Baseli ul ndjeshëm tarifat për marrjen e shtetësisë zvicerane nga 1 korriku

Procedura për marrjen e shtetësisë zvicerane në kantonin e Basel-Stadt do të bëhet shumë më e lirë duke filluar nga 1 korriku i këtij viti. Autoritetet kanë vendosur që tarifa për procesin e natyralizimit të ulet ndjeshëm, nga 1,750 franga në 900 franga, përcjell albinfo.ch.

Vendimi u bë i ditur këtë javë nga Departamenti i Drejtësisë dhe Sigurisë në Basel-Stadt, i cili njoftoi se masa synon të lehtësojë qasjen e banorëve të huaj drejt marrjes së shtetësisë zvicerane.

Përveç uljes së tarifës bazë, një lehtësim i veçantë do të hyjë gjithashtu në fuqi nga e njëjta datë. Personat nën moshën 25 vjeç, si dhe ata që përfitojnë ndihmë sociale, nuk do të paguajnë më tarifat kantonale dhe komunale për procesin e natyralizimit.

Këta aplikantë do të duhet të paguajnë vetëm tarifën federale për procedurën e natyralizimit, e cila varion nga 50 deri në 150 franga.

Ky ndryshim ishte miratuar nga parlamenti i kantonit të Basel-Stadt në dhjetor të vitit 2025. Në atë kohë ishte aprovuar masa për uljen e tarifave, por data e saktë e hyrjes në fuqi të saj nuk ishte përcaktuar ende. Tani është konfirmuar se rregullat e reja do të zbatohen duke filluar nga 1 korriku./Albinfo.ch

Gjermania ndan 3 milionë euro për FSK-në për vitin 2026

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku është diskutuar bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë dhe forcimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përcjell albinfo.ch.

“Gjermania vazhdon të qëndrojë krah për krah me Kosovën në forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë”, ka shkruar Ambasada Gjermane në Kosovë në një postim në Facebook.

Sipas njoftimit, ambasadori Rudolph ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në kuadër të iniciativës “Enable and Enhance”, ku vetëm gjatë vitit 2026 do të investohen 3 milionë euro për pesë projekte kyçe.

Këto projekte synojnë forcimin e shërbimeve mjekësore, logjistikës dhe kapaciteteve të zjarrfikjes brenda FSK-së, duke kontribuar në rritjen e gatishmërisë operacionale dhe zhvillimin institucional të saj.

Po ashtu, në takim është përmendur edhe asistenca e vazhdueshme e Gjermanisë në trajnimin ushtarak të kadetëve kosovarë. Kadetët që aktualisht po ndjekin trajnim gjuhësor në Gjermani pritet të vazhdojnë më pas arsimimin për oficerë sipas standardeve të NATO-s.

Në njoftim thuhet gjithashtu se programi bilateral për vitin 2026 parasheh aktivitete të shumta të përbashkëta, përfshirë shkëmbime ekspertësh dhe trajnime në logjistikë, polici ushtarake dhe arsimim për oficerë.

“Gjermania ka qenë një partner i besueshëm për FSK-në që nga fillimi dhe mbetet e përkushtuar për thellimin e këtij bashkëpunimi dhe për mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane./Albinfo.ch

 

Debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës së sotme

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për vazhdimin e funksionimit të saj, kryeministri i vendit Albin Kurti theksoi rëndësinë e respektimit të këtij rendi kushtetues dhe funksionimit demokratik të institucioneve.

Kurti tha se: “Dekreti i lëshuar ishte në shpërputhje me Kushtetutën dhe ka krijuar një situatë e cila kërkon qartësi dhe jo konfuzion, e cila kërkon përgjegjësi dhe jo shmangie”.

Ai nënvizoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar kufijtë e kompetencave institucionale dhe ka riafirmuar parimet themelore të demokracisë në vend.

Sipas tij, shpërndarja e Kuvendit nuk mund të përdoret si mjet për të tejkaluar vështirësitë politike, duke shtuar se është dëshmuar qartë se askush nuk mund të cenojë vullnetin e qytetarëve përmes interpretimeve të paqarta kushtetuese.

Kryeministri theksoi se pas këtij vendimi nuk ekziston asnjë boshllëk institucional, por përkundrazi një detyrë e qartë për të vazhduar punën.

“Kuvendi është funksional,” u shpreh ai, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për të penguar këtë funksionim do të ishte e gabuar dhe e rrezikshme për balancën e pushteteve.

Kurti po ashtu vuri në dukje se demokracia nuk mund të zhvillohet përmes bllokadave institucionale, por përmes respektimit të ndërsjellë të kompetencave dhe rolit të secilit institucion, në përputhje me Kushtetutën.

Haradinaj: Kurti shpenzon më së shumti para duke i ushqyer ‘zagarët’ që fyejnë shqiptarët

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur mashtrues kryeministrin Albin Kurti derisa ka thënë se e gjithë përgjegjësia për gjendjen në vend bie mbi të.

“Sot erdh mashtruesi para nesh, me një mashtrim ideal dhe na mashtroi kryeministri”, ka nisur fjalimin në foltoren e Kuvendit Haradinaj.

Haradinaj është paralajmëruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për kujdes në deklarime.

“Mashtrimi nuk është fyerje”, i është përgjigjur ai kryeparlamentares pasi ajo i kërkoi që t’i ndalej fjala.

