Testet zbulojnë nivel të lartë të PFAS në qumështin e Appenzell Ausserrhoden

Kantoni i Appenzell Ausserrhoden ka kryer midis tetorit 2025 dhe marsit 2026 një kontroll vullnetar për prani të PFAS në qumësht dhe ujë për kafshët e fermave. Rezultatet tregojnë se rreth një e treta e fermave të testuara kanë nivele të rritura të PFAS në qumësht, transmeton albinfo.ch.

Sipas ekspertëve, nëse Zvicra adopton kufijtë maksimalë të BE-së për këto substanca, disa ferma mund të përballen me kërcënim serioz për ekzistencën e tyre. Shkaku i këtyre kontrolleve lidhet pjesërisht me rastin e njohur “Amcor” në kantonin fqinj, St. Gallen, ku substanca PFAS nga shkumëfikësit e zjarrit të një kompanie paketimi depërtuan në mjedis, duke shkaktuar rritje të ndotjes në rajonin veripërëndimor, pranë kufirit me Appenzell Ausserrhoden.

Në këtë kontekst, kantoni i Appenzell Ausserrhoden nisi në tetor një fushatë kontrolli dhe ftoi fermerët të testojnë vullnetarisht qumështin dhe ujin e pijshëm për kafshët. Analizat u kryen në laboratorin ndërkantonal të Schaffhausen-it.

Rezultatet tregojnë se në 58 ferma niveli i PFAS në qumësht kalon normën aktuale të BE-së prej 0.02 mikrogram për kilogram. Në disa raste tejkalimi ishte modest, në të tjera, ndjeshëm i lartë. Qumështi përdoret si tregues kryesor, pasi lopët përthithin këto substanca përmes ushqimit, duke reflektuar ndotjen në të gjithë fermën.

Në 9 ferma pa prodhim qumështi u regjistruan gjithashtu nivele të larta në ujin e pijshëm për kafshët. Në total, në studim morën pjesë 169 ferma.

Analiza tregon se ndotja është e përqendruar kryesisht në dy zona: në Vorderland pranë kufirit me St. Gallen dhe në Mittelland rreth Bühler AR. Shkaktarë të mundshëm konsiderohen mbetjet lokale të industrisë, për shembull ujërat e ndotura që shkojnë në impiantet e trajtimit të ujërave.

Aktualisht, Zvicra nuk ka një kufi ligjor për PFAS në qumësht, ndaj për referencë u përdor niveli i BE-së. Por pritet që nga viti 2027, BE-ja të vendosë kufij të detyrueshëm për PFAS në ushqime, të cilat pritet të ndikojnë edhe në tregun zviceran. Kjo mund të çojë në ndalim të shitjes apo eksportit të qumështit dhe produkteve të tjera, si djathi, në rast se tejkalojnë limitet e reja./Albinfo.ch

Marta Kos refuzon propozimin e Vuçiqit dhe Ramës

Integrimi i vendeve kandidate në Schengen dhe tregun e përbashkët kërkon reformat e nevojshme dhe mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare, thekson Kos, përcjell albinfo.ch.

Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka hedhur poshtë propozimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, të cilët kërkonin përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe hapësirën Schengen, pa marrë të drejtën e vetos nga vendet anëtare. Lajmin e raportoi gazeta serbe Nova.rs.

Në një intervistë për Politico, Kos tha se nuk është e sigurt nëse Vuçiqi dhe Rama e kuptojnë plotësisht sa duhet të përmbushin vendet nëse duan të bëhen pjesë e Schengenit ose të tregut të përbashkët, duke nënvizuar se procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin në BE.

Komisioni Evropian ka prezantuar tre opsione për politikën e ardhshme të zgjerimit:

1. Status quo – sistemi ekzistues mbetet i pandryshuar.

2. Integrim gradual – vendet kandidate përfshihen në disa iniciativa dhe programe të BE-së, por pa anëtarësim formal.

3. Integrim fazor (i kthyeshëm) – vendet marrin shpejt anëtarësim formal dhe më pas vazhdojnë të zbatojnë reformat.

Kos theksoi se opsioni i tretë, i integrimit fazor, nuk është i pranueshëm dhe se as status quo-ja nuk është zgjidhje, duke e cilësuar situatën si një sfidë që kërkon konsensus midis vendeve anëtare. Ajo gjithashtu i bëri thirrje shteteve që nuk mbështesin idetë e Komisionit për zgjerimin që të propozojnë planet e tyre.

