Këto janë tre shqetësimet kryesore për popullsinë e Zvicrës tani

Sipas një ankete të re nga grupi mediatik Tamedia, kostot e sigurimit shëndetësor mbeten padyshim çështja më urgjente për popullsinë zvicerane sot, përcjell albinfo.ch.

Rreth 70 përqind e të anketuarve thanë se primet në rritje të vazhdueshme – të cilat do të rriten mesatarisht me 4.4 përqind në vitin 2026 – janë dhimbja e tyre më e madhe tani.

Migrimi vjen në vendin e dytë, pasi është shqetësues për 51 përqind të pjesëmarrësve në anketë.

Tre shqetësimet kryesore i plotësojnë marrëdhëniet e Zvicrës me Bashkimin Evropian, të përmendura nga 42 përqind e të anketuarve si shqetësim, veçanërisht pasi votuesit zviceranë do të duhet të japin mendimin e tyre mbi paketën e fundit të marrëveshjeve të përfunduara në dhjetor 2024.

Qeveria zvicerane do të ulë kufijtë e shpejtësisë në disa autostrada të vendit

Që nga viti 2019, numri i orëve të bllokimit të trafikut në autostradat zvicerane është pothuajse dyfishuar, përcjell albinfo.ch.

Si kundërmasë, qeveria federale po zbaton kufij më të ulët shpejtësie – nga 120 km/orë aktuale në 80 km/orë – në disa seksione autostradash gjatë orës së pikut.

Kjo bëhet e mundur nga ekranet elektronike të shpejtësisë mbi rrugë.

Kjo masë është zbatuar tashmë në disa autostrada, por do të zgjerohet edhe në të tjera.

Ende nuk ka asnjë informacion se cilat rrugë do të preken nga kjo masë, ose kur.

Gjermania feston 35-vjetorin e ribashkimit

Më 3 tetor 2025, Gjermania shënon 35-vjetorin e ribashkimit, një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne europiane. Pas dekadash ndarjeje politike dhe ideologjike, më 3 tetor 1990, vendi u bashkua zyrtarisht, duke i dhënë fund periudhës së izolimit dhe duke hapur një kapitull të ri shprese, zhvillimi dhe sfidash.

Ky proces nisi pas rënies së Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, simboli më i fortë i ndarjes së Luftës së Ftohtë. Shembja e tij u bë preludi i një transformimi të thellë jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për tërë kontinentin europian. Ribashkimi solli jo vetëm unitet territorial, por edhe një mesazh të fuqishëm për lirinë, demokracinë dhe solidaritetin.

Megjithatë, pas më shumë se tre dekadash, sfidat e bashkimit ende ndihen. Sipas një sondazhi të fundit të televizonit publik gjerman ZDF, 9 në 10 gjermanë e konsiderojnë ribashkimin si një vendim historikisht të drejtë. Por, më shumë se gjysma e të anketuarve në ish-Gjermaninë Lindore dhe pothuajse gjysma në Perëndim theksojnë se hendekët ekonomikë, socialë dhe kulturorë nuk janë zhdukur plotësisht dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.

Pavarësisht dallimeve, për shumë qytetarë kjo ditë është një kujtesë e fuqishme se bashkimi dhe liria nuk janë të dhëna përgjithmonë, por kërkojnë përkushtim dhe punë të përbashkët. 3 Tetori mbetet një ditë reflektimi, por edhe festimi për Gjermaninë dhe për gjithë Evropën, si dëshmi se muret mund të shemben dhe ndarjet të tejkalohen.

Ulutash rikthehet në komandën e KFOR-it

Gjeneralmajor Ozkan Utulash sot mori detyrën si Komandant i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në një ceremoni në bazën e kësaj force në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Gjeneralmajor Utulash nga Ushtria e Turqisë rikthehet në këtë detyrë pas një viti. Kjo ndodh për herë të parë që një ish-Komandant rikthehet për të marr detyrën në krye të KFOR-it.

Detyrën ia dorëzoi Komandanti i deritashëm i KFOR-it, Gjenealmajor Enrico Barduani nga Ushtria italiane.

Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR-it derisa theksoi se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 1999, ka shtuar se ka shqetësime për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura.

Kosova në fokus të qëndrueshmërisë në KTH Royal Institute of Technology

Për herë të parë, Kosova u prezantua sot si rast studimi në Universitetin Mbretëror të Teknologjisë në Suedi (KTH), në kuadër të programeve “Global Development Hub” dhe “Re-Imagining Mobility Lab”. Iniciativa u udhëhoq nga Dr. Liridona Sopjani, ish-doktorante e KTH-së dhe tashmë ligjëruese e asocuar dhe hulumtuese e lartë prej katër vitesh në këtë institut prestigjioz, përcjell albinfo.ch.

Diskutimet u përqendruan në sfidat dhe potencialin e Kosovës në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, duke zgjuar interes të madh tek studentët dhe studiuesit ndërkombëtarë. Aktiviteti u pasurua me prezantimin e një qilimi tradicional shqiptar, i cili simbolizoi Odën shqiptare – vendin e bashkimit dhe vendimmarrjes – duke sjellë një dimension kulturor në debatin akademik.

Ky prezantim shënon një hap të ri në drejtim të shkëmbimeve akademike dhe përfshirjes së Kosovës në projektet ndërkombëtare për qëndrueshmëri, duke hapur rrugë të reja për bashkëpunim shkencor dhe institucional.