“Ndodhi një mashtrim dhe dua ta demaskoj. Kolegu që foli para meje është sa vjet në pushtet dhe mban përgjegjësi për çmimet, vjedhjen me energjinë, faturat që po na vinë, ky dhe qeveria juaj dhe nuk mund t’i ikni përgjegjësisë. Nuk mund të fshiheni pas çmimit tavan as asgjë sepse oligarkët tu kryeministër po blejnë e shesin energji çdo ditë, e po ju shtohen kompanitë njerëzve tuaj të afërt. Thotë po financohen mediat me thasë. Ky shpenzon më së shumti para duke ushqyer zagarë me i fy shqiptarët”, ka thënë Haradinaj.

PDK lëshon sallën për shkak të mosmiratimit të draft-rezolutës si pikë e parë në rend dite

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë nga salla pasi nuk gjeti miratimin për caktimin si pikë të parë të rendit të ditës draft-rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës dhe të viktimave të luftës, raporton Ekonomia Online

Vlora Çitaku tha se vetëm deputeti i PDK-së, Nait Hasani do të qëndrojë në seancë, për të folur në emër të PDK-së.

Gjithashtu mbështetje mori edhe nga AAK të cilët dolën nga salla pas PDK-së.

LDK kërkon hetim të pavarur dhe auditim për çështjen e njehsorëve elektrikë

Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar në seancën e Kuvendit më 02.04.2026 se LDK kërkon hetim të pavarur dhe auditim të plotë të sistemit të faturimit të energjisë elektrike nga KEDS-i.

LDK pretendon se shumica e njehsorëve elektrikë e masin kohën gabimisht. 

“Si është e mundur që qytetarët të kenë paguar për muaj të tërë, e ndoshta edhe për vite, fatura të padrejta me keqllogaritje. Ministria [e Industrisë] dhe institucionet e tjera nuk janë thirrur për përgjegjësi dhe ky fenomen nuk është i izoluar, por është i përhapur në çdo familje… Ministria e Industrisë nuk mund të sillet si spektatore, ka obligime, të reagojë dhe mbikëqyrë.” – tha Lushaku-Sadriu.

Ajo tha se LDK kërkon dorëheqje të Bordit të ZRrE-së (Zyrës së Rregullatorit të Energjisë), ndërprerje të çdo diskutimi për rritje të çmimit të energjisë, kompensim të qytetarëve dhe hetim nga Prokuroria.

Në një konferencë më 01.04.2026, KEDS ka bërë të ditur se rastet e devijimit të kohës në njehsorët e energjisë elektrike janë duke u trajtuar me prioritet. 

Në konferencë u sigurua se çdo konsumator i prekur do të verifikohet individualisht dhe do të kompensohet plotësisht për çdo faturim të pasaktë, deri në centin e fundit.

Kurse, një komision i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut, ka nisur më 01.04.2026 verifikimin e ankesave të para të qytetarëve për njehsorët e rrymës.

Ministria njoftoi se njehsorët te të cilët janë vërejtur mospërputhje të kohës janë tërhequr nga funksioni dhe janë dërguar për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.

“Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”- thuhet në njoftim, më 01.04.2026./Albinfo.ch

FMN-ja për Kosovën: Ngadalësim i ekonomisë, rritje e inflacionit dhe rreziqe nga pasiguria politike

Raporti vjetor i FMN-së thekson rritje të BPB-së prej 3.6% në vitin 2025, inflacion 5.7% në janar 2026 dhe rreziqe të vazhdueshme nga pasiguria politike dhe zhvillimet globale, përcjell albinfo.ch.

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar të enjten raportin vjetor për Kosovën, duke vlerësuar se ekonomia e vendit ka vazhduar të rritet, por me ritëm më të ngadalshëm, ndërsa inflacioni është rritur dhe rreziqet ekonomike mbeten të pranishme.

Sipas FMN-së, pas një viti të shënuar me bllokadë politike, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar. Rritja reale e Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) ra në 3.6% gjatë vitit 2025, nga 4.6% sa ishte në vitin 2024. Kjo rënie u ndikua kryesisht nga rënia e eksporteve dhe dobësimi i kërkesës nga sektori privat, megjithëse u kompensua pjesërisht nga rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike.

FMN-ja thekson se inflacioni në Kosovë ka vazhduar të rritet dhe ka arritur rreth 5.7% në janar 2026, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimit.

Po ashtu, deficiti i llogarisë rrjedhëse është rritur në 9.2% të BPB-së, duke reflektuar rritjen e importeve, veçanërisht të energjisë dhe ushqimit.

Sa i përket projeksioneve për vitin 2026, FMN-ja parashikon se rritja ekonomike do të jetë 3.3%, ndërsa inflacioni pritet të rritet në 5.9%, për të rënë gradualisht në rreth 2% deri në vitin 2028.

“Deficiti tregtar do të mbetet i lartë për shkak të importeve të mëdha. Një nga arsyet e rritjes së deficitit në vitin 2026 pritet të jetë edhe ndalja e përkohshme e një termocentrali me qymyr për renovim”, thuhet në raport.

Në analizën e saj, FMN-ja ka përmendur edhe rreziqet kryesore që mund të ndikojnë negativisht në ekonominë e Kosovës, përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme, tensionet në tregtinë globale, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe pasigurinë politike në vend, siç është procesi i zgjedhjes së presidentit.

Megjithatë, në anën pozitive, FMN-ja vlerëson se Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian mund të ketë ndikim të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe punësim, nëse zbatohet me kohë dhe në mënyrë efektive.

