Presidentja Osmani: Po synohet bllokimi i shtetit për një nënkryetar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të përkohshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Ajo tha se bllokimi i këtij procesi për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari, cenon themelet e Republikës dhe rrezikon funksionimin normal të institucioneve.

“Për një nënkryetar po synohet të bllokohet shteti. Ky bllokim do të krijonte precedent të rrezikshëm dhe do të pamundësonte përfaqësimin legjitim të qytetarëve”, tha Osmani në një konferencë për media.

Ajo theksoi se Kryesia e Kuvendit ka kuorum dhe kryetar të zgjedhur, ndërsa vendi i nënkryetarit nga komuniteti serb nuk do të merret nga askush, por do të plotësohet në një seancë tjetër.

Osmani nënvizoi se është kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë askënd të ketë veto mbi proceset jetike të shtetit. “Një veto e tillë do ta zhvleftësonte Republikën në një copë letre”, tha ajo, duke paralajmëruar se shteti duhet të ecë përpara pavarësisht bojkotit të Listës Serbe.

Presidentja foli edhe për gjyqtarin serb të Kushtetueses, Radomir Laban, për të cilin tha se prej vitesh ka dërguar prova dhe se është shqetësim i madh fakti që ai vazhdon të jetë pjesë e institucioneve.

Vendimi i përkohshëm i Kushtetueses u mor të premten, me kërkesë të deputetëve të Listës Serbe, duke pezulluar procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Skandal nga Kombëtarja e Spanjës: Kosovën e quajnë “Territori i Kosovës”

Kombëtarja Spanjolle e Futbollit ka shkaktuar polemika me prezantimin e ndeshjes së sontme ndaj Kosovës U-21, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2027, përcjell albinfo.ch.

Në faqen e saj zyrtare në Facebook, federata spanjolle publikoi flajerin zyrtar të takimit, ku Kosovës nuk iu referua si shtet, por si “Territori i Kosovës”. Ky formulim është pasojë e faktit se Spanja ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ky nuk është incidenti i parë i tillë: edhe në ndeshjet e kaluara, institucionet sportive spanjolle janë kritikuar për fshehjen e flamurit të Kosovës apo për përdorimin e emërtimeve të tjera denigruese ndaj shtetit të saj.

Serbia arreston një kosovar në Merdare

Një 77-vjeçar nga Kosova raportohet të jetë arrestuar në Merdar nga Policia e Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Referuar njoftimit nga Ministra serbe e Punëve të Brendshme, H.H është arrestuar me pretendimin se ka kryer krime lufte.

“Ai dyshohet se ka vrarë një civil të kombësisë serbe me armë zjarri në qershor të vitit 1999 në Podujevë në bashkëpunim me disa anëtarë të ‘UÇK-së’”, thuhet në njoftim.

Atij i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë, ndërkaq thuhet se do të dërgohet në Zyrën e Prokurorit Publik për Krime Lufte me një kallëzim penal.

Kohëve të fundit ka pasur një sërë arrestimesh të qytetarëve të Kosovës nga Serbia, kryesisht me pretendimin se kanë kryer krime lufte.

Miqësorja me Zvicrën, Shqipëria U21 pëson disfatë

Shqipëria U21 nuk ia doli të rikthehej te rezultatet pozitive, duke u mundur me rezultatin 2-1 nga Zvicra, në një ndeshje miqësore të zhvilluar në transfertë, përcjell albinfo.ch.

Ky ishte takimi i dytë në shtator për “Shpresat”, të cilët e mbyllin kështu dyshen e miqësoreve me dy humbje.

Ndeshja nisi me dominim të helvetëve, që kontrolluan më shumë topin dhe kërcënuan disa herë portën e Jukajt, madje goditën edhe shtyllën në pjesën e parë. Pas një gabimi në mbrojtje nga kuqezinjtë, Zvicra arriti të shënojë golin e parë, duke marrë avantazhin.

