonal i Zjarrit do të vlerësojë rrezikun. Komuna shpreson të zgjidhë kundërshtimet deri në fillim të vitit 2026 për të mirëpritur Tesla.

 

Në Zvicër riciklohen mbi 3 milionë ton mbeturina çdo vit

Në Zvicër, secili banor riciklon pothuajse 350 kilogramë mbeturina çdo vit, që përbën pak më shumë se gjysmën e 670 kilogramëve që prodhohen. Kjo mundëson rikuperimin dhe futjen përsëri në cikël të 3.1 milionë ton materialesh të papërpunuara.

Sipas Swiss Recycle, kjo sasi e ricikluar është ekuivalente me 3.5 herë vëllimin e Ura e Golden Gate në San Francisco. Përfitimet nga riciklimi afro përkojnë me ndikimin vjetor mjedisor të qytetit të Luganos dhe 66,000 banorëve të tij.

Më shumë se gjysma (52%) e mbeturinave komunale mblidhen veçmas dhe pastaj riciklohen. Swiss Recycle thekson se mbledhja e një shishe PET (0.5 l) shmang një ndikim mjedisor ekuivalent me 43 kërkesa në ChatGPT.

Ndikimi mjedisor i shmangur nga mbledhja e një kilogrami baterish dhe akumulatorësh është ekuivalent me një udhëtim me tren nga Berni në Gjenevë. Një televizor LCD mund të lejojë rikuperimin e afërsisht 8.7 kilogramëve hekuri, sipas organizatës.

Sasia e mbeturinave është trefishuar

Këto shifra vijnë nga raporti i aktivitetit i Swiss Recycle për vitin 2025, i bazuar veçanërisht në statistikat aktuale të mbeturinave nga Zyra Federale për Mjedisin.

Në një deklaratë të publikuar të martën, zyra theksoi se shumë materiale që sot mblidhen veçmas dhe riciklohen dikur përfundonin në djegës ose madje në deponi në vitin 1970. Megjithatë, sasia e mbeturinave të prodhuara çdo vit për banor është trefishuar, duke pasur një ndikim të konsiderueshëm mbi mjedisin.

 

Novartis njofton shkurtimin e 550 vendeve të punës në Zvicër deri në fund të vitit 2027

Giganti farmaceutik Novartis do të ndalojë përfundimin e tabletave dhe kapsulave në fabrikën e tij në Stein, afër Bazelit, deri në vitin 2027. Ky hap do të çojë në heqjen e rreth 550 vendeve të punës të përhershme deri në atë kohë.

Fabrika në Stein, e cila aktualisht punëson 1,600 persona, do të automatizohet dhe do të vazhdojë të funksionojë si një qendër ekselence për format sterile të dozimit dhe për prodhimin komercial të terapive komplekse dhe të personalizuara të qelizave, njoftoi Novartis të martën në një komunikatë për media. Për këtë qëllim, është planifikuar një investim prej 21 milion frangash zvicerane.

Procesi i konsultimit dhe plani social

Novartis ka nisur një proces konsultimi dhe punonjësit e prekur kanë një plan social, i zgjatur deri në vitin 2028, i cili do të nxisë veçanërisht pensionimin e hershëm.

80 vende të reja pune në një tjetër fabrikë

Në të njëjtën kohë, Novartis planifikon të investojë gati 65 milion franga zvicerane në prodhimin e saj në fabrikën Schweizerhalle dhe të krijojë rreth 80 vende të reja pune me kohë të plotë deri në fund të vitit 2028. Ky investim synon zhvillimin e terapive siRNA, një element i rëndësishëm i strategjisë së grupit në fushën e sëmundjeve kardiovaskulare, renale dhe metabolike.

Në total, Novartis ka rreth 10,000 punonjës në Zvicër, që përbëjnë 13% të fuqisë së saj totale punëtore (78,310).

Reagimi i sindikatës

Sindikatat, përfshirë Unia, kanë dënuar fuqishëm këto shkarkime, duke i quajtur “të pakuptimta”. Corinne Schärer, bashkudrejtuese e sektorit të industrisë në sindikatë, deklaroi: “Gjatë diskutimeve që zhvillohen çdo vjeshtë me partnerët socialë, ne pyetëm shprehimisht grupin nëse vendet e punës në Stein ishin të rrezikuara, veçanërisht në lidhje me tarifat e reja në Shtetet e Bashkuara. Na u garantua se vendi ishte i sigurt.”

 

Viti 2025 ishte një vit i artë për Lorian Musën

Në botën e sporteve marciale, kampionët dallohen jo vetëm nga teknikat dhe rezultatet, por edhe nga qetësia që i shoqëron në momentet vendimtare. Këtë veçori të rrallë e mishëron në mënyrë të jashtëzakonshme Lorian Musa, një talent i ri i karatesë zvicerane, i cili pavarësisht moshës së re, shfaq pjekuri sportive që destabilizon çdo kundërshtar.

Loriani prej dy vitesh është pjesë e ekipit kombëtar të Zvicrës në karate, dhe në këtë periudhë ka arritur një progres mbresëlënës. Ai është renditur i 11-ti në botë në kategorinë U-16, -57 kg, ndërsa pritjet janë që shumë shpejt të ngjitet mes dhjetë më të mirëve në rang botëror.

Viti që po lëmë pas ishte një vit i artë për Lorianin. Ai dominoi të gjitha ligat zvicerane, fitoi një numër të madh podiumesh ndërkombëtare e europiane dhe këtë të dielë në Sursee kurorëzoi sukseset e tij duke fituar titullin që i mungonte: Kampion i Zvicrës. Ky triumf vulosi edhe njëherë klasën e tij si një prej talentëve më premtues në skenën evropiane të karatesë.

Në dhjetëditëshin e parë të dhjetorit, 15-vjeçari do të përfaqësojë Zvicrën në turneun botëror në Venecia të Italisë, ndërsa tashmë është edhe zyrtarisht i seleksionuar për Kampionatin Evropian që do të mbahet në Qipro, në fund të muajit shkurt.

Për arritjet e tij, një mirënjohje e veçantë u shkon trajnerëve Olivier Knupfere dhe Illiana Bartolota, si edhe gjithë stafit të SKF – Swiss Karate Federation, të cilët kanë kontribuar në zhvillimin dhe suksesin e Lorianit.

Lorian Musa vazhdon të shkruajë historinë e tij në sportin e karatesë – një histori që sapo ka filluar, por që premton shumë.