Lidhja Demokratike e Kosovës tubim me bashkëatdhetarët në Cyrih

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë udhëtuar për në Zvicër, ku kanë organizuar tubim me bashkëatdhetarët atje.

Gjatë pritjes në Cyrih, bashkatdhetarët kanë shprehur mbështetje për Osmanin, duke u ngritur në këmbë, teksa në sallë dëgjoheshin thirrjet dhe duartrokitje në përkrahje të saj, ku të pranishmit po brohorasin emrin “Vjosa, Vjosa”.

Pas tubimit, Abdixhiku dhe Osmani kanë publikuar pamje nga takimet me mbishkrimin e njëjtë: “Faleminderit”, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri i Shqipërisë: Më 26 maj në Bruksel hapim fazën përfundimtare të negociatave me BE-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se më 26 maj Shqipëria do të çelë zyrtarisht fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, pas përmbylljes me sukses të fazës hyrëse të procesit.

Ai theksoi se “shënimi i shënimeve është ai që lidhet me ballafaqimin mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare në Bruksel, për raportin e detyrave të kryera nga Shqipëria pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave”.

Rama përmendi protestat dhe incidentet në Tiranë, të cilat sipas tij synonin të dëmtonin imazhin e vendit në sytë e partnerëve evropianë ndërsa tha se opozita pretendonte se rruga europiane e Shqipërisë ishte bllokuar dhe se qeveria ishte izoluar, por shtoi se zhvillimet në Bruksel dëshmuan të kundërtën, transmeton albinfo.ch.

“Ai ballafaqim mori kohën e vet, në ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës. Mblidh benzinë e hidh bombë artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan po ashtu kanaleve e portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët. Mblidh e hidh jargë urrejtjeje politike, pasqyrë më pasqyrë, u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi proverbial krejt edhe ajo çka ndodhi me të ashtuquajturën vizitë treditore në Ministrinë e Jashtme në Berlin.

“Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të. Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari”, tha Rama shkruan ATSh.

Sipas Ramës, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE do të vulosë kalimin në fazën finale të negociatave, ndërsa theksoi objektivin që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian brenda kësaj dekade.

“Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar”, tha Rama.

Ish-bankieri zviceran përballet me akuza për evazion fiskal prej 1 milion CHF

Pierin Vincenz, ish-drejtori ekzekutiv i grupit bankar zviceran Raiffeisen, duhet të paguajë një gjobë prej gati 1 milion CHF për evazion fiskal, sipas gazetës SonntagsZeitung.

Raportohet se Gjykata Federale Zvicerane e ka dhënë këtë dënim në një vendim që është parë nga grupi i gazetave Tamedia. Procedura ishte e panjohur më parë sepse gjyqet tatimore në Zvicër nuk janë publike.

Vincenz dyshohet se nuk ka deklaruar 3.4 milion CHF në deklaratën e tij tatimore. Përveç gjobës, ai përballet edhe me taksa të prapambetura, sipas SonntagsZeitung.

Vincenz i mohoi akuzat gjatë procedurave teksa ish-drejtori ekzekutiv i Raiffeisen u ekspozua pasi hetuesit tatimorë nga kantoni Appenzell Outer Rhodes lexuan një padi penale të Cyrihut dhe zbuluan pagesa të dyshimta.

Në vitin 2022, Vincenz dhe partnerë të tjerë të biznesit u shpallën fajtorë për mashtrim dhe përvetësim, por pas paraqitjes së apeleve, çështja është ende në vazhdim në Cyrih. Vendimi më i fundit nga Gjykata Supreme e Zvicrës në shkurt 2025, i cili ishte kundër Vincenz, e ka bërë gjobën tatimore prej 1 milion CHF ligjërisht të detyrueshme, raporton SonntagsZeitung, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Vincenz mbetet në gjyq për dyshimin e pasurimit të vetes gjatë një serie blerjesh ndërsa shërbente si Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen. Seanca e ardhshme dëgjimore e apelit është planifikuar për në gusht.

Kryeministri maqedonas për provimin jurisprudencës: Shumë shpejt do të vijmë tek zgjidhja

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski duke folur në kishën “Shën Sofia” në Ohër, në akademinë solemne me rastin e Ditës së iluministëve mbarësllavë “Shën Kirili dhe Metodi”, deklaroi se është i gatshëm të diskutohet përdorimi i gjuhëve në provimin e jurisprudencës, duke theksuar se nuk ka pengesë që edhe komunitetet të kenë të drejtën të përparojnë dhe të përdorin gjuhën e tyre, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore.

Tutje ai ka deklaruar se arsimi është çelësi i zhvillimit dhe se vendimet në këtë drejtim duhet të tejkalojnë interesat politike dhe të shmangin “grackat nacionaliste”, duke paralajmëruar se së shpejti mund të arrihet një zgjidhje që të jetë e pranueshme për të gjithë, raporton tv21, transmeton albinfo.ch.

