Sistemi shëndetësor zviceran kundër kufizimit të imigracionit

Sektori shëndetësor në Zvicër është bashkuar kundër iniciativës popullore që synon kufizimin e popullsisë së vendit në 10 milionë banorë deri në vitin 2050, duke argumentuar se masa do të rrezikonte seriozisht funksionimin e sistemit shëndetësor, raporton Reuters, transmeton albinfo.ch.

Organizatat kryesore të shëndetësisë, spitalet dhe institucionet e kujdesit social theksojnë se Zvicra tashmë përballet me mungesë të fuqisë punëtore dhe varet në masë të madhe nga profesionistët e huaj, veçanërisht infermierët, mjekët dhe personeli i kujdesit afatgjatë. Kufizimi i imigracionit do ta vështirësonte edhe më shumë rekrutimin e stafit të nevojshëm për të mbuluar kërkesat në rritje të popullsisë.

Varësia nga punëtorët e huaj

Sipas kundërshtarëve të iniciativës, shumë sektorë jetikë të ekonomisë zvicerane, përfshirë shëndetësinë, funksionojnë falë punonjësve të ardhur nga vendet e Bashkimit Evropian dhe rajone të tjera.

Kufizimi i lëvizjes së lirë të personave do të krijonte mungesa të konsiderueshme të personelit dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve për pacientët.

Përfaqësues të sektorit paralajmërojnë se pa personelin e huaj do të bëhej gjithnjë e më e vështirë mbajtja e standardeve aktuale të kujdesit shëndetësor, sidomos në një kohë kur popullsia po plaket dhe nevojat për shërbime mjekësore po rriten vazhdimisht.

Referendumi i 14 qershorit

Iniciativa e promovuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) kërkon që popullsia rezidente e Zvicrës të mos kalojë 10 milionë banorë para vitit 2050. Nëse ky prag arrihet, qeveria do të detyrohej të ndërmarrë masa për kufizimin e imigracionit dhe të rishikojë marrëveshjet ndërkombëtare që nxisin rritjen e popullsisë, përfshirë marrëveshjen e lëvizjes së lirë me Bashkimin Evropian.

Qeveria federale, kantonet, organizatat ekonomike, sindikatat dhe tani edhe sektori shëndetësor janë shprehur kundër iniciativës, duke argumentuar se ajo do të dëmtonte ekonominë, tregun e punës dhe marrëdhëniet me BE-në.

Referendumi do të mbahet më 14 qershor dhe konsiderohet një nga votimet më të rëndësishme të këtij viti në Zvicër, pasi rezultati mund të ndikojë ndjeshëm në politikën e migracionit dhe në të ardhmen e tregut të punës.

Për 5 cent më pak taksa, dënohet qytetari i Cyrihut

Një rast i pazakontë nga Cyrihu ka tërhequr vëmendjen e mediave zvicerane dhe ka nxitur diskutime për mënyrën se si trajtohen borxhet tatimore.

Një qytetar u njoftua nga Zyra e Përmbarimit se kishte mbetur pa paguar vetëm 5 cent nga detyrimet e tij tatimore. Megjithëse shuma ishte minimale, autoritetet nisën procedurën standarde të përmbarimit, transmeton albinfo.ch.

Si rezultat, përveç 5 cent të papaguara, qytetari u detyrua të paguante edhe 36.25 franga tarifa administrative dhe procedurale.

Ai e cilësoi vendimin si të tepruar, duke argumentuar se shuma e munguar mund të ishte shtuar lehtësisht në faturën e ardhshme të taksave. Rasti ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ku shumë qytetarë kanë vënë në pikëpyetje nëse procedura të tilla janë të arsyeshme për shuma kaq të vogla.

Manifestim në Gjenevë me moton “Shqipëria nuk shitet”

Këtë të enjte, më 11 qershor në Gjenevë ng veprimtrë të bashkuar të disporës organizohet protesta e radhës në mbështetje të aktiviteteve që po zhvillohen në Shqipëri, me moton “Shqipëria nuk shitet”.

