Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme pas intervistimit nga Prokuroria Speciale lidhur me rastin e masakrës së Reçakut.
Në një konferencë për media të thirrur pasi që është intervistuar nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit për masakrën Reçakut, ai ka mohuar se ka qenë ndonjëherë asistent i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq, e cila ka qenë e ngarkuar nga regjimi serb “ta hetojë” masakrën e Reçakut.
“Mua më vije mirë që kam dhënë një deklaratë para Prokurorisë Speciale që konfirmon gjithë atë që po them para jush. Kurrë në jetën time deri në vitin 2001 nuk kam qenë në fshatin Reçak. Kurrë nuk kam qenë as gjyqtar as prokuror para vitit 2000”, tha ai, transmeton albinfo.ch.
Kelmendi tha se shkrimi i sotëm i botuar në një portal, është shpifje dhe dezinformatë.
“Kam lindur më 1962 dhe jam punësuar më 1986 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Në kohën kur vendosej për pavarësinë e Kosovës kishte përpjekje dhe kërkesa që dikush të shkatërronte komplet popullin shqiptar dhe ne që ishim pjesë e asaj kohe kishim një detyrë, edhe në punëtorët shqiptarë në gjykatë isha bashkëpunëtor profesional, është titull profesional i punës, nuk ka lidhje me bashkëpunim me regjime dhe parti. Gjatë asaj kohe kisha një aktivitet në Sindikatën e Punëtorëve të asaj gjykate. S’ka veprim, aktivitet që kanë qenë në kuadër të sindikatës në nivel Kosove që nuk e ka përkrahur sindikatën ku kam qenë unë”, është shprehur Kelmendi.
Ai ka thënë se në kohën e luftës i ka mbajtur të informuar UÇK-në dhe spektrin politik të Kosovës.
“Në atë kohë për çdo që i duhej UÇK-së dhe spektrit politik të Kosovës, jam unë ai që i kam mbajtur jo vetëm të informuar por kam rrezikuar punën dhe jetën për të dërguar dosje atje ku e kishin vendin”, ka theksuar Kelmendi.
Me ndeshjet e fundit të zhvilluara më 18 nëntor, procesi i kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 ka hyrë në fazën përfundimtare.
Tashmë 42 prej 48 vendeve të turneut janë plotësuar, ndërsa vetëm gjashtë bileta mbeten ende në lojë.
Përfaqësueset e fundit që siguruan kualifikimin ishin Belgjika, Zvicra, Spanja, Austria dhe Skocia nga UEFA, dhe Kurasao, Haiti dhe Panama nga zona CONCACAF – ku Kurasao bën histori me kualifikimin e saj të parë ndonjëherë, transmeton albinfo.ch.
Botërori 2026 do të jetë edicioni i parë me 48 shtete, ndërsa Kanadaja, Meksika dhe SHBA janë të kualifikuara automatikisht si vendet pritëse.
Ekipet e kualifikuara për Kupën e Botës 2026
Vendet pritëse (3)
Kanada
Meksika
Shtetet e Bashkuara
AFC – Azi (8)
Australia
Irani
Japonia
Jordania
Katari
Arabia Saudite
Koreja e Jugut
Uzbekistani
CAF – Afrika (9)
Algjeria
Kepi i Gjelbër
Egjipti
Gana
Bregu i Fildishtë
Maroku
Senegali
Afrika e Jugut
Tunizia
CONCACAF – Amerika e Veriut & Qendrore (3 deri tani)
Kurasao
Haiti
Panama
(Kanada, Meksika dhe SHBA të kualifikuara si vendet pritëse)
CONMEBOL – Amerika e Jugut (6)
Argjentina
Brazili
Kolumbia
Ekuadori
Paraguai
Uruguai
UEFA – Evropa (12 deri tani)
Austria
Belgjika
Kroacia
Anglia
Franca
Gjermania
Holanda
Norvegjia
Portugalia
Skocia
Spanja
Zvicra
OFC – Oqeania (1)
Zelanda e Re
Kush lufton për 6 vendet e fundit?
Play off-i i Europës:
Italia
Turqia
Danimarka
Ukraina
Polonia
Uellsi
Çekia
Sllovakia
Irlanda
Shqipëria
Bosnja & Hercegovina
Kosova
Suedia
Rumania
Maqedonia e Veriut
Irlanda e Veriut
Dy biletat e fundit do të vendosen në playoff-in ndërkontinental, ku do të marrin pjesë:
Bolivia
Republika Demokratike e Kongos
Iraku
Xhamajka
Kaledonia e Re
Surinami
Playoff-i interkontinental do të zhvillohet në mars 2026, në Meksikë.
Edhe tre vende të tjera nga CONCACAF, UEFA dhe Afrika do të plotësohen pas ndeshjeve të playoff-it të rajoneve përkatëse, duke finalizuar listën e 48 pjesëmarrësve në Botërorin e parë të zgjeruar.
Botërori 2026 pritet të jetë më i madhi në histori — me më shumë skuadra, më shumë spektakël dhe më shumë surpriza.
Zvicra siguroi mbrëmë biletën direkte për Kampionatin Botëror 2026, pasi doli me barazim 1:1 ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ky rezultat iu mjaftoi “Helvetikëve” për të mbyllur grupin në krye.
Në këtë fushatë kualifikuesesh, Granit Xhaka ka qenë figura qendrore e kombëtares zvicerane, duke e udhëhequr ekipin drejt një Botërori tjetër.
Megjithatë, mbrëmë ai u përball me vërshëllima nga një pjesë e tifozëve në Prishtinë, një reagim që vetë mesfushori nuk e kishte pritur.
Pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar edhe vëllai i tij, Taulant Xhaka, i cili i doli publikisht në krah: “Gjithmonë deri në vdekje me ty vëlla. Krenaria e shqiptarëve. Zoti i ruajt të gjithë shqipet e vërteta nëpër botë”, shkroi ai në rrjete sociale, transmeton albinfo.ch.
Seriali shqiptaro-zviceran i SRF-së “Te Berberi” është nominuar në kategorinë “Serial Multiplatform” për Festivalin Rose d’Or në Londër. Seriali zhvillohet në një sallon flokësh në Bazel.
Rose d’Or është një festival argëtimi televiziv i themeluar në Montreux në vitin 1961, transmeton albinfo.ch. Që nga viti 2019, ceremonia e ndarjes së çmimeve është mbajtur në Londër, përfshirë edhe eventin e këtij viti.
Çmimet e lakmuara televizive do të ndahen më 1 dhjetor. Ndër të nominuarit e këtij viti është seriali i SRF-së “Te Berberi – Wächst ja wieder” (Te Berberi – Rritet Përsëri), krijuar dhe me protagonist banorin e Bazelit, Florim Brajshori, shkruan baseljetzt.ch.
Seriali shqiptaro-zviceran, i cili zhvillohet kryesisht në një sallon flokësh në Bazel, është nominuar në kategorinë “Serial Multiplatform”.
Florim Brajshori, i cili e prodhon serialin me kompaninë e tij “Shoki Filmproduktion” dhe gjithashtu luan në të, mësoi për nominimin të hënën pasdite. “Isha shumë i lumtur me nominimin”, thotë Brajshori për Baseljetzt.
Asnjë prodhim zviceran nuk është nominuar për çmimet Rose d’Or në tre vitet e fundit.
Florim Brajshori do të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Londër. Pyetjes se si i vlerëson shanset e tij për të fituar ai i përgjigjet “Do të ishte fantastike nëse do të fitonim, sigurisht, por konkurrenca është e fortë”.
Nëse seriali i përmendur do ta sjellë çmimin e lakmuar televiziv në Bazel, do të zbulohet më 1 dhjetor.
Sidoqoftë, ka ende zhvillime në lidhje me serialin që zhvillohet në sallonin e flokëve në Bazel. Florim Brajshori është tashmë në bisedime me televizionin zviceran për një sezon të dytë të serialit të njohur shqiptaro-zviceran, shkruan Baseljetzt.
Banka UBS është përsëri në qendër të spekulimeve rreth zhvendosjes së selisë së saj jashtë vendit.
Financial Times raporton se Kryetari Colm Kelleher ka zhvilluar bisedime private me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, rreth një zhvendosjeje të mundshme në Shtetet e Bashkuara, nëse Zvicra vazhdon me kërkesa më të ashpra për kapitalin, transmeton albinfo.ch.
CEO i UBS, Sergio Ermotti, mohoi publikisht çdo plan zhvendosjeje në shtator, por burimet thonë se ka pasur bisedime me autoritetet amerikane.
Reforma e Këshillit Federal mund t’i kushtojë UBS deri në 19 miliardë CHF, një barrë që banka argumenton se do të dëmtonte konkurrueshmërinë e saj globale.
Festivali i filmit “Tri Net Film Fest” rikthehet me edicionin e katërt nga 4 deri më 6 dhjetor 2025, duke sjellë një program të përzgjedhur filmash të shkurtër nga autorë shqiptarë, rajonalë dhe evropianë. Festivali zhvillohet në Neues Kino, Freienstein, dhe synon të ndërtojë ura mes kulturave përmes një forme të kinemasë që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në skenën bashkëkohore.
albinfo.ch është sponsor medial i festivalit.
Filmi i shkurtër mbetet një format ku ideja dhe emocionet kondensohen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për autorët, ai është një hapësirë e lirë eksperimentimi; për publikun, një mundësi për t’u njohur me histori të reja që sjellin copa realitetesh të ndryshme. Pikërisht këtë mozaik shumëzëruar e ndërton çdo vit Tri Net Film Fest.
Programi zyrtar i vitit 2025
Nata e parë – E enjte, 4 dhjetor 2025 (19:30)
“Një histori e parrëfyer” – Sara Hoxhaj
“Emri im është Sonila” – Suela Bako
“Në sytë e Xhelos” – Besa Tusha
“Mbijetesa dhe shkolla” – Ilir Kabashi
“Atje ku qershitë janë gjithmonë të kuqe” – Shqipe Bebe Krasniqi
Nata e dytë – E premte, 5 dhjetor 2025 (19:30)
“Sharing” – Granit Dragaj
“Në kërkim” – Alban Goranci
“Bleifrei 95” – Tina Muffler & Emma Hütt
“Astra la vista” – Johannes Bachmann
Nata e tretë – E shtunë, 6 dhjetor 2025 (18:30)
“Çarcafët” – Evi Gjoni
“N’rreth” – Bekim Guri
“IMMACULATA” – Kim Lêa Sakkal
“Sorpresa” – Daniel Best Arias
“Rruga” – Mauro Zaçe
Vendi dhe biletat
Neues Kino, Strickgasse 1, 8427 Freienstein
20 CHF për një natë
Festivalpass 50 CHF për të tri netët (përfshin edhe afterparty-n)
Rezervimet bëhen përmes www.neueskino.ch
Në çmim përfshihet një pije falas.
Mbrëmja finale mbyllet me afterparty, ku atmosferën do ta udhëheqin Xhaner Gashi dhe Bexhet Sallai.