“Sado që të na tërheqin temat ditore, është e rëndësishme që të përkushtohemi në disa prej tyre. Sado që të ketë politike dhe interesa në prapavijë në imponimin e temës për përdorimin e gjuhëve në dhënien e provimit të jurisprudencës, unë jam i gatshëm dhe në mënyrë të caktuar më vjen mirë që përfundimisht mund të flasim për arsim, por bisedat patjetër duhen vendosur në prizmin e duhur. Unë jam i gatshëm të ndihmoj në çdo proces që do të nënkuptonte arsim më të mirë dhe më të fortë. Konsideroj se dera e mundësive dhe dalje e shpëtimi i çdokujt, siç përmenda, është pikërisht arsimi i fortë. Kjo na bën më të fortë. Kjo mund ta ndërtojë të ardhmen tonë. Shansi i vetëm për sukses është mësimi, përkushtimi dhe hapja e perspektivave të reja. Nuk kam asnjë pengesë të flitet për temat që sot janë aktuale dhe çdo komunitet ta ketë të drejtën të përparojë dhe përdorë gjuhën e tij, kuptohet derisa kjo është në kornizë të Kushtetutës, ligjeve, dhe derisa respektohet vula jonë identitare – gjuha maqedonase. Andaj shumë shpejt do të vijmë në një zgjidhje që të gjithë duhet ta mbështesim dhe që do t’i kapërcejë mbi interesat dhe tendencat individuale partiake dhe ndoshta politike që të ngecim në edhe në një grackë nacionaliste, e historia na mëson se të tilla gracka janë metoda më e mirë e atyre që kanë interesa personale kriminale ose të tjera dhe që rregullisht fshihen prapa temave të këtilla, që janë mbulesë e qëllimeve të vërteta që të keqpërdoret bashkëjetesa dhe të krijohen pengesa”, tha ai.

E para e BE-së del me reagim për marrëveshjen e mundshme mes SHBA-së dhe Iranit

Presidentja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen ka reaguar pas raportimeve për një marrëveshje të mundshme mes SHBA-së dhe Iranit.

Ajo ka mirëpritur përparimin drejt një marrëveshjeje midis SHBA-së dhe Iranit teksa tha se marrëveshja duhet “vërtet” të çtensionojë konfliktin, ndërkohë që rihap edhe Ngushticën e Hormuzit, duke lejuar lirinë e lundrimit, transmeton albinfo.ch.

Von der Leyen ka përsëritur kërkesat që Iranit të mos i lejohet të zhvillojë një armë bërthamore dhe që vendi duhet t’i japë fund destabilizimit të rajonit, qoftë drejtpërdrejt ose përmes përfaqësuesve të tij.

“Evropa do të vazhdojë të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të shfrytëzuar këtë moment për një zgjidhje diplomatike të qëndrueshme”, tha ajo.

Rriten kostot e riparimit të tunelit hekurudhor Gotthard

Kostoja e rinovimeve të infrastrukturës hekurudhore në Tunelin Bazë Gotthard mund të tejkalohet me disa milionë franga. Kjo po shkaktohet nga vonesat në zëvendësimin e sistemit të komunikimit radio të tunelit, raporton gazeta SonntagsBlick.

Sistemi i komunikimit radio i tunelit u lejon makinistëve të trenave të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të kontaktojnë qendrën e operacioneve me telefon. Ai gjithashtu u lejon pasagjerëve të vazhdojnë të shfletojnë internetin dhe të bëjnë telefonata, madje edhe thellë brenda Masivit Gotthard.

Me jetëgjatësinë e sistemit që po i afrohet fundit, ai duhet të ishte zëvendësuar gjatë punimeve të planifikuara të mirëmbajtjes midis viteve 2024 dhe 2026. Megjithatë, kjo punë është vonuar ndjeshëm, sipas SonntagsBlick, e cila i referohet platformës së tenderit qeveritar, transmeton albinfo.ch.

Këto vonesa thuhet se lidhen me disa faktorë, duke përfshirë problemet teknike dhe organizative me furnizuesin e jashtëm, si dhe aksesin e ndërlikuar në tunel.

Braktisja e projektit po konsiderohet madje si një alternativë.

Hekurudhat Federale Zvicerane duhet të zgjasin me dy vjet kontratat me operatorin e instalimit aktual, me mundësinë e zgjatjes së kësaj zgjatjeje deri në gjashtë vjet.

Kostoja maksimale e planifikuar tejkalon 4.6 milionë CHF. Megjithatë, operatori hekurudhor vëren se një pjesë e kësaj shume korrespondon me shpenzimet operative që do të duhej të kryheshin gjithsesi.

Një oficer policie u lëndua gjatë trazirave në Cyrih

Oficerët e policisë u qëlluan me shishe dhe gurë, duke lënë një të plagosur, ndërsa një trazirë doli jashtë kontrollit në Cyrih gjatë fundjavës.

Policia u detyrua të qëllonte me plumba gome dhe të përdorte sprej në orët e para të mëngjesit të së dielës. Policia u thirr për shkak të një shqetësimi të raportuar nga zhurma. Një patrullë që mbërriti pak pas orës 2:30 të mëngjesit u qëllua me shishe dhe gurë nga një grup i madh.

Policia më pas u tërhoq, kërkoi përforcime dhe përdori plumba gome dhe sprej.