Në rekomandimet e saj, FMN-ja i ka kërkuar Kosovës që të mos rrisë ndjeshëm shpenzimet buxhetore në vitin 2026, të ruajë stabilitetin makroekonomik, të rrisë investimet publike dhe të përmirësojë menaxhimin e financave publike. Po ashtu, është kërkuar rritje e të hyrave buxhetore, forcim i mbikëqyrjes së sektorit bankar, monitorim më i kujdesshëm i kredive dhe tregut të patundshmërive, si dhe reforma strukturore për të rritur konkurrueshmërinë.

FMN-ja ka theksuar nevojën për uljen e papunësisë, rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, zvogëlimin e ekonomisë joformale dhe përmirësimin e sektorit të energjisë.

Në përfundim, FMN-ja vlerëson se ekonomia e Kosovës ka perspektivë pozitive, por mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve politike dhe zhvillimeve ndërkombëtare. Për këtë arsye, kërkohen reforma, kontroll më i madh i shpenzimeve dhe investime më të mençura, në mënyrë që vendi të arrijë rritje të qëndrueshme dhe të afrohet me standardet e Bashkimit Evropian./Albinfo.ch

Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Gjermani

Të premten, më 3 prill, në ora 20:15, do të mbahet finalja e madhe e spektaklit të njohur “The Voice Kids”, ku do të përcaktohet fituesi i këtij edicioni, shkruan albinfo.ch.

Në këtë natë vendimtare, secili talent do të performojë një këngë solo dhe më pas do të rikthehet në skenë për një performancë të përbashkët me trajnerin dhe ekipin e tij. Fituesi do të vendoset nga votat e publikut, të cilat mund të realizohen përmes aplikacionit Joyn, me telefon dhe përmes mesazheve.

Në finale kanë arritur gjithsej 12 finalistë, të ndarë në katër grupe, ku secili grup përbëhet nga tre këngëtarë dhe udhëhiqet nga trajneri përkatës.

Pjesë e finales është edhe Lionela Jakaj, 14-vjeçarja shqiptare që banon në Tulln të Austrisë dhe është me origjinë nga komuna e Gjakovës. Ajo është pjesë e grupit HE/RO dhe ka tërhequr vëmendjen e publikut me paraqitjen e saj energjike dhe vetëbesimin në skenë,

Lionela është prezantuar në spektakël me këngën “Easy” të Loredanës, ndërsa muzika rep mbetet stili që ajo e pëlqen më shumë. Sipas albinfo.at, Lionela tashmë mund të rivalizojë reperët e njohur për sa i përket vetëbesimit, duke u shprehur me moton e saj: “Nëse dua diçka, e arrij!”

Sa i përket çmimit, talenti fitues i “The Voice Kids” do të shpërblehet me 20,000 euro fonde arsimore, si dhe me mundësinë për të prodhuar këngën e tij në bashkëpunim me “Embassy of Music”.

Finalja pritet të sjellë emocione të mëdha, ndërsa Lionela Jakaj mbetet një nga emrat më të komentuar dhe shpresë e madhe për sukses në këtë garë prestigjioze./Albinfo.at

 

14-vjeçarja shqiptare nga Vjena mahnit jurinë në “The Voice of Kids” në Gjermani

 

Bebe Rexha nderohet me çmimin “Female Icon Award 2026” nga EDM Awards

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, është nderuar së fundmi me çmimin “Female Icon Award 2026” nga EDM Awards, një vlerësim i rëndësishëm që konfirmon ndikimin dhe kontributin e saj në skenën botërore të muzikës elektronike dhe dance, transmeton albinfo.ch.

E emocionuar nga ky sukses, artistja ka publikuar në Instagram një video ku shfaqet duke marrë trofeun, ndërsa ka shprehur mirënjohje të thellë për fansat dhe komunitetin e muzikës elektronike për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.

“Wow, faleminderit EDMAs. Kjo është e pabesueshme. ‘Female Icon Award 2026’. Dua të falënderoj shumë fansat e mi që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi të çmendur. Faleminderit gjithashtu komunitetit të muzikës dance që më ka pranuar. Muzika dance ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e jetës sime. Ka qenë arratisja ime, terapia ime – dhe vazhdon të jetë edhe sot…”, është shprehur Rexha.

Ajo theksoi se ndjesia që të jep muzika dance është e veçantë, sidomos kur këngët e saj dëgjohen në festivale, klube apo në përditshmëri, duke e konsideruar këtë zhanër si pjesë të rëndësishme të identitetit të saj artistik, transmeton tutje albinfo.ch.

Në të njëjtën deklaratë, Bebe Rexha shfrytëzoi rastin për të promovuar edhe projektin e saj më të ri muzikor, këngën “New Religion”, në bashkëpunim me grupin e njohur Faithless, e cila tashmë është publikuar.

Vitet e fundit, Bebe Rexha ka qenë shumë aktive në zhanrin euro-dance, duke sjellë projekte që janë kthyer në hite globale. Ndër më të suksesshmet përmenden “I’m Good (Blue)”, “One in a Million”dhe së fundmi “New Religion”, këngë që kanë forcuar edhe më shumë pozicionin e saj në tregun ndërkombëtar të muzikës elektronike.

Ky çmim konsiderohet si një tjetër arritje e rëndësishme në karrierën e saj, duke dëshmuar se Bebe Rexha vazhdon të mbetet një nga emrat më të fuqishëm shqiptarë në industrinë globale të muzikës./Albinfo.ch

Keystone
Keystone

NASA nis misionin Artemis II, astronautët rikthehen drejt Hënës pas 53 vjetësh

NASA ka nisur për herë të parë pas 53 vjetësh një mision të ri drejt Hënës me astronautë, duke shënuar një moment historik në programin hapësinor amerikan, përcjell albinfo.ch.

