Ambasada gjermane: Serbia të mos ndërhyjë në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka deklaruar se është jetike që Serbia të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor në Kosovë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme që do të mbahen më 7 qershor, përcjell albinfo.ch.

Reagimi i ambasadës vjen pas thirrjeve të Beogradit drejtuar serbëve të Kosovës për të votuar për Listën Serbe, si dhe pas raportimeve se disa zyrtarë serbë janë shkarkuar nga institucionet që udhëhiqen nga kjo parti.

Zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë, Payam Ghalehdar, ka thënë për RTV21 se është thelbësore që procesi demokratik të zhvillohet pa presion dhe ndërhyrje.

“Është thelbësore të mos ndërhyhet në procesin e formimit të vullnetit qytetar,” ka deklaruar Ghalehdar.

Ai ka shtuar se zgjedhjet paraqesin një mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës që të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të lirë, të informuar dhe të vetëdijshme./Albinfo.ch 

Protestë në Graçanicë pas ndalimit të shtatë personave të dyshuar për kërcënim të votuesve

Punëtorë të institucioneve që financohen nga Serbia, së bashku me qytetarë të nacionalitetit serb, janë mbledhur në Graçanicë për të protestuar kundër ndalimit të shtatë personave, të cilët dyshohen për kërcënim dhe presion ndaj votuesve në këtë komunë, përcjell albinfo.ch.

Shtatë të dyshuarit janë ndaluar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për veprën penale “cenim të vullnetit të lirë të votuesve”, rreth dy javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur se të ndaluarit kanë pozita udhëheqëse në Graçanicë, ndërsa njëri prej tyre është edhe asamblist komunal.

Në protestën e mbajtur sot ishte e pranishme edhe Policia e Kosovës, për të monitoruar situatën dhe ruajtur rendin.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se serbët e Kosovës po përballen me trysni dhe kërcënime të papara për t’u orientuar politikisht drejt Listës Serbe, duke e cilësuar situatën si ndër më të rëndat në vitet e fundit.

Në një konferencë për media, Kurti tha se shantazhi nga Beogradi ndaj votuesve serbë në Kosovë është shndërruar në fenomen, duke përfshirë kërcënime, kushtëzime financiare dhe presion të organizuar.

Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar duke thënë se presionet ndaj votuesve në Graçanicë burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia. Në një postim në Facebook, ai theksoi se zgjedhjet në Kosovë vazhdojnë të vlerësohen nga raportet ndërkombëtare për standardin e lartë të organizimit dhe garantimin e vullnetit të lirë të qytetarëve, pavarësisht, siç u shpreh ai, bllokadave të qëllimshme politike./Albinfo.ch

Nis në Zvicër iniciativa për mbrojtjen e bletëve dhe insekteve polenizuese

Një aleancë e gjerë organizatash dhe aktivistësh në Switzerland ka nisur një iniciativë popullore për të mbrojtur bletët dhe insektet polenizuese, duke synuar ruajtjen e biodiversitetit dhe të prodhimit bujqësor në vend, përcjell albinfo.ch.

Iniciativa, e quajtur “Për ruajtjen e polenizimit të insekteve të bimëve të kultivuara dhe të egra”, e njohur edhe si Iniciativa e Bletëve, synon që mbrojtja e procesit të polenizimit të përfshihet në Kushtetutën e vendit.

Sipas iniciatorëve, situata e bletëve në Zvicër është alarmante. Nga rreth 600 lloje të bletëve të egra që ekzistojnë në vend, pothuajse gjysma janë të rrezikuara, ndërsa 59 specie konsiderohen tashmë të zhdukura.

Për më tepër, të dhënat tregojnë se biomasa e insekteve ka rënë me më shumë se tre të katërtat gjatë 30 viteve të fundit, një trend që ngre shqetësime serioze për ekosistemin dhe bujqësinë.

Përballë këtij zhvillimi shqetësues, iniciatorët kërkojnë masa më të forta ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e insekteve polenizuese, duke theksuar se roli i tyre është jetik për natyrën dhe sigurinë ushqimore./Albinfo.ch

Xhaka barazon rekordin e Shaqirit dhe Behramit në Botëror

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka publikuar listën e lojtarëve për Kupën e Botës që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa në përbërjen e skuadrës bie në sy përvoja e madhe e futbollistëve të thirrur, transmeton albinfo.ch.

Plot 18 lojtarë nga lista e përzgjedhur kanë marrë pjesë më parë me Zvicrën në Kampionate Botërore, çka tregon se Yakin ka vendosur të udhëtojë me një ekip të dëshmuar dhe me eksperiencë në skenën më të madhe të futbollit.

Kapiteni i Zvicrës do të jetë Granit Xhaka, i cili do ta udhëheqë ekipin në Botërorin që nis më 11 qershor. Për Xhakën, ky do të jetë Botërori i katërt në karrierë, duke barazuar kështu rekordin që deri më tani e mbanin vetëm Xherdan Shaqiri dhe Valon Behrami.

Shaqiri dhe Behrami janë lojtarët e vetëm që kanë përfaqësuar Zvicrën në katër Botërorë, ndërsa tash kësaj liste do t’i bashkohet edhe Xhaka. Po ashtu, rekordin do ta barazojë edhe Ricardo Rodriguez.