Tri Net Film Fest ofron tri net të ngjeshura me histori të reja dhe zëra të rinj filmikë. Publiku ftohet të jetë pjesë e këtij takimi kulturor ku filmi i shkurtër vjen si një hapësirë dialogu mes krijuesve dhe shikuesve. Shënoni datat dhe rezervoni vendin në sallë.
Këshilli Federal synon të zgjasë afatin e angazhimit të Swisscoy deri në vitin 2029. Kjo do të shënonte tridhjetë vjet që kur personeli i Forcave të Armatosura Zvicerane ka filluar të mbështesë për herë të parë KFOR-in, transmeton albinfo.ch.
Zgjatja e mandatit kërkon miratim parlamentar.
Që nga tetori i vitit 1999, Forcat e Armatosura Zvicerane kanë marrë pjesë në misionin ndërkombëtar paqeruajtës të NATO-s, Forca e Kosovës (KFOR) në Kosovë me kontingjentin e tyre të Kompanisë Zvicerane/Swisscoy, shrkuan sda.ch. Aktualisht, numri maksimal i personelit të Forcave të Armatosura Zvicerane të vendosura atje është 215. Mandati aktual skadon në fund të vitit 2026.
Këshilli Federal po i propozon Asamblesë Federale që mandati të zgjatet deri në fund të vitit 2029, duke ruajtur numrin aktual të personelit. Megjithatë, ai dëshiron të rezervojë mundësinë për të rritur numrin e personelit deri në tridhjetë nëse situata e sigurisë përkeqësohet dhe KFOR-i kërkon mbështetje shtesë.
Këshilli Federal deklaron se situata aktualisht është e qetë. Megjithatë, situata mbetet e paqëndrueshme, veçanërisht në veri të Kosovës, ku tensionet etnike vazhdojnë, përcjell albinfo.ch. Në vitin 2023, incidente serioze sigurie e shtynë NATO-n të përforcojë KFOR-in dy herë.
NATO dhe vendet pjesëmarrëse janë të mendimit se KFOR-i duhet të mbetet në Kosovë derisa marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë të normalizohen. Vendosja e Swisscoy kërkon miratimin parlamentar.
Buxheti për deri në 215 trupa është 48.9 milionë franga zvicerane. Nëse është e nevojshme një rritje e personelit, kostot do të mbulohen nga buxheti i Departamentit të Mbrojtjes.
Shoqata Kulturore Shqiptare “Bashkimi” në Uster organizon një pasdite të veçantë kushtuar dokumenteve të rralla, analizave të thelluara dhe qasjeve të reja në histori. Ngjarja synon të sjellë një mjedis reflektues për të gjithë të interesuarit në faktet dhe debatet shkencore që nxisin mendimin kritik.
E ftuara kryesore e kësaj veprimtarie është Dr. Elena Kocaqi, e cila do të paraqesë librat e saj dhe do të ndajë gjetjet më të reja historike. Pas prezantimit, të pranishmëve u ofrohet mundësia të diskutojnë dhe të parashtrojnë pyetjet e tyre.
Eventi do të mbahet të dielën, më 23 nëntor 2025, në Mehrzwecksaal Kreuz, Apotherkerstrasse 13, 8610 Uster, duke nisur nga ora 13:00.
Të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur. Hyrja falas.
Një studim i publikuar nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Zvicrës Veriperëndimore (FHNW) ka zbuluar se rregulloret e rrepta qeveritare në sektorin e ndërtimit po ndikojnë negativisht në tregun e banesave, duke çuar në ulje të ofertës dhe rritje të qirave, përcjell albinfo.ch.
Sipas studiuesve, ligjet e shumta mjedisore dhe urbanistike, përfshirë ato që rregullojnë nivelin e lejuar të zhurmës në zonat ku planifikohen projekte të reja banimi, po e bëjnë procesin e ndërtimit më kompleks, më të ngadalshëm dhe më të kushtueshëm. Si rezultat, po ndërtohen më pak njësi të reja, gjë që e përkeqëson edhe më tej mungesën e banesave në treg.
Kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët: qiratë janë duke u rritur, veçanërisht për personat që kërkojnë një apartament të ri, të cilët përballen me konkurrencë më të madhe dhe oferta gjithnjë e më të kufizuar.
Studimi nënvizon se ndërhyrjet e tilla, edhe pse shpesh bëhen me qëllime të mira, si mbrojtja e mjedisit ose standardet akustike, po krijojnë efekte të padëshiruara në tregun e banesave, duke e bërë jetesën më të shtrenjtë dhe duke e kufizuar ndjeshëm disponueshmërinë e banesave për popullsinë zvicerane.
Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën.
Pro formimit të propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.
Konjufca në prezantimin e tij kërkoi votë për të shmangur një palë zgjedhje të reja, teksa ka thënë se me urgjencë do të trajtonte buxhetin e shtetit. Ai doli para deputetëve për votim pa siguruar marrëveshje politike me ndonjë subjekt tjetër, transmeton albinfo.ch.
Në kabinetin e propozuar nga Konjufca pati fare pak dallim në emra nga ai paraprak i propozuar prej Albin Kurtit. Dallimi ishte te ministri i Infrastrukturës. “U shkarkua” Dimal Basha e “u ngarkua” Besnik Bislimi.
Konjufca ishte mandatari i dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Paraprakisht, më 26 tetor Albin Kurti dështoi në votimin e parë. Pas tij presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor e mandatoi Konjufcën.
Me rastin e dështimit të Konjufcës, tani presidentja është e obliguar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes.