Përforcimet përdorën një top uji dhe qen për të ndaluar protestuesit, shkruan swissinfo. Një oficer policie u godit nga një objekt që rezultoi në lëndime, transmeton albinfo.ch.

Një makinë policie u dëmtua gjithashtu para se grupi të shpërndahej përfundimisht.

Kurti takim me studentët shqiptarë në Zvicër

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentë shqiptarë në Zvicër, ku ka diskutuar për çështje kombëtare, historinë, arsimin dhe të ardhmen.

Kurti tha se takimi ishte i ngrohtë dhe i afërt me studentë shqiptarë nga të gjitha trevat, transmeton albinfo.ch.

“Në Zvicër, në një bashkëbisedim fort të ngrohtë e të afërt me studentë të zotë shqiptarë nga të gjitha trevat, folëm për lëvizjet dhe çështjen kombëtare, historinë e shkencën, librin, arsimin dhe të ardhmen”, ka shkruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe disa nga veprat që janë diskutuar dhe rekomanduar gjatë takimit.

“‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet’ e Sami Frashërit, ‘Filozofia politike e çështjes shqiptare’ e Ukshin Hotit, ‘Kosova’ e Noel Malcolm-it, ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’ e Fan Nolit, si dhe botime për Gjergj Kastriotin, nga Marin Barleti e deri te Aurel Plasari, janë librat për të cilët diskutuam dhe i këshillova t’i lexojnë”, ka shkruar Kurti.Ai theksoi se arsimi cilësor është forma më e lartë e patriotizmit.

“Forma më e lartë e patriotizmit është arsimi cilësor dhe në këtë frymë në universitetet publike, institucionet shtetërore dhe pesë gjimnazet e reja të specializuara që do t’i bëjmë synojmë të përfshijmë edhe kuadro nga mërgata. Kësisoj forcojmë lidhjen, por edhe sjellim përvojën dhe ekspertizën e bashkatdhetarëve tanë”, ka shkruar Kurti.

Takimi është organizuar nga Shoqata Studenti “Zürich” dhe Federata e Studentëve Shqiptar në Zvicër.

Prishtina lanson platformën online për largimin falas të mbeturinave

Pas një shërbimi të ri të lansuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, banorët e kryeqytetit të Kosovës tashmë do ta kenë më të lehtë largimin e mbeturinave vëllimore nga shtëpitë e tyre.

Përmes platformës online “mbeturinat.com”, qytetarët mund të caktojnë termin për marrjen e mobiljeve të vjetra, frigoriferëve të prishur, tavolinave dhe sendeve të tjera që nuk u nevojiten më, teksa sipas njoftimit, qytetarët duhet vetëm të hyjnë në platformë, të zgjedhin ditën e përshtatshme dhe të rezervojnë termin online, ndërsa ekipet e komunës do të shkojnë deri te dera për t’i marrë mbeturinat falas, transmeton albinfo.ch.

Bëhet thirrje nga Komuna e Prishtinës që mbeturinat vëllimore të mos lihen pranë kontejnerëve apo në rrugë, pasi ky shërbim synon të lehtësojë menaxhimin e mbeturinave dhe të mbajë qytetin më të pastër.

SHBA dhe Irani afër marrëveshjes

Një marrëveshje paraprake mes Iranit dhe SHBA-së mund të shpallet së shpejti nën emrin “Deklarata e Islamabadit”, raporton Al Arabiya duke cituar burime të rëndësishme në Islamabad.

Sipas raportimeve, marrëveshja do të marrë formën e një memorandumi mirëkuptimi, i cili do të shërbejë si bazë për negociata të mëtejshme mbi një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve për çështjet ende të pazgjidhura.

Burimet thanë se Pakistani do të shpallë zyrtarisht memorandumin pa praninë direkte të delegacioneve negociuese nga Uashingtoni dhe Teherani.

Më pas, të dyja palët pritet të dërgojnë krerët e delegacioneve të tyre përkatëse kur të nisin negociatat për marrëveshjen finale, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Sipas Al Arabiya, raundi i ardhshëm i bisedimeve mund të zhvillohet më 5 qershor, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga palët e përfshira.

Raporti vjen në një moment tensionesh të vazhdueshme mes SHBA-së dhe Iranit lidhur me programin bërthamor iranian dhe sanksionet ekonomike, ndërsa përpjekjet diplomatike për një marrëveshje të re duket se po intensifikohen.

Haradinaj “dorëzon stafetën” tek Ardian Gjini

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po mban kuvendin e saj zgjedhor, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë, pas 26 vitesh udhëheqje nga Ramush Haradinaj.

Në këtë ngjarje, Haradinaj ka shprehur mirënjohje për anëtarët e partisë dhe ka falënderuar mbështetjen ndër vite, duke uruar edhe kandidatin Ardian Gjinin, i cili pritet të marrë drejtimin e AAK-së.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Haradinaj ka kujtuar rrugëtimin e tij politik dhe ushtarak, duke përmendur shërbimin në UÇK dhe angazhimin e tij politik pas luftës, transmeton albinfo.ch.