Në listën e Zvicrës është përfshirë edhe mesfushori Ardon Jashari, pavarësisht se nuk ka pasur paraqitje të spikatura te Milani.

Ndërkohë, Xhaka vjen në këtë Botëror në formë të lartë, pasi ka pasur një sezon shumë të suksesshëm, duke udhëhequr si kapiten skuadrën e Sunderlandit në Premier League, ku ka shkëlqyer gjatë gjithë edicionit./Albinfo.ch 

Zvicra mund të vendosë taksa për pakot nga platformat kineze online

Më shumë se gjysma e konsumatorëve në Switzerland blejnë rregullisht produkte nga platformat kineze të blerjeve online si Temu dhe Shein. Megjithatë, një sërë testesh kanë treguar se disa prej këtyre produkteve mund të paraqesin rreziqe për shëndetin, sigurinë dhe mjedisin, përcjell albinfo.ch.

Për këtë arsye, deputetë në Switzerland po kërkojnë vendosjen e rregullave më të ashpra për pakot që mbërrijnë nga këta distributorë.

Sipas propozimeve, produktet që nuk i përmbushin standardet zvicerane duhet të identifikohen qartë për konsumatorët. Në të njëjtën kohë, po shqyrtohet mundësia që dërgesat nga këto platforma të jenë subjekt i taksave shtesë.

Nëse kjo masë miratohet, taksa përkatëse mund të paguhet nga vetë marrësit e pakove kur ato mbërrijnë në Switzerland. Autoritetet synojnë kështu të rrisin kontrollin mbi cilësinë e produkteve dhe të mbrojnë konsumatorët vendas. /Albinfo.ch

Arriti nga Gjermania, arrestohet në Aeroportin “Adem Jashari” dhe dërgohet në burg

Një person i kërkuar nga organet e drejtësisë është arrestuar të hënën në mbrëmje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, menjëherë pas mbërritjes së tij nga Gjermania, transmeton albinfo.ch. 

Sipas raportimeve, arrestimi ka ndodhur më 19 maj 2026, rreth orës 18:50, kur gjatë kontrollit në sistemin policor në pikën kufitare është konstatuar se ndaj Ibrahim Vehbi Sylës ishte aktiv një urdhërarrest i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Burime bëjnë të ditur se personi në fjalë ishte i dënuar me dënim me gjobë, i cili më pas ishte konvertuar në dënim me burgim.

Pas ndalimit në aeroport, rasti është trajtuar nga njësitet relevante të Policisë, përkatësisht nga Stacioni Policor në Obiliq, të cilët më pas e kanë dërguar të arrestuarin në Qendrën Korrektuese në Hajvali, për vuajtjen e dënimit.

Arrestimi është realizuar menjëherë pas aterimit të tij në Kosovë nga Gjermania.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Albinfo.ch 

Tragjedi në Manhattan: 56-vjeçarja shqiptare humb jetën pasi ra në një pusetë elektrike

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Nju Jork, ku një grua shqiptare ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi ra në një pusetë elektrike të pambuluar në mes të rrugës, transmeton albinfo.ch. 

Viktima është identifikuar si D.G, 56-vjeçare, banore e Briarcliff Manor. Sipas policisë amerikane, incidenti ka ndodhur rreth orës 23:19 të së hënës, pranë Fifth Avenue në Manhattan.

Sipas dëshmitarëve, D.G.  kishte dalë nga vetura e saj dhe vetëm disa sekonda më pas u zhduk në një pusetë elektrike të hapur, rreth tre metra e thellë, që sipas raportimeve i përkiste kompanisë energjetike Con Edison.

“E mbylli derën e makinës dhe bëri një hap përpara. Papritur u zhduk”, ka deklaruar për mediat amerikane dëshmitari Carlton Wood.

Ai ka treguar se qytetarët u përpoqën menjëherë ta ndihmonin, ndërsa prisnin mbërritjen e ekipeve emergjente. Sipas tij, dikush solli edhe një shkallë të vogël, por thellësia e pusetës e bëri të pamundur nxjerrjen e saj.

“Ajo po bërtiste se po vdiste”, ka rrëfyer dëshmitari.

Në vendin e ngjarjes ndërhynë zjarrfikësit e FDNY, të cilët organizuan një operacion të vështirë shpëtimi duke përdorur shkallë për të hyrë në pusetë. Megjithatë, kur D.G. u nxor nga aty, ajo ishte pa ndjenja dhe pa shenja jete. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, ku më pas u shpall e vdekur.

Familjarët: Nuk kishte tabela paralajmëruese apo barriera sigurie

Sipas familjarëve të viktimës, në vendngjarje nuk kishte asnjë tabelë paralajmëruese, kone sigurie apo barriera mbrojtëse rreth pusetës së hapur. Ata kanë theksuar se rregulloret e qytetit kërkojnë që pusetat të jenë të mbuluara ose të bllokuara qartë për të shmangur rreziqe të tilla.

Avokati Christopher J. Gorayeb ka deklaruar se raste të tilla nuk janë të rralla në Nju Jork dhe se mbulesat e pusetave duhet të jenë të siguruara në mënyrë që të mos lëvizin aksidentalisht.

Ndërkohë, kompania Con Edison ka bërë të ditur se nga pamjet e sigurisë dyshohet se kapaku i pusetës ishte zhvendosur pak minuta më herët nga kalimi i një kamioni të rëndë në rrugë. Sipas kompanisë, rreth 12 minuta më vonë, viktima kishte parkuar makinën pranë vendit ku ndodhi tragjedia.