Manifestimi mbahet për të shprehur shqetësimin e qytetarëve të Shqipërisë, solidaritet i pakompromis i mërgatës shqiptare ndaj çdo politike apo vendimi që perceptohet se cenon interesin kombëtar, pasuritë publike, sovranitetin dhe të ardhmen e vendit.

Ai synon të dërgojë një mesazh të qartë se toka, burimet natyrore dhe interesat strategjike të Shqipërisë janë pasuri të përbashkëta, të cilat duhet të mbrohen me përgjegjësi dhe transparencë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Manifestimi është paqësor, demokratik dhe qytetar. Ai nuk organizohet kundër institucioneve, por në mbështetje të së drejtës së qytetarëve për t’u dëgjuar dhe për të shprehur mendimin e tyre për çështje që prekin të ardhmen e kombit.

“Shqipëria nuk është në shitje. Ajo është trashëgimi, përgjegjësi dhe e ardhmja jonë e përbashkët.”

Ejani edhe ju, në mbështetje të popullit shqiptar më 11 qershor në ora 18:00 që t’i themi njëzëri « JO » shitjes së trojeve tona nga politika e korruptuar.

Para OKB-së nga Sheshi i kombeve, të dërgojmë zërin tonë në Shqipëri: tokat tona nuk shiten!

Rriten krimet e dhunshme në Zvicër, ekspertët flasin për shkaqet

Zvicra ka regjistruar një rritje të dukshme të krimeve të dhunshme gjatë vitit 2025, një zhvillim që po konsiderohet i pazakontë për një nga vendet më të sigurta në Evropë, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit, vrasjet, rastet e përdhunimeve dhe dhuna në familje janë rritur me 8.1 për qind krahasuar me një vit më parë.

Ekspertët theksojnë se rritja mund të lidhet me disa faktorë. Një prej tyre është rritja e gatishmërisë së viktimave për të raportuar rastet e dhunës seksuale dhe asaj në familje, çka ndikon në statistikat zyrtare.

Ndërkohë, për incidentet në hapësirat publike, studiues të fushës paralajmërojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj pamjeve të luftës dhe dhunës në rrjetet sociale dhe media mund të ketë ndikim në sjelljen shoqërore.

Profesoresha Sandrine Haymoz nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara dhe Arteve në Zvicrën Perëndimore (HES-SO) thekson se kjo mbiekspozim mund të çojë në “normalizimin” e sjelljeve agresive në shoqëri.

Autoritetet dhe ekspertët vazhdojnë të analizojnë shkaqet e kësaj rritjeje, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim. /Albinfo.ch

Dy turistë gjermanë zhduken në malin e Polisit, nisin kërkimet në Librazhd

Dy turistë nga Gjermania rezultojnë të zhdukur që nga mbrëmja e së hënës në zonën malore të Polisit, në Librazhd, përcjell albinfo.ch.

Sipas informacioneve paraprake, një grup turistësh që udhëtonin me automjete të tipit “off-road” kishin dalë për të eksploruar terrenin malor, kur dy prej pjesëtarëve të grupit humbën kontaktet me të tjerët.

Pas raportimit të rastit, ekipet e kërkim-shpëtimit janë nisur drejt zonës së Polisit për të ndërmarrë operacionin e kërkimit të turistëve të zhdukur.

Autoritetet bëjnë të ditur se komunikimi me turistët është i pamundur për shkak të mungesës së mbulimit me rrjet telefonik në disa prej zonave më të thella malore të rajonit.

Kërkimet po vijojnë intensivisht, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion lidhur me fatin e dy turistëve gjermanë./Albinfo.ch

Zvicra miraton regjistrin kombëtar për borxhet, synohet luftimi i abuzimeve

Zvicra do të krijojë një regjistër kombëtar për përmbarimin e borxheve, pas miratimit unanim të Këshillit të Shteteve, pas vendimit të mëhershëm të Këshillit Kombëtar, përcjell albinfo.ch.