Rama dhe Vuçiqi, në një intervistë të mëparshme për Frankfurter Allgemeine Zeitung, kërkuan që vendet kandidate të integroheshin shpejt, pa të drejtën e veto-s, argument që sipas tyre do të zvogëlonte shqetësimet e disa vendeve skeptike ndaj zgjerimit të BE-së. Ata gjithashtu vunë në dukje se reforma e brendshme e BE-së mund të jetë e nevojshme për të siguruar që një Bashkim i zgjeruar të mbetet i efektshëm dhe koheziv./Albinfo.ch 

Rënie e interesimit për mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë, apel për prindërit

Një rënie e dukshme e numrit të nxënësve në kurset e gjuhës shqipe në Gjenevë ka alarmuar komunitetin arsimor shqiptar. Përfaqësues të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) nënvizojnë rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm për ruajtjen e gjuhës amtare dhe identitetit kulturor te brezat e rinj në diasporë, transmeton albinfo.ch.

“Qëllimi ynë është të rrisim ndërgjegjësimin te prindërit shqipfolës për rëndësinë e regjistrimit të fëmijëve në kurset e gjuhës shqipe dhe të inkurajojmë një përfshirje më të madhe në këtë proces arsimor,” shprehet Esana Liraj nga LAPSH Gjenevë. Ajo thekson se ruajtja e gjuhës amtare mbetet një element kyç për identitetin e brezave të rinj dhe kërkon angazhim të përbashkët nga i gjithë komuniteti.

Sipas Lirajt, rënia e numrit të nxënësve nënvizon nevojën për promovimin e vazhdueshëm të mësimit të gjuhës shqipe dhe mbështetjen e iniciativave arsimore në diasporë. Për këtë qëllim, LAPSH ka intensifikuar bashkëpunimet institucionale, përfshirë marrëveshjen e vitit 2025 me Shkollën Shqipe Zvicër, duke konsoliduar organizimin dhe zhvillimin e programeve mësimore.

Aktualisht, mësimi i gjuhës shqipe në Gjenevë ofrohet në 17 komuna, me orare të rregullta pasdite dhe në ditën e mërkurë. Organizatorët bëjnë thirrje që prindërit të regjistrojnë fëmijët dhe të kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar në diasporë./Albinfo.ch

https://www.lapshgeneve.com/wp/

Për më shumë informacion dhe regjistrime: LAPSH Gjenevë

Pixabay

Foda publikon listën, dy lojtarë mbesin jashtë për Sllovakinë

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, ka dorëzuar listën përfundimtare të lojtarëve për ndeshjen ndaj Sllovakisë, e cila zhvillohet sonte në Bratisllavë, transmeton albinfo.ch.

Kjo përballje, e vlefshme për gjysmëfinalen e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026, nis nga ora 20:45 dhe konsiderohet si ndeshja më e rëndësishme deri më tani për “Dardanët”.

Në listën e përzgjedhur për këtë duel, Foda nuk ka përfshirë mesfushorin Vesel Demaku dhe mbrojtësin Leard Sadriu, duke mos llogaritur në ta për ndeshjen kundër sllovakëve.

Kosova synon të shënojë sukses historik në këtë fazë vendimtare, me objektivin për të kaluar në finalen e plejofit dhe për t’u afruar edhe më shumë drejt kualifikimit në Botërorin 2026./Albinfo.ch

Të pasurit e Dubait po i drejtohen Zvicrës

Situata e tensionuar në rajonin e Gjirit, sidomos pas përshkallëzimit të konflikteve me Iranin, po nxit interesin e të pasurve për të zhvendosur pasuritë dhe jetën personale jashtë rajonit. Zvicra, shpesh e njohur për stabilitetin e saj financiar dhe cilësinë e jetës, po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion i preferuar, transmeton albinfo.ch.