Pjesa e dytë solli një fytyrë tjetër për Shqipërinë, me futjen në lojë të Rashicës dhe Përndrecës, të cilët shtuan ritmin dhe krijuan më shumë rrezik në zonën kundërshtare.

Barazimi do të vinte pas një skeme të mirë të ekzekutuar nga një goditje këndi, me Shehun që finalizoi saktë për 1-1.

Sfida mbeti e hapur deri në fund, me raste nga të dyja skuadrat, por fati nuk ishte me Shqipërinë. Një devijim i pafat nga portieri Jukaj, pasi topi u kthye nga shtylla, rezultoi në autogol dhe i dha Zvicrës avantazhin përfundimtar.

Kuqezinjtë e rinj u përpoqën të reagonin në minutat e fundit, por pa sukses, ndërsa Zvicra menaxhoi mirë rezultatin dhe e ruajti fitoren deri në fund.

Selektori i Suedisë pranon se fitorja e Kosovës është plotësisht e merituar

Menjëherë pas ndeshjes, selektori i Suedisë, Jon Dahl Tomasson ka pranuar superioritetin e Kosovës në fitoren 2:0, përcjell albinfo.ch.

“Një fitore shumë e merituar e Kosovës. Te Kosova e kanë dashur më shumë. Nuk iu jemi përmbajtur parimeve tona. Kemi luajtur ngadalë dhe nuk kemi reaguar mjaftueshëm shpejtë kur kemi humbur topin. Kemi pësuar nga katër kundërsulme, ku është dashur të paraqitemi më mirë si ekip. Ne trajnerët po ashtu jemi pjesë e kësaj”, ka thënë Tomasson.

“Ne provuam në pjesën e dytë, por nuk ishim të mirë. Kemi dërguar topin në zonë, por na mungoi ideja aty. As sulmi e as mbrojtja nuk ishin mjaftueshëm të mirë. Ishte në tërësi. Kjo nuk ishte mirë. Por mos të harrojmë që kemi fituyar tetë nga 11 ndeshjet nga shtatori 2024. Mendoj se kemi fituar tetë, kemi humbur një dhe kemi barazuar dy. Kjo nuk ishte mjaftueshëm mirë, por duhet kohë për të ndërtuar. Nuk ishim vetvetja. Kemi luajtur ndeshje fantastike ndaj Sllovenisë, por kjo përpjekje ishte e pamjaftueshme. Ne ëndërrojmë Kupën e Botës dhe kjo ishte goditje. Por do të gjejmë mënyrë për të dalë nga kjo”, ka vazhduar tekniku danez.

Ai ka thënë se është shumë i dëshpëruar, njëjtë si lojtarët.

Çfarë plani dhe sa para do të ndahen për rindërtimin e Blatten?

Këshilli Shtetëror i Valais dhe autoritetet bashkiake prezantuan të mërkurën një plan veprimi për rindërtimin e fshatit Blatten, i cili u shkatërrua nga një rrëshqitje dheu më 28 maj. Plani, i cili synon të përfundojë deri në vitin 2030, përmban një sërë masash për të adresuar rindërtimin, mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, mbështetjen për individët dhe bizneset, ekonominë, lëvizshmërinë, planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e mjedisit, transmeton albinfo.ch.

Këshilltari Shtetëror i Qendrës Demokratike, Franz Ruppen, deklaroi për median: “Ne duam të rindërtojmë, por duam ta bëjmë këtë në një vend të sigurt.”

Udhërrëfyesi, i miratuar nga qeveria kantonale, përfshin 69 masa të detajuara dhe u prezantua publikut gjatë një aktiviteti informues në bashkëpunim me Bashkinë e Blatten. Pjesa më e madhe e masave pritet të formalizohet në një dekret për rindërtimin, i cili do t’i dorëzohet Këshillit të Madh në fund të vitit.