“Me zemër ju uroj sot kuvendin e dhjetë zgjedhor, ju uroj juve Aleancës, por edhe Kosovës edhe kombit. Nga mosha e re, që fëmijë, e deri në 31 vjeç, shërbimin ndaj atdheut e kam bërë si shërbim për çlirim, e kam pasur nder të jem ushtar dhe komandant i UÇK-së. UÇK faleminderit për jetë, faleminderit UÇK, faleminderit bashkëluftëtarë, faleminderit. Nga viti 2001, nga mosha ime 32 vjeç, kam shërbyer Kosovën dhe kombin si kryetar i Aleancës, si prijës juaj. Kam pasur nderin të zgjidhem deputet në çdo legjislaturë, kam pasur nderin të zgjidhem kryeministër dy herë me mbështetjen tuaj. Faleminderit Aleancë, faleminderit për rrugëtimin bashkë. Nga sot do të vazhdoj t’i shërbej Kosovës dhe kombit si njëri nga ju. Shërbimi për Kosovën nuk përfundon kurrë. Përjetë me ju Aleancë. Faleminderit shqiptarëve ndër breza për sakrificën për liri dhe shtet. Faleminderit Amerikë, faleminderit aleatëve tanë. Sot kryetar Ardian, ne besojmë në ty, besojmë të jesh prijësi ynë, të jesh prijësi i Kosovës, i listës sonë më të mirë. Ashtu siç i kam besuar vetes në rrugëtimin tim, ashtu i besoj Ardianit. Përjetë me ty Ardian, përjetë Aleanca”, tha Haradinaj.

Pse Kupa e Botës në SHBA mund të dështojë?

Një raport i American Hotel & Lodging Association (AHLA) zbuloi se rezervimet janë shumë më poshtë pritshmërive në thuajse të gjitha qytetet pritëse.

AHLA tha se kjo nuk përputhet me deklaratat e FIFA, sipas së cilës janë shitur më shumë se 5 milionë bileta, duke sjellë rrezikun që “rritja ekonomike e parashikuar mund të mos konkretizohet”.

AHLA është shoqata më e madhe e hoteleve në Shtetet e Bashkuara, që përfaqëson më shumë se 32 mijë struktura dhe më shumë se 80% të të gjithë hoteleve me franshizë.

Raporti i saj ia hedh pjesërisht fajin FIFA-s, duke e akuzuar organin qeverisës të futbollit botëror për rezervimin e një numri të lartë dhomash për përdorim të vetin, duke krijuar kështu kërkesë të rreme.

Sipas AHLA, kjo solli çmime artificialisht të larta, të cilat pasi FIFA anuloi një numër të madh dhomash, janë zëvendësuar nga mungesë oferte të disponueshme. FIFA deklaroi se nuk e njeh këtë akuzë, transmeton albinfo.ch.

Hotelet thanë se çmimet e larta të biletave të ndeshjeve, kostot e transportit lokal dhe taksave, si dhe sfondi politik i kanë dekurajuar vizitorët. Për hotelet, kjo Kupë Bote mund të dështojë.

Rezervimet e FIFA kanë “krijuar kërkesë artificiale”

AHLA tha se hotelet kanë kaluar vite për t’u përgatitur dhe kanë bërë “investime të konsiderueshme” mbështetur në parashikimet zyrtare.

Një studim i porositur nga FIFA dhe i publikuar vitin e kaluar, parashikonte që, në Shtetet e Bashkuara, Kupa e Botës mund të krijonte 185.000 vende pune, duke shtuar 17.2 miliardë dollarë në Produktin e Brendshëm Bruto.

Hotelet po përgatiteshin për të pritur një fluks udhëtarësh ndërkombëtarë, të cilët rezervojnë qëndrime më të gjata dhe me shpenzime më të mëdha.

Por AHLA tha se një numër më i ulët tifozësh të huaj “kërcënon ndikimin ekonomik më të gjerë”, pak më shumë se tre javë nga ndeshja hapëse më 11 qershor.

AHLA deklaroi se rezervimet në shkallë të gjerë nga FIFA në të gjitha qytetet “ndikuan te parashikimet e të ardhurave, planet e personelit dhe përgatitjet”.

Kjo politikë rezervimesh, sipas AHLA, “ka krijuar një kërkesë të rreme” dhe ka maskuar faktin se fluksi turistik do të jetë më i ulët se parashikimet.

Sipas AHLA, deri në 70% e dhomave të rezervuara nga FIFA në Boston, Dallas, Los Anxhelos, Filadelfia dhe Siatëll janë anuluar.

Në një deklaratë, FIFA hodhi poshtë pretendimet e AHLA-s dhe tha se kishte respektuar marrëveshjet e bëra me rrjetet e hoteleve. “Të gjitha lirimet e dhomave janë bërë duke respektuar afatet e marrëveshjes me hotelet partnere: një praktikë standarde për një ngjarje të këtyre përmasave”, deklaroi një zëdhënës i FIFA-s.