Sistemi i ri synon të centralizojë të dhënat në nivel kombëtar, me qëllim thjeshtimin e procedurave dhe parandalimin e abuzimeve, sidomos nga personat që ndryshojnë vendbanim për t’iu shmangur detyrimeve financiare.

Aktualisht, në Zvicër ekzistojnë mbi 340 zyra të përmbarimit të borxheve, ku secila mban regjistrat e saj në nivel lokal, duke bërë që informacioni të jetë i fragmentuar sipas distrikteve.

Me reformën e re, të gjitha të dhënat do të unifikohen në një sistem të vetëm kombëtar, duke rritur transparencën dhe efikasitetin në menaxhimin e borxheve. /Albinfo.ch

Gjeneva forcon kufirin me Francën, vendosen blloqe betoni në pikat kufitare

Autoritetet zvicerane kanë njoftuar masa të shtuara sigurie në kufirin mes Gjenevës dhe Francës, në prag të samitit të G7 që do të mbahet në Evian më 12 qershor, përcjell albinfo.ch.

Si pjesë e këtyre masave, blloqe betoni do të vendosen në disa pika kufitare, duke rikthyer masa të ngjashme me ato të përdorura gjatë pandemisë Covid-19, kur lëvizja ndërkufitare ishte e kufizuar.

Sipas njoftimeve zyrtare, këto masa do të jenë në fuqi nga 12 deri më 18 qershor, periudhë gjatë së cilës vetëm shtatë pika kufitare mes Francës dhe Gjenevës do të mbeten të hapura.

Pikat e hapura për kalim do të jenë Anières, Moillesulaz, Thônex-Vallard, Bardonnex, Perly, Meyrin dhe Ferney-Voltaire, ku automjetet do t’i nënshtrohen kontrolleve më të rrepta dhe sistematike.

Autoritetet theksojnë se masat janë të nevojshme për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e samitit ndërkombëtar./Albinfo.ch

Kurti pritet nga kancelari austriak Stocker, në fokus bashkëpunimi dhe integrimi evropian i Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Austri, ku është pritur në takim nga kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker, përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, bashkëpunimin ekonomik, si dhe mundësitë për zgjerimin e partneritetit në fusha me interes të përbashkët.

Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve ka qenë edhe procesi i integrimit evropian të Kosovës, me theks të veçantë në mbështetjen e Austrisë për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Në kuadër të vizitës zyrtare, Kurti do të marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku do të trajtohen temat e bashkëpunimit ekonomik rajonal, investimeve të huaja dhe perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Albinfo.ch

Osmani: Kompromisi i domosdoshëm për qeverinë, Kuvendin dhe presidentin

Prijësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se rezultati zgjedhor e bën të pashmangshëm kompromisin politik për formimin e institucioneve të reja në vend, përcjell albinfo.ch.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 ulëse. Në Kuvendin me 120 deputetë, për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nevojiten 61 vota, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në dy raundet e para.

Në një intervistë për CNN, Osmani ka thënë se vota e qytetarëve është një mesazh kundër politikës së centralizuar dhe në favor të bashkëpunimit ndërpartiak.

“Kosova gjithmonë ka qenë model i demokracisë kur forcat politike kanë bashkëpunuar mbi interesin e vendit,” ka deklaruar ajo, duke theksuar se kompromisi është “vlera më e rëndësishme në politikë”.

Ajo ka nënvizuar se arritja e marrëveshjes është urgjente, duke paralajmëruar se nëse brenda 60 ditësh nuk zgjidhet presidenti, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

Osmani ka bërë të ditur se LDK është e gatshme për dialog me të gjitha partitë politike, me përjashtim të Listës Serbe.