Kostoja e vlerësuar e masave më kritike, që lidhen me rreziqet natyrore dhe punimet hidraulike, arrin në 42.65 milionë franga. Kantoni pritet të kontribuojë me rreth 100 milionë franga, nga të cilat 36 milionë janë për masa emergjente, ndërsa kompanitë e sigurimeve kanë vlerësuar kostot që do të përballojnë në rreth 320 milionë franga. Bashkia ende nuk ka përcaktuar kostot që do të mbulojë.

Në fund të qershorit, donacionet e mbledhura për Blatten nga organizatat e ndihmës, organet publike dhe kompanitë private arritën në total 61 milionë franga.

Plani: Është një plan veprimi i prezantuar nga Këshilli Shtetëror i Valais dhe autoritetet bashkiake, i cili përmban 69 masa që mbulojnë:

• rindërtimin e fshatit Blatten,

• mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore,

• mbështetjen për individët dhe bizneset,

• zhvillimin ekonomik, lëvizshmërinë, planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e mjedisit.

Shumat e parave:

Masat më kritike që lidhen me rreziqet natyrore dhe punimet hidraulike kushtojnë rreth 42.65 milionë franga.

Kantoni pritet të paguajë 100 milionë franga, nga të cilat 36 milionë do të jenë për masa emergjente.

Kompanitë e sigurimeve kanë vlerësuar kostot që duhet të përballojnë në rreth 320 milionë franga.

Bashkia ende nuk ka përcaktuar kostot që do të mbulojë.

Donacionet e mbledhura deri në fund të qershorit arrijnë në 61 milionë franga, nga organizata ndihmëse, organet publike dhe kompanitë private.

Gazeta gjermane FAZ.NET vlerëson romanin debutues “Ë” të Jehonë Kicaj

Gazeta prestigjioze gjermane, FAZ.NET – Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka publikuar një recension mbresëlënës për romanin debutues “Ë” të shkrimtares Jehonë Kicaj, i cili është nominuar për Çmimin Gjerman të Librit, transmeton albinfo.ch.

Recensimi i botuar nga FAZ.NET përshkruan romanin si një vepër të vlefshme dhe domethënëse, duke vlerësuar qasjen artistike dhe thellësinë e tregimit të autorës.

Për lexuesit që dëshirojnë të njihen më shumë me këtë recension, artikulli mund të gjendet në këtë link: FAZ.NET – Recension për romanin “Ë”.

Ky vlerësim ndërkombëtar përforcon prezencën e Jehonë Kicaj në skenën letrare gjermane dhe e vendos romanin e saj në qendër të diskutimeve të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore. /Albinfo.ch

Etrit Gashi nderohet në gala “The Best of Europe Awards”

Etrit Gashi nga Lipjani ka arritur të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare me kompaninë e tij “Foto Vjosa”. Mbrëmjen gala “THE BEST OF EUROPE AWARDS” në Stamboll, arti dhe puna e tij u vlerësuan lart, duke e shpërblyer me çmimin prestigjioz “The Best International Wedding Video Company”, transmeton albinfo.ch.

Ky vlerësim tregon se krijimtaria e Etritit ka kapërcyer kufijtë e vendlindjes dhe është bërë model për industrinë kreative në Evropë. Çmimi nuk është vetëm një sukses personal, por edhe një njohje për gjithë ekipin dhe rrugëtimin e ndërtuar përmes “Foto Vjosa”, e cila për vite me radhë ka ruajtur momentet më të bukura të shumë familjeve dhe çifteve me profesionalizëm dhe art.

Çdo projekt i Etrit Gashit karakterizohet nga mjeshtëria teknike dhe një sy artistik që kap emocionin, ndjenjën dhe shpirtin e ngjarjes. Ky çmim ndërkombëtar është dëshmi se puna e palodhshme, vizioni i qartë dhe besimi në talent çojnë drejt majave.