Familjarët e D.G.  vizituan vendin e ngjarjes të martën në mëngjes, ndërsa përpiqeshin të kuptonin se si ndodhi aksidenti fatal. Sipas tyre, ajo lë pas një djalë, një vajzë dhe dy nipër e mbesa.

Policia e Nju Jorkut (NYPD) ka deklaruar se nuk dyshohet për vepër penale, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë./Albinfo.ch 

Pëllumbat “pushtojnë” Bazelin, qyteti shkon në referendum për t’i përgjysmua

Banorët e qytetit të Bazelit do të votojnë më 14 qershor për një çështje të pazakontë, por gjithnjë e më problematike: menaxhimin dhe reduktimin e popullatës së pëllumbave, e cila sipas autoriteteve dhe qytetarëve po shkakton shqetësime të mëdha në jetën e përditshme, transmeton albinfo.ch.

Në votim do të paraqiten dy vizione të kundërta: një iniciativë popullore që kërkon masa më të shpejta dhe më të forta për uljen e numrit të pëllumbave, si dhe një kundërpropozim i Këshillit të Madh të Bazelit, i cili synon një qasje më të kontrolluar dhe graduale.

Në Basel, mijëra pëllumba janë kthyer në një problem serioz, duke shkaktuar ndotje dhe dëmtime në ndërtesa, ndërsa masat e deritanishme – si rrjetat metalike, ndalimi i ushqyerjes dhe përdorimi i shpendëve grabitqarë për t’i trembur – nuk kanë sjellë përmirësim të dukshëm.

Iniciatorja e nismës kantonale, Renée Winkler, ka deklaruar se situata është bërë e padurueshme për banorët, duke theksuar se pëllumbat mund të bëjnë vezë deri në tetë herë në vit, gjë që e rrit shumë shpejt popullatën e tyre.

Si zgjidhje, iniciativa propozon instalimin e kasolleve të pëllumbave, ku shpendët do të tërhiqen për të folezuar në vende të kontrolluara. Qëllimi është që lindjet të menaxhohen duke zëvendësuar vezët me karrem, duke ulur kështu numrin e tyre gradualisht.

Kjo metodë është përdorur tashmë në Bernë, ndërsa edhe Basel-Stadt e ka testuar më herët në kuadër të një projekti universitar. Biologia Maria Rohrer ka shpjeguar se në këto kasolle foletë numërohen dhe pëllumbat monitorohen, duke krijuar një ambient më të përshtatshëm për kontroll të popullatës.

Megjithatë, Parlamenti i Bazelit ka shprehur më shumë kujdes, duke propozuar një fazë pilot katërvjeçare me vetëm pesë kasolle, ndërkohë që synon të vazhdojë edhe me masa të tjera si kapja dhe largimi i pëllumbave.

Këshilltari i Shtetit, Kaspar Sutter, ka theksuar se rezultatet mund të arrihen vetëm përmes kombinimit të disa metodave, përfshirë kasollet dhe masat parandaluese, si përdorimi i zogjve grabitqarë.

Vendimi përfundimtar – nëse do të zbatohet një zgjidhje e menjëhershme apo një projekt pilot – do të merret nga qytetarët e Bazelit në votimin e 14 qershorit./Albinfo.ch

Mesazhi i Granit Xhakës për Arsenalin gjatë festës së titullit flet shumë

Granit Xhaka i ka dërguar një mesazh urimi ish-klubit të tij, Arsenal, pasi londinezët janë shpallur kampionë të Premier League, transmeton albinfo.ch.

“The Gunners” e siguruan titullin pasi Manchester City u ndal me barazim ndaj Bournemouth në stadiumin Vitality të martën mbrëma, rezultat që i hapi rrugë Arsenalit për kurorëzimin kampion.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, mesfushori i Sunderland, Granit Xhaka, publikoi në rrjetet sociale një fotografi të tij së bashku me trajnerin Mikel Arteta nga koha kur ishin pjesë e Arsenalit në “Emirates Stadium”.

Xhaka, i cili kaloi shtatë vite në Arsenal, ku fitoi dy herë FA Cup dhe dy herë Community Shield, e vlerësoi suksesin e klubit si rezultat të përkushtimit dhe punës së madhe të trajnerit spanjoll.

Mesazhi i ish-kapitenit u prit pozitivisht nga tifozët, duke treguar se lidhja e tij me Arsenalin mbetet ende e fortë edhe pas largimit nga klubi./Albinfo.ch

KQZ sqaron votuesit e diasporës: Pakot me fletëvotime po dërgohen përmes DHL

Kosovë –Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me një sqarim për votuesit e regjistruar për votim me postë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, transmeton albinfo.ch.

KQZ ka bërë të ditur se ka përgatitur pakot me fletëvotime për secilin votues që gjatë regjistrimit ka zgjedhur këtë formë votimi. Sipas njoftimit, një numër i madh i pakove tashmë janë pranuar nga posta dhe pritet të shpërndahen në adresat përkatëse në ditët në vijim.

Po ashtu, KQZ ka sqaruar se votuesit që po pranojnë SMS ose e-mail nga DHL, do të njoftohen përmes një kodi gjurmimi, me të cilin mund ta përcjellin vendndodhjen e dërgesës.