Sipas saj, mungesa e institucioneve funksionale e ngadalëson procesin e integrimit të Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke e bërë kompromisin politik të domosdoshëm për të ardhmen e vendit.

Pritje deri në dy orë në aeroportet e Zvicrës për udhëtarët nga SHBA dhe Britania

Udhëtarët që vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar po përballen me pritje të gjata në aeroportet zvicerane, ku koha e kontrollit kufitar mund të zgjasë mbi një orë, e në disa raste deri në dy orë, përcjell albinfo.ch.

Shkak i këtyre vonesave është implementimi i sistemit të ri evropian të hyrje-daljeve, i njohur si Entry/Exit System (EES), i cili regjistron të gjitha hyrjet dhe daljet nga zona Schengen për shtetasit e vendeve të treta.

Sistemi, i cili është futur gradualisht dhe është në fuqi që nga 10 prilli, regjistron të dhëna personale, dokumente udhëtimi dhe të dhëna biometrike të udhëtarëve që nuk janë nga vendet e BE-së apo shtetet e asociuara si Zvicra, Norvegjia dhe Islanda.

Sipas Komisionit Evropian për Punë të Brendshme dhe Migracion, deri më tani janë regjistruar rreth 90 milionë persona, ndërsa rreth 38,000 janë ndaluar të hyjnë në zonën Schengen, prej të cilëve rreth 1,000 janë konsideruar rrezik sigurie.

Në Zvicër, sistemi aplikohet kryesisht në aeroportet ndërkombëtare për fluturime që vijnë nga jashtë zonës Schengen. Në aeroportin e Cyrihut ai është aktiv që nga nëntori 2025, ndërsa në Gjenevë që nga tetori 2025.

Autoritetet e aeroportit të Cyrihut paralajmërojnë se gjatë regjistrimit të parë të udhëtarëve krijohen dosje personale sipas rregullave të BE-së, gjë që e ngadalëson procesin e kontrollit.

“Në disa raste të rralla, pritjet mund të zgjasin nga një deri në dy orë, veçanërisht kur mbërrijnë disa fluturime njëkohësisht nga vende jashtë Schengen-it,” kanë bërë të ditur autoritetet.

Në Gjenevë, situata është përkeqësuar gjatë sezonit të skive, kur numri i udhëtarëve rritet ndjeshëm. Në ditët më të ngarkuara, pritjet kanë arritur deri në dy orë e gjysmë.

Autoritetet zvicerane theksojnë se sistemi është stabil dhe po funksionon mirë në nivel global, ndërsa proceset po optimizohen gradualisht me rritjen e përvojës në terren. /Albinfo.ch

Dua Lipa dhe Callum Turner kurorëzojnë dashurinë me një dasmë përrallore në Palermo

Ylli shqiptar me famë botërore dhe aktori britanik organizuan një festë luksoze në Sicili, me qindra të ftuar nga bota e artit, modës dhe muzikës, ndërsa festimet sollën miliona euro përfitime për Palermon, transmeton albinfo.ch.

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, dhe aktori britanik Callum Turner kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me një dasmë madhështore në Palermo të Sicilisë, një ngjarje që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe të opinionit publik në mbarë botën.

Ceremonia festive u zhvillua në vilën historike Villa Valguarnera, një rezidencë e shekullit XVIII, ku qindra të ftuar nga bota e muzikës, modës, filmit dhe biznesit u mblodhën për të festuar martesën e çiftit.

Kopshtet e vilës ishin dekoruar sipas traditave siciliane me detaje elegante, ndërsa të ftuarit u pritën me bajame tradicionale dhe suvenire të personalizuara që simbolizonin historinë e dashurisë së çiftit. Mes emrave të njohur që morën pjesë në festë ishin këngëtarja Charli XCX dhe stilistja legjendare Donatella Versace.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte performanca surprizë e legjendës së muzikës Elton John, i cili interpretoi këngën e tij ikonike “Your Song” për çiftin e sapomartuar.