Para seancës për votimin e Konjufcës, Kuvendi hapi seancën për formimin e komisioneve, por nuk pati kuorum për vendimmarrje, për shkak të mungesës së partive që deri tash ishin në opozitë, që kanë kundërshtuar iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 9 shkurt. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen dhe krenarinë e saj për paraqitjet e fundit të skuadrës kombëtare të futbollit. Ajo ka theksuar se djemtë e Kosovës vazhdojnë ta përfaqësojnë vendin me dinjitet në çdo sfidë, përcjell albinfo.ch.
“Krenaria është e pafund për këta djem që vazhdojnë ta nderojnë Republikën tonë. Përgjithmonë dhe në çdo sfidë, #MeKosovën!”, ka shkruar Osmani në postimin e saj.
Deklarata e presidentes vjen pas ndeshjeve të fundit ku Kosova ka treguar një paraqitje dinjitoze, duke forcuar edhe më tej mbështetjen e qytetarëve dhe tifozëve për ekipin kombëtar.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka reaguar pas ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026, Kosovë–Zvicër, e cila përfundoi 1:1 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja ishte e fundit e grupit kualifikues; Zvicra siguroi kualifikimin direkt, ndërsa Kosova do të kërkojë vendin në Botëror përmes plejofit, i cili do të zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm, me shortin që do të tërhiqet të enjten, përcjell albinfo.ch.
Në një shkrim të gjatë të publikuar të mërkurën, Ademi ka dënuar fishkëllimat që iu drejtuan kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe të paarsyeshme. Ai theksoi se individë si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë asete kombëtare dhe ambasadorë të popullit shqiptar, ashtu si edhe artistë të tjerë me famë botërore si Dua Lipa, Rita Ora dhe Ramë Lahaj.
“Granit do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij. Ai është djali i Ragip Xhakës, një familjeje atdhetare që jeton e vepron në Prishtinë, prandaj ne i kemi përkrahur gjithmonë sukseseve dhe karrierës së tij të bujshme”, ka shkruar Ademi.
Ai po ashtu ka sqaruar se fishkëllimat nuk kanë ardhur nga tifo-grupi “Dardanët”, duke shtuar se ndonjëherë gjërat negative janë të pashmangshme në stadiume, por përsëri i ka konsideruar ato të panevojshme dhe të paarsyeshme, duke i krahasuar me reagime të tjera negative edhe kur Kosova shënon rezultate të rëndësishme.
Shkrimin e tij, Ademi e ka përmbyllur me falënderime për përkrahjen e vazhdueshme të tifozëve ndaj lojtarëve të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së tyre për zhvillimin e futbollit në vend.
Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca, ka deklaruar para deputetëve se viti 2025 do të mbahet mend si viti në të cilin shumica humbi kohë duke u përpjekur të formojë institucionet. Ai kërkoi mbështetjen për qeverinë e re që synon ta udhëheqë, duke theksuar se dërgimi i Kosovës sërish në zgjedhje do të ishte “akt arrogancë”, përcjell albinfo.ch.
“Synojmë ta kursejmë Kosovën nga zgjedhjet e reja. Do të ishte arrogancë të shkojmë prapë në votime. Edhe nëse mbahen në dhjetor, kush garanton që nuk do të kemi zgjedhje të reja në mars?”, u shpreh Konjufca, duke rikujtuar se procesi për mandatarin e dytë nisi pas dështimit të Kryesisë së Kuvendit.
Ai theksoi se gjatë mandatit të kaluar institucionet e Kosovës kanë luftuar me sukses strukturat ilegale të Serbisë në veri, të lidhura me krimin dhe kontrabandën. Në planin ndërkombëtar, sipas tij, u arrit liberalizimi i vizave dhe vendi mori tre njohje të reja diplomatike.
“Pa një qeveri të re, Kosova rrezikon thellimin e krizës politike”, u shpreh ai.
Konjufca tha se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë tre hapa për të shmangur zgjedhjet: dërgimin e dy letrave për koalicion te partia e tretë, përpjekjet në Kryesinë e Kuvendit dhe hapin e fundit – prezantimin e qeverisë para Kuvendit.
Nëse merr postin e kryeministrit, ai ka paralajmëruar se prioritetet urgjente do të jenë: buxheti i vitit 2026, marrëveshjet financiare ndërkombëtare, pagesat për RTK-në dhe buxheti i tre komunave.
Konjufca tha se po kërkon nga deputetët të bëjnë atë që, sipas tij, Vetëvendosje kishte bërë në vitin 2020.
“Ne e votuam buxhetin e Avdullah Hotit, jo sepse pajtoheshim politikisht, por sepse nuk donim të shkaktonim krizë. Po të mos e votonim, dëmi më i madh do të binte mbi ushtarët, policët, mësuesit, administratën dhe pensionistët”, tha ai.
Sipas Shoqatës Zvicerane për Strehim dhe Zhvillim Urban, mungesa e strehimit me çmime të përballueshme po thellohet, me një nivel kombëtar të vendeve të lira vetëm 1.0 përqind. Kjo tregon se tregu i banesave në Zvicër po përballet me një mungesë të ndjeshme të apartamenteve të përballueshme për qytetarët, përcjell albinfo.ch.
Situata është veçanërisht shqetësuese në qytetet kryesore, ku qiratë janë rritur ndjeshëm, duke shtyrë kërkuesit e apartamenteve drejt periferisë dhe zonave rurale. Në zonat qendrore, rritja e qirasë pas rinovimeve arrin mesatarisht 50 përqind, ndërsa në zonat urbane të tjera, qiratë janë rritur me 23 përqind, dhe në rajonet rurale me 15 përqind.