“Operatori ekonomik u jep mundësi votuesve që ta pranojnë dërgesën në adresën e tyre ose ta tërheqin personalisht në pikën më të afërt të DHL”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, KQZ ka marrë vendim që procesi i votimit me postë të nisë katër ditë më herët, pra më 21 maj, në vend të datës së planifikuar 25 maj.

Ky ndryshim është bërë pasi KQZ është njoftuar nga kontraktori i shërbimeve postare se DHL dhe shërbimet postare në disa vende evropiane nuk do të punojnë më 25 maj 2026, për shkak të një feste zyrtare, çka do të ndikonte në shpërndarjen dhe pranimin e dërgesave gjatë periudhës 22–26 maj./Albinfo.ch

Kur i thanë “nuk je për këngëtare”, Dua Lipa vendosi të mos dorëzohet

Historia e Dua Lipës është një dëshmi e qartë se talenti, guximi dhe këmbëngulja mund ta ndryshojnë fatin edhe atëherë kur të tjerët të thonë se nuk ia del, transmeton albinfo.ch.

Ajo lindi në Londër në vitin 1995, nga prindër shqiptarë të larguar nga Kosova gjatë luftës. Që në fëmijëri, Dua u rrit mes dy realiteteve: brenda shtëpisë flitej shqip, dëgjohej muzika dhe kultura shqiptare, ndërsa jashtë përpiqej të përshtatej me ritmin e një metropole si Londra. Ishte një jetë mes identiteteve, por edhe një rrugë që gradualisht do ta formësonte si artiste.

Dashuria për muzikën nisi herët. Dua provonte të këndonte në shkollë, por një fjali e thënë nga një mësuese do t’i mbetej gjatë në mendje: “Ti nuk je për të kënduar.” Për shumë të rinj, një vlerësim i tillë do të ishte fundi i ëndrrës. Për të, ishte vetëm fillimi i sfidës.

Në moshën 11-vjeçare, familja u kthye në Kosovë në një vend ende të prekur nga pasojat e luftës. Por në atë realitet të ri, Dua e ndjente se nuk e gjente veten. E kishte të qartë se ëndrra e saj për muzikën nuk mund të merrte formë aty ku ishte. Ajo donte të kthehej aty ku mund të rritej, të mësonte dhe të provonte veten: në Londër.

Dhe në moshën 15-vjeçare, ajo mori vendimin që do ta ndryshonte jetën. U kthye e vetme në Londër, me një guxim që pak adoleshentë do ta kishin. Ditën punonte për të siguruar jetesën – si kamariere dhe modele, ndërsa natën regjistronte këngë dhe publikonte cover-a në internet, duke shpresuar se një ditë dikush do ta dëgjonte. Nuk kishte garanci, nuk kishte rrugë të lehtë, kishte vetëm besim dhe punë.

Dhe një ditë… dikush e dëgjoi.

Në vitin 2017, kënga “New Rules” u shndërrua në një fenomen global dhe arriti vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar. Ishte momenti kur Dua Lipa nuk ishte më thjesht një vajzë që ëndërronte – por një emër që po hynte fuqishëm në skenën botërore, transmeton tutje albinfo.ch.

Por fama nuk erdhi vetëm me duartrokitje. Në vitin 2018, pas performancës në Brit Awards, ajo u përball me një valë talljesh dhe kritikash në rrjetet sociale. Një koment viral u shpërnda kudo, duke u kthyer në simbol të paragjykimeve që shpesh i shoqërojnë artistët në ngritje. Për një moment, Dua u tërhoq, u largua nga rrjetet sociale dhe heshti.

Por ajo nuk u dorëzua.

Kur u rikthye, u rikthye më e fortë, më e përgatitur dhe më e vendosur. Me këngën “Don’t Start Now”, ajo dëshmoi se jo vetëm kishte mbijetuar, por ishte rritur. Kritikat nuk e ndalën – përkundrazi, e forcuan.

Dua Lipa nuk e ndryshoi ëndrrën e saj.

Ajo ndryshoi mënyrën se si bota e shihte.

Dhe sot, emri i saj këndohet në çdo skenë të madhe të botës: Dua Lipa./Albinfo.ch

Basha Troni, regjisori me rrënjë shqiptare që po spikat në Finlandë

Basha Troni është regjisor, skenarist dhe producent filmi, i njohur për stilin e tij të veçantë regjisorial dhe qasjen emocionale në tregimin e historive njerëzore. Ai është një finlandez suedezfolës me rrënjë shqiptare, ndërsa filmat e tij fokusohen në ndjeshmërinë e brendshme dhe lidhjen mes njerëzve, të shoqëruara me intensitet dhe gjallëri në realizim, transmeton albinfo.ch.

Troni ka shkruar dhe ka realizuar disa filma të shkurtër, përfshirë edhe “Death of a Boy” (2021), i cili është vlerësuar për mënyrën autentike të rrëfimit dhe trajtimin e emocioneve.

Aktualisht, ai është duke zhvilluar filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë, dramën romantike “The Letters”, ndërsa njëkohësisht ka edhe një seri në zhvillim në bashkëpunim me Aurora Studios.