Pas ceremonisë, të ftuarit shijuan një darkë luksoze të përgatitur nga shefa kuzhine të vlerësuar me yje Michelin, ndërsa festa vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit nën tingujt e DJ-ve të njohur ndërkombëtarë si Carl Cox, Martin Garrix, David Guetta dhe Peggy Gou. Mbrëmja kulmoi me një spektakël mbresëlënës fishekzjarrësh që ndriçoi qiellin e Palermos.

Në festimet luksoze nuk mungoi as ngjyra shqiptare. Këngëtari kosovar Besnik Qaka dhe bendi i tij performuan muzikë live, duke argëtuar të pranishmit me atmosferë festive dhe ritme shqiptare.

Për arsye sigurie dhe privatësie, organizatorët kishin vendosur masa të rrepta. I gjithë stafi kishte nënshkruar marrëveshje konfidencialiteti, ndërsa telefonat e të ftuarve u mblodhën gjatë pjesës më të madhe të ceremonisë për të shmangur publikimin e pamjeve në rrjetet sociale.

Festimet kishin nisur që një ditë më herët në rrugët e qendrës historike të Palermos, ku Lipa dhe Turner organizuan aktivitete të ndryshme për miqtë dhe familjarët e tyre. Një nga atraksionet kryesore ishte një vizitë private në Galeria e Artit Modern e Palermos, e ndjekur nga një mbrëmje gala në Palazzo Valguarnera-Gangi.

Dasma në Palermo erdhi vetëm një javë pasi çifti kishte zyrtarizuar martesën e tyre me një ceremoni civile në Old Marylebone Town Hall.

Sipas mediave italiane, ngjarja konsiderohet si një nga ceremonitë më të rëndësishme që ka pritur Palermo në dekadat e fundit. Një raport i institutit kërkimor JFC, i cituar nga agjencia italiane ANSA, vlerëson se festimet e çiftit gjeneruan rreth 268 milionë euro ndikim ekonomik për zonën metropolitane të qytetit.

Megjithatë, organizimi i dasmës shkaktoi edhe reagime kritike. Një grup protestuesish doli në rrugët e Palermos me pankarta kundër elitizmit dhe privatizimit të hapësirave publike, duke kundërshtuar shpenzimet dhe përmasat e ngjarjes.

Një ditë pas ceremonisë, Dua Lipa u shfaq në një drekë festive pas dasmës me një fustan të bardhë prej dantelle, duke reflektuar elegancën dhe atmosferën romantike të fundjavës së saj më të rëndësishme.

Me një organizim spektakolar, pjesëmarrjen e emrave më të njohur të skenës botërore dhe praninë e artistëve shqiptarë, dasma e Dua Lipës dhe Callum Turner është shndërruar në një nga ngjarjet më të komentuara të vitit në botën e showbiz-it. /Albinfo.ch

Numërohen 19.46 për qind e votave, këta janë 10 kandidatët më të votuar të AAK-së deri tani

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon numërimin e votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa rezultatet e para po japin një pasqyrë të renditjes brenda subjekteve politike, përcjell albinfo.ch.

Deri në orën 07:45, janë numëruar 19.46 për qind e votave për kandidatët në nivel vendi, duke përfshirë edhe votat për listën e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare, listës së AAK-së i prin Ardian Gjini, i cili deri tani ka siguruar numrin më të madh të votave.

Në vendin e dytë renditet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa i treti është Daut Haradinaj.

Në pesëshen e parë të kandidatëve më të votuar figurojnë gjithashtu Besnik Tahiri dhe Bekë Berisha.

Rezultatet janë ende preliminare dhe pritet të ndryshojnë me vazhdimin e procesit të numërimit në qendrat komunale të votimit në gjithë vendin.