Etrit Gashi dhe “Foto Vjosa” janë një shembull frymëzues për të rinjtë që duan të ndjekin ëndrrat e tyre, duke treguar se edhe nga një qytet i vogël mund të arrihet sukses ndërkombëtar. /Albinfo.ch

Ambasada zvicerane mbështet organizatat e shoqërisë civile në Kosovë

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me përpjekjet e fundit për të diskredituar punën e organizatave të shoqërisë civile. Sipas ambasadës, këto përpjekje “gërryejnë besimin publik, tkurrin hapësirën qytetare dhe dobësojnë themelet e vetë demokracisë”, përcjell albinfo.ch.

Në komunikatë theksohet se media dhe shoqëria civile luajnë një rol kyç në promovimin e transparencës, përmirësimin e llogaridhënies publike dhe fuqizimin e qytetarëve. Ambasada nënvizon rëndësinë e respektimit të etikës gazetareske dhe raportimit faktik.

Zvicra do të vazhdojë të mbështesë organizatat e shoqërisë civile që punojnë për të promovuar dialogun, të drejtat e njeriut dhe pajtimin në Kosovë.

Elbenita Kajtazi rikthehet në skenë me role të reja

Sopranoja e njohur kosovare, Elbenita Kajtazi, pas disa muajsh të mbushur me lumturinë e të qenit nënë, ka njoftuar rikthimin e saj në skenën operistike për sezonin 2025/2026, transmeton albinfo.ch.

Kajtazi është shprehur se: Pas muajsh të mbushur me lumturinë më të madhe, atë të të qenit nënë, zemra ime kthehet sërish në skenë. Sezoni 2025/2026 do të jetë i veçantë: rikthim me role të dashura dhe debutime të reja si Alice (Falstaff), Luisa (Luisa Miller) dhe Fiordiligi (Così fan tutte). Jam mirënjohëse për çdo hap në këtë udhëtim të ri, ku arti dhe jeta ndërthuren në mënyrën më të bukur.”

Rikthimi i saj pritet të sjellë emocione të reja për publikun dhe të forcojë më tej karrierën ndërkombëtare të sopranos, e cila prej vitesh është një nga zërat më të spikatur shqiptarë në skenat botërore të operës. /Albinfo.ch

Kosova, me fitore të madhe ndaj Suedisë

Kosova shënoi fitore të madhe ndaj Suedisë në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.

Dardanët fituan 2:0 në Prishtinë, shkruan albinfo.ch.

Elvis Rexhbeqaj shënoi në minutën e 26-të pas një kundërsulmi të suksesshëm, ndërsa golin e dytë po ashtu nga kundërsulmi me një goditje të fuqishme e shënoi Vedat Muriqi në minutën e 42-të.

Pjesa e dytë nuk prodhoi gola dhe kështu Kosova fitoi 2:0.

Kosova ka tri pikë, ndërsa Suedia e Sllovenia nga një, kurse lidere është Zvicra me gjashtë.

 

 

Kosova e jashtëzakonshme ndaj Suedisë

Dardanët kanë harruar shpejt ndeshjen me Zvicrën dhe kanë qenë të jashtëzakonshëm në pjesën e parë ndaj Suedisë.

Kosova po fiton 2:0 në Prishtinë në stadiumin e mbushur me tifozë, shkruan albinfo.ch.

Elvis Rexhbeqaj shënoi në minutën e 26-të pas një kundërsulmi të suksesshëm, ndërsa golin e dytë po ashtu nga kundërsulmi me një goditje të fuqishme e shënoi Vedat Muriqi në minutën e 42-të.

 

 

Zvicra, e nis fuqishëm ndaj Sllovenisë

Zvicra po fiton bindshëm edhe ndaj Sllovenisë, shkruan albinfo.ch.

Nati po fiton 3:0 në pjesën e parë në takimin që po zhvillohet në Bazel, edhe pse stadiumi nuk është i mbushur me tifozë.

Golin e parë e realizoi Elvedi në minutën e 18-të, derisa Embolo ngriti epërsinë në minutën e 33-të, kurse pesë minuta më vonë Ndoye shënoi golin e tretë.