Kjo tendencë po krijon presion të madh mbi banorët, duke e bërë strehimin një sfidë gjithnjë e më të madhe për qytetarët zviceranë dhe duke nxjerrë në pah nevojën për politika të qëndrueshme dhe masa të synuara për rritjen e ofertës së banesave me çmime të përballueshme.
Pas shumë vitesh në disavantazh, pasagjerët zviceranë pritet të përfitojnë kompensime më të drejta për fluturimet e vonuara, nëse paketa e re e marrëveshjeve mes Bernës dhe Brukselit, e finalizuar në dhjetor 2024, merr miratimin zyrtar, përcjell albinfo.ch.
Aktualisht, rregullimi është i pabarabartë: një pasagjer nga BE-ja që përjeton një vonesë prej mbi pesë orësh në një fluturim drejt SHBA-ve ka të drejtë të marrë 600 euro kompensim, ndërsa një pasagjer zviceran në të njëjtën situatë nuk përfiton asgjë. Kjo diferencë ka qenë prej kohësh një nga ankesat kryesore të udhëtarëve nga Zvicra.
Me marrëveshjen e re, situata pritet të ndryshojë ndjeshëm. Drafti i paketës së negociuar parashikon që pasagjerët zviceranë të trajtohen njësoj si qytetarët e BE-së, duke fituar të njëjtat të drejta kompensimi për vonesa, anulime dhe probleme të tjera të lidhura me fluturimet.
Nëse marrëveshja miratohet, kjo do të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt barazimit të standardeve të mbrojtjes së pasagjerëve dhe do të eliminojë boshllëkun ligjor që i ka vendosur udhëtarët zviceranë në një pozitë të pafavorshme për një kohë të gjatë.
Pavarësisht marrëveshjes së re tregtare mes Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara, e cila parashikon ulje tarifash dhe detyrimin që Zvicra të importojë 500 ton mish viçi, 1,000 ton mish bizoni dhe 1,500 ton mish shpendësh të klorinuar, supermarketet zvicerane nuk planifikojnë të fusin këto produkte në raftet e tyre, përcjell albinfo.ch.
Marrëveshja ka ngritur shqetësime tek konsumatorët, veçanërisht për cilësinë dhe standardet e mishit amerikan, por zinxhirët kryesorë të shitjes me pakicë në Zvicër kanë siguruar se përparësia e tyre mbetet qartë mishi vendas.
Gjigandi Migros deklaroi se do të vazhdojë “t’i japë përparësi mishit zviceran sa më shumë që të jetë e mundur”, duke theksuar se marrëveshja me SHBA-të nuk do të ndikojë në gamën e produkteve të saj.
Edhe Coop konfirmoi të njëjtën qasje, duke nënvizuar se prioritet mbetet “mishi zviceran”, çka lë pak hapësirë për mish të importuar nga jashtë, e sidomos nga SHBA-të.
Zinxhirët e zbritjeve Lidl dhe Aldi gjithashtu kanë shprehur pak interes për mishin amerikan, po ashtu edhe Denner, dega e Migros, duke bërë të qartë se kërkesa për produkte vendore mbetet më e rëndësishmja.
Në këtë mënyrë, edhe pse Zvicra do të duhet të përmbushë detyrimet e importit sipas marrëveshjes, supermarketet e vendit nuk pritet t’i shesin këto produkte, duke ruajtur standardet dhe preferencat e konsumatorëve zviceranë.
Presidentja e Konfederatës Karin Keller-Sutter dhe Këshilltarja Federale Elisabeth Baume-Schneider, në kuadër të lansimit të fushatës së parë kombëtare, bëjnë thirrje që të mos tolerohet dhuna në familje, dhuna seksuale dhe dhuna me bazë gjinore.
Fushata për parandalimin e dhunës në familje, dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore është zhvilluar nga Zyra Federale për Barazinë e Grave dhe Burrave, në bashkëpunim me një aleancë të gjerë që përfshin nivelin federal, kantonal, komunal dhe organizatat e shoqërisë civile.
Fushata është planifikuar për disa vite dhe u drejtohet grupeve të ndryshme të synimit.
Dhuna në familje, dhuna seksuale dhe dhuna me bazë gjinore shkaktojnë çdo ditë vuajtje të mëdha në Zvicër, me pasoja të rënda për personat e prekur dhe shoqërinë në tërësi. Me këtë fushatë të parë kombëtare, Konfederata forcon masat parandaluese kundër këtyre formave ende shumë të përhapura të dhunës.
Në vitin 2024, policia regjistroi 21 127 vepra penale të lidhura me dhunën në familje – 6% më shumë se vitin paraprak, të cilat përbëjnë rreth 40% të të gjitha veprave penale të regjistruara nga policia. 70% e viktimave ishin gra.
Më shumë se gjysma e vrasjeve në Zvicër ndodhin në ambientin familjar. Sipas organizatave joqeveritare, numri i femicideve është rritur në vitin 2025.
Grupet e synimit janë të ndryshme, por mesazhi mbetet një: Barazia parandalon dhunën
Një nga objektivat kryesore të fushatës është ofrimi i ndihmës së qartë dhe të drejtpërdrejtë për personat e prekur. Fushata zhvillohet në tri faza:
Faza e parë u drejtohet kryesisht viktimave të dhunës,
Faza e dytë personave në rrethin e tyre,
Faza e tretë personave që ushtrojnë ose mund të ushtrojnë dhunë.