“Transferimet e parave janë tashmë në zhvillim,” thotë Patrick Akiki, drejtues i sektorit të shërbimeve financiare në PwC Zvicër, në një intervistë për Radio dhe Televizionin e Zvicrës Perëndimore (RTS). Ai shton se hapja e një llogarie bankare në Zvicër kërkon kohë, pasi rregulloret aktuale janë shumë më të rrepta se më parë, dhe bankat zvicerane kontrollojnë me kujdes çdo transaksion para se ta pranojnë atë.

Edhe pse disa konsulentë preferojnë të qëndrojnë anonimë, trende të ngjashme janë vërejtur edhe nga ata. Jo vetëm pasuritë e të pasurve nga Gjiri po tërhiqen nga Zvicra; vetë individët e pasur janë duke eksploruar vendin. Lorenzo Romano, ekspert financiar nga Gjeneva dhe shpesh i pranishëm në Emiratet e Bashkuara, thotë se në ditët e fundit ka marrë disa pyetje nga klientët. Ata dëshirojnë të dinë se cilat zona të Zvicrës janë më të përshtatshme për jetesë, si funksionojnë shkollat private, rregullat për blerjen ose qiramarrjen e pronave dhe mënyrat e taksimit të përgjithshëm për të pasurit.

“Ndërkohë që në Emirate dhe Dubai nuk ka panik, jemi në një fazë vëzhgimi. Shumë individë të pasur po mendojnë ku do të vendosin të jetojnë në të ardhmen,” shprehet Romano.

Sipas Deloitte, thuajse një e katërta e pasurive të menaxhuara në Zvicër vijnë nga rajoni i Gjirit. Romano vëren se Zvicra, që shpesh perceptohet si një vend i qetë dhe monoton, po fiton atraktivitet në këtë periudhë të pasigurisë globale: “Emiratet kanë shumë për të ofruar në aspektin e diversitetit kulturor, por shumë njerëz po kuptojnë se qëndrueshmëria dhe qetësia e Zvicrës janë avantazhe të mëdha në një botë të polarizuar dhe të tensionuar, siç po ndodh tani në Gjirin.”/Albinfo.ch

Pixaby

Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“

Konferenca “Kosova në BE” do të mbahet në Parlamentin Austriak, me mbështetjen e mikut tonë Andreas Minnich, Nënkryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Austriak, Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri–Kosovë, transmeton albinfo.at.

Kjo konferencë i kushtohet 27-vjetorit të ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë, e cila filloi më 24 mars 1999, me qëllim të ndalimit të terrorit shtetëror dhe veprimeve të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë, të cilat në atë kohë kryenin masakra ndaj popullatës civile shqiptare, si pjesë e një plani gjenocidal.

Ndërhyrja e NATO-s jo vetëm që ndali gjenocidin e planifikuar, por solli në Kosovë liri, paqe dhe demokraci, duke i hapur rrugë ndërtimit të një shteti të lirë, demokratik dhe të pavarur.

Sot, Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, duke synuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian, proces në të cilin gëzon përkrahjen e vazhdueshme të miqve austriakë dhe të vetë shtetit të Austrisë, përfshirë edhe organizimin e kësaj konference në Parlamentin Austriak.

Konferenca do të mbahet nesër, nga ora 13:00 deri në 15:00, sipas agjendës së bashkangjitur, në ambientet e Parlamentit Austriak, Palais Epstein./Albinfo.at

Qeveria premton 500 mijë euro shpërblim për Kosovën në rast fitoreje ndaj Sllovakisë

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të shpërblehet me 500 mijë euro nga Qeveria e Kosovës, nëse sonte arrin fitore ndaj Sllovakisë në ndeshjen e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

Ky zotim ishte bërë nga kryeministri Albin Kurti gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, ku ai kishte theksuar se shteti do të mbështesë financiarisht “Dardanët” për suksesin e arritur deri më tani dhe për objektivin historik të kualifikimit.

“Një lajm të mirë e kemi për përfaqësuesen tonë në futboll, për djemtë me të cilët jemi krenarë në çdo ndeshje. Për suksesin historik në këtë fushatë të kualifikimeve në Kupën e Botës 2026, kalimin në fazën e play-off-it, me vendim të qeverisë, sot do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim”, kishte deklaruar Kurti.