Osmani krah Zelenskyt: Evropa të investojë në parandalimin e taktikave destablizuese të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se siguria e Evropës lidhet ngushë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Në tryezën me liderë evropianë në temën e sigurisë, në Samitin e Liderëve të EPC-së në Kopenhagë, Osmani ka thënë se Evropa duhet ta përqendrojë vëmendjen e saj në rajonin e Ballkanit. 

“Në Samitin e Liderëve të EPC-së në Kopenhagë, në tryezën me liderë evropianë të fokusuar në temën e sigurisë, theksova se siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Evropa duhet të përqendrojë vëmendjen e saj në këtë rajon, duke investuar në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, si hap kyç për një siguri të qëndrueshme dhe afatgjatë”, ka thënë ajo.

Të enjten, Osmani ka përmendur Rusinë e Serbinë si kërcënim për Kosovën, teksa i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos e përkëdhelë Serbinë, duke thënë se ajo është satelit i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Në deklarimin për media më 2 tetor, para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë, Osmani ka thënë se Rusia e Serbia paraqesin kërcënim për Kosovën.

Von der Leyen në Kosovë më 15 tetor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet ta vizitojë Kosovën me datën 15 tetor në kuadër të një turneu nëpër të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Këtë e mëson Koha nga burimet e saja në Bruksel.

Do të jetë kjo vizita e saj e parë në rajon në mandatin e dytë në krye të Komisionit Evropian, përcjell albinfo.ch

Ajo ishte në Kosovë edhe para një viti, më saktësisht me 24 tetor, në fund të mandatit të saj të parë. Por që atëherë dihej se ajo do të jetë në krye të Komisionit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar.

Vizita e para një viti e saj në Kosovë ishte plot entuziazëm. Ajo në konferencë për shtyp pat shprehur urime për qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për një punë të mrekullueshme në agjendën e reformave dhe kishte premtuar se deri në fund të atij viti, pra të vitit 2024, Komisioni do të realizoj pagesën e parë në vlerë prej mbi 60 milionë eurosh për Kosovën nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.     

Por një vit më vonë, Von der Leyen do e gjejë Kosovën në një situatë krejt të ndryshme në një ngërç politik, pa institucione të formuara sipas zgjedhjeve të fundit, ndërsa pagesa e mjeteve të para financimit nga Pakoja e Rritjes jo vetëm se nuk janë realizuar në vitin 2024 por nuk mund të realizohen as këtë vit, e pikëpyetje është se kur do të mund të realizohen. Kosova në këtë mënyrë po e paguan çmimin e mungesës së një Kuvendi të konstituuar dhe një qeverie e cila do të mund të kryente miratimin dhe ratifikimin e marrëveshjes me BE-në për pagesat nga ky plan. Kosova, krahas Bosnje e Hercegovinës, ka mbetur e vetmja që nuk i ka marrë pagesat e para nga ky plan.

Pritet që Von der Leyen gjatë qëndrimit në Kosovë të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe po ashtu edhe me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Hollësitë për agjendën e saj në Kosovë janë duke u koordinuar nga Zyra e BE-së në Prishtinë prandaj diplomatët evropianë nuk janë të sigurt se në cilin objekt Von der Leyen do të takojë Kurtin. Zyra e BE-së para disa muajsh kishte vendosur që pjesëtarët e qeverisë në detyrë të mos i takoj nëpër zyra të qeverisë pas një vendimi të Gjykatës se ata nuk mund të mbajnë paralelisht poste edhe në Kuvend edhe në qeveri.

Vizita e presidentes së Komisionit Evropian vjen vetëm disa javë para miratimit të Raporteve vjetore të  progresit për vendet e zgjerimit. Kjo vizitë, sipas burimeve në Bruksel, ka qenë një prej arsyeve pse këto raporte nuk do të miratohen në mesin e muajit tetor por në javën e parë të muajit nëntor.

Von der Leyen do të përsërit përkushtimin e Komisionit Evropian për rajonin dhe perspektivën e tyre për anëtarësim në BE. Por me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të zi asnjë vend tjetër i rajonit nuk ka avancuar fare në këtë proces. Von der Leyen vizitën në vendet e rajonit pritet ta nis në Tiranë me 13 tetor ndërsa do të vizitoj edhe Malin e zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.            

Publikohet lista e Shqipërisë për ndeshjen me Serbinë

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, të premten ka publikuar listën e lojtarëve në të cilët llogaritë për ndeshjen ndaj Serbisë. 

Ndeshja Serbi – Shqipëri zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Duboçica” në Leskovc. I takon Grupit K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Vlerësohet vendimtare për vendin e dytë në grup, që dërgon në plejof. Vendi i parë thuajse është i garantuar për Anglinë, që ka fituar pesë ndeshjet dhe udhëheq me 15 pikë. Shqipëria është e dyta me tetë pikë nga pesë ndeshje, ndërsa Serbia mban vendin e tretë me shtatë pikë nga katër ndeshje.

Ekipi që fiton ndeshjen e së shtunës së javës së ardhshme do të bëjë hap vendimtar në garën për pozitën e dytë në grup.

Për ndeshjen e “rrezikshmërisë së lartë”, përzgjedhësi brazilian, Sylvinho, do të bazohet në lojtarë të konfirmuar. 

Në mbrojtje është shtuar Klisman Cake i Shkëndijës së Tetovës. 26-vjeçari ka luajtur për U21 të Shqipërisë në të kaluarën.

Myrto Uzuni, Mirlind Daku, Armando Broja dhe Rey Manaj konkurrojnë për sulm.