Si ndikimet e tij më të mëdha në regji, Basha Troni ka përmendur emrat e njohur të kinemasë botërore, Taylor Hackford dhe Steven Spielberg, duke theksuar se ata kanë ndikuar fuqishëm në formësimin e stilit të tij krijues./Albinfo.ch

 

Uta Ibrahimi rrëfen ngjitjen e dytë në Everest: Mbi 8 mijë metra ndjeva praninë e babait

Alpinistja nga Kosova, Uta Ibrahimi, ka ndarë emocionet e ngjitjes së saj të dytë në majën më të lartë në botë, Mount Everest, duke e cilësuar këtë ekspeditë si një përvojë të thellë dhe krejtësisht të ndryshme nga hera e parë, transmeton albinfo.ch.

Ibrahimi ka treguar se këtë herë në Everest nuk ishte vetëm si alpiniste, por edhe në rolin e guides dhe udhëheqëses, duke mbajtur përgjegjësi të madhe për sigurinë e ekipit në kushte ekstreme dhe rrezik të lartë.

Ajo tha se ngjitja u bë edhe më e veçantë pasi ndodhi në një datë personale të lidhur me familjen, ndërsa gjithë rrugëtimi ishte i mbushur me emocione dhe kujtime të forta.

Në rrëfimin e saj, Ibrahimi theksoi se mbi 8 mijë metra lartësi, mes erërave të forta dhe vështirësive të Everestit, kishte ndjerë praninë shpirtërore të babait të saj, duke e bërë këtë arritje edhe më personale dhe domethënëse./Albinfo.ch

A po deformojnë rrjetet sociale mënyrën si informohemi?

Autoriteti i medias në Holandë ka shprehur shqetësim për ndikimin që rrjetet sociale kanë në mënyrën se si qytetarët marrin dhe kuptojnë lajmet, duke thënë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë formimi i një opinioni të lirë dhe të informuar.

Sipas një raporti të ri, gjithnjë e më shumë qytetarë holandezë, sidomos të rinjtë, po i marrin informacionet nga platforma si TikTok, Instagram dhe X.

Raporti thekson se përmbajtja në këto platforma përcaktohet nga algoritme që zgjedhin çfarë shfaqet në “feed”-et e përdoruesve, shpesh duke favorizuar postime sensacionale ose kontroverse, pasi ato sjellin më shumë ndërveprim, transmeton albinfo.ch.

Autoriteti paralajmëron se kompanitë e rrjeteve sociale kanë interesa financiare për të shpërndarë përmbajtje tërheqëse, edhe kur ajo nuk është gjithmonë e besueshme, ndërsa përdoruesit kanë shumë pak kontroll mbi atë që u shfaqet.

Sipas tyre, ky model mund të dëmtojë cilësinë e informacionit dhe mënyrën se si formohet opinioni publik.

Në Cyrih promovohet libri “1998–1999. Vitet e Kosovës” i Blerim Shala

Të shtunën, më 23 maj 2026, në Cyrih do të mbahet promovimi i librit “1998–1999. Vitet e Kosovës” të publicistit Blerim Shala, një vepër që trajton periudhën vendimtare të luftës dhe rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Ngjarja do të zhvillohet nga ora 14:30 në SOHO(Hardstrasse 260, 8005 Zürich). Në promovim do të jetë i pranishëm edhe autori, ndërsa botuesi Enver Robelli do të mbajë fjalën hyrëse dhe do të zhvillojë një bashkëbisedim me autorin Blerim Shala rreth zhvillimeve politike, diplomatike dhe ushtarake të viteve 1998–1999.

Libri sjell një kronikë të ngjarjeve që çuan në çlirimin e Kosovës, duke trajtuar Konferencën e Rambouillet-së, ndërhyrjen e NATO-s, diplomacinë ndërkombëtare, si dhe dramën e dëbimit dhe kthimit të refugjatëve shqiptarë gjatë luftës.

Vepra është ribotuar nga Shtëpia Botuese “Dora d’Istria” me synimin që lexuesit shqiptarë, veçanërisht diaspora, të kenë mundësi të rikthehen te një nga periudhat më përcaktuese të historisë së Kosovës.

Detajet e ngjarjes:

• Libri: “1998–1999. Vitet e Kosovës”

• Autori: Blerim Shala

• Data: 23 maj 2026

• Ora: 14:30

• Vendi: SOHO | Events Location

Adresa: Hardstrasse 260, 8005 Zürich

Për më shumë informacione: https://www.dorabooks.com/product-page/blerim-shal…

 

Zakonet e lëvizjes së zviceranëve ndryshojnë për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve

Përballë rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve, zviceranët po rishikojnë mënyrën se si udhëtojnë, sipas një sondazhi të ri.

Rreth 42.1% e 1,000 personave të anketuar midis fundit të prillit dhe mesit të majit thanë se po përdorin më shpesh transportin publik, ndërsa 35.2% deklaruan se po ecin më shumë në këmbë, sipas një sondazhi të institutit kërkimor Marketagent Schweiz.

Më pak se një e treta (23.6%) thanë se po përdorin më shpesh biçikletën ose skuterin, ndërsa 14.7% po punojnë më shpesh nga shtëpia.

Edhe pse shumica e të anketuarve shprehen të shqetësuar për çmimet e larta të karburanteve dhe thonë se kjo po ndikon në buxhetin e tyre, më shumë se gjysma (56.9%) nuk planifikojnë të blejnë një automjet elektrik për shkak të kësaj situate. Vetëm 4.2% tashmë kanë blerë një të tillë, ndërsa 16.9% po e shqyrtojnë këtë mundësi.