Bëhet fjalë për misionin Artemis II, i cili ka zgjuar interesim të madh në mbarë botën, me shumë persona që po e ndjekin nga afër lansimin e raketës së planifikuar për sot.

Astronautët Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen gjenden tashmë në kapsulën Orion, e cila do të dërgohet në hapësirë nga raketa që do të lansohet nga Kennedy Space Center në Florida.

Sipas planit të misionit, raketa do të bëjë një xhiro rreth Hënës, por nuk do të ulet në sipërfaqen e saj. Artemis II do të zgjasë rreth dhjetë ditë, duke u konsideruar si misioni i parë me astronautë drejt Hënës pas më shumë se gjysmë shekulli.

Para lansimit, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpërndarë një mesazh në platformën “TruthSocial”, duke e cilësuar këtë mision si një rikthim historik të Amerikës në Hënë.

“Për herë të parë në mbi 50 vjet, Amerika do të kthehet në Hënë! Artemis II, ndër raketat më të fuqishme që është ndërtuar ndonjëherë, do të dërgojë astronautët tanë të guximshëm më larg në hapësirë se që ka shkuar ndonjëherë njeriu…”, ka shkruar Trump.

Ndërkohë, pak para nisjes janë raportuar probleme teknike me sistemin e ndërprerjes, i cili shërben për shkatërrimin e raketës gjatë fluturimit në rast se ajo del jashtë trajektores, për të shmangur rrezikun ndaj njerëzve në Tokë.

Megjithatë, sipas raportimeve, defekti është rregulluar dhe lansimi pritet të realizohet sipas planit.

Misioni Artemis II konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt kthimit të njeriut në Hënë dhe përgatitjeve për misionet e ardhshme, që synojnë edhe uljen në sipërfaqe./Albinfo.ch

 

Keystone

Luis Hasa zgjedh Shqipërinë, FIFA zyrtarizon kalimin e talentit 20-vjeçar te kuqezinjtë

Një tjetër talent i ri pritet t’i bashkohet shumë shpejt Kombëtares shqiptare të futbollit. Bëhet fjalë për mesfushorin Luis Hasa, i cili ka vendosur zyrtarisht të përfaqësojë Shqipërinë, pavarësisht se është lindur dhe rritur në Itali dhe ka qenë pjesë e përfaqësueseve zinxhir të Italisë, përcjell albinfo.ch.

Vendimi i futbollistit 20-vjeçar është konfirmuar edhe nga FIFA, përmes platformës së saj për ndryshimin e federatave sportive, duke e bërë të mundur aktivizimin e tij me ekipin kuqezi në ndeshjet e ardhshme.

Luis Hasa ka lindur në vitin 2004Sora, Itali, dhe konsiderohet një nga mesfushorët më premtues të brezit të tij. Ai është formuar në akademinë e Juventusit, ku ka kaluar disa vite në zhvillim dhe është vlerësuar për teknikën dhe vizionin e lojës.

Pas Juventusit, Hasa është transferuar te Lecce, ndërsa verën e kaluar është blerë nga Napoli, një nga klubet më të mëdha në futbollin italian. Për të marrë më shumë minuta dhe përvojë, Napoli e ka huazuar atë në Toskanë, me synimin që lojtari të zhvillohet më tej dhe të fitojë stabilitet në karrierë.

Kalimi i Hasës te Shqipëria shihet si një përforcim i rëndësishëm për të ardhmen e kombëtares, duke shtuar konkurrencën në mesfushë dhe duke sjellë një tjetër emër të ri me përvojë nga akademitë elitare të Italisë.

Tashmë, pas zyrtarizimit nga FIFA, pritet që Luis Hasa të jetë në dispozicion të trajnerit të Shqipërisë për grumbullimet e ardhshme dhe të marrë mundësinë për debutim me fanellën kuqezi./Albinfo.ch

Muaji i Frankofonisë në Stokholm shënohet me aktivitete kulturore nga Ambasada e Kosovës

Muaji i Frankofonisë në Stokholm është shënuar me një sërë aktivitetesh kulturore dhe edukative të organizuara nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, në bashkëpunim me Institutin Francez në Stokholm, Ambasadën e Zvicrës në Suedi, si dhe partnerë të tjerë arsimorë e kulturorë, përcjell albinfo.ch.

Aktiviteti kulmor i këtij muaji ishte shfaqja e filmit “La Beauté de l’Âne” në kinemanë Zita, një vepër që trajton me ndjeshmëri temat e mërgimit, kujtesës dhe pasojave të luftës në Kosovë. Filmi u vlerësua për rrëfimin e tij personal dhe reflektues, duke nxitur interes të madh te publiku.

Pas shfaqjes, u zhvillua një diskutim interaktiv me regjisoren Dea Gjinovci, i udhëhequr në gjuhën frënge nga Nisa Sherifi, duke krijuar një hapësirë të hapur dialogu dhe shkëmbimi mendimesh me pjesëmarrësit.

Në vazhdim të programit, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Stokholm u organizua një pritje diplomatike me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve frankofone. Fjalën e rastit e mbajti Ambasadorja Shkendije Geci-Sherifi, së bashku me Vincent Juillerat, Zëvendës Shef i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Suedi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe promovimit të vlerave frankofone.

Mbrëmja u shoqërua me interpretim në piano të veprave të kompozitorit francez Yann Tiersen, si dhe me muzikë franceze, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë artistik në frymën e celebrimit të gjuhës dhe kulturës frënge.