Ai kishte bërë të ditur se shpërblimet do të rriten në varësi të rezultateve të ardhshme.

“Në rast fitores ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim në vlerë prej 500 mijë eurove. Ndërsa në rast të kualifikimit në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milion euro të tjera shpërblim. Përpara Kosovë. Gjithmonë me ty!”, kishte thënë Kurti.

Ndërkohë, Qeveria tashmë kishte ndarë 250 mijë euro për Kombëtaren e Kosovës pas arritjes historike të kualifikimit në fazën e “play-off”-it.

Kosova sonte do të përballet me Sllovakinë në Bratisllavë, ndërsa në rast të fitores, ndeshja vendimtare për kualifikim do të zhvillohet në Prishtinë, ndaj fituesit të përballjes Turqi – Rumani./Albinfo.ch

Eksperti sllovak: Kosova është më e fortë se pozita aktuale në renditjen e FIFA-s

Kosova është përfaqësuese më e mirë sesa e tregon pozita e saj aktuale në renditjen botërore të FIFA-s. Kështu ka deklaruar eksperti sllovak i futbollit, Ladislav Borbely, në një intervistë për mediumin sllovak Pravda.

Kosova momentalisht renditet në vendin e 79-të në ranglistën e FIFA-s, ndërsa Sllovakia mban pozitën e 44-të. Megjithatë, Borbely vlerëson se ky dallim në renditje nuk pasqyron realisht fuqinë e skuadrave.

“Dy ekipet janë të balancuara sa i përket vlerës. Dy apo tre milionë nuk bëjnë dallim. Ne jemi më lart në ranglistën e FIFA-s, por kjo nuk tregon shumë. Kosova është në rritje të madhe dhe pozita e saj është larg nga përfaqësimi i forcës momentale. Ajo është shumë më e madhe, e ngjashme me tonën”, ka thënë Borbely.

Ai ka theksuar se e ka analizuar me kujdes përfaqësuesen e Kosovës dhe ka nxjerrë përfundime interesante.

“Është një ekip i talentuar nga Ballkani, me elemente të mentalitetit gjerman. Falë përzgjedhësit Franco Foda, Kosova ka arritur të përmirësojë elementet natyrale, gjë që i mundëson të konkurrojë në nivelin evropian”, është shprehur ai.

Borbely ka vlerësuar gjithashtu se Kosova luan me racionalitet dhe pragmatizëm, duke zgjedhur situatat me kujdes, ndërsa lojën e ka cilësuar si stabile.

Sipas tij, nuk pret që lojtarët e Kosovës të hyjnë në ndeshje me emocione të tepruara, duke theksuar se përzgjedhësi Foda do të kujdeset që skuadra të jetë e disiplinuar.

Në fund, eksperti sllovak ka thënë se shpreson që “shqiponja dykrenare” të mos fluturojë mbi Bratisllavë, por ka pranuar se është e vështirë të parashikohet një favorit i qartë në këtë përballje.

Kosovë: Policia arreston pesë persona, sekuestron drogë dhe zbulon “Call Center” të dyshuar

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë të koduar “Delivery”, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave, të dyshuar për veprimtari kriminale që përfshin shpërndarje të narkotikëve dhe krime kibernetike.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në rajonin e Prishtinës, pas një pune operative dhe hetimore, kanë identifikuar fillimisht dy persona të dyshuar për shpërndarje të marihuanës dhe kokainës në kryeqytet.

Policia bën të ditur se më 25 mars 2026, rreth orës 14:00, të dyshuarit janë lokalizuar në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë Golf 8. Sipas policisë, ata kanë tentuar të largohen me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar sigurinë në trafik, ndërsa janë ndjekur nga njësitë policore në drejtim të Fushë-Kosovës, më pas Podujevës.

Ndjekja ka përfunduar në hyrje të Vushtrrisë, ku policia ka arritur t’i ndalojë dhe arrestojë.