Kuqezinjtë grumbullohen të hënën për ndeshjen në Leskovc. Shqipëria është në moment dukshëm më të mirë se Serbia. Më 9 shtator, Shqipëria fitoi 1:0 ndaj Letonisë, derisa Serbia u rrah keq, 5:0, nga Anglia në Beograd.

Në atë ndeshje pati shkelje të shumta të rregulloreve të FIFA-s. Për këtë federata serbe është dënuar me 80 mijë franga zvicerane dhe me mbylljen e 20 për qind të stadiumit për ndeshjen ndaj Shqipërisë.

Por ajo pjesë e stadiumit mund të mbushet me grupe të caktuara shikuesish si familje, nxënës apo organizata që luftojnë diskriminimin. Kjo në fakt edhe pritet të ndodhë. 

Presioni ndaj lojtarëve të Shqipërisë megjithatë pritet të jetë i madh në stadiumin “Duboçica”. Por ai shpresohet të shërbejë si motiv për lojtarët e Shqipërisë.
Shqipëria e Serbia tashmë e kanë luajtur ndeshjen e parë në këtë cikël eliminator. Më 7 qershor në “Air Albania”, që ishte i mbushur me shikues, ndeshja përfundoi 0:0. 

Në Grupin K janë edhe Letonia që i ka katër pikë dhe Andorra, që është pa pikë. 

Më 11 tetor është edhe ndeshja mes Letonisë dhe Andorrës. Më 14 tetor janë takimet Andorra – Serbia dhe Letonia – Anglia. Ndërkohë Shqipëria më 14 tetor luan miqësore me Jordaninë në Tiranë.

Lista e lojtarëve vlenë edhe për miqësore. Megjithatë, i gjithë fokusi do të jetë te ndeshja me Serbinë.

 

Franco Foda publikon listën e zgjeruar për ndeshjet e tetorit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e zgjeruar të futbollistëve për dy ndeshjet e tetorit në kuadër të Grupit B për kualifikimet e Kupës së Botës 2026. Dardanët do të përballen fillimisht me Slloveninë, për të vijuar më pas me një sfidë të fortë kundër Suedisë, ndeshje që pritet të jenë vendimtare për ecurinë e Kosovës në këtë kampanjë, përcjell albinfo.ch.

Në listën e Fodës janë rikthyer disa emra të rëndësishëm, ndërkohë që ka edhe debutues të rinj. Mungesa të rëndësishme vërehen tek disa lojtarë për shkak të lëndimeve ose formës, por prania e talenteve të rinj jep një frymë optimizmi dhe konkurrencë më të madhe në skuadër. Këta janë të përzgjedhurit e trajnerit gjerman për listën e zgjeruar të tetorit.

Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet për vitin 2026

Bllokada politike e krijuar në Kuvend përveç se ka futur Kosovën në një kolaps politik, ajo po shkakton edhe pasoja ekomomike. Pa një qeveri legjitime dhe pa kuvend të konstituuar veç telasheve ekonomike me të cilat ballafaqohet Kosova në vazhdimësi, ajo po rrezikon që të hyjë në vitin 2026 pa buxhet të aprovuar. Ministria e Financave tha se aktualisht është duke e përgatitur ligjin për buxhetin e vitit 2026 dhe se pret që ta aprovoj brenda afateve ligjore, përcjell albinfo.ch.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve aktualisht është në proces të zhvillimit të dëgjimeve buxhetore me organizatat buxhetore për projektbuxhetin e vitit 2026. Aprovimi i Ligjit për Buxhetin pritet të bëhet brenda afateve të përcaktuara me ligj”, grafikë nga Ministria e Financave.

Afati i fundit për aprovimin e buxhetit për vitin 2026 në qeverinë e Kosovës është më 31 tetor. Pas aprovimit të ligjit për buxhetin në qeveri, ai dërgohet për votim në Kuvendin e Kosovës. Ky ligji mund të votohet me shumicë të thjeshtë parlamentare. Por në situatën aktuale kur ende kuvendi i Kosoves nuk është konstituuar vështirë se buxheti do të miratohet së shpejti!

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri thotë se nëse nuk aprovohet ligji për buxhetin dhe nëse nuk dërgohet në Kuvend për votim, Kosova nga 1 janari nuk do të ketë mundësi të shfrytëzojë asnjë një cent nga buxheti i shtetit.

“Siç e dini nuk kemi as qeveri e as kuvend dhe nëse nuk arrihet ky ligj të aprovohet me kohe pas një janarit shteti i Kosovës nuk do të ketë mundësi të shfrytëzojë asnjë pagesë nga buxheti i saj…”, tha Shatri.

Hulumtuesi i IKD-së, Naim Jakaj, thekson se ligji për buxhetin duhet të miratohet nga një qeveri legjitime. Ai ka ngritur dilema nëse një qeveri në detyrë ka të drejtë ligjore që ta përgatisë dhe miratojë buxhetin për vitin 2026.

“Po rrezikojmë të mos kemi buxhet për vitin tjetër fiskal. Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, një ligj i tillë duhet të votohet nga një qeveri legjitime dhe legale para datës 31 tetor që t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim deri në muajin dhjetor”, tha Jakaj.

Mosmiratimi i buxhetit do ta fuste Kosovën në krizën më të thellë financiare që nga paslufta, vlerësojnë njohës të çështjeve të ekonomisë. Sipas tyre, Kosova mund të funksionojë vetëm me buxhet të kufizuar, siç u tha, “sa për të paguar pagat e punonjësve”. Por, për ta bërë një gjë të tillë, ish-ministri i financave Haki Shatri, thotë se duhet të ketë kuvend të konstituuar në mënyrë që të bëhen ndryshimet ligjore, ndryshime të cilat sipas tij kanë afat vetëm dy muajt e parë të vitit 2026.