Nëse do të blinin një makinë të re, 32.6% do të zgjidhnin një hibrid, 31% benzinë, ndërsa 26.1% do të zgjidhnin një automjet elektrik. Dizeli po humb terren, me vetëm 7.1% të të anketuarve që e konsiderojnë këtë lloj motori.

Kërkesa për makina elektrike në Zvicër është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, me një rritje prej 48% në kërkimet online, 69% në kërkesat për kontakt dhe 40% në shitje në platformën AutoScout24, sipas operatorit të platformës SMG, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, pjesa e makinave elektrike në flotën e përgjithshme të automjeteve në Zvicër është stabilizuar (21.7% e regjistrimeve të reja, me një rritje prej 1.2 pikë përqindjeje).

Ndërkohë, karikimi i një automjeti elektrik është më i lirë sesa mbushja e një rezervuari benzine, sidomos kur bëhet në shtëpi ose në punë. Një analizë e fundit e Swisscharge tregon se kostoja është rreth 5.23 franga zvicerane për 100 km, krahasuar me 11.08 franga për një makinë me benzinë.

SWISS anulon fluturimet nga Gjeneva drejt Prishtinës, Berlinit dhe Hamburgut

SWISS ka njoftuar se gjatë sezonit të ardhshëm dimëror do të anulojë tre linja që nisen nga Gjeneva: drejt Prishtinës, Berlinit dhe Hamburgut. Vendimi vjen si pasojë e mungesës së pjesëve të këmbimit dhe problemeve me mirëmbajtjen e motorëve të flotës Airbus A220.

Sipas kompanisë, këto vështirësi logjistike kanë ndikuar tashmë në operimet e saj, duke detyruar anulimin e disa fluturimeve edhe gjatë sezonit të pikut të këtij viti. Situata lidhet veçanërisht me sfidat në mirëmbajtjen e motorëve, të cilat kanë kufizuar përdorimin e avionëve në fluturime të shkurtra dhe mesatare, transmeton albinfo.ch.

Më herët, SWISS kishte marrë vendim të mbajë të tokëzuar për deri në 18 muaj nëntë avionë Airbus A220-100, me qëllim përdorimin e motorëve të tyre për avionët më të mëdhenj A220-300, të cilët transportojnë më shumë pasagjerë.

“Për të forcuar më tej stabilitetin operativ dhe besueshmërinë e planifikimit, SWISS po përshtat shërbimet nga Gjeneva,” thuhet në njoftimin e kompanisë.

Sipas orarit të ri, gjatë sezonit dimëror që zgjat nga 25 tetori 2026 deri më 27 mars 2027, SWISS do të operojë 15 destinacione të shkurtra nga Gjeneva, përveç linjës së gjatë drejt Nju Jorkut.

Problemi me furnizimin e pjesëve dhe mirëmbajtjen e flotës Airbus A220 vazhdon prej muajsh, duke ndikuar në planifikimin e kompanisë dhe në stabilitetin e rrjetit të saj ajror.

Nestlé dhe Danone tërheqin fshehurazi formulat për foshnje të kontaminuara me cereulid

Sipas një hetimi të realizuar nga RTS në bashkëpunim me Radio France dhe RTBF, kompanitë Nestlé dhe Danone kanë tërhequr në mënyrë “diskrete” produkte të formulave për foshnje nga farmacitë dhe supermarketet në disa vende të Evropës, pasi ishte zbuluar prania e cereulidit – një toksinë potencialisht e rrezikshme.

Sipas një raporti parlamentar francez të publikuar të martën, në këtë rast janë evidentuar “mangësi serioze” si nga autoritetet shtetërore ashtu edhe nga vetë prodhuesit, tranemeton albinfo.ch.

Tërheqje e heshtur nga tregu

Në bashkëpunim me autoritetet në Gjermani dhe Austri, Nestlé dhe Danone kanë hequr nga qarkullimi produktet e dyshuara pa bërë njoftim publik për konsumatorët.

Sipas autoriteteve të landit Hessen në Gjermani, ku ndodhet selia e Nestlé-së, tërheqja publike e produkteve të Nestlé është bërë më 5 janar 2026, ndërsa disa produkte ishin hequr nga tregu që më 24 dhjetor 2025, si pjesë e një tërheqjeje të heshtur.

Për Danone, tërheqja publike është bërë më 30 janar 2026, ndërsa disa produkte ishin hequr që më 24 janar 2026.

Prani e toksinës në nivele të ndryshme

Autoritetet austriake të sigurisë ushqimore kanë konfirmuar praninë e cereulidit në disa mostra të produkteve të Nestlé-së, me përqendrime 0.7 dhe 0.5 µg/kg pluhur. Këto nivele janë mbi vlerat referuese të përcaktuara nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).

Megjithatë, autoritetet theksojnë se një tërheqje publike kërkohet vetëm kur produkti vlerësohet si i rrezikshëm për shëndetin.

Si pasojë, për disa javë, foshnja në Gjermani dhe Austri kanë konsumuar këto produkte pa u informuar për rrezikun e mundshëm, ndërsa në disa vende të tjera produktet kanë vazhduar të shiten.

Vonesa në tërheqje publike

Në rastin e formulës Aptamil të Danone, tërheqja publike e një lote është bërë më 29 janar 2026 në Shqipëri, më 31 janar në Luksemburg dhe më 6 shkurt në Mbretërinë e Bashkuar – disa ditë pas tërheqjes së heshtur në Gjermani dhe Austri.