“Gjatë gjithë procesit të planifikimit, ekipi i FIFA, i ngarkuar me prenotimet, ka kryer bisedime të vazhdueshme me palët e interesuara të hoteleve, duke përfshirë aspektet e paketës së dhomave, marrëveshjet për çmimet, llojet e dhomave dhe duke raportuar rregullisht, të mbështetura nga mbledhje të hapura dhe komunikimi i vazhdueshëm”.

Çmimet u rritën ndjeshëm pas hedhjes së shortit, menjëherë sapo tifozët mësuan se në cilat qytete do të ishin ekipet e tyre. Që prej atëherë është regjistruar një rënie graduale, sipas asaj që bëhet e ditur me një 20% të mëtejshëm në javët e fundit.

Megjithatë, mund të jetë shumë vonë për të tërhequr sërish tifozë. Çmimet e hoteleve në qytete si Boston janë më të larta se 300 dollarë/nata, dhe pjesa më e madhe e tifozëve kanë një buxhet më të ulët.

AHLA deklaroi për BBC Sport se “parashikon një rritje të rezervimeve në muajt qershor dhe korrik”.

“E dimë se shumë tifozë po presin ende që të qartësohen biletat dhe oraret përpara se të finalizojnë planet” – tha një zëdhënës.

“Mendojmë se rezervimet do të rriten në javët e ardhshme. Hotelet janë gati të mirëpresin tifozët dhe t’u japin përvojën më të mirë të mundshme”.

Airbnb thotë se Kupa e Botës është në rrugën e duhur për t’u bërë “ngjarja më e madhe pritëse në historinë e Airbnb”, duke kaluar Lojërat Olimpike dhe Paralimpike në Paris, në vitin 2024.

Megjithatë, duket e pamundur që Kupa e Botës të sjellë të ardhurat që parashikoheshin.

 

Piloti pëson sulm në zemër, panik te pasagjerët

Një fluturim i linjës ajrore britanike Jet2, me 220 pasagjerë në bord, u detyrua të bëjë një ulje emergjente në Porto të Portugalisë, pasi piloti pësoi një atak në zemër gjatë fluturimit nga Tenerife drejt Birminghamit.

Sipas raportimeve, incidenti ndodhi në rreth 30,000 metra lartësi, duke shkaktuar momente paniku në kabinë. Ekuipazhi i avionit reagoi menjëherë, duke kërkuar ndihmë mjekësore mes pasagjerëve, ndërsa bashkëpiloti mori kontrollin e avionit dhe nisi uljen emergjente.

Dëshmitarët kanë përshkruar skena të tensionuara gjatë zbritjes së shpejtë të avionit. Një pasagjer për “The Sun” tha se shumë udhëtarë u zgjuan të tronditur nga situata, ndërsa stjuardesat po kërkonin një mjek në bord dhe fëmijët po qanin nga frika, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

“Ne ishim në gjumë kur filloi kaosi. Dritat u ndezën dhe ekuipazhi dukej shumë i shqetësuar,” tha ai.

Avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Portos në orën 02:11 të mëngjesit të së premtes. Piloti u dërgua menjëherë në spital për trajtim mjekësor, ndërsa pasagjerët u transportuan më pas drejt Mbretërisë së Bashkuar me një fluturim zëvendësues dhe ekuipazh të ri.

Linja ajrore Jet2 deklaroi se siguria e pasagjerëve nuk ishte rrezikuar në asnjë moment dhe kërkoi falje për shqetësimin e krijuar, duke ofruar gjithashtu ndryshime falas për udhëtarët në fluturimet e ardhshme.

Pse Gjermania po bëhet gjithnjë e më pak tërheqëse për investitorët e huaj

Franca dhe Mbretëria e Bashkuar qëndrojnë më mirë në këtë aspekt. Pengesat kryesore që po ndikojnë negativisht në investimet në Gjermani janë disa faktorë, përfshirë taksat e larta, kostot e larta të fuqisë punëtore, energjia e shtrenjtë dhe burokracia.

Kompanitë e huaja njoftuan më pak projekte investimi në këtë vend, për të tetin vit radhazi, duke shtuar shqetësimet për rënien e atraktivitetit të vendit si destinacion biznesi, sipas një studimi të publikuar nga kompania konsulente EY, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit, numri i projekteve të shpallura ra me 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke zbritur në 548 projekte, niveli më i ulët që nga viti 2009.

Gjermania u rendit e treta në Evropë për investime të huaja, pas Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Franca tërhoqi 852 projekte investimi të huaja, ndërsa Britania regjistroi 730 projekte, megjithëse të dyja vendet shënuan rënie më të mëdha në përqindje sesa Gjermania.

Në nivel evropian, investitorët e huaj shpallën 5 mijë e 26 projekte të reja ose të zgjeruara gjatë vitit të kaluar, një rënie prej 7 për qind krahasuar me një vit më herët, sipas EY-së.

Sipas raportit Gjermania po humb terren ndaj vendeve konkurruese evropiane, të cilat kanë avancuar me reforma si digjitalizimi i administratës publike dhe thjeshtimi i sistemit tatimor. Në arenën ndërkombëtare është përhapur gjithnjë e më shumë perceptimi se Gjermania nuk po arrin të zbatojë reforma, ndërsa imazhi i saj si një vend i fuqishëm dhe i sigurt për biznes po zbehet, duke e bërë të domosdoshme ndërmarrjen urgjente të masave kundër kësaj situate.