Personat e prekur mund të gjejnë informacione, këshilla dhe shërbime mbështetëse të përshtatura për situatat e tyre në faqen e internetit www.ohne-gewalt.ch. Pasi linja kombëtare e ndihmës për viktimat 142 të nisë funksionimin në maj 2026, fushata do ta promovojë këtë shërbim. Qendra telefonike do t’u mundësojë të gjithëve të marrin ndihmë të shpejtë, 24 orë në ditë.
Fushata do të jetë e pranishme në billboard-e në mbarë vendin dhe në rrjetet sociale. Ajo shfaqet në katër gjuhët zyrtare, si edhe në anglisht, spanjisht, portugalisht dhe shqip, si dhe në gjuhë të thjeshtuar.
Slogani i fushatës është: “Barazia parandalon dhunën.
”Fushata synon të tregojë situata të përditshme ku shfaqen pabarazi pushteti dhe shenjat e hershme të dhunës. Pabarazitë strukturore e nxisin dhunën; p.sh., varësia financiare mund ta bëjë shumë të vështirë shkëputjen nga një marrëdhënie toksike. Kur palët e shohin njëra-tjetrën si të barabarta, rritet mundësia që konfliktet të zgjidhen në mënyrë paqësore. Barazia është faktor mbrojtës sepse promovon marrëdhëniet e shëndetshme, dialogun, pavarësinë dhe respektin e ndërsjellë.
Një fushatë e gjerë dhe strategjike
Parandalimi i dhunës në familje, dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore kërkon bashkëpunim të ngushtë mes Konfederatës, kantoneve, qyteteve, komunave dhe organizatave joqeveritare. Shumë institucione dhe organizata të shoqërisë civile kanë kontribuar në zhvillimin e fushatës.
Në konferencën për media morën pjesë, krahas Këshilltares Federale Elisabeth Baume-Schneider, edhe:
Mathias Reynard, President i Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Çështjeve Sociale (SODK),
Stephanie Eymann, anëtare e Konferencës së Drejtoreve Kantonalë të Drejtësisë dhe Policisë (KKJPD),
Anna-Béatrice Schmaltz, përfaqësuese e rrjetit të OJQ-ve të Konventës së Stambollit.
Fushata është pjesë e Strategjisë së Barazisë 2030 të Konfederatës. Ajo është zhvilluar në bazë të një mocioni parlamentar të paraqitur nga senatorja Marianne Maret dhe deputetet Jacqueline de Quattro dhe Tamara Funiciello. Fushata përmbush kërkesat e Konventës së Stambollit, e cila është në fuqi në Zvicër që nga viti 2018, dhe përbën një nga shtyllat e planit të saj të veprimit, i cili fokusohet në shkaqet e dhunës.
Fushata kombëtare plotëson masat e shumta parandaluese që tashmë zbatohen nga niveli federal, kantonal, komunal dhe nga shoqëria civile. Ajo do të shoqërohet me monitorim dhe vlerësim të rregullt, për të matur efektin e saj dhe për të bërë përmirësime të synuara.
Institucionet pjesëmarrëse në zhvillimin e fushatës
Shumë zyra federale (EBG, BAG, BASPO, BSV, EBGB, Armatës)
Konferenca e Drejtorëve Kantonalë të Çështjeve Sociale (SODK)
Konferenca e Drejtorëve Kantonalë të Drejtësisë dhe Policisë (KKJPD), përmes SKP
Konferenca Zvicerane kundër Dhunës në Familje (SKHG)
Konferenca Zvicerane e Zyrave për Barazi (SKG)
Konferenca Zvicerane e Ndihmës për Viktimat (SVK-OHG)
Shoqata Zvicerane e Qyteteve (SSV)
Rrjeti i OJQ-ve për zbatimin e Konventës së Stambollit (përfaqësuar nga OJQ Frieda)
Mbrojtja e Fëmijëve Zvicër
Organizata Ombrellë e Shtëpive të Grave të Zvicrës dhe Lihtenshtajnit (DAO)
Të enjten, më datë 13 nëntor 2025, në Pfaffenhofen u zhvillua ceremonia zyrtare e hapjes së klasës së re të mësimit plotësues në gjuhën shqipe nën organizimin e LAPSH-it. Kjo ngjarje përbën një moment të veçantë për komunitetin shqiptar të zonës dhe përpjekjet e tij për të ruajtur e promovuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar tek brezi i ri, transmeton albinfo.ch.
Klasën e re do ta udhëheqë mësuesja Albana Kasumi-Dashi, e cila u prit me entuziazëm nga prindërit dhe nxënësit. Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e madhe e përkrahjes së prindërve, të cilët me bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre bënë të mundur hapjen e kësaj klase që pritet të shërbejë si një vatër e re e gjuhës shqipe në Gjermani.
Në përfundim të takimit, nxënësit u pajisën me librat shkollorë, duke shënuar kështu fillimin zyrtar të një rrugëtimi të ri arsimor në gjuhën e nënës.
Mësimi zhvillohet çdo të enjte, në orën 13:30, nën kujdesin profesional të mësueses Albana Kasumi-Dashi.
Adresa e zhvillimit të mësimit:
Musikschule – Haus der Begegnung
Hauptplatz 47
85276 Pfaffenhofen a. d. Ilm
Dita e sotme shënon afatin e fundit kushtetues për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, ndërsa skena politike është futur në një moment vendimtar që mund të përcaktojë rrjedhën e zhvillimeve të ardhshme në vend, transmeton albinfo.ch.