Miqësorja në Aarau: Zvicra U21 fiton ndaj kuqezinjve

Kombëtarja shqiptare U-21 luajti miqësoren e dytë të shtatorit ndaj Zvicrës në stadiumin “Brügglifeld” të Aaraut.

Kuqezinjtë u mposhtën në këtë takim me rezultatin 2-1. Golin e Shqipërisë e realizoi Aidon Shehu.

Zvicra gjeti golin në minutën e 27-të pas një gabimi në mbrojtje. Liam Chipperfield i dha avantazhin helvetëve.

Shqipëria i shkoi shumë pranë barazimit në minutën e 38-të me Elton Fikajn, por goditja e mbrojtësit u ndal nga traversa. Pjesa e parë u mbyll 1-0.

Fraksioni i dytë nisi me dy ndryshime për Shqipërinë. Trajneri Bushi aktivizoi Rashicën dhe Përndrecën, ndërsa nga loja dolën Gudjufi dhe Osmani, njofton FSHF, transmeton albinfo.ch.

Kuqezinjtë dominuan lojën në pjesën e dytë dhe në minutën e 65-të barazuan rezultatin me Aidon Shehun, i cili realizoi një gol spektakolar me një goditje fantastike nga jashtë zone.

Zvicra mori sërish avantazhin në minutën e 81-të me Dircssi Ngonzo.

Djemtë kuqezi tentuan deri në fund për të barazuar dhe i shkuan shumë pranë në minutën e 90-të, por goditja e Përndrecës kaloi ngjitur me shtyllën.

Ndeshja në fund u mbyll me fitoren e Zvicrës U-21 me rezultatin 2-1.

Bie Qeveria në Francë

Kryeministri francez François Bayrou ka humbur votëbesimin që kërkoi në qeverinë e tij.

Asambleja Kombëtare e Francës ka votuar me 364 vota pro dhe 194 kundër për ta shkarkuar atë nga detyra dhe për të rrëzuar qeverinë e tij të pakicës.

25 deputetë të tjerë abstenuan, transmeton albinfo.ch.

Francois Bayrou tani duhet t’i paraqesë Emmanuel Macron dorëheqjen e qeverisë së tij, gjë që sipas mediave franceze do ta bëjë nesër në mëngjes.

Formacionet e ndeshjes Zvicra-Sllovenia

Zvicra do të ketë ndeshjen e dytë radhazi në shtëpi për pak ditë.

Pas fitores ndaj Kosovës 4:0, Nati e pret Slloveninë që barazoi me Suedinë 2:2, shkruan albinfo.ch.

Para ndeshjes janë publikuar formacionet zyrtare, ku Granit Xhaka si zakonisht është nga fillimi si kapiten.

 

Foto: Formacionet e ndeshjes Kosova-Suedia

Janë publikuar formacionet e ndeshjes Kosova-Suedia, që zhvillohet nga ora 20:45, shkruan albinfo.ch.

Ndaj Suedisë, Albion Rrahmani starton në sulm përkrah Vedat Muriqit, ndërsa Baton Zabërgja luan në krahun e djathtë të sulmit.

Ndaj Zvicrës në krahun e djathtë ishte Ermal Krasniqi. Në stol ka mbetur edhe Muharrem Jashari. Dion Gallapeni starton në vend të Leart Paçaradës në krahun e majtë të mbrojtjes. Ndërkohë në vend të Amir Rrahmanit në qendër të mbrojtjes paraqitet Fidan Aliti.

Alexander Isak nuk do të startojë te Suedia ndaj Kosovës, në ndeshjen që zhvillohet nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.

Sulmi i Suedisë përbëhet nga Viktor Gyokeres dhe Anthony Elanga, dy yje të tjerë të Premier Leagues.

Përzgjedhësi i Suedisë, Jon Dahl Tomason ka vendosur për formacion 3-5-2.