“Gjatë kontrollit të veturës janë sekuestruar mbi 2.2 kilogramë marihuanë dhe një cigare me këtë substancë. Ndërsa gjatë rrugës së ikjes, në fshatin Raskovë, është gjetur edhe një paketim tjetër me mbi 1.1 kilogram marihuanë, që dyshohet se është hedhur nga të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

Në koordinim me prokurorinë kompetente, janë realizuar bastisje në katër lokacione në Prishtinë, ku janë sekuestruar sasi të vogla të substancave narkotike, dy peshore digjitale, mbi 4 mijë euro para të gatshme, valuta të huaja, dy vetura dhe katër telefona mobilë.

Po ashtu, në një veturë tjetër janë gjetur 25 qese me kokainë, me peshë rreth 11.9 gramë.

Gjatë operacionit, policia ka zbuluar edhe një hapësirë të përshtatur si “Call Center”, ku janë sekuestruar pesë laptopë. Në këtë pjesë të rastit janë angazhuar edhe njësitë për hetimin e krimeve kibernetike, të cilat kanë ndaluar edhe një person tjetër, duke e çuar në pesë numrin total të të arrestuarve.

Të gjithë të dyshuarit, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me urdhër të prokurorit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar në bashkëpunim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër narkotikëve dhe në garantimin e sigurisë për qytetarët.

Rita Ora: Uroj që Kosova dhe Shqipëria të bëjnë histori

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka shprehur përkrahjen e saj për Kombëtaren e Kosovës dhe Kombëtaren e Shqipërisë, të cilat sot zhvillojnë ndeshjet e gjysmëfinales së plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026, transmeton albinfo.ch.

Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, Ora ka publikuar fotografi të dy përfaqësueseve, duke iu uruar fat në këtë sfidë të rëndësishme.

“Fat të mbarë! Shpresoj që do të bëjmë histori dhe do të kualifikohemi në Kupën e Botës këtë vit”, ka shkruar ajo.

Kosova dhe Shqipëria synojnë të arrijnë një sukses historik, teksa sot luajnë në fazën vendimtare të gjysmëfinales së plejofit.

Kosova do të përballet me Sllovakinë në Bratisllavë, ndërsa Shqipëria do të luajë kundër Polonisë në ndeshjen që zhvillohet në Varshavë./Albinfo.ch

Kosova përballë Sllovakisë sonte nga ora 20:45

Kombëtarja e Kosovës do të zbresë sot në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, teksa përballet me Sllovakinë në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

Ndeshja zhvillohet në Bratisllavë dhe pritet të jetë një sfidë e fortë për “Dardanët”, të cilët kanë treguar formë të mirë në ndeshjet e fundit dhe besojnë në një rezultat pozitiv edhe në transfertë.

Atmosfera në kampin e Kosovës gjatë ditëve të fundit ka qenë shumë pozitive, me futbollistët që kanë shfaqur përkushtim maksimal në përgatitje.

Përzgjedhësi Franco Foda dhe stafi i tij kanë analizuar në detaje kundërshtarin, ndërsa skuadra synon të shfrytëzojë momentin e mirë për të siguruar një vend në finale.

Në rast fitoreje ndaj Sllovakisë, Kosova do të përballet me fituesin e ndeshjes Turqi–Rumani, me finalen që do të zhvillohet më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo ndeshje konsiderohet si një hap shumë i madh drejt realizimit të ëndrrës për pjesëmarrje në një Kupë Bote, ndërsa mbështetja e tifozëve pritet të jetë e madhe për ekipin kombëtar.

Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi

Në kuadër të festimeve të Muajit të Frankofonisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Suedi i prezantoi publikut lokal një gamë të pasur të kuzhinës shqiptare, gjatë një buffeti të organizuar nga ambasadat e ndryshme në Stokholm, transmeton albinfo.ch.

Pas ceremonisë hapëse, ku mori pjesë edhe Ngarkuari me Punë, Eno Çollaku, Ambasada ofroi pjata tradicionale dhe ëmbëlsira të shijshme, të cilat u pritën me shumë interes dhe vlerësime maksimale nga vizitorët e shumtë të stendës kombëtare.