Reagimet dhe padia në Francë

Sipas burimeve të hetimit, drejtoria franceze e mbrojtjes së popullsisë (DDPP) në departamentin Aisne ka referuar rastin në prokurori sipas nenit 40 të Kodit të Procedurës Penale, duke ngritur dyshime për shkelje të detyrimeve ligjore të njoftimit.

Në Francë, prodhuesit e ushqimeve janë të detyruar të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse ekziston dyshim për rrezik ndaj shëndetit publik. Mosrespektimi i këtij detyrimi mund të dënohet me deri në 6 muaj burg dhe gjobë deri në 150,000 euro.

Qëndrimi i kompanisë Nestlé

Nestlé ka deklaruar se prioriteti i saj kryesor është siguria e konsumatorëve dhe se tërheqja publike bëhet vetëm pasi të jenë verifikuar plotësisht faktet dhe produktet e prekura.

Sipas kompanisë, veprimet e parakohshme mund të çonin në tërheqje të pasakta ose jo të plota të produkteve.

Kritika ndaj kontrolleve dhe sistemit të mbikëqyrjes

Raporti parlamentar francez gjithashtu ngre shqetësime mbi efektivitetin e kontrolleve ndaj furnizuesve dhe thekson mungesën e burimeve të mjaftueshme të autoriteteve mbikëqyrëse, të cilat shpesh mbështeten në vetëkontrollin e prodhuesve.

Ligjvënësit francezë kërkojnë që këto mangësi të adresohen urgjentisht për të shmangur kriza të ngjashme në të ardhmen.

Garë miliardëshe për ekspertët e AI, mes tyre edhe Mira Murati

Gjigantët e teknologjisë dhe startup-et e inteligjencës artificiale po zhvillojnë një garë të ashpër për të tërhequr një grup shumë të kufizuar ekspertësh që konsiderohen kyç për zhvillimin e inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI).

OpenAI, Meta, Google, DeepMind, Anthropic, xAI dhe Safe Superintelligence po konkurrojnë për një numër të vogël studiuesish dhe inxhinierësh elitë, të cilët kanë aftësi për të ndërtuar sisteme të avancuara të AI në shkallë globale.

Sipas raportimeve, kjo garë ka çuar në paketa kompensimi shumë të larta, përfshirë paga, bonuse dhe aksione që në disa raste arrijnë në shifra nëntëshifrore, si dhe fushata rekrutimi të drejtuara drejtpërdrejt nga drejtues të kompanive të mëdha teknologjike, shkruan euronews transmeton albinfo.ch.

Në këtë treg shumë konkurrues janë veçuar disa nga figurat më të njohura të industrisë:

Ilya Sutskever, ish-kryeshkencëtar i OpenAI dhe bashkëthemelues i Safe Superintelligence, i cili shihet si një nga figurat më me ndikim në kërkimin e AI.

Mira Murati, ish-drejtuese teknologjike e OpenAI dhe themeluese e Thinking Machines Lab, e cila ka tërhequr menjëherë ekip të ish-studiuesve të OpenAI.

Alexandr Wang, themelues i Scale AI, i cili tashmë ka marrë rol drejtues në strukturat e AI të Meta-s.

Demis Hassabis, drejtues i Google DeepMind dhe fitues i Çmimit Nobel në Kimi për punën në AI dhe biologji kompjuterike.

Andrej Karpathy, ish-OpenAI dhe Tesla, i njohur për ndikimin e tij në zhvillimin e sistemeve autonome dhe komunitetin e zhvilluesve.

Ekspertët vlerësojnë se konkurrenca për talent në AI po bëhet një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të industrisë, ku “kapitali njerëzor” po konsiderohet më i rëndësishëm se infrastruktura apo teknologjia vetë.

Në këtë garë globale, vetëm një numër shumë i vogël profesionistësh po përcakton drejtimin e së ardhmes së inteligjencës artificiale.

Rënie e obezitetit tek fëmijët në Zvicër, shenja pozitive pas 20 vitesh monitorimi

Epidemia e “obezitetit” tek fëmijët dhe adoleshentët në Zvicër duket se ka kaluar pikun e saj, sipas të dhënave të reja të publikuara nga Fondacioni Zviceran për Promovimin e Shëndetit.

Në fillim të monitorimit para rreth 20 vitesh, rreth një në pesë nxënës ishte mbipeshë ose obez. Sot kjo shifër ka rënë ndjeshëm dhe për vitin 2024/25 pritet të arrijë rreth 15.5%.

Sipas raportit të publikuar të martën, i cili shënon 20-vjetorin e këtij monitorimi, në qytetet Basel, Bern dhe Zurich vitin e kaluar rreth një në gjashtë nxënës është konsideruar mbipeshë – niveli më i ulët i regjistruar që nga fillimi i matjeve, transmeton albinfo.ch.

“Mbipesha tek nxënësit në Basel, Bern dhe Zurich ka qenë në rënie për 20 vite,” thuhet në raportin e Fondacionit.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore theksojnë se problemi mbetet ende shqetësues: një në gjashtë nxënës është ende mbipeshë, ndërsa rreth një në 25 vuan nga obeziteti.