“Do të mund të bëhet, deri në muajin mars sa të paguhen pagat e punëtorëve dhe asgjë tjetër, nëse ndodh kjo gjë është shkatërrim i shtetit në emër të patriotizmit”, tha Shatri.

Për shkak të bllokadës politike, viti 2025 për Kosovën, cilësohet si vit i çuar dëm në aspektin zhvillimor të saj. Si pasojë e bllokadës në Kuvend, qindra miliona euro nga plani i rritjes i Bashkimit Evropian, të destinuara për Kosovën, ende nuk janë vënë në zbatim, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit tashmë kanë përfituar mjetet e para nga ky plan.

Gjermania, shteti ku shqiptarët po gjejnë gjithnjë e më shumë mundësi pune

Emigracioni nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian po shfaqet gjithnjë e më shumë në një formë të rregullt dhe të dokumentuar – përmes lejeve të punës. Të dhënat e Eurostat tregojnë një rritje të ndjeshme të numrit të lejeve të qëndrimit dhënë për arsye punësimi për shtetas shqiptarë, sidomos pas vitit 2021, përcjell albinfo.ch.

Nga viti 2022 deri në vitin 2024, janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, krahasuar me vetëm 3-4 mijë në vit një dekadë më parë. Në total, gjatë periudhës 2021–2024, BE ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për punë për shqiptarët, duke dëshmuar një zhvendosje të qartë nga emigracioni informal dhe kërkesat për azil, drejt kontratave të rregullta të punës.

Kryesojnë Greqia, Gjermania dhe Italia

Në vitin 2024, Greqia rezulton destinacioni kryesor me rreth 7.200 leje pune të dhëna për shtetas shqiptarë, e ndjekur nga Gjermania, e cila po tërheq gjithnjë e më shumë profesionistë në fushën e shëndetësisë dhe teknologjisë, me rreth 4.500 leje në vit. Italia, një destinacion tradicional për shqiptarët, vijon të japë rreth 3.000 leje pune në vit.

Ndërkohë, edhe vende më të vogla si Kroacia dhe Malta po bëhen gjithnjë e më të pranishme në hartën e emigracionit shqiptar. Kroacia ka ofruar 1.400 deri në 2.000 leje pune në vit, kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe turizmit, ndërsa Malta – e cila dikur ishte një destinacion në rritje – ka përgjysmuar lejet e dhëna në 2024, duke zbritur në rreth 500.

Nga azili te emigracioni i rregullt

Krahasuar me vitet e mëparshme, kërkesat për azil nga shqiptarët janë në rënie të ndjeshme. Në 2022 u regjistruan rreth 15 mijë kërkesa për azil, ndërsa në 2023 ky numër ra në 11 mijë, dhe në 2024 zbriti më tej në 9.300. Kjo do të thotë se numri i shqiptarëve që po largohen përmes kanaleve zyrtare të punësimit është tashmë pothuajse dyfish në raport me ata që kërkojnë azil.

Sipas të dhënave të INSTAT, ky emigracion “i dukshëm” përbën një përqindje të konsiderueshme të fuqisë punëtore në sektorin privat jo-bujqësor në Shqipëri – rreth 13% – dhe ka nisur të ndikojë ndjeshëm tregun e punës në vend, sidomos në sektorët ku kërkesa për punonjës është më e lartë.

Një sfidë për ekonominë shqiptare

Kjo valë e re emigrimi, ndonëse më e rregulluar, po krijon boshllëqe të theksuara në tregun vendas të punës. Bizneset shqiptare po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të gjetur punonjës, duke penguar jo vetëm funksionimin e përditshëm, por edhe planet për investime dhe zgjerim afatgjatë.

Ndërkohë që emigrimi ekonomik i strukturuar shihet si një mundësi për zhvillim individual dhe për përmirësim të kushteve të jetesës, rritja e tij e pandalshme e vendos Shqipërinë përballë një sfide serioze demografike dhe sociale, e cila kërkon adresim strategjik dhe të qëndrueshëm në nivel politikash kombëtare.

Hera e parë në histori të KFOR-it, një gjeneral rikthehet për mandat të dytë në Kosovë

Në krye të KFOR-it, pas datës 3 tetor, do të rikthehet për herë të dytë gjeneralmajori i ushtrisë turke, Özkan Ulutaş. Kjo është hera e parë në historinë e KFOR-it që një gjeneralmajor rikthehet në detyrë që nga vendosja e këtij misioni në Kosovë në vitin 1999, përcjell albinfo.ch.

Inaugurimi simbolik i mburojës dhe ngritja e flamurit të KFOR 30 u mbajtën dje në Shtabin e KFOR-it në Kampin Film City Prishtinë, për të shënuar vazhdimësinë e misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

Eventi u zhvillua në sheshin Sir Michael Jackson, i emëruar sipas komandantit të parë të KFOR-it në prag të ceremonisë së ndërrimit të Komandës më 3 tetor 2025.

Komandanti i KFOR 29, gjeneral major Enrico Barduani, dhe komandanti i KFOR 30, gjeneral major Ozkan Ulutash, kryesuan procedurat.