Lista e plotë e 10 kandidatëve më të votuar të AAK-së do të publikohet sapo të përditësohen të dhënat zyrtare. /Albinfo.ch

Numërohen 19.46 për qind e votave, Bedri Hamza kryeson listën e kandidatëve më të votuar të PDK-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon procesin e numërimit të votave për kandidatët që synojnë një mandat në Kuvendin e Kosovës, ndërsa rezultatet e deritanishme po zbulojnë renditjen e kandidatëve më të votuar brenda partive politike, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara deri në orën 07:45, janë numëruar 19.46 për qind e votave për kandidatët për deputetë.

Në listën e Partia Demokratike e Kosovës, kandidati më i votuar deri në këtë fazë të numërimit është Bedri Hamza.

Pas tij renditet Përparim Gruda, ndërsa vendin e tretë e mban Arian Tahiri.

Në mesin e pesë kandidatëve më të votuar figurojnë edhe Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

Rezultatet mbeten preliminare dhe pritet të ndryshojnë me vazhdimin e numërimit të votave nga qendrat komunale të numërimit në të gjithë Kosovën.

Lista e plotë me 10 kandidatët më të votuar të PDK-së, bazuar në 19.46 për qind të votave të numëruara, mund të shihet më poshtë. /Albinfo.ch

Nisin të publikohen votat për kandidatët e LDK-së, Vjosa Osmani kryeson listën

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e rezultateve të para për kandidatët që garojnë për një ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa procesi i numërimit po vazhdon në të gjithë vendin, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të deritanishme, janë procesuar 83 vendvotime, që përbëjnë 3.32 për qind të totalit, duke ofruar një pasqyrë fillestare të mbështetjes që kanë marrë kandidatët brenda subjekteve politike.

Në listën e Lidhja Demokratike e Kosovës, prin Vjosa Osmani, e cila deri në këtë fazë të numërimit ka siguruar numrin më të madh të votave.

Pas saj renditet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa vendin e tretë e mban Doarsa Kica-Xhelili.

Në mesin e kandidatëve më të votuar deri më tani janë edhe Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Ukë Rugova, Kujtim Shala, Ermal Sadiku, Anton Quni dhe Xhafer Gashi.

Megjithatë, bëhet fjalë për rezultate preliminare dhe renditja e kandidatëve mund të ndryshojë me vazhdimin e numërimit të votave në vendvotimet e mbetura.

Rezultatet e detajuara për secilin kandidat mund t’i gjeni në tabelën e publikuar më poshtë. /Albinfo.ch

Numërohen gati 20 për qind e votave, këta janë 10 kandidatët më të votuar të LVV-së deri më tani

Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës po vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa rezultatet preliminare po japin një pasqyrë të qartë të renditjes brenda subjekteve politike, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara deri në orën 07:45, janë numëruar 19.46 për qind e votave për kandidatët, duke nxjerrë në pah emrat më të votuar në listën e Lëvizja Vetëvendosje.

Listës i prin Albin Kurti, i cili ka marrë numrin më të madh të votave deri në këtë fazë të numërimit. Pas tij renditet Glauk Konjufca, ndërsa vendin e tretë e mban Albulena Haxhiu.

Në mesin e kandidatëve më të votuar figurojnë edhe Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla, të cilët renditen në pesëshen e parë sipas votave të numëruara deri më tani.

Ndërkohë, rezultatet mbeten të përkohshme dhe renditja mund të pësojë ndryshime me vazhdimin e procesit të numërimit në qendrat komunale të numërimit.

Lista e 10 kandidatëve më të votuar të LVV-së deri në numërimin e 19.46 për qind të votave mund të shihet më poshtë./Albinfo.ch

Sot mbahet Forumi Ekonomik në Vjenë, Kurti merr pjesë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për një vizitë zyrtare dyditore në Austri, ku pritet të zhvillojë një agjendë të ngjeshur takimesh dhe aktivitetesh ekonomike, shkruan albinfo.at.

Sot, Kurti do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, “Vienna Economic Forum”, një platformë që mbledh përfaqësues politikë dhe ekonomikë nga vende të ndryshme me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e investimeve.