Napoli konfirmon dëmtimin e Rrahmanit, zbulohet data e mundshme e rikthimit

Napoli ka konfirmuar zyrtarisht shkallën e dëmtimit që pësoi qendërmbrojtësi Amir Rrahmani gjatë pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare, por raportet fillestare tregojnë se ai nuk pritet të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme kohore.

Rrahmani u tërhoq nga kampi i ekipit kombëtar të Kosovës gjatë fundjavës pasi u raportua se pësoi një dëmtim muskulor ndaj Zvicrës.

Ai nuk do të jetë i përfshirë në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës kundër Suedisë të hënën në mbrëmje, transmeton albinfo.ch.

Napoli ka konfirmuar se Rrahmani ka pësuar një “dëmtim të shkallës së lehtë në bicepsin femoral të kofshës së djathtë”. Klubi gjithashtu ka konfirmuar se lojtari tashmë ka filluar punën e tij të rehabilitimit.

Siç qëndrojnë gjërat, 31-vjeçari pritet të humbasë ndeshjen e ardhshme të Napolit në Serie A kundër Fiorentinës këtë fundjavë, por mund të jetë në radhë për t’u rikthyer në skuadër për raundin e parë të Ligës së Kampionëve 2025-26, e cila, për Napolin, bie kundër Manchester City më 18 shtator.

Rrahmani ka luajtur si titullar në të dyja ndeshjet e para të Napolit në Serie A të sezonit, të dyja së bashku me Juan Jesus. Antonio Conte mund të jetë i gatshëm t’i zëvendësojë të dy me Alessandro Buongiorno, i cili është afër një rikthimi të plotë në formë, dhe nënshkrimin e verës Sam Beukema.

Austri: Arrestohen dy shqiptarë për grabitje dhe shkëmbim zjarri me policinë

Pas një grabitjeje të rëndë dhe një shkëmbimi zjarri me policinë të premten në Amstetten, dy grabitës të dyshuar u dërguan në Qendrën Korrektuese të St. Pölten-it. Sipas policisë, ata janë një shtetas i Kosovës, 58-vjeçar dhe një i Shqipërisë, 55-vjeçar, transmeton albinfo.ch.

Dy autorët e dyshuar, së bashku me një person të tretë që është ende në arrati, u kapën në flagrancë të premten. Ata dyshohet se hynë me forcë në shtëpinë e një çifti pensionistësh. Gruaja, e cila ishte vetëm në ndërtesë, me sa duket u detyrua tu dorëzonte para pasi ata “kanë përdorur forcë fizike dhe kanë kërcënuar me një pistoletë dhe një objekt të fortë”, tha policia në një njoftim për shtyp, shkruan orf.at.

Kur një punonjës i një kompanie shpedicioni ka ndaluar në shtëpi rreth orës 7:00 të mëngjesit, të dyshuarit kanë ikur. Shoferi i shpërndarjes ka telefonuar 911 dhe ka pasuar një kërkim në shkallë të gjerë. Sipas policisë, 55-vjeçari refuzoi të dëshmonte gjatë marrjes në pyetje pasuese, ndërsa 58-vjeçari ka pranuar fajin. Hetimet janë duke vazhduar në lidhje me bashkëpunëtorin e dyshuar.

Njëri nga të arrestuarit dyshohet se ka qëlluar ndaj policëve

Sipas hetimit, njëri nga burrat besohet se ka qëlluar ndaj zyrtarëve të policisë kur ata u përpoqën t’i ndalonin. Njëri nga zyrtarët u kundërpërgjigj me zjarr, përcjell albinfo.ch. Të dyshuarit, të cilët nuk kanë leje qëndrimi të ligjshëm në Austri, u arrestuan dhe me atë rast u konfiskua edhe një pistoletë. Nuk pati të lënduar.

Zyra e Policisë Kriminale Shtetërore të Austrisë së Poshtme mori përsipër hetimin. Përdorimi i armëve të shërbimit po hetohet – siç kërkohet me ligj – nga Zyra e Hetimit dhe Ankesave për Akuzat për Keqtrajtim (EBM), e cila ndodhet brenda Zyrës Federale për Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit (BAK).