Kjo është një traditë e gjatë në historinë e KFOR-it, e cila ilustron tranzicionin midis dy komandantëve të këtij misioni dhe dëshmon përkushtimin dhe udhëheqjen e komandantit në largim dhe gatishmërinë e komandantit të ardhshëm për të marrë përgjegjësi të reja, raporton KosovaPress.

Gjithashtu simbolizon trashëgiminë dhe angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar të kontribuojë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve.

KFOR-i është misioni më i gjatë i NATO-s dhe aktualisht më i madhi në historinë e Aleancës Atlantike. Ai mbetet plotësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij.

FC Basel rikthehet te fitorja në Evropë, mposht Stuttgartin me golat e Ajetit dhe Shaqirit

FC Basel ka shënuar fitoren e parë këtë sezon në fazën e grupeve të UEFA Europa League, duke mposhtur skuadrën gjermane Stuttgart me rezultat të pastër 2-0, raportoi albinfo.ch.

Ndeshja nisi në mënyrë perfekte për zviceranët, pasi Albian Ajeti shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen e Stuttgartit dhe realizoi golin e avantazhit që në minutën e 3-të, duke zhbllokuar menjëherë takimin.

Gjermanët patën rastin më të mirë për të rikthyer baraspeshën në minutën e 35-të, kur fituan një penallti. Por, portieri Marwin Hitz ishte vendimtar, duke ndalur goditjen e Ermedin Demirović dhe ruajtur epërsinë e vendasve.

Në pjesën e dytë, Xherdan Shaqiri vulosi fitoren e Baselit me një gol të realizuar nga afërsia, duke i dhënë fund serisë prej tre ndeshjesh pa fitore në garat evropiane.

Kjo humbje ndërpret ecurinë pozitive të Stuttgartit, i cili kishte regjistruar tre fitore radhazi para kësaj përballjeje. Në xhiron e ardhshme të grupit, gjermanët do të përballen me Fenerbahçen në Stamboll, një sfidë vendimtare për pozicionimin në grup.

Një fitore e rëndësishme për rikthimin e Baselit

Me këtë rezultat, FC Basel jo vetëm që fiton pikët e para në grup, por rikthen besimin dhe motivimin në një sezon të vështirë evropian. Kontributi i lojtarëve me prejardhje shqiptare, si Albian Ajeti dhe Xherdan Shaqiri, ishte thelbësor në këtë triumf.

Dronë mbi Gjermani, Aeroporti i Mynihut mbyllet për gati 7 orë gjatë natës

Raportohet se aeroporti i Mynihut në Gjermani u mbyll për gati shtatë orë gjatë natës, pas një vale shikimesh të dronëve – duke u bërë qendra më e fundit evropiane e aviacionit që ndalon operimet për shkak të fluturimeve të pashpjegueshme të dronëve, transmeton albinfo.ch.

Referuar një deklarate nga aeroporti, gjithsej 17 fluturime u anuluan pak pas orës 22:00 të enjten, duke ndikuar rreth 3,000 pasagjerë. Përveç kësaj, 15 fluturime që pritej të mbërrinin u devijuan drejt qyteteve gjermane si Shtutgarti, Nurembergu dhe Frankfurti, si dhe në Vjenë të Austrisë fqinje.

Faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar tregoi disa aeroplanë që rrotulloheshin mbi aeroport rreth orës 23:00 përpara se të devijoheshin në destinacione të tjera.

Aeroporti u rihap në orën 5 të mëngjesit të ditës së premte, kur autoritetet vlerësuan se mbërritjet dhe nisjet ishin të sigurta. Një përfaqësues i aeroportit tha për CNN:

“Tani gjithçka ka rinisur. Disa fluturime u anuluan, por aeroporti është rihapur. Që nga ora 5 e mëngjesit, të gjitha mbërritjet dhe nisjet janë të sigurta.”

Sipas faqes zyrtare të aeroportit, fluturimi i parë që pritej të ulej pas rihapjes ishte një fluturim i gjatë i Lufthansa nga Bangkoku, me mbërritje të planifikuar në orën 5:25 të mëngjesit.

Aeroporti i Mynihut, i vendosur në Bavari në Gjermaninë jugore, është një qendër kryesore për linjën ajrore gjermane Lufthansa dhe ka shërbyer afro 20 milionë pasagjerë në gjysmën e parë të këtij viti.

Një zëdhënës i Lufthansa-s konfirmoi për CNN se 19 fluturime të saj u anuluan ose u devijuan për shkak të mbylljes, përfshirë edhe tre fluturime të gjata drejt Azisë, të cilat do të riplanifikohen. Ai shtoi se pasagjerëve të prekur u janë ofruar ushqim, pije dhe batanije. Disa foto treguan pasagjerë që flinin në shtretër kampingu në terminal.

CNN ka kontaktuar Policinë Shtetërore të Bavarisë, Zyrën Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë dhe Agjencinë e Inteligjencës së Brendshme për koment.

Dronët mbi Evropën Perëndimore

Mynihu është aeroporti më i fundit evropian që mbyllet për shkak të shikimeve të dronëve. Një javë më parë, një valë incidentesh të ngjashme ndodhi në disa aeroporte të Danimarkës, duke ndikuar në dhjetëra mijëra pasagjerë.

Si përgjigje, Danimarka ndaloi përkohësisht të gjitha fluturimet e dronëve civilë në hapësirën e saj ajrore, teksa priste një samit të liderëve evropianë në Kopenhagë. Samiti synonte të diskutonte mbështetjen për Ukrainën dhe forcimin e sigurisë evropiane.