Muriqi me 23 gola, por Mallorca bie nga La Liga

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi me Mallorcan nuk kanë arritur ta sigurojnë mbijetesë në elitën spanjolle.

Mallorcas nuk i mjaftoi fitorja 3:0 ndaj Real Oviedos të shtunën mbrëma në xhiron e fundit. Mallorca edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Mallorca e përfundon kampionatin në vendin e 18-të me 42 pikë. Muriqi e shënoi golin e tretë në minutën e 88-të në fitoren ndaj Oviedos, transmeton albinfo.ch.

Sulmuesi i Kosovës e përfundon kampionatin si golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga me 23 gola. Muriqi ka bërë një edicion shumë të mirë por forma e tij nuk mjaftoi që Mallorca ta siguronte mbijetesën.

32-vjeçari Muriqi krahas 23 golave ka kontribuar edhe me një asistim. Vetëm Kylian Mbappe pati gola më shumë (25).

Bashkë me Mallorcan, ra edhe Girona. Oviedo e kishte prerë biletën për në kategorinë e dytë spanjolle më herët.

Rusia sulmon kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev

Një tjetër sulm masiv rus me raketa balistike dhe dronë ka tronditur Ukrainën gjatë natës së fundit, duke goditur edhe kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev.

Lajmi është bërë publik nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili reagoi ashpër përmes një postimi në rrjetin X, transmeton albinfo.ch.

Sipas Hoxhës, sulmi ka vënë në rrezik serioz jetën e ambasadorit shqiptar, duke e cilësuar ngjarjen si “plotësisht të papranueshme”. Shqipëria dënoi sulmet ndaj objektivave civile në Ukrainë dhe akuzoi Rusinë për shpërfillje totale të jetës njerëzore dhe të drejtës ndërkombëtare.

“Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të kostos njerëzore të agresionit rus”, deklaroi ministri.

Në reagimin e tij, Hoxha theksoi se lufta e nisur nga Rusia ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në Ukrainë, duke goditur vazhdimisht infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe banesat civile, por pa arritur të thyejë qëndresën e popullit ukrainas.

Ai përsëriti thirrjen që Rusia të ndalë menjëherë sulmet, t’i japë fund luftës dhe të rikthehet në tryezën e negociatave, duke respektuar ligjin ndërkombëtar.

Shqipëria, sipas ministrit, do të vazhdojë të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa personat përgjegjës për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme shqiptare ka thirrur për shpjegime ambasadorin e Federatës Ruse në Shqipëri pas këtij incidenti.

Premtimi i Kurtit para mërgimtarëve në Cyrih

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në tubimin me mërgatën shqiptare në Zvicër, premtoi se mandati i ardhshëm qeverisës do të fokusohet në rritjen e sigurisë, mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, duke e cilësuar qeverinë si “shërbim për publikun dhe jo privilegj për pakicën”.

Para bashkatdhetarëve, Kurti tha se prioritet do të mbetet puna për qytetarin, mbështetja e familjeve dhe forcimi i shtetit, ndërsa premtoi vazhdimin e politikave sociale për uljen e varfërisë dhe pabarazisë.

Ai paralajmëroi edhe një paketë prej 1 miliard eurosh garanci sovrane, që sipas tij do të përdoret për të garantuar investime private në fabrika dhe prodhim, me synim zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Kurti theksoi se qeveria e tij “nuk subvencionon pasurinë, por punën që e krijon pasurinë”, duke premtuar më shumë mbështetje për ndërmarrësit dhe prodhuesit vendorë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti  ka thënë se mërgimtarëve iu pengon ndotja e ajrit, dhe se për këtë arsye mes tjerash, po vendosen filtera në termocentralin Kosova B, transmeton albinfo.ch.

Gjatë këtij tubimi, Kurti u shpreh:

“Do të përqendrohemi në sigurinë dhe rritjen energjetike të Kosovës, konkretisht në termocentralet e KEK-ut po vazhdojnë investimet që e sigurojnë për 20 vitet e ardhshme. Do ta rrisim kapacitetin e prodhimit dhe do ta ulim ndotjen në përputhje me standard të BE-së.

Filterët që do të vendosën në Kosova B do ta ulin emetimin e pluhurit për 97 për qind dhe emetimin e oksideve të azotit për 76 për qind, se e di që ju bashkatdhetarë kur vini në vendlindje ndotja që ekziston te ne, iu pengon shumë”, theksoi Kurti.

Në fund, ai u bëri thirrje mërgimtarëve për mobilizim në zgjedhjet e 7 qershorit, duke përsëritur sloganin: “Krejt për shtet, shtet për krejt”

Reagon edhe Trump pas ngjarjes pranë Shtëpisë së Bardhë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi pas incidentit të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, ku një 21-vjeçar u qëllua për vdekje nga oficerët e Shërbimit Sekret pasi tentoi të hynte në kompleksin presidencial.