Gjatë gjithë muajit u realizuan edhe aktivitete të tjera, përfshirë prezantimin e gastronomisë, një masterclass me regjisoren Dea Gjinovci, si dhe një aktivitet të veçantë me nxënësit e Lycée français Saint-Louis de Stockholm, duke kontribuar në promovimin e dialogut dhe shkëmbimit ndërkulturor.

Muaji i Frankofonisë në Stokholm u vlerësua si një organizim i rëndësishëm kulturor, që forcon lidhjet ndërkombëtare dhe promovon rolin e Kosovës në bashkëpunimet kulturore evropiane./Albinfo.ch

Nxënësit e klasës së nëntë në Ostermundigen nisin diplomën “Qyteti i rrënjëve të mia”

Shkolla shqipe në Ostermundigen, Bern, ka përcjellë një urim të veçantë për nxënësit me rastin e fillimit të pushimeve pranverore, duke theksuar se dita e fundit e mësimit u shoqërua edhe me aktivitete të rëndësishme edukative, përcjell albinfo.ch.

Sot, përveç mësimit të rregullt, leximit dhe shkrimit me nxënësit e nivelit të parë dhe të dytë, nxënëset e nivelit të tretë, përkatësisht klasa e nëntë, kanë nisur punën për temën e diplomës me titull “Qyteti i rrënjëve të mia”, një projekt që synon të forcojë lidhjen e tyre me origjinën dhe identitetin shqiptar.

Njëkohësisht, gjatë kësaj dite janë shpërndarë edhe librat e nivelit të tretë, të cilët do të shërbejnë për vazhdimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Me këtë rast, drejtuesit e shkollës kanë shprehur falënderim të veçantë për Ambasadën e Kosovës në Bern dhe për zëvendësambasadoren Shukrije Ramadani, për mbështetjen e vazhdueshme dhe mundësimin e furnizimit me libra për mërgatën.

Shkolla shqipe në Ostermundigen ka njoftuar se mësimi do të vazhdojë pas pushimeve më 22.4.2026, duke uruar për të gjithë nxënësit pushime të mbara, të këndshme dhe të mbushura me energji./Albinfo.ch

Rita Ora tërheq vëmendjen në Irlandë me paraqitje të guximshme skenike

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka tërhequr vëmendje të madhe me paraqitjen e saj të fundit gjatë një performance në Irlandë, ku u shfaq me një stil të guximshëm dhe tejet të komentuar, përcjell albinfo.ch.

Artistja u pa e veshur me një fustan të shkurtër prej lëkure me korse, i cili theksonte linjat e saj trupore, duke i dhënë një pamje të fuqishme dhe tërheqëse në skenë.

Rita e kompletoi dukjen me çizme të gjata deri në gju, ndërsa disa detaje rozë i shtuan edhe më shumë hijeshi paraqitjes së saj. Po ashtu, stili i flokëve dhe aksesorët e zgjedhur kontribuuan në një pamje moderne dhe të guximshme skenike.

Para performancës, këngëtarja u shfaq në humor të mirë edhe në prapaskenë, ku ndau momente të afërta me fansat dhe ekipin e saj, duke reflektuar energji pozitive.

Pas koncertit, Rita Ora u shpreh e emocionuar për eksperiencën dhe bëri të ditur se mezi pret të rikthehet në turne.

“Ishte shumë e shkurtër, por më pëlqeu personi që u bëra në skenë dhe jashtë saj. Mezi pres të rikthehem sërish”, ka shkruar ajo.

Paraqitja e saj në Irlandë u prit me interes të madh nga fansat dhe mediat, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga artistet më të ndjekura dhe më të komentuar në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Zvicra pritet të sjellë robotë autonomë për pastrimin e rrugëve

Në Zvicër, pastrimi i rrugëve mund të marrë së shpejti një pamje krejtësisht tjetër. Sipas raportimeve, vendi është në proces të prezantimit të një rrjeti të madh mikro-robotësh autonomë, të dedikuar për pastrimin e trotuareve dhe hapësirave publike, transmeton albinfo.ch.

Këto pajisje të vogla, të pajisura me sensorë të avancuar dhe inteligjencë artificiale, pritet të lëvizin vazhdimisht në zonat urbane, duke mbledhur pluhur, gjethe dhe mbeturina të vogla. Falë teknologjisë së tyre, robotët janë në gjendje të lëvizin me siguri rreth këmbësorëve, biçiklistëve, madje edhe kafshëve shtëpiake, si qentë, pa krijuar rrezik apo pengesë.

Ideja kryesore e këtij projekti është që të ruhet standardi i lartë i pastërtisë për të cilin Zvicra është e njohur, duke njëkohësisht reduktuar kostot dhe optimizuar punën e mirëmbajtjes urbane.

Megjithatë, në një vend që tashmë konsiderohet ndër më të pastërtit në botë, sfida kryesore mund të mos jetë teknologjia apo efikasiteti, por gjetja e asaj që ende ka nevojë për pastrim.

Ky zhvillim pritet të hapë diskutime edhe mbi rolin e teknologjisë në shërbimet publike dhe mënyrën se si qytetet evropiane po përshtaten me të ardhmen digjitale./Albinfo.ch

Kryetari i Nju-Jorkut provon ushqimin shqiptar te Action Bronson

Kryetari i Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, është bërë pjesë e një momenti të pazakontë dhe tipik “Nju Jork style”, duke kaluar kohë me reperin dhe kuzhinierin e njohur Action Bronson, ku në qendër të vëmendjes ishte ushqimi shqiptar, përcjell albinfo.ch.

