Italia mban zi për viktimat e tragjedisë në Crans-Montana

Një minutë heshtje u mbajt në të gjitha shkollat italiane, ndërsa qyteti i Milanos shpalli një ditë zie komunale në nderim të viktimave të zjarrit tragjik.

Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, vizitoi Liceun Artistik “San Carlo” në Milano për minutën e heshtjes që u mbajt në orën 10:30. Një nga viktimat e zjarrit kishte qenë nxënës i këtij liceu.

“Sot është një ditë zie, një ditë solidariteti dhe afërsie me prindërit dhe miqtë e të rinjve që humbën jetën,” deklaroi Valditara. Ai shprehu gjithashtu nderimin e tij për të gjithë të plagosurit dhe familjet e tyre, si edhe për “të rinjtë që kanë humbur një mik – një përjetim jashtëzakonisht i dhimbshëm”.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, urdhëroi shpalljen e zisë komunale të mërkurën. Flamujt në ndërtesat publike do të ulen në gjysmështizë.

Zvicër: Referendum kundër lehtësimit të ligjit për materialet ushtarake

Një referendum është nisur kundër lehtësimit të rregullave për shitjen e materialeve ushtarake zvicerane. Populli zviceran do të votojë për ndryshimet në ligjin mbi materialet e luftës, të miratuara nga Asambleja Federale muajin e kaluar. Një aleancë që përfshin Partinë Socialdemokrate, Partinë e Gjelbër, Partinë Popullore Ungjillore dhe organizata të tjera joqeveritare njoftoi nisjen e referendumit të mërkurën.

Ky projekt synon të lehtësojë jo vetëm eksportin, por edhe ri-eksportin e pajisjeve ushtarake. Në një konferencë për shtyp në Bernë, Rayyân Rehouma nga Grupi për një Zvicër pa Ushtri (GSoA) dënoi “përpjekjet e pandërprera të lobimit të industrisë së armëve”. Këshilltari Kombëtar Clarence Chollet (Të Gjelbrit/NE) shtoi se ndryshimi i ligjit ka të bëjë me politikën ekonomike, jo atë të sigurisë.

Ndërkohë, Marc Jost (EVP/BE) e përshkroi ligjin si një “ligj që i jep përparësi fitimit mbi parimet”. Ai tha se mbështet një industri armësh të fortë brenda kuadrit të mbrojtjes kombëtare dhe dëshiron që Zvicra të mbetet partner i besueshëm, por sipas tij, lehtësimi i rregullave shkon shumë larg, duke refuzuar që armët zvicerane të qarkullojnë pa kontroll në mbarë botën.

Mirjam Hostetmann nga të Rinjët Socialiste e konsideroi këtë lehtësim ligjor një “skandal”, duke theksuar se bëhet në kohën kur “lufta shitet si paqe dhe vdekjet civile paraqiten si motor ekonomik”. Këshilltarja Kombëtare Priska Seiler Graf (Partia Socialdemokrate/Zurich) paralajmëroi se propozimi minon neutralitetin dhe besueshmërinë e Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Aleanca gjithashtu nënvizoi se industria e armëve nuk po përballet me vështirësi ekonomike dhe argumentoi se Zvicra ka shumë produkte më të rëndësishme për eksport sesa armët.

“Konfliktet nuk vuajnë mungesë armësh, por mungesë zgjidhjesh politike, diplomatike dhe humanitare,” tha Clarence Chollet. Rayyân Rehouma shtoi se Zvicra mban përgjegjësi për krimet e kryera kur pajisjet e saj ushtarake përdoren kundër civilëve ose përfundojnë në duart e grupeve terroriste.

Këshilli Federal – “i vetmi roje”

Parlamenti ka vendosur të miratojë paraprakisht kërkesat e eksportit nga vendet me një regjim eksporti të ngjashëm me atë të Zvicrës, edhe nëse ato janë përfshirë në konflikte të armatosura. Këto vende përfshijnë 17 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, si dhe SHBA, Kanada, Australi, Japoni, Zelandë të Re dhe Argjentinë. Këshilli Federal mund të refuzojë këto kërkesa vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.

Marc Jost kritikoi zhdukjen e kritereve objektive të përjashtimit, duke e përshkruar Këshillin Federal si “të vetmin roje”. “Çfarë konsiderohet rrethana e jashtëzakonshme?” pyeti Clarence Chollet.

Disa folës përmendën SHBA-në, që kohët e fundit sulmoi Venezuelën, dhe që mund të marrë materiale zvicerane edhe gjatë një lufte. Palët e përfshira në luftën civile në Sudani mund të pajisen gjithashtu indirekt me armë zvicerane. Por jo Ukraina, e cila u sulmua në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Priska Seiler Graf e quajti situatën “shaka”, duke kujtuar se fillimisht ligji synonte të lehtësonte ri-eksportin për këtë vend.

50,000 nënshkrime deri në mesprill

Referendistët kritikojnë veçanërisht këtë lehtësim, sepse vjen pak vite pas hyrjes në fuqi në 2022 të kundërpropozimit të iniciativës popullore “kundër eksportit të armëve në vendet e përfshira në luftë civile”. Çdo shitje është e ndaluar nëse një vend është i përfshirë në konflikt ose shkel rëndë të drejtat e njeriut.

Komiteti përfshin edhe degët e reja të Partisë së Gjelbër dhe PEV, POP-in, si dhe organizata të ndryshme si Terre des Hommes, Frieda, humanrights, Public Eye dhe Justitia et Pax. Referendistët besojnë se mund të mblidhen 50,000 nënshkrimet e nevojshme deri në mesprill.

Aksident i rëndë në Waldshut‑Tiengen, 6 të lënduar, përfshirë tre fëmijë të vegjël

Një familje pesëanëtarëshe dhe një shofer kamioni u lënduan në një aksident trafiku në Liedermatte pranë Waldshut‑Tiengen, në mëngjesin e së mërkurës. Sipas të dhënave të para, automjeti i familjes dhe kamioni u përplasën rreth orës 08:00 në Bundesstraße 34, drejt Dogern. Shkaku i aksidentit nuk është ende i qartë, tha zëdhënësi i policisë, raportojnë mediat gjermane, transmeton albinfo.ch.

Për shkak të përplasjes, një person mbeti i ngujuar brenda automjetit dhe u lirua nga zjarrfikësit. Ai pësoi lëndime të rënda.

Mes gjashtë të lënduarve, ndodhen edhe tre fëmijë të vegjël, me moshë nga pesë muaj deri në tre vjeç, të cilët u transportuan me helikopter në klinika pediatrike. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është e qartë.

Për punimet e rimëkëmbjes, rruga B34 mbeti e mbyllur përkohësisht.

Ndërkohë ndonëse nuk është konfirmuar ende, mediat në Kosovë raportojnë duke cituar gazetarin Bahri Cani, se familja e aksidentuar janë me prejardhje nga Kosova dhe se u aksidentuan teksa po ktheheshin nga pushimet në Kosovë.

Energjia elektrike rikthehet në Berlin pas sulmit me zjarrvënie

Energjia elektrike është rikthyer plotësisht në të gjitha banesat në jug të Berlinit të mërkurën, pasi ato kishin mbetur pa rrymë që prej një akti sabotimi të ndodhur të shtunën, njoftuan autoritetet gjermane. Hetimet po përqendrohen te mundësia e një sulmi nga ekstremi i majtë, ndërsa përfshirja ruse duket se është përjashtuar.

Ndërprerja e energjisë, e shkaktuar nga një zjarr që përfshiu kabllot në një instalacion elektrik në jugperëndim të Berlinit, la pa rrymë rreth 45.000 banesa dhe 2.200 biznese të shtunën, duke i zhytur disa prej tyre edhe në të ftohtë. Të martën, gjysma e tyre ende nuk kishin energji elektrike.

“Ju informoj se furnizimi është rikthyer plotësisht që nga ora 14:10,” deklaroi për mediat Franziska Giffey, ministre e Ekonomisë në qeverinë rajonale të Berlinit.

Teknikët duke punuar në vendngjarjen e zjarrit që shkaktoi ndërprerjen e energjisë në Berlin.

Asnjë provë që të çojë te Rusia

Sabotimi i impiantit u mor përsipër nga një grup i paqartë i ekstremit të majtë i quajtur “Vulkangruppe” (Grupi i Vullkanit), dhe autoritetet gjermane e konsideruan deklaratën si autentike.

Ministria e Brendshme theksoi se nuk ka asnjë provë që të tregojë përfshirje të Rusisë, të cilën Berlini e ka akuzuar shpesh për organizimin e akteve të sabotimit në Gjermani përmes rekrutimit ose manipulimit të individëve apo grupeve.

“Ne e konsiderojmë të vërtetuar autenticitetin e letrës së përgjegjësisë,” tha zëdhënësja e ministrisë, Sonja Kock, gjatë konferencës së rregullt për shtyp të qeverisë. “Nuk kemi asnjë provë që sugjeron se bëhet fjalë për një operacion të rremë (‘false flag’) nga Rusia,” shtoi ajo.

Hetim për “sabotim” dhe “terrorizëm”

Të martën, Zyra Federale e Prokurorit në Gjermani, përgjegjëse për çështjet e kundër-terrorizmit, njoftoi hapjen e një hetimi për “sabotim” dhe “anëtarësim në organizatë terroriste”.

Sulmi nxori në pah vështirësitë me të cilat përballet Gjermania në mbrojtjen dhe riparimin e infrastrukturës së saj kritike, në një kohë kur vendi deklaron se është vazhdimisht objekt i “sulmeve hibride” të orkestruara nga Rusia.

“Nuk mund të mbrohemi nga çdo sulm,” tha për AFP Maren Schellenberg, kryetarja e distriktit Steglitz-Zehlendorf, zona që u prek më rëndë nga ndërprerja e energjisë.

Nga ana e tij, Vulkangruppe ka marrë përgjegjësinë për rreth një duzinë sulmesh që nga viti 2011, përfshirë edhe një akt sabotimi ndaj një fabrike të Tesla-s pranë Berlinit në mars të vitit 2024, ku u dogjën linjat e energjisë që furnizonin impiantin.

Gripi i dimrit vazhdon të përhapet në Zvicër

Gripi i dimrit pritet të vazhdojë të përhapet në Zvicër. Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH), sezoni i gripit 2025–2026 pritet të jetë i rëndësishëm dhe kulmi i përhapjes së virusit ende nuk është arritur.

Javën e kaluar, autoriteteve iu raportuan 33.5 raste gripi të konfirmuara laboratorikisht për 100 mijë banorë, njoftoi FOPH të mërkurën. Kjo shifër paraqet një rënie prej 4.6% krahasuar me javën paraprake. Megjithatë, sipas FOPH-së, kjo rënie statistikore është mashtruese dhe shpjegohet me vonesat në raportimin e rasteve gjatë pushimeve të fundvitit.

Pas një rënieje gjatë periudhës së festave, numri i konsultave ambulatore për infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes ka nisur sërish të rritet.

Nëntipe të reja të gripit të zbuluara

Sipas FOPH-së, viruset e gripit që po qarkullojnë më së shumti aktualisht në Zvicër janë nëntipet A(H3N2) dhe A(H1N1)pdm09. Përveç tyre, analizat paraprake të mostrave të kryera nga FOPH kanë zbuluar edhe një nënklasë të re gjenetike të nëntipit H3N2.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), nuk ka asnjë tregues se infeksionet me këtë nënklasë të re janë më të rënda.

Dallime rajonale

Incidenca më e lartë e rasteve u regjistrua në:

Schaffhausen (66.54),

Basel-Stadt (61.57),

Jura (56.12).

Ndërsa normat më të ulëta u shënuan në:

Appenzell Ausserrhoden (8.82),

Obwalden (12.61),

Uri (15.68).

Kantonet Gjenevë (22.59) dhe Fribourg (25.38) janë relativisht më pak të prekura. Ndërkohë, nivele pak më të larta u regjistruan në Vaud (31.58), Valais (30.97) dhe Neuchâtel (44.56).

Rritje edhe e virusit RSV

Virusi respirator sincicial (RSV) vazhdon të përhapet gjerësisht në Zvicër. Ngarkesa virale e RSV-së në ujërat e zeza është rritur në shumë rajone. Sipas FOPH-së, tendenca aktuale është e krahasueshme me atë të sezonit të kaluar.

Sa i përket Covid-19, vala kryesore arriti kulmin vjeshtën e kaluar dhe numri i infeksioneve ka qenë në rënie graduale që prej asaj kohe. Shifrat aktuale janë të ngjashme me ato të regjistruara një vit më parë.

Presidentja Osmani viziton Malishevën, njihet nga afër me situatën pas reshjeve të fundit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar të martën në mbrëmje Komunën e Malishevës, ku është pritur nga kryetari i komunës, Ekrem Kastrati. Vizita kishte për qëllim informimin e drejtpërdrejtë lidhur me gjendjen e krijuar pas reshjeve të fundit dhe sfidat me të cilat po përballet kjo komunë.

Gjatë takimit, kryetari Kastrati e falënderoi Presidenten për vizitën dhe e njoftoi atë për situatën aktuale në terren, masat e ndërmarra për menaxhimin e emergjencës si dhe rreziqet potenciale. Ai bëri të ditur se është aktivizuar Shtabi Emergjent dhe se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa komuna u ka dalë në ndihmë qytetarëve të prekur.

Kastrati theksoi se diga e Liqenit të Mirushës është monitoruar vazhdimisht për shkak të rrezikut të mundshëm nga ndonjë avari, duke informuar Presidenten edhe për dëmet e shkaktuara deri më tani. Ai kërkoi mbështetje nga niveli qendror për sanimin e dëmeve, kompensimin e të dëmtuarve dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë digën dhe disa ura.

Nga ana e saj, Presidentja Osmani përgëzoi Komunën e Malishevës dhe ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke shprehur solidaritetin e saj me qytetarët. Ajo theksoi se, pavarësisht vështirësive, nuk ka pasur humbje jete dhe se mbrojtja e jetës së qytetarëve ka qenë prioritet kryesor.

Presidentja Osmani ofroi mbështetjen e plotë të Presidencës për përballimin e situatës dhe për marrjen e masave parandaluese në të ardhmen.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe kryetari Kastrati vizituan edhe digën e Liqenit të Mirushës, për t’u njohur nga afër me gjendjen aktuale dhe rrezikun eventual që mund të paraqesë ajo.

Studimi i medias zvicerane identifikon presion në rritje nga Inteligjenca Artificiale

Kompanitë mediatike po humbasin pjesën e konsumatorëve dhe të ardhurat përballë platformave të reja dixhitale dhe inteligjencës artificiale (IA), sipas një studimi zviceran.

Studimi “Përdorimi i Medias 2035” nga Qendra Kërkimore për Sferën Publike dhe Shoqërinë (fög) në Universitetin e Cyrihut zbuloi se konsumatorët e lajmeve po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga chatbot-et e inteligjencës artificiale dhe platformat e tjera, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Studimi, i cili u sponsorizua nga Shoqata Zvicerane e Botuesve të Medias (VSM), supozon se kërkesa për lajme gazetareske do të bjerë në planin afatgjatë, ndërsa zakonet e konsumatorëve vazhdojnë të fragmentohen.

Autorët arrijnë në përfundimin se efekti “zero-click” (konsumatorët e lajmeve që refuzojnë të klikojnë nëpër përmbledhjet e inteligjencës artificiale për artikullin origjinal nga gazetarët) ka të ngjarë të rritet më tej deri në vitin 2035.

Sipas pikëpamjes së fög, financimi i gazetarisë thjesht i bazuar në treg nuk është i mjaftueshëm në këto kushte. Studimi sheh nevojën për veprim politik në aspektin e financimit të medias, mbrojtjes së pronës intelektuale dhe promovimit të aftësive mediatike.

“Platformat dhe ofruesit e inteligjencës artificiale përdorin sistematikisht shërbimet gazetareske pa i shpërblyer ato në mënyrë të përshtatshme”, tha presidentja e VSM, Andrea Masüger.

VSM sheh nevojën për veprim politik dhe po bën thirrje për modele shpërblimi për përdorimin e përmbajtjes gazetareske nga aplikacionet e IA-së.

“Njerëzit me aftësi mediatike përdorin lajmet më shpesh dhe, sipas fög, janë më të gatshëm të paguajnë për përmbajtje gazetareske”, tha drejtoresha e VSM-së, Pia Guggenbühl. Shoqata e sheh promovimin e njohurive mediatike si një investim afatgjatë në një sferë publike demokratike funksionale.

Kërkesat e VSM-së janë në kontekstin e vendimeve aktuale të politikave mediatike. Parlamenti zviceran ka miratuar një mocion nga Sanatorja Petra Gössi që bën thirrje për shpërblim të detyrueshëm për përdorimin e shërbimeve gazetareske nga IA.

Zvicër: Shitjet me pakicë janë të qëndrueshme pavarësisht klimës së vështirë ekonomike

Sektori zviceran i shitjes me pakicë u tregua i qëndrueshëm vitin e kaluar, me shitjet e rritura nga rritja e pagave reale. Sipas ekonomistëve të UBS, sektori duhet të vazhdojë në këtë rrugë në vitin 2026, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Shitjet nominale në sektorin zviceran të shitjes me pakicë do të jenë rritur me 1% deri në vitin 2025, sipas studimit të UBS Retail Outlook, të kryer në bashkëpunim me konsulencën Fuhrer & Hotz dhe të zbuluar të mërkurën. Në terma realë, të rregulluar për inflacion, rritja ishte 1.8%. Rënia e çmimeve vlerësohet në rreth 0.8% mesatarisht.

Rritja reale e pagave, e nxitur nga rritja e pagave dhe inflacioni më i ulët, ishte një mbështetje e madhe për sektorin, ashtu si edhe situata e vazhdueshme e fortë në tregun e punës.

Sektori i shitjes me pakicë jo-ushqimore u rrit me 2.6% në terma realë vitin e kaluar, dhe shitjet duhet të vazhdojnë të rriten në vitin 2026, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se vitin e kaluar.

Megjithatë, situata mbetet e tensionuar në disa sektorë që janë veçanërisht të ekspozuar ndaj konkurrencës së huaj, siç janë veshmbathjet dhe këpucët.

Në segmentin ushqimor, rritja ishte më e moderuar, rreth 1% në terma realë, në përputhje me mesataren afatgjatë.

Në vitin 2026, tregtia me pakicë pritet të shënojë një rritje më të dobët se në vitin e kaluar (+0.8%). Me çmimet që pritet të rriten me 0.5%, kjo duhet të përkthehet në një rritje nominale prej 1.3%.

Parandalimi i zjarreve: ndryshimet midis kantoneve

Zjarri në barin “Le Constellation” në Crans-Montana ngre pyetje në lidhje me funksionimin e inspektimeve të parandalimit të zjarrit në Zvicër.

Ekzistojnë dallime kantonale në këtë fushë. Në Zvicër, pronarët e pronave duhet të sigurojnë pronën e tyre kundër dëmeve të shkaktuara nga zjarri ose ngjarjet natyrore si breshëri. Në shumicën e kantoneve, është e detyrueshme të blini sigurim prone me institucionin përkatës. Megjithatë, në disa kantone, të grupuara nën nofkën “GUSTAVO” – Gjenevë, Uri, Schwyz, Ticino, Appenzell Innerrhoden, Valais dhe Obwalden – nuk ekziston një shërbim i tillë.

Prandaj, pronarët duhet t’i drejtohen sigurimeve private, transmeton albinfo.ch.

“Në Gjenevë, të gjitha klubet e natës janë inspektuar gjatë dhjetë viteve të fundit, një normë që korrespondon me atë që Shoqata e Institucioneve të Sigurimit të Ndërtesave Kantonale (AICA) synon të prezantojë deri në vitin 2026”, shpjegoi për Keystone-ATS Pauline de Salis-Soglio, zëvendëssekretare e përgjithshme e Kantonit të Gjenevës.

Zbatimi i inspektimeve ndryshon gjithashtu nga kantoni në kanton: në Valais, ashtu si në Cyrih, komunat janë përgjegjëse. Në vitin 2024, për shembull, autoritetet e sigurisë nga zjarri të Cyrihut kryen mbi 600 inspektime, sipas të dhënave të publikuara nga qyteti. Në rast të problemeve serioze, mund të merret një vendim për mbylljen e një objekti derisa të korrigjohen mangësitë. Në Fribourg, inspektimet përfshijnë Institutin Kantonal të Sigurimeve të Ndërtesave.

Një bar dhe klub nate inspektohet të paktën çdo tre vjet, ndonjëherë më shpesh, tha Yves-Laurent Blanc, zëdhënës i agjencisë. Një institucion publik nuk do të marrë leje nëse nuk i përmbahet rregulloreve të sigurisë nga zjarri. Në Basel-Stadt, inspektimet e sigurisë nga zjarri kryhen kur lëshohen lejet. Kjo pasohet nga inspektime periodike, frekuenca e të cilave varet nga përdorimi dhe banimi i ndërtesës. Për vendet më në rrezik, intervali është gjashtë vjet.

Pse po rriten kreditë hipotekare me normë fikse në Zvicër pavarësisht një norme interesi zero?

Pavarësisht normës zero për qind, interesi për kreditë hipotekare 10-vjeçare me normë fikse është rritur nga 0.39 në 0.66 për qind në vitin 2025, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Jo vetëm kaq, por bankat po kërkojnë gjithashtu që blerësit e shtëpive të sjellin më shumë kapital – përtej pagesës fillestare prej 20 për qind që kërkohet zakonisht për kredi të tilla.

Kostot e tyre të financimit, pra, janë më të larta se sa do të sugjeronte rënia e normës së interesit.

Pse po ndodh kjo?

Sipas David Marmet, kryeekonomist në Bankën Kantonale të Zurich-ut, kjo është pjesërisht për shkak të obligacioneve të mbuluara – një lloj obligacioni i lëshuar nga bankat për rifinancimin afatgjatë të kredive hipotekare që konsiderohet veçanërisht i sigurt.

Rendimentet e këtyre obligacioneve kanë mbetur praktikisht të pandryshuara gjatë vitit të kaluar, ose madje janë rritur pak. “Si rezultat, kostot e financimit për shumë kërkues hipotekarë janë më të larta se sa pritej fillimisht duke pasur parasysh rënien e normës së interesit,” shpjegoi ai.

Por ka më shumë.

Rregulloret e Bazel III, një kuadër rregullator global për bankat, të cilat hynë në fuqi në fillim të vitit 2025 për të forcuar sektorin bankar në aspektin e aftësisë paguese dhe likuiditetit, kanë rritur gjithashtu kostot e hipotekave.

Çfarë na pret?

Me sa duket, diçka e ngjashme.

“Me perspektivën e qëndrueshme të normës bazë të interesit, duhet të ketë pak lëvizje në normat e interesit afatgjatë zviceran,” tha ekonomisti i Raiffeisen, Alexander Koch.

A ka ndonjë lajm të mirë për kërkuesit e hipotekave?

Po, norma e hipotekës SARON mbetet në zero përqind për momentin.

SARON është i ndryshëm nga hipotekat e tjera sepse nuk është një kredi me normë fikse, por me normë të ndryshueshme, një akronim për Normën Mesatare Zvicerane Njëditore (SARON).

Që kur SNB uli normën e saj bazë të interesit në zero përqind, mbajtësit e hipotekave SARON kanë përfituar nga norma më e ulët e interesit për financimin e pronave banesore.

Ekonomistët parashikojnë një normë të pandryshuar të SARON – 0.02 përqind – deri në fund të vitit 2026. Nëse një hipotekë tradicionale me normë fikse apo një SARON është më e mira për ju varet nga rrethanat tuaja personale.

A mund të marrë një i huaj hipotekë në Zvicër?

Kushti më i rëndësishëm për të qenë në gjendje të marrë një hipotekë zvicerane – përveç gjendjes suaj financiare, sigurisht – është statusi juaj i rezidencës.

Pra, pyetja nuk duhet të jetë nëse kualifikoheni për një hipotekë, por, përkundrazi, nëse mund të blini pronë në Zvicër në radhë të parë.

Logjikisht, nëse ju lejohet të blini një shtëpi ose një apartament në Zvicër, atëherë mund të aplikoni edhe për një hipotekë.

Si çdo qytetar zviceran që aplikon për hipotekë, do t’ju duhet të jepni detajet e të ardhurave tuaja. Por përveç kësaj, do t’ju kërkohet të paraqisni edhe dokumente të tjera, të tilla si leja juaj e punës/qëndrimit, për shembull, së bashku me autorizimin e kantonit.

Pronarët e barit zviceran që shkaktoi zjarr, thyejnë heshtjen

Pronarët e një bari zviceran që u përfshi nga flakët natën e Vitit të Ri, duke marrë jetën e disa personave, janë zotuar të bashkëpunojnë me një hetim që është në vazhdim.

“Jemi të shkatërruar dhe plot pikëllim”, shkruan Jacques dhe Jessica Moretti, pronarë të barit Constellation në Crans-Montana, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve AFP, transmeton albinfo.ch.

Ishte deklarata e parë publike e çiftit pasi zyra e prokurorit publik të Valais hapi një hetim penal kundër tyre të shtunën për vrasje të pavullnetshme, dëmtim trupor të pavullnetshëm dhe shkaktim zjarri nga pakujdesia.

Në deklaratën e dërguar nga avokatët e tyre, çifti siguroi se kishte besim të plotë te hetuesit dhe do të bashkëpunonte me hetimin.

“Mund të jeni të sigurt se do të bashkëpunojmë plotësisht me ta në këtë drejtim dhe se nuk do të përpiqemi t’i shmangemi përgjegjësive tona në asnjë mënyrë”, deklaroi çifti.

Ata shtuan se “mendimet e tyre të vazhdueshme” janë me viktimat, familjet e tyre dhe të plagosurit dhe vlerësuan “guximin” e punonjësve të shpëtimit.

Ari i Venezuelës kaloi nëpër Zvicër

Zvicra është shfaqur si një qendër kyçe në tregtinë e arit në Venezuelë.

Sipas televizionit zviceran SRF, ari venezuelian me vlerë miliarda franga u soll këtu midis viteve 2012 dhe 2016 dhe u rishkri, transmeton albinfo.ch.

Dërgesat, të urdhëruara nga Presidenti Nicolás Maduro, u përdorën për të mbledhur valutë të fortë ndërsa shteti iu afrua falimentimit.

Venezuela dështoi në vitin 2017 dhe tani ka borxh rreth 170 miliardë dollarë amerikanë.

Shumica e arit u shit më vonë, përfshirë Turqinë. Sot, rregullat më të rrepta i bëjnë tregti të tilla të pamundura.

Zvicra po lëviz drejt elektrifikimit të kamionëve

Zyra Federale e Rrugëve ka nisur një thirrje për projekte për të instaluar stacione mbushje të shpejtë për kamionët elektrikë përgjatë rrugëve kryesore.

Iniciativa, pjesë e udhërrëfyesit të Lëvizshmërisë Elektrike 2030, do të shohë operatorët të planifikojnë, financojnë dhe drejtojnë stacionet, ndërsa zyra federale mbulon koston e lidhjeve me transformatorin, transmeton albinfo.ch.

Tre lote, secila me rreth dhjetë hapësira në zonat e pushimit dhe qendrat e kontrollit të trafikut, janë në dispozicion për oferta, me aplikime të hapura deri në fund të prillit.

Situata kritike nga përmbytjet në Shqipëri

Më e goditura nga përmbytjet është Gjirokastra. 70 biznese, shumë shtëpi dhe automjete janë shkatërruar në lagjen “18 shtatori”.

Pamjet gati apokaliptike me masive inertesh dhe gurësh në rrugë e dyqane janë pasojë e vërshimeve masive të lumenjve dhe përrenjve, transmeton albinfo.ch.

Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar, është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës. Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi. Edhe në burgun  e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.

Gjatë natës në Lezhë pati më pak reshje, por sot situata paraqitet më problematike në Laç. Disa familje janë evakuar dhe shumë shtëpi janë të rrethuara nga uji.

Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 7.2 metra mbi nivelin e detit dhe po i afrohet pikës kritike. Raportohet të ketë dalë nga shtrati në zonën e pazarit pranë urës së Mifolit.

Situata paraqitet mjaft e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, ku një numër i madh fshatrash vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dherave. Gjendja më serioze raportohet në njësinë administrative Zapot, ku të tre rrugët që lidhin këtë zonë me qytetin e Kukësit janë bllokuar plotësisht.

Zvicër: Gjestet e solidaritetit me viktimat e zjarrit dhe familjet e tyre janë të shumta

Pas tragjedisë së rëndë të zjarrit që mori jetën e dhjetëra personave, reagimet e solidaritetit kanë qenë të shumta. Qytetarë, institucione dhe organizata të ndryshme kanë shprehur mbështetjen e tyre për familjet e viktimave, duke ofruar ndihmë morale dhe materiale, përcjell albinfo.ch.

Mesazhe ngushëllimi janë përcjellë nga autoritete vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa janë organizuar edhe homazhe në nderim të viktimave. Autoritetet lokale kanë theksuar rëndësinë e unitetit dhe mbështetjes së ndërsjellë në këto momente të vështira për komunitetin.

I ftohti përfshin Zvicrën, temperaturat zbresin deri në -25 gradë Celsius

Zvicra ka përjetuar edhe një tjetër natë jashtëzakonisht të ftohtë, e shoqëruar me reshje të lehta dëbore në disa rajone të vendit. Temperatura më e ulët është regjistruar në La Brévine, në kantonin e Neuchâtel, ku termometri ka zbritur pak nën -25 gradë Celsius, përcjell albinfo.ch.

Edhe pjesa tjetër e vendit po përballet me temperatura të ulëta në orët e para të ditës. Sipas parashikimeve, temperaturat në zonat e ulëta nuk pritet të ngrihen mbi -3 gradë Celsius gjatë ditës së mërkurë. Në malin lokal të Cyrihut, Uetliberg, herët në mëngjes është shënuar një temperaturë prej -9 gradë Celsius.

Dita ka nisur me mjegull dhe mjegull të dendur të lartë në Rrafshnaltën Zvicerane, njofton Meteo News. Megjithatë, gjatë orëve të paradites pritet që dielli të shfaqet dhe të ndriçojë shumë zona të vendit.

Një masë ajri e ftohtë po shkakton ngrica të vazhdueshme në të gjithë Zvicrën. Sipas meteorologëve, gjatë mbrëmjes priten reshje bore në të gjithë territorin, me një shtresë që mund të arrijë deri në 5 centimetra.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në qarkullim dhe të marrin masa mbrojtëse për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Vërshimet në Kosovë: Kurti dhe ekipet qeveritare në terren, situata nën kontroll

Kryeministri Albin Kurti njofton se ekipet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë qëndruar dje dhe gjatë natës në terren për të monitoruar situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të asistuar në evakuimin e banorëve nga zonat më të rrezikuara, përcjell albinfo.ch.

Ministrat Xhelal Sveçla, Hysen Durmishi dhe Elbert Krasniqi kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e komunave më të prekura, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur njësitet e saj në gatishmëri dhe ka asistuar vendosjen e familjeve të rrezikuara, veçanërisht në Gjakovë.

Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, komunat më të prekura përfshijnë Fushë Kosovën, Lipjanin, Obiliqin, Drenasin, Podujevën, Shtimjen, Graçanicën, Gjakovën, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin, Mamushën, Dragashin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Klinën, Istogun, Junikun, Deçanin dhe Pejën.

Aktualisht, situata raportohet të jetë nën kontroll. Përveç dëmeve materiale, fatmirësisht nuk ka pasur lëndime serioze. Gjatë natës janë ndërhyrë në zona me rrëshqitje dhe bllokime të puseteve, ndërsa kompanitë përgjegjëse mbeten në gatishmëri.

Kryeministri Kurti falënderoi ekipet operative, zjarrfikësit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e shpejtë, si dhe qytetarët për solidaritetin dhe bashkëpunimin. Ai u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e institucioneve deri në tejkalimin e plotë të situatës.

Fate Velaj, nga emigrant i thjeshtë në ambasador në Austri

Gazeta austriake Salzburger Nachrichten ka publikuar së fundmi një artikull kushtuar Ambasadorit të Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, duke nxjerrë në pah rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm personal dhe profesional, transmeton albinfo.at.

Nën titullin “Nga pjatalarës në diplomat të nivelit të lartë”, artikulli thekson transformimin e Velajt që nga viti 1991, kur si emigrant nisi jetën në Austri. Ai ka ndjekur një rrugë të pasur krijuese, duke u afirmuar si piktor, fotograf, shkrimtar dhe krijues politikash kulturore për Bashkimin Evropian. Sot, si ambasador, ai luan një rol aktiv në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Austrisë.

Së fundmi, Velaj prezantoi romanin e tij “Kreuztanne” gjatë Panairit të Librit në Vjenë. Libri trajton përvojat e tij si refugjat, përfshirë kohën e kaluar në kampin e Traiskirchen dhe strehimin në Gasthaus zur Kreuztanne, duke ofruar një portret të jetës së emigrantit në Austri.

Vetë autori e përshkruan këtë vepër si një rrugëtim personal drejt integrimit dhe suksesit profesional, ku ai ndan përvojat, sfidat dhe mësimet e fituara gjatë dekadave të jetës në vendin mikpritës./Albinfo.at

Pronari i barit në Crans-Montana me të kaluar kriminale, zbardhen detaje nga hetimi

Pronarët e barit ku 40 persona humbën jetën nga zjarri në orët e para të Vitit të Ri kanë deklaruar se janë të tronditur nga tragjedia dhe kanë premtuar bashkëpunim të plotë me autoritetet, përcjell albinfo.ch.

Jacques dhe Jessica Moretti po hetohen për humbje e disa jetëve nga pakujdesia, lëndime trupore dhe zjarrvënie po ashtu nga pakujdesia, pas zjarrit që shpërtheu rreth orës 01:30 të 1 janarit, kur lokali ishte i mbushur me festues, shkruan AFP.

Referuar burimeve pranë hetimit, Jacques Moretti ka një të kaluar kriminale dhe ka vuajtur dënime me burg në vitet 2005 dhe 2008. Media franceze raportojnë se ai ishte ndaluar të drejtonte biznese në Francë dhe kishte qenë i përfshirë edhe në disa çështje të tjera penale, pa përfunduar me dënim.

Hetimet për shkaqet dhe përgjegjësitë ligjore të kësaj tragjedie vazhdojnë.

LDK rikthen ulësën e 15-të, PDK humb një ulëse

Lidhja Demokratike e Kosovës ka rikthyer sërish ulësen e 15-të në Kuvend, duke ia marrë atë Partisë Demokratike të Kosovës, e cila tashmë ka rënë në 22 ulëse. Ky ndryshim ka ndodhur ndërsa numërimi i votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit ka arritur në 2,800 nga 2,836 vendvotime.

Deri tani, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 50.82% të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin me 120 vende, përfshirë 20 ulëset e rezervuara për komunitetet. PDK-ja e Bedri Hamzës, e cila dje kishte “rrëmbyer” një ulëse nga LDK-ja, tashmë numëron 22 ulëse, me 20.34% të votave. Lidhja Demokratike ka siguruar 15 ulëse me 13.24% të votave.

Me këtë përllogaritje, Fadil Hadërgjonaj rikthehet sërish si deputet, ndërsa te PDK-ja, Bekim Haxhiu humbet ulësën e 23-të. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet me 6 ulëse, duke marrë 5.51% të votave.

Zhegrova debuton në minutat e fundit, Juventus triumfon 3:0

Reprezentuesi i Kosovës u inkuadrua në lojë në minutën e 89-të, ndërsa Juventusi triumfoi të martën në udhëtim me rezultat të pastër 3:0, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 19-të të Serie A italiane, përcjell albinfo.ch.

“Zonja e Vjetër” kaloi në epërsi që në minutën e 16-të falë një autogoli të Tarik Muhameroviqit. Dy golat e tjerë u realizuan në pjesën e dytë, ku fillimisht Fabio Miretti shënoi për 2:0 në minutën e 62-të, ndërsa vetëm një minutë më pas Jonathan David vulosi fitoren.

Rezultati mund të ishte edhe më i thellë, por portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, pati një paraqitje të mirë, veçanërisht në pjesën e parë të ndeshjes.

Me këtë fitore, Juventusi u ngjit në vendin e katërt të tabelës me 36 pikë, ndërsa Sassuolo zbret në pozitën e 11-të me 23 pikë.

Vërshimet në Kosovë, dy komuna shpallin gjendje të jashtëzakonshme

Situata me vërshime në disa zona të Kosovës mbetet nën vëmendje edhe sot, ndërsa komunat e Junikut dhe Malishevës kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura dhe rrezikut nga përmbytjet.

Ekipet e emergjencës vazhdojnë të jenë të angazhuara në terren, ndërkohë që autoritetet kompetente po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas raportimeve, rajonet më të prekura deri më tani janë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova. Në këto zona janë evidentuar vërshime në oborre, bodrume dhe segmente të caktuara rrugore. Në Gjakovë, për shkak të rrezikut të shtuar, është kërkuar evakuimi i mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në komunat e tjera të vendit, gjendja vlerësohet si relativisht e qetë dhe stabile, megjithatë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent përmes sistemit të komunikimit emergjent.

Si pasojë e situatës dhe për arsye sigurie, autoritetet kanë vendosur që procesi i nisjes së mësimit të shtyhet, ndërsa mësimi do të fillojë më 12 janar.

Lidhur me vërshimet, gjatë ditës së martë kanë reaguar përfaqësues të institucioneve shtetërore, si dhe subjekte politike që aktualisht janë në opozitë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe qytetarët që, përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve, po veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtje të jetës dhe pronës.

“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren, në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore,” ka deklaruar Osmani.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të marrin përgjegjësi të plotë, duke aktivizuar të gjithë mekanizmat shtetërorë për menaxhimin e situatës emergjente.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka cilësuar situatën si urgjencë kombëtare dhe ka kërkuar që institucionet qendrore dhe ato lokale t’i shumëfishojnë përpjekjet për përballimin e gjendjes së krijuar.