Rreth orës 14:00 pritet të nisë seanca e Kuvendit, e cila ka vetëm një pikë të rendit të ditës: votimin për formimin e Qeverisë me mandatar Glauk Konjufcën. Ky votim konsiderohet thelbësor, pasi nga epilogu i tij varet nëse vendi do të ketë ekzekutiv të ri apo do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Nga ana tjetër, partitë që deri tash kanë qenë në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Nisma – kanë paralajmëruar hapur se do të votojnë kundër formimit të Qeverisë. Një rezultat i tillë do të nënkuptonte automatikisht dështim të procesit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja.
Para kësaj seance, Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, të thirrur me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, me synimin për të formuar komisionet parlamentare që do t’i hapnin rrugë shqyrtimit të projektbuxhetit. Mirëpo, seanca nuk pati kuorum, duke bërë që të zhvillohen vetëm fjalime nga deputetët e VV-së dhe një fjalim i deputetit Përparim Gruda nga PDK.
Me tensionet politike në rritje dhe me afatin kushtetues në prag të skadimit, sytë janë drejtuar te seanca e pasdites. Vendimi që pritet të merret sot mund të përcaktojë drejtimin institucional të vendit për muajt e ardhshëm.
“Tri Net Film Fest” hyn në edicionin e katërt në një moment kur dinamika kulturore e diasporës shqiptare në Zvicër po shfaq një pjekuri të re: një horizont ku kinematografia, identiteti dhe dialogu ndërkulturor takohen natyrshëm. Si një platformë që ndërton ura mes autorëve shqiptarë dhe atyre gjermanfolës, ky festival po konsolidohet si pikëtakim i rëndësishëm estetik e profesional, ku forma e shkurtër filmike merr jo vetëm vëmendje, por edhe një hapësirë të qëndrueshme reflektimi. Në këtë kontekst, biseda me Ben Apollonin, regjisor dhe selektor i programit ofron një perspektivë të qartë mbi prurjet e reja dhe rolin që Tri Net Film Fest po fiton brenda komunitetit të artit në diasporë.
albinfo.ch Tri Net Film Fest po hyn në edicionin e katërt, një etapë që zakonisht e konsolidon identitetin kuratorial të një festivali. Si do ta përkufizonit sot rolin, misionin dhe peshën e Tri Net në ekosistemin e filmit të shkurtër shqiptar dhe të diasporës?
Ben Apolloni: Tri Net Film Fest ka filluar me idenë që të jetë pikëtakim i kinematografisë shqiptare dhe asaj gjermanishtfolëse. Dhe për këtë edicion kemi punuar edhe me disa distributorë që na kanë dërguar filma në gjuhën gjermane dhe e kanë pasuruar programin dhe kanë bërë që qëllimi fillestar i festivalit të arrihet. Sigurisht që filmat shqiptarë nuk do të mungojnë kurrsesi dhe besoj që edicioni i katërt do të jetë goxha i pasur me prurje interesante.
albinfo.ch: Motoja “Shkurt në ekran, gjatë në kujtesë” sugjeron një marrëdhënie të ndërgjegjshme me formën e shkurtër. Në këndvështrimin tuaj të orientimit artistik (kuratorial), si prodhohet një përvojë filmike me rezonancë të zgjatur përmes një minutazhi të kufizuar?
Ben Apolloni: Motoja “Shkurt në ekran, gjatë në kujtesë” sugjeron filmin e shkurtër, por nuk kufizohet vetëm në këtë. Ideja është që në programin e “Tri Net Film Fest” do të ketë filma që do t’i shohim për aq sa zgjasin por me idetë dhe formën e tyre të realizimit do të mbesin gjatë në kujtesën tonë.
albinfo.ch: Procesi i seleksionimit të filmave është thelbësor për identitetin e çdo festivali. Cili është kriteri juaj kryesues: fuqia narrative, koherenca estetike, autenticiteti autorial apo efektiviteti i gjuhës vizuale? Çfarë elementi e bën një vepër “të domosdoshme” për programimin zyrtar?
Ben Apolloni: Përzgjedhja e filmave, pra, krijimi i programit të një festivali është ndër proceset më të vështira sepse edhe është pjesa esenciale e një festivali. Mua, si selektor i filmave më ka ra kjo barrë, por si filmofil që jam, nuk kam përtuar të shoh secilin film me kujdes dhe jam munduar që në programin e festivalit të përfshijë filma me përmbajtje interesante e provokative, pa anashkaluar vlerat estetike dhe fuqinë narrative.
albinfo.ch: Gjatë viteve të fundit, një numër në rritje regjisorësh të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut po eksperimentojnë me forma të reja të tregimit filmik. Si e lexoni këtë rrymë të re krijuese dhe cilat prirje po shfaqen si më relevante në raport me publikun bashkëkohor?
Ben Apolloni: Krijimi i një filmi apo çfarëdo lloj vepre artistike kërkon guxim për të provuar forma shprehjesh. E, regjisorët shqiptarë, kudo që krijojnë ata, po duket që po i përcjellin zhvillimet kinematografike botërore dhe nuk po ngurrojnë që të eksperimentojnë me forma. Regjisorët shqiptarë sot mendoj që e kanë vetëm një problem: mungesën e buxhetit, mungesën e një industrie kinematografike shqiptare që do të mundësonte zhvillimin e tyre. E kam thënë me dhjetëra herë që vendi ynë është minierë temash, por për fat të keq mundësitë që këto tema të trajtohen në kinematografi janë të pakta.
albinfo.ch: Në shumë festivale ndërkombëtare, balanca midis garës dhe dialogut artistik është temë qendrore. Si pozicionohet Tri Net Film Fest në këtë dimension: a synon të ndërtojë një identitet garues, apo e sheh vlerën kryesore te dialogu estetik dhe shkëmbimi konceptual midis autorëve?