Një nga temat qendrore ishte nisma për një “mur kundër dronëve” – jo një mur fizik, por një rrjet i shtresuar sistemesh për zbulimin dhe ndalimin e dronëve, duke shfrytëzuar kapacitetet e vendeve anëtare të BE-së.

Evropa është në gjendje të shtuar gatishmërie pas raportimeve për dronë të dyshuar rusë që kanë hyrë në hapësirën ajrore të NATO-s mbi Poloni dhe Rumani, si dhe për një shkelje të dyshuar të hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë luftarakë rusë.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, u shpreh se megjithëse nuk është arritur në një përfundim të qartë për autorin e incidenteve në Danimarkë, ekziston vetëm një burim i mundshëm kryesor:

“Të paktën mund të konkludojmë se ekziston kryesisht një vend që përbën kërcënim për sigurinë e Evropës – dhe ai është Rusia.”

Kremlini ka mohuar çdo përfshirje, si dhe pretendimet për shkelje të hapësirës ajrore.

Gjatë një eventi të gjatë katër-orësh të transmetuar në televizion të enjten, presidenti rus Vladimir Putin i përqeshi akuzat perëndimore për përfshirje në incidentet me dronë, duke i quajtur ato përpjekje të NATO-s për të nxitur tensione dhe për të justifikuar rritjen e shpenzimeve ushtarake.

“Nuk do të shkoj më. As në Francë, as në Danimarkë, as në Kopenhagë,” bëri shaka ai, duke iu referuar akuzave për fluturimet me dron.

Por ai lëshoi edhe një paralajmërim të koduar:

“Po e ndjekim me kujdes militarizimin në rritje të Evropës,” tha Putin. “A janë të gjitha këto vetëm fjalë, apo ka ardhur koha për kundërmasa? Askush nuk duhet të ketë dyshime se kundërmasat e Rusisë nuk do të vonojnë shumë.”

Ndërkohë, Mynihu – një qytet historik me mbi 1 milion banorë – ka qenë tashmë në gjendje ankthi, pasi edhe Oktoberfest, festivali i famshëm i birrës, u mbyll për disa orë më herët këtë javë për shkak të një kërcënimi me bombë.

Një shtetas i Serbisë sulmon policët në Jarinjë

Është arrestuar një shtetas i Serbisë për sulm ndaj zyrtarëve policorë në pikëkalimin e Jarinjës, përcjell albinfo.ch.

Një zyrtar ka pranuar trajtim mjekësor, e i dyshuari u dërgua në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë pasi që i njëjti ka sulmuar zyrtarët policorë. Një zyrtar policor ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë. /Albinfo.ch

Marigona Qerkezi shkëlqen në skenën ndërkombëtare të Helsinkit

Sopranoja e njohur nga Kosova, Marigona Qerkezi, dha një performancë të jashtëzakonshme në ceremoninë e hapjes së sezonit veror të Savonlinna Opera Festival 2026 në Helsinki, duke mahnitur publikun me zërin e saj të fuqishëm dhe interpretimin artistik të lartë, transmeton albinfo.ch.

Ky festival, një nga ngjarjet më të rëndësishme të operës në Evropë, mblodhi në këtë mbrëmje të veçantë një audiencë të gjerë ndërkombëtare, përfshirë artistë të njohur finlandezë, përfaqësues diplomatikë dhe personalitete nga bota e artit dhe kulturës. Në mesin e të ftuarve nderi ishte edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Finlandë, znj. Shkendije Geci-Sherifi, e cila mori pjesë me ftesë të organizatorëve.

Gjatë kësaj mbrëmjeje artistike, ambasadorja pati kënaqësinë të takohej me drejtoreshën e bordit të festivalit, znj. Johanna Lamminen, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi kulturor ndërmjet Kosovës dhe Finlandës.

Zëri i Kosovës në një skenë prestigjioze evropiane

Performanca e Marigona Qerkezit u prit me entuziazëm nga publiku, duke bërë që zëri i Kosovës të dëgjohej fuqishëm në një nga skenat më prestigjioze të artit operistik. Kjo ngjarje jo vetëm që vlerëson talentin individual të sopranos tonë, por njëkohësisht përforcon praninë dhe imazhin pozitiv të kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Një natë arti, diplomacie dhe krenarie kombëtare

Pjesëmarrja e korit diplomatik të akredituar në Finlandë, përfaqësuesve kulturorë dhe artistëve ndërkombëtarë e bëri këtë event një shembull të shkëlqyer të bashkëjetesës mes artit dhe diplomacisë kulturore. Marigona Qerkezi, përmes talentit dhe përkushtimit të saj, solli një pasqyrë të denjë të Kosovës në një audiencë globale. /Albinfo.ch

Mund të jetë një grafik i liqen dhe teksti që thotë "ITALY ARRIVES IN SAVONLINA 3.7.-1.8.2026 20% SAYONKLINA OPERA *AETИЙИ FESTIVA NABUCCO MADAMA BUTTERFLY THE MARRIAGE OF FIGARO LA TRAVIATA NORMA & LISETTE OROPESA"

Mund të jetë një imazh i 2 persona, flokë bjonde, kostum dhe teksti që thotë "←神 ITA SA 3.7.-1.8 -1.8 3.7. NABUCCO THE MAR MADAMA LA TRAVI NORMA &"

Shkolla Shqipe në Bavari hap dyert për vitin shkollor 2025/2026

Më 22 shtator 2025, Shkolla Shqipe në Bavari nisi zyrtarisht mësimin plotësues për vitin shkollor 2025/2026, duke mirëpritur nxënës të rinj dhe ata të rikthyer, në një përpjekje të përbashkët për të ruajtur dhe forcuar gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar në diasporë, transmeton albinfo.de.