Ky forum, i organizuar në kuadër të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar,  synon fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e interesit të investitorëve për tregun e Kosovës.

Në këtë ngjarje është e përfshirë edhe Agjencia Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA), e cila ka ftuar bizneset nga Kosova të marrin pjesë dhe të prezantojnë potencialin investues të vendit.

Forumi “Vienna Economic Forum – Meet Kosovo in Vienna 2026” konsiderohet një nga platformat kryesore për lidhje ekonomike dhe promovim të investimeve në rajon dhe më gjerë, shkruan tutje albinfo.at.

Gjatë vizitës, është paraparë që kryeministri Kurti mund të pritet nesër në takim zyrtar nga kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker, ku pritet të diskutohen marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Vizita vlerësohet si pjesë e përpjekjeve për thellimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ekonomike evropiane./Albinfo.at

Gjarpërinjtë helmues shqetësojnë Zvicrën, rrezikohet zhvendosja e kampit stërvitor

Swiss Football Association po përballet me një situatë të pazakontë gjatë përgatitjeve të kombëtares, pasi pranë kampit stërvitor të ekipit janë vërejtur gjarpërinj helmues, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve, prania e tyre në zonën përreth bazës ku po qëndron përfaqësuesja zvicerane ka ngritur shqetësime për sigurinë e futbollistëve dhe stafit teknik, duke detyruar zyrtarët të vlerësojnë masa shtesë mbrojtëse.

Burimet bëjnë të ditur se drejtuesit e federatës kanë kaluar orët e fundit duke analizuar situatën dhe duke kërkuar zgjidhje për të garantuar sigurinë e ekipit gjatë qëndrimit në kampin aktual.

Nuk përjashtohet mundësia që kombëtarja zvicerane të zhvendoset në një tjetër qendër stërvitore nëse vlerësohet se rreziku nga gjarpërinjtë vazhdon të jetë i pranishëm.

Federata pritet të marrë një vendim përfundimtar në ditët në vijim, pas një vlerësimi të plotë të kushteve të sigurisë në zonën ku po zhvillohen përgatitjet e ekipit. /Albinfo.ch

Shkencëtarja shqiptare Eranda Berisha me zbulim të rëndësishëm në luftën kundër kancerit

Shkencëtarja shqiptare Eranda Berisha po tërheq vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar shkencor pas publikimit të një studimi të rëndësishëm mbi një virus që lidhet me zhvillimin e disa llojeve të kancerit, transmeton albinfo.ch.

Kërkimi është realizuar në University of Texas at Dallas, ku Berisha dhe ekipi i saj kanë arritur të identifikojnë një proteinë kyçe që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si virusi përhapet dhe vepron në organizëm.

Sipas studiuesve, ky zbulim mund të ndihmojë në kuptimin më të thellë të mekanizmave që përdorin viruset për të nxitur zhvillimin e kancerit, duke hapur mundësi për trajtime më të avancuara dhe më efektive në të ardhmen.

Ekspertët vlerësojnë se studimi mund të kontribuojë në zhvillimin e terapive të reja që synojnë bllokimin e përhapjes së virusit dhe uljen e rrezikut të formimit të tumoreve.

Arritja e Eranda Berishës po konsiderohet si një moment krenarie për shqiptarët, ndërsa emri i saj po përmendet gjithnjë e më shumë në qarqet akademike ndërkombëtare për kontributin në kërkimet që mund të ndikojnë në të ardhmen e mjekësisë moderne dhe luftës kundër kancerit./Albinfo.ch

Eranda Berisha
Eranda Berisha

Në Berlin hapet ekspozita “28 Minuta”, sjell fotografi të rralla nga hyrja e KFOR-it në Kosovë

Në kuadër të “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin”, Embassy of Kosovo in Germany ka ftuar qytetarët dhe dashamirët e historisë të marrin pjesë në ekspozitën “28 Minuta”, e cila sjell para publikut fotografi të veçanta nga një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Ekspozita prezanton fotografi të papublikuara më parë nga Bundeswehr, të cilat dokumentojnë hyrjen e ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë në qershor të vitit 1999. Pamjet pasqyrojnë momentet e para të lirisë dhe çlirimit të vendit, duke dëshmuar ngjarje që shënuan një kthesë historike për Kosovën.