Në një postim në Truth Social, Trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe forcat e rendit për reagimin e shpejtë dhe profesional ndaj personit të armatosur, për të cilin tha se kishte një histori dhune dhe një “obsesion të mundshëm” me Shtëpinë e Bardhë.

“Falënderojmë Shërbimin Sekret të mrekullueshëm dhe Zbatimin e Ligjit për veprimin e shpejtë dhe profesional që ndërmorën sonte kundër një personi të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili kishte një histori të dhunshme dhe një obsesion të mundshëm me ndërtesën më të dashur të kombit tonë”, shkroi Trump, transmeton albinfo.ch.

Presidenti amerikan e lidhi ngjarjen edhe me shqetësimet për sigurinë në Uashington, duke theksuar se incidenti tregon nevojën për krijimin e hapësirave edhe më të sigurta për presidentët amerikanë në të ardhmen.

Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite jashtë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë, kur 21-vjeçari tentoi të kalonte përmes një pike kontrolli sigurie. Oficerët e Shërbimit Sekret iu kundërpërgjigjën me armë zjarri, duke e vrarë sulmuesin në vend. Gjatë incidentit mbeti i plagosur rëndë edhe një kalimtar.

Pas të shtënave, alarmet u aktivizuan brenda dhe jashtë kompleksit presidencial. Gazetarët që ndodheshin në sallën e shtypit u urdhëruan të qëndronin të mbuluar për rreth 40 minuta, ndërsa zona u izolua nga forcat e sigurisë.

Korrespondentja e ABC News, Selina Wang, e cila ndodhej pranë vendngjarjes, regjistroi momentin e sulmit me telefonin e saj celular. Në videon e publikuar në rrjetin social X dëgjohen dhjetëra të shtëna dhe zëra që u bërtasin njerëzve të shtrihen në tokë për t’u mbrojtur.

Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbuluar motivet e autorit dhe për të verifikuar nëse ai kishte bashkëpunëtorë të tjerë. Ndërkohë, masat e sigurisë rreth Shtëpisë së Bardhë mbeten të përforcuara.

Shumica e nxënësve të shkollave fillore zvicerane kanë rezultate të mira

Shkollat ​​zvicerane duket se po ia dalin mbanë në detyrën e tyre më themelore. Sipas një vlerësimi mbarëkombëtar të publikuar nga Konferenca Zvicerane e Ministrave Kantonalë të Arsimit, shumica dërrmuese e fëmijëve në vitin e katërt të shkollimit HarmoS – ekuivalenti i klasës së dytë në shkollën fillore – përmbushin standardet kombëtare në matematikë dhe aftësi gjuhësore, transmeton albinfo.ch.

Sondazhi, i kryer në vitin 2024 midis 20,000 nxënësve, është pjesë e përpjekjes së gjatë të Zvicrës për të harmonizuar standardet e arsimit në të gjitha kantonet e saj të autonomisë ekstreme. Rezultatet janë qetësuese. Rreth 87% e nxënësve arritën nivelin e pritur në të kuptuarit me gojë, ndërsa 79% e arritën këtë në të kuptuarit e leximit dhe 76% në matematikë.

Christophe Darbellay, president i konferencës së ministrave të arsimit, i tha RTS se gjetjet justifikojnë vitet e reformës. Në shkollë, gjëja kryesore është të lexosh, të shkruash dhe të numërosh, tha ai.

Ndoshta më e rëndësishmja në një vend federal që shpesh karakterizohet nga pabarazi rajonale, studimi nuk gjeti dallime të mëdha midis kantoneve. Njëzet vjet pasi votuesit zviceranë miratuan një reformë kushtetuese të hartuar për të koordinuar politikën arsimore në të gjithë vendin, përpjekja e harmonizimit duket gjerësisht e suksesshme.

Megjithatë, raporti gjithashtu ekspozoi dallime. Gjinia bën pak ndryshim në këtë moshë: djemtë dhe vajzat performojnë në mënyrë të ngjashme. Megjithatë, sfondi social ka shumë rëndësi. Fëmijët nga familjet në disavantazh performojnë dukshëm më keq, veçanërisht kur varfëria përkon me migrimin dhe disavantazhin gjuhësor.

Studimi zbuloi se nxënësit që kombinojnë disa faktorë rreziku – status më të ulët shoqëror, një sfond migrues dhe një gjuhë të huaj që flitet në shtëpi – arrijnë objektivat kombëtare vetëm rreth gjysmën e kohës, madje edhe në matematikë. Në të kundërt, fëmijët nga sfonde më të favorizuara kanë sukses në afërsisht 90% të rasteve.

Raporti vëren se faktorë të tillë rrallë veprojnë të izoluar. Kushtet sociale, gjuhësore dhe migratore kanë tendencë të përforcojnë njëra-tjetrën, duke prodhuar disavantazhe kumulative që shkollat ​​​​luftojnë t’i kompensojnë.