Ky program mësimor synon t’u ofrojë fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Gjermani mundësinë të mësojnë gjuhën shqipe, të lidhen me rrënjët e tyre kulturore, dhe të ndihen krenarë për prejardhjen e tyre.

“Le t’u japim fëmijëve mundësinë të flasin, të shkruajnë dhe të ndihen krenarë për rrënjët e tyre shqiptare.”

Me një staf të përkushtuar dhe një atmosferë gjithëpërfshirëse, Shkolla Shqipe në Bavari nuk është vetëm një vend mësimi, por edhe një hapësirë për bashkëpunim ndërprindëror, shkëmbim kulturor dhe formim të identitetit kombëtar në një mjedis ndërkombëtar.

Regjistrimet për nxënës të rinj janë ende të hapura
Prindërit të interesuar mund të kontaktojnë për informacione të mëtejshme mbi oraret, lokacionet dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Petrit Halilaj fiton çmimin prestigjioz “Nasher” dhe dhuron 100 mijë euro për kulturën në Kosovë

Artisti i njohur kosovar, Petrit Halilaj, është shpallur fitues i Nasher Prize for Sculpture, një nga çmimet më të rëndësishme dhe prestigjioze në botën ndërkombëtare të artit bashkëkohor. Ky vlerësim i jepet artistëve që kanë bërë kontribute të jashtëzakonshme në fushën e skulpturës, duke sfiduar formën, përmbajtjen dhe ndikimin e saj në shoqëri, transmeton albinfo.ch.

Çmimi, me vlerë prej 100,000 euro, është një njohje e madhe për punën dhe ndikimin e Halilajt në skenën ndërkombëtare të artit, por më shumë se kaq – ai është shndërruar në një simbol të lidhjes së fortë të artistit me vendlindjen e tij.

Në një akt të jashtëzakonshëm bujarie dhe përkushtimi ndaj kulturës në Kosovë, Petrit Halilaj ka vendosur të dhurojë të gjithë shumën e çmimit për projektin e restaurimit të Shtëpisë së Kulturës në Runik, fshati i tij i lindjes. Ky projekt është duke u udhëhequr nga organizata Hajde Foundation, dhe ka për qëllim kthimin e kësaj hapësire të rëndësishme kulturore në një qendër funksionale për komunitetin lokal.

Simbolikë që tejkalon artin

Vendimi i Halilajt për të investuar çmimin në një projekt kulturor në Kosovë përçon një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore në vend. Ai rikujton se arti nuk ka vetëm funksion estetik apo individual, por edhe rol shoqëror, edukativ dhe transformues.

Petrit Halilaj është një nga emrat më të spikatur të artit bashkëkohor shqiptar. Puna e tij ekspozohet rregullisht në galeritë dhe institucionet më të njohura ndërkombëtare, përfshirë Bienalen e Venecias, Tate Modern, Palais de Tokyo dhe shumë të tjera. Ai njihet për përdorimin e materialeve të pazakonshme, si dhe për trajtimin e temave të identitetit, kujtesës kolektive dhe përvojës së luftës. /Albinfo.ch

Mund të jetë një imazh i 1 person, mjekër dhe teksti që thotë "新南正無社用 Nasher NasherPrize Prize NasherSculptureCenter Nasher Sculpture Center 2027 NASHER PRIZE LAU LAUREATE PETRIT HALILAJ"

Hamburg: Shfaqje mahnitëse nga Elbenita Kajtazi dhe Granit Musliu

Një mbrëmje e jashtëzakonshme muzikore u zhvillua në Staatsoper Hamburg, ku publiku pati mundësinë të përjetojë një performancë të veçantë nga dy yje të muzikës operistike shqiptare, sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi dhe tenori i talentuar Granit Musliu, shkruan albinfo.ch.

Elbenita Kajtazi, një nga zërat më të spikatur në skenat ndërkombëtare, ndau emocionet e saj pas performancës duke vlerësuar debutimin e Musliut në rolin e Fentonit, nga opera “Falstaff” e Giuseppe Verdit. Në një postim të ndjerë, ajo u shpreh:

“Sot pata kënaqësinë të ndaj skenën me tenorin tonë të mrekullueshëm Granit Musliun, i cili sapo bëri debutimin e tij me rolin e Fenton nga Opera Falstaff. Jam krenare që dikur kam pasur mundësinë ta mbështes në hapat e parë të rrugëtimit të tij artistik, dhe akoma më krenare që sot e shoh të shkëlqejë. Urime për këtë arritje të merituar i dashur Granit!”

Ky bashkëpunim artistik jo vetëm që vlerësoi talentin dhe punën e dy artistëve, por edhe dëshmoi fuqinë e artit shqiptar në skenat më prestigjioze evropiane.

Publiku në Hamburg e priti performancën me duartrokitje të gjata, duke konfirmuar edhe njëherë suksesin dhe nivelin e lartë profesional të këtyre artistëve./Albinfo.ch

Mund të jetë një imazh i 2 persona

Instagram mohon përdorimin e mikrofonëve të telefonit për gjurmimin e përdoruesve

Drejtori ekzekutiv i Instagram, Adam Mosseri, ka hedhur poshtë pretendimet se platforma përdor mikrofonët e telefonave për të monitoruar përdoruesit dhe për të targetuar reklamat.