Në një takim që ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, Mamdani u pa duke provuar pjata tradicionale shqiptare të përgatitura nga vetë Bronson, i cili prej kohësh njihet për lidhjen e tij të fortë me gastronominë dhe rrënjët shqiptare.

Ky moment nuk u konsiderua vetëm si një degustim i thjeshtë ushqimi, por edhe si një ndërthurje interesante mes kulturës, politikës dhe identitetit. Përmes gatimeve të tij, Action Bronson solli një pjesë të Shqipërisë në zemër të Nju-Jorkut, duke i prezantuar kryetarit shije autentike dhe traditë kulinare që lidhen me trashëgiminë shqiptare.

Reperi, i njohur për emisionet e tij kulinare dhe pasionin e madh për gastronominë, i shpjegoi Mamdanit elementet kryesore të kuzhinës shqiptare, ndërsa kryetari e përjetoi këtë eksperiencë si një reflektim të diversitetit kulturor që e karakterizon qytetin që ai drejton.

Takimi është komentuar gjerësisht si një shembull i bukur se si ushqimi mund të bashkojë kultura të ndryshme dhe të krijojë ura komunikimi edhe në nivelet më të larta të lidershipit, duke e kthyer një moment të thjeshtë në një simbol të dialogut kulturor./Albinfo.ch

12,000 franga gjoba për parkim në St. Gallen në vetëm 20 ditë

Në St. Gallen, vendet e reja për motoçikleta në qendër të qytetit ngjajnë me vendet për makina, dhe vetëm një tabelë e vogël tregon ndryshimin. Shoferët që parkojnë atje me katër rrota po marrin gjoba.

Në 20 ditët e fundit, policia ka dhënë 290 gjoba, duke siguruar rreth 12,000 franga të ardhura. Shumica e shoferëve nuk kanë vënë re shenjën e vogël të motoçikletave.

Dionys Widmer, zëdhënës i policisë së qytetit, tha se shenjat janë të mjaftueshme dhe në përputhje me ligjin e trafikut. Shoferët e revoltuar e quajnë këtë ngacmim dhe ankohen për mungesë informacioni.

Vendet e parkimit për makina që janë kthyer për motoçikleta duken të gjera dhe të ngjashme me ato për makina, duke shkaktuar konfuzion dhe gjoba të papritura për qytetarët.

Ambasada e Kosovës në Austri njofton për pushimet gjatë festave zyrtare në prill 2026

Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Shërbimi Konsullor bëjnë me dije se gjatë muajit prill 2026 nuk do të ofrojnë shërbime në përputhje me Ligjin për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe festat zyrtare të shtetit pritës.

Datat e mbylljes janë:

E hënë, 6 prill – Pashkët Katolike

E enjte, 9 prill – Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

E hënë, 13 prill – Pashkët Ortodokse

Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë ambasadën në:

Email: [email protected]

Numri emergjent: +43 676 646 81903

Numri i zakonshëm i telefonit nuk do të jetë aktiv gjatë festave zyrtare dhe fundjavës.

Ambasada falënderon qytetarët për mirëkuptim.

Bllokime trafiku në Gotthard gjatë Pashkëve: Çfarë pritet dhe si të përgatiteni

Gjatë festave të Pashkëve, trafiku drejt jugut në Kalimin e Gotthard-it pritet të jetë i rëndë, veçanërisht ditën e Enjte të Madh dhe të Premten e Madhe. Udhëtimi i kthimit drejt veriut do të jetë më i ngarkuar Ditën e Pashkëve dhe të Hënën e Pashkëve.

Ekspertët e trafikut shpjegojnë se numri i madh i makinave dhe frenimet e vogla shkaktojnë bllokime të shpejta. Edhe me parashikime të sakta, shumë udhëtarë nisen në të njëjtën kohë, duke shkaktuar pritje të gjata.

Zgjidhjet më efektive për të ulur bllokimet janë: reduktimi i numrit të makinave njëkohësisht, mundësia e taksës së kalimit për të gjithë dhe zgjerimi i infrastrukturës, megjithëse kjo është e shtrenjtë. Teknologjitë e reja për ndihmë në drejtim mund të ndihmojnë, por nuk e zgjidhin problemin kryesor: shumë makina në të njëjtën kohë.

Udhëtarët këshillohen të jenë të përgatitur, të kenë pije, ushqime dhe argëtim për fëmijët, dhe të zgjedhin orare fleksibël për të shmangur bllokimet më të mëdha.

Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë një person i kërkuar për mashtrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi nga Zvicra në Kosovë i një shtetasi kosovar me inicialet B.Z., i cili kërkohej me urdhër ndërkombëtar për veprën penale “mashtrim”.

Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është kryer më 1 prill 2026 nga njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës, transmeton albinfo.ch.

I dyshuari ishte arrestuar më herët nga autoritetet zvicerane, pasi që ndaj tij ishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar përmes Interpolit nga institucionet e Kosovës. Ai dyshohet se i ishte shmangur drejtësisë për një periudhë të caktuar.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Zvicrës.

Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për shkëmbim informacioni, me qëllim parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

Tre muaj pas tragjedisë në Crans-Montana: ku qëndron ndihma financiare për viktimat?

Tre muaj pas zjarrit tragjik në Crans-Montana, procesi i mbështetjes financiare për viktimat ka hyrë në një fazë të re. Që nga 1 prilli, ndihma emergjente është zëvendësuar me mbështetje afatgjatë, sipas ligjit për ndihmën ndaj viktimave (LAVI).

Në këtë fazë, shpërndarja e ndihmës bazohet në gjendjen financiare të përfituesve: sa më të ardhura të kenë viktimat, aq më e kufizuar është ndihma që mund të marrin.