Një nga momentet kryesore të aktivitetit do të jetë pjesëmarrja e Rudolf Scharping, i cili ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ai do të mbajë një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve.

Organizatorët vlerësojnë se ekspozita përfaqëson një mundësi të veçantë për të rikujtuar një kapitull të rëndësishëm historik dhe për të nderuar kontributin ndërkombëtar në procesin e çlirimit dhe ndërtimit të paqes në Kosovë.

Aktiviteti organizohet në bashkëpunim me Federal Foreign Office dhe është pjesë e programit të aktiviteteve kulturore që promovojnë historinë, kulturën dhe identitetin e Kosovës në Gjermani./Albinfo.ch

 

Vlonjat Gashi diplomon doktor shkence në SHBA në fushën e gjenetikës

Një tjetër histori suksesi nga Kosova po vjen nga fusha e shkencës dhe mjekësisë ndërkombëtare. Vlonjat Gashi nga Ferizaj ka përfunduar me sukses studimet doktorale në Universitetin e Colorados në Boulder, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke fituar titullin Doktor Shkence në fushën e Gjenetikës dhe Zhvillimit Embrional, shkruan albinfo.ch.

Në ceremoninë madhështore të diplomimit, ku diplomuan rreth 10 mijë studentë, Vlonjati ishte i vetmi shqiptar në këtë gjeneratë, duke shënuar kështu një arritje të rëndësishme akademike dhe profesionale.

Pas përfundimit të doktoraturës, ai tashmë ka nisur rrugëtimin e tij profesional si shkencëtar në Spitalin e Fëmijëve në Colorado, në departamentin e kirurgjisë. Puna e tij fokusohet në hulumtimin dhe trajtimin e sëmundjeve gjenetike gjatë zhvillimit embrional, një fushë me rëndësi të veçantë për mjekësinë moderne dhe shëndetin e fëmijëve.

Suksesi i Vlonjat Gashit po konsiderohet si një arritje që tejkalon kufijtë personalë dhe familjarë, duke përfaqësuar me dinjitet Kosovën në një prej fushave më të avancuara të shkencës.

Për këtë sukses, ai është pritur dhe uruar edhe nga përfaqësues institucionalë në Ferizaj, të cilët kanë vlerësuar kontributin dhe potencialin e tij si një vlerë e rëndësishme për shkencën dhe shëndetësinë në nivel ndërkombëtar. /Albinfo.ch.

 

Vlonjat Gashi

Gjykata federale në SHBA rrëzon tarifën 100 mijë dollarëshe të Trump për vizat H-1B

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka shfuqizuar një vendim të administratës së presidentit Donald Trump, i cili kërkonte që kompanitë të paguanin 100 mijë dollarë në vit për çdo aplikim për vizë pune H-1B.

Gjykatësi federal Leo Sorokin vendosi se kjo politikë shkel ligjin federal, përfshirë Aktin e Procedurës Administrative dhe Kushtetutën amerikane. Vendimi u bë publik nga Gjykata e Qarkut në Massachusetts.

Rregulli ishte miratuar në shtator të vitit të kaluar dhe synonte të kufizonte atë që administrata e Trump e konsideronte si abuzim të sistemit të vizave H-1B, sidomos nga kompani teknologjike që punësonin të huaj me paga më të ulëta në vend të punëtorëve amerikanë. Megjithatë, gjykata vendosi se masa nuk ishte në përputhje me ligjin dhe e rrëzoi atë.