Ai theksoi se një praktikë e tillë do të ishte një shkelje e madhe e privatësisë, dhe gjithashtu do të ishte e lehtë për t’u vënë re përmes ndezjes së dritës së mikrofonit ose për shkak të shkarkimit më të shpejtë të baterisë, raporton TechCrunch.

Mosseri shpjegoi se reklamat dhe sugjerimet për përdoruesit bazohen kryesisht në informacionet që reklamuesit ndajnë për vizitorët e tyre dhe në analizën algoritmike të interesave të përdoruesve të ngjashëm. Kështu, platformat e Meta-s mund të krijojnë reklama të synuara pa pasur nevojë për të përgjuar bisedat private.

Ai shtoi se algoritmet tani kombinohen me psikologjinë njerëzore dhe rastësinë, gjë që ndonjëherë krijon iluzionin se Instagram “po lexon mendjet” e përdoruesve. Meta, kompania amerikane që zotëron Facebook dhe Instagram, njoftoi gjithashtu se do të ofrojë reklama dhe sugjerime bazuar në ndërveprimet e përdoruesve me asistentin e saj dixhital Meta AI.

Ky ndryshim do të nisë më 16 dhjetor, dhe përdoruesit do të njoftohen gradualisht, duke filluar nga 7 tetori. Përditësimi do të jetë fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, sipas kontrolleve standarde rregullatore. TechCrunch nënvizon se Instagram nuk ka nevojë të përdorë mikrofonin për të targetuar reklamat, pasi disponon tashmë sasi të mëdha të dhënash nga përdoruesit.

FIFA kërkon paqe, por “nuk mund të zgjidhë problemet gjeopolitike”

FIFA (Federata Ndërkombëtare e Futbollit) bëri thirrje për “paqen” në Gaza të enjten, por nënvizoi se “nuk mund të zgjidhë problemet gjeopolitike”, sipas presidentit të saj, Gianni Infantino, i cili shmangu përgjigjet ndaj thirrjeve në rritje për pezullimin e Federatës Izraelite.

Në hapjen e mbledhjes së mbyllur të bordit, udhëheqësi italo-zviceran i referohet “situatës aktuale në Gaza” dhe thekson se “forca e futbollit” qëndron në “bashkimin e njerëzve në një botë të ndarë”, duke ofruar “një mesazh paqeje dhe uniteti”, sipas një deklarate të organizatës.

“FIFA nuk mund të zgjidhë problemet gjeopolitike, por mund dhe duhet të promovojë futbollin në të gjithë botën duke shfrytëzuar vlerat e tij unifikuese, edukative, kulturore dhe humanitare,” theksoi presidenti.

Në deklaratën për shtyp nuk përmendet Izraeli apo federata e tij, ndërkohë që thirrjet për përjashtimin e ekipit kombëtar nga garat ndërkombëtare po shtohen, veçanërisht gjatë kampanjës kualifikuese për Botërorin 2026.

Së fundmi, tre ekspertë të pavarur të OKB-së i bënë thirrje FIFA-s dhe UEFA-s për të pezulluar Izraelin, duke u referuar “gjenocidit” në Gaza dhe duke argumentuar se “organet sportive nuk duhet të mbyllin sytë për shkelje serioze të të drejtave të njeriut”.

Të premten e kaluar, shefja e Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness – e cila do të presë Izraelin në kualifikueset e Botërorit më 11 tetor – deklaroi se po punonte “për sanksionimin e Izraelit”. “Personalisht, mendoj se nëse Rusia është përjashtuar, edhe Izraeli duhet të përjashtohet,” tha ajo për një podcast norvegjez.

Pak ditë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, UEFA dhe FIFA përjashtuan së bashku ekipin kombëtar rus dhe klubet nga garat ndërkombëtare, një sanksion që vazhdon të jetë në fuqi.

 

Serbia e shqetësuar para ndeshjes me Shqipërinë: Federata paralajmëron për një duel me rrezik maksimal

Ngjarjet e kaluara duket se ende ndikojnë tek ëndrrat e Serbisë. Federata Serbe e Futbollit ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndërsa afron ndeshja kundër Shqipërisë për eliminatoret e Botërorit.

Institucioni ka publikuar një komunikatë të fuqishme, e cila u shpërnda në të gjitha mediat dhe u kërkua që të botohej në tërësinë e saj. Shumë media e kanë përmbushur këtë kërkesë, ndërsa Federata thekson se sfida e 11 tetorit klasifikohet si me shkallë më të lartë të rrezikut.

Për të ilustruar seriozitetin e situatës, drejtuesit e federatës njoftuan se FIFA, në një hap të rrallë, ka dërguar dy agjentë të sigurisë për të monitoruar ndeshjen në stadiumin e Leskovcit, duke treguar rëndësinë e këtij dueli dhe nevojën që fokusi të mbetet vetëm tek aspekti sportiv.

Gjithashtu, Federata ka formuar një grup koordinimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, me autoritetet tjera përkatëse, si dhe me FIFA-n dhe UEFA-n.

Në komunikatë rikujtohet edhe incidenti i tetorit 2014, kur tifozët hynë në fushën e stadiumit të Partizanit në Beograd pasi një dron shfaqte banderolë, duke sulmuar edhe lojtarët e kombëtares shqiptare, përfshirë edhe rojet e sigurisë. Ky episod shkaktoi dëme të konsiderueshme, si në aspektin sportiv, ashtu edhe financiar.