Të dhënat dhe tendencat

Që nga viti shkollor 2005/06, fondacioni ka analizuar të dhënat për indeksin e masës trupore të fëmijëve dhe adoleshentëve në arsimin e detyrueshëm, në bashkëpunim me shërbimet shëndetësore shkollore në Basel, Bern dhe Zurich.

Sipas të dhënave, në 20 vitet e fundit niveli i mbipeshës ka rënë nga rreth 20% në rreth 15.5% në vitin 2024/25.

Rënia është më e theksuar në arsimin e mesëm të ulët, me rreth pesë pikë përqindjeje më pak, ndërsa në arsimin e mesëm të lartë është regjistruar një rënie më e vogël prej rreth tre pikë përqindjeje.

Në këtë grupmoshë, në vitet 2010 u vërejt një rritje e lehtë e mbipeshës, por vitet e fundit trendi është kthyer në rënie.

Faktori social mbetet vendimtar

Sipas Fondacionit për Promovimin e Shëndetit në Zvicër, faktorët socio-demografikë luajnë rol të rëndësishëm në rrezikun e mbipeshës.

Fëmijët nga lagje më të privilegjuara preken më rrallë nga mbipesha, ndërsa dallimet gjinore janë minimale. Ndërkohë, ndikimi i kombësisë është bërë më pak i rëndësishëm në vitet e fundit.

Për vitin shkollor 2024/25, analiza është bazuar në të dhënat e 15,178 nxënësve në Basel, Bern dhe Cyrih.

Edhe pse trendi është pozitiv dhe tregon një rënie të qëndrueshme të mbipeshës tek të rinjtë, ekspertët theksojnë se problemi mbetet ende i pranishëm dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme nga sistemi shëndetësor dhe shoqëria.

Neuchâtel refuzon kurset për përgatitjen e prindërve të ardhshëm

Parlamenti i kantonit Neuchâtel ka hedhur poshtë një propozim që synonte futjen e kurseve për përgatitjen e prindërve të ardhshëm. Motioni i paraqitur nga grupet Socialiste dhe GreenPOP u refuzua të martën me 48 vota kundër, 44 pro dhe 6 abstenime nga deputetët e GreenPOP, të cilat rezultuan vendimtare.

Qëllimi i nismës ishte rritja e ndërgjegjësimit te prindërit e ardhshëm për sfidat e rritjes së një fëmije, veçanërisht në lidhje me barazinë prindërore dhe parandalimin e dhunës. Propozimi parashikonte gjithashtu forcimin e përfshirjes së prindit të dytë në kujdesin perinatal, si dhe parandalimin dhe zbulimin e hershëm të depresionit pas lindjes.

“Kurset prenatale fokusohen kryesisht te lindja dhe ushqyerja me gji, ndërsa babai shpesh mbetet në plan të dytë. Megjithatë, shumë burra hasin vështirësi në rolin e tyre të ri familjar dhe rreth 10% e tyre përjetojnë gjithashtu depresion pas lindjes,” deklaroi Misha Müller (PS), nismëtari i propozimit.

Këshilli i Shtetit nuk ishte kundër idesë, duke theksuar se kjo çështje bën pjesë në strategjinë kantonale për politikën familjare. “Prindërimi është diçka që e bëjmë pa trajnim paraprak… kurset për përgatitjen e prindërve nuk do të ishin as absurde dhe as të tepërta,” u shpreh këshilltarja shtetërore Florence Nater, përgjegjëse për kohezionin social.

Megjithatë, Partia Popullore Zvicerane (UDC), grupi PLR-Le Centre dhe Partia Liberal-Ekologjike (PVL) e kundërshtuan propozimin, duke argumentuar se shteti nuk duhet të ndërhyjë në sferën private. Sipas tyre, ekziston rreziku që prindërit të fajësohen ose që vështirësitë normale pas lindjes të patologjizohen. Po ashtu, u shprehën shqetësime për kostot e mundshme të këtyre kurseve.

Ndërkohë, FDP propozoi një amendament që zëvendësonte termin “babai” me “prindi i dytë”, i cili u miratua.

Zyrtare: Zvicra në Botëror me Xhakën e Jasharin

Përzgjedhësi i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka publikuar listën me 26 lojtarët që do të udhëtojnë drejt Amerikës së Veriut për Kupën e Botës 2026, e cila zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Pas një procesi dyditor përzgjedhjeje, trajneri zviceran ka vendosur për emrat që do të përfaqësojnë Zvicrën në turneun më të madh të futbollit botëror, transmeton albinfo.ch.

Në mesin e futbollistëve të ftuar janë edhe Zeki Amdouni dhe Breel Embolo, pavarësisht se të dy kanë kaluar një sezon jo të lehtë me klubet e tyre. Ndërkohë, pjesë e listës është edhe talenti Johan Manzambi, emër që ishte përfolur prej ditësh në mediat zvicerane.

Në mesin e futbollistëve të përfshirë në listë janë edhe Granit Xhaka dhe Ardon Jashari, të cilët gjithashtu pritet të kenë rol të rëndësishëm në skuadër gjatë turneut.

Federata Zvicerane dhe trajneri Murat Yakin pritet që gjatë ditëve në vijim të publikojnë edhe detaje shtesë rreth përgatitjeve të ekipit para nisjes për në Amerikën e Veriut.

Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa Zvicra synon një paraqitje sa më të suksesshme në këtë edicion.