Autoritetet zvicerane kanë parashikuar edhe masa shtesë. Kantoni i Valais ka ndarë 10 mijë franga për çdo viktimë, ndërsa Konfederata Zvicerane ka premtuar 50 mijë franga për personat e vdekur dhe të plagosurit rëndë. Deri më tani, pjesa më e madhe e përfituesve kanë marrë ndihmën kantonale, ndërsa pagesat federale ende nuk janë realizuar dhe pritet të shpërndahen në javët në vijim.

Ndërkohë, fondacioni “Beloved”, i krijuar pas tragjedisë, ka në dispozicion rreth 24 milionë franga për të mbuluar nevoja që nuk përfshihen nga skemat zyrtare, si humbja e vendit të punës apo pasoja të tjera ekonomike.

Ekspertët theksojnë se procesi i plotë i kompensimit është ende në fazat fillestare dhe mund të zgjasë me vite, pasi varet nga hetimet penale dhe gjendja shëndetësore e të lënduarve.

Ngjarja ka nxitur gjithashtu debat mbi mangësitë e sistemit aktual, duke hapur mundësinë për ndryshime ligjore në të ardhmen për të përballuar më mirë fatkeqësi të përmasave të tilla.

Këshilli Federal i Zvicrës rekomandon refuzimin e iniciativës për ndalimin e armëve bërthamore

Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur të refuzojë iniciativën popullore që kërkon që vendi t’i bashkohet Traktatit të OKB-së për ndalimin e armëve bërthamore. Sipas tij, një hap i tillë do të kishte kryesisht karakter simbolik dhe nuk do të sillte ndikim real.

Qeveria nuk ka propozuar asnjë alternativë (kundërpropozim). Çështja pritet të shqyrtohet nga Parlamenti vitin e ardhshëm, ndërsa Këshilli Federal synon të paraqesë qëndrimin e tij zyrtar deri në vjeshtë.

Arsyet e refuzimit

Vendimi nuk është surprizë. Edhe në mars 2024, qeveria kishte refuzuar nënshkrimin e traktatit – për herë të dytë – pavarësisht një mandati nga Parlamenti.

Argumentet kryesore janë:

Traktati ka ndikim të kufizuar, pasi shumica e vendeve perëndimore dhe evropiane nuk e njohin atë.

Asnjë shtet që zotëron armë bërthamore nuk është pjesë e traktatit.

As aleatët ushtarakë të këtyre vendeve nuk janë bashkuar.

Sipas Këshillit Federal:

Bashkimi me traktatin mund të dëmtojë madje sigurinë e Zvicrës.

Në vend të kësaj, Zvicra preferon të angazhohet për çarmatimin bërthamor përmes Traktatit për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Dokumentimi i traumës së luftës: Nga promovimi në Bernë i librit “Klithma” të Alketa Gashi-Fazliut

Më 28 mars, në ambientet e Kongresszentrum Allresto në Bernë, u promovua libri më i ri i autores Alketa Gashi-Fazliu, “Klithma”, një vepër që depërton në një nga dimensionet më të rënda dhe më pak të artikuluara të luftës në Kosovë: traumën fizike dhe psikologjike të fëmijëve të gjymtuar nga dhuna sistematike.

Mbrëmja nisi me tingujt e himnit kombëtar në piano të interpretuar nga Ermira Lefort, e cila vijoi më pas me një tjetër vepër nga repertori i saj.

Narrativa e veprës mbështetet në një realizëm të drejtpërdrejtë, të çliruar nga ornamentet letrare. Pikërisht kjo qasje e bën tekstin të qëndrojë si një formë arkivi të gjallë të memories historike, ku shifrat marrin emra dhe statistikat shndërrohen në fate konkrete njerëzore.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, Alketa Gashi-Fazliu theksoi domosdoshmërinë e dokumentimit të së vërtetës si një akt i domosdoshëm përballë harresës dhe relativizimit historik, duke e konceptuar librin si një hapësirë ku përvojat individuale marrin formë të artikuluar në një ndërgjegje të përbashkët. “Klithma”, sipas saj, përmbledh dëshmi që nxjerrin në sipërfaqe një realitet të rëndë, i cili për një kohë të gjatë ka mbetur jashtë vëmendjes së strukturuar publike.

“Me librin “Klithma”  kam synuar të dokumentoj jetët e fëmijëve që u plagosën rëndë dhe që vijojnë të jetojnë me pasojat e drejtpërdrejta të asaj dhune. Rrëfimet janë të mbështetura në përvoja reale dhe të verifikuara, dhe për këtë arsye duhet të lexohen si dëshmi faktike. Në këtë libër nuk ka ndërhyrje stilistike për ta zbutur përmbajtjen. Ajo që paraqitet është përjetimi i drejtpërdrejtë i dhunës në trup dhe në jetën e përditshme. Çdo histori e përfshirë e vendos në pah se ajo që ka ndodhur nuk mund të konsiderohet e përfunduar.

Dokumentimi i këtyre përvojave mbetet një detyrim ndaj së vërtetës dhe ndaj atyre që vazhdojnë ta mbajnë atë në jetën e tyre. Libri ndërtohet mbi tetë histori autentike të personave të plagosur rëndë gjatë fëmijërisë, të cilët edhe sot mbartin pasojat e një konflikti që ndërpreu jo vetëm integritetin trupor, por edhe rrjedhën e jetës së tyre.