Rezultatet relativisht të forta midis nxënësve më të vegjël janë gjithashtu në kontrast të thellë me një studim të mëparshëm të botuar në vitin 2025, i cili zbuloi mangësi shqetësuese në fund të shkollimit të detyrueshëm. Në Zvicrën frëngjishtfolëse, vetëm 41% e nxënësve në vitin e fundit përmbushën objektivat e drejtshkrimit, duke bërë që disa kantone të ringjallin ushtrimet e diktimit të modës së vjetër në një përpjekje për të rivendosur standardet.

Kontrasti sugjeron që shkollat ​​e Zvicrës janë mjaft efektive në mësimdhënien e aftësive bazë në vitet e para. Sfida e tyre më e madhe mund të jetë ruajtja e performancës ndërsa nxënësit rriten.

Zvicra pothuajse vendi më i keq në Evropë për kontrollin e duhanit

Renditja, e nxjerrë në pah nga Shoqata Zvicerane për Kontrollin e Duhanit, e vendos Zvicrën përkrah disa vendeve të Evropës Lindore dhe të Ballkanit, si dhe Italisë, në vend që të renditet midis vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

Në krye të tabelës janë Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda, të cilat kanë miratuar masa gjithnjë e më agresive kundër pirjes së duhanit gjatë dekadës së fundit.

Ndër fqinjët e Zvicrës, Franca performon veçanërisht mirë, duke u renditur e katërta. Austria dhe Gjermania nuk kanë rezultate të shkëlqyera, megjithëse të dyja ende renditen lehtësisht mbi Zvicrën.

Raporti identifikon disa dobësi në politikën zvicerane. Kufizimet në reklamimin e duhanit mbeten të paqëndrueshme, mbrojtjet kundër lobimit nga industria e duhanit konsiderohen të pamjaftueshme dhe rregullimi i produkteve të reja të nikotinës, duke përfshirë cigaret elektronike dhe qeset e nikotinës, konsiderohet i dobët. Përpjekjet parandaluese kritikohen gjithashtu si të pamjaftueshme.

Më e pazakonta për një vend të pasur evropian, Zvicra ende nuk e ka ratifikuar Konventën Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kontrollin e Duhanit, traktatin kryesor ndërkombëtar që rregullon politikën kundër pirjes së duhanit. Nga të gjitha vendet e vlerësuara, është e vetmja që ende nuk e ka bërë këtë.

Mungesa është e çuditshme duke pasur parasysh imazhin ndërkombëtar të Zvicrës. Vendi pret selinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë dhe është shtëpia e disa prej firmave më të mëdha të duhanit në botë. Kritikët argumentojnë se ndikimi ekonomik dhe politik i industrisë e ka zbutur prej kohësh qasjen e vendit ndaj rregullimit.

Shoqata zvicerane për parandalimin e duhanit e përshkroi renditjen si një “sinjal të madh alarmi politik”. Ajo po bën thirrje për një ndalim gjithëpërfshirës të reklamimit të duhanit, rregulla më të rrepta për produktet e reja të nikotinës, taksa më të larta mbi duhanin, fushata më të forta parandaluese dhe ratifikim të menjëhershëm të konventës së OBSH-së.

Ligjvënësit zviceranë kohët e fundit kanë shtrënguar disa rregullore, veçanërisht pasi një referendum i vitit 2022 miratoi kufizimet për reklamimin e duhanit që synojnë fëmijët. Megjithatë, aktivistët thonë se reformat mbeten të mbushura me përjashtime të favorshme për industrinë. Në një vend të famshëm për kompromis, politika e duhanit duket të jetë një tjetër shembull i gradualizmit që kufizohet me inercinë.

Sa të papunë janë në Zvicër

Shkalla e papunësisë është ngjitur në nivelin e saj më të lartë që nga kriza e Covid-it.

Shifrat e reja nga Zyra Federale e Statistikave tregojnë se shkalla e papunësisë është rritur në 5.2% në tremujorin e parë, me rreth 266,000 persona të papunë – 26,000 më shumë se një vit më parë.

Pavarësisht rritjes së papunësisë, numri i personave të punësuar është rritur pak krahasuar me vitin e kaluar, transmeton albinfo.ch.

Në krahasim, shkalla e papunësisë në BE është në 6.2% – por po bie pak, por këtu tendenca është në rritje.

Baume-Schneider, kritike për pagat e larta të sigurimeve shëndetësore

Këshilltarja Federale Elisabeth Baume-Schneider është shprehur e irrituar nga pagat e larta të drejtuesve të lartë në kompanitë e sigurimeve shëndetësore.

Ajo thotë se këto paga janë të dëmshme për besimin e publikut, duke folur në programin “Samstagsrundschau” të Radio SRF.

Baume-Schneider po i përgjigjet një raporti në gazetën Tages-Anzeiger se pagat më të larta në kompanitë më të mëdha të sigurimeve shëndetësore po i afrohen shifrës prej një milion frangash.

Ajo e kupton se kjo është e vështirë për shumë njerëz ta kuptojnë, “sepse kur paguan primin tënd për mbulim bazë, nuk mendon se po paguan për paga kaq të larta”.

Prandaj, Ministrja e Shëndetësisë këshillon kompanitë e sigurimeve shëndetësore të marrin masa kundërvepruese: “Kompanitë e sigurimeve shëndetësore kanë nevojë për besimin e publikut.”