Ben Apolloni: E kemi diskutuar gjatë punën e çmimeve dhe në fund kemi arritur në përfundim që edhe “Tri Net Film” të ndajë çmime. Por sa më përket mua si regjisor, më e rëndësishme është që filmbërësit shqiptarë dhe ata gjermanishtfolës të krijojnë një “dialog estetik” siç e keni quajtur ju.
albinfo.ch: Organizimi i një festivali në diasporë e bën komunitetin një faktor struktural, jo vetëm emocional. Si ka evoluar ky komunitet rreth Tri Net Film Fest dhe si ka ndikuar në formësimin e profilit të festivalit gjatë këtyre katër edicioneve?
Ben Apolloni: Diaspora shqiptare është e mrekullueshme. E kam thënë edhe në edicionin e kaluar, para të pranishmëve në festival, se Kosova edhe lirinë e saj e ka arritur falë veprimtarisë së jashtëzakonshme të diasporës dhe për këtë duhet t’i jemi falënderues përjetësisht. Unë gëzohem shumë kur takoj komunitetin shqiptar në kinema. Shkuarja në kinema e në teatër është shenjë qytetërimi dhe zemra mal më bëhet kur shoh që kemi një diasporë të qytetëruar në zemër të qytetërimit evropian. Me padurim pres që t’i takoj edhe në edicionin e katërt dhe të dialogojmë për filmin e për kulturën në përgjithësi dhe për mundësitë e rritjes së Tri Net Film Fest.
albinfo.ch: Publiku është një aktor interpretues dhe bashkëkrijues i përvojës filmike. Çfarë pritshmëri keni ndaj audiencës së këtij edicioni dhe si mendoni se do t’i dekodojnë filmat publiku shqiptar dhe ai zviceran, duke marrë parasysh kontekstet e tyre kulturore?
Ben Apolloni: Nuk e di se si do t’i lexojnë filmat e këtij edicioni, por e di që do të kënaqem duke i dëgjuar opinionet e tyre. Këtë po e them nga përvoja e vitit të kaluar, ku publiku i ka lexuar e interpretuar filmat në mënyrë të shkëlqyer.
albinfo.ch: Për regjisorët e rinj që synojnë të prezantohen në edicionet e ardhshme: cilin aspekt të gjuhës filmike apo të qasjes autoriale do të inkurajonit të zhvillojnë, në mënyrë që vepra e tyre të komunikojë më fuqishëm me standardet e festivalit?
Ben Apolloni: Ne nuk kemi përcaktuar kritere speciale, pos që filmat duhet të jenë të metrazhit të shkurtër dhe në gjuhën shqipe ose gjermane. Për aspektet tjera, i kanë duart e lira.
albinfo.ch: Nëse do ta përmblidhnit këtë edicion në një ide themelore, cili do të ishte mesazhi ose gjurma kryesore që dëshironi të mbetet, si në përvojën e publikut, ashtu edhe në kontinuitetin estetik dhe institucional të Tri Net Film Fest?
Ben Apolloni: Ashtu siç është edhe motoja e festivalit, do të doja që filmat që do t’i shohin të mbesin gjatë në kujtesën e publikut dhe të flitet për ta dhe të shërbejnë për të inspiruar për të shkruar e krijuar filma të rinj.
Edicioni i katërt i “Tri Net Film Fest konfirmon” se një festival i lindur në diasporë mund të shndërrohet në traditë dhe në një hapësirë të qëndrueshme dialogu kulturor. Në kulturën shqiptare të Zvicrës, ai po forcon identitetin artistik të komunitetit, krijon ura të reja me publikun dhe nxit autorët të eksperimentojnë më thellë me gjuhën filmike dhe qasjet e tyre krijuese.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se po që se Kuvendi nuk i miraton sot propozimet e rendit të ditës për kreditë dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, Kosova do të humbë miliona euro, përcjell albinfo.ch.
Ai tha se ka shumë shtete që presin të përfitojnë kredi si ato të cilat i ka miratuar qeveria e tij.
Ai ka thënë se komisionet e përhershme duhet të formohen pavarësisht a ka qeveri apo jo.
Po ashtu ai tha se “afatet po ecin” dhe se “koha nuk është burim i ripërtërishëm”.
“Koha kalon në të kaluarën në pakthim. Çdo vonesë e mëtejme e komplikon dhe rrezikon përfitimin dhe zbatimin e fondeve”, ka thënë ai teksa ka folur për Planin e Rritjes dhe Marrëveshjen për reforma me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që sipas Kurtit janë kredi me kamatë zero. “Nëse shkojmë në zgjedhje këto mjete pra 90 milionë euro për të cilat ne kemi punuar e angazhuar, do të humbin, sepse ka shumë shtete tjera presin me krahë të hapur financim të tillë”, ka thënë ai.
Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, është shprehur shumë i kënaqur me barazimin 1:1 ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”, rezultat që e konfirmoi Kosovën në vendin e dytë të grupit dhe në plejofin për Botërorin 2026, përcjell albinfo.ch.
“Jam shumë i lumtur. I gjithë ekipi ka bërë një punë të shkëlqyer. Jemi shumë krenarë, sepse kemi arritur një sukses të rëndësishëm”, tha Asllani pas ndeshjes.
Ai shtoi se tani fokusi kalon te klubi:
“Do të kthehem dhe do të jap maksimumin. Dua të shënoj më shumë, të asistoj, dhe kur të vijë koha do të shohim edhe për një transferim”.
Asllani u shpreh optimist për atë që vjen:
“Në këto kualifikime jemi paraqitur shumë mirë. Mezi pres marsin dhe synimin tonë të madh, sigurimin e Botërorit”.