Përmes dëshmive të Atifete Gashit, Ganimete Latifi Abazit, J.K., A.B., K.B., Burim Përteshit, Altin Kelmendit, Rifadie Halili Ramiqit dhe Arben Gurit, kam synuar të dokumentoj jo vetëm aktin e dhunës, por edhe rezonancën e saj të zgjatur në jetën individuale dhe familjare”, u shpreh autorja Alketa Gashi.

Ngjarja, e organizuar nën patronazhin e Lidhjes Shqiptare në Botë, mblodhi rreth 80 pjesëmarrës, përfaqësues të jetës akademike, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik. Diskutimi që pasoi e vlerësoi veprën si një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në forcimin e kujtesës historike.

Me fjalë rasti u drejtuan Shukrije Ramadani, zëvendësambasadore e Republikës së Kosovës, si dhe Monika Zguro nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Një reflektim më i zgjeruar mbi tematikën e librit solli Bardhyl Mahmuti nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, ndërsa Saime Isufi paraqiti recenzionin e veprës.

Folësit e cilësuan librin si një akt të domosdoshëm dëshmie, që kontribuon në adresimin e përgjegjësisë morale dhe në ruajtjen e memories kolektive përballë rrezikut të harresës.

Projekti “The Guestkeepers”

Në pjesën e dytë të mbrëmjes u prezantua projekti “The Guestkeepers”, një iniciativë që synon fuqizimin e turizmit kulturor në Kosovë. Koordinatorja Krenare Rizvanolli-Sina dhe menaxheri Nazmi Jahkurti prezantuan një platformë që synon trajnimin e të rinjve si “ambasadorë të mikpritjes”, përmes standardeve profesionale dhe certifikimit “Kosova Inn”. Projekti ndërthur promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zejeve tradicionale me kërkesat e turizmit bashkëkohor, duke synuar ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm dhe konkurrues të Kosovës.

Promovimi i librit “Klithma” nuk u përkufizua si një ngjarje letrare në kuptimin klasik, por si një akt reflektimi kolektiv mbi dhimbjen dhe përgjegjësinë. Vepra, e mbështetur në dëshmi reale dhe të verifikueshme, e pozicionon veten si një dokument me peshë historike dhe vlerë të qëndrueshme kombëtare.

Në fund, ajo që mbeti në sallë nuk ishte thjesht emocioni i çastit, por një heshtje e ngarkuar me kuptim, një hapësirë ku fjala tërhiqet dhe ndërgjegjja fillon të flasë. Pikërisht në këtë heshtje, “Klithma” artikulon fuqinë e saj më të madhe si një prani që mbetet, që rëndon dhe që kërkon të mos harrohet.

 

 

 

Lufta në Lindjen e Mesme: Irani mohon kërkesën për armëpushim, përshkallëzohen sulmet

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se Irani ka kërkuar një armëpushim, por theksoi se Shtetet e Bashkuara do të konsiderojnë ndalimin e luftimeve vetëm pasi të rihapet Ngushtica e Hormuzit. Nga ana tjetër, Teherani e ka mohuar kategorikisht këtë pretendim përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Sulmet me raketa nga Irani kanë shkaktuar të plagosur në zonën e Tel Avivit, ndërsa mediat iraniane raportojnë për sulme ajrore izraelito-amerikane ndaj objekteve industriale në Iranin qendror dhe jugperëndimor.

Presidenti Trump pritet t’i drejtohet kombit mbrëmjen e së mërkurës për zhvillimet e fundit, ndërsa më herët ka deklaruar se SHBA mund të tërhiqet nga konflikti “shumë shpejt”, brenda dy ose tre javësh.

Zvicër: Hiqet tatimi mbi vlerën e qirasë nga viti 2029

Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur që reforma e tatimit mbi banesat të hyjë në fuqi më 1 janar 2029, duke shënuar heqjen e tatimit mbi vlerën e qirasë për pronat e banuara nga vetë pronarët.

Në muajin shtator, qytetarët dhe kantonet miratuan dekretin federal që lidhet me tatimin kantonal mbi pronat e dyta. Ky dekret u jep të drejtë kantoneve të vendosin një taksë të veçantë për banesat e dyta që përdoren kryesisht për qëllime personale. Kjo taksë synon të kompensojë humbjet e mundshme në të ardhura që mund të vijnë nga heqja e tatimit mbi vlerën e qirasë.

Periudha kalimtare prej tre vitesh para hyrjes në fuqi të reformës do t’u japë kantoneve kohën e nevojshme për të përshtatur legjislacionin e tyre, duke futur njëkohësisht taksën e re për banesat e dyta dhe duke hequr tatimin ekzistues.

Një veçori zvicerane

Tatimi mbi vlerën e qirasë është një veçori specifike e sistemit zviceran dhe prek pronarët që jetojnë në banesat e tyre. Ai përfaqëson një të ardhur të supozuar, që korrespondon me shumën që pronarët do të përfitonin nëse do ta jepnin pronën e tyre me qira.

Me reformën e re, kjo formë tatimi do të hiqet si për banesat kryesore ashtu edhe për ato dytësore. Në këmbim, interesat e kredive hipotekore, si dhe shpenzimet për mirëmbajtje dhe rinovim, do të jenë të zbritshme vetëm pjesërisht. Këto masa gjithashtu do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2029.

Humbjet në të ardhura vlerësohen rreth 1.8 miliardë franga në vit, ku dy të tretat pritet të përballohen nga kantonet. Për këtë arsye, Parlamenti ka miratuar vendosjen e një takse të veçantë për banesat e dyta, të cilën kantonet – veçanërisht ato me fokus turizmin – do të jenë të lira ta aplikojnë ose jo.