Sylvinho pret reagimin e kuqezinjve ndaj Letonisë

Shqipëria do të ndeshet me Letoninë në Tiranë, në kuadër të Kualifikueseve të Botërorit 2026, të martën e 9 shtatorit.

Në një konferencë për mediat, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, tha:

“Sigurisht që do herë një ndeshje kyçe, por po flasim për dy situata të ndryshme. Dy ditë më parë ne pamë ndeshjen e Letonisë me Serbinë dhe ndeshja ishte aty-aty. Rezultatet të tipit 6-0 si Spanja mbrëmë ndodhin rrallë herë. Më vjen keq ta them, por nuk jemi në atë nivel. Sa i përket Letonisë, është një ekip fizik dhe i organizuar. Janë gjithmonë aty për të luftuar për topin e tyre. I kemi analizuar ndeshjet e tyre të fundit. Sa i përket Gjibraltarit, ishte atmosferë ndryshe. Medon Berisha për shembull kishte 6 muaj me ne, por ishte hera e parë që startonte me Kombëtaren. T’i kërkosh lojtarëve të rinj të fitojnë 6-0 është e vështirë, por që e vërtet, prisja më shumë”, u shpreh braziliani, duke shtuar:

“E kam thënë 10 ditë më parë, nuk e kam vendosur 11-shen e parë, por që do ndryshojmë në dy pika. Si në aspektin defensivë, ashtu dhe në atë ofensiv. Kemi sot stërvitjen e fundit dhe formacionin do ta vendos nesër.

Edhe disa pyetje që iu bënë disa pyetje Gjimshitit, nëse është moment i mirë apo jo, është gjithmonë moment i mirë kur i ke vetë gjërat në dorë.

Siç e thashë më përpara, është një moment i mirë i Kombëtares. Në futboll luan 11 kundër 11. Ekziston çdo rezultat. Futbolli është i tillë. Kur ke rezultat të mirë, gjërat ndryshojnë. Më shumë sesa për të shqetësohen për lojtarët që nuk janë në listat e ekipeve të tyre për Evropën, shqetësohem për lojtarët që kanë ndryshuar skuadrën. Nuk jemi në atë nivelo që të zgjedhim lojtarët që kanë më shumë minuta. Kam zgjedhur lojtarë që kanë pasur zero minuta”, shtoi tutje ai.

“Pas ndeshjes me Gjibraltarin, nuk mund të thoja që 4 lojtarë që kanë luajtur për herë të parë se kanë bërë një ndeshje të keqe. Kur kam debutuar me Brazilin, nuk kam fjetur gjithë natën. Ata nuk kishin luajtur ndonjëherë me njëri-tjetrin. Edhe elementi i moshës. Dajsinani për shembull, më pëlqen shumë, ose Simon Simoni. Nuk mund t’i vendos në presion. Më korrigjoni nëse e kam gabim, por nuk e di nëse ndokush te Shqipëria ka shënuar ndonjë tripletë. Jam i sigurt që nesër do të herë një ndeshje shumë e mirë.

Nëse dy vite e gjysmë, skuadra ka ndryshuar shumë. Unë e kam thënë shumë herë që Kombëtarja është e hapur. Javën e parë të punës, më pëlqen kur shoh lojtarë të rinj dhe sa kanë luajtur. Sa i përket Brojës dhe Asanit, janë shumë mirë, në gjendje optimale. Asani ka kaluar pak më shumë kohë me ne. Nuk mund të them që ata do luajnë nesër, por të dy kanë pëlqimin tim”, nënvizoi trajneri i Shqipërisë.

“Ndaj Anglisë bëmë një ndeshje të mirë. Me Andorrën kishim një rezultat të mirë. Me Serbinë bëmë një ndeshje të mirë, rezultati jo dhe aq. Në ndeshjen e fundit ndaj Letonisë nuk më pëlqyen 45-minutat e para. Nëse do të shkosh në Botëror, janë gabime që i paguan shumë shtrenjtë”.