Një falënderim i veçantë shkon për CNVP Foundation dhe kompanitë shqiptare Gjedra dhe BioAlpina, të cilët përmes produkteve të tyre bimore dhe medicinale kontribuan në ngrohjen e mbrëmjes dhe të vizitorëve, të cilët vlerësuan maksimalisht cilësinë e këtyre produkteve shqiptare.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare jashtë vendit, duke forcuar lidhjet kulturore dhe diplomatike me vendet frankofone./Albinfo.ch

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë

Dua Lipa debuton si ambasadore e Bvlgari në një event luksoz pranë Milanos

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë pjesë në një event ekskluziv pranë Milanos, ku shtëpia luksoze Bvlgari prezantoi koleksionin e ri të bizhuterive të quajtur “Eclettica”, transmeton albinfo.ch.

Artistja shqiptaro-britanike u shfaq për herë të parë në rolin e saj si ambasadore e re e kësaj marke prestigjioze, duke iu bashkuar një liste të njohur emrash ndërkombëtarë si Anne Hathaway, Priyanka Chopra Jonas, Liu Yifei, Kim Ji-won dhe Jake Gyllenhaal.

E veshur me një fustan elegant nga Balmain, Dua Lipa tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve me një nga pjesët më të veçanta të koleksionit, varësen “Serpenti Déco Lumière”, e zbukuruar me një smerald kolumbian mbi 9 karatësh. Sipas të dhënave, kjo qafore unike përbëhet nga 41 elemente modulare dhe ka kërkuar rreth 860 orë punë për t’u realizuar.

Në një intervistë për Vanity Fair France, këngëtarja e përshkroi këtë paraqitje si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik.

“Është paraqitja ime e parë si ambasadore e Bvlgari-t, ndaj është një moment shumë i veçantë për mua. Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj mbrëmjeje kaq glamuroze dhe mes njerëzve që kanë punuar për këto krijime të jashtëzakonshme”, u shpreh ajo.

Dua Lipa theksoi gjithashtu se bizhuteritë për të kanë një kuptim të veçantë, pasi i konsideron si elemente personale që japin forcë, vetëbesim dhe energji pozitive.

Duke folur për Italinë, ajo tha se ndjen një lidhje të veçantë me këtë vend, për shkak të afërsisë kulturore.

“Italia zë një vend shumë të veçantë në zemrën time. Si shqiptare, ndjej një afërsi të madhe kulturore – është sikur vendet tona pasqyrojnë njëri-tjetrin”, deklaroi artistja.

Eventi u mbajt në një vilë historike në rajonin e Lombardisë, duke sjellë së bashku botën e artit, modës dhe luksit në një mbrëmje të veçantë pranverore./Albinfo.ch

Mëso shqip në diasporë: Regjistrimet hapen në shumë shtete

Shkollat dhe kurset e gjuhës shqipe jashtë vendit ofrojnë një mundësi unike për fëmijët e diasporës të lidhen me gjuhën dhe traditat e tyre.

Ftohen prindërit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë të regjistrojnë fëmijët në kurset e gjuhës shqipe dhe të ruajnë lidhjen me kulturën dhe rrënjët e tyre, transmeton albinfo.ch.

Në një botë gjithnjë e më globalizuar, ruajtja e identitetit kulturor dhe gjuhësor bëhet një sfidë e rëndësishme për familjet shqiptare që jetojnë jashtë vendit. Për shumë prej tyre, regjistrimi i fëmijëve në shkollat dhe kurset e gjuhës shqipe nuk është thjesht mësim – është një mënyrë për t’i dhënë fëmijës mundësinë të lidhet me rrënjët e tij dhe të kuptojë historinë dhe kulturën e vendit të origjinës.

Programet e mësimit organizohen në shumë vende të botës, duke përfshirë Angli, Austri, Australi, Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Greqi, Itali, Kanada, Kroaci, Luksemburg, Norvegji, Spanjë, Gjermani, Suedi, Turqi, Ukrainë, Zvicër dhe SHBA. Kurset ofrojnë një mësim të strukturuar të gjuhës shqipe, por edhe aktivitete kulturore që e bëjnë përvojën më të gjallë dhe të lidhur me traditat shqiptare.

Një nga momentet kryesore të regjistrimeve është 15 gushti, data nga e cila prindërit mund të regjistrojnë fëmijët e tyre dhe të sigurojnë një vend në shkollat dhe kurset e diasporës. Për adresat dhe informacionin e detajuar mbi kurset, mund të konsultohet platforma zyrtare: https://qbd.gov.al/shkollat-shqipe.

Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm një proces edukativ, por një investim në identitetin e fëmijëve, që i ndihmon ata të ruajnë lidhjen me kulturën shqiptare dhe të zhvillojnë një ndjenjë të fortë komunitare edhe larg vendit të tyre. /Albinfo.ch

Bebe Rexha zbulon traditën shqiptare që të gjithë e njohim

Këngëtarja shqiptare tregon në intervistë një traditë të njohur nga familjet shqiptare, që e bën popullin tonë unik.

Në një intervistë të fundit, Bebe Rexha përmendi një zakon shumë të njohur shqiptar, që për publikun ndërkombëtar mund të duket një detaj i vogël, por për ne ka një kuptim të veçantë, transmeton albinfo.ch.

When it’s time for fruit, you have to go” – ose në shqip, “Kur është koha e frutave, është koha të zgjoheni dhe të shkoni”. Për shumë familje shqiptare, momenti kur servohen frutat shpesh shënon edhe sinjalin për mysafirët që është koha e largimit, një mënyrë e ëmbël dhe tradicionale për të përmbyllur vizitën.

Bebe Rexha e ndau këtë detaj kulturor me publikun ndërkombëtar, duke e bërë të njohur një traditë të veçantë që i karakterizon shqiptarët dhe momentet e tyre të mikpritjes./Albinfo.ch

https://www.instagram.com/reel/DWCbN62CVAK/?igsh=MXc3OWo1MjRodnZ2aA==

Erjon Tasholli, ylli i ardhshëm i futbollit evropian

Është vetëm 12-vjeç, dhe tani po tërheq vëmendjen e gjigantëve si AC Milan, Real Madrid dhe Barcelona falë talentit të jashtëzakonshëm në futboll, transmeton albinfo.ch.

Bëhet fjalë për Erjon Bedri Tasholli, i lindur në Itali dhe rritur në Trento, po shkëlqen si një nga talentet më premtues të futbollit të rinj. Ai zhvillon stërvitjet e tij në Bolzano, ku është pjesë e ekipit FC Südtirol, duke treguar aftësi teknike dhe vizion të jashtëzakonshëm për moshën e tij.

Megjithëse vetëm 12 vjeç, Erjon ka arritur të tërheqë interesin e klubeve të mëdha evropiane si AC Milan, Real Madrid dhe Barcelona, duke marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtare dhe duke lënë shenjë me performancat e tij.

Mirënjohjet dhe medaljet që ka fituar deri më tani dëshmojnë përkushtimin dhe talentin e tij, duke e bërë një emër që vlen të ndiqet në të ardhmen e futbollit europian./Albinfo.ch

Shijet e Kosovës nën dritën e Muajit të Frankofonisë në Stokholm

Në Stokholm u hap programi i aktiviteteve për Muajin e Frankofonisë, ku Ambasadorja e Kosovës, Shkendije Geci-Sherifi, ishte e pranishme në ceremoninë inaugurale. Në këtë kuadër, pjesëmarrësit patën mundësinë të shijonin një pjesë të kuzhinës tradicionale kosovare, transmeton albinfo.ch.

Një vëmendje të veçantë të pranishmëve tërhoqi flija, një nga specialitetet më autentike të Kosovës, përgatitur sipas traditës dhe me shumë përkushtim. Shija dhe mënyra unike e përgatitjes së saj u vlerësuan nga të gjithë pjesëmarrësit. Përveç flijës, u ofruan edhe ëmbëlsira tradicionale, të cilat u pritën me entuziazëm nga publiku.

Në vazhdën e aktiviteteve të Muajit të Frankofonisë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës dhe Institutin Francez në Suedi, do të organizojë shfaqjen e filmit “Bukuria e Gomaricës”, regjisuar nga kosovaro-zvicerania Dea Gjinovci.