A është edhe si një finale për Sylvinhon? Nuk do i përgjigjem asaj. Siç e thashë më përpara, çdo ndeshje është e rëndësishme. Edhe ajo në Riga ishte e rëndësishme. Të gjithë duhet të përgatitemi si ekipi. Ne jemi një. Duhet të futesh në fushë dhe të fitosh ndeshje të tilla. Nuk mendon për tetorin dhe nëntorin”.

Reagon ashpër Ragip Xhaka pas fyerjeve ndaj Granitit

Babai i Granit Xhakës, Ragip Xhaka, ka reaguar ashpër ndaj fyerjeve dhe shpifjeve të adresuara ndaj familjes së tij dhe sidomos ndaj mesfushorit të Zvicrës, Granit Xhaka.

Në një reagim të gjatë, ai tha se sulmet ndaj djemve të tij janë sulme ndaj gjithë shqiptarëve që ndihen krenarë për arritjet e tyre, transmeton albinfo.ch,

Reagimi i Ragip Xhakës

Reagim ndaj shpifjeve e fyerjeve ndaj familjes Xhaka – veçanërisht ndaj Granitit

Edhe pse zakonisht nuk ndërhyj në komente apo polemika që nuk më përkasin drejtpërdrejt, këtë herë ndjej detyrë morale të reagoj. I drejtohem të gjithëve atyre që shkruajnë e flasin në mënyrë të ulët ndaj vëllezërve Xhaka – e në veçanti ndaj Granitit.

O ju të mjerë, të verbër në zemër dhe në mendje – kur tentoni ta njollosni Granitin, në fakt po e njollosni veten tuaj. Kur e shani, po e tregoni vetëm ligësinë, zilia dhe neverinë që keni brenda vetes.

Pse, prisnit që Graniti t’jua falte lojën? Pse nuk e doni suksesin e dikujt që ka ngritur flamurin kuqezi me krenari, që ka mbrojtur nderin e shqiptarëve në fushën e gjelbër dhe në çdo dalje publike?

A harruat se Serbia ishte ajo që na vrau, na dhunoi dhe na dëboi nga trojet tona – dhe sot, në vend që të sulmoni ata që na nderojnë, po sulmoni një shqiptar që kurrë nuk e mohoi prejardhjen e tij?

A harruat se kur Taulanti, me shokë, dilte ballë për ballë me tifozët serbë në Beograd për të mbrojtur flamurin kombëtar, ju ishit krenarë?

A harruat se Graniti ngriti shqiponjën në zemër të Rusisë, në një botëror ku gjithë bota po e shihte?

A harruat se sa herë e ka ngritur zërin për Kosovën, për Shqipërinë, për nënat shqiptare dhe për të drejtën tonë për ekzistencë?

Vëllezërit Xhaka – dhe shumë sportistë të tjerë shqiptarë në diasporë – e kanë ngritur lart imazhin e shqiptarëve në Zvicër, në Evropë dhe në gjithë botën. Ata kurrë nuk e kanë mohuar se janë shqiptarë. Përkundrazi – çdo intervistë, çdo dalje publike, çdo ndeshje është dëshmi e krenarisë së tyre kombëtare.

Zvicra ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën. Ajo na ka strehuar në kohët më të vështira dhe na ka dhënë mundësinë të ndërtojmë jetë më të mirë. Dhe sot, kur njerëz si Graniti i kthejnë Zvicrës kontribut me krenari, ju i thoni “zvicra-zvicra” me përbuzje?

O të shitur, o të paditur, turp t’ju vijë!

Kur e shani Granitin, nuk po shani vetëm një futbollist. Po shani familjen tuaj, po shani një emblemë krenarie shqiptare. Sepse Xhakat kurrë nuk janë gjunjëzuar – dhe nuk kanë për t’u gjunjëzuar!