Data: 31 mars 2026

Ora: 18:00

Vendi: Zita Folkets Bio, Birger Jarlsgatan 37, Stockholm

Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të shijojnë kulturën dhe traditat e Kosovës në këtë event unik frankofon, shkruan ambasada./Albinfo.ch

 

Shqipëria gati për përballjen me Poloninë

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e nesërme ndaj Polonisë.

Ndeshja e vlefshme për fazën play off të Kampionatit Botëror 2026, do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “PGE Narodowy”.

Të drejtuar bga trajneri Sylvinho, kuqezinjtë zhvilluan një seancë të plotë stërvitore, transmeton Albinfo.ch.

Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit të gjithë lojtarët janë gati për sfidën ndaj Polonisë.

Atmosfera brenda grupit është shumë pozitive dhe i gjithë ekipi dhe stafi është i motivuar për të zhvilluar një ndeshje të mirë./Albinfo.ch/

Bie çmimi i naftës në tregjet aziatike

Çmimet globale të naftës ranë ndjeshëm të mërkurën në tregjet aziatike, pas deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se negociatat për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin po përparojnë.

Nafta Brent ra 5% në 99.29 dollarë për fuçi

Nafta amerikane u ul mbi 5.5%, duke arritur 88.41 dollarë për fuçi

Rënia e çmimeve u ndihmua nga shpresat e investitorëve për një ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme, një rajon kyç për furnizimin global me energji.

Trump deklaroi se bisedimet po zhvillohen “tani” dhe se pala iraniane dëshiron të arrijë një marrëveshje. Megjithatë, zyrtarët iranianë i quajtën raportimet për negociata “lajme të rreme”.

Situata në terren mbetet e tensionuar: Irani dhe Izraeli vazhdojnë të shkëmbejnë sulme me raketa. Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë nisur një valë të re sulmesh që synojnë infrastrukturën në Teheran. Izraeli gjithashtu ka paralajmëruar evakuime në jug të Bejrutit si pjesë e operacioneve kundër Hezbollahut.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm për tregjet e energjisë ishte deklarata e Iranit se anijet “jo-armiqësore” mund të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke u koordinuar me autoritetet iraniane dhe pa mbështetur veprime kundër vendit.

Ngushtica e Hormuzit është jetike për tregtinë globale, pasi përmes saj kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.

IKSHPK: Në Kosovë po shtohen sëmundjet kronike, hipertensioni mbetet më i përhapuri

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se sëmundjet kronike jo-ngjitëse vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend. Sipas raportit për vitet 2023 dhe 2024, është vërejtur një rritje e përgjithshme e rasteve të këtyre sëmundjeve.

Hipertensioni vazhdon të jetë diagnoza më e zakonshme, duke përbërë mbi gjysmën e rasteve të raportuara. Numri i pacientëve është rritur nga 20,472 në vitin 2023 në 21,425 në vitin 2024. Kjo sëmundje shfaqet më shpesh te personat mbi 50 vjeç, sidomos në grupmoshën 65–69 vjeç. Edhe pse më e përhapur te femrat, meshkujt janë më të rrezikuar nga komplikimet serioze të zemrës.

Rritje të ndjeshme ka shënuar edhe diabeti tip 2, i cili është rritur nga 9,723 raste në 11,729, duke u konsideruar një nga sfidat kryesore të shëndetit publik. Në të kundërt, diabeti tip 1 ka pësuar ulje. Sipas IKSHPK-së, faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e diabetit janë obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqyerja jo e shëndetshme.

Sa i përket sëmundjeve të zemrës, është vërejtur rritje e rasteve të infarktit të miokardit, ndërsa disa forma të tjera si angina pectoris kanë shënuar rënie. Këto ndryshime mund të lidhen edhe me mënyrën e raportimit të sëmundjeve.

Ndërkohë, rastet e sëmundjeve malinje kanë shënuar një ulje të lehtë në vitin 2024 krahasuar me vitin paraprak. Megjithatë, ato mbeten një problem serioz për shëndetin publik. Kanceri i gjirit vazhdon të jetë më i përhapuri te gratë, ndërsa te burrat dominojnë kanceri i lëkurës dhe